“Vajza që s’u martua kurrë, sakrifikoi jetën dhe shiti plaçkat e shtëpisë e pajën e saj, për t’ju gjetur vëllait në burgje, por në fund ai…”/ Historia tragjike e familjes nga Berati

Nga Dilaver Xhelili

Memorie.al / Yzedin Haznedari u ri dënua me 20 vjet burg në vitin 1951 nga regjimi i komunist i atëhershëm. Por e motra, Duduja, sakrifikoi gjithçka. Si u betua para varrit të nënës për të mos u martuar kurrë, si shiti pajën e nusërisë dhe orenditë shtëpiake për të mbijetuar e për t’i shërbyer Yzedinit. Udhëtimet e gjata drejt burgut të Burrelit 15 vjet me radhë, çezma e ndërtuar në oborr që duket sikur rrjedh lotët e vajzës beratase dhe ndarja nga jeta para se vëllai të lirohej nga qelia…! Yzedin Haznedari u lind në Berat më 1919-ën, në një familje të dëgjuar dhe me emër të madh në atë qytet. Por jeta e tij gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës, shkoi mes vuajtjesh e mundimesh, ashtu sikurse dhe jeta e së motrës, Dudes, e cila deri në vdekje, i shërbeu të vëllait, duke u betuar për të mos u martuar kurrë.

Sakrifikoi dashurinë për burgun e vëllait, që për vite të tëra, vuajti dënimin në burgun e tmerrshëm të Burrelit. Por nuk mundi ta shihte të lirë. Kur Yzedini mbushi vitin e 15-të të dënimit, Dude Haznedari, ndërroi jetë pa mundur ta takonte.

Yzedini, pasi përfundoi gjimnazin në qytetin e Shkodrës në vitin 1940, filloi studimet e larta universitare në Firence të Italisë për Ekonomi. Nga fundi i vitit 1942, si shume studentë të tjerë, kthehet në atdhe për të dhënë ndihmesën e kontributin e tij në Luftën Antifashiste.

Me formimin e Qeverise Demokratike provizore të kryesuar nga Enver Hoxha në tetorin e 1944-ës në Berat, Yzedini emërohet ekonomist në seksionin e Financës në Komitetin Ekzekutiv të atij qyteti. Disa muaj më vonë, në prillin e vitit 1945, ai zgjidhet delegat i rinisë komuniste të qytetit Berat, në Kongresin e dytë të Bashkimit të Rinisë Antifashiste Shqiptare (BRASH). Këtu fillon tragjedia e jetës së tij.

Në dhjetor të vitit 1947, ai arrestohet dhe dënohet me 20 vjet burg politik, me akuzën “armik i popullit”. Por pas një viti arrestohet përsëri, (mbase nuk u tregua mirënjohës për t’i shërbyer partisë, si shpërblim për uljen e dënimit), dhe në vitin 1951 (pasi dy-tre vjet hetuesie) ai dënohet përsëri, për vuajtjen e dënimit të mëparshme. Yzedini ndërroi jetë në korrik të vitit 1992, vetëm pak kohë pasi ishte shembur regjimi komunist. Ai e filloi jetën si patriot antifashist dhe e mbylli si antikomunist i palëkundur.

Dëshmia e kushëririt të tij, Etmir Berati:

“Duduja flijoi veten në emër të dashurisë për vëllain”, tregon Etmir Berati, një i afërm i familjes. “Mbi çdo kënaqësi, dëshirë, ëndërr të jetës së saj në emër të dashurisë për vëllanë, zgjodhi vetëmohimin. Ajo zbatoi deri në fund një betim ndaj vetes, e bindur se në këtë mënyrë do të lehtësonte sadopak, vuajtjet e vëllait të dënuar dy herë, në burgjet e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës.

Bukuria e saj e rrallë, fjala dhe shpirti i saj i butë, mishëronte vajzën e virtytshme, Duden. Gjatë pesëmbëdhjetë viteve burg, që vuajti i vëllai i saj, e shndërroi për së gjalli, në një heroinë të heshtur. Ajo refuzoi disa herë të bëhej bashkëshorte, të krijonte familjen e të lumturohej, duke u bërë nënë.

Ëndërronte të lumturohej shume herë, kur nga goja e nipërve apo mbesave, do të dëgjonte më parë fjalën hallë. Ajo e ndjente dhe jeta e kishte provuar se, duke u bërë më parë nënë, kur vëllai ishte në burg, ajo do të humbiste diçka, pak apo shumë, mbase edhe gjithçka, nga dashuria e përkushtimi ndaj vëllait, pasi do të kishte edhe detyrime e preokupime të tjera ndaj familjes që do të krijonte.

Atë natë dhjetori, pas asaj dite ogurzeze, në sytë e saj ishte shfaqur vula e dëshpërimit të pashlyeshëm. Kur vëllai Yzedini u burgos për herë të dytë në vitin 1951, Duduja u betua mbi varrin e nënës së vet, Bules, se do të ishte një motër e denjë, por edhe një nënë e madhe. Ajo, që dikur jeta i kishte premtuar çelësat e “Parajsës”, tashmë për vite të tëra, do të mbante çelësat e “Ferrit”, por me dinjitet.

Një nga bashkëvuajtëset dhe bashkë udhëtarët e saj për në burgun e Burrelit, tregon: “Pasi zbritëm nga kamioni që do të vazhdonte rrugën për në Bulqizë, ne marrim të përpjetën për në qendër të qytetit të Burrelit. Para se të shkonim në burg që të regjistronim emrat, vendosëm të hanim dreke, në një restorantet e pakta të atij qyteti, apo siç quheshin në atë kohë, “Gjelltore”. Futemi të gjithë bashkë dhe pa zënë vend mirë, Dudja na thotë: “Hani ju, unë do të kthehem pas pak”. Ajo nuk u kthye më në restorant.

Ne u ngutëm, hëngrëm shpejt e shpejt dhe dolëm jashtë e u takuam përsëri me Duden. Përveç torbave me ushqim që kishte sjellë nga shtëpia për vëllanë, ajo mbante në dorë një qese letre me mollë. Sa na pa, na pyeti: – “Nga sa paguat për drekën”. – “Nga dyzet lekë, u përgjigjem ne njëzëri”.- “Kurse unë tek kasaxhiu, pagova pesëmbëdhjetë lekë dhe me njëzetë e pesë lekë që me tepruan, bleva edhe mollë për Yzedinin. Kush doli më i fituar, unë apo ju”?

Për çdo dymbëdhjetë muaj që kishte viti ajo bënte qindra kilometra rrugë vajtje-ardhje nga Berati në Durrës e nga Durrësi në Burrel, e në çdo kamp ku i degdisnin të burgosurit politikë ai regjim. Dudja me disa shoqe të saj, niseshin që pa gdhirë, për tek vëllezërit e tyre të burgosur, hipnin nëpër karroceri të kamionëve, apo në ndonjë rast kur kishte ndonjë shofer zemërmirë, i merrte dhe në kabinë, por kjo ndodhte rrallë, pasi familjarët e të dënuarve në përgjithësi njiheshin edhe nga trastat që mbanin në dorë dhe shoferët kishin frikë t’i merrnin në kabinë.

Duduja shkonte me shpresën se nga kamarja e asaj porte të mallkuar, ose matanë brezave të rrethuar me tela me gjemba të kampit të stërmundimit, nga larg do të shihte fytyrën e vëllait. Ajo lumturohej ku nëpërmjet asaj kamare apo atyre telave, do të thithte buzëqeshjen e hidhur të vëllait të shtrenjtë. Por, nuk arriti dot ta takonte të lirë.

Konaku i nënë Zelies në Burrel, strehë për vizitorët e burgut

Ne hyrje të qytetit të Burrelit, banonte një grua e moshuar e quajtur Zelie, e cila i ndihmonte herë pas here udhëtarët e largët. Ajo e kishte shndërruar shtëpinë e saj, në konak për vizitoret e burgut, që vinin aty nga të gjitha rrethet e vendit. Një herë, në shtëpinë e nënë Zelies, ishin grumbulluar shumë bujtës. Atë natë, vende për të fjetur të gjithë, nuk kishte, por as mbulesa. Atëhere Dudja, (edhe pse ishte errur), i’u drejtua të pranishmëve që ndodheshin në konak: “Këtë radhë më takon mua të shkoj lart në Burrel, në hotel për të fjetur”, dhe doli. Në të vërtetë, tregonte motra Diana, ajo kishte gdhirë gjithë natën përjashta, mbledhur kruspull nën strehën e çatisë, se nuk kishte lekë të flinte në hotel.

Motra që shet pajën për vëllanë…!

Për vite me radhë Duduja, çdo të shtunë dilte te pazari, ku pasi mbulonte kokën me një burulluk, shiste plaçkat e shtëpisë, qilima, batanije, velenxat, sixhadet, flokjet e orenditë shtëpiake. Pastaj i erdhi radha pajës se saj. Ajo tashme kishte mbledhur mendjen, e mbetur fillikat, të gjithë qenien e saj e përshkonte dashuria e përkushtimi, ndaj të ardhmes së vëllait.

Kuptimi i jetës së saj, përmblidhej në një fjalë të vetme, Yzedin. Duduja, gjithë ditën punonte me makinë qepëse, për të siguruar shpenzimet që duheshin për të përballuar burgun e vëllait. Nuk njihte pushim, vetëm kur këputeshin krahët e mpiheshin këmbët, pushonte zhurma e makinës qepëse.

“Çezma qe rrjedh lotët e mi”!

Në një nga këto ditë, pra kur i vëllai, Yzedini ishte ende në burg, Duduja thërret Lemanin, një kushërirën e vet dhe i lutet. “Të ndërtojnë një çezmë ne oborr. Sa herë ta hapni, të më kujtoni. Uji që do të rrjedhë prej saj, janë lotët e mi që kam derdhur për vëllanë”.

Ky ishte amaneti i fundit i Dudusë. Ajo u nda nga kjo botë, para se vëllai t’i kthente shpinën derës së burgut. Nuk arriti të realizonte ëndrrën e saj, të shohë të vëllanë të lumtur, në vatrën e tij familjare dhe vetë të lumturohej, kur t’i thërrisnin hallë. Ajo, duke u shkrirë në flakën e dashurisë për vëllanë, mori me vete dhimbjen e atyre pesëmbëdhjetë vjetëve, mijëra ditë vetmie e netë lotësh. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/vajza-qe-su-martua-kurre-sakrifikoi-jeten-dhe-shiti-plackat-e-shtepise-e-pajen-e-saj-per-tju-gjetur-vellait-ne-burgje-por-ne-fund-ai-historia-tragjike-e-fami/