Ushtrimi i Funksionit Zgjedhës/Emërues nga Kuvendi i Shqipërisë gjatë vitit 2023

Një prej funksioneve themelore të Kuvendit të RSH është ai zgjedhor. Kuvendi zgjedh Presidentin e Republikës, si dhe një numër të madh funksionarësh të lartë në institucionet kushtetuese ose në institucionet e pavarura të krijuara me ligj. Funksioni zgjedhor shprehet në vijueshmëri, në varësi nga vakancat e krijuara, si dhe praktikat e përcaktuara nga Kushtetuta, ligjet organike si dhe Rregullorja e Kuvendit.

Gjatë vitit 2023 Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka monitoruar bazën ligjore të funksionit zgjedhor të Kuvendit, dokumentet e brendshme rregullatore, ligjet organike dhe praktikat e deritanishme. Procesi paraqitet kompleks dhe lidhet sa me afatet e parashikuara për thirrjen publike, zhvillimin e verifikimeve të dokumentacionit, seancat dëgjimore sipas rastit, si dhe vendimmarrjen finale të Kuvendit në komisione ose në seancën plenare. Nga ana tjetër procesi ndërvaret nga kandidatët dhe numri e cilësia e individëve që aplikojnë për vendet vakante. Po ashtu ndikim të rëndësishëm në proces merr edhe detyrimi ligjor për pjesën më të madhe të kandidatëve për postet e rëndësishme politike dhe institucionale, për mbështetje nga 20 ose 28 deputetë, sipas rastit. Vetë Kuvendi nuk ka një praktikë të unifikuar të raporteve vjetore lidhur me ecurinë e proceseve zgjedhore prej tij apo analiza profesionale mbi gjetjet dhe sugjerimet, bazuar në ushtrimin e kësaj kompetence gjatë viteve të fundit.

Angazhimi i ISP-së është i dyfishtë, – monitorues dhe analizues, dhe ky dokument shpreh gjendjen aktuale, gjetjet kryesore dhe rekomandime përmirësuese për të ardhmen.

Qëllimi i raportit është analiza dhe pasqyrimi i të gjitha problematikave që lidhen me funksionin zgjedhor, si dhe kontributi konstruktiv për komisionet parlamentare, administratën dhe vetë Kuvendin, aktorët politikë në grupet parlamentare, etj, të cilët kanë role dhe përgjegjësi specifike në fazat ndryshme të jetësimit të këtij funksioni.

Gjithashtu qëllimi është edhe adresimi publik i problematikave, duke ofruar informacion cilësor për organizatat e shoqërisë civile që janë pjesë e Regjistrit të OJF-ve në parlament, për median që raportojnë për Kuvendin dhe nga Kuvendi, për stafet e përfshira në institucionet që janë subjekt zgjedhor në Kuvend, si dhe për të gjitha grupet dhe individët e interesuar.

Vlerësimi, gjetjet dhe rekomandimet do t’i adresohen zyrtarisht Kuvendit dhe institucioneve të përfshira, si dhe i gjithë raporti do të jetë publik në faqen zyrtare në Institutin e Studimeve Politike.

 

GJETJET KRYESORE

Kuvendi i Shqipërisë në fokus të punës së tij ka edhe bashkëveprimin dhe partneritetin me institucionet e pavarura kushtetuese dhe ato të krijuara me ligj të veçantë. Përmes komisioneve parlamentare Kuvendi ushtron kompetencat e tij kushtetuese të cilat konsistojnë në mbikëqyrjen ndaj këtyre institucioneve si dhe në zgjedhjen/emërimin e titullarëve dhe anëtarëve të organeve të tyre drejtuese. Kushtet dhe kriteret për zgjedhjen, emërimin dhe shkarkimin e titullarëve dhe anëtarëve të organeve drejtuese të institucioneve të pavarura përcaktohen në kushtetutë dhe/ose ligjet e krijimit, ndërsa procedurat për përzgjedhjen e kandidaturave në këto institucione janë të ndryshme dhe bazohen në një kuadër ligjor rregullator.

Nga analiza e bërë në këtë punim lidhur me zgjedhjen, emërimin apo shkarkimin e titullarëve dhe anëtarëve të organeve drejtuese të këtyre institucioneve gjatë vitit 2023 konkludohet sa vijon:

I. Në disa raste, procedura paraprake e përzgjedhjes nuk ka filluar në afatin e përcaktuar me ligj. Mosrespektimi i afateve, ndonëse nuk prodhon pasoja juridike reflekton mungesë përgjegjësie nga ana e institucionit propozues. Respektimi i afateve është i rëndësishëm për arritjen e objektivit të përcaktuar nga norma kushtetuese dhe/ose ligjore, që është përfundimi i procesit të zgjedhjes/emërimit të kandidaturës dhe fillimi i ushtrimit të detyrës prej tij, çka përbën interes publik dhe shtetëror. Kuadri rregullator është i heshtur duke mos parashikuar masa me karakter ndëshkues kur afati i fillimit të procedurës paraprake të përzgjedhjes nuk respektohet nga organi propozues.

II. Plotësimi i vendeve vakante në organet drejtuese të këtyre institucioneve në shumë raste bëhet në tejkalim të afateve të përcaktuara në ligj apo në Rregulloren e Kuvendit. Mosrespektimi i afateve nga organet e përfshira në procesin zgjedhës/emërues ndikon negativisht në stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e vetë institucionit, pavarësisht se ligjet organike garantojnë vazhdimësinë institucionale duke lënë hapësirë për qëndrimin në detyrë të anëtarit të organit deri sa të zëvendësohet. Rastet e shkarkimit apo dorëheqjeve krijojnë boshllëk institucional. Në raste tjera vazhdimësia garantohet vetëm për tre muaj.

III. Në disa raste, ligji organik nuk parashikon afat për fillimin e procedurave paraprake të përzgjedhjes. Ligji nr. 17/2018 “Për statistikat zyrtare” apo ligji nr. 9918/2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”” janë ndër rastet. Mungesa e afateve ligjore për fillimin e procedurës paraprake të përzgjedhjes ka si pasojë plotësimin me vonesë të vendeve vakante.

IV. Në procedurën paraprake të përzgjedhjes së kandidaturave, OSHC-të nuk përfshihen. Në praktikat e mira procesi i përzgjedhjes së kandidaturave në të gjitha rastet është i hapur dhe publik dhe bazohet në parimin e transparencës, shanseve të barabarta, mosdiskriminimit, meritës e profesionalizmit. Pjesëmarrja e shoqërisë civile, në cilësinë e vëzhguesit, garanton profesionalizmin dhe transparencën gjatë përzgjedhjes si dhe shmang politizimin.

V. Kuvendi nuk i përmbahet procedurës së përcaktuar në nenin 111 të Rregullores sipas së cilës Kuvendi organizon dëgjesë të hapur publike me të gjithë deputetët pas së cilës përzgjidhen kandidaturat e pëlqyera për t’ia propozuar Kuvendit. Aktualisht përzgjedhja bëhet nga deputetët pas shqyrtimit në komisionin përgjegjës, pra përpara se kandidaturat ti referohen seancës plenare për shqyrtim.

VI. Ndonëse me akte të brendshme, Kuvendi e ka të detyrueshme publikimin e dokumentacionit të paraqitur nga kandidaturat (CV dhe dokumentet shoqëruese) në asnjë rast ky dokumentacion nuk është vënë në dispozicion të publikut. Transparenca dhe besimi i publikut në këtë kategori njerëzish luajnë rol të rëndësishëm në shtetin e lirë e demokratik. Publiku ka interes të ligjshëm, që përmes transparencës, të informohet më në detaje mbi punën, jetën profesionale dhe veprimtarinë e kandidaturës në fushën që propozohet. Kjo rrit besimin e publikut edhe tek parlamenti.

VII. Referuar rregullave të procedurës, zhvillimi i seancës dëgjimore është i detyrueshëm por rezulton se në zgjedhjen e anëtarit të AMF-së ky instrument është anashkaluar nga KÇLAPDNJ me arsyetimin se një seancë e tillë (dëgjimore) është zhvilluar në vitin 2018 kur kandidatura garonte për mandatin e tij të parë (nga një trupë tjetër legjislative). Ndërkohë Kuvendi ka mbajtur tjetër standard për kandidaturën e AKEP-it e cila edhe kjo garonte për një mandat të dytë. Vlerësimi i performancës është vendimtar për të përligjur plotësisht zgjedhjen apo emërimin si anëtar i një organi kushtetues apo të krijuar me ligj. Në këtë proces seanca dëgjimore është një instrument që i shërben këtij qëllimi dhe i vjen në ndihmë deputetëve për të krijuar mundësi njohjeje sa më të plotë dhe të thellë të kandidaturave.

VIII. Që të jetë efikas dhe i plotë, procesi zgjedhës/emërues kërkon angazhim maksimal nga të gjithë aktorët, njëri prej të cilëve është edhe shoqëria civile. Nga monitorimi i kryer rezulton se kjo e fundit nuk është pjesë e këtij procesi as në fazën e shqyrtimit të kandidaturave në Kuvend nga komisionet parlamentare.

IX. Përgjithësisht, numri i deputetëve që angazhohen në këtë proces është i ulët dhe se fazat e shqyrtimit reduktohen vetëm në një prezantim shumë të shkurtër të përvojave personale të kandidatëve duke anashkaluar pyetjet dhe debatin parlamentar. Zgjedhja e anëtarëve të KDAKEP-it apo KS janë për tu përmendur. Që të jetë efikas, procesi zgjedhës, kërkon angazhimin maksimal të të gjithë deputetëve. Një angazhim më i madh i tyre tregon prioritetin që i jep Kuvendi këtij procesi por njëkohësisht rrit besimin e publikut në këtë institucion dhe fuqizon transparencën.

X. Raportet e komisioneve parlamentare në zgjedhjen e titullarëve apo anëtarëve të organeve drejtuese të institucioneve të pavarura mbeten sipërfaqësore dhe joprofesionale. Raporti është produkt i punës së komisionit dhe si i tillë reflekton cilësinë e procesit. Mungon informacioni për kriteret ligjore që duhen plotësuar, si është zbatuar procedura paraprake përzgjedhëse nga organi propozues, përvoja profesionale e kandidaturës, performanca gjatë seancës dëgjimore, pyetjet e drejtuara dhe përgjigjet e marra, mendimet e anëtarëve të komisionit (por edhe të OSHC-ve nëse ka patur) për kandidaturën në fjalë si dhe korrespondenca (nëse ka patur) me institucione të tjera dhe që kanë shërbyer për vlerësimin e kandidaturave. Raporti i komisionit parlamentar në ushtrimin e funksionit zgjedhës nuk është i standardizuar.

XI. Ndonëse relatori ka përgjegjësinë kryesore në këtë proces, për shkak të rolit të tij që konsiston në verifikimin e plotësimit të kritereve kushtetuese dhe /ose ligjore si dhe të vlerësimit të meritës së kandidaturës, roli i tij paraqitet i zbehtë duke konfirmuar përpara komisionit thjesht plotësimin ose jo të kritereve kushtetuese dhe/ose ligjore. (Ky verifikim kryhet nga SHMI).

XII. I gjithë procesi ezaurohet në një mbledhje të vetme. Në disa raste mbledhja e komisionit parlamentar nuk zgjat më shumë se 10 minuta ku fazat e shqyrtimit reduktohen vetëm në një prezantim tepër të shkurtër të kandidaturës duke anashkaluar pyetjet dhe debatin parlamentar. Kjo tregon një proces jocilësor.

XIII. Shqyrtimi në seancë plenare reduktohet vetëm në votimin e kandidaturës duke anashkaluar mbi të gjitha diskutimet e deputetëve për këtë çështje të cilat referuar rregullave të procedurës janë detyruese.

XIV. Për disa institucione, ligji organik parashikon se, në rast të lirimit nga detyra të ndonjërit prej anëtarëve të organit drejtues përpara afatit, mandati i fituar me vendim Kuvendi, zgjat vetëm për periudhën deri në përfundim të mandatit të anëtarit që lirohet. P.sh anëtarët e Bordit Drejtues të AMF-së ose anëtarët e AMA-s . Për sa më sipër, nuk ka një uniformitet përsa i përket kohëzgjatjes së mandatit në të njëjtin organ drejtues. Anëtarë të ndryshëm zgjidhen me kohëzgjatje të ndryshme mandati megjithëse janë anëtarë të të njëjtit organ drejtues (mandat i plotë/mandat i pjesshëm).

XV. Në ndonjë rast, ligji organik (sikurse ligji për AMF-në ) kushtëzon lirimin nga detyra të anëtarit për shkak dorëheqje me vendimmarrjen e Kuvendit. Lirimi nga detyra në këtë rast bëhet me shumicë votash. Heqja dorë nga mandati është veprim që bazohet në shprehjen e vullnetit individual, i cili duhet vetëm të respektohet dhe të mos bëhet objekt diskutimi dhe vendimmarrjeje nga ana e Kuvendit.

 

Raporti i plotë mund të lexohet këtu:

 

ISP – Kuvendi dhe funksioni zgjedhor 2023 – gjetje dhe rekomandime


This is a companion discussion topic for the original entry at https://isp.com.al/ushtrimi-i-funksionit-zgjedhes-emerues-nga-kuvendi-i-shqiperise-gjate-vitit-2023/