“U specializua për pilot helikopteri në ish-Bashkimin Sovjetik, por ‘fluturoi’ vetëm brenda kuadratit të portës, pasi…”/ Historia e panjohur e legjendës së “Partizani”-t dhe kombëtares shqiptare

Nga Uvil Zajmi

Memorie.alNga një karrierë ushtarake, tek një tjetër e famshme sportive. Nga një pilot helikopteri mbi Vollga e Don, në një portier i shquar i futbollit shqiptar. Nga Ismet Bellova që e zbuloi, prishja me rusët, tek Bekenbauer, golat e Mylerit, Bestit, turneu i Hanoit, Boriçi, Pano, dhe Maliqati…! Gjithçka në një tregim të rrallë…! Çfarë bënte pas viteve ’90-të Mikel Janku, aviatori, portieri kombëtares, kampion dhe fituesi i kupave me “Partizanin”, opinionisti, gazetari, vëllai i madh i familjes, të gjithë protagonistë me një klub të vetëm.

Vetëm 17-vjeç, në Bashkimin Sovjetik

Ishte nxënës i shkëlqyer i vitit të tretë, kur e kanë përzgjedhur të jetë në kursin e aviacionit në Shkollën “Skënderbej”. Vetëm një herë në qiell nga fusha e aviacionit në Shijak, me “Jak 18”, një avion i shpejtë, prodhim rus i luftës së dytë botërore dhe instruktorin Flamuar Micka. Ndonëse rrotat nuk janë hapur në zbritje, e kanë detyruar të qëndrojë 45 minuta në ajër. Ishte viti 1958, muaji korrik dhe kur ende nuk ka bërë 17 vjeç, i ka hipur vaporit “Bjelloostrov” për në Odes.

I përcjellë nga familjarët, me dëshirën për të shkuar e studiuar për tri vite në shkollën e njohur të fluturimit në Bashkimin Sovjetik, fillimisht në Pugaçov, pastaj në Batacjk të Rostovit, ku specializohet si pilot për helikopterë transporti. Fluturime në zonën e Vollgës, në hapësirat mbi Don, hedhje me parashutë, ndërkohë që ushtronte sport e fliste mirë rusisht. Aktivizohet me shkollën si portier, por edhe basketboll, gjimnastikë, ski, patinazh në akull. Ndiqte kampionatin rus, tifoz i “Partizanit” që para nisjes nga Shqipëria dhe i “Rostov”-it e “CSKA” e Moskës. Admironte futbollistin legjendar rus, Viktor Poniedelnik.

Bellova, ai që i hapi portën!

Nuk e kishte menduar të bëhej pilot, ndërsa futbollist po, pasi luante futboll me lagjet, “Mine Peza” – “Rruga Fotuzi”, ku ishin Panajot Pano, Skënder Halili, Plangaricat, etj. Pasi kishte trashëguar diçka nga i ati, Andrea, futbollist në rininë e tij, kur në Shkollën “Skënderbej”, Ismet Bellova mësues i fizkulturës, ishte ai që gjatë orës së mësimit e stërviste si portier te gropa e kërcimit, ku ai bënte planzhone mbi rërën e saj. Pastaj në ndeshje midis klasave, ndërkaq Bellova do t’i hapë kështu një dritare të vogël, për t’u bërë e madhe më vonë. Me profesorin, mikun, pedagogun, radio-kronistin, gazetarin, do të ruajë miqësinë, madje do të jenë bashkë në një kabinë të radios përballë një mikrofoni, shumë vite më pas.

Prishja me rusët, mungesa e helikopterit

Kur ishte në vitin e fundit dhe përgatitej për kthim, bashkë me grupet në Shqipëri vinin edhe helikopterë “MI-4”. Madje ishin paketuar, por kur studentët erdhën në fund të gushtit 1961, helikopterët jo. Sidoqoftë, u sistemua në repartin e helikopterëve në hangarët e aviacionit (sot Pallati i Sportit “Asllan Rusi”). Të informuar se ky kontingjent ishte përgatitur për bazën ushtarake të Pasha Limanit, kundër nëndetëseve. Por duke mos patur fluturime (vetëm një helikopter ishte në gatishmëri), bënin mësime teorike e luanin futboll. Në vitin 1962, zhvillohet Spartakiada Ushtarake në Tiranë dhe kur ajo përfundoi u organizua një takim në stadiumin “Dinamo”, midis “Partizan”-it, ku luanin Panajot Pano, Refik Resmja dhe një seleksionimi të skuadrave të Sparakiadës.

Mikel Janku vihet në fokus, por, duke qenë pilot ushtarak i aviacionit, nuk lejohej aktivizimi me klube dhe propozimit të Besim Fagut, Loro Boriçit e Rexhep Spahiut, ai i përgjigjet që më parë duhet të bisedojnë me Ministrinë e Mbrojtjes. Kur i thanë se: “për ty djalosh është marrë leje dhe do të fillosh stërvitje me “Partizanin”, as komandanti i aviacionit, kolonel Edip Ohri, që e kundërshtoi fillimisht, nuk mundi ta ndalojë urdhrin e ministrit të Mbrojtjes dhe zv/kryeministrit, gjeneral-leitnant Beqir Ballukut e, Shefit të Shtatmadhorisë, gjeneral-major Petrit Dumes. Fillon kështu stërvitja me ekipin e parë, përkrah Sul Maliqatit, Zija Danit, Refik Resmes, Fatbardh Deliallisit, Miço Papadhopullit, Miço Ndinit, Merjes, Lin Shllakut, Bert Jasharit, Tomorr Shehut, Panajot Panos, Iljza Dingut, Fatmir Frashërit, etj., ndërkohë që aktivizohet me ekipin e rezervave, me trajner Sllave Llambin.

Debutimi i lidhur me Maliqatin

I datëlindjes 1941, i pari i katër vëllezërve Janku, ndonëse jo shtatlarti, ka qenë një portier tej mase elastik, akrobat, modern për kohën, duke sjellë një filozofi të re në lojën portierëve, në dalje të guximshme nga porta në topat ajrorë. Luante me dorën e majtën dhe godiste me këmbën e djathtë në të cilën, vendoste një kavalier të bardhë që e mbante pas një dëmtimi kohë më parë. Kur erdhi tek “Partizani”, gjeti një mjeshtër të madh në portë, Sulejman Maliqatin, (i konsideruar si “Macja e zezë”) me të cilin e lidhin dy momentet vendimtare: Në prill të ‘62-sit, për Kupën e 60-të Vjetorit të Çlirimit, në stadiumin “Dinamo”, Maliqati ka bërë edhe nxemjen, por i dëmtuar pak para se të fillojë takimi, i thotë Loro Boriçit, se ka shqetësime. “Nuk ka problem, zhvishu” – i drejtohet Jankut, që shënon debutimin e tij me “Partizani”-n. Në shtator të ‘62-shit, ndërsa Maliqati aktivizohet dhe luan në Suedi ndaj “Norçeping”, në ndeshjen e kthimit është i dëmtuar. Ndërsa skuadra është e grumbulluar, kur trajneri Spahiu i thotë Jankut të përgatitet dhe në “Partizani” – “Norçeping” 1-1 (gol Kindrall 9’ dhe Kraja 50’), në portë është ai.

“Si ëndërr e shoh ende dhe jo sikur ta kem luajtur atë ndeshje”, – kujtonte Janku atë takim. Pa përvojë në futbollin e madh shqiptar, me aktivizime sporadike e pa asnjë ndeshje të plotë, ka qenë vetëm 21 vjeç kur ka debutuar në Kupën e Kampioneve. Pastaj në kampionat, kundër “Spartakut” dhe “Këlnit” dhe kur në shtatorin e 1964-ës, legjenda Maliqati largohet përfundimisht nga “Partizani”, porta e klubit të famshëm, do të ketë një tjetër protagonist: Mikel Jankun.

Kur Besti imitonte Beatles-at

Kanë qenë në avion bashkë më Fatmir Frashërin, duke udhëtuar drejt Belfastit, kur në një revistë kanë parë një foto me flokë të shkurtra të Xhorxh Bestit. Ndërsa kanë dalë në nxemje, e kanë njohur, por ai ishte me flokë të gjata. Frashëri që komunikonte anglisht, bashkë me Jankun i janë afruar dhe e pyesin: “Pse me flokë të gjata, dukeni më simpatik me të shkurtra”- i thonë. “Imitoj Beatles-at”- ishte përgjigja. Dhe realisht, Xhorxh Best, njihet si i pari futbollist në botë, që imitoi Beatles për nga flokët, mënyrën e jetës, veshjes, etj.

Nga Belfasti, Janku ruante edhe një detaj: Duke u futur në fushë për të filluar lojën, Xhenings, portieri irlandez e shihte nga lart poshtë, pa ja hequr sytë. Vetëm pas ndeshjes në banket, ai i ka thënë: “Ti bën një heroizëm të madh, që luan si portier”. Nga Belfasti kujton edhe një palë doreza që ja bleu Alfred Kazanxhi, kryetari i FSHF-së para ndeshjes, pasi ishte lagështirë. Kushtonin vetëm 7 dollarë…!

Bekenbauer dhe golat e Mylerit 

Në Dortmund ka disa kujtime: Ishte prill i vitit 1967, luhet e para përballje historike sportive, Republika Federale Gjermane-Shqipëri. Takimi mbyllet 6-0 për vendasit, nënkampioni bote, ku luajnë nga Tillkosvki, Overat tek Franc Bekenbauer, dhe golat realizohen nga Gerd Myler (4) e Lohr 2. Janë vitet kur portieri nuk zëvendësohet gjatë ndeshjes, vetëm në rastet kur është i dëmtuar rëndë dhe Janku ka qenë i detyruar të qëndrojë në portë, deri në ‘90-ën. Nga ai takim kujtonte se ka patur rastin të njihet me portierin Tillkovskin, njeriun e ndeshjes finale të botërorit Angli ‘66: Janë të paharruar lotët dhe dëshpërimi i tij pas atij goli fantazëm të Hurst.

“Kishim një natyrë dhe ngjashmëri në lojë”, – tregonte Janku. Pastaj katër golat e shënuar nga një legjendë, si Gerd Myler. I kujtonte të gjitha, si pjesë pjesë të veçanta të asaj sfide. Dhe e fundit: Në të vetmen ndeshje që ka qenë kapiten i ekipit, me Bekenbuerin kanë shkëmbyer flamurët para fillimit të lojës. E para dhe e fundit, pasi në Tiranë, në takimin e kthimit, as Janku as Bekenbauer, as Tillkovki e as Myler, nuk ishin në fushë. I pari rezervë, ndërsa gjermanët e njohur nuk erdhën.

Me kombëtaren, protagonist

Periudha si portier i kombëtares është e kufizuar vetëm në tre vite: 1964-1967, duke luajtur 9 takime zyrtare të FIFA-s e UEFA-s. Ka debutuar në Roterdam, në majin e vitit 1964, Holandë-Shqipëri 2-0, i aktivizuar nga trajneri Zyber Konçi. Pastaj, në sfidën e kthimit me “portokallinjtë”, dy herë me Zvicrën, kundër të cilës kujton penalltinë inekzistente që dha arbitri, pas një devijim i topit për korne. Ndërsa futbollistët e kujtuan për goditje këndi, vërshëllima e tij urdhëronte për 11-të metërsh.

Por edhe Irlandën e Veriut, në veçanti është titullar në stadiumin “Qemal Stafa”, në atë ‘90-të minutash histori, pas barazimit 1-1. Në prill të 1967-ës, në Dortmund, R.F. Gjermane-Shqipëri, 6-0, për të vijuar në Tiranë, më 14 maj, Shqipëri-Jugosllavi 0-2 dhe kjo është edhe ndeshja e fundit e Jankut në portën e kombëtares, pasi në Jugosllavi-Shqipëri 4-0, me 12 nëntor, në portë do të jetë Jani Rama i “Dinamos”-s. Për sfidën e 17 dhjetorit të ‘67-ës, ndaj RFGJ-së, Boriçi do të zbulojë Koço Dinellën e “Skënderbeut” të Korçës, ndërsa Janku do të jetë rezerva e tij.

Nga Norçepingu në Torino

Janku e ka filluar me klube debutimin në Europë. Fillimisht në Suedi ndaj “Norceping”-ut, si rezervë, pastaj me “Spartak”-un, për të vazhduar në Gjermani kundër “Këlnit”. Këtu kujtonte Overatin, që shënoi golin e dytë në fund të ndeshjes si dhe Shefer, kampionin e botës të vitit 1954. Pastaj në Skoci me “17 Nëntorin”, viti 1965, ishin lojtarët tiranas që ja kërkuan trajnerit Alla si përforcim. Janku luajti në të dyja takimet, vetëm një gol i pësuar kur kishin mbetur pak minuta dhe mendohej Parisi si vendi asnjanës, për takimin e tretë. Dhe e fundit, me “FC Torinon” në Kupën e Kupave në shtator të 68-ës.

Si e para sfidë me një klub të futbollit italian, të Xhixhi Rivës, Xhani Riverës e Macolës, të sapo shpallur kampionë Europe. Në skuadër janë trajnerin Fabri, Vieri, Puia, Agropi, francezi Komben dhe Mondoniko, autori i golit të tretë. Janku kujton rastin e humbur të Panos në “Qemal Stafa”, kur topi u devijua nga një plis në fushë. Mikeli kujtonte fundin e ndeshjes në Torino, kur drejtuesit e “Partizani”-t, urdhëruan skuadrën të mos dilte nga fusha. Ishte një keqinterpretim i rezultatit, pasi ishte viti i parë i golit të dyfishtë në transfertë dhe menduan se pas 1-0 e 1-3, duhet të luhej koha shtesë.

Banketi që çmendi gjermanët..!

Banketi pas ndeshjes më “Këlnin” (0-0) nuk u shtrua në Hotel “Dajti”, por në sallën e madhe të SHQUP-it (Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë Popullore), në “Rrugën e Kavajës” sot. U ftuan edhe gazetarët gjermanë, hera e parë që nuk u respektua protokolli, pasi u ftuan edhe gazetarët e huaj. Këngë dhe aheng deri pas mesnate me këngëtarët e njohur Avni Mula, Mentor Xhemali, etj. Futbollistë gjermanë e shqiptarë që vallëzonin në grup me qeleshet në kokë, dhuratë e klubit. Në Këln, “Partizanin” e priti kryebashkiaku, duke i falënderuar u dhuroi nga një kuti, brenda të cilës ishte një shishe me parfum, e prodhuar pikërisht në “Shtëpinë e Kolonjës”, me qendër në Këln, e njohur dhe me famë botërore.

Boriçi, i pari dhe i fundit

Loro Boriçi ka qenë trajneri që i hapi dhe i “mbylli” karrierën e cila përmblidhet në shtatë vite intensive, nga 1962-shi deri në 1969-ën, si portier i “Partizani”-t dhe i Kombëtares. Boriçi ishte ai që e mori duke e aktivizuar, por edhe ai prej të cilit u largua nga futbolli, kur ishte 28-vjeç. Tek “Partizani” kishte ardhur Bashkim Muhedini, një portier i gjatë, elegant, të cilin Boriçi e pëlqente duke e integruar te “Partizani” dhe në skuadrën kombëtare. Edhe Muhedini vinte nga Shkolla “Skënderbej”, edhe ai jo me profil portieri: Një basketbollist i lindur, por me cilësitë e një portieri. Birçe e pat nuhatur, duke i devijuar karrierën.

Janku qëndron disa kohë si rezerva e Muhedinit dhe në qershorin e 69-ës, kur skuadra grumbullohet për të filluar sezonin, nuk e ka emrin në listë. Duke u kthyer në shtëpi ka kuptuar se për të, të dyja portat tashmë janë mbyllur: Ajo e “Partizani”-t, e Kombëtares dhe fund karriere…! I propozuan të luajë futboll në Vlorë me “Flamurtar”-in duke qenë edhe pedagog në Shkollën e Aviacionit, e vetmja në atë kohë pikërisht në atë qytet, por nuk pranoi. I vjen urdhri se “duhet të fluturosh”, por ishte e pamundur pasi koha e kishte lënë mbrapa me teknikën e fluturimit. U rikthye në klub, si zv/shef, njëherësh trajner me Kolec Krajën.

Një familje e gjitha me “Partizan”-in

Mund të jetë rasti i vetëm ky, kur katër vëllezër kanë luajtur me një klub të vetëm, siç ndodhi me Mikelin, Virgjilin, Agimin dhe Vladimir Jankun, të gjithë me “Partizani”-n. Mikel Janku dhjetë vjet, absolut i dyfishtë i portës së klubit e kombëtares; pastaj Virgjili si portier, sulmues, vazhdoi në Lezhë me “Fitoren”, madje në Kupën e Republikës, në vitin 1964 në takimin “Partizani” – “Fitore”, kanë qenë të dy në fushë. Për të vijuar me Agim Jankun, një ndër sulmuesit dhe talentet më të mëdha e të spikatur të futbollit shqiptar në vitet 1970-’80-të, edhe ky një emër i shquar i klubit, ekipeve kombëtare.

Dhe i fundit, Vladimir Janku, sulmues krahu, titullar me të rinjtë dhe skuadrën e parë, si dhe të kombëtaren U-21. Të gjithë të diplomuar. Me Agim Jankun ka edhe një episod historik…! Qershor 1968: në stadiumin “Dinamo” luhet “Partizani” – “Dinamo” dhe Janku ka pësuar gol. Ndërsa loja ende nuk ka filluar, Agimi i afrohet dhe i thotë në vesh: “Mos u mërzit”. Ka marrë topin nga qendra ka dribluar, një, dy kundërshtarë dhe ka barazuar. Por, edhe në Torino bashkë kanë qenë, ndonëse Janku i madh në fushë, Gimi i vogël në stol.

Ndeshja që nuk harrohet

Është ajo e tetorit të ‘65-ës, në “Qemal Stafa”, “Partizani” – “17 Nëndori” 1-0. Për shumë arsye, por më kryesorja ai ka qenë protagonist absolut e sfidës. Ka pritur çdo gjuajtje, çdo tentativë për gol të kundërshtarëve, që është ilustruar më pas në gazetën “Sporti” me një karikaturë sportive të Bujar Kapexhiut: një portier gjigant që ka mbuluar një portë të vogël. Por ajo ndeshje kujtohet edhe si takimi që u shemb stadiumi, goli i Qojles dhe kur tifozët e entuziazmuar pas ndeshjes e kanë mbajtur në krah deri në shtëpinë e tij, pranë stadiumit “Dinamo”. Dhe banketi në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, një festë me gratë e të fejuarat.

Padrejtësia e një dënimi…!

Kështu e përmblidhte në kujtimet e tij, atë çfarë ndodhi pas ndeshjes “Partizani” – “17 Nëntori”, kur skuadrat u përjashtuan nga vazhdimi i kampionatit të ‘67-ës. Ka qenë një ndër protagonistët e takimit të një ‘90 minutëshi të tensionuar në fushë, por gjithçka e përfunduar normalisht. “Një grindje në korridore që më shumë bëri bujë se realisht ishte. Pastaj një vendim absurd”, shprehej Janku, kur e kujtonte atë ndeshje, ndjente keqardhje dhe e konsideronte një moment të errët për futbollin, sportistët, tifozët, për vetë historinë…!

Në Urale, kur u vra Kenedi

Turneu i Hanoit me klubet ushtarake të vendeve të “Demokracive Popullore” të Europës Lindore (përfshirë edhe Kinën e Korenë e Veriut), është një pjesë e rëndësishme e karrierës së Jankut. I nisur nga Tirana me linjën ajrore Tiranë-Moskë-Pekin, turneu ka filluar me 20 nëntor të 1963-it. Ai moment është e lidhur me një ngjarje historike: ndërsa është bërë një ndalesë në Irkutsk, në Urale, në televizionin e aeroportit, jepet lajmi se është vrarë presidenti amerikan Xhon Kenedi. Pastaj dhjetë ditë përgatitje në Nianin, ku u festua edhe 28 e 29 nëntori. E aktivizuan si rezervë në një ndeshje miqësore, çka e bënë të dyshojë. Por në Hanoi do të ishte në formacion në të gjitha sfidat.

Me CSKA-në pas prishjes

Pesë kanë qenë takimet zyrtare të turneut: Fitoret në grup ndaj “CDNA” të Sofjes 2-1, “Honved” Budapest 4-0, ajo e jashtëzakonshme 3-1 ndaj “Forverst” të Berlinit, në çerekfinale. Përsëri me “Honved” 1-0 në gjysëm finale dhe në finale do të luajnë “Partizani” – “CSKA” e Moskës. Nga frika për ndonjë parregullsi në ndeshje, si pasojë e marrëdhënieve jo të mira Shqipëri-Bashkimi Sovjetik, por me qëllimin për të zbutur situatën, skuadrat u vendosën në një hotel dhe një ditë para takimit, u thirrën nga Ministri i Mbrojtjes së Vietnamit.

Ndeshja u luajt në Hanoi pa probleme. 0-0, pastaj 2-0 për sovjetikët që shënojnë në shtesë. Kjo mbetet para dhe e fundit përballje sportive me klubet ruse, pas prishjes së marrëdhënieve zyrtare mes Moskës dhe Tiranës. Disa ditë qëndrimi në Vietnam, kthimi në Shangai, ku festohet edhe Viti i Ri, si dhe telegramet e urimit që vinin pambarimisht nga Shqipëria, e që lexoheshin para çdo takimi miqësor. Pastaj udhëtimi njëjavor Pekin-Moskë, me tren nga Siberia dhe me 20 janar të 64-ës, avioni presidencial i linjës Budapest-Tiranë, uli rrotat në aeroportin e Rinasit.

Cilët kanë qenë protagonistët “vietnamezë”?

Janku kërkonte t’i kujtonte ata që kanë qenë në Vietnam, në atë turne të paharruar: Besim Fagu, kryetar delegacioni; Vasil Naço komisar grupi i Ministrisë së Punëve të Brendshme; Dionis Miho shoqërues; pastaj trajnerët Loro Boriçi e Xhep Spahiu dhe mjeku M. Karanxha.

Skuadra: Sul Maliqati, Mikel Janku, Fatbardh Deliallisi, Miço Papdhopulli, Lin Shllaku, Fatmir Frashëri Miço Ndini, Osman Mema, Tomorr Shehu, Bert Jashari, Pavllo Bukoviku, Zaho, Luigj Bytyçi, Refik Resmja, Foto Andoni dhe Iljaz Dingu flamurmbajtës. Duke qenë se Resmja u sëmur nuk luajti asnjë takim, kapiten u vendos Miço Papadhopulli. I dëmtuar në Plovdiv, një muaj më parë, për në Vietnam nuk udhëtoi as Kolec Kraja.

Pse Jorgaqi nuk qëndroi me “Partizanin”?

Është një moment i rëndësishëm për historinë e klubit dhe karrierën e mbrojtësit të njohur Frederik Jorgaqi (nuk jeton as ai). Kryente shërbimin ushtarak te “Partizani”, kur klubi u nis për në Hanoi, por nuk e mori. Pa asnjë motiv, ndonëse Besim Fagu kishte këmbëngulur për ta marrë, pasi Jorgaqi ishte në projektet e ekipit “Partizani”, për të qëndruar aty edhe pas përfundimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Në fund të dhjetorit, kur Jorgaqi ka përfunduar shërbimin ushtarak dhe “Partizani” ndodhej në Hanoi, ai është kthyer në Elbasan. I fyer nga mosmarrja në Hanoi, ai nuk ka qëndruar më në Klub. Ky është edhe motivi pse Jorgaqi, mbrojtësi i famshëm i kombëtares, nuk luajti me “Partizanin” në vitet që pasuan…!

Miqësia me Panon dhe golat e Hanoit

Ndër të paktët që e ka parë legjendën e futbollit shqiptar në ndeshje jashtë shtetit, madje në kulmin e formës së tij. Ish-nxënës të “10 Korrikut”, pastaj bashkë te “Partizani” e në Kombëtare, Janku ruante nga Pano shumë kujtime, por ndër to veçonte një të rrallë: Tre golat në Hanoi që Pano realizoi kundër “Forverst”-it, kanë qenë të jashtëzakonshëm. “Sa keq që nuk ka asnjë pjesë filmike”, – shprehej me keqardhje ai. Kanë qëndruar bashkë me orë të gjata pas stërvitjes, pastaj në dhomë e hotele, një miqësi që vazhdoi edhe më vonë. Edhe pasi Pano nuk jetonte më, Mikeli vazhdonte të takohej me familjarët e tij.

Opinionist dhe gazetar sportiv

E ka filluar rastësisht, por mikrofoni, gazeta, do të bëheshin një pjesë e rëndësishme e aktivitetit të tij. ‘Zbulues’ ka qenë Ahmet Shqarri, që e merr si komentues në disa ndeshje në televizion me Lirim Zallën. Gazetari i njohur, krijuesi i të famshmes “Nga njëra ndeshje tek tjetra”, do ta aktivizojë në vitet ‘80-të pranë mikrofonit të “Radio Tiranës”, duke qenë për një dekadë ndër opinionistët kryesorë në krah të legjendës Ismet Bellova e Veli Radës, në ndeshjet e kampionateve kombëtare. Pastaj me Fatmir Mnerin dhe kryeredaktorin Andi Bushati, ideojnë, e nxjerrin të parën gazetë sportive post ‘90-të, (“Sport Ekspres”), e cila doli në vitin 1995. Një tjetër epokë kjo me të përditshmen sportive, duke qenë fitues i të parit çmim “Anton Mazreku” që jepet për gazetarë sportivë.

Çfarë bënte Mikel Janku deri sa u nda nga jeta?

Nga gushti i 1958-ës, kur u nis me vapor, deri në ditët e sotme kanë kaluar shumë kohë dhe kanë rrjedhur shumë ujëra. Djaloshi 17-vjeçar, që e filloi për t’u bërë një ushtarak i lartë, as që e kishe menduar se jeta do t’i ofronte një tjetër karrierë, gjithashtu të lavdishme, si ajo e futbollit. Martesa me Sandrën kur ishte 25-vjeç, pastaj dy fëmijë, piloti i helikopterit, portieri i “Partizani”-t, i Kombëtares, drejtuesi, trajneri, shefi i katedrës në “Zall Herr”, pedagogu, zyrtari i Ministrisë Mbrojtjes, më në fund doli në pension. Nga ‘67-ta, viti që hoqën gradat deri në ‘90-tën kur u rikthyen, nga Toger, u gradua Major, por shumë pak e shijoi këtë ofiq të lartë, pasi reforma në ushtri, e goditi edhe pse ishte i ri, vetëm 51 vjeç…!

Vallëzonte e këndonte mirë këngët ruse, të cilat i mësoi atje. Ka qenë deçiziv në aktivizimin e Perlat Mustës në portën e “Partizani”-t. Mikeli kujtonte me nostalgji miq e shokë aviatorë, levën e uljes e të ngritjes që kërkonte forcë, por helikopterit nuk i’u kthye më…? Ndërkohë djali Albano, me profesion Inxhinier Ndërtimi, tentoi të ndiqte të atin, luajti me të rinjtë e klubit “Partizani”, për të vazhduar si arbitër futbolli, ndër më të njohurit, me stemën e FIFA-s për shumë vite. Një familje e madhe sportive kjo e Jankut. Jeta e Mikelit vijoi dhe vazhdoi e tillë, gjithmonë pranë sportit, deri ditën që ai u nda nga jeta më 10 janar 2019, ku u përcoll me nderime të mëdha për në banesën e fundit, ashtu siç e meritonte. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/u-specializua-per-pilot-helikopteri-ne-ish-bashkimin-sovjetik-por-fluturoi-vetem-brenda-kuadratit-te-portes-pasi-historia-e-panjohur-e-legjendes-se-p/