“Shoku Ali, nuk e mori dhuratën në formë simbolike, por në shuma monetare që arrijnë në…”/ Relacioni sekret nga Stambolli për Komitetin Qendror të PPSh-së, tetor ‘76

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me siglën “Sekret” të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1976, ku ndodhet një dosje me korrespodencë të gjatë (me letra, relacione, raporte, udhëzime, informacione, etj.), ndërmjet Ministrisë së Punëve të jashtme në Tiranë, përfaqësive tona diplomatike të akredituara në vende të ndryshme të botës dhe Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë, pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me problematikën e punëve në ato ambasada. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një raport-informacion, që përket datës 3.10.1976, i përpiluar nga Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Stamboll, Rakip Hoxha dhe sekretari i organizatës së partisë së asaj përfaqësie diplomatike, Hidajet Xhanaj, dërguar Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “figurën morale” të diplomatit të asaj konsullate, Ali Ymeri, i cili përveç të tjerave, kishte pranuar ryshfete në të holla, nga homologët e tij diplomatë të huaj, të akredituar në kryeqytetin turk. Në atë dokument, ndërmjet të tjerash thuhet: “Duke diskutuar nën frymën e letrës së mësipërme, si në organizatë ashtu edhe në kolektiv, doli se shoku Ali Ymeri, kur u transferua në atdhe, nuk ka vepruar drejt me dhuratën simbolike, të dhënë nga trupi konsullor këtu, siç veprohet në mënyrë standarde, me të gjithë diplomatët e huaj. Ai, nuk e mori në formë dhurate simbolike, ashtu siç ishte tradita por, i mori në shuma monetare të cilat, arrinin deri në 3.500 lira turke.

Dokumenti sekret i përpiluar nga Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Stamboll, Rakip Hoxha dhe sekretari i organizatës së partisë së asaj përfaqësie diplomatike, Hidajet Xhanaj, dërguar Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “figurën morale” të diplomatit Ali Ymeri

Organizata bazë e Partisë                                                            Sekret

 Konsullata e Përgjithshme                                                 Ekzemplar Nr. 1 

 Stamboll

 Nr. 3 

 3.10.1976

                    KOMITETIT QENDROR TË PARTISË SË PUNËS SË SHQIPËRISË

                                         (Drejtorisë së Jashtme)

Bashkëngjitur po ju dërgojmë informacionin mbi punimin e letrës të dërguar nga ana juaj në Korrik, mbi “Disa ofiqe e ndikime të huaja që vihen re tek disa komunistë e punonjës jashtë shtetit”. Datë 28.10.1976 faqja 2.

Sekretari i Organizatës Bazë

                            (Idajet Xhanaj)

Stamboll më 28.10.1976

I N F O R M A C I O N

Punuam në organizatën bazë si dhe në kolektiv, letrën “Mbi disa shfaqje e ndikime të huaja që vihen re tek disa komunistë e punonjës jashtë shtetit”. Punimit të kësaj letre, i kushtuam rëndësi të madhe.

Kështu, përveç leximit individual që u bë nga ana e çdo komunisti, diskutimit në mbledhjen e organizatës bazë, informimit e diskutimit në kolektiv, ajo u zbërthye e u punua në dy mbledhje të kolektivit nga shokët Ulvi Lulo dhe Rakip Hoxha.

Nga analiza dhe diskutimet e bëra, doli se gjendja në radhët e organizatës dhe kolektivit tonë në përgjithësi, është e mirë dhe si rrjedhim nuk kemi probleme shqetësuese. Megjithatë, duke i parë çështjet me syrin që ngrihen në letrën e mësipërme edhe neve, na del detyrë që të punojmë më mirë se ç’kemi punuar deri tani.

Duke ditur se burimi i të gjithë të metave dhe të këqijave, qëndron në mos ngritjen e vazhdueshme ideopolitike, në radhë të parë u ndalëm e nxorëm detyra për të bërë një punë më të dendur politike, në mënyrë që materialet e Partisë e të shokut Enver, t’i kuptojmë, t’i përvetësojmë, e t’i vejmë më mirë në jetë.

Forcimin e punës politike, ta lidhim më shumë me problemet që preokupojnë kolektivin tonë, me kushtet tona konkrete këtu, duke aplikuar forma e metoda pune që na japin rezultat.

Gjithashtu u ndalëm gjerësisht dhe përsa i përket kuptimit të drejtë të çështjes së demokracisë dhe disiplinës. Edhe në radhët e kolektivit tonë, kush më shumë e kush më pak, ka pasur dhe ka të meta në këtë drejtim.

Duke pasur kujdes në zbatimin e të gjitha materialeve të Partisë, zotohemi se do të përvetësojmë në mënyrë shembullore edhe rregulloren e përfaqësisë.

Përsa i përket çështjes së mbarëvajtjes dhe unitetit në radhët e kolektivit tonë, nuk ka ndonjë gjë shqetësuese.

Por duke vepruar sipas porosive të Partisë, do të veprojmë në kohë për të mos lejuar asnjë rast sado të vogël që të cënojë unitetin tonë.

Edhe me vigjilencën na del punë që të merremi më shumë me të. Në këtë drejtim, megjithëse nuk vihen re të meta që dëmtojnë punën, aty këtu vihen re gabime ndaj të cilave duhet të tregojmë më shumë kujdes.

Çështjen e vigjilencës do të bëjmë përpjekje që ta zbatojmë, jo vetëm në aspektin personal, por në një kuptim shumë më të gjerë.

Vëmendje kryesore do t’i kushtojmë punës kryerjes së detyrave që na janë ngarkuar, si dhe kujdesin për figurën morale.

Duke diskutuar nën frymën e letrës së mësipërme si në organizatë ashtu edhe në kolektiv, doli se shoku Ali Ymeri, kur u transferua në atdhe, nuk ka vepruar drejt me dhuratën simbolike të dhënë nga trupi konsullor këtu, siç veprohet në mënyrë standarde, me të gjithë diplomatët e huaj.

Ai, nuk e mori në formë dhurate simbolike, ashtu siç ishte tradita por, i mori në shuma monetare të cilat, arrinin deri në 3.500 lira turke. Po kështu, ka pasur raste që dhe shoku Ali, nuk i është përmbajtur udhëzimit për pranimin e dhuratave, por ka pranuar të tilla, siç ishte në rastin e largimit të tij.

Si Sekretari i Organizatës ashtu edhe shokët e tjerë, e kanë kritikuar për këto gabime por ai, nuk ua ka vënë veshin. Me këtë rast mendojmë se pranimi i dhuratës nga titullari (me rastin e transferimit të tij), të shikohet dhe nga Ministria, nëse është apo jo në vend.

Ne mendojmë se ajo, nuk duhet të merret pasi paratë, me rastin e largimit të titullarëve të përfaqësive të huaja, jepen nga arka e përfaqësisë dhe jo personale.

Duke u nisur nga kjo gjë, ne mendojmë, se dhe paratë nuk duhet të merren nga titullari por, të hyjnë në arkën e përfaqësisë.

Në frymën e letrës së mësipërme, çështjet do ti kemi gjithmonë në qendër të vëmendjes, me qëllim që dhe kolektivi ynë këtu të ketë sa më tepër rezultate në të gjitha drejtimet.

Do të bëjmë përpjekje që të mobilizohemi për të punuar si revolucionarë, si dhe të mbajmë të pastër figurën morale për ta përfaqësuar denjësisht vendin tonë. Memorie.al

                                                                                                      Konsulli i Përgjithshëm

                                                                                                                 (Rakip Hoxha)

 Sekretari i Organizatës Bazë

      (Idajet Xhanaj)

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/shoku-ali-nuk-e-mori-dhuraten-ne-forme-simbolike-por-ne-shuma-monetare-qe-arrijne-ne-relacioni-sekret-per-komitetin-qendror-te-ppsh-se-tetor-76/