Nga Afrim Imaj | Panorama, 2–5–6–7–10 korrik 22
PJESA I
Në 8 korrik 1987, komiteti i Partisë së Tiranës informonte Komitetin Qendror të Partisë se të gjitha institucionet artistike të kryeqytetit kishin anuluar shfaqjet e paralajmëruara në shenjë solidariteti për vdekjen e parakohshme të dramaturgut të dënuar Kujtim Spahivogli. Në fakt, nuk kishte ndodhur kurrë më parë të mbyllte dyert Teatri Popullor, Estrada e Tiranës, Cirku Kombëtar dhe institucionet e tjera artistike pa shpalljen zyrtaren “Ditë zie”.
Rasti i Kujtim Spahivoglit kishte thyer kështu tabunë zyrtare, sikundër vetë ai kishte tejkaluar dikur barrierat e skematizmin në artin e dramës dhe jo vetëm, për të cilat ishte ndëshkuar. Në dokumentacionin e kohës ka mbetur e arkivuar letra me shqetësimin e partiakëve lokalë të Tiranës, ndërkohë që nuk ka gjurmë për mënyrën si ka reaguar udhëheqja e lartë që drejtohej nga Ramiz Alia për ngjarjen e pazakontë në përcjelljen e dramaturgut të njohur.
Sidoqoftë, ajo sjellje atipike për kohën përveç tronditjes së aparaçikëve, ishte një gjest solidar i jashtëzakonshëm i artistëve dhe popullit të kryeqytetit që e kishte përjetuar me dhimbje jo vetëm ikjen në amshim të Kujtim Spahivoglit, por tërë kalvarin e vuajtjeve të tij, si i përjashtuar dhunshëm nga vëmendja publike dhe i degdisur punëtor llaçi.
Liceisti i parë, studenti i shkëlqyer i Institutit të Arteve në Moskë
Kujtim Spahivogli njihet ndryshe si liceisti i parë, nxënësi që është ulur i pari në bankat e Liceut Artistik “Jordan Misja” në vitin 1946. Djali i një familje të njohur për kontribute të spikatura në lëvizjen antifashiste nacionalçlirimtare, sa mori vesh çeljen e shkollës së parë artistike në Tiranë, ndërpreu studimet që kishte nisur në teknikumin e mesëm dhe u paraqit menjëherë në shkollën e re, hapur rishtas pas luftës.
I dashuruar me artin që fëmijë dhe i përkushtuar fort pas programit mësimor, Spahivogli është regjistruar sakaq liceisti i parë i “Jordan Misjas” i diplomuar “Shkëlqyeshëm”. Në breza të tërë liceistësh, pas kaq vitesh që atëherë, pakkush e di që liceisti i parë me vlerësimin shkëlqyeshëm ka qenë Kujtim Spahivogli.
Me të njëjtin vlerësim do diplomohej ai në Institutin e Lartë të Arteve në ish-Bashkimin Sovjetik. “Shqiptari brilant që meriton respekt e nderim për rezultate të shkëlqyera në Institutin e Arteve”, shkroi ato ditë gazeta më e madhe për kulturën në Moskë.
I rikthyer në Tiranë në fundin e viteve ‘50, plot ëndrra e energji, për të ringritur teatrin dhe dramën shqiptare, i diplomuari i korifenjve të artistëve të kohës, do shkruante një tjetër histori që vinte fill pas vlerësimeve shkëlqyeshëm në Liceun e Tiranës dhe akademinë e Moskës, po këtë herë me një trajektore jo të qëndrueshme, me ulje-ngritje të shumta, deri dramatike…
“Hamleti” shqiptar i viteve ‘60
“Kam kënduar gjithmonë, por në një rast i madhi Kujtim Spahivogli më kërkoi të bëja dhe aktoren. Çuditërisht, e bëra mirë”.
Gjigantja Vaçe Zela shprehej kështu para disa kohësh në një intervistë për gazetën “Panorama”, duke kujtuar bashkëpunimin e parë me profesorin e teatrit. Në fakt, pakkush e di që në dramën “Një shok i klasës sonë”, shfaqur në fillimin e viteve ‘60 ka aktruar edhe princesha e këngës shqiptare.
“Nuk mundem, i thashë Kujtimit kur më ofroi rolin e dramës, unë di vetëm të këndoj”, kujton Vaçe Zela.
“Ngaqë këndon mrekullisht, mund të aktrosh bukur”, ma ktheu ai i bindur. Se aktrimi në vetvete është një këngë e veçantë, që buron nga shpirti, shtoi ai dhe direkt në skenë. Kjo ishte kredoja e Kujtim Spahivoglit. Kënga e shpirtit ishte vetë krijimtaria për të. Andaj edhe u shfaq rrufeshëm në ato vite të vështira.
Në pak kohë, në Teatrin Popullor vuri në skenë plot 25 pjesë, pa përmendur shfaqjet me studentët, realizuar në teatrin e Rinisë të krijuar nga ai. Më shumë se sasia, tërhiqte vëmendjen cilësia dhe risitë si në aktrim dhe në zgjidhjen regjisoriale.
Vetëm në vitet ‘60-‘70, mjeshtri Spahivogli vuri në skenë 20 shfaqje, në pjesën më të madhe të të cilave aktronte dhe vetë. Shkurt, në një kohë të shkurtër ai bëri emër si rrallëkush në fushën e artistit në atë kohë dhe i dha një shtysë të fuqishme dramaturgjisë shqiptare. E nisur me rolin e Xherxhinskit tek “Orët e Kremlinit”, për të vijuar me personazhet e tjerë te drama “Majlinda”, “Në anën tjetër”, “Dragoi i Dragobisë”, karriera artistike e Spahivoglit do të njihte vetëm kreshendo për të kulmuar te “Hamleti”.
Shfaqja e “Hamletit” ishte një shpërthim i vërtetë, që la gjurmë te gjithkush, por që u veçua sidomos nga komuniteti i artistëve si një vepër madhështore. Pikërisht për këtë, Kujtim Spahivogli është kujtuar prej tyre si Hamleti shqiptar i viteve ‘60. Gjetje e risi të tjera do përthyheshin në krijimtarinë e tij, fill pas suksesit të Hamletit. Tashmë regjisor në Teatrin Popullor dhe pedagog në Institutin e Arteve, por gjithnjë prodhues e novator.
Me vlerësimet më të mira janë pritur nga artdashësit dramat e realizuara në këtë periudhë si “I Çuditshmi”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Në tufan”, “Banja”, “Shtëpia në bulevard”, “Drita”, “Karnavalet e Korçës”, “Qielli i kuq” etj.
Kthesa e errët, drama e trishtë e dramaturgut të shquar
Furtuna e nisur menjëherë pas Festivalit të 11- të të Këngës në RTSH dhe e kulmuar me plenumin e katërt të KQ të Partisë në qershor të vitit 1973, do të sillte kthesën e errët e të papritur në jetën e profesorit të dramaturgjisë.
Një ditë krejt pa kujtuar një tabor kalemxhinjsh e aparaçikësh duke kaluar në filtër gjithë krijimtarinë e Kujtim Spahivoglit, do ta kryqëzonin për modernizëm dhe shfaqje liberale. Akoma më të rëndë do ta bënte situatën e tij, fakti që kishte vënë në skenë një nga dramat e Fadil Paçramit, pas dënimit të tij. Goditja fillimisht do të vinte me pushkatimin politik. E para ishte organizata bazë e Partisë e Institutit, që do të vendoste për ta kaluar nga anëtar në kandidat partie. Pastaj menjëherë komiteti i partisë i rajonit numër 2 do të vendoste unanimisht për ta përjashtuar nga partia e për ta larguar nga Tirana.
Që këtej artisti i madh u gjend në kantierin e ndërtimit në Mbrostar të Fierit, ku shkëmbeu profesionin e dramaturgut me atë të hekurkthyesit. Disa vite aty për t’u rikthyer në Tiranë, po pa të drejtën e ushtrimit të profesionit në fillimin e viteve ’80.
Nexhmije Hoxha: Kush e solli Spahivoglin në Tiranë
I shfaqur në Tiranë pas përfundimit të “riedukimit në gjirin e klasës punëtore” në fillimin e viteve ‘80, dramaturgu i shquar Kujtim Spahivogli tërhiqte vëmendjen me praninë e tij mbrëmjeve në bulevardin e Tiranës për dashamirësit e artit dhe jo vetëm.
I harruar për pesë vjet kantiereve të ndërtimit në periferi të qytetit të Fierit, besonte se më në fund kishte ardhur momenti i shumëpritur të rikthehej pranë strehës së tij të dashur, por edhe në skenën e munguar aq gjatë. Mirëpo Tirana e atyre ditëve përjetonte një dramë shumë më të rëndë nga ajo që kishte kaluar dramaturgu i internuar.
Vetëvrasja e Kryeministrit historik në kushte të dyshimta dhe stuhia që kishte shpërthyer pas kësaj me të famshmen “Tablonë sinoptike të veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut”, e artikuluar fuqishëm nga Enver Hoxhës, jo vetëm e shtynte në kohë rehabilitimin e Spahivoglit, por shfaqja e tij e shkujdesur mbrëmjeve në bulevardin e kryeqytetit ngjallte dyshime te autoritetet e Partisë.
Ishte koha kur kërkoheshin dhe në “vrimë të miut” bashkëpunëtorët e Kryeministrit tradhtar. Pjesën më të madhe të tyre, siç flitej atëherë, e kishte zbuluar Fiqrete Shehu, bashkëshortja e Kryeministrit të vetëvrarë, tashmë e prangosur në hetuesi. Të tjerët i shtoheshin dita-ditës grupit të tyre, falë “vigjilencës” të besnikëve të Partisë dhe aparatçikëve syzgjuar.
Në grackën e këtyre të fundit, kishte rënë më në fund pa e ditur dramaturgu i dënuar i rikthyer rishtas, të cilin më shumë se xhirot mbrëmjeve në bulevard, e bënte kontingjent të dyshuar shoqëria me Mihallaq e Edi Luarasin, të porsaardhur dhe ata në Tiranë pas dënimit të gjatë për veprimtari armiqësore.
Ndryshe nga herët e tjera që denoncime të tilla i bënte armata e sigurimit të shtetit, këtë radhë sinjalin e parë e transmetoi grupi i bashkëpunëtorëve të afërt të Nexhmije Hoxhës, asokohe drejtoreshë e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste. Shtatë ndër ta: Harrilla, Raqi, Shyqyriu, Nexhmedini, Bajrami, Abdyli dhe Vasillaqi, të shtatë zyrtarë të rëndësishëm në Istitut, i kanë shkruar shefes së tyre një letër konfidenciale, ku e vënë në dijeni se Kujtim Spahivogli me disa artistë të tjerë, në mbarim të dënimit për krime politike, shfaqen në bulevardin e Tiranës në pritje për të rifilluar punë.
Sakaq, aparaçikët e KQ e çojnë më tej qasjen e tyre, duke tërhequr vëmendjen e Nexhmije Hoxhës për shtimin e vigjilencës për një kryeqytet të pastër nga këta elementë armiq. Nuk dihet si e ka pritur këtë të dhënë kjo e fundit, por në fund të letrës ka shënuar vetëm një fjali “Kush e solli Spahivoglin në Tiranë?”.
Letërshkruesit po aty shtojnë se ka dhe elementë të tjerë armiq që pasi kanë kryer dënimin po kthehen në Tiranë pa të keq, duke përmendur rastin e shoqëruesve të Mehmet Shehut dhe të dy drejtuesve të lartë të hetuesisë të dënuar, të cilët figurojnë me shtëpi në Tiranë. Po çfarë shkruajnë tjetër zyrtarët e KQ…
Letra
Shoqja Nexhmije,
Pasi dëgjuam fjalimin e shokut Enver për “Tablonë sinoptike të veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut”, për krimet e pohuara nga armikja e popullit Fiqret Shehu dhe gjithë gjarpërinjtë e tjerë të familjeve të tyre si dhe pas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për asgjësimin e bandës kriminale të dërguar nga jashtë, në disa shokë të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, Harrilla, Raqi, Shyqyriu, Nexhmedini, Bajrami, Abdyli dhe Vasillaqi, menduam t’u informojmë për disa çështje që bisedohen në popull:
-
- Pas kryerjes së dënimit, bile edhe para kohe, disa njerëz të dënuar nga Partia, kanë filluar të dalin prapë në bulevardin e Tiranës.
Konkretisht Kujtim Spahivogli, Mihallaq Luarasi, ish-kryeregjisor i televizionit, Lluk Kaçi, i dënuar për veprimtari armiqësore, Edi Luarasi dhe Mito Vako. Si këta edhe të tjerë, që pasi dalin nga burgu ose mbarojnë afatin e internimit për krime politike, rifillojnë punë në Tiranë. Mbase kjo çështje duhet parë nën dritën e porosive të Partisë për të rritur vigjilencën dhe për të mbajtur të pastër kryeqytetin nga këta elementë armiq.
Mundet që ky rregull është vendosur edhe nën ndikimin e synimeve që kanë pasur armiqtë. - Flitet që oficerët që kanë qenë pas armikut Mehmet Shehu, një pjesë e mirë vazhdojnë t’i mbajnë familjet në Tiranë, si ajo e Ali Çenos dhe ajo e Jonuzit që rri nga prindërit e gruas së tij. Vetë Aliu thonë se ka kaluar tani oficerë në Ministrinë e Mbrojtjes.
- Elham Gjika, ish-drejtor i hetuesisë i Ministrisë së Brendshme që është arrestuar, e ka gruan mësuese në shkollën tetëvjeçare “7 Marsi”.
Po kështu, Kristofor Mërtiro edhe ish-punonjës të tjerë të hetuesisë që janë arrestuar, familjet i kanë me punë dhe banim në qytetin e Tiranës. Ka ndodhur kjo në rastin e Kujtim Spahivoglit, të dënuar për veprime e qëndrime liberale pas Plenumit IV të KQ të Partisë, kur ai nuk ka as lejen e banimit në Tiranë, e hequr kjo menjëherë pas dëbimit me internim në Fier.
- Pas kryerjes së dënimit, bile edhe para kohe, disa njerëz të dënuar nga Partia, kanë filluar të dalin prapë në bulevardin e Tiranës.
PJESA II
Së pari, në takimin e sekretariatit të KQ në janar të vitit ‘73, pastaj në mbledhjen e aparatit të KQ në 15 mars të atij viti dhe së fundi në Plenumin IV, ku shefi i regjimit do ta njësonte me Fadil Paçramin, të shpallur tashmë element antiparti e armik i diktaturës së proletariatit. Pas kësaj goditjeje nga lart-poshtë do të niste sulmi tjetër i rrufeshëm, në celulën bazë të Partisë, siç praktikohej rëndom në raste të tilla.
Tashmë kjo e fundit e kishte lëndën e plotë dhe të qartë, nga çfarë ishte konsumuar në forumet e larta partiake. Mbetej vetëm një lloj solidarizimi klishe dhe votimi për t’i dhënë viktimës grushtin e fundit. Megjithatë, mbledhja e gushtit të vitit ’73, e organizatës së Partisë të Institutit të Arteve, ku Kujtimi militonte prej vitesh, guxoi disi dhe nuk shkoi te masa ekstreme, por e ndëshkoi me kalimin nga anëtar partie në kandidat, duke i lënë një mundësi “reflektimi”.
Po nuk mund ta vinte dorën në zemër Komiteti i Partisë i rajonit numër 2 që mbulonte institucionin. I mbledhur jo më larg se një ditë më vonë nga organizata bazë, ai operoi rrufeshëm: Kujtim Spahivogli përjashtohet nga partia dhe dërgohet për riedukim pranë klasës punëtore.
“Ky është pushkatim politik”, ka shqiptuar pas këtij vendimi i befasuar dramaturgu i shquar dhe aty për aty është përlotur në një dënesë torturuese. Në kujtimet e Razi Brahimit, sekretari i organizatës së Partisë që e ka shoqëruar sipas rregullit në këtë mbledhje, përveç revoltës së veçantë, janë pasqyruar dhe episode të tjera nga këto çaste të trishta.
Sidoqoftë, nga ky moment do fillonte tatëpjeta dramatike e Spahivoglit, që nuk do humbiste vetëm dokumentin e Partisë, por edhe profesionin, madje dhe qytetin e Tiranës. Gazeta “Panorama” publikon sot informacionin e mbledhjes së organizatës bazë të partisë së Institutit të Arteve dhe atë të Komitetit të Partisë të Rajonit Numër 2, që kanë pasur për rend dite dënimin e anëtarit të Partisë, Kujtim Spahivogli, për shfaqje liberale dhe ndikime moderniste borgjeze në krijimtari…
Dokumenti 1
Informacion i organizatës bazë të Partisë të Institutit të Arteve për dënimin e anëtarit të Partisë, Kujtim Spahivogli
Organizata e Partisë e Institutit të Lartë të Arteve, e mbledhur sot, më datën 20 gusht 1973, pasi mori në shqyrtim pikëpamjet dhe qëndrimet liberale të shokut Kujtim Spahivogli si pedagog e regjisor teatri, në prani të tij, vendosi kthimin e shokut Kujtim Spahivogli nga anëtar në kandidat partie për këto arsye:
- Anëtari i Partisë Kujtim Spahivogli, i datëlindjes 30 qershor 1932, me arsim të lartë me gjendje shoqërore nëpunës, gjatë kohës së qëndrimit në Institutin e Arteve si pedagog e shef katedre është kritikuar shpesh në organizatën bazë të Partisë për mendjemadhësi dhe etje për lavdi për shkelje të disiplinës shtetërore në punë dhe për mospërfillje të mendimit të shokëve e të organizatës bazë të Partisë. Megjithëse disa herë ka bërë autokritikë, ai i ka përsëritur këto të meta deri ditët e fundit.
I dënueshëm ka qenë qëndrimi i tij në një mbledhje të degës dramatike ku ai është përpjekur të ngrejë pedagogët e studentët kundër vendimit të organizatës së Partisë dhe konkluzioneve të ekipit të Komitetit Qendror për problemin e tij. - Ai ka pasur koncepte ideoartistike moderniste për teatrin që në shumë drejtime përputheshin me pikëpamjet e Fadil Paçramit, me të cilin ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë si regjisor i dramave të tij dhe e ka konsideruar si dramaturg të madh. Konceptet dhe qëndrimet e tij kanë dëmtuar teatrin dhe edukimin ideoartistik dhe etiko-moral të studentëve.
- Ai ka pasur koncepte të gabuara ideologjike lidhur me luftën e klasave dhe trajtimin e kontradiktave antagoniste e jo antagoniste, të cilat janë shprehur si në krijimtari e në diskutimet artistike edhe në qëndrimet e tij konkrete ndaj njerëzve me përbërje të keqe politike dhe me qëndrime të dobëta morale, si dhe në acarimin e marrëdhënieve me komunistët edhe shokët që e kritikonin.
- Autokritika e tij në mbledhjen e organizatës bazë të Partisë ishte e dobët me frymë të përgjithshme e deri në njëfarë mase me përpjekje për tu justifikuar, gjë që shpjegon që edhe pas kritikave që ka bërë shoku Enver Hoxha në Plenumin IV të KQ të Partisë ai nuk ka bërë as përpjekjen më të vogël për të reflektuar thellë për dobësitë e të metat e tij për pikëpamjet e qëndrimet shumë të gabuara që ka demonstruar.
- Orgnizata bazë e Partisë vendosi me shumicë votash 12 pro dhe 7 kundër (këto 7 vota ishin për përjashtim nga Partia) që Kujtim Spahivogli të kthehet në kandidat partie, duke menduar t’i japë dhe një herë dorën, për t’u korrigjuar, duke punuar për riedukimin në gjirin e klasës punëtore.
Sekretari i organizatës bazë të partisë, Xhemil Simixhiu Tiranë, më 20 gusht 1973
Dokumenti 2
Vendim i Komitetit të Partisë të rajonit numër 2 Tiranë për përjashtimin nga Partia të sh. Kujtim Rrapush Spahivogli
Komiteti i Partisë në mbledhjen e tij të datës 21.9.1973 mbasi shqyrtoi vendimin e organizatës së Partisë të Institutit të Lartë të Arteve mbi kthimin në kandidat për anëtar partie të Kujtim Spahivoglit.
VËREJTI
Kujtim Rrapush Spahivogli lindur në qytetin e Lushnjës më 1932, është me origjinë shoqërore nëpunës dhe me gjendje shoqërore nëpunës. Ka arsim të lartë. Është anëtarë partie që nga viti 1947. Që nga viti 1956 ka punuar si aktor teatri, regjisor, pedagog dhe shef katedre. I është dhënë titulli shkencor Docent. Më datën 29 maj vitit 1973, organizata bazë e Partisë i ka dhënë masë vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit dhe të kalojë dy vjet në një rreth tjetër për riedukim për pikëpamje e qëndrime të padrejta për luftën kundër konservatorizmit dhe liberalizmit, ka absolutizuar nga pozita jo partishmërie luftën kundër elementëve që ai i quante të paaftë dhe aktorëve të vjetër dhe është përpjekur për të sjellë në Institut pedagog me politikë e moral të keq, për moskryerje mirë të detyrës, për moskryerje të punës prodhuese dhe për futjen e frymës së liberalizmit te studentët. Organizata bazë në mbledhjen e saj të datës 24 gusht 1973 mori në analizë pikëpamjet dhe qëndrimet liberale e moderniste të Kujtimit. Në vendimin e saj organizata thekson se: Kujtimi është kritikuar shpesh herë në organizatën e Partisë për qëndrime anarkiste e pikëpamje liberale për mendjemadhësi dhe etje për lavdi personale, për shkelje të disiplinës shtetërore dhe për mospërfillje të mendimit të shokëve. Disa herë ka bërë autokritikë, por përsëri i ka përsëritur gabimet. I dëmshëm ka qenë sidomos qëndrimi i tij në një mbledhje të degës dramatike ku u përpoq të ngrejë pedagogë dhe studentë kundër vendimit të organizatës bazë dhe konkluzioneve të ekipit të Komitetit Qendror të Partisë për problemet e tij.
Ka pasur koncepte ideoartistike moderniste për teatrin, që në shumë drejtime pajtoheshin me pikëpamjet e Fadil Paçramit, me të cilin ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë si regjisor dhe e ka konsideruar si dramaturg të madh. Konceptet dhe qëndrimet e tij e kanë dëmtuar teatrin tonë dhe edukimin ideoartistik dhe etiko-moral të studentëve. Ai ka pasur koncepte të gabuara ideologjike për luftën e klasave dhe trajtimin të kontradiktave antagoniste dhe jo antagoniste, të cilat janë shprehur si në krijimtari edhe në diskutimet artistike dhe në qëndrimet e tij konkrete ndaj njerëzve me përbërje të keqe politike e me qëndrime të dobëta morale dhe në acarimin e marrëdhënieve me komunistët dhe shokët që e kritikonin.
Autokritika e tij në mbledhjen e organizatës bazë ishte e dobët me fraza të përgjithshme e deri në njëfarë mase me karakter justifikues, gjë që tregon që edhe pas kritikës së rreptë që iu bë nga shoku Enver në Plenumin IV të KQ ai nuk ka mundur të reflektojë thellë për dobësitë e të metat e tij dhe për pikëpamjet dhe qëndrimet e shumta të gabuara që ka pasur. Organizata bazë e partisë vendosi me shumicë votash 12 pro dhe 7 kundër, këta të shtatë ishin për përjashtimin nga Partia, që Kujtimi të kthehej në kandidat Partie, duke menduar që t’i jap dhe një herë dorën për t’u korrigjuar duke punuar për riedukim në gjirin e klasës punëtore. Kujtimi është kritikuar shpesh për pikëpamje borgjeze dhe mendjemadhësie.
Disa herë ka bërë autokritikë, po përsëri i ka përsëritur gabimet. Për pikëpamjet e tij moderniste dhe influencën te studentët, ai u shpreh se ‘mbaj përgjegjësi të rëndë dhe për anët negative që kanë marrë nga mua studentët që kam përgatitur’.
Gjithashtu, në Komitet doli që Kujtimi është i dhënë pas leximit të literaturës së huaj dhe shtypin tonë nuk e lexon. Ai nuk ishte i abonuar në gazetën “Zëri i Popullit”. Komiteti i Partisë konkludoi që fajet e shokut Kujtim janë shumë të rënda dhe në kundërshtim me vijën e Partisë, ai nuk ka reflektuar drejt në kritikat që i janë bërë vazhdimisht nga partia, vuan nga mendjemadhësia dhe i ka sjellë dëm edukimit të rinisë. Ai pikëpamjet moderniste i ka shfaqur me bindje të plotë dhe për këtë nuk bëri autokritikë të thellë, se organizata bazë në vendimin e saj është treguar e butë.
Mbi sa sipër, komiteti i Partisë vendosi:
Të mos pranojë vendimin e organizatës bazë në kthimin në kandidat për anëtar partie, por Kujtim Rrapush Spahivogli të përjashtohet nga Partia.
Sekretari i Komitetit të Partisë së Rajonit Nr. 2, Tomorr Shtuni
Skënder Spahivogli: “Tri përplasjet me Ramiz Alinë”
Skënder Spahivogli, vëllai i vetëm i Kujtimit, që ka ndërruar jetë para dy vitesh, ka qenë ushtarak dhe tërë karrierën e ka kaluar në Pashaliman, me detyrën kryeinxhinier i nëndetëseve. Mënyra si e ka përjetuar dramën e të vëllait, kolosit të dramaturgjisë shqiptare, ka qenë sa e veçantë, aq dhe tronditëse.
Kjo më së shumti për faktin se detyra specifike nuk i dha mundësinë t’i gjendej pranë në ato ditë të vështira jo vetëm atij, por edhe nënës që jetonte e vetme në Tiranë. Përveç sa ka hedhur në monografinë kushtuar të vëllait, botuar pak muaj para se të ndërronte jetë, në gjallje të tij, sa herë binte fjala për Kujtimin dhe dënimin e tij, Skënderi përmendte tri përplasjet me Ramiz Alinë. Përplasja e parë, kujtonte ai, ka qenë në vitin 1958 kur Kujtimi u kthye nga Moska i diplomuar dhe u paraqit te ministri i Arsimit, Ramiz Alia, për të filluar punë në Teatrin e Tiranës, por çuditërisht ky i fundit e adresoi në Korçë.
“Në Korçë nuk mundem,- iu përgjigj Kujtimi,- se kam nënën vetëm dhe të sëmurë”. “Në Korçë dhe pikë”, i kishte thënë Ramizi dhe i kishte treguar derën e zyrës. Përballja e dytë me Ramiz Alinë, tregonte i vëllai, ishte në verën e vitit ‘73 në një mbledhje në Teatrin Popullor. Ramiz Alia sa ishte futur në sallë, kërkoi të çohej në këmbë Kujtimi. “Pa na shpjego pak pse përgjëroheshe për dramat e Paçramit, ti regjisori i madh?”.
“Është e vërtetë që kam vënë në skenë dramat e tij,- ishte përgjigjur Kujtimi,- por kur kam pasur vërejtje, ia kam bërë”. “I ke bërë vërejtje në studio, po në Parti pse nuk i ke bëre vërejtje?”, i ishte hakërryer Ramizi dhe i kishte kërkuar që aty për aty t’i numëronte çfarë kishte për Paçramin. Tani nuk shkon, nuk është e moralshme pas shpine, kishte shtuar Kujtimi që e kishte ndezur dhe më keq revoltën e Ramizit.
Përballjen e tretë dhe të fundit Skënderi, i vëllai i Kujtimit, kujton atë në Lidhjen e Shkrimtarëve pas Plenumit IV. Dhe aty, sipas tij, ka rrjedhur i njëjti debat midis tyre. Ndodhte kjo, shprehej Skënderi, kur me Ramizin njiheshim familjarisht dhe kishim jetuar për shumë vjet në një rrugicë.
Mbledhja pas mesnate në Institut kur e përjashtuan nga Partia
Vllasova Musta, poetja dhe skenaristja e njohur, ka qenë bashkëshortja e Kujtimit. Ajo ishte ndër të parat që e kuptoi sulmin që nisi t’i bëhej fill pas goditjes së Fadil Paçramit. Pavarësisht se Kujtimi nuk më tregonte gjë, shprehet ajo në një rrëfim për “Panorama”, unë e kuptoja se diçka nuk shkonte.
E kuptoja në sjelljen dhe reagimin e tij, në humbjen e durimit dhe qetësisë që tregonte herë pas here. Hera e parë që më tha diçka, ose më saktë u detyrua të më rrëfehej, ishte dita kur e kryqëzuan në mbledhjen e organizatës bazë të Institutit.
Ato çaste i kam ngulitur thellë në kujtesë. Ishte një natë e nxehtë gushti. Kujtimi iku pasdite dhe më tha se do të shkonte në një mbledhje në Institut dhe do të kthehej shpejt. Kaluan disa orë dhe nuk po dukej.
Në ankth e sipër mora vajzën në karrocë (ajo atëherë ishte vetëm disamuajshe) dhe u nisa drejt e tek Instituti. Bënte një vapë e jashtëzakonshme, saqë dritaret e sallës ku bëhej mbledhja i kishin hapur plotësisht. Kjo bënte që gjithçka flitej brenda të dëgjohej jashtë.
Një moment kur në vesh me erdhi rebelimi i Kujtimit ndaj sulmit që i bëhej, shtanga në vend. Kishim pesë vjet të martuar dhe asnjëherë nuk e kisha parë në këtë gjendje. Kaluan orë të tëra me pyetje, përgjigje e debate të nxehta. Aty pas mesnate mbledhja u mbyll dhe ata filluan të dalin një nga një. Kujtimi u befasua kur më pa aty bashkë me vajzën e vogël në karrocë. “Po ti,” m’u drejtua qortueshëm, “ç’bën këtu?”
Nuk dija ç’t’i thosha, por aty për aty i fola me gjysmë zëri: “Një parandjenjë e keqe nuk më la të qetë dhe erdha deri këtu.” “Akoma ti me parandjenja,” më hodhi ai dorën mbi supe dhe ashtu në heshtje morëm rrugën për në shtëpi. “Për Paçramin të sulmonin?” e pyeta unë një çast teksa po ecnim në krah të njëri-tjetrit. “Më godisnin pse po heshtja për dramat e tij,” ma ktheu ai.
“Fadili tashmë është dënuar, ç’duhej tjetër prej teje,” i thashë unë. “Kjo, pra, ishte ajo që më revoltonte,” ndërhyri Kujtimi pa ma lënë ta mbaroja fjalën. “Se nuk është burrëri ta qëllosh tjetrin pas shpine, ca më tepër kur të tjerët e kanë gjymtuar krejt.” Si shqiptoi kaq, mori karrocën e gocës dhe më tha të nxitonim. Në shtëpi pastaj më foli më shumë për rrjedhën e ngjarjeve që kishin filluar pas Plenumit IV dhe fjalës së Enverit aty.
PJESA III
“Goditja dhe largimi i dhunshëm nga skena i Kujtim Spahivoglit, themeluesit të shkollës së dramaturgjisë shqiptare, krijoi një boshllëk të madh për teatrin tonë”.
Me këtë bindje të patjetërsueshme ka dëshirë ta nisë bisedën për mjeshtrin e madh të skenës, aktori i mirënjohur Vangjel Toçi, një nga studentët dhe miqtë e afërt të Kujtim Spahivoglit.
Madje, gjatë konsideratave për të, shkon më tej, duke vënë në dukje se po t’i kishte shpëtuar asaj kryqëzate vrastare, drama jonë, sidomos teatri, do ishte në standarde të krahasueshme me artin modern bashkëkohor.
Ish-studenti dhe miku i Spahivoglit, shprehet se ai ka qenë një artist shumëdimensional, regjisor, aktor, krijues, mjeshtër i fjalës artistike, poet etj.
Sakaq, sipas Toçit, Kujtimi hodhi themelet e shkollës së artistëve të dramës dhe ekranit, por asnjëherë nuk i ra gjoksit, duke mbetur modest e i thjeshtë deri në fund. Në rrëfimin për ditët kur u vendos në qendër të goditjeve pas Plenumit IV të KQ, ai kujton mënyrën tinëzarë si rishikoheshin dramat e Spahivoglit për gjetje moderniste e liberale. Mjeshtri Toçe veçon sulmin e bërë për shfaqjen “Tanja”, realizuar në Teatrin Popullor dhe dramën “Kurvat e Kominatit”, që u ndalua për t’u shfaqur me urdhër politik…
Zoti Vangjush! Ju jeni një nga studentët dhe miqtë e Kujtim Spahivoglit që i keni qëndruar pranë edhe kur atë e dënuan. Si do ta përshkruanit në pak fjalë dramën e tij?
Dua ta them që në fillim, goditja dhe largimi i dhunshëm nga skena që i bënë Kujtim Spahivoglit, themeluesit të shkollës së dramaturgjisë shqiptare, krijoi një boshllëk të madh për teatrin tonë, por jo vetëm. Ai ishte një artist i madh në tërë kuptimin e fjalës, që solli risi e zgjedhje regjisoriale bashkëkohore në një kohë të vështirë, kur vendit bashkë me teatrot i mungonin shumë gjëra të tjera. U shfaq që në fillim si një dramaturg me potencial të lartë artistik dhe në një kohë të shkurtër vuri në skenë dhjetëra drama, në pjesën më të madhe të të cilave lozte dhe vetë. Shkurt, u fut si dramaturg brilant dhe doli dhunshëm me jetën dramë…
Çfarë kujtoni nga koha kur ai bëri emër dhe shkëlqente në skenë?
Kujtimi ishte një artist shumëdimensional. Ishte regjisor, aktor, krijues, mjeshtër i fjalës artistike, por sakaq dhe poet. Mënyra si krijoi laboratorin e tij krijues në fundin e viteve ‘50 dhe fillimin e viteve ‘60, në Institutin e Arteve dhe Teatrin Popullor, ishte një tjetër shkollë për artistët e skenës. Unë e kam thënë me plot gojën që ai ka qenë themeluesi i dramaturgjisë moderne shqiptare dhe kam bindjen se po mos ta kishin goditur kur ishte në kulmin e shkëlqimit, drama jone dhe sidomos teatri do ishte në të tjera standarde, madje të krahasueshme me artin modern bashkëkohor. Me largimin e tij nga skena që e donte aq shumë, nuk u ndërpre thjesht një karrierë artistike, po u bllokua një proces shumë ambicioz me vizionin bashkëkohor për teatrin dhe fjalën artistike.
Ndoshta nuk duhet absolutizuar, se në atë kohë ka pasur dhe aktorë të tjerë të talentuar…
Patjetër që ka pasur e kanë dalë herë pas here aktorë të mrekullueshëm, po Kujtimi ishte tjetër prerje dhe me një kompletim të rrallë si artist. Shumë syresh janë produkt i shkollës së tij, janë kolegë e bashkëpunëtorë që kanë ndikuar fuqishëm te njëri tjetri.
Si u përjetua nga komuniteti i artistëve dënimi i Kujtim Spahivoglit?
Ato ishin momente të vështira. Rrebeshi i sulmit nga Plenumi IV i KQ të Partisë i vuri në pozitë të vështirë të gjithë artistët. Dënimi i Kujtimit, njërit prej artistëve më të mëdhenj të kohës, ishte një goditje e madhe për komunitetin e artistëve e sidomos për pjesën e aktorëve dhe mjeshtërve të skenës. Përvese ndonjë pseudo aktori e artisti që u solidarizua menjëherë me qëndrimin e Partisë për kryqëzimin e Kujtimit, pjesa tjetër e përjetoi keq e mbeti pa fjalë nga ndëshkimi i tij. Duhet thënë sakaq se kishte dhe ndonjë artist vullnetar që bëri punën e vëzhguesit, duke ndjekur fshehurazi jetën e aktivitetin e Kujtimit, tashmë jashtë teatrit…
Përse u penalizma më shumë Kujtim Spahivogli pas Plenumit IV të KQ të Partisë?
Kryesisht për miqësinë me Fadil Paçramin dhe frymën liberale e moderniste në krijimtari. Në debatet e atyre ditëve ia kaluan në filtër të gjitha dramat që kishte realizuar dhe në çdonjërën prej tyre mundoheshin të gjenin gjetjet që stononin me vijën e Partisë. Po ndodhte ajo që autori i tyre nuk e kishte menduar kurrë. I pafuqishëm përballë këtij sulmi të befasishëm, Kujtimi iu nënshtrua fatit. Dorëzoi çelësat e studios dhe mori rrugën e kantiereve të ndërtimit në Fier, për t’u riedukuar në gjirin e klasës punëtore, siç thoshin atëherë. Iku me idenë se pas njëfarë kohe, do të rikthehej, por nuk ishte e thënë. Në skutat e errëta të autoriteteve ishte arkivuar vendimi për ta larguar përgjithmonë nga skena. Çfarë nuk bëri ai i shkreti për t’u kthyer te profesioni që e deshi si rrallëkush, por në çdo derë që trokiti gjeti vetëm zhgënjim, deri sa mbylli sytë përgjithmonë me brengën e madhe. Ah, Kujtimi, profesori, mjeshtri i madh, shoku e kolegu i pazëvendësueshëm…
Çfarë kujton nga dramat e tij në atë periudhë dhe përse e veçoni realizimin e tyre?
Në një kohë të shkurtër, Kujtimi ka realizuar një numër të madh dramash me një galeri të jashtëzakonshme personazhesh. E veçanta e tyre ishin risitë që sillnin në artin e dramës, gjetjet e spikatura e novatore të regjisë, thyerja e tabuve dhe skemave të rëndomta. Tirana e asaj periudhe i priste me shumë dashuri e interes shfaqjet e Kujtimit. Emri i tij ishte bërë i dashur sidomos për rininë dhe studentët. Po kjo ishte një pranverë e shkurtër që zgjati jo shumë. Megjithatë, emri i mjeshtrit të madh ngeli në kujtesën e atij brezi. Ka mbetur në memorien e bashkëkohësve, sidomos Hamleti i famshëm, i realizuar aq mjeshtërisht nga Kujtimi, por dhe shumë e shumë shfaqje të tjera.
Për cilat nga dramat u godit më fort Kujtim Spahivogli?
Me sa më kujtohet, fillimisht u sulmua se kishte vënë në skenë një dramë të Fadil Paçramit kur ai ishte dënuar. Pastaj ia kishin vënë në lupë të gjitha dramat, ku te çdonjëra gjenin aspekte me frymë liberale e moderniste, tendenca të artit borgjez etj. E kishin vënë në syrin e ciklonit dhe nuk reshtnin ta sulmonin deri sa e gjunjëzuan…
Megjithatë kishte ndonjë krijim të veçantë që përcaktoi përfundimisht kryqëzimin e tij?
Me sa mbaj mend, dy ishin dramat për të cilat u sulmuan më rreptë. Ishte “Tanja” që fshikullonte aspekte të burokracisë së regjimit, e cila u interpretua nga Teatri Popullor dhe drama “Kurvat e Kombinatit”, që nuk arriti të vihej në skenë se u godit që në procesin e përgatitjes.
“Kurvat e Kombinatit” ishte krijim i Kujtimit apo dramë e përzgjedhur nga ai për tu vënë në skenë?
Historinë e kësaj drame kam pasur rastin ta mësoj nga vetë Kujtimi. Fillimisht ka qenë një kërkesë e drejtorit të klubit të kulturës të Kombinatit të tekstileve në Tiranë, Osman Laze, një miku i hershëm i tij, për të bërë një dramë destinuar problematikës së kombinatit, që asokohe ishte një nga ndërmarrjet më të mëdha jo vetëm të Tiranës. Kujtimi e kishte mirëpritur dhe brenda një kohe relativisht të shkurtër i kishte çuar në zyrë dramën e porsapërfunduar “Kurvat e Kombinatit”. Kam pasur rastin ta lexoj në dorëshkrim. Ishte një subjekt mjaft interesant me gjetje të guximshme. Në thelb drama pasqyronte jetën e grave dhe vajzave që punonin në Kombinatin e çelur në fillimin e viteve ‘50. Mirëpo, titulli i dramës dhe mënyra si depërtonte në jetën e tyre autori i saj, krijonte një gërë të pakapërcyeshëm. Këtu filloi debati ndërmjet Kujtimit dhe këshillit artistik, që ndiqej rreptësisht nga autoritetet partiake. Mosmarrëveshjet ishin aq të thella sa që drama u ndalua të vihej në skenë…
Si t’i tregonte Kujtimi peripecitë për aventurën e tij me “Kurvat e Kombinatit”?
Të them të drejtën në bisedat për këtë temë që ishte delikate në atë kohë, unë rrija disi i rezervuar. Ishte koha kur kishin filluat të më godisnin dhe mua për historinë e dajos. Me sa më tregoi Kujtimi, paraprakisht, megjithëse me dhimbje kishte rënë dakord të ndërronte titullin e dramës, po zyrtarët i kërkonin të rishikonte tërë subjektin, për ta shfaqur me sy optimist e moralist jetën e grave dhe vajzave që punonin në kombinat. Këtu ishte prishur marrëveshja.
Në kohën kur ai nuk kishte pranuar ta çonte më tej bashkëpunimin, çështjen e kishte marrë në dorë Komiteti i Partisë së rajonit, që e vlerësonte dramën e punuar enkas për Kombinatin një përpjekje për të denigruar rolin e vajzave dhe grave që punonin aty. Një paradite në këtë periudhë (me sa më kujtohet ka qenë gusht), u përballa me Kujtimin te kafe Flora dhe e pyeta për dramën. Mbaroi ajo punë. “Kurvat e Kombinatit” nuk e kaluan provimin, më tha me një ton ironie dhe u largua me hapa të ngadaltë.
PJESA IV
Rita Marko ka qenë i fundit nga liderët e lartë që është shprehur zyrtarisht për dënimin e Kujtim Spahivoglit, dramaturgut të shquar.
Kur ky i fundit kishte lënë përdhunshëm Tiranën dhe kishte filluar punë në kantierin e ndërtimit në Mbrostar të Fierit, Presidenti i Këshillit Qendror të Bashkimeve Profesionale, ishte kujtuar se viktima e radhës e Plenumit IV të KQ të Partisë, figuronte akoma në listën e anëtarëve të forumit më të lartë të klasës punëtore, siç ishte BPSH-ja.
Nuk dihet nëse Rita Marko, asokohe President i Bashkimeve Profesionale, njëherazi edhe anëtar i Byrosë Politike, u kujtua vetë për faktin e pazakontë apo ia vunë në dukje të tjerët.
Çuditërisht, kur Kujtim Spahivogli kishte tre muaj që ishte përjashtuar nga Partia dhe detyra e dekanit të dramaturgjisë në Institutin e Lartë të Arteve për shfaqje të huaja e ndikime borgjeze revizioniste në krijimtari, rezultonte i zgjedhur në forumin më të lartë të klasës punëtore, Këshillin e Përgjithshëm të BPSH.
Në kapërcim të paradoksit, Rita Marko më 1 tetor të vitit 1973 ka thirrur një mbledhje urgjente të Presidiumit të Këshillit Qendror të BPSH, ku siç është dokumentuar në procesverbalin përkatës, bashkë me solidarizimin për dënimin e veprimtarisë armiqësore të Kujtim Spahivoglit në fushën e artit, ka vendosur për përjashtimin e tij nga forumi qendror.
Në fakt, ka qenë një mbledhje formale, madje pa praninë e protagonistit kryesor që kryqëzohej, i cili as që e dinte se figuronte i regjistruar. Më së shumti, të pranishmit aty kanë dëgjuar nga ligjërata parimore e Markos përsëritjen e atyre që ishin kumtuar për tre muaj me radhë në adresë të Kujtim Spahivoglit, dramaturgut që kishte rrëshqitur nga vija e Partisë dhe prodhonte art borgjez.
E veçantë në diskutimet e kupolës së BPSH është stigmatizimi i Spahivoglit si shpërfillës i dramës “Fisheku në pajë”, asaj për Barjam Currin dhe “shumë të tjera si këto që entuziazmojnë masat, që ngjallin emocion e ndjenjë patriotike…”.
Në fund, me unanimitet të padiskutueshëm si gjithnjë është vendosur përjashtimi i Spahivoglit nga forumi. Shumë nga shokët e tij kujtojnë se kur ia kanë çuar lajmin në Fier, është çuditur dhe është shprehur se nuk e mbante mend kur e kishin zgjedhur. Më poshtë publikojmë të plotë dokumentin me firmën e Rita Markos…
Dokumenti
BASHKIMET PROFESIONALE TË SHQIPËRISË
KËSHILLI QËNDROR
PRESIDIUMI
Vendim mbi përjashtimin e Kujtim Spahivoglit nga Këshilli Qendror i BPSH
Presidiumi i Këshillit Qendror të BPSH në mbledhjen e datës 1 tetor 1973, dënoi njëzëri veprimtarinë armiqësore të Kujtim Spahivoglit në fushën e artit. Presidiumi konstatoi se Kujtim Spahivogli ka përkrahur dhe zbatuar në kundërshtim me vijën e Partisë, porositë e armikut të Partisë, revizionistit antiparti e devijatorit të djathtë Fadil Paçramit.
Ai e quante Fadil Paçramin “Dramaturgu më i madh që ka parë Shqipëria”. Për Kujtim Spahivoglin kishin vlerë vetëm dramat e Fadil Paçramit si “Shtëpia në bulevard” ose “Një ngjarje në fabrikë”, ndërsa dramat mbi Bajram Currin, “Fisheku në pajë” e shumë të tjera si këto që entuziazmojnë masat, që ngjallin emocion e ndjenjë patriotike, nuk i pëlqente, por i përbuzte.
Kujtim Spahivogli ka shkruar drama me gabime të rënda politiko-ideologjike, me koncepte liberalmoderniste. E tillë është bile në një shkallë më të avancuar se të tjerat, drama “Kurvat e Kombinatit” “Hapat e para dhimbjet e fundit”, përmbajtja e së cilës shtrembëron në mënyrë flagrante realitetin tonë socialist.
Presidiumi i Këshillit Qendror të BPSH, duke pasur parasysh gabimet e rënda armiqësore të Kujtim Spahivoglit në fushën e artit, përkrahjen dhe zbatimin e porosive të armikut të Partisë, revizionistit antiparti e deviatorit të djathtë, Fadil Paçramit, mendimet e gabuara dhe qëndrimet borgjeze, liberalo-moderniste, të pasqyruara sidomos në dramën “Hapat e parë, dhimbjet e fundit”, Vendosi: T’i propozojë Këshillit Qendror të BPSH që Kujtim Spahivogli të përjashtohet nga Këshilli Qendror si i padenjë për të mbajtur një përgjegjësi të tillë.
PRESIDENTI I KËSHILLIT QËNDROR TË BPSH
Rita Marko
PJESA V
Më datën 9 shtator të vitit 1973, Ramiz Alia asokohe sekretar i Komitetit Qendror për kulturën dhe propagandën, ka marrë një letër informuese nga një zyrtar i Komitetit të Partisë të Rajonit Nr. 2 në Tiranë.
Instruktori Andon Rrudha, që me sa duket mbulonte Kombinatin e Tekstileve Stalin, e njoftonte shefin në KQ për një dramë problematike, e cila po përgatitej për t’u shfaqur në Kombinat.
”Pesë shoqe paraqiten në atë dramë si femra të degjeneruara, të dezilizionuara në jetë, pijanecë, të pacipa, të braktisura nga një e më shumë dashnorë, me një jetë të ulët dhe poshtëruese”, nënvizohej me të madhe në letër.
Drama “Kurvat e Kombinatit”, për të cilën bëhej fjalë, ishte shkruar nga Kujtim Spahivogli, me porosi të drejtorit të klubit të Kulturës të Kombinatit, Osman Laze, dhe kishte për objekt jetën dhe aktivitetin e vajzave dhe grave që punonin në këtë vepër të madhe. Fillimisht autoritetet artistike i kërkuan autorit t’i ndryshonte titullin, çka e bëri me vështirësi, por pastaj kritika ndaj veprës u përqendrua në qasjen jo parimore të përmbajtjes dhe në mënyrën degjeneruese si e shikonte dhe vlerësonte autori jetën e këtyre grave.
Prej këtej, shqetësimi mbërriti në organet lokale të Partisë, e prej aty në Komitetin Qendror. Më poshtë publikojmë të plotë dokumentin sekret me letrën për Ramiz Alinë…
INFORMACION MBI NJE DRAME TE KUJTIM SPAHIVOGLIT, PARAQITUR NE KLUBIN E KULTURES TE KOMBINATIT TE TEKSTILEVE “STALIN”
Bashkë me shokun Idriz morëm takim me shoqen Eftimi Lito dhe drejtorin e Klubit të Kulturës, shokun Osman Laze, për çështjen e një drame që Kujtim Spahivogli i ka paraqitur këtij institucioni. Shoku Osman Laze, si drejtor i Klubit të Kulturës, i ka kërkuar Kujtimit një dramë ku të paraqitej figura e gruas tekstiliste të Kombinatit. Kujtimi i është përgjigjur kërkesës dhe i ka thënë se për një vepër të tillë, unë po punoj dhe e kam titulluar “Kurvat e Kombinatit”.
Shoku Osman i ka thënë se me këtë titull nuk ta pranoj në asnjë mënyrë. Mbas një kohe, Kujtimi e ka dorëzuar dramën me titull “Hapat e para, dhimbjet e fundit”. Pjesa është diskutuar nga shokët e Këshillit Artistik të Klubit dhe nuk është aprovuar. E cilëson si një vepër që nuk i përgjigjet realitetit dhe poshtëron figurën e gruas.
Ne e lexuam këtë dramë dhe me të vërtetë përmbajtja të revolton. Sido që titulli është ndryshuar, përmbajtja mbetet po ajo. Po japim shkurtimisht disa gjëra:
Pesë personazhe (shoqe), paraqiten në dramë si femra të degjeneruara, të deziluzionuara në jetë, pijanece, të pacipa, të braktisura nga një e më shumë dashnorë. Jeta në konvikt e këtyre shoqeve paraqitet e ulët dhe poshtëruese. Nga goja e këtyre vajzave të reja që kanë lënë familjet e tyre dhe kanë ardhur në Kombinat, del një fjalor i shthurur që të dhimbsen për jetën ku janë katandisur. Ato kanë rënë pas alkoolit, pas librave të verdha, pas dashurisë së shthurur, janë bërë viktima të matrapazëve dhe për gjendjen e tyre shpirtërore nuk kujdeset njeri.
Vetëkuptohet se këtu kemi të bëjmë me një vetështrembërim flagrant të realitetit tonë socialist. Lumta, një nga personazhet kryesore që ka dështuar në dashuri, përfundon me Demon, me të cilin kanë dhe një fëmijë. Duke mos i rezistuar opinionit përbuzës në Kombinat, Demo e bind Lumton të largohet nga Kombinati, ata enden pa strehë nëpër Tiranë, pa punë, në një gjendje të vështirë ekonomike. Një plakë i strehon për mëshirë. Por edhe këtu çiftin e ndjekin fatkeqësitë e thashethemet. Gjithnjë nën motivin si “vajzë e Kombinatit”, matrapazët i vërsulen. Demo, i shoqi, përfundon vetë si matrapaz.
Lumto çoroditet. Në tërë këto peripecira ajo mbetet fill e vetme. Nuk di ku të ankohet, ku ta qajë hallin. Opinioni i shëndoshë, forca e partisë nuk duket gjëkundi. I vetmi personazh disi i ftohtë del Iliri, biri i plakës, ku këta janë strehuar, por ky nuk është deciziv. Kështu, Lumto ndjek një rrugë fataliste, krejt individuale, karakteristike kjo për vendet kapitaliste e revizioniste. Nga fundi, autori na jep monologun e Lumtos drejtuar plakës ku i thotë: për historinë e një vajze, e cila duke mos dëgjuar prindërit, iu përgjigj thirrjes së Partisë dhe erdhi në Kombinat, por këtu atë e ndoqën fatkeqësitë. Me sa duket, autori këtu bën një lloj proteste, por kundër kujt?!
Nga fundi autori e kthen Lumton në konvikt, midis vajzave dhe shoqeve të saj, ku pak më parë në aktin e pestë gjendja na jepet e pandryshuar. Duhet thënë se, sido që kjo dramë nuk u vu në skenë, shokët e Kombinatit duhet të kishin mbajtur qëndrim duke bërë një diskutim masiv.
Andon Rrudha Tiranë, më 7.9.1973
* Titujt origjinalë në versionin online të gazetës “Panorama” në datat 2, 5, 6, 7 dhe 10 korrik 2022:
- 2 korrik – Nga mbret i skenës, në hekurkthyes në Fier/ Kush e solli Spahivoglin në Tiranë?! Nexhmije Hoxha: Kryeqytetin ta mbajmë të pastër nga këta armiq
- 5 korrik – “S’lexon ZP-në, por libra te huaj! Të shkojë për riedukim”- Rebelimi i ‘mbretit të skenës’ kur i morën teserën dhe e përjashtuan nga Partia. Zbardhet dokumenti
- 6 korrik – Diktatori Enver Hoxha e dënoi me riedukim! Nga “Tanja” te “Kurvat e Kombinatit”, dramat që fundosën Kujtim Spahivoglin
- 7 korrik – “Me ‘Kurvat e Kombinatit’ shtrembëron realitetin”/ Rita Marko: Spahivogli nuk përfilli dramën për Bajram Currin, pëlqente Fadil Paçramin
- 10 korrik – “Flet për vajza të braktisura nga më shumë se pesë dashnorë”- Informacioni sekret për Ramiz Alinë: Drama e Kujtim Spahivoglit poshtëron figurën e gruas!
The post “S’lexon ZP-në, por libra të huaj! Të shkojë për riedukim” – Rasti i Kujtim Spahivoglit appeared first on Observatori i Kujtesës.
This is a companion discussion topic for the original entry at https://www.observatorikujteses.al/slexon-zp-ne-por-libra-te-huaj-te-shkoje-per-riedukim-rasti-i-kujtim-spahivoglit/