“Sa mbusha 16 vjeç më internuan në Savër të Lushnjes dhe më futën në një barangë që kishte vetëm burra beqarë, ishte e tmerrshme…”/ Dëshmia rrëqethëse e vajzës që takoi të atin, pas 47 vitesh…!

-Dëshmia e rrallë e Valbona Çoku Mirakaj, e bija e Mentor Çokut, ish-Kryetar i Bashkësisë Islame të Europës Perëndimore, i cili në shkurtin e vitit 1992, priti për darkë në Trieste, tre liderët e rinj të Shqipërisë postkomuniste: Fatos Nano, Aleksandër Meksi dhe Sali Berisha-

Memorie.al / Vetëm 16 vjeç, Valbona Çoku Mirakaj e mban mend mirë makinën që erdhi ta merrte me vete. Oficerët e Sigurimit të Shtetit ishin duke ndjekur fëmijën e kundërshtarit të tyre politik, Mentor Çoku, në mënyrë që ta internonin në kampin e Lushnjes, për mosbindjen e të atit. Regjimi e kishte ndarë Valbonën nga mamaja dhe babai i saj që në një moshë shumë të re. Kështu që, ajo u dërgua në një kazermë ku dërgoheshin burrat pa familje. Edhe ushtarët e kampit ndjenë keqardhje ndaj një vajze kaq të vetmuar, kështu që Valbona u lejua t’i bashkohej një familjeje tjetër që jetonte në kamp. Ajo punonte me orë të gjata në fusha, dhe mban mend që nuk kishte mbajtur në dorë as edhe një çadër, përpara se do ti duhej të mbante vegla të rënda pune. Kaq i gjatë ishte qëndrimi i saj në këtë kamp, saqë aty njohu dhe takoi burrin e saj, me të cilin sollën në jetë 3 fëmijë (prapë gjatë qëndrimit në kamp), ndërkohë që jetonte me frikën se edhe fëmijët e saj do të kishin të njëjtin fat si ajo. Babai i Valbonës, Mentor Çoku, ishte një personalitet dhe aktivist i diasporës antikomuniste shqiptare, (ashtu si babai dhe xhaxhai i tij Pal Bibë Mirakaj dhe Kolë Bibë Mirakaj) dhe regjimi komunist i Shqipërisë së Enver Hoxhës, kishte vënë një shpërblim për vrasjen e tij.

Në nëntorin e 1944-ës Mentori u arratis nga Shqipëria për në Itali, kur Valbona ishte akoma një bebe e sapolindur. Në të njëjtën kohë, mamaja e saj u sëmur shumë dhe u largua nga vendi në kërkim të një trajtimi mjekësor të specializuar në Korfuz të Greqisë, duke lënë kështu pas Valbonën, me mamanë dhe vëllain e saj.

Më pas, nëna e Valbonës, u hidhërua tej mase kur kuptoi që nuk mund të kthehej më, pasi gjatë qëndrimit të saj në Korfuz, kufijtë e Shqipërisë u mbyllën dhe nuk do të hapeshin më për 47 vitet e ardhshme. Kjo çoi në ndarjen e familjes, dhe Valbona nuk do e takonte më kurrë mamanë e saj.

Valbona u ribashkua me babain e saj, mbas 30 vitesh por ishte tepër vonë për nënën e saj – një grua e cila e mbushur me dhimbjen e ndarjes.

Tashmë, e martuar dhe me fëmijë, Valbona shprehet se është e rëndësishmes që të flitet për padrejtësitë që ju bënë gjeneratës së saj, edhe në qoftë se njerëzit janë të shokuar nga mizoria e këtyre akteve…!

Lidhur me këtë, Valbona tregon:

“Kur bëra 16 vjeç, sapo kisha mbaruar vitin e tretë të shkollës së mesme dhe një ditë, më thanë që do internohesha në Lushnje. Mendoja se më ngatërronin me dikë tjetër, megjithëse e dija mirë historinë e prindërve të mi; por mendoja që ata do ishin duke ndjekur njerëz më të rëndësishem dhe jo një fëmije. Më dërguan në një kamp në një fshat të Lushnjes. Kishte disa fshatra në Lushnje, ishin më shumë si sektorë fermash dhe jo fshatra, të cilat ishin shndërruar në kampe internimi. Mua më dërguan në një vend që kishte qenë dhe babai im dhe më futën në një kazermë ku dërgoheshin burrat beqarë pa familje. Ishte e tmerrshme. Isha komplet vetëm. Ta quash kazermë është ti besh qejfin. Ishte si një magazinë e madhe me beqarë. Familjet ishin në kazerma të tjera, isha shumë e turpshme por kur e pashë veten në atë vend u tmerrova.

Kaq e frikësuar isha sa ju afrova një oficeri dhe e pyeta në qoftë se mund t’i bashkohesha një familjeje. Çuditërisht, atij i erdhi keq për mua. Nuk kishte parë ndonjëherë një rast të tillë, që të internohej një vajzë e vetme. Zakonisht kishte nëna me fëmijët e tyre, sepse baballarët dërgoheshin në burg, por një vajzë të internohej vetëm? Asnjëherë. Kështu që më tha që mund t’i bashkohesha një familjeje vetëm në qoftë se do të më pranonin.

Pyeta një nënë disi të vjetër e cila kishte 3 vajza të rritura, nëse mund të rrija me to. Ajo tha po dhe ndau krevatin e saj me mua.

Dy kazerma kishin 20 familje. Mund ta dëgjoje personin tjetër duke marrë frymë nga ana tjetër e murit. Dita fillonte me apel.

Rreshtoheshim të gjithë. Më pas, shkonim nëpër fusha. Një ditë do korrje grurë. Një ditë do gërmoje ndonjë kanal. Ndonjë ditë do punoje tokën. Ndonjë ditë do korrje misër. Kështu, punë ferme kryesisht. Veglat e punës ishin shumë të rënda pune. I tërhiqja me vete. Vitin e parë, shkoja në shkollë, sepse më duhej të përfundoja maturën. Më lejuan të shkoja në Lushnje. I vetmi kusht ishte që të kthehesha në darkë. Punonim rregullisht çdo ditë. Punë shumë e vështirë.

Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë horrorin e vërtetë të atyre kushteve. Ne u martuam në kamp (me burrin Sokolin) dhe fëmijët tanë, që të tre, u lindën aty në kamp. Jeta u bë akoma më e vështirë, sepse na duhej të rrisnim fëmijë në ato kushte. Ndërkohë që fëmijët rriteshin, të pushtonte një mërzi e madhe përbrenda, sepse mendoje që dhe ata do të kishin të njëjtin fat si ty. Në vitin 1990, doli një ligj që të gjithë Shqiptarët duhet të pajiseshin me pasaportë, sepse pasaportat nuk ekzistonin atehere. Kështu që shkuam te Zyra e Punëve të Brendshme dhe polici aty më tha që nuk mund të merrja pasaportë. Në gazetë, shkruhej që personat me çështje penale dhe ata në moshën e ushtrisë, nuk mund të pajiseshin me pasaporta. I thashë policit se unë nuk isha as në ushtri dhe as nuk kisha kryer ndonjë krim.

Babai im, Mentor Çoku, jetonte në Romë dhe ai ishte Presidenti i Bashkimit Islamik të Evropës Perëndimore, kështu që kishte një farë pozite shoqërore. Polici me pyeti se përse nuk mund të bënte gjë babai im për ne, megjithëse ishte person kaq i rëndësishëm. Për ta thënë më saktë, ai tha që: “Si nuk lëviz as një gur të vogël për ju”?! Kështu që u largova që andej dhe thashë me vete që nuk do mund ta takoja dhe u ktheva në shtëpi duke qarë. Në atë kohë, policët filluan të merrnin para. Sokoli pagoi 600 dollarë për pasaportat tona; timen dhe të tim biri. Ishte viti 1991. Babai im ishte në Romë, presidenti i Unionit Islamik. I lashë vajzat e mia me burrin dhe mora djalin me vete.

Shumë njerëz më pyesin se si ishte takimi me babain tim mbas 47 vitet. Edhe mbas 47 viteve, e njoha fytyrën e babait tim, e cila ishte si një dritë për mua. Ishte e vetmja gjë që shihja midis turmës së njerëzve. U futëm në shtëpi. Ai ndenji jashtë, dhe më la të futesha vetëm. Kishte vënë një foto të mamasë time përballe hyrjes së shtëpisë dhe një buqete me lule me një shkrim që thoshte: “Mirëserdhe në shtëpi, moj zonja e shtëpisë”.

Mamaja ime vdiq në 1988-ën dhe unë se pashë dot më kurrë. Ajo vdiq e depresionuar me një fëmijë të vetëm, të cilin nuk mund ta takonte dhe aq më keq që ishte në një kamp internimi. Ajo fajësonte veten për këtë gjë. Takimi im me babanë ishte një gjë e jashtëzakonshme, madje e paimagjinueshme, pasi përveç të tjerash unë nëpërmjet tij, arrita të takoj në njëfarë mënyre, edhe nënën time. Ka qenë një histori e veçante, një histori e trishtueshme.

Kur jetonim në kampin e internimit, unë kisha një foto të nënës dhe babait që e mbaja me vete gjithë kohës. Mendoja: ‘Mjerë ju, si jetoni pa mua’. Nuk e shikoja situatën e mjerueshme në të cilën gjendesha vetë. Sidomos mbasi linda fëmijët…!

Sot kam dy fëmijë në Itali; vajza më e vogël dhe djali. Më qan zemra çdo herë që ikin nga këtu, kështu që përpiqem dhe imagjinoj se si kanë jetuar prindërit e mi pa më parë asnjëherë.

Brezi i sotëm, pra ata që nuk kanë arritur ta jetojnë atë regjim dhe peripecitë e shumta, që kemi hequr në një kalvar të pafundmë vuajtjesh e mjerimi, janë të shokuar nga gjërat që kanë ndodhur atehere. Madje, as nuk i besojnë që janë të vërteta kur i dëgjojnë këto.

Këto që po shkruani në këtë intervistë që po bëjmë bashkë, duhen dhe kanë shumë vlerë, pasi njerëzit duhet të mësojnë efektin e vërtete të komunizmit në vendin tonë. Të rinjtë e sotëm siç u’a thashë, nuk e kuptojnë dot, nuk e perceptojnë dot faktin se si mund të burgosesh për vite të tëra, thjesht sepse po dëgjoje një këngë të ndaluar, apo një libër të ndaluar. Duhet thënë e vërteta ashtu siç ka ndodhur. Këto gjera duhet të studiohen nëpër shkolla, sepse këto i dinë vetëm njerëzit e moshës tonë dhe përfundojmë duke folur vetëm me njerëz të cilët i kanë kaluar edhe vetë këto gjëra të cilët e dinë se çfarë ka ndodhur.

Bisedat dhe dëshmitë tona duhen dëgjuar nga të rinjtë të cilët nuk i kanë përjetuar këto gjëra. Të gjitha këto gjëra, i duken si fantazi rinisë së sotme. Por ky është një realitet që duhet shkruar”, shprehet në përfundim të bisedës së saj Valbona Çoku Mirakaj, është 78 vjeç. Ajo ka lindur në 19 tetor 1944 në Tiranë ku dhe jeton së bashku me bashkëshortin e saj, Sokolin.

Kjo ishte një histori e shkurtër e Valbona Çoku Mirakaj, e bija e Mentor Çokut, i cili përveç veprimtarisë së tij antikomuniste dhe fetare si kreu i Bashkësisë Islame të Europës Perëndimore, është i vetmi person që bëri bashkë tre nga krerët kryesorë të politikës të Shqipërisë postkomuniste, pasi në shkurtin e vitit 1992, kishte për drekë Fatos Nanon, Aleksandër Meksin dhe Sali Berishën. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/sa-mbusha-16-vjec-me-internuan-ne-saver-te-lushnjes-dhe-me-futen-ne-nje-barange-qe-kishte-vetem-burra-beqare-ku-ishte-e-tmerrshme-deshmia-rreqethese-e-vajzes-qe-takoi-te-atin-p/