Tryezë diskutimi në Universitetin “Luigj Gurakuqi”: Integriteti dhe standardet e përfaqësimit mbi integritetin

Integriteti i zgjedhjeve dhe të zgjedhurve, përgjegjësia publike dhe roli i institucioneve, baza ligjore në Shqipëri, standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira të integritetit zgjedhor, – ishin temat kryesore të diskutimit të zhvilluar në tryezën errumbullakët të organizuar nga Instituti i Studimeve Politike me studentë të drejtësisë dhe ekspertë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër, Fakultetin e Drejtësisë.

Diskutimi merr vlerë jo vetëm për shkak të rëndësisë aktuale të integritetit në përfaqësimin zgjedhor dhe postzgjedhor, por edhe në kuadër të sfidave të Shqipërisë për jetësimin e dekriminalizimit dhe të standardeve të shtetit të së drejtës.

Prof. Entela Baçi shtjelloi bazën ligjore lidhur me integritetin e procesit zgjedhor, praktika e mira dhe mekanizmat e krijuara për ta mbrojtur atë. Prof. Irma Baraku u ndal në elementët e detajuar dhe standardet rreth konceptit të transparencës në proceset zgjedhore dhe përfaqësimin politik, rolin e institucioneve dhe aktorëve politikë, qytetarëve dhe organeve ligjzbatuese. Dr. Emanuela Furramani u ndal në bazën ligjore dhe problematikat që lidhen me fushatën zgjedhore dhe rrjetet sociale, ndërkohë që dy ekspertët e tjerë, Prof. Ervin Karamuço dhe Dr. Roland Dodani diskutuan më tej aspekte të veçanta që lidhen me standardet e integritetit dhe rolin e institucioneve dhe të aktorëve publikë në jetësimin e tij.

Pjesëmarrësit diskutuan rreth problematikave dhe materialeve shtjelluese, specifika të integritetit në rastin e Shqipërisë, si dhe paraqitën vlerësimin e pikëpamjet për rekomandime të mundshme përmirësuese për të ardhmen.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike”, zbatuar nga Institutin e Studimeve Politike (ISP), si pjesë e konsorciumit me Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) në partneritet me BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare (QQ), mbështetur financiarisht nga Qeveria Britanike.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://isp.com.al/tryeze-diskutimi-ne-universitetin-luigj-gurakuqi-integriteti-dhe-standardet-e-perfaqesimit-mbi-integritetin/