“Rreth 130-140 persona, të moshave të ndryshme, që nga fëmijët, pleqtë e të tjerë, ushtarët e Brigadës 16-të partizane maqedonase, filluan t’i vrasin…”/ Masakra e Bllacës e, 14 nëntorit të vitit 1944

Nga Rrahman Selmani 

Memorie.al / Vrasjet e bëra nga forcat e Brigadës partizane të 16-të, maqedonase, u bënë në emër të likuidimit të forcave të ‘Ballit Kombëtar’. Nëse mund të jetë pjesëtar i ‘Ballit’ një fëmijë 14-vjeçar, ose një grua shtatëdhjetëvjeçare dhe pleqtë e moshave të ndryshme, ku shumica e tyre, kishin kaluar të shtatëdhjetat, nuk ka se si të komentohet ndryshe, përveç se si një krim kundër njerëzimit. Faktet e dhëna në këtë rast, tregojnë qartë për synimet e errëta, të krerëve komunistë të asaj kohe!

16 nëntori i vitit 1944, e gjeti fshatin Bllacë, nën tytat e pushkës së Brigadës së gjashtëmbëdhjetë maqedonase. Prandaj kjo ditë, në kujtesën e fshatarëve të Bllacës, ka lenë vërraga të thella, ka diçka të veçantë. Në ketë ditë, u krye njëra nga masakrat më të mëdha në trojet e Maqedonisë së ASNOM-it. Nga kjo mbledhje, nuk kishin kaluar tre muaj të plotë, kur Brigada e 16-të maqedonase, rrethoi fshatin Bllace, për ta venë në shtetrrethim të plotë, duke mos lenë daljet e njerëzve nga fshati.

Në çdo 50 metra, ishin vendosur roje të armatosura, të cilat pengonin çdo lëvizje të njerëzve. Brigada e 16-të, u fut në fshat me 14 nëntor të vitit 1944 dhe i njoftoi fshatarët, që të mos frikësoheshin, se; “nuk do t’u ndodhte asgjë”, e kështu me radhë. Këto gënjeshtra, fshatarët i kuptuan si të vërteta, e si rezultat i kësaj, mbeten në fshat një numër i konsiderueshëm i banorëve. Në të njëjtën kohë, kërkohej nga fshatarët të përgatitnin ushqim për ushtarët, që nga fshatarët nuk mungoi, bile në sasi të mëdha.

Komanda e Brigadës së 16-të, u vendos në shtëpinë e Aziz Lusjanit, prej nga koordinoheshin veprimet e tyre, si dhe ftoheshin personat që ishin larguar nga fshati, të ktheheshin sa më shpejt në fshat, se përndryshe, nëse nuk vepronin sipas urdhrit, fati i tyre, nuk do të ishte i sigurt. Në këtë formë, u mashtruan një numër i konsiderueshëm i bllacjanëve, të cilët ranë në kurthin e tradhtisë së komandantëve partizanë.

Brigada e 16-të partizane maqedonase, qëndroi në Bllacë tri ditë.

Por në mëngjesin e ditës së tretë, urdhërojnë fshatarët që të mblidhen te xhamia e fshatit, duke i futur brenda të gjithë. Këtu dalin në shesh premtimet e rreme të komandantëve, të Brigadës së 16-të maqedonase. Pasi i fusin në xhami të gjithë fshatarët e tubuar, ua lidhin duart dhe në të njëjtën kohë, fillojnë rrahjet, maltretimet, fyerjet nga me të ndyrat. Personat e vendosur në xhami, i nxirrnin një nga një, ua lidhnin duart, për t’i dërguar në kasaphanën e përgatitur më parë. Ashtu duarlidhur, i nisën rrugës për te vendi i quajtur; “Stanet e Toçit”.

Te lidhurit arrinin numrin prej; 130-140 personash, të moshave të ndryshme, që nga fëmijët, pleqtë e të tjerë. Ushtarët e brigadës maqedonase, filluan me vrasje të njerëzve, akoma pa arritur në vendin e quajtur “Stanet e Toçit”. Vrasjet filluan në fshat, kur ushtarët vranë plakun Sinan Luçi, të cilin pasi e vrasin atë, ia vënë zjarrin kasollës, duke e djegur edhe atë. Ne pragun e shtëpisë, vriten edhe këta persona: Daut Fera, Zyber Koka, Life Tusha (grua plakë), Minah Shehi dhe një nga lagjia “Lusjani”.

Gjatë përcjelljes së bllacjanëve për te vendi “Stanet e Toçit” u përdoren tortura të papara deri atëhere. Me të arritur në vendin e lartpërmendur, dërgojnë një pjesë të tyre në fshat, kinse për të marrë apo për të dorëzuar armë, kurse pjesën tjetër të fshatarëve, filluan t’i vrasin. Ata merrnin nga tre-kater veta dhe i vendosnin para mitralozit, i cili villte zjarr të pa pushuar. Ploja të gjakut, e përshkuan fushën e lagjes “Toçi”. Dëshmitarët rrëfejnë se, partizanët e Brigadës së 16-të maqedonase, vrisnin këdo që arrinin.

Në këtë vend, mbetën të vdekur, mbi 50 burra bllacjanë. Gjaku i tyre, skuqi tokën arbërore. Për krimin e kryer nga pjesëtarët e kësaj brigade, dëshmojnë edhe varret e tyre, që ndodhen në të majtë të lagjes “Toçi”. Ato tregojnë për këtë ngjarje të kobshme, ku u vranë njerëz të pafajshëm. Këta njerëz, mezi siguronin bukën e gojës për fëmijët e tyre. Megjithatë, jeta e tyre pati një rrjedhë tjetër, të cilën nuk e kishin parashikuar fare.

E gjithë kjo që thamë më lart, tregon se të ekzekutuarit ishin civilë, të paarmatosur, të cilët u morën direkt nga shtëpitë e tyre. Këtë fakt, e forcon e dhëna, se në mesin e tyre, kishte njerëz të shtyrë në moshë, gra të moshuara, që nuk arritën t’u iknin plumbave të ushtarëve. Në librat e amzës, ndërkaq, nuk figurojnë fare emrat e personave të ekzekutuar, që është dhe një fakt tjetër, se si autorët e krimit, deshën ta mbulojnë atë që kishin bërë. Masakra e Bllacës, ka edhe një episod të dytë, që zhvillohet menjëherë, pasi kryhet episodi i parë, në të cilin gjetën vdekjen edhe mbi 50 burra dhe të rinj.

Planet e Brigadës së 16 maqedonase, ishin të përgatitura dhe nuk kishin të ndalur. Me të kryer ekzekutimin e mbi 50 burrave në vendin e quajtur “Stanet e Toçit”, marrin pjesën tjetër të bllacjanëve që e kishin dërguar në fshat, të cilëve ua kishin lidhur duart dhe i nisin rrugës që shkon nga vendi Kodër e Epër.

Para se të arrijnë në ketë vend, vrasin plakun 70-vjeçar, Aziz Doçi, të birin i tij, Rizanë, i cili akoma nuk i kishte mbushur 14 pranvera të plota. Nuk kalon shumë kohë kur një grup “katër anëtarësh”, arrijnë t’i zgjidhin duart dhe ikin nga kolona. Meqë nuk arritën t’i vrisnin të arratisurit, ata nxjerrin tre persona nga kolona dhe i pushkatojnë në vend.

Ky ekzekutim, u bë në shenjë të hakmarrjes, për ata që arritën të shpëtonin. Dëshmitarët rrëfejnë se që nga ky moment, filluan rrahjet, maltretimet, sharjet, për ta arritur kulmin e egërsisë në vendin e quajtur “Dheu i Bardhë”, kur filloi vala e dytë e vrasjes së bllacjanëve. Mllefin e tyre, e zbrazën në këtë vend, që ndodhet në dalje të qytezës Hani Elezit.

Në këtë vend, vrasjet janë bërë gjatë rrugës. Aty ku arrinin, ekzekutonin njerëzit e pafajshëm. Kjo mizori, zgjati një kohë të gjatë, derisa nuk pushuan vrasjet. Te vendi “Uji i Thartë”, u bënë vrasjet e fundit të bllacjanëve. Vrasja është kryer aty nga mbrëmja, kurse brigada kishte vazhduar rrugën për në Kaçanik, duke lënë mbi 50 të vrarë e të masakruar përgjatë rrugës magjistrale, Shkup-Prishtinë.

Vrasjet e bëra nga forcat e Brigadës së 16-të maqedonase, u bënë në emër të likuidimit të forcave të “Ballit Kombëtare”. Nëse mund të jetë pjesëtar i “Ballit”, një fëmijë 14-vjeçar, ose një grua shtatëdhjetëvjeçare dhe pleqtë e moshave të ndryshme, ku shumica e tyre, kishin kaluar të shtatëdhjetat, nuk ka se si të komentohet ndryshe, përveç se si një krim.

Faktet e dhëna në këtë rast, tregojnë qartë për synimet e errëta të krerëve komunistë të asaj kohe. Ata që kryen vrasjen e bllacjanëve më 16 nëntor, u kthyen prapë në vendin e krimit, por në këtë rast, kishin një mision tjetër – fshehjen e krimit. Disa nga bashkëfshatarët dëshmojnë, se persona të panjohur, u kthyen në vendin e ngjarjes dhe rrafshuan varret e të ekzekutuarve.

Dëshira e kryerësve të krimit, ishte që të humben gjurmët. Prandaj ata ndërmorën veprime të shumta, që të pengojnë zbardhjen e fatit të të vrarëve. Këtë gjë, ne mund ta argumentojmë me të dhëna shumë të sakta. Në një libër (tekst), ku përshkruhet historia e veprimit të brigadave maqedonase, në Karadakun e Shkupit, fare nuk përmendet se në rajonin e fshatit Bllacë, janë zhvilluar veprime luftarake. Vetvetiu shtrohet pyetja; si dhe pse u vranë apo vdiqën, këta njerëz?

Si mund të ndodh që për një ditë, të vdesin 111 njerëz?! Mos, vallë, ra ndonjë murtajë, e cila shkaktoi vdekjen e këtyre njerëzve?! Mund të besohet një gjë e tillë, që edhe varrimi i tyre, të bëhej në mënyrë të tillë, në dy vende, që janë larg njëri-tjetrit, disa kilometra. Edhe më e pabesueshme, do të jetë fakti se; ata njerëz, vdiqën në të njëjtën ditë dhe nga e njëjta “sëmundje”.

Për ngjarjet e 16 nëntorit të vitit 1944, kur në Bllacë u vranë 111 veta, do të ketë reagime edhe nga komunistët shqiptarë të Kosovës, siç është rasti i reagimit të komunistes shqiptare Melihate Hoxhiq-Deda. “Të dhënat burimore tregojnë se komandantë të reparteve jugosllave (nënkupto, edhe maqedonase), kishin direktiva të fshehta, që të vrisnin së paku 50 për qind të popullsisë shqiptare.

Kundër një planifikimi të tillë, tmerri reagoi veprimtarja komuniste dhe antifashiste, Melihate Hoxhiç-Deda. Ky reagim, ishte si pasoje e vrasjes së 128 shqiptarëve në Bllacë të Kaçanikut, më 16 dhe 17 nëntor te vitit 1944” (Marrë nga teksti i Dr. Muhamet Pirrakut; “Ripushtimi jugosllav i Kosovës-1945”).

Kjo dhe të gjithë të dhënat të tjera, dëshmitë e personave që i shpëtuan masakrës (28 veta), e bëjnë të qartë vetëm një gjë; se këta njerëz, u vranë nga forcat partizane-çetnike të zonës së Karadakut të Shkupit, nën udhëheqjen e komandantëve të tyre, Dushko Terziovski dhe Nikodin Urdareviq, të cilët në një rast, zhvillojnë një dialog të këtillë: “Druzhe komandante, shta se tiçe meni, dosta si ubio”! (“Shoku komandant, sa më takon mua, mjaft ke vrarë”!), i thotë Nikodini, Dushkos. Ai i përgjigjet kështu: “Sve za tebe sam ubio, bre majku ti jebem”! (Të gjithë për ty i vrava, bre të ****** nënën”). Këta dy, qenë komandantët e forcave ushtarake, të cilat kryen krimin me 16 nëntor.

Nikodini qe udhëheqës i forcave çetnike në Malin e Zi të Shkupit, kurse Dushko, ishte komandant i forcave partizane në këtë rajon. Ky është një fakt tjetër, i bashkëpunimit të forcave partizane dhe çetnike, në rastin e vrasjes se 111 bllacjanëve, me 16 nëntor të vitit 1944 dhe se krimi është bërë nga këta dhe askush tjetër. Dhashë Zoti që të tilla raste mos të ketë më. Memorie.al


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/rreth-130-140-persona-te-moshave-te-ndryshme-qe-nga-femijet-pleqte-e-te-tjere-ushtaret-e-brigades-16-te-partizane-maqedonase-filluan-ti-vrasin-masakra-e-bllaces-e/