“Prokurori Hajredin Fuga, me pretencën ndaj të pandehurit Shtjefën Kurti, harton një akuzë me propagandë bolshevike…”! / Procesi gjyqësor i “Grupit të Gurëzit”, në ’70-ën

NIKOLLË LOKA

Av.ALFDRED DUKA

NIKOLIN KURTI

Pjesa e njëzet e pesë

                                 -VRASJA E PARALAJMËRUAR E NJË KLERIKU RILINDËS –

Memorie.al / Përpara se të fillojmë të analizojmë përciptazi dosjen hetimore e gjyqësore në ngarkim të pandehurit Shtjefën Kurti e të tjerë, për lexuesin do të bëjmë një parantezë të të drejtës dhe historisë se saj në shoqërinë njerëzore, me qëllimin e përqendruar për të ardhur tek e drejta jonë penale e procedurale, që në fillimet e saj dhe përgjatë viteve të diktaturës.

Një vështrim rreth ‘Të Drejtës Penale’ për krimet politike

Pas Luftës së Parë Botërore dolën edhe mjaftë ligje të tjera penale të posaçme, në të cilat vërehen tendenca e përgjithshme në sistemet diktatoriale të komunizmit dhe fashizmit të cilat, parashikonin dënime të rënda, sidomos për vepra penale kundër shtetit, veçanërisht ato të ‘Agjitacionit dhe Propagandës’, vepra të panjohura më parë. Në to u forcuan masat represive, e në radhë të parë për të ashtuquajturat krime politike. Ky proces u zhvillua më shpejt në vendet ku erdhi në fuqi këto sisteme. Krimet politike, zunë vend kryesor në Kodin Penal të BRSS-së, pasojë e të cilit qenë miliona të pushkatuar e internuar.

Edhe në vendin tonë pas instalimit të diktaturës, fillimisht u shfuqizuan ndryshimet që bëri në Kodin Penal të vitit 1928 administrata fashiste, më pas u aplikuan ligjet penale jugosllave dhe pas viteve pesëdhjetë, ato të BRSS-së me Kodet Penale të viteve 1952, dhe 1959, e për të ardhur në Kodin Penal të vitit 1977 dhe të vitit 1981, të cilët ishin kode “Made in Albania” dhe karakterizoheshin posaçërisht nga mohimi total që u bëhej edhe atyre pak të drejta që ruheshin formalisht në kodet e mëparshme. Për të ilustruar çfarë u tha me lart, do të analizojmë metamorfozën që ka pësuar dispozita më e “përdorshme” përgjatë viteve të diktaturës, siç ishte ajo e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor, respektivisht se si ishte e hartuar kjo dispozitë në vitin 1959 dhe në vitin 1977 dhe 1981. Në Kodin Penal të vitit 1952 Neni 73 parashikonte:

Agjitacioni dhe propaganda kundër pushtetit popullor

Agjitacioni dhe propaganda që përmbajnë thirrje për të minuar ose dobësuar pushtetin popullor, si dhe përgatitja, përhapja ose ruajtja për përhapje e shkrimeve me përmbajtje të tillë dënohen: me heqje të lirisë nga tre gjer në dhjetë vjet,me ose pa konfiskim të pasurisë…”!

Kjo dispozitë edhe kështu siç është, vjen në kundërshtim flagrantë me të drejtën e mendimit dhe të fjalës së lirë, për të mos folur këtu për mënyrën e apelimit praktik të saj, pasi janë dënuar me burgime shumë të rënda qindra e mijra vetë, mbi bazën e kësaj dispozite, por duke e shkelur atë si në germë, në fjalë ashtu edhe në frymën e saj, të paktën ashtu siç është hartuar. Përse themi kështu? Nga leximi literal i saj në themel të marrëdhënies juridike të vendosur që e cënon atë është ‘THIRRJA’, si dhe ‘SHKRIMET’ dhe përhapja e tyre me qëllimin e parashikuar, për të ‘MINUAR’ ose ‘DOBËSUAR’ pushtetin popullor, pra jo mendimi, as shfaqja e tij, pra gjithashtu jo bisedat e ndryshme që mund të zhvilloheshin ndërmjet personave, cilat do qofshin ato. Gjithsesi këtu po analizojmë përciptazi përmbajtjen e kësaj dispozite, pasi dihet botërisht se si është aplikuar në praktikë.

Përfundimisht të gjithë personat që janë dënuar për veprën penale të Agjitacioni dhe propaganda kundër pushtetit popullor, deri me miratimin e ligjit Nr. 5591 datë 15.06.1977. të cilët nuk kanë pas bërë thirrje për të minuar ose dobësuar pushtetin popullor, si dhe përgatitja, përhapja ose ruajtja për përhapje e shkrimeve me përmbajtje të tillë, janë dënuar pa ligj, edhe ashtu diktatorial siç ishte.

Diktatura është si ai modeli i prangave, që lëvizja më e vogël, shoqërohet me shtrëngim të tyre. Mekanizmi ishte i njëjtë. Kishte ardhur koha që çmenduritë e bëra konkretisht, duheshin hedhur në një Dokument që do të quhej ‘Kushtetuta e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë’. Nga pikëpamja kushtetuese ishte një marrëzi, por këtu do të përqendrohemi në metamorfozën e Nenit të Agjitacionit, që buroi nga kjo Kushtetutë.

Le të shohim se si “ligjvënësi” e ka ndryshuar dispozitën e mësipërme të Agjitacionit pas njëzetë e pesë vjetësh “Agjitacioni dhe propaganda kundër shtetit” Neni 55 i Kodit Penal të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, hyrë në fuqi më 01.10.1977:

“Agjitacioni dhe propaganda kundër shtetit”, Neni 55 i Kodit Penal

“Agjitacioni dhe propaganda fashiste, antidemokratike, fetare, luftënxitëse, antisocialiste, si dhe përgatitja, mbajtja, ose ruajta për përhapje e literaturës me përmbajtje të tillë, për të dobësuar ose minuar shtetin e diktaturës së proletariatit, dënohet: me heqje të lirisë nga tre gjer në dhjetë vjet…”.

Historiku i të drejtës sonë penale

Kuvendi i Vlorës, i mbledhur më 28 nëntor 1912 ndonëse shpalli Shqipërinë shtet të pavarur, por për arsye të kushteve të brendshme e të jashtme konkrete, historike adaptoi Kodin Penal otoman, i cili mbeti në fuqi deri në vitin 1928. Në vitin 1913 për herë të parë u hartua në Shqipëri ligji mbi ndërtimin gjyqësor i njohur me emrin Kanun i zhurisë, sipas të cilit u krijuan gjyqet e shkallës së parë, ku shqyrtoheshin në përgjithësi çështje civile dhe disa çështje penale.

Kanuni i zhurisë dallonte tre lloje fajesh: fajet e dëmeve (kundra vajtjet), fajet e vështira (delikatet) dhe fajet e dëmtimeve (krimet). Këto krime do të gjykoheshin në bazë të së drejtës zakonore shqiptare.

Gjatë viteve të Luftës Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, vendi ynë u pushtua nga ushtritë greke, serbe, italiane, franceze, austro-hungareze. Si rrjedhim, në çdo zonë të pushtuar nga forcat ushtarake armike vepronte legjislacioni penal i këtij ose atij shteti pushtues. Në kushtet e sundimit të anarkisë politike, të kontradiktave me shtetet e huaj dolën ligje të reja. Më 27 Prill 1920 doli ligja ndëshkimore për faje politike, e cila parashikohet një sërë figurash të krimeve kundër shtetit; agjitacion dhe propagandë, vënia në shërbim të shteteve të huaja, organizimi i bandave të armatosura etj.

Ky ligj u plotësua dhe u ndryshua në vitet e ardhshme. Kështu, me shtojcë ligjin dt. 29.4.1922 u parashikua edhe dënimi me humbjen e të drejtave civile.

Më 21 janar të vitit 1925, Asambleja Kushtetuese shpalli Republikën Shqiptare. Ndër aktet më të rëndësishme ishte Kodi Penal, i aprovuar nga dhomat legjislative më 28.V. 1927, që hyri në fuqi më 1.1.1928.

Kodi Penal i vitit 1928 ndahej në tri pjesë:

Libri i parë me dhjetë tituj parashikon fajet dhe ndëshkimet përgjithësisht (d.m.th pjesën e përgjithshme); libri i dytë me 10 tituj dhe 65 kapituj parashikon deliktet, libri i tretë me 4 tituj dhe 25 kapituj parashikon kontravencionet (kundërvajtjet).

Në pjesën përgjithshme (gjithsej 110 nene), parashikohen parimet e marrjes nën përgjegjësi penale duke shpallur parimin se “Askush nuk mund të ndëshkohet për një vepër që ligja nuk e ka paraparë ekspresisht (shprehimisht) si faj; gjithashtu nuk mund të dënohet me ndëshkime që nuk janë të caktuara në ligje” (n.1)”.

Goditja e parë Kodit Penal të Mbretërisë ju dha me ligjin Nr. 61 datë 17 Maj 1945, mbi abrogimin e legjislacionit të mëparshëm dhe veçanërisht në interpretimin e dhënë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Me Dekretin Nr. 392 datë 25/1/1947. Në ligjin Nr. 61 datë 17/5/1945, shpallej se: “Statutet, ligjet, dekretet-ligjet, rregulloret dhe dekretet e formuluara gjatë kohës së okupacionit italian dhe gjerman abrogoheshin dhe deklaroheshin të paqenë” (neni 1) dhe më poshtë, në nenin 3 thuhej: “Ligjet, dekrete-ligjet, dekretet dhe rregulloret që ishin në fuqi në Shqipëri para datës 7 prill 1939, mbetën të vlefshme edhe për kohën e ardhshme…”!

Në Dekretin e Presidiumit të Kuvendit Popullor Nr. 392 datë 25.1.1947 mbi interpretimin autentik të nenit 3 të ligjit Nr. 1 datë 17 maj 1945 thuhet se dispozitat e mëparshme vlejnë si rregulla juridike, por jo si dispozita në fuqi, kur nuk vijnë në kundërshtim me frymën e re  demokratike dhe aktet ligjore të pushtetit popullor.

Kështu që edhe në qoftë se dispozitat e Kodit Penal të vitit 1928 vepronin përkohësisht, për disa krime, ato patën vlerën e rregullave juridike që në çdo rast interpretoheshin e zbatoheshin në pajtim me politikën e diktaturës. Më 1952-in, kemi Kodin e parë Penal të diktaturës, Aprovuar nga Kuvendi Popullor i Republikës se Shqipërisë me ligjin 1470 datë 23 Maj 1952, i cili u pasua me ndryshimet e bëra me Dekretin 2477 datë 03.06.1957 dhe me ligjin Nr. 2804 datë 04.12.1958, botuar në 1959, të cilët ishin një kopje e Kodit Penal të BRSS me ndryshime të vogla dhe të parëndësishme. Ky Kod, ka qenë në fuqi deri më 1979 me miratimin e kodit të ri me ligjin Nr. 6069 datë 25.12.1979.

Duke pasur parasysh se shkeljet e të drejtave të njeriut, diktatura i realizonte sidomos pas arrestimit dhe gjatë fazës se hetimit, respektivisht me ushtrimin e dhunës brenda ambienteve të paraburgimit, do të shohim se si ishte e organizuar përgjithësisht hetimi gjatë atyre viteve. Organizimi i hetimit deri në vitin 1973, në Republikën Popullore të Shqipërisë, ishte e ndarë në katër lloj hetuesish, respektivisht; Hetuesia e Sigurimit të Shtetit, Hetuesia e Policisë, Hetuesia e Prokurorisë dhe Hetuesia Ushtarake. Hetuesia e Sigurimit të Shtetit, hetonte krimet kundër shtetit, nga agjitacioni, deri tek sabotimi dhe tradhtia ndaj atdheut. Pasi Sigurimi e ndiqte personin ose personat, për të dokumentuar veprimtarinë e tij ose të atyre, ndjekje e cila vazhdonte deri më vite, ja përcillte dosjen hetuesit, i cili përpilonte një relacion, të cilin ja dërgonte Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme, Prokurorit të Rrethit dhe Ministrit të Brendshëm.

Pas vlerësimit të dosjes së gjurmimit, ndërmerreshin, hapa të tjerë për arrestimin, hetimin ku kryheshin ballafaqimi i materialeve që ndodheshin në dosje, me të pandehurin. I merreshin deklarime, ballafaqime si dhe kryheshin veprime të tjera hetimore. Pas hetimeve që mund të zgjasnin më shumë se një vit, çështja çohej në gjyq. Akuzën në gjykatë e mbronte prokurori i rrethit. Të pandehurit ftoheshin për të mbajtur qëndrimet e tyre rreth akuzës. I pandehuri duhej të pranonte përpara gjykatës deklarimet që kishte firmosur gjatë hetuesisë, pavarësisht mënyrës apo formës që i ishin marrë ato deklarime. Në rastet kur i pandehuri, i kundërshtonte ato, atëherë prokurori që mbronte akuzën në gjyq, kishte të drejte t’i kërkonte gjykatës për ta kthyer të pandehurin përsëri në hetime intensive, ashtu siç quheshin, të cilat pre supozonin hetime të shoqëruara me dhunë, deri në mposhtjen e të pandehurit, pastaj rikthehej përsëri në gjyq.

Vlen të theksohet se të gjitha veprimet në hetuesi edhe përpara vitit 1967, kur me dekret u hoq si shërbim, avokati nuk lejohej të merrte pjesë në hetime, pra në këtë mënyrë i pandehuri ishte krejt i pambrojtur dhe plotësisht në dorë dhe diskrecion të hetuesit, të cilët përgjithësisht silleshin si në Mesjetë, me të pandehurit.

Vlen të theksohet se me instalimin e diktaturës në vendin tonë, të drejtat reale të shtetasve të R. Shqipërisë erdhën duke u kufizuar deri në të drejtat që kishte personi në Mesjetë, pavarësisht një koperture që ruhej nga ana formale në ligjet penale e procedurale, të drejta të cilat në praktikë nuk zbatoheshin edhe ashtu të cunguara siç ishin të parashikuara në ligjet respektive. Trajtimi i të paraburgosurve nuk ndryshonte me atë të Mesjetës, pasi ndaj tyre ushtrohej dhunë e pandërprerë si psikologjike ashtu edhe fizike, me anë të asaj që quhej “hetime intensive”. Me “hetime intensive”, kuptojmë detyrimin e të paraburgosurit me anë të dhunës psikologjike dhe fizike deri në mposhtjen e tij, në kuptimin e marrjes së firmës së të paraburgosurit për “krimin” që pretendohej se ai kishte kryer, pavarësisht nëse ishte ai autori ose jo.

Praktikisht ndjekja nga organet e Sigurimit rezultonte me grumbullimin e disa të dhënave të siguruara në rrugë operative me anë të ndjekjes së tij dhe kthimin e tyre në “prova” me anë të nënshkrimit të tyre në hetuesi. Nëse i paraburgosuri i kundërshtonte ato, atëherë ai i nënshtrohej dhunës deri në firmosjen e Akteve që i paraqiste hetuesi, të cilat përbënin “provë”, në ngarkim të tij pas nënshkrimit të tyre. Duke qenë se sistemi i hetimit ishte i shpallur sistem “Inkuizitor”, shteti i lejonte vetes të drejtën e ushtrimit të dhunës deri në nënshtrimin e shtetasit të paraburgosur. Në rast se i paraburgosuri pas përfundimit të hetimeve, në gjyq i kundërshtonte, atëherë siç shpjeguam, më lart ai rikthehej në hetuesi dhe dhuna ishte mjeti i vetëm për ta detyruar të pranonte ato që i viheshin përpara nga hetuesi.

Shoku Enver na mëson se: “Rruga e ndjekur nga populli e Partia për ndërtimin e socializmit, nuk ka qenë aspak një shesh me lule. Ajo ka qenë një rrugë e vështirë, por e lavdishme, që ka kërkuar tërë talentin, tërë guximin e heroizmin, të gjitha forcat dhe këmbënguljen e popullit dhe të Partisë sonë të punës… gjithë kjo rrugë u përshkua në kushtet e një lufte të ashpër klasash, nën sulmet e tërbuara dhe komplotet e armiqve të brendshëm e të jashtëm. Partia e pushteti ynë, me përkrahjen e mbarë popullit, shpartalluan e likuiduan njëri pas tjetrit planet agresive dhe provokacionet e imperialisteve anglo-amerikane, grupe spiunësh dhe sabotatorësh, oportunistët e ndryshëm, që paraqiten ta çonin vendin në rrugën e zhvillimit borgjez dhe në vartësinë e kapitalit të huaj, komplotet e titisteve e të Koçi Xoxës për të nënshtruar Partinë e për ta bërë Shqipërinë Republikë të 7 të Jugosllavisë, provokacionet e monarko-fashistëve Greke të Gushtit 1949, diversantët e panumërt që hidheshin në vendin tonë nga deti, toka e ajri”.

Kështu e nis Pretencën (faqe 196) të dosjes gjyqësore për të pandehurit Shtjefën Kurti etj, Prokurori Hajredin Fuga, që paradoksalisht e mbyll karrierën e tij si anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës Popullore të Shqipërisë.

Prokurori Hajredin Fuga, me Pretencën e tij e datës 28.07.1971, ndaj të pandehurve Shtjefën Kurti, Mark Marku, Agostin Preçi Pjetër Biba, Zef Nishi dhe Fran Noci për krimet e parashikuara nga nenet 72 dhe 73/1 të K. Penal të kohës, harton një akuzë, e cila nuk ka asgjë juridike e ligjore, por vetëm propagandë bolshevike. Pretenca që do ta analizojmë më poshtë është e pashembullt, e paskrupullt, e pabazuar as në ligjet e kohës, as në faktet që ka servirur Sigurimi i Shtetit. Fund e krye kontradiktore, një rrëmujë informacionesh të grumbulluara përgjatë gjurmimit të tyre disa vjeçare. Është një montazh copërash dhe faktesh të pa montueshme, të sjella në formën e një Pretence, e qepur me pe të bardhë.

Nga analizimi ligjor i ligjeve të kohës, si dhe i fakteve që janë të grumbulluara në dosje, rezulton se Shtjefën Kurti, ka konsumuar vetëm veprën penale të Agjitacionit dhe Propagandës, të cilën edhe e ka pranuar. Gjithçka tjetër, është e sajuar dhe aspak e bazuar në fatet dhe ligjet procedurale e penale të kohës. Çdo jurist me formim minimal, ndjehet i fyer kur shfleton dosjen konkrete, pasi prokuroria, gjykata e shkallës së parë Krujë dhe për më tepër Gjykata e Lartë, mbajnë qëndrime më të ashpra se vetë Sigurimi i Shtetit!

Gjithçka që është grumbulluar dhe administruar në dosjen që nga Informacioni i datës 01.01.1964 e deri në Vendimin përfundimtare dhënë nga Gjykata e Lartë, nuk provon asnjë element të sabotimit. Nuk provohet në asnjë prej mënyrave dhe formave të anës objektive që kërkon ligji penal e procedural, kërkon për të pasë të konsumuar atë vepër penale, por Sabotimi i duhet prokurorisë dhe gjykatave për ta çuar në pushkatim të pandehurin Shtjefën Kurti, siç rezulton, të porositur nga Partia. Memorie.al

                                                                        Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/prokurori-hajredin-fuga-me-pretencen-ndaj-te-pandehurit-shtjefen-kurti-e-disa-bashkefshatareve-te-tij-harton-nje-akuze-me-propagande-bolshevike-procesi-gjyqesor-i/