“Te ‘Selvija’, hetuesi më kapi për mjekre dhe ulëriti; maskara, horr i poshtër, bir bushtre, ti do të shembësh pushtetin popullor, por ne ju…”/ Dëshmitë e rralla të ish-deputetit

Nga Leka Toto

Pjesa e parë

Memorie.al / Leka Toto lindi në Tiranë më 14 shkurt 1934. Mbasi mbaroi shkollën e mesme në gjimnazin e Tiranës, ai mundi të fillonte studimet në Fakultetin Juridike të Universitetit Shtetëror të Tiranës, por në vitin 1956, arrestohet dhe dënohet me 15 vjet heqje lirie, duke u akuzuar për tentativë arratisje. U lirua nga burgu në vitin 1964 (ku të dënuarit punonin për ndërtimin e Uzinës së Superfosfatit në Laç), por kalvari i vuajtjeve të Leka Totos, që është njëkohësisht dhe djali i Ismet Totos, publicistit dhe politikanit të njohur të periudhës së Monarkisë së Zogut (dhe nipi i Et’hem dhe Selaudin Totos, që u pushkatua me Grupin e Deputetëve në vitin 1947), nuk do të mbarojë këtu: ai punon si punëtor krahu fillimisht në bujqësi dhe më pas si hekurkthyes në ndërmarrjet e ndërtimit, gjithmonë nën presionin e luftës së klasave, si “njeri i deklasuar”. Në dhjetorin e vitit 1990, ai angazhohet me lëvizjen dhe proceset demokratike dhe nisur nga kjo, në zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992, zgjidhet deputet i Partisë Demokratike për zonën Delvinës e Sarandës. Më pas për disa vjet shërbeu si funksionar (dega e organizimit) në Partinë Demokratike, ku ishte dhe anëtar i kryesisë. Leka Toto u nda nga jeta në vitin 2001, pas një sëmundje të rëndë. Duke pasur një bagazh të gjerë kulturor, që në rininë e tij Leka Tota ishte marrë me shkrime të ndryshme, kryesisht të karakterit letrar dhe filozofisë, por pa tentuar kurrë që të botojë, për efekt të biografisë familjare. Këtë gjë mundi ta realizonte vetëm pas viteve ’90-të, ku ai lëvroi zhanret e prozës, publicistikës, dramës dhe përkthimit, duke arritur të botojë disa vepra, ndër të cilat mund të përmendim: “Sakipi”, “Vetkryqëzimi”, “Shën e Premtja” dhe “Po lexoj veten”.

FRAGMENT NGA LIBRI AUTOBIOGRAFIK “PO LEXOJ VETEN”

Disa muaj pas Revolucionit Hungarez të vitit 1956, më arrestuan, “në emër të popullit”, në ndërmarrjen ku punoja. Erërat e ngrohta që vinin nga Rusia nuk mundën të shkrijnë sadopak akujt e fortë të diktaturës enveriane, në të kundërt, ngritën një acar të egër që u shëmbëllente viteve të para mbas çlirimit.

Errësira e një mbrëmjeje të zakonshme më gjeti në nën shkallën e Degës së Punëve të Brendshme, te “Selvia” hijerëndë në Rrugën e Dibrës. Një birucë e ngushtë dhe e pjerrët, ku mund të ecje vetëm i përkulur. Në ballë të saj ndodhej një dritare e vogël e rrumbullakët, dy pëllëmbë mbi dyshemenë prej çimentoje, që shikonte në trotuarin e godinës.

I hutuar, u ula pranë saj dhe, nëpërmjet hekurave të kryqëzuara, vështroja krejt pa vëmendje këmbët e policëve, çizmet e oficerëve dhe rrallë pulpat e ndonjë sekretareje, që venin e vinin me nxitim. Nuk e di sa kohë ndenja ashtu i tulatur, me kokë të zbrazët nga çdo mendim, brenda së cilës jehonin vetëm trokëllimat e këmbëve pas dritares, si një ritëm i vazhduar pa vijë melodike.

Mendja krejt pavullnetshëm nisi të çmpihet me dhimbje, ashtu si çlirohet nga mizat një gjymtyrë e mpirë. Frika e pavetëdijshme e ngriu trurin dhe vetë ajo nisi ta shkrijë, duke e vënë në shërbim të arsyes. Të krijohet përshtypja sikur ajo është burimi i çdo aktiviteti njerëzor. E vrava mendjen në gjithë drejtimet e mundshme pse ndodhesha aty dhe merrja një përgjigje të vetme: do të kem thënë ndonjë fjalë që u ka dogëndisur.

Komunistët, megjithëse janë ateistë e materialistë dogmatikë, e pranojnë mbyturazi rëndësinë themelore të Logosit në gjenezën e gjithçkaje, njëlloj si profetët biblikë. E mbikëqyrin atë me shumë kujdes dhe kur u vjen ndesh zhdukin së pari atë që e shqipton, mbasi e kanë të qartë se fjala nuk mund të vritet.

Këtë unë e dija mirë, megjithatë, në një rreth të ngushtë shokësh, isha i vetëdijshëm që kisha shprehur pakënaqësi sipas rastit. Çuditërisht nuk munda të kujtoj asgjë të përcaktuar. Të tëra treteshin në një mjegull prej së cilës dalloja vetëm ngjyrën gri në të zezë. Duke pranuar faktin se kisha folur, e vetmja rrugë logjike qe të merrja në analizë personat me të cilët pata shkëmbyer mendime.

Persekutimi i ashpër që diktatura kishte ushtruar mbi familjen tonë, pushkatimi i xhaxhait (Selaudin Toto), me Grupin e Deputetëve, sulmi i egër që diktatori në shkrimet e raportet e tij u bënte prindërve të mi, si antikomunistë më kishin shndërruar në një djalë të matur në moshe te re.

Për rrjedhojë dy – tre shokë përbënin rrethin tim shoqëror. Nisa t’i shqyrtoj një nga një, mundohesha të sillja ndër mend ndonjë dobësi të karakterit të tyre ndër vite. Një përpjekje e kotë, çdo dyshim i lindur tretej menjëherë. Ata mund të më kishin sjellë shumë më parë aty ku ndodhesha. Koka filloi të më dhimbte dhe një ndjenjë turpi më pushtoi. Duke mërmëritur më vete, u kërkova për ndjesë për dyshimin tim. I drobitur u shtriva mbi dysheme dhe me dorën në faqe më zuri një gjumë i thellë.

Nuk e di mbas sa kohe u zgjova menjëherë nga zhurma e llozit të portës, që u hap me forcë. I trembur u ngrita në këmbë dhe polici pa më thënë asnjë fjalë më vuri prangat në duar. Si m’i shtrëngoi mirë, më futi krahun dhe më çoi në një zyrë të madhe disa metra larg birucës.

Drita e fortë dhomës më vrau sytë, aq sa m’u deshën pak çaste për të dalluar aty s’kishte njeri. Para meje qëndronte një skrivani antike, me siguri e sekuestruar në ndonjë shtëpi aristokrati, dhe mbi të në mur një portret i madh i diktatorit në uniformë ushtarake.

Polici, bri meje, vazhdonte të më mbante për krahu. Mbas dy-tri minutash, hyri me vrull në dhomë një oficer shtatlartë pa kapele, i cili tërhoqi me forcë karrigen e skrivanisë dhe, ndërsa po ulej, mori në një sirtar ca letra të pashkruara ku shënoi diçka me penë dhe pa mbaruar, nguliti sytë e tij të dalë, që i ndrinin si të një njeriu në ethe…!

– “A e di pse ndodhesh këtu”? – m’u drejtua me një zë të ngjirur – Jo – u përgjigja diku në mes habisë dhe frikës.

– “Mos vallë mendon se të kemi thirrur për të kaluar kohën mor bukurosh”? – Menjëherë e ngriti zërin dhe më vështroi sikur donte të më hante – “Ç’ke bërë kundër pushtetit popullor”?

– Nuk di të kem bërë gjë – thashë me zë të ulët, por duke e vështruar në sy për t’i treguar se jam i çiltër në përgjigjen time.

U ngrit i nervozuar, duke e shtyrë karrigen, e afroi aq afër fytyrën e tij me timen sa, mund t’i dalloja vetëm ngjyrën e verdhë në jeshil të lëkurës së rrudhur dhe dhëmbët e rrallë e të nxirë, që uleshin e ngriheshin tërë mllef.

Fryma e qelbur që përcillte fjalët e tij fyese përplasej mbi fytyrën time dhe unë i trembur nuk lëvizja si një trup i ngrirë. “Maskara! Horr i poshtër! Ti do të shembësh pushtetin popullor, por harron se bishtin të lëvizni, ne ju presim kokën”! ulërinte dhe me dorën e tij të madhe më shtrëngoi fort mjekrën, duke e tundur me forcë. Më lëshoi duke shqiptuar dy fjalë që më ranë si plumb i shkrirë në zemër: “Bir bushtre”!

Lot më kërcyen nga sytë menjëherë, gjithçka po më vinte vërdallë, në çast desha t’i turrem ashtu siç isha duar lidhur, brenda vetes po shkumbëzoja, por arsyeja, bijë e frikës, si gjithmonë, gjen rrugë më të buta: “Të lutem merru me mua, s’ke punë me nënën time”, i thashë i tendosur me zë të prerë. Pak heshtje mbizotëroi, një heshtje e ngrirë pezull.

Me një lëvizje të shpejtë rroku një dosje të blertë mbi skrivani dhe lexoi tërë nerva: “Kundërrevolucioni hungarez nuk është kundërrevolucion, por revolucion i vërtetë për liri”. – Po kësaj ç’i thua ti mor kokorroç. Ky është gjykimi i armikut të klasës, ky është gjykimi i botës kapitaliste, këtë thua dhe ti poshtë e përpjetë. A e kupton se ne i dimë të gjitha, se bashkë me ne vigjilon një popull i tërë. Tani është më mirë për ty të tregosh tërë veprimtarinë tënde armiqësore ndaj popullit, të dëshmosh se je i penduar dhe vetëkuptohet organet gjyqësore do ta kenë parasysh si rrethanë lehtësuese.

U ndjeva krejt i befasuar, por instinkti i vetëmbrojtjes ndodhej në gatishmëri për të gjitha llojet e kurtheve. Nga të njohur të mi ish-të burgosur kisha dëgjuar se rruga më e drejtë në hetuesi, më dinjitoze dhe pa ndërlikime të mëtejshme, është ajo e të mohuarit të akuzës, paçka se është më e mundimshmja.

– Një gjë të tillë nuk e kam thënë.

– “E ke thënë – vazhdoi ai – dhe dëshmitarët do të ta provojnë së bashku dhe me shume gjëra të tjera. Më mirë pranoji vetë, të çlirosh ndërgjegjen sa nuk është vonë dhe të përfitosh nga rrethanat lehtësuese”.

Ra zilja e telefonit. Me siguri duhet të ishte ndonjë epror i tij, se u ngrit menjëherë në këmbë dhe radha e “si urdhëro”-ve po zgjatej me shumë devotshmëri. Si mbaroi së foluri, i ra një zileje tjetër të instaluar anash skrivanisë. Pa vonesë hyri polici, i cili më kapi për krahu si më parë dhe më çoi në birucë. Ende pa dalë nga zyra, i kisha kthyer kurrizin, veshi më kapi ca fjalë të oficerit: “Të shohim, a do të jesh i zoti të qëndrosh atje ku do të shkosh”.

U ula disi i përhumbur sërish pranë dritares së rrumbullakët. Këmbë njeriu më s’dukej. Llambat e vendosura mbi muret që rrethonin godinën ndriçonin trotuarin dhe pak vrimën time të errët. Mendime të turbullta më vinin vërdallë në kokë dhe për çudi të tëra, përplaseshin të ngacmuara skajshëm, pa respektuar njëri-tjetrin, për të hapur një portë të rëndë metalike: kush më ka denoncuar?

Kisha përshtypjen sikur ai qëndronte pas saj. Të dërrmuar nga kjo përpjekje kokëfortë, u ulën duke krijuar një rreth të vogël dhe të ndihmuar nga kujtesa orvateshin disi të qetësuar për të përfytyruar imazhin e atij që ndodhej mbas portës. Por për habi ai u shumëzua. Disa fytyra shumë të dashura e të nderuara prej meje faniteshin rrotull një radioje që jepte lajmet mbi ngjarjet tragjike në Hungari.

Zëri i spikerit italian shungullonte në tërë qenien time, figurat titanike të Imre Nagit dhe anëtarëve të Klubit “Petëf” ngriheshin madhërishëm, duke çare me forcë dyshemenë prej betoni. Nuk mund të them sa kohë zgjati ajo dehje e ngazëllyer sy mbyllur, veç jam i sigurt se më përmendi një gjë e ftohtë që me mundim shkau në grykën time.

Mornicat e dobësisë më mbuluan fytyrën. Në të njëjtën kohë digjesha i turpëruar për mungesën e kurajës si individ dhe ndjeja të ftohtë për ç’ka më priste më tej. U enda gjatë në një fushë të pamat mbuluar me borë, pa një orientim të përcaktuar, diku u rrëzova dhe rashë i ngrirë në një gjumë pa ëndrra.

Në të gdhirë një klithmë e llahtarshme gruaje më shpoi në zemër me timbrin e saj të mprehtë. U ngrita ndenjur i lebetitur. Ndërmjet dënesave që e pasuan shquaja vetëm një fjalë të shoqëruar me një gulçimë, e cila më dukej sikur i vinte nga thellësia e barkut: “fëmijët”!

Kërkëllima e hapjes së një porte përshkroi zbrazëtirën e heshtur të korridorit e ndjekur nga britma e vrazhdët e policit: “Pusho bushtër, do të kashais mirë”! Plaga heshtjes u mbyll, ndërsa brenda meje dhe asaj fatkeqeje kujet shurdhoheshin. Asgjë s’pipëtinte. Kjo qetësi e dhimbshme po më torturonte në atë shkallë sa një afsh përvëlues më pushtoi kokën, më dukej sikur me largimin e tij do të mbetesha krejt i zbrazët e bashkë me të do të më ikte dhe mendja.

Tmerri i zbrazësirës solli në veshët e mi rënkime të mbytura që vinin nga nën dyshemeja prej çimentoje. Kisha dëgjuar se në bodrumet e errët të kësaj godine të llahtarshme flakeshin të torturuarit mizorisht, por nuk mund të them me siguri nëse ato ishin rënkimet e tyre apo pjellë e imagjinatës sime. Tek unë ato vinin si valë deti që përplasen në breg e kthehen duke psherëtirë thellë. Mbas pak kohe, megjithëse nuk po i dëgjoja më, i qetë mërmërita me vete: “Perëndia don të më ruajë”.

Duarlidhur më nxorën në pjesën e përparme të oborrit mostër po më priste. Po e quaj mostër se pamja e tij i ngjallte tmerr cilitdo që i afrohej atëherë në Tiranë. I shoqëruar nga një oficer i ri hipa në pjesën e pasme të makinës, dritaret e së cilës ishin të mbyllura me perde doku të trashë. Asgjë nuk shikohej jashtë.

Në çastin që makina kapërceu pragun e portës u lëkund pak dhe cepi i perdes nga ana e djathtë lëvizi aq sa deri një metër mbi rrugë mund të shikoja vetëm këmbët e njerëzve e rrotat e biçikletave. Megjithëse jam rritur në rrugët e Tiranës, nuk isha në gjendje të dalloja se nga po shkonim. Pa kuptuar, ndjenja e pasigurisë u përzje me një ndijim të trishtuar që vinte nga sedilja mbi të cilën isha ulur. Sa prej tyre që kanë ndenjur mbi të s’janë më në këtë botë dhe sa të tjerë dergjen në burgje e kampe.

Makina ngadalësoi pak shpejtësinë, mori një kthesë të fortë. Buzë trotuarit, ulur në shesh me disa tufa pishe përpara, pashë të vetmen fytyrë njeriu gjatë këtij udhëtimi drejt të panjohurës, atë të shitësit të tyre. Mbas disa minutash u gjenda në oborrin e Burgut të Vjetër nga ana e pasme. Na priste një kapiten Sigurimi mesoburrë, i cili, mbasi shkëmbeu ca fjalë me shoqëruesin tim, së bashku me gardianin, mbasi ngjitëm disa këmbë shkallë, më futën në një korridor të gjatë mbi tridhjetë metra të gjatë, të ndriçuar mirë.

Ndërsa po ecnim në krahun tonë të djathtë ngriheshin dritare të mëdha me hekura të kryqëzuara prej nga mund të shikoje një shesh katërkëndësh rrethuar me mure të lartë në dy këndet e jashtëm të të cilit qëndronin dy truproja. Më vonë shëtita dhe unë në atë shesh që të burgosurit e quajnë pajdos. Nga e majta e jonë radhiteshin dyer të hekurta si të kabinave elektrike dhe anash tyre poshtë në dysheme këpucë burrash, më rrallë grash, më shumë opinga. Çdo portë kishte të shkruar mbi të një numër me bojë të kuqe. Më futën në njërën afër fundit dhe e mbyllën derën me lloz pa më thënë asnjë fjalë. Memorie.al

                                                   Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/te-selvija-hetuesi-me-kapi-per-mjekre-dhe-uleriti-maskara-horr-i-poshter-bir-bushtre-ti-do-te-shembesh-pushtetin-popullor-por-ne-ju-deshmite-e-rralla-te-i/