Relacioni sekret: “Luan Malltezi i Akademisë Shkencave dhe ambasadori ynë në Austri, kur ishin në Dubrovnik e Beograd, kanë fjetur në hotel me…”/ Ngjarja që alarmoi Komitetin Qendror në ’77-ën

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon dokumente arkivore me siglën “sekret” të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1977, ku ndodhen disa relacione dhe raport-informacione, të Ministrisë së Punëve të Jashtme, që mbajnë firmën e zv/ministrit Ksenofon Nushi, dërguar sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë të aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, ku ai u bën me dije drejtuesve të atij sektori, lidhur me ngjarjen e ndodhur në prillin e vitit 1977, ku një grup studiuesish dhe historianësh të Institutit të Historisë, pranë Akademisë së Shkencave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, si Prof. Selami Pulaha, Zija Shkodra, Luan Malltezi, etj., që kishin shkuar në Prishtinë për kërkime arkivore, gjatë udhëtimit të tyre nëpër disa qytete të Jugosllavisë së asaj kohe, si Zarë dhe Dubrovnik, kishin fjetur në një dhomë hoteli, me pedagogun e Universitetit të Prishtinës, Bedrush Shehu, i cili ishte shoqëruesi i grupit të ardhur nga Shqipëria.

Raport-informacioni i plotë i zv/ministrit Ksenofon Nushi, ku bëhet me dije se për ngjarjen në fjalë, ishte thirrur pranë ministrisë së Punëve të Jashtme, kryetari i grupit, prof. Selami Pulaha, të cilit i’u kërkuan informacione të hollësishme për veprimin e Luan Malltezit, që ishte takuar dhe kishte qëndruar në një dhomë hoteli me Bedrush Shehun, një person që kishte vizituar kohë më parë Shqipërinë, (pasi kishte ardhur për të takuar të afërmit e tij në rrethin e Durrësit, prej nga ishte dhe Luan Malltezi), i’u tërhoq vëmendja “për thyerjen e rregullave të qëndrimit të punonjësve tanë jashtë shtetit”, në raport-informacionin në fjalë, zv/ministri Nushi, u bënte me dije drejtuesve të Sektorit të Jashtëm të Komitetit Qendror të PPSh-së, se përveç Luan Malltezit, e njëjta gjë kishte ndodhur edhe me ambasadorin shqiptar në Austri, Zihni Haskaj, i cili gjatë një vizite pune, që kishte bërë në Jugosllavi në vitin 1973, së bashku me dy kolegët e tij, profesorët Selami Pulaha dhe Kristaq Prifti, ai kishte fjetur në një dhomë hoteli në Beograd, me shtetasin jugosllav. F. Mehdiu.

Si u procedua nga ana e organeve përkatëse të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, për ngjarjet e ndodhura me Prof. Luan Malltezin dhe ambasadorin Zihni Haskaj, cilat ishin shpjegimet e Selami Pulahës që kishte lejuar që njëri prej pjesëtarëve të grupit që ai kryesonte “të flinte për një kohë prej 10-12 ditësh me një të huaj, pa qenë nevoja për një gjë të tillë dhe pa qenë të autorizuar, duke thyer të gjitha rregullat e vigjilencës, si dhe udhëzimet e dhëna para nisjes për marrëdhëniet me Jugosllavët”?!

Dokumenti sekret i hartuar nga zv/ministri i Punëve të Jashtme, Ksenofon Nushi, dërguar Drejtorisë së Jashtme pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me ngjarjen e ndodhur në Jugosllavi, ku studiuesi Luan Malltezi, kishte fjetur në një dhomë hoteli me shtetasin jugosllav, Bedrush Shehu, pedagog në Universitetin e Prishtinës

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME                                                                          SEKRET

DREJTORIA E IV-të                                                                                          Tiranë, më 6/4/1977

Nr. 54

                                     

                                                     KOMITETIT QENDROR TË P.P. të SHQIPËRISË

                                                                     (Drejtorisë së Jashtme)

                            T I R A N Ë

Pas kthimit nga Jugosllavia të grupi të Institutit të Historisë që kishte shkuar atje për kërkime arkivale në Prishtinë, Zarë dhe Dubrovnik, më 8 prill thirrëm në ministri, përgjegjësin e grupit të lartpërmendur, shokun Selami Pulaha, zëvendësdrejtor i Institutit të Historisë dhe i kërkuam shpjegime për të dhënën se, pjesëtari i këtij grupi, Luan Malltezi, gjatë qëndrimit në Jugosllavi, ka fjetur në një dhomë hoteli, bashkë me një shtetas të huaj.

Shoku Selami e pohoi se është e vërtetë e dhëna që Luan Malltezi, gjatë qëndrimit në Zarë dhe në Dubrovnik, ka fjetur në një dhomë me shoqëruesin e grupit, Bedrush Shehu, pedagog në Universitetin e Prishtinës.

I pyetur se si e kanë lejuar një gjë të tillë, kur shumë herë ua janë bërë të qarta rregullat e qëndrimit jashtë shtetit, shoku Selami u përgjigj se, ishte e vështirë për dhoma në hotel, se ndonëse e kanë ngritur problemin, nuk kanë ngulur shumë këmbë, për të mos dalë më shumë pretendime, se hoteli ishte i mbushur me turistë dhe me marinarë të huaj, dhe se në të tilla kushte, e kanë vlerësuar se, më mirë që njëri prej tyre të flinte me Bedrushin, se sa në një dhomë më vete.

Për personin e Bedrushit tha se ka qenë gjithmonë korrekt dhe se nuk ngacmon, se pjesa e lartë e inteligjencës kosovare nuk e do, nga që ai në mjaft raste i kundërshton.

Tha se Bedrushi i ka shoqëruar dhe më parë në të njëjtat vende dhe para disa vjetësh në të njëjtën dhomë me të ka fjetur edhe ish-pjesëtari i grupit, shoku Zihni Haskaj, sot ambasadori ynë në Austri.

Pyetjes se, përse nuk kanë informuar për këtë fakt, ai u përgjigj se nuk e bënë fjalë dhe se këtë e dinë vetëm ata q që kanë qenë atje.

Tha se Bedrushi ka qenë në Shqipëri dhe se në Durrës ka disa të afërm, me të cilët është takuar kur ka qenë këtu. Edhe Luan Malltezi është nga Durrësi.

Shoku Selami, tha se Luani, për fjetjen me Bedrushin, ka informuar shokun Simon Qirici, porsa është kthyer.

Për sa sipër, mendojmë se shokët Selami Pulaha, Luan Malltezi dhe Zija Shkodra të këtij grupi, është vepruar keq, duke lejuar që njëri prej tyre të flejë për një kohë prej 10—12 ditësh me një të huaj, pa qenë nevoja për një gjë të tillë dhe pa qenë të autorizuar, duke thyer të gjitha rregullat e vigjilencës, si dhe udhëzimet e dhëna para nisjes për marrëdhëniet me Jugosllavët.

Çështjen po ja referojmë për ndjekje Akademisë së Shkencave.

 

                            ZËVENDËS MINISTRI

                                 Ksenofon Nushi

Shënim

Shënimet me porositë e dhëna nga titullarët e ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, për verifikimin e ngjarjes ku Zihni Haskaj, kishte fjetur me një shtetas jugosllav në një dhomë hoteli në Beograd

Më datën 6/5/77, ju dha porosi shokut Reis Malile për ta sqaruar çështjen e Zihni Haskaj dhe për të na informuar për përfundimin.

Shokut Peçi dhe Gjylani

Fola me shokun Ksenofon Nushi që të verifikojë ajo që del për shokun Zihni Haskaj.

Ndiqeni këtë çështje në mënyrë që jo vetëm të dimë shkuesin e faktit, por edhe ç’konkluzione nxjerr ministria nga kjo.

Dokumenti me raport-informacionin e zv/ministrit të Punëve të Jashtme, Ksenofon Nushi, dërguar Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me verifikimin e problemit të ambasadorit Zihni Haskaj, i cili u thirr në ministri dhe dha shpjegime lidhur me ngjarjen e vitit 1973, kur ai kishte fjetur në një dhomë hoteli në Beograd, me një shtetas jugosllav

                                                                I N F O R M A C I O N

Lidhur me sa ngrihet për shokun Zihni Haskaj, ambasador në Republikën e Austrisë, se gjatë kohës kur ka qenë me shërbim në Jugosllavi në vitin 1973, në qytetin e Sarajevës ka fjetur në një dhomë me jugosllavin F. Mehdiu, kohët e fundit kur ishte në Tiranë, ju kërkua atij, të jepte për sa sipër, sqarime.

Sipas thënieve të tij, del që është e vërtetë se gjatë kohës që ka qenë me shërbim në vitin 1973 në atë qytet, bashkë me shokët Kristaq Prifti dhe Selami Pulaha, për arsye se nuk kishte vende në hotel, ka fjetur në një dhomë me të lartpërmendurin për 3 – 4 net dhe sa u liruan vende, ai kaloi në një dhomë më vete.

Në informacionin me shkrim që dorëzoi për këtë çështje Zihniu, deklaron se mbi gjendjen dhe sistemimin e tyre në hotel, ata kanë informuar shokët e ambasadës në Beograd, Jorgaq Mihali dhe Bido Mehmeti, kur shkuan i vizituan në Sarajevë.

Në takimin në Ministri, shokut Zihni ju tërhoq vëmendje për shkeljen  e rregullave mbi qëndrimin e punonjësve tanë jashtë shtetit. Memorie.al

Tiranë, më 19 dhjetor 1977

                                   ZËVENDËS MINISTRI

                                      (Ksenofon Nushi)

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/relacioni-sekret-luan-malltezi-i-akademise-shkencave-dhe-ambasadori-yne-ne-austri-kur-ishin-ne-dubrovnik-e-beograd-kane-fjetur-ne-hotel-me-ngjarja-qe-alarmoi-komitetin-q/