“Unë u thashë se bukën e misrit në shtetet e Perëndimit nuk e njeh kush, veç ne shqiptarët dhe Ballkani, kurse në Francë, Spanjë, Itali, etj.,.”/ Procesi hetimor i Dom Shtjefën Kurtit, Tiranë 1970

NIKOLLË LOKA

Av.ALFDRED DUKA

NIKOLIN KURTI

Pjesa e njëzetë e tre

                                -Vazhdues i traditës së klerikëve katolikë atdhetarë –

                                                      Vijon nga numri i kaluar

                                   Bashkëpunim për shtetin dhe vetëm në interes të tij

Gjatë vuajtjes së dënimit

                                                           Proces – verbal

Në Tiranë, me 20 korrik 1970. Unë, Iliaz Haxhiaj, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pyeta të pandehurin Shtjefën Kurti.

Pyetje: Vazhdoni të jepni shpjegime në lidhje me aktivitetin armiqësor që keni zhvilluar kundër pushtetit popullor?

Përgjigje: Mbasi kam dalë nga burgu, viti 1963, në katundin Gurëz jam njohur me Ukë Kosovën, me origjinë prej rrethit Gjakovës Jugosllavi dhe banon në Laç, por zakonisht ky me të shumtën e kohës qëndronte në Gurëz tek vjehrra e tij-Mrika e Gjergj Nikollës. Uka, ka far e fisin e tij në katundet e rrethit të Gjakovës, dhe unë, prej kohësh kur kam qenë atje, kam njohur një axhën e tij, i quajtur Jak Kosova.

Duke filluar që nga viti 1967 e në vazhdim, deri në kohën që unë jam arrestuar, herë pas here, në takimet që kam patur me Ukë Kosovën, kemi zhvilluar biseda me karakter kundër Partisë e pushtetit popullor. Uka mburrej, duke thënë se me gjithë përpjekjet që ishin bërë nga autoritetet e rrethit, si të Partisë dhe të pushtetit, për t’a bindur këtë që të futej në kooperativën bujqësore, por ky nuk ka pranuar, bile edhe sot e kësaj dite, Uka nuk ka hyrë në kooperativë, me gjithë familjen e tij. Për ta bindur këtë, kishte ndërhyrë gjithashtu Kolë Jakova dhe vëllai i tij, Filipi, të cilët i ka daja dhe se këta hynin e dilnin vazhdimisht në shtëpinë e Ukë Kosovës, por as këta nuk e paskan bindur, e kështu e paska fituar davanë.

Si unë, ashtu edhe Uka, sistemin e kolektivizimit e kemi quajtur të padrejtë dhe thoshim që është mirë që secili të ketë pronën e vet, sikurse në regjimet e mëparshme, të punojnë për veten e tyre. Kemi biseduar se deri më sot, ky sistem nuk ka nxjerrë gjë në dritë, fshatarësia është varfëruar shumë. Unë i thosha se dita në ditë po bëhemi më keq me këtë pushtet, por duhet të shpresojmë në ndryshimin e situatës politike në Shqipëri dhe të krejt sistemit, mbasi gjithçka në botë nuk është e përjetshme, gjithçka do të ndryshojë. Kur unë i thosha kështu, Ukë Kosova më dëgjonte me vëmendje dhe më thoshte ishalla u baft kjo sa më parë që të shpëtojmë. Po kështu, unë dhe Uka kemi biseduar për masat që u muarën nga pushteti për mbylljen e kishave.

Ky pushtet na ka prekur gjënë më të shtrenjtë që kemi patur, të cilën me vështirësitë më të mëdha e kemi ruajtur për pesëqind vjet në fukarallëk të madh; kurse kjo parti dhe ky pushtet nuk e kanë patur parasysh këtë gjë, por, po e edukojnë rininë që të ketë urrejtje ndaj nesh dhe se me këto masa të marra ndaj fesë, këta kërkojnë që të zhdukin katolicizmin në Shqipëri, gjë që në botën e jashtme, feja dhe Kisha Katolike është në lulëzim. Edhe Uka, me gjithë që nuk është fetar, më thoshte: Ti ke të drejtë, keq asht duke vepru ky pushtet.

Në vitin 1967, në shtëpinë e vjehrrës së Ukë Kosovës, nuk më kujtohet se si ra muhabeti, por them se biseda ishte rreth marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën. Uka më tha se, këto marrëdhënie nuk janë të mira. Lidhur më këtë, ai më tha se si Kina i paska thënë Shqipërisë që të dalë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Në këtë rast unë i thash si mund të jetë kjo punë, kur në një kohë Shqipëria për çdo vjet, kërkon që edhe Kina të pranohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ukë Kosova ripohoi po, po kështu është si po të them unë. Më gjatë për këtë gjë nuk biseduam.

Ukë Kosova, shpesh ka ardh në shtëpinë time dhe se në të shumtën e bisedave që shpjegova më sipër, janë zhvilluar po në shtëpinë ku banoja unë. Më kujtohet se mbasi është arrestuar Mark (Bardhok) Marku, nga organet e pushtetit, është kontrolluar shtëpia e Fran Nocit dhe Franin e kishin marrë me vete. Në këtë kohë, është ndodhur prezent në shtëpinë e Franit edhe Ukë Kosova, i cili u kishte thënë atyre të shtëpisë, mos u trembni se Frani ju vjen përsëri në shtëpi! Mbasi ma tregoi këtë ngjarje, Uka më tha se Frani është spiun i Organeve të Sigurimit të Shtetit; pa më thënë më gjatë rreth kësaj. Ukë Kosova, shkonte shpesh në shtëpinë e Pjetër Bibës, por ndonjëherë nuk kemi patur rast që të kemi biseduar bashkërisht që të tre kundër pushtetit. Di se Ukë Kosova dhe Pjetër Biba, i kanë marrë gratë e tyre prej një familje.

Procesin, pasi e lexova dhe pashë se thëniet e mija janë shkruar drejtë, e firmos.

I pandehuri                                                                             Hetuesi                                            

Shtjefën Kurti                                                                      Iljas Haxhiaj                 

Proces – verbal

Në Tiranë, me 6 gusht 1970. Unë, Iliaz Haxhiaj, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pyeta të pandehurin Shtjefën Kurti.

Pyetje: Vazhdoni të jepni shpjegime në lidhje me aktivitetin armiqësor që keni zhvilluar kundër pushtetit popullor?

Përgjigje: Ne dy – tre raste, gjatë këtij viti 1970, i kam thënë vajzës së Pjetër Bibës, Davës, a po dëshiron që ta dëgjosh radio Vatikanin, por ajo më thoshte nuk dua ta dëgjoj, do të shkoj për të fjetur. Këto raste kanë ndodhur, kur ajo vinte në mbrëmje për të dëgjuar radio postën, deri në orën nëntë e gjysëm të darkës. Kurse në dy tre raste të tjera, unë, në prezencë të Davës, në ora nandë të mbrëmjes, e kam hapur radion në stacionin e Vatikanit, që transmetonte uratën në gjuhën italishte, që ne e themi shqip. Unë i’a përktheva shqip Davës dhe ajo më tha qenka e bukur, por ma shkruaj në mënyrë origjinale në gjuhën latinishte me germa shqip. Unë ja shkrova dhe ja dhashë. Më vonë, e kam pyetur nëse e kishte mësuar? Ajo më tha se nuk e kishte mësuar dhe se letrën e kishte grisur.

Në dy raste, po gjatë këtij viti, kur vinte në dhomën time, fillonte të më lexonte artikuj të ndryshëm të gazetës “Zëri i Popullit”, por unë i thojsha, lexoje gazetën për vete, se unë e lexoj vetë. Këtë e thoshja, mbasi nuk doja të dëgjoja se çfarë shkruhej në gazetë dhe i thoshja Davës, zoti e përmbystë këtë regjim! Në një rast tjetër, unë nga një libër e kam shkyer një fjali që e kishte në të një majmun dhe i thash Davës, merre këtë, mbaje te kryet, mbasi ky është stërgjyshi i juaj.

Dava më tha se është edhe i yti; unë i’u përgjigja qoftë i juaji, se vetë jam prej zotit. Kur i kam folur Davës, për të dëgjuar radio Vatikanin, aty ka qenë prezent edhe Prena Biba, por edhe ajo nuk donte ta dëgjonte. Gjithashtu ka qenë prezent Prena edhe kur i kam folur Davës për çështjen e majmunit, por ajo nuk ka folur gjë, veçse ka dëgjuar.

Procesin, mbasi e lexova, e nënshkruaj në firmën time.

I pandehuri                                                                                                      Hetuesi                   

Shtjefën Kurti                                                                                               Iljas Haxhiaj        

                                                       Proces – verbal

Në Tiranë, me 13 gusht 1970. Unë, Iliaz Haxhiaj, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pyeta të pandehurin Shtjefën Kurti.

Pyetje: Vazhdoni të jepni shpjegime në lidhje me aktivitetin armiqësor që keni zhvilluar kundër pushtetit popullor?

Përgjigje: Në vitin 1967, unë kam shkuar si punëtor në magazinën e kooperativës bujqësore Gurëz, në Alke. Ngjitur me magazinën kam patur dhomën time ku banoja. Këtë dhomë ma kishte lëshuar kooperativa. Në magazinë, kam gjetur si magazinier Luigj Vatën; pra puna ime ka qenë nën drejtimin e tij. Gjatë një viti që kam qëndruar në punë së bashku me Luigj Vaten, unë i kam biseduar këtij në drejtim të masave që kishte marrë Partia kundër fesë dhe për mbylljen e kishave. Luigjit i thoshja se kjo masë është e pa drejtë dhe na kanë marrë në qafë. I flisja se ky pushtet po sillet egërsisht me ne, kërkon që të shuaj katoliçizmin në Shqipëri, si në marrëdhëniet politike, ekonomike dhe shoqërore, ashtu edhe në marrëdhëniet me shtetet e tjera.

Kjo, thoshja, do të vijë si rezultat i ndryshimeve që do të ketë në udhëheqjen e Partisë dhe të shtetit, ku udhëheqja e sotshme ka për t’u zëvendësuar me një udhëheqje tjetër më të butë dhe në këtë mënyrë do të vijë koha që do të bëhen përsëri kishat.

Luigji, preokupohej shumë se si të bëhej për organizimin e fëmijëve, mbas mbylljes së kishave; kurse unë i thashë se ju kemi mësuar si t’i pagëzoni fëmijët vetë dhe, në qoftë se doni të rrëfeheni, i kërkoni zotit të falur për mëkatet tuaja, se zotin e keni kudo, duke i premtuar atij se s’keni me i bë ma. Në vazhdim të këtyre bisedave, Luigj Vatës, unë i kam folur edhe për jetën që kisha bë në regjimet e kaluara, duke i thënë se në atë kohë asgjë nuk më ka munguar. Kam bërë jetë të rehatshme, ndërsa në këtë regjim të sotshëm, rroga që merr punëtori nuk i del as për bukë. Të gjitha këto biseda dhe biseda të tjera, unë i kam zhvilluar me Luigjin në magazinë ku punonim, por ka patur raste edhe në dhomën ku unë flija. Luigji nuk më ka kundërshtuar, vetëm se e bënte buzën në gaz.

Luigji, më ka treguar në atë kohë se kur kish qenë ushtar, i paskan propozuar atje që të futej në parti dhe të hiqte nga dora shenja e kryqit, por ky, për t’u fut në parti dhe për të heq shenjen e kryqit, nuk kishte pranuar. Në këtë rast, unë i thash se bëre mirë që nuk ke pranuar që të hysh në parti dhe nuk ke heq shenjen e kryqit. Këtë gja ja thash Luigjit si, diçka të mirë që kishte bërë ai, ndryshe nuk do ta njihte zotin, dhe ta ruante shpirtin si fetar. Me Nush Vatën, vëllanë e Luigjit, kam patur më pak muhabete politike. Këto muhabete kanë qenë rreth jetesës, duke i thënë se nuk jam i zoti për të realizuar as dhe një normë. Në regjimet e mëparshme kam jetuar më mirë, sot jetoj keq, merrem me qepjen e thasëve.

I kam folur keq për masat e marra nga Partia e Pushteti në drejtim të fesë dhe për mbylljen e kishave, duke i thënë se këto masa nuk janë të drejta, se këta kërkojnë zhdukjen e Katolicizmit. Nushi më thoshte më keq janë duke vepruar, por s‘ke ç’ka bën, duhet me i’u nënshtrue këtij fati, mos u mërzit, se dy jetë kurrkush nuk i ka. Në kohën tënde ke jetue mirë, por edhe sot mund të të ndihmojnë në mulli. Si Luigjit, ashtu dhe Nushit, unë u kam folur se kam pasë miqësi me babën e tyre Prekë Vatën, kur kam qenë famullitar në Gurëz gjatë viteve 1932-1938. Edhe ata më thoshin se për këtë miqësi u kish pas fol i ati.

Procesin, mbasi e lexova dhe pash se thëniet e mia janë shkruar drejt, e firmos.

Procesin, mbasi e lexova, e nënshkruaj në firmën time.

I pandehuri                                                                                                 Hetuesi                         

Shtjefën Kurti                                                                                          Iljas Haxhiaj                                                                                                               Proces – verbal

Në Tiranë, me 18 gusht 1970. Unë, Iliaz Haxhiaj, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pyeta të pandehurin Shtjefën Kurti.

Pyetje: Vazhdoni të jepni shpjegime në lidhje me aktivitetin armiqësor që keni zhvilluar kundër pushtetit popullor?

Përgjigje: Në vitin 1964, kam njohur si arsimtar, Agostin Mark Preçi nga Gurëzi. Me këtë kam patur vetëm një përshëndetje kur takoheshim në rrugë. Më vonë, ky edhe një tjetër janë hequr nga arsimi, për shkak se nuk kishin shkollën Pedagogjike. Mbasi është hequr nga arsimi, më kanë thënë se për një kohë është marrë me punë si kamarjer, nuk e di nëse në Fushë-Krujë, apo në Tiranë. Tash dy tre vjet, e kam parë duke punuar në kooperativën bujqësore në Gurëz, si punëtor.

Gjatë muajve mars e prill 1970, më ka ra rasti që ta punoj dy herë afër ku punonte Agostini, kur po krasisja pemët. Në kohën e pushimit, Agostini më thërriste që tu ulja për të pushuar së bashku me të. Duke pushuar, ra muhabeti rreth gjendjes ekonomike të vendit dhe rreth ndërtimeve që po bëheshin dhe Agostini më pyeti për shtete, nëpër të cilat kisha shëtitur dhe jetën e tyre, si për Italinë, Gjermaninë, Zvicrën e tjera dhe nëse qytetet e tyre ishin të bukura sikurse Tirana!

Unë i thashë se karshi qyteteve të shteteve të tjera, Tirana asht sa një lagje e atyre qyteteve që kanë banorë tre-katër milionë. Gjithashtu, pyetjes së Agostinit, cili vend në Europë është më i kulturuar, por dhe cili vend shquhet për veçoritë e tij, mua më ka pëlqyer, Zvicra. Çdo qytet, i thosha, ka historikun e tij, si Roma, Parisi, Vjena dhe qytete të tjera industriale, Hamburgu e të tjerë. Agustin Preçi kënaqej kur unë i thosha kështu, dhe më thoshte: Lum si ti që ke qenë i lirë për të shëtitur gjithë botën!

Lidhur me gjendjen ekonomike, Agostini më pyeti nëse përdoret buka e misrit në vendet e tjera të Perëndimit, sikurse përdoret këtu në Shqipëri? Unë i thash, se bukën e misrit në shtetet e tjera të Perëndimit, nuk e njeh kush, veç ne shqiptarët dhe Ballkani. I fola se në Europë nuk shtrohet problem i bukës, vaji është i lirë, vena gjithashtu që prodhohet në sasira të mëdha, sidomos në Itali, Francë dhe Spanjë, ku edhe punëtori ma i thjeshtë nuk shtron bukë pa verë, bile më kanë thënë se në Francë, punëtori më i thjeshtë nuk pinë verë, po nuk qe së paku trevjeçare. Por sa i përket mishit, në këto vende, është më i shtrenjtë, por megjithatë, nëpër restorantet serviret në sasi shumë më të madhe se në Shqipëri.

Agostini interesohesh shumë që të dinte mbi gjendjen jashtme, për me më pyet në aspekte të jetës së jashtme, bile mua më bëri përshtypje kjo dhe mendova se mos ky po më provokonte. Vetë Agostini, gjendjen ekonomike të vendit, e paraqiste të keqe, dhe merrte si shembull ushqimin social nëpër restorante, duke thënë se është shumë i dobët, të servirin fare pak mish, aq sa për një meze. Këto janë bisedat që kemi bërë me Agostin Preçin, në dy raste që kam ndenjur me të.

Procesin, mbasi e lexova dhe pashë se thëniet e mija janë shkruar drejt, e firmos.

Procesin, mbasi e lexova, e nënshkruaj në firmën time.

I pandehuri                                                                                                    Hetuesi                     

Shtjefën Kurti                                                                                            Iljas Haxhiaj                                                                                                             Proces – verbal

Në Tiranë, me 23 gusht 1970. Unë, Iliaz Haxhiaj, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pyeta të pandehurin Shtjefën Kurti.

Pyetje: Vazhdo të flasësh rreth veprimtarisë armiqësore që ke zhvilluar kundër pushtetit?

Përgjigje: Në katundin Gurëz njoh Mark Liqin-kulak. Me këtë njihem që në kohën e Zogut, kur ka qenë fëmijë, ndërsa unë kam qenë famullitar në Gurëz. Ky ka qenë një nga fëmijët që unë, gjatë viteve 1932-1938, u kam dhënë mësime fetare. Mbasi kam dalë nga burgu në vitin 1963 dhe shkova me banim në Gurëz, kam takuar Mark Liqin dhe u njohëm përsëri, të cilit i tregova për çka kisha lexuar në gazeta kur isha në burg, rreth aktivitetet të tij në hedhjen e peshave.

Në muajin nëndor ose dhjetor të vitit 1969, Marka Liqi ka ardhur në shtëpinë time. Me këtë rast, e pyeta unë se se si e kalonte me punë në kooperativë? Ai më tha se të gjithë janë tue heq keq ekonomikisht, të gjithë jemi me nevojë. Edhe unë i thashë kështu asht, jemi tue vuajtur shumë, aq më tepër unë, që unë nuk jam i zoti i punës. Pastaj, Marku filloi të më pyeste mua për punën e mbylljes së kishave, duke më thënë se si u bë kjo punë?

Unë i thashë: Ja pra, kështu janë punët e pushtetit, i mbylli edhe kishat dhe ne tashti duhet t’i nënshtrohemi këtij fati. I fola se në vendet e tjera të botës, kisha asht në lulëzim dhe po bahen përpjekje për bashkimin e kishave Ortodokse, Protestante me Kishën Katolike, kurse këtu në Shqipëri u shkatërruan kishat. Kjo masë, i thashë, që ka marrë partia e pushteti dhe që ka milituar tek rinia, asht krejtësisht e padrejtë. Marku, i pranonte ato fjalë që i thojsha unë.

Qysh në vitin 1946, jam njohur me Marie Mirin, e shoqja e të ekzekutuarit Llesh Miri, banuese në Gurëz. Në atë kohë, dihej botërisht se ishte dënuar i shoqi i saj me vdekje. Ajo ka ardhur në Tiranë dhe është takuar me mua. Kjo, m’u lut që t’i jepja një letër porosi për Tuk Jakovën, që ky të ndërmjetësonte për t’i shpëtuar jetën e burrit të saj. Unë i thash nuk kam ç’ka të bëj, mbasi jam në hall për veten time, po pres dita ditës që të arrestohem. Në vitin 1963, mbasi jam liruar nga burgu, me Marie Mirin jam takuar disa herë në Gurëz. Maria më ka ndihmuar shumë, duke më bërë fanella e çorape me leshin që i bleja unë. Në këtë  kohë unë banoja te shtëpia e Tom Nekës dhe ajo vinte në dhomën ku flija.

Gjatë këtyre takimeve që kam patur me Marien, kjo, në fillim m’u ankua për burrin e saj që ishte ekzekutuar nga ky pushtet. Ajo e quante këtë dënim të padrejtë, duke thënë se nuk ka patur faj. Unë i thoshja: Mos u mërzit, lufta këto gjana i ka se në këtë luftë, ndonjëherë shkon edhe i njomi për të thatin. I thosha se më vjen shumë keq për njerëzit që u pushkatuan nga ky pushtet, por s’kemi çfarë të bëjmë, lufta han të njomë dhe të thatë. Maria më thoshte: Zoti i mbaroftë këta, se ç’po na bëjnë!

Procesin, mbasi e lexova dhe pash se thëniet e mija janë shkruar drejtë, e firmos. Memorie.al

                                                                   Vazhdon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/une-u-thashe-se-buken-e-misrit-ne-shtetet-e-perendimit-nuk-e-njeh-kush-vec-ne-shqiptaret-dhe-ballkani-kurse-ne-france-spanje-itali-etj-procesi-hetimor-i-dom-shtjefen-kurtit/