Shqipëri, krimet e diktaturës përmes dëshmive të të mbijetuarve

Nga Mimoza Picari | Zëri i Amerikës, 12 qershor 22

Në Shqipëri të mbijetuar nga burgjet dhe kampet e internimit gjatë diktaturës, rrëfejnë për Zërin e Amerikës, vuajtjet dhe përndjekjet shumëvjeçare ndaj tyre dhe familjeve të tyre. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 3 dekada nga rënia e komunizmit ata thonë se, për këtë shtresë të prekur të shoqërisë, është bërë shumë pak nga autoritetet shtetërore, në adresë të kujtesës historike. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Mimoza Picari sjell më shumë hollësi nga Tirana.

Në Shqipëri ende ka një debat të hapur mbi krimet e komunizmit dhe ndarjen me të shkuarën, dhe pse kanë kaluar mbi 3 dekada nga rrëzimi i diktaturës. Sipas të dhënave të Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, për 45 vjet në këtë regjim, rreth 35 mijë burra dhe gra u burgosën për motive politike.

Mbi 7 mijë u ekzekutuan, u vranë ose vdiqën në to. 60 mijë shqiptarë gjithashtu u internuan në kampe përqendrimi, 7 mijë prej të cilëve humbën jetën në to. Një e mbijetuar 88 vjeçare, Klara Merlika, bashkëshortja e Fatos Merlikës, djalit të ish-kryeministrit Mustafa Merlika, ishte 10 vjeç kur u internua nga Shkodra me familjen në vitin 1945. Babai i saj ishte pjesëmarrës në rezistencën e armatosur kundër regjimit komunist në Mirditë. Fillimisht u dërguan në kampin e Beratit dhe më pas në atë të Turanit në Tepelenë.

Ajo rrëfen për Zërin e Amerikës kushtet çnjerëzore aty, ku njerëzit vdisnin nga uria dhe mungesa e shërbimeve mjekësore.

“Turani, ka qenë i tmerrshëm. Brenda 24 orëve kanë vdekur 25 fëmijë nga dizenteria. Varret e fëmijëve kanë humbur. Më kujtohet një nënë që shkoi i mori eshtrat fëmijës së saj, dhe i mbante poshtë jastëkut. Tre herë është varrosur gjyshja ime. Për herë të tretë e varrosën në breg të Bënçës. Gjovalin Vasia ka pas bërë një vjershë, ku kam shtuar dhe vetë disa vargje – O ju male që më rrethoni, edhe Bënça vjen valë-valë, varret tona i ka marrë. S’të erdhi keq, s’pate mëshirë, varret më kush nuk i di. Gjithë në Vjosë na i çove ti- shprehet për Zërin e Amerikës Klara Merlika, ish e përndjekur politike.

Gjergj Hani, nga qyteti i Durrësit ishte 16 vjeç, kur tentoi të arratisej në vitin 1985, në lindje të vendit, përmes fshatit Lin në Pogradec. Aty pikaset nga forcat e kufirit dhe arrestohet, dënohet dhe dërgohet në burgun e Qafë- Barit. Pas një amnistie, lirohet një vit më vonë dhe sërish tenton të arratiset, por pa sukses. Arrestohet, dënohet sërish dhe këtë herë fiton lirinë pas rrëzimit të regjimit komunist në vitin 1991. Ai kujton për Zërin e Amerikës dhunën e egër ndaj tij dhe të burgosurve të tjerë kur mbërritën në burgun e Qafë Barit.

“Kur zbritëm nga autoburgu, në të dy anët u rreshtuan policë, dhe kur ne kaluam na goditën me bishta kazme, në mënyrë të verbër. Shpesh e kam pyetur veten si ka mundësi të kishin një urrejtje të tillë. Zakonisht njeriu të urren, por të urren kur ka një eksperiencë të drejtpërdrejtë me ty, i kë bërë diçka. Ne për ta ishim njerëz që nuk na njihnin, nuk na kishin parë kurrë. Ata lëshuan një dhunë të verbër, e cila më shoqëroi gjatë gjithë kohës aty”- tha për Zërin e Amerikës Gjergj Hani, ish i burgosur politik.

Vuajtjet dhe përndjekjet do të shoqëronin gjithë jetën edhe Lavdie Nelën nga qyteti i Kukësit, bashkëshortja e poetit dhe mësuesit Havzi Nela, i cili dënua me varje në litar në gusht të vitit 1988, pas 20 vitesh burg, për tentativë arratisje dhe agjitacion e propagandë. Ajo kujton fillimin e vuajtjeve të mëdha për të dhe Havziun në vitin 1967. 33-vjeçari Havzi Nela ishte kundërshtar i hapur i sistemit komunist.

“Në një mbledhje e kritikuan rëndë. Pse nxitoni për të bërë kolektivizimin ju thoshte komunistëve. Ai nuk pranoi të prishte kisha e xhamia. Kur i kanë vënë kazmën në Topojan xhamisë edhe nxënësit kanë qarë bashkë me të. Nuk ka pranu me e prish. Aty filloi përndjekja jonë e madhe nga sigurimi i shtetit”- shprehet për Zërin e Amerikës Lavdie Nela, ish e dënuar politike.

Sot, pas më shumë se 50 vitesh, Lavdie Nela ruan në kujtesën e saj një moment tejet të vështirë, kur po arratisej me bashkëshortin Havzi Nela, përmes zonës në kufi me Ish-Jugosllavinë, në pranverë të vitit 1967.

“U nisëm, ishte një rrugë të gjatë. Bora duke u shkrirë. Ishte prill, muaji më i bukur. Kur arritëm tek piramida 18 ktheva kokën nga vendlindja ime Shishtaveci. Kisha 3 muaj pa shkuar tek nëna ime, nga frika se ndiqnin Havziun. Nuk e shpjegoj dot dhimbjen që kam ndjerë. Thashë lamtumirë nënë e dashur dhe ti baba, nuk do të më shihni më. Pashë dritën e ndezur në kuzhinë dhe ktheva kokën u largova”- vijon mes lotësh ish e dënuar politike.

Tentativa e Havzi dhe Lavdie Nelës për t’u arratisur dështoi. Ata u dorëzuan nga autoritetet jugosllave tek ato shqiptare, dhe u dënuan përkatësisht me 15 dhe 10 vjet heqje lirie. Ata do të përshkonin një rrugë të gjatë plot vuajte nëpër burgje dhe internime. Havziu ridënohet gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e Spaçit, ndërsa Lavdia pas dy vitesh lirohet dhe internohet në Kalimash të Kukësit, ku punoi në minierën e kromit. Pas lirimit në vitin 1988, Havzi Nela tenton sërish të arratiset dhe pasi kapet nga rojet kufitare, dënohet me varje në litar. Lavdia ruan me fanatizëm letërkëmbimet me të nga burgu, dhe disa dorëshkrime me poezi. Duket se jeta e saj ka ndalur aty.

Vitet ’90 pas rënies së komunizmit, ishin plot shpresë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Por mjaft prej atyre që i mbijetuan vuajtjeve në burgje, dhe kampe internimi, sot pas më shumë se 30 vitesh kanë këtë qasje, për atë që prisnin me ardhjen e demokracisë, dhe atë që ndodhi.

“Ishte e pakuptueshme për mua, se si shumë komunistë, u ngrysën komunistë dhe u gdhinë demokratë. Në raport më atë që prisnim, nuk jemi askund”- thotë Gjergj Hani, ish i dënuar politik.

“Njerëzit mund ta ndryshojnë emrin brenda 24 orëve por shpirti i tyre nuk ndryshon. Ne jemi të lirë sot që flasim, ashtu si na mbushet mendja neve, por tjetër gjë s’kemi fituar.”- Klara Merlika, ish e përndjekur politike.

Studiues, përfaqësues të institucioneve për krimet e komunizmit, dhe të shoqatave të të dënuarve dhe përndjekurve politikë, kanë ngritur në vijimësi shqetësimin se e shkuara ende nuk zbardhur, dhe se përgjegjësit e krimeve të komunizmit nuk janë dënuar.

“Ai përqendrim që ka qenë sidomos në 10-15 vitet para pas rënies së komunizmit, vetëm tek kompensimi material, për mendimin tim nuk ishte i duhuri. Në mënyrë paralele duhej të ishte punuar dhe me politikat sistematike të ndëshkimit të atyre që ishin persekutorë të të përndjekurve politikë. Duke mos ndëshkuar krimet e së shkuarës ne instaluam kulturën e pandëshkueshmërisë, e cila vijon të jetë dhe sot e kësaj dite aktuale”- u shpreh për Zërin e Amerikës Jonila Godole, zv. Kryetare e bordit të Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.

Në Shqipëri edhe 30 vite pas rënies së diktaturës ende nuk ka një muze të posaçëm për diktaturën, përgjegjës për krimet e komunizmit, dhe një memorial qendror kombëtar në nder të viktimave. Shqipëria është i vetmi vend në bllokun ish-komunist të lindjes, ku është bërë shumë pak për ballafaqimin me të kaluarën dhe pasojat e saj. Studiues dhe analistë thonë se përpjekjet e autoriteteve zyrtare përmes politikave simbolike nuk mjaftojnë për zbardhjen e së shkuarës komuniste 45 vjeçare, dhe vendosjen e drejtësisë për mijëra viktima të pafajshme të atij regjimi.

The post Shqipëri, krimet e diktaturës përmes dëshmive të të mbijetuarve appeared first on Observatori i Kujtesës.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://www.observatorikujteses.al/shqiperi-krimet-e-diktatures-permes-deshmive-te-te-mbijetuarve/