“Te ‘Dajti’ takova ish-shokun tim të shkollës, Nako Spiru dhe kur i kërkova që ta lironin nga burgu, burrin e motrës sime që kishte dashur Enveri, ai më tha…”/ Kujtimet e italianit, nipi i ish-portierit të Kombëtares shqiptare

Nga Aldo Renato Terrusi

Pjesa e shtatë

                                                      RIKTHIMI

Memorie.al / Aeroporti i Fiumiçinos. Avioni ‘MD 80’ i Alitalias është gati për fluturim. Është e shtunë, 6 nëntor 1993. Ora 11.25. Komandanti mori miratimin. Stjuardesat na kujtojnë dhe një here të lidhim rripin e sigurimit. Dy motorët çohen në fuqinë maksimale, ndërsa zhurma bëhet e mbytur dhe shurdhuese. Butonët dhe komandat provohen për të fundit herë sipas procedurave të fluturimit, lëshohen frenat, fillon lëvizja gjithë e më e shpejtë, përshpejtimi i përplas pasagjerët pas shpinores, avioni ngrihet në fluturim. Ndjej të më ngrejë një forcë e padukshme që më lë si të pezullt në zbrazëti. Hedh sytë përreth për të parë nëse dhe pasagjerët e tjerë kanë të njëjtën ndjesi si unë. Ca lexojnë, ca shohin jashtë nga dritarja, ca janë shpërfillës, ca mezi rrinë të qetë dhe ca, të ngrirë në ndenjëse, lënë të ndër duken frikërat e veta. Me një ndërrim drejtimi të gjerë, avioni ngrihet në lartësi dhe drejtohet drejt radio farit të Barit, për të mësyrë pastaj drejt e në Tiranë, në vendmbërritjen tonë.

                                               Vijon nga numri i kaluar

Motorin tim e pëlqenin kaq shumë, sa një drejtues i Partisë Komuniste, Izet Jaho, ma merrte shpesh borxh dhe ma kthente kur t’i tekej. Unë isha i detyruar t’i hapja udhë lojës së ligë dhe të mos bëja zë, për të shmangur ndonjë shpagim. Me atë rast erdhi të na nderonte me vizitën e vet, kreu i Rinisë Komuniste Shqiptare, Nako Spiru, një shok i dashur, me të cilin kishim qenë bashkë në shkollën italiane të Korfuzit, edhe pse ishte disa vjet më i madh se unë. Isha bash në hollin e Hotel “Dajti”-t, kur hyri ai i shoqëruar nga agjentët e policisë shqiptare që i shërbenin si truproje. U afrua dhe më përshëndeti tërë entuziazëm në emër të miqësisë sonë dhe pasi më uroi për fitoren e shkëlqyer, më pyeti në mund të më ndihmonte me ndonjë gjë. Atëherë i kërkova nëse mund të më ndihmonte me një nder krejtësisht personal.

“Kunatin tim, si gjithë drejtorët italianë të bankave, e kanë futur në burg dhe ndërkohë që shumica janë liruar, ai akoma jo. Është akuzuar, ashtu si të tjerët, se ka dëmtuar financat e shtetit, për shkak se ka dërguar në Itali arin shqiptar. Në të vërtetë, nuk ka bërë asgjë të keqe dhe nuk ka asnjë arsye se pse e mbajnë në burg. Mund të ketë vetëm motive hakmarrjeje ose… shkëmbimi… me fjalë të tjera, peng”. Naku më pyeti a isha i sigurt në fjalët – që sapo thashë. “Pa pikë dyshimi”, iu përgjigja. “Unë mund të rri këtu akoma, të luaj dhe të punoj, por ama atë, bashkë me të shoqen dhe të birin, dërgojini në Itali. Të lutem, bëj ç’të kesh në dorë”. Më tha që do të përpiqej të më ndihmonte.

Pas pak ditësh morëm vesh lajmin e vdekjes së Nako Spirut. Një ndjenjë e fortë shtypjeje dhe pafuqie, më bllokonte trurin, por duhej të reagoja dhe të shmangia rënien në dëshpërim dhe në panik. I vetmi njeri miqësor që mund të na ndihmonte njëfarësoj, kishte vdekur. Shpjegimi zyrtar nga burime të qeverisë, theksonin se: Spiru ishte vetëvrarë pa dashje me një të shtënë, ndërsa pastronte pistoletën e vet. Me sa dukej, regjimit nuk i shkonte për shtat dhe kishin gjetur një mënyrë për ta hequr qafe. Ishte komunist, por padyshim që Enveri nuk e honepste dot sepse ai kishte treguar njëfarë simpatie për italianët… madje dhe kishte qenë në shkollë me ta. Iu bë funeral shtetëror me të gjitha nderet”.

Në dokumentacionin historik zyrtar shqiptar lexohet: “Ministri i Ekonomisë, Nako Spiru, shpreh pakënaqësi, që pjesërisht i vjen nga Partia, për shkak të marrëdhënieve shumë të ngushta me Jugosllavinë. I akuzuar për nacionalizëm, Spiru shkarkohet dhe përjashtohet nga Partia dhe Hoxha, që është dhe autori i vërtetë i kësaj nisme, nuk lëviz as gishtin për ta mbrojtur. I akuzuar për ‘devijime shoviniste’, Spiru vete vritet në vjeshtën e vitit 1947”. Tashmë isha i njohur dhe shpesh tregtarët më dhuronin miell, makarona dhe oriz. Kur luanim ndeshje në transfertë jashtë shtetit – në Bullgari, Jugosllavi, Rumani – shokët e mi blinin çorape grash, këpucë, orë dore dhe parfume, që më pas i shisnin sërish. Ndërsa unë blija kakao, sheqer, biskota, mjaltë, etj. Kur drejtori i doganës kontrollonte valixhet dhe shihte këto ushqime, më bënte qejfin dhe më uronte, ngase besonte se më shërbenin për regjimin tim ushqyes sportiv. Përkundrazi, të gjitha këto i merrja për familjen time, por sidomos për nipin tim Aldon.

Në atë kohë isha fejuar me një vajzë të bukur shqiptare që e quanin Lule, bionde me sy të kaltër, dhe ndonjëherë sillja edhe nipin në fushë gjatë stërvitjeve. Hera-herës dëgjoja nëpër rrugë: Xhakomino, Xhakomino! Kthehesha, por nuk më thërrisnin mua: ishin kalamajtë që luanin mes vedi. Pa e dashur as vetë, isha bërë i famshëm. Në Ballkaniadën e vitit 1948, trajneri ynë u ndërrua me një jugosllav me emrin Jeskiç (nëse nuk gaboj). Mbaj mend që fliste frëngjisht dhe që u ndjeva mjaft mirë me të. Gjithsesi, në Bratislavë pësova dy gola dhe njëri më kujtohet veçanërisht mirë, pasi topi i gjuajtur me zhytje’ po hynte nën shtyllë dhe unë po e vështroja thuajse pa lëvizur. Ndjeja se e kisha humbur atë antagonizëm të viteve të para: shqetësimet familjare dhe mungesa e motivimit, nuk më linin të jepja më të mirën e mundshme në lojë. Pastaj, duhej dhe të ktheheshim në Itali…! Ç’të ardhme mund të prisja në Shqipëri? Megjithatë, po të më kujtohet mirë, u renditëm të dytët pas Jugosllavisë”.

Intervista mbaroi pak pas orës 17.00 dhe Xhaviti duket i kënaqur, shpreson ta transmetojnë para se të kthehemi në Itali. Rrugës për në hotel, bëmë një shëtitje jo si zakonisht dhe morëm një rrugë anësore nga Sheshi “Skënderbej” që quhej “Rruga e Kavajës”. Në të djathtën tonë u shfaq një pallat i vogël shumë i çuditshëm dhe shumëngjyrësh. Afrohemi gjithë kureshtje. Është një ndërtesë dykatëshe me një kullëzë qendrore; ngjyrë e bardhë e zbukuruar me larime të kuqe në hyrje, rreth kornizave të dritareve dhe në trenëzime. Lexojmë gjithë habi tabelën e vënë në kolonën e djathtë të kangjellës: “Nunciatura Apostolike – Ambasada”. Përfundimisht jemi të habitur.

Kthehemi në hotel mes rinisë që ‘bëjnë xhiro’ përgjatë bulevardit të madh. Po presim Pierxhorxhon dhe Tolin, që i kemi ftuar për darkë te “Dajti”. Sapo mbërrijnë ata, shkojmë për një aperitiv, ndërkohë që Toli na thotë se ka porositur një taksi për ditën tjetër – i vetmi mjet i mundshëm për të shkuar në Vlorë, pa rrezikuar shumë. Aty do të takojmë personin që ka qenë në burg me tim atë dhe mund të shohim disa nga vendet ku kemi jetuar shumë kohë më parë. Kalojmë nga bari i “Dajtit”, porositim aperitivë italianë dhe ulemi në sallon, ngjitur me restorantin, për të bërë muhabet. Pierxhorxho është italian dhe ka një mandat dyvjeçar, si drejtor i Cooperazione, ndërsa Toli është shqiptar i kulluar me origjinë nga Vlora, studion në universitet, e njeh shumë mire italishten dhe është i punësuar me kohë të plotë në Ambasadë. Që të dy e njohin pjesërisht historinë tonë dhe janë kureshtarë për odisenë hekakeqe të familjes sonë.

“Pra, Aldo, ti paske lindur në Shqipëri?” më pyet Pierxhorxho.

“Po, sigurisht, në Vlorë, në vitin 1945. Mezi po më durohet sa të shoh edhe një herë ato vende, por më duket se nuk do të mbaj mend asgjë. Në mendjen time ka vetëm ndonjë imazh pak a shumë të turbullt që ka të bëjë me vitin 1949, pak para se të riatdhesoheshim”. Në muhabet futet Toli dhe vazhdon: “Kur u thashë atyre të shtëpisë se në Shqipëri do të vinte djali i një drejtori banke të Vlorës, nëna ime u kujtua menjëherë për një zonjë të bukur, grua e drejtorit të bankës”. Mbetem si i shastisur, nuk di ç’të them. Mezi mund të shkërbej një buzëqeshje miratimi. Pastaj pyes Tolin: “Meqë ra fjala te Vlora, në ç’orë do takohemi nesër?” “Taksia do vijë t’ju marrë te “Dajti” nga ora 09.00 dhe në atë orë do jem edhe vetë aty. U interesova edhe për motin, nesër do të jetë një ditë e ngrohtë e shkëlqyer”.

“Mirë, shumë mirë. Qenkemi me fat”. Na thërrasin nga restoranti. Tavolina jonë është gati. Porositëm një gatim të mirë vendi, jo shumë të rëndë mbase. Na shërbejnë qofte me oriz dhe mish. Është një pjatë tipike, e shijshme, me shije të rafinuar, ndoshta jo dhe aq e lehtë. Receta në vijim është për gjashtë veta.

Përziejmë 500 gramë mish të grirë viçi, 150 gramë oriz, një vezë, një qepë të grirë jo shumë hollë, majdanoz të grirë, kripë dhe piper. I përziejmë mirë dhe formojmë qofte të rrumbullakëta në madhësinë e një arre. Mbushim përgjysmë me ujë një tenxhere, dhe hedhim pak gjalpë e kripë. Sapo të ziejë uji, hedhim qoftet dhe i ziejmë. Salca përgatitet veçmas. Shtrydhen dy limonë dhe u hidhen dy vezë e një tas lëng nga ai i qofteve. Përzihen këta përbërës bashkë dhe rrihen në enë. Hidhet dhe përzihet e gjithë masa mbi qoftet e nxehta, por me zjarr të shuar. Gjatë darkës bisedojmë për ushqimet shqiptare, për ngjashmërinë dhe prejardhjen nga gatimet turke dhe greke. Në të vërtetë, këto tre vende kanë të përbashkët shumë gatime që përfaqësojnë ushqimin tipik të popujve të Mesdheut lindor. Në fund na sjellin edhe gotën tradicionale tashmë të rakisë. Përshëndetemi duke e lënë takimin me Tolin për ditën e nesërme.

RRUGËS PËR NË VLORË

Zgjohem shumë herët, s’ka shkuar akoma ora 06.00, ndërkohë që nga grilat hyn një dritëz e lehtë dhe nga rrugët dëgjohen shumë pak zhurma. Nuk më zë vendi vend e aq më pak në shtrat. Ngrihem dhe hap grilat. Nëse dita me diell duket që në mëngjes, atëherë dita do të jetë e shkëlqyer: asnjë gjurmë reje në qiell. Lahem, vishem dhe trokas në derën e dajës.

“Po, Aldo, hyr, sa të vishem”.

“Dajë, sot na pret një ditë e gjatë përpara, uroj të mos na dalë ndonjë pengesë”.

“Nuk do të ketë, jo”.

Zbresim të hamë mëngjes, si zakonisht, jemi klientët e vetëm.

Spartaku nuk ka ardhur ende në punë. Shoh orën, është 08.00, por s’duket këmbë robi. Pas si nja gjysmë ore, salloni fillon të gjallërohet dhe më në fund ja ku vjen dhe Spartaku, që kthehet të na përshëndesë menjëherë. “Më thanë që po prisni taksinë për të shkuar në Vlorë. Mos u bëni merak se e njoh unë shoferin, është njeri i besueshëm. Pastaj, dëgjova që edhe Toli do vijë me ju. Pas pak erdhi Toli duke i përshëndetur të gjithë plot ngazëllim. Mirë pra, shkova ta thërras vetë taksistin, edhe pse e kishim porositur për në orën 09.00, më mirë të tregojmë kujdes vetë…! Ramë dakord: për gjithë ditën do 90 mijë lireta. “Në rregull Toli, nuk ka problem. Do pish një kafe?”

“Jo, faleminderit, më mirë të nisemi, ka ardhur dhe taksisti. Hipim në një taksi të shkalafitur fare, ku Toli shërben si guidë dhe si përkthyes, sepse shoferi nuk flet italisht, edhe pse kupton mjaft mirë. Itinerari parashikon përshkimin e rreth 40 km. të rrugës së vetme që bashkon Tiranën me Durrësin – që gjendet drejt perëndimit në det – dhe pastaj të vazhdojmë përgjatë bregdetit përreth 100 km drejt jugut, për në Vlorë.

Bluja e qiellit është e fortë, temperaturë e ngrohtë, thuajse vapë, edhe pse nëntor. Më pret një ditë padyshim emocionuese: do të kthehem në vendet ku kam lindur dhe ku familja ime ka kaluar shumë vështirësi. Rruga është e rrafshët, në disa segmente ngjitur me hekurudhën, e cila nuk është e elektrifikuar dhe përshkohet rrjedhimisht nga lokomotiva të mëdha me karburant.

Disa trena bëjnë rrugë shumë të kufizuara për shkak se ka vetëm një binar dhe kryesisht transportojnë mallra dhe tek-tuk ndonjë vagon të mbushur dingas me pasagjerë. Në të vërtetë, përgjatë thuajse 100 kilometrave që rruga shkon krahas hekurudhës, ndeshim vetëm dy trena. Të kudondodhur shohim bunkerë të panumërt të drejtuar kundër ‘armikut perëndimor’, pranë fabrikave, pranë arave të punuara, në rrugë e në sheshe, dëshmi e trishtë e një të kaluare luftarake. Janë të përmasave të ndryshme – me sy i llogaris nga tre në dhjetë metër diametër – dhe janë grumbuj. E pyes Tolin se sa mund të jenë në numër këto gjysmësfera çimentoje arme’që kanë pushtuar peizazhin.

“Më shumë se 700 mijë, të përhapur më shumë përgjatë vijës bregdetare”, më përgjigjet ai.

Absurde! Sa para të hedhura dëm kot, ndërkohë që shqiptarët vdesin urie! Shpesh jemi të detyruar të ulim shpejtësinë ose të

Ndalojmë, për shkak se kalojnë kamionë shumë të mëdhenj që vijnë në drejtim të kundërt dhe që na kujtojnë në mënyrë mbresëlënëse kamionët e luftës së fundit. Me gjasë mund të jenë të njëjtët.

“Pozeli, po si ka mundësi që u ndodhët në Vlorë?” pyet Toli, ndërkohë që shoferi bën rrugë mes pengesave. “I rashë punës pas…!  Pasi u martua, Xhuzepe u shpërngul në Vlorë si drejtor i bankës dhe Aurelia shkoi me të. Pozicioni i tyre ishte shumë i lartë, kishin personel shërbimi, një apartament në katin e parë në po të njëjtën ndërtesë ku ndodhej banka, shoqëroheshin me njerëz të rëndësishëm.

Paralelisht me transferimin e Xhuzepes në Vlorë në vitin 1938, edhe im atë, Vitalianoja, shkoi bashkë me familjen nga Gjirokastra në Kuçovë, ku ishin hapur disa kantier pranë minierave të boksit. Afër zonës së nxjerrjes së naftës, në Selenicë, një firmë italiane, AIPA (Azienda Italiana Petroli Albania – Ndërmarrja Italiane Petroli Shqipëri), kishte nisur punën për nxjerrjen e bitumit. Babait tim i ishte caktuar sipërmarrja për mirëmbajtjen e shtëpive të punonjësve të aipa-s. Mbikëqyrte personalisht punimet e ndryshme, si: marangozët, mekanikët, ndërtuesit, elektricistët, etj.

Një vit më vonë, e thirri në Vlorë profesor Spineli, i cili i mirë besoi zgjerimin dhe rindërtimin e spitalit italian, ku ishte drejtor. Brenda një kohe shumë të shkurtër, Vitalianoja ndërtoi një ndërmarrje të re, duke u bashkuar me një inxhinier, bleu materiale dhe tulla nga Italia për disa milionë lireta dhe arriti të përfundojë punimet në kohën e caktuar – ngjarje e jashtëzakonshme duke marrë parasysh rrethanat. Gjatë mbikëqyrjes në Gjirokastër, në cilësinë e këshilltarit të një ndërmarrjeje të regjimit, Vitalianoja pësoi një aksident – u hap spondi i makinës dhe ai u rrëzua. Shkova te im atë sa më parë ishte e mundur, i shoqëruar edhe nga një shok me një motor ‘Guci 500’, të cilin ma dha një inxhinier që punonte në ndërtimin e ujësjellësit italian.

Kur shkova ta takoja, Vitaliano kishte një hematomë në tëmtha; duhej çuar urgjent në spital. Kreu i ndërmarrjes qeveritare, me emrin Dermaria, na dha hua një kamion të vogël ushtarak dhe kështu shkuam në spital te doktor Spineli. Vitalianoja shpëtoi, por humbi një pjesë të dëgjimit. Si rrjedhojë, pati probleme të drejtpeshimit dhe për fat të keq, që nga ai çast aktiviteti i tij në punë pësoi një rënie të madhe. Në po atë periudhë, Karmeni u njoh me Mario de Kaveron – zëvendësdrejtor i një sektori të aipa-s. Ata u martuan në vitin 1939 dhe shkuan të jetonin në një vilë që ndërmarrja e jepte falas për drejtorin dhe zëvendësin e tij. Mario dhe Karmeni u bënë me një djalë, Lilinon, i djali vdiq 18 muajsh, nga dehidratimi; djali kishte diarre dhe mjekët nuk dinin si ta mjekonin. I vogli u varros në Vlorë.

Vitalianoja mori me qera një vilë ngjitur me bankën e Xhuzepes. Gjithë familja, për arsye të ndryshme, u bashkua edhe një herë në Vlorë; tashmë pjesë e saj ishte edhe Ida, motra më e vogël e nënës, që kishte kërkuar të strehonin atë dhe të birin Domenikun, dhjetë vjeçar. Erërat e luftës po afroheshin më fort, por ne jetonim relativisht mirë dhe ishim të kënaqur me jetën që bënim. Xhuzepeja, shumë i zënë me punën e vet në bankë, shkonte sa nga Vlora në Tiranë, sepse shpesh punëve administrative u shtoheshin edhe ato të përfaqësisë. Konsulli Savoni dhe gruaja e tij konteshë, e kishin bërë zakon të ftonin në Konsullatë thuajse çdo javë Xhuzepen, Aurelian, Marion, Karmenin, Emën dhe Vitalianon, për të luajtur brixh.

Shpesh organizoheshin pritje, takime dhe festa vallëzimi për nder të politikanëve dhe ushtarakëve italianë të nivelit të lartë që vinin për vizitë në Vlorë. Në prill të vitit 1938, Mbreti Zog I-rë u martua me konteshën Xheraldinë Aponi dë Nagiaponi, një damë katolike gjysmë hungareze dhe gjysmë amerikane. Mbreti Zog I-rë dora vetë, ftoi Xhuzepen dhe Aurelian në darkën gala në Sarandë, me rastin e dasmës me Xheraldinën. I ftuar nderi në këtë pritje, ishte Galeaco Çano. Për mua dhe babanë tim, zbavitja më e madhe ishte kur dilnim për gjah me zagarët tanë. Më kujtohet sidomos kur shkonim afër detit, në një zonë moçalore dhe plot gropa – si pasojë e rënies së bombave gjatë luftës – që ishte shumë e populluar nga rosat. Një ditë më doli para një pelikan i shkretë dhe e qëllova; ai qe i vetmi gabim gjatë gjahut në jetën time – mishi i pelikanit nuk është i ngrënshëm – por atëherë isha i ri dhe e çova në shtëpi si trofe.

Një herë u tallëm me Xhuzepen, i cili sa herë që dilte për gjah, nuk ia dilte asnjëherë të kapte gjë. Fsheha një lepur dhe e lidha pas një shkurreje, pastaj, shumë seriozisht, organizuam edhe një seancë gjuetie dhe e drejtuam Xhuzepen drejt vendit ku kisha fshehur kafshëzën. Kur e pa lepurin, që në fakt nuk po lëvizte hiç, e vrau, Por kur tërë kënaqësi shkoi ta merrte, pa litarthin me të cilin ishte lidhur. Gjithçka mbaroi me të qeshura shpërthyese dhe dëshira e tij ishte ta nxirrnin në fotografi me të vetmen pre të jetës së vet si gjuetar. Më kujtohet edhe atëherë kur nuk kishim zagarët dhe ishim vetëm katër veta – si pak për të gjuajtur derra të egër – por vendosëm gjithsesi ta provonim një herë. Memorie.al

                                                         Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/te-dajti-takova-ish-shokun-tim-te-shkolles-nako-spiru-dhe-kur-i-kerkova-qe-ta-lironin-nga-burgu-burrin-e-motres-sime-qe-kishte-dashur-enveri-ai-me-tha-kujtim/