“Rrok Gera e detyroi shoqërinë italiane të karburanteve, A.G.I.P., të mos abuzonte me çmimet e shitjes dhe të paguante 280 mijë franga ari, tatime të…” / Financat dhe Ekonomia në Monarkinë e Zogut

Nga Arben Pustina       

Pjesa e katërt

                                                  – Rrok Gera, një burrë shteti ashtu si duhet –

PARATHËNIE

Memorie.al / Ky libër synon të përcjellë te publiku imazhin e një njeriu perfekt, i cili jetoi në kohëra të tjera, por që ishte shembulli më i mirë, jo vetëm i asaj që mund të përfaqësojë një njeri i zakonshëm, por, në radhë të parë, si shembulli i një shtetari fisnik, të shquar, të gjithëdijshëm e, mbi të gjitha, të ndershëm. Duke pasur në gjene virtytet fisnike të prejardhjes së tij, duke u formuar si personalitet në një ambient të mrekullueshëm, siç ishte Shkodra e fillimit të shekullit XX-të, dhe duke u diplomuar në një nga universitetet më prestigjioze të Europës, siç ishte ai i Vjenës, Rrok Gera kishte gjithë potencialin për të qenë një ndër figurat e rëndësishme, që i dhanë hov një zhvillimi të vrullshëm nëpërmjet reformave të gjithanshme në Shqipëri, në vitet ’30-të të shekullit të kaluar.

Ky zhvillim arriti kulmin me qeverinë e Mehdi Frashërit, e cilësuar ndoshta si qeveria shqiptare më e mirë e të gjitha kohërave, e formuar në pjesën më të madhe nga persona jopolitikë, mes të cilëve ishte edhe Rrok Gera. Për 10 vjet, apo më shumë, si ministër apo në funksione të tjera të larta shtetërore, ai punoi me bindje se po ecej në rrugë të drejtë për konsolidimin e shtetit shqiptar, proces për të cilin thoshte se nuk kishte kohë për të humbur.  Ekonomist, financier, diplomat, jurist, Gera ishte një specialist që çau përpara drejt majave me profesionalizmin e tij në një ambient ku tarafet e vjetra, që ishin pothuaj mbizotëruese në politikë e në qeverisje, erdhën duke humbur terren përballë njerëzve të rinj e të arsimuar mirë.

                                                                  Vijon nga numri i kaluar

KTHIMI NË SHQIPËRI DHE AKTIVIZIMI NË ADMINISTRATËN SHTETËRORE

Më 5 shtator 1934, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Rrok Gera, i dërgoi një shkresë kreut të BKSh-së, Gaudenzi, duke i bashkëlidhur edhe skemën e marrëveshjes ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Bankës, hartuar prej tij, për koniacionin e monedhave të argjendit e të bronzit. Skema në fjalë e tërboi zyrtarin italian të BKSh-së, aq sa i shkruante Gambinos se i kishte deklaruar gojarisht Gerës, që kjo skemë as që mund të diskutohej. Ndërsa vazhdonin negociatat për çështjen e koniacionit, mungesa e monedhave në qarkullim brenda vendit ishte bërë e ndjeshme, aq sa, me nxitjen e Rrok Gerës, ministri i Financave, Dibra, u shkroi drejtuesve të BKSh-së, që të merrnin masa menjëherë.

Me 12 dhjetor, Gaudenzi i propozoi Gerës që koniacioni të kishte një limit prej 500.000 fr. ari, duke sugjeruar ndërkohë që palët e përfshira në negociata prej kaq kohësh, të lëshonin diçka nga pozicionet e tyre, në funksion të arritjes së një marrëveshjeje, e cila, në fakt, u nënshkrua me 1 mars të vitit 1935.Marrëveshja e bazuar në ligjin e 3 korrikut 1925, parashikonte koniacionin e monedhave të argjendit në vlerën prej 1 milion fr. ari, me 700.000 copë monedha me nga 1 fr. ari dhe 150.000 copë monedha prej 2 fr. ari. Nga fitimet prej këtij koniacioni, qeveria shqiptare përfitonte menjëherë forfait, një shumë prej 450.000 fr. ari. Pra, më në fund, përballë këmbënguljes së palës shqiptare, drejtuesit italianë të BKSh-së u detyruan të tërhiqen dhe mund të themi se Rrok Gera, si protagonist në këto negociata, shënoi sukses në aktivitetin e tij.

Duket se italianët vlerësuan se ishte e nevojshme që ndonjëherë të kalonin në plan të dytë interesat financiare “për hir të një vizioni realist dhe më të përgjithshëm të situatës”, ndaj dhe pranuan marrëveshjen me qeverinë shqiptare. Gjithsesi, krerët italianë të BKSh-së synonin ta shtynin edhe më tej procesin, duke detyruar ministrin e Financave Dibra, që më 19.07.1935, t’u drejtohej atyre me telegramin nr. 86/14, ku tërhiqte vëmendjen se, në bazë të deklaratave të drejtuesve të BKSh-së, Ministria e Financave kishte njoftuar publikun se në muajin korrik, do të viheshin në qarkullim monedhat divizionale prej argjendi, por kjo nuk kishte ndodhur ende, ndaj kërkohej marrja e masave të menjëhershme.

Duket se telegrami pati efektin e vet, ndaj mbi bazën e marrëveshjes së arritur dhe ligjit autorizues të 27 marsit 1935, më 5 gusht, me anën e Bankës Kombëtare, u shtypën dhe u vunë në qarkullim: 700.000 copë monedha argjendi nga një fr. ari, 150.000 copë monedha argjendi nga dy fr. ari, rreth 100.000 fr. ari në monedha prej bronzi nga fr. ari 0.02 çdo copë dhe rreth fr. ari 50.000 në monedha prej bronzi nga fr. ari 0.01 çdo copë. Edhe më vonë, në vitin 1937, bazuar në dekret ligjin autorizues të 30 qershorit të po atij viti, u hodh në qarkullim një sasi prej 600.000 monedhash argjendi nga një frang ar.57 Hedhja në qarkullim e monedhave të këtij lloji ishte një veprim që, siç e pohonte më vonë dhe vetë Gera në një debat në Parlament, do të sillte të ardhura të mëdha për arkën e shtetit.

Edhe sipas një botimi të Lidhjes së Kombeve mbi financat e Shqipërisë në vitet 1928-1936, konfirmohet se hedhja në treg e monedhave të reja të argjendit bëri që shteti shqiptar të merrte një fitim vjetor prej jo më pak se 450.000 franga ari. Sikurse thamë, një tjetër masë e menduar nga qeveria shqiptare në vitet 1933-1934, për të përfituar burime financiare, ishte dhe marrja e parave në formë paradhënieje nga shoqëritë e mëdha të huaja ose shqiptare. Një ndër ta ishte dhe shoqëria italiane A.G.I.P., e cila kishte monopolin e karburanteve në Shqipëri.

Por shoqëria në fjalë ishte në shënjestër të kontrolleve nga ana e autoriteteve shqiptare edhe shumë kohë më parë se sa vitet 1933-1934. Fillimisht kemi një raport të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Gera, më datë 25 mars 1931, “Mbi tatim-fitimin e shoqërisë së A.G.I.P. në Shqipëri”, drejtuar ministrit të Financave, ku ai sugjeronte që shoqëria italiane t’i paguante shtetit shqiptar detyrime shtesë për dy vitet e kaluara.

Kjo pasi nga një studim i bërë prej tij për periudhën 5-mujore; (1 gusht 1929 deri më 31 dhjetor 1929) ku krahasoheshin edhe çmimet që ofronte A.G.I.P., në Rumani, rezultonte se shoqëria kishte fitime të konsiderueshme, pasi edhe konsumi i karburantit në Shqipëri po shtohej dita-ditës: “…Po të marrim parasysh se fitimi prej fr. ari 326.000 asht realizua në 5 muej, e po të merret parasysh se konsumi i karburanteve (benzinës), ka hipë shumë, atëherë del se fitimet e realizueme në vjetet 1930, 1931, e kapërcejnë milionin në vjet, kështu që mbas pikëpamjes s’eme, “Agipi” duhet të paguejn tatime për 1929, 1930 e 1931, fr. ari 280.000”.

Në përfundimet e tij, Gera vërente edhe se A.G.I.P. duhet të jepte bilancet e aktivitetit të saj në bazë të faturave origjinale e të detajuara, si dhe paralajmëronte se në raste parregullsish, shoqëria italiane do të kishte pasoja: …“Jam i mendimit që t’i njoftohet Agip-it me një shkresë të detajueme, me i sjellë dokumentet origjinal këtu, e me mbajt librat me bilance e kont. humbje e fitim në Shqypni dhe mbasi t’i ketë plotësue, të zgjidhen dy nëpunës shum t’aftë me bë një revizionim, t’ue paralajmërue Agip-in, se zbulime irregulariteti me qëllim me mshefë fitimet, kan penalitete të rënda”.

Ishin këto fjalët me të cilat Rrok Gera mbyllte raportin e tij për detyrimet e shoqërisë italiane, drejtuesit e së cilës, sipas dokumenteve historike të A.G.I.P., ankoheshin së tepërmi për trajtimin që u bënin autoritetet shqiptare, në përgjithësi, dhe Ministria e Financave bashkë me Sekretarin e saj të Përgjithshëm, në veçanti. Ndërkohë, në një letër drejtuar ministrit të Jashtëm italian, Grandi, më 3 mars 1931, presidenti i A.G.I.P., Alfredo Giarratana, e cilësonte qëndrimin e autoriteteve shqiptare, si një sabotim të vazhdueshëm kundrejt gjithçkaje që kishte të bënte me kompaninë që ai drejtonte: “…vuajmë çdo ditë qëndrimet më të çuditshme dhe më absurde që kanë të bëjnë me përcaktimin e çmimeve dhe kontrollet teknike nga ana e organeve shqiptare dhe kjo natyrisht që sjell një efekt ekonomik dërmues dhe kontribuon në shtimin e humbjeve tona”.

Në të vërtetë, “hallet” e A.G.I.P., nuk kishin filluar ende. Në muajin maj të vitit 1933, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Rrok Gera, zhvilloi bisedime me ish-drejtorin e A.G.I.P., Bilucaglia, si dhe me drejtorin e atëhershëm të shoqërisë, Conte della Zonca, për mundësinë e marrjes së një huaje në formë paradhënieje, mbi taksën e karburanteve, por me kusht që një paradhënie e tillë, të amortizohej në një periudhë të gjatë kohe, nëpërmjet një pjese të kësteve mujore që shoqëria kishte për të paguar.

Por pala italiane e zvarriste çështjen, duke kërkuar ndërkohë edhe mendimin e Ministrisë së Jashtme të Italisë, ku drejtori për çështjet politike në këtë Ministri, Gino Buti, në një shënim të tij për zëvendëssekretarin Suvich, shkruante më 22 qershor 1933, se: “…kërkesa e qeverisë shqiptare, kishte si objektiv që të përfitonte në rrugë të ndryshme, ndihmat e munguara financiare nga qeveria italiane”.

Më tej, Buti udhëzonte A.G.I.P., që të mos jepte një “jo” për këtë kërkesë, por me pretekste të karakterit teknik dhe me kërkesa për më shumë detaje, realisht të mbetej në pritje, derisa Roma dhe Tirana të sqaronin aspektet financiare ndërmjet tyre. Por Gera nuk dekurajohej aspak. Në nëntor 1933, ai ia përsëriti kërkesën drejtorit të përgjithshëm të A.G.I.P., Carafa d’Andria, me rastin e vizitës së tij në Shqipëri, bashkë me inspektorin Kovacs.

Diskutimet u projektuan në përcaktimin e shumës deri ku mund të shkonte kjo paradhënie, mbi kamatën eventuale dhe mbi kohën e amortizimit të saj. Gjithashtu, u diskutua për caktimin e një shume aforfait për tatimin e fitimit, rregullimin e tatim-fitimit të vërtetuar deri në atë periudhë, rregullimin e taksës së ngarkim-shkarkimit, rregullimin e karakteristikave të karburantit, etj.

Për paradhënien mbi taksën e karburanteve, Gera dhe della Zonca diskutuan edhe gjatë muajit dhjetor dhe në vijim drejtori i A.G.I.P., informoi se për kërkesën e autoriteteve shqiptare kishte kërkuar instruksione nga qendra e shoqërisë në Romë. Në një promemorie të tij, Rrok Gera theksonte se, lidhur me çështjet e diskutuara në këto takime, ai ishte autorizuar t’i komunikonte della Zoncas, pikat bazë mbi të cilat mund të arrihej një marrëveshje dhe që konkretisht ishin: A.G.I.P., i jepte Ministrisë së Financave një paradhënie prej fr. ari 1.500.000, me interes vjetor prej 4%, të amortizueshme brenda 10 vjetësh, që do të shlyheshin me të ardhurat e karburanteve dhe me këste njëmujore. A.G.I.P., do t’i jepte Ministrisë së Financave edhe shumën prej 500.000 fr. ari, pa interes, që do të shlyhej me tatim-fitimin e viteve brenda periudhës që do të bëhej shlyerja.

Nga ana e saj, Ministria e Financave do të anulonte taksat e caktuara për shoqërinë, sa u përkiste viteve 1929, 1930 dhe 1931, me një shumë prej fr. ari 243.918 dhe ndërkohë, kjo Ministri do të bënte që taksat e A.G.I.P. ndaj shtetit, të ishin aforfait për dhjetë vjet. Në përfundim të diskutimeve dhe të marrëveshjes verbale, palët negociuese arritën të nënshkruanin, më 14 mars 1934, një marrëveshje përfundimtare, ku Ministria e Financave, merrte përsipër miratimin ligjor të shtojcës së kontratës së 17 korrikut 1929 me A.G.I.P., për monopolin e karburanteve dhe anulonte tatimet e njohura për vitet 1929, 1930, 1931 dhe 1932, duke fiksuar në këmbim të këtyre tatimeve, shumën prej fr. ari 120.000. Për vitin 1933, shoqëria do të paguante një tatim-fitim prej rreth 50.000 fr. ari, shumë kjo e përcaktuar jo më në bazë të bilanceve të shoqërisë, por në bazë të volumit të karburantit të shitur prej saj.

Sipas marrëveshjes së arritur, A.G.I.P. pranonte këtë lloj taksimi, me kusht që ndaj saj të mos vendosej asnjë lloj takse tjetër. Po ashtu, shoqëria italiane e karburanteve i akordonte Ministrisë së Financave një paradhënie prej fr. ari 200.000, si aforfait mbi tatim-fitimin për vitet 1934-1938. Pra, sipas marrëveshjes, A.G.I.P. do t’i paguante menjëherë shtetit shqiptar një shumë të konsiderueshme prej rreth 370 mijë fr. ari, si paradhënie për periudhën 1934-1938. Ashtu sikurse për vitin 1933, detyrimet e shoqërisë për këtë periudhë kohore nuk llogariteshin më në bazë të bilanceve të saj dhe kontrolleve kontabël, por mbi bazën e një tatimi fiks për çdo kuintal karburant të shitur.

Në një dokument me nr. 124/80, të datës 15.03.1934, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Gera, sqaronte Këshillin e Ministrave lidhur me detajet e kësaj marrëveshjeje si dhe me shkaqet që çuan në nevojën e negocimit të saj. Sipas këtij dokumenti, për periudhën 1929-1931, shoqëria deklaronte humbje, të cilat i kishte regjistruar në aktivin e bilancit si shuma për t’u amortizuar me fitimet e viteve të ardhshme dhe, si shembull për këtë, ishte edhe fitimi i saj prej 250.000 fr. ari në vitin 1932, të cilin A.G.I.P., e kishte kontabilizuar për amortizim të humbjeve të mëparshme. Përballë këtyre veprimeve, Rrok Gera bënte të ditur se Ministria e Financave i kishte njoftuar A.G.I.P. se, nuk mund të bënte anulim të plotë të taksave të vërtetuara për 1929-1932 dhe se Ministria nuk mund të pranonte që fitimet e viteve të ardhshme të mos taksoheshin me justifikimin se do të përdoreshin për amortizimin e humbjeve të mëparshme.

Në dokumentin drejtuar Këshillit të Ministrave, Gera theksonte se, marrëveshja konsiderohej e favorshme, pasi shteti do të merrte nga A.G.I.P. fr. ari 170.000 për periudhën 1929-1933 (shumë të cilën shoqëria nuk kishte pasur ndër mend ta paguante) si dhe shumën prej 200.000 fr. ari në formë paradhënieje nga tatim-fitimet e ardhshme, për t’u shlyer për 5 vjet, pa kamatë. Marrëveshja përcaktonte si kuotë tatimi fr. ari 0.70 për çdo kuintal neto të shitur: vajguri, benzinë etj., ndërsa për çdo kuintal neto të shitur gazoil, naftë, mazut e vajguri të parafinuar, caktonte një tatim prej fr. ari 0.35.71

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, marrëveshja me A.G.I.P., kishte dhe një avantazh tjetër për autoritetet financiare shqiptare, pasi ato mund të shtonin taksën e karburantit deri në masën e 20%, pa pasur kundërshtimin e shoqërisë italiane të karburanteve. Për të plotësuar edhe kuadrin ligjor lidhur me këtë marrëveshje të arritur më 14 mars 1934, Parlamenti miratoi dy ditë më pas (pra më 16 mars), ligjin “Mbi forfaitizimin e tatimit të fitimit të Shoqënis Agip”. Sipas shënimeve historike të A.G.I.P., me gjithë arritjen e marrëveshjes së sipërpërmendur, edhe në periudhën e mëpasshme, shoqëria italiane vijonte të ndiente frikën e ndonjë veprimi “agresiv” ndaj saj nga ana e zyrtarëve të Ministrisë së Financave.

Duke ua rikthyer dhimbjen e kokës drejtuesve të A.G.I.P., në pranverën e vitit 1938, qeveria shqiptare rinovoi marrëveshjen e 14 marsit, duke kërkuar dhe duke marrë përsëri nga A.G.I.P., një shumë prej fr. ari. 250.000, si paradhënie të tatim-fitimit për vitet 1938, 1939 dhe 1940.74 Për gjithë sa thamë këtu lidhur me marrëdhëniet e autoriteteve shqiptare me shoqërinë e karburanteve A.G.I.P., Rrok Gera ishte shumë aktiv dhe kjo del nga dokumente të shumta, që janë të formës së shënimeve, llogaritjeve, propozimeve, promemorieve, apo marrëveshjeve të hartuara prej tij, pavarësisht se ndonjë syresh kishte firmën e ministrit të Financave. Po ashtu, e njëjta gjë del edhe nga dokumentet historike të A.G.I.P., ku herë-herë Gera akuzohej madje nga zyrtarët e shoqërisë se po e tepronte qëllimisht, shenjë kjo se ai vërtet i bënte ata me dhimbje koke.

Pra, në përfundim të përpjekjeve të qeverisë shqiptare për të plotësuar disi nevojat e saj financiare në vitet 1933- 1934, mund të themi se diçka u arrit dhe se ajo çka u arrit, ishte maksimumi që të mund të bëhej në rrethanat e asaj kohe. Ajo çfarë italianët e BKSh-së pranuan lidhur me koniacionin dhe pagesat aforfe të taksave nga ana e A.G.I.P., në fakt erdhi pas presioneve të forta nga pala shqiptare. Kaq shumë zell tregonte Rrok Gera në aktivitetin e tij ndërsa u kundërvihej interesave italiane në Shqipëri, (A.G.I.P. është një shembull për këtë) sa ka pasur ndonjë rast, që përfaqësues të kompanive të mëdha me aktivitet në vendin tonë mendonin se Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave u bënte atyre presion qëllimisht, për të pasur përfitime personale.

Kjo nuk mund të merret veçse si pretendim i gabuar, ose qesharak, sepse derisa u largua nga vendi, në prill 1939, ai nuk kishte asnjë lloj prone. Megjithëse për rreth 10 vjet ishte në krye të financave e të ekonomisë shqiptare, Rrok Gera nuk kishte shtëpi të tijën dhe banonte me qira, në shtëpinë e Kokonajve, në Tiranë. Memorie.al

                                                          Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/rrok-gera-e-detyroi-shoqerine-italiane-te-karburanteve-a-g-i-p-te-mos-abuzonte-me-cmimet-e-shitjes-dhe-te-pagauante-280-mije-franga-ari-tatime-te-financat-dhe-ekonomia/