“Teksa prisnim finalen Brazil – Itali, të botërorit të ’70-ës, te familja që kishte sjellë një televizor nga Rusia dhe ku ishin rreth 200 tifozë, papritur…”/ Dëshmia e rrallë e ish-gazetarit sportiv të Shkodrës

Nga Namik Mehmeti

-Një rrëfim i gazetarit, Namik Mehmeti, lidhur me peripecitë që kalonin tifozët shkodranë për të ndjekur botërorët e futbollit, si ajo me familjen e ing. Basri Bekteshit, që kishte sjellë një televizor nga Bashkimi Sovjetik, ku për të parë finalen Brazil – Itali, në ’70-ën, ishin mbi 200 vetë…! –

Memorie.al / Kampionati Botëror i Futbollit që përfundon të dielën në Katar, është kampionati i 9-të që shqiptarët e shohin të pa çensuruar, pra jashtë kufizimeve nga zhurmuesit e valëve televizive, ku në Shkodër, antenat mbi malin e Taraboshit nxinin ekranet e aparateve të televizorëve tanë, duke e bë të pamundur shikimin e kanaleve tē Republikës Federative të Malit të Zi (asokohe ishte brenda Jugosllavisë së Josif Broz Titos) dhe të Italisë. Për këtë fenomen negativ, që i mohonte shqiptarëve aq futbolldashës të inkuadruar në kampe simpatizantësh, duke bërë tifo për Italinë, Gjermaninë, Brazilin, Argjentinën, Anglinë, Holandën etj., janë shkruar shumë episode, se si shqiptarët, kanë arritur të nxjerrin jashtë funksionit, aparaturat e instaluara që vendoste regjimi komunist i asaj kohe, në majë të maleve, me anë të antenave me kanaçe, disqe biçikletash, etj.

Por në qytetin e Shkodrës, më kujtohet se disa familje kishin televizorë që i kishin sjell nga “Evropa kapitaliste”, të cilët viheshin në punë, edhe me antena tē prodhuara për t’u instaluar, pranë aparatit të televizorit, duke gjetur pikën më të sigurt aty ku penetronin valët televizive. Shkonim në shtëpitë e disa qytetarëve shkodran, hynim me grupe dhe dilnim po ashtu, një nga një, duke mos tërhequr vëmendjen e kalimtarëve, apo të ndonjë komshiu fanatik i atij regjimi.

Një nga “bazat” që frekuentohej me ftesa për të ndjekur kanalet e Titogradit, (sot Podgorica), ishte shtëpia e shoferit (Tashmë të ndjerë) Iljaz Çala, që njihej nga të gjithë shkodranët, si tifoz ultra, i Brazilit. Madje është i njohur fakti që, Iljazi i kishte dërguar telegram të madhit Pelé, për fitoren e Botërorit të vitit 1970-të, kur në finale, Brazili fitoi 4-1 ndaj Italisë. Ato shtatë – tetë tifozë që ftonte Iljazi në shtëpinë e tij, të Brazilit i ndante në një krah dhe tifozët e skuadrës rivale, në krahun tjetër.

Kuptohet se gjithçka improvizohej në një dhomë apartamenti, me sipërfaqe jo më shumë se 12 metra katror. Ai ambient i improvizuar aty,  ishte si një finale më vete, pasi kishte të veçantën e saj pasi, zonja e shtëpisë, pas fitores së Brazilit, tifozët e tij, i qeraste me kafe braziliane, ndërsa kundërshtarët, me kafe surrogate.

Kjo kishte dhe humorin brenda që e bënte fitoren edhe më emocionuese. Kur po luhej finalja, Brazil-Itali, në Shkodër, pra në vitin 1970-të, nuk kishte më shumë se pesë gjashtë televizorë në familjet shkodrane. Një sportdashës i “Vllaznisë”, që njihej nga të gjithë shkodranët, i ndjeri Basri Bekteshi, kishte blerë apo sjell nga jashtë, një televizor sovjetik të cilin, nga shtëpia e tij e kishte transportuar tek i kunati, vëllai gruas.

Televizori ishte vendosur në katin e poshtëm, në një sipërfaqe të madhe, ku ishin vendosur stola që kishin edhe numrin e radhës dhe numrin e vendit, njësoj si në kinema, apo teatër. Në radhën e parë, ishin vendosur karrige të rezervuara për veteranët e futbollit të “Vllaznisë”, si: si Muhamet Dibra, Rifat Rusi, Xhelal Juka, etj., që ishin brezi më i ri, i mjeshtërve të sportit.

Secili nga të pranishmit, kishte në ftesë edhe radhën e vendit ku duhej të ulej dhe gjithashtu aty shin angazhuar njerëzit e farefisit të Basrisë, për të mbajtur rregullin dhe ndezjen e televizorit, ishte caktuar ta bënte, një nga inxhinierët elektronik, më të njohur në Shkodër, Ilir Tyli. Në atë finale, rastisi në Shkodër edhe gazetari i mirënjohur sportiv, Besnik Dizdari, i cili kishte ndërprerë pushimet në kampin veror të Razmēs, enkas për të parë atë ndeshje.

Pasi u sigurua se ku mund ta shikonte ndeshjen, mbeti i befasuar me atë organizim dhe mbi të gjitha, për numrin e të pranishmëve, që kalonin mbi 200 vetë. Kur ajo sallë kinemaje e improvizuar po qëndronte në heshtje, duke pritur se po fillonte ndeshja, ndodhi e papritura. Ing.Iliri, ndezi aparatin televiziv, por figura nuk shfaqej në ekran…!

Kaluan minuta dhe sinjali nuk aktivizohej. Shkaku ishte frymëmarrja e mbi 200 vetëve, ku ishte e ndaluar pirja e cigares. Pra temperatura e krijuar dhe temperatura e asaj dite vere, i kalonte 40 gradë, duke ndikuar në dëmtimin për momentin të aparatit televiziv. Nëpërmjet radios, dëgjuam nga komentatori italian, transmetimin e ndeshjes, ku shënoi i madhi Pelé dhe Bonisegna i Italisë.

Atëhere salla filloi të boshatiset dhe me shokun tim të fëmijërisë, Besnikun (Dizdari), u drejtuam nga Klubi Sportiv “Vllaznia”, që për fat ishte afër shtëpisë, ku jashtë ishin grumbulluar me dhjetëra tifozë, por dyert ishin të mbyllura. Një nga punonjësit e klubit na dha mundësinë të hynim nga një dritare, ku ndoqëm pjesën e dytë. Brazili fitoi 4-1, ku shënuan tre gola të tjerë nga Gerson, Jairzinho e Karlos Alberto. Shkodra jashtë ziente, nga diskutimet e ndeshjes.

“Lulishtja Popullore” përballë Kafesë të Madhe, ishte mbushur plotë e përplot. Kërkonim të pinim nga një birrë për të lagur gurmazin, po edhe ajo kënaqësi nuk realizohej, pasi, siç mungonin shumē artikuj ushqimor që merreshin me tollon edhe birra që vinte nga Tirana, (me kamion “Skoda” me rimorkio të hapur) ishte e kufizuar.

Më pas, aparatet e televizorëve filluan të shtoheshin në Shkodër, pasi Uzina e Radio-Televizorëve në qytetin e Durrësit, filloi të rrisë prodhimin. Im vëlla, Reshati, pasi shërbeu si mësues rreth dy dekada në fshatrat e thellë të Pukës, në prag të transferimit, si shpërblim, i dhanë një autorizim për televizor. Kjo dhe me njohjen që kishte me shefin e arsimit të ndjerin Mehmet Hoti, nga Shkodra.

E solli televizorin nga Puka, në prag të fillimit të Botërorit të vitit 1974, kampionat ky që siç dihet, u zhvillua në Gjermaninë Perëndimore. Kështu që për ne, do të merrnin fund ec e jaket në kërkim të një dere për të pa një ndeshje, e më shumë. Në lagjen ku jetonim ne, afër Kishës së Françeskanëve, pra në qendër të Pjacës, ishim të rrethuar nga familje komunistësh fanatikë, që shikonin me vëmendje se, deri kush hynë e del nga dera e shtëpisë…!

Kjo vigjilencë u rrit kur, mbi pullazin e shtëpisë sonë, u lartësua antena. Ishte një antenë me disa element që, ishin vendosur sipas një modeli, për të fiksuar stacione të ndaluar. Dhe për çudi ajo antenë, kapte edhe sinjalet e Radio Televizionit të Prishtinës, stacion ky që nuk transmetonte vetëm një ndeshje, si Televizioni Shtetëror i Shqipërisë, por më shumë se dy e deri në tre ndeshje.

Ndaj, kur kushërinjtë tanë mësuan këtë privilegj që, na afronte Radio-Televizioni i Prishtinës, nxituan të vinin sidomos, për ndeshje të rendë si me. Këto hyrje e dalje në shtëpinë tonë, (ku babën e quanin zogist, pasi kishin bërë edhe tetë vite burg politik), kishte tërhequr vëmendjen e fqinjëve. Nuk vonoi shumë dhe, një ish punonjës me peshë në Organet e Sigurimit të Shtetit, (D.L.), por që kishte dal në pension, një ditë, duke hyrë në shtëpi, më ndaloi dhe më pyeti:

– “Si shumë njerëz ju vijnë, orë pa orë…”?!

– Vijnë me pa Botërorin, – iu përgjigja unë.

Ai, zakonisht rrinte pasdrekeve para derës së shtëpisë së tij i ulur në një stol. Posa mori përgjigjen time, u ngritë në këmbë dhe lëshoi pyetjen tjetër, por tashmë i përqendruar.

– “Pse, ju merr ju antena stacionet italiane e jugosllave”?

– Jo, – ishte përgjigja ime. Dhe shtova se; ndeshjet e Botërorit, i shohim me Televizionin e Prishtinës. Ai heshti për një moment, por si për provokim, më tha: – “A mund të vi edhe unë, me e pa sot ndeshjen, Gjermani – Jugosllavi”?

Nuk kisha arsye t’a refuzoja kërkesën e tij. Në fakt, D.L., ishte një tifozë futbolli e sidomos për “Vllazninë” kishte shumë debulesë. Hyra në shtëpi dhe aty gjeta tre katër vetë, nipa të babës e të nanës. I tregova babës për sa ma sipër. Për momentin, ai u befasue dhe tha: – “Po çuditem, ai nuk më flet me gojë sa herë ndeshemi në rrugën tonë, por nejse, le të urdhëroj”.

D.L., e dinte se babà kishte bërë tetë vite burg, i dënuar si “armik i popullit”, pasi i kishte shërbyer me besnikëri Monarkisë së Zogut, si prefekt dhe kryetar komune, në rrethe të ndryshme të vendit, nga Vermoshi në Jergucat. Për momentin u ndien keq edhe kushërinjtë, por babà i qetësoi, duke i porositur që të bënin sa më pak biseda e, të mos shfaqnin tifo për asnjërën skuadër.

Në fakt, kur hyri, ai dha një përshëndetje, u ul në karrigen e lënë bosh dhe ndoqi vetëm pjesën e parë. Si hyri ashtu doli. Por të gjithë rrinim si në gjemba dhe kur ai u largua, sikur të gjithëve u erdhi frymëmarrja. E përcolla deri tek dera e oborrit, ku ai ndaloi për një moment, duke mu drejtuar: – “Shiko, mos i thoni kujt se isha këtu me pa ndeshjen. Ato që ju vijnë, të hynë e të dalin, por jo në grup. Ato që shikoni tek Prishtina, mos i diskutoni jashtë shtëpisë. Mos luani me zjarrin, se njëherë jeni djeg”.

Unë tundja vetëm kokën dhe m’u duk gjatë, deri sa ai kapërceu prakun e derës. Por, pas asaj vizite e bisede me D.L., nuk vonuan ballafaqimet me Këshillin e Lagjes, Frontin Demokratik, madje deri edhe me kryetaren e organizatës së grave! Ajo antena në atë lartësi mbi shtëpinë tonë, “duhej të mos bënte shumë karshillëk, me porositë e Partisë, me qëllim, për t’u ruajtur nga propaganda e armiqve të Shqipërisë, nëpërmjet televizorit”.

Madje, një përfaqësuesi të lagjes, i’u desh me i dhënë llogari, se, ku ishte marrë ai tubi metalik ku kishim vendos antenën! Në fakt, edhe me presionin e babës, u detyruam të ulnim antenën, duke e strehuar poshtë çatisë, ku të afërmit tanë, ato ma të rinjtë, u lodhën duke gjetur pikën nevralgjike të stacionit televiziv të Radio-Televizionit të Prishtinës.

Pra, duke mos humbur asnjë ndeshje të Botërorit të Gjermanisë, deri në finale e 7 Korrikut të vitit 1974, ku doli kampione bote, Gjermania Perëndimore e trajnerit të famshëm Helmut Shën, që mundi në finale Holandën, me rezultatin 2-1, me gola të Paul Braitner e Geërd Mueller, ndërsa për Hollandën, shënoi Johan Neeskens, (me penalltinë që akordoi gjyqtari i takimit, anglezi Jack Taylor) që në minutën e dytë të ndeshjes.

Të gjitha këto episode që i kam përjetuar këtu e gjysmë shekulli më pare, m’u kujtuan si të freskëta në këto ditë të Kampionatit Botëror që po zhvillohet në Katar. Por, nuk mund të rri pa përmendur, se diktatura komuniste e Enver Hoxhës, nuk është kursyer që edhe në ditët e kampionateve botërorë të futbollit, të bënte arrestime dhe dënime, “në emër të popullit”, me anë të ligjit famë keq, të “agjitacion propagandës”, por për këto, do flasim në një shkrim tjetër. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/teksa-prisnim-finalen-brazil-itali-te-boterorit-te-70-es-te-familja-qe-kishte-sjelle-nje-televizor-nga-rusia-dhe-ku-ishin-rreth-200-tifoze-papritur-deshmia/