“Prej biografisë, nuk më pranuan te ‘Partizani’ edhe pse më donte ministri Beqir Balluku, por më çuan në Lushnje, duke më shkëmbyer me…”/ Dëshmitë e rralla të legjendës së futbollit shqiptar

Nga Uvil Zajmi

Pjesa e parë

Memorie.al / “Në jetë dhe në fushë kam qenë gjithmonë i dyzuar… i përbërë nga dy njerëz bashkë, ai dhe unë e dikush tjetër jashtë e larg meje. Dhe, secili nga ne, ka bërë jetën e vet veç e veç, por vuajtjet i kemi hequr bashkë, unë të atij dhe ai të miat. Jeta më ka lëkundur midis hijes dhe dritës, shpresës dhe mungesës së saj…”, shprehet Mexhit Haxhiu.  Një histori e rrallë për një ndër lojtarët e shquar të futbollit kombëtar, Mexhit Haxhiu. Vështirësitë e jetës, ndëshkimi i padrejtë, karriera me “Flamurtari”-n dhe “Partizani”-n, e deri te takimi pas gjysmë shekulli me babanë e arratisur. Çfarë bën sot ai që luajti një futboll të censuruar, gjithmonë i survejuar, ndonëse ishte ndër talentet e spikatura të kohës, por i listave të ndaluara? Ku dhe si jeton golashënuesi, mjeshtri i gjuajtjeve, i marrë tri herë ushtar te Partizani dhe transferimi në Lushnje për ta shkëmbyer me një agronom? Si dhe pse e goditi Revolucioni Kulturalo-Kinez Haxhiun, përjashtimi nga futbolli pas rikthimit në Vlorë dhe kur e kërcënonin të mos i shënonte gol Dinamos?

Futboll tek “Uji i Ftohtë”…!

Futboll zbathur në xhade, në rërën e plazhit, qymyr, zhavorr, duke pirë ujë te pusi i Xha Brahimit, për të shuar etjen, atje te fusha e parë e Rrapit të Ferrit tek “Uji i Ftohtë”…! Madje dhe në rolin e portierit ka luajtur në fillimet e tij…! Një top i vogël llastiku i blerë nga e ëma, pastaj me Qerimin, Nexhmiun, Xhevitin, Hasanin, Baçin, skuadra e “Rrapit” u shpall kampione e lagjes “Uji i Ftohtë”. Ai ishte vetëm 10 vjeç, por kapiteni i saj. I vogël në shtat, në moshën 15-vjeçare, mjekët e qytetit e ndaluan të luante, pasi dyshonin për një anomali kardiake.

Në vështirësi ekonomike, trajnerët i jepnin një tallon për ushqim më tepër, pasi nga katër pjesëtarë të familjes, jetonin me një rrogë të nënës, si punëtore në punë të rëndë. Shquhej pasi kishte zotërim të mirë të topit dhe ishte mjaft teknik. Pastaj aktiviteti me shkollat dhe Spartakiada Kombëtare në Durrës me pionierët. Përfaqësonte Vlorën edhe në basketboll e not në 50 m. stil i lire, në kampionatet e moshave në Currila të Durrësit. Aktivizohet me skuadrën e gjimnazit “Ali Demi” në aktivitetin lokal të shkollave të mesme, shpallet kampion dhe si shpërblim, i japin një shumë prej 300 lekësh (të vjetra).

Me të rinjtë, zbulohet si talent, vetëm 175 cm. i gjatë

Prezantimin e parë Mexhit Haxhiu e ka në vitin 1959. Është muaji dhjetor, ndërsa aktivizohet me skuadrën e të rinjve të “Flamurtari”-t që stërvitej nga Vasil Ndini, bashkë me Saraçin, Thomain, Zeqirin, Dhëmbin, Davidin, Sulon, etj. Asokohe luanin në ndeshjet e të rinjve me ekipin e parë që zhvilloheshin çdo të enjte para publikut. Mars i vitit 1960, fillon kampionati i të rinjve, dhe në fushën e vjetër “Flamurtari” (stadiumi ishte në ndërtim), luan kundër “17 Nëntorit B” të Xhavit Demnerit.

Mexhiti u aktivizua vetëm 45 minuta dhe “Flamurtari” fitoi 1-0. Tërheq vëmendjen e trajnerit Isuf Pelinku, i cili, edhe pse është kontingjent i rinjve, e merr me ekipin e parë për takime miqësore, ato të kupave të gazetave etj. Pa mbushur 17 vjeç, e grumbullon me “Flamurtari”-n për dy takime miqësore ndërkombëtare, që do luhen në Vlorë. Me ëndrrën për t’u bërë si Loro Boriçi dhe braziliani Edosn Pele, me numrin 9 në fanellë, shënon gola me të rinjtë, luan mirë, tashmë ai është lojtar premtues. Në vitin 1961, në takimin e tij të parë me skuadrën e “Flamurtari”-t në Tiranë, ndaj “17 Nëntorit”, ka një ngjarje të rrallë, pasi një eklips diellor ndërpret takimin.

Ndëshkimi nga mësuesi i matematikës…!

Mexhiti ka qenë me prirje në matematikë, por: “Mësuesi i kësaj lënde, Janaq Syko, pasi pyeti ‘kush është ky?’, rrudhi vetullat dhe më uli në vend, sikur të isha fajtor dhe për çdo gjë që ndodhte, më thërriste në drejtori duke më kërcënuar: ‘E dimë kush je ti, ku e ke babanë…”, kujton Haxhiu. Ishte ky mësues, më pas instruktor në Komitetin e Partisë, që nuk i’u nda kur shoqëronte skuadrën e kur filloi karrierën si trajner. Edhe pse nxënës i mirë, asnjëherë në tabelën e nderit dhe, për arsye politike, të afërm i kthyen kurrizin, madje familjarisht nuk e lejonin as të merrte pjesë në festat e vitit të ri, as në organizatën e rinisë, as në mbledhjet e lagjes.

Pasi përfundoi të mesmen, për dy vjet nuk i dhanë as të drejtën për shkollë të lartë e as për punë! Në një situatë të rëndë ekonomike në familje, i del përpara Manush Myftiut, gjatë një vizite në Vlorë, dhe i kërkon arsimim e punë. Pasi informohet për babanë, ai nuk i kthen përgjigje. Pastaj, kërkesa për punë që i drejton Sekretarit të Parë të Partisë së Vlorës, por edhe nga ai merr përgjigje negative. “Do të ishte Isuf Pelingu, trajner i skuadrës, që bashkë me prokurorin e rrethit, Enver Ickën, që më siguruan punësim”, kujton Haxhiu.

Thirret “gabimisht ushtar”…!

Sezoni futbollistik 1961-’62, luan në kampionat, në Kupën e 50-vjetorit të Pavarësisë me “Flamurtari”-n. Në verën e vitit 1963, kur emri i tij lakohej si një talent, në Vlorë shkojnë Besim Fagu dhe Loro Boriçi, të cilët, edhe pse Mexhit Haxhiu është i ri, e mobilizojnë të kryejë shërbimin ushtarak me “Partizani”-n. “As nuk e kisha menduar, – rrëfen Haxhiu, – pasi ai ishte një klub ushtarak, dilte jashtë shtetit, çka kërkonte garanci politike, por në shtëpi më kishte ardhur fletë-thirrja dhe isha caktuar në repartin ushtarak 5310, atë të punës në Tiranë”, kujton Mexhiti.

Skuadra ishte grumbulluar te “Plepat” në Durrës për ndeshjen e Kupës së Kampioneve, por ndonëse kishte vetëm një javë stërvitje me “Partizani”-n, komisari i klubit, e thërret dhe i komunikon se ishte “marrë gabim ushtar”, duke e çmobilizuar. Letra për biografinë e tij nga Vlora, pastaj urdhra që të mos luante me klub ushtarak, i kishin detyruar drejtuesit e klubit të “Partizani”-t, që të ndryshonin qëndrim. Kthehet në Vlorë, qëndron gati 1 muaj dhe sërish ushtar.

Te “Partizani”, për herë të dytë

Pas një eksperience njëjavore, nuk kalon as edhe një muaj, Mexhitin e thërrasin sërish ushtar. Muaji gusht, shkon në Korçë, ku “Partizani” ishte i grumbulluar. I panjohur për opinionin, ngjall interes aktivizimi i tij për mjedisin sportiv dhe shpejt u informua se vlonjati Haxhiu, kishte ardhur përsëri te “Partizani”. Fillon kampionati 1963-’64, janë disa ndeshje miqësore ndaj “17 Nëntorit” e “Traktori”-t të Lushnjes, ndërsa trajner Boriçi e ka caktuar në formacion, vjen urdhri për ta zëvendësuar, ndonëse edhe përpjekjet e Besim Fagut si shef i klubit, ishin të mëdha për ta futur në lojë.

E këshillonin të bënte nxehjen në korridorin e stadiumit me çorape e me fanellën e një tjetri, për ta futur në lojë pa u njohur nga urdhëruesit. Boriçi ka qenë ai që i ka vuajtur më shumë situatat që ishin krijuar rreth tij, duke hezituar t’i thoshte Haxhiut të mos zhvishej, pasi po zhvishej dikush tjetër. Ai e aktivizonte sistematikisht në ndeshje miqësore, gjatë përgatitjeve në Korçë e Pogradec, por nuk luajti kundër “Spartakut” të Plovdidit në Kupën e Kampioneve më 1963-in, as edhe në Kampionatin e Ushtrive të vendeve Socialiste në Hanoi, ndonëse kishte bërë fotot, marrë masën e kostumit, numrin e këpucëve, madje kishte bërë edhe vaksinat.

Luan një ditë para nisjes, ndaj ekipit “Skënderbeu” të Korçës. Nga kupola e partisë së ushtrisë, ishte dhënë urdhri i prerë që të mos shkonte ai dhe Teodor Vaso, duke i sugjeruar të strehoheshin tek të afërm në Tiranë, e të mos dukeshin në Klubin Sportiv, deri sa skuadra të kthehej nga Vietnami. Dy muaj stërvitje në vetmi, pa asnjë trajtim, madje natën e Vitit të Ri bashkë me Vason, e festojnë me një “hallvë e ingranazh”.

Në Lushnjë, shkëmbimi me një agronom…!

Duke parë se e ka të vështirë qëndrimin te “Partizani”, i kërkon Besim Fagut, ta transferojnë në ekip rrethesh. Në shkurt 1964, e nisin në Gjirokastër, por e ndalojnë në Lushnjë, në repartin e punës në fshatin Dushk, duke e njoftuar se e kishin “shkëmbyer” me një agronom, ndonëse drejtuesit e partisë, kërkojnë ta marrin në Vlorë. “Luaj vetëm një miqësore “Traktori” – “Besa”, kur një urdhër nga Ministria e Mbrojtjes, njoftonte se do të kaloja sërish te “Partizani”, kujton Mexhiti peripecitë e para të tij, për shkak të “biografisë së keqe”.

Ndërkohë, luan si organizator me “Partizani”-n e sapo kthyer nga Hanoi, në Kupën e Republikës, realizon gola, kur vjen urdhri tjetër: Transferim në Vlorë, sërish biografia bëhet shkak, madje duke e zbritur nga autobusi i “Partizani”-t që ishte bërë gati për t’u nisur për në Gjirokastër. Ndërkohë, aktivizimin e tij me “Flamurtari”-n nuk e lejonte rregullorja e FSHF-së, por në Vlorë, shkon për vizitë një delegacion sportiv kinez dhe një “revoltë” e disa tifozëve, u bënë shkak që kinezët të pyesin, çka i detyroi drejtuesit, që për studentë e ushtarët, të lejohej aktivizimi dhe ai rivesh sërish fanellën e “Flamurtari”-t.

Në prill ’64, realizon dy gola në fitoren kundër “Tomorrit” të Beratit në Vlorë dhe në muajin maj, me një gol spektakolar në barazimin 1-1 me “17 Nëntorin”, e mbyll atë sezon futbollistik. “Vendi i pestë në renditje, por edhe aty nuk vazhdova gjatë, vetëm pesë muaj, pasi “Partizani” më thërret, tashmë për të tretën herë”, rrëfen Mexhiti.

Nën vëzhgimin e Beqir Ballukut e Petrit Dumes

Shkak për transferimin e tretë të tij, u bë një turne në pranverën e vitit 1964, kur në Tiranë organizohej Kampionati i Korpuseve Ushtarake, ndeshjet e të cilit ishin të vështira, impenjative, pasi në përbërjen e atyre skuadrave, kishte lojtarët cilësorë që ishin aktivë edhe në klubet kryesore. Haxhiu ishte titullar i “Granitit” (Ekipit të Artilerisë të Flotës Bregdetare), një ndër skuadrat më të mira të turneut. Shënonte gola, ishte protagonist dhe ndeshjet ndiqeshin nga shumë ushtarakë, ndër të cilët edhe nga ministri i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku e shefi i Shtabit, Petrit Dume, etj. Me rastin e festës së ushtrisë, më 10 Korrik 1964, skuadra e garnizonit të Vlorës ku luan edhe Haxhiu, mund thellë 6-2 “Flamurtari”-n, me katër gola të tij.

Transferimi i tretë

Midis polemikave, preferencave të gjeneralëve për të qenë lojtar i Klubit “Partizani”, largimeve dhe afrimeve, pasi e kanë parë në turneun ushtarak, lind ideja që ai të vijë sërish te “Partizani”. Në prag të sezonit 1964-’65, “Flamurtari” fiton Kupën e Gazetës “Bashkimi” dhe ndeshjen e parë të kampionatit, luan në Korçë ndaj “Skënderbeut” vendas. Para takimit në hotel, një garnizon ushtarak i kërkon klubit që Haxhiu të mos aktivizohet. Por, drejtuesit vlonjatë, që nuk donin largimin e tij, kanë përdorur dredhinë, duke paraqitur një tjetër futbollist te garnizoni, me premtimin se nuk do ta aktivizojnë.

Pas kthimit nga Korça dhe kur e kanë parë se ka luajtur, një patrullë ushtarake, e ka pritur para shtëpisë, duke i komunikuar se ka thyer urdhrin e ministrit të Mbrojtjes Popullore, pasi nuk duhet të luante në Korçë, sepse “Partizani”, e kishte projektuar në formacion kundër ‘Futboll Club’ Këlnit, në Kupën e Kampioneve të Europës. Ndonëse faji ishte i atyre që e urdhëruan dhe jo i Haxhiut, (që nuk e dinte asgjë), duke qenë se ishte ende ushtar, ndaj tij u ushtruan sanksione, së pari mos aktivizimin e tij me “Flamurtari”-n, as në stërvitje dhe as leje për të dalë nga reparti. Qëndron në Vlorë deri në dhjetorin e 1964-ës, luan disa takime ndër të cilat një pjesë loje në Durrës ndaj “Lokomotivës”, (ku e dërgojnë me një veturë), kur në fund të vitit, transferohet për të tretën herë te “Partizani”, me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, gjeneral-leitnant Beqir Balluku, por aktivizimi i vonuar i tij. starton në mars të ’65-ës ndaj “Vllaznisë” së Shkodrës.

Me “Partizanin” Mexhiti luan deri në shtatorin e vitit 1966 dhe ka qenë trajneri Rexhep Spahiu, që me nuhatjen profesionale e ka vendosur si mesfushor qendre, po kështu edhe në kombëtare, ndonëse me “Flamurtari”-n luante sulmues i majtë, i avancuar. Haxhiu ishte një organizator i mirë, kishte intuitën i një sulmuesi, sidomos në goditjet e dënimit, apo ato nga distanca. Te “Partizani” bashkohet me Mikel Jankun, Fatbardh Deliallisin, Miço Ndinin, Gani Merjen, Iljza Dingun, F. Jorgaqin, S. Gjikën, M. Gjikën, Frashërin, M. Karriqin, Osman Memën, Millan Vason, Ramazan Rragamin, Foto Andonin, Saba Bizin, Zahon, Tomorr Shehun, E. Gjocin, Agim Dizdarin, Sinjarin, Robert Jasharin, Lin Shllakun, e në veçanti me Panajot Panon.

Në formacion nga anketimi, por edhe i survejuar

Në tetor të vitit 1964, Haxhiu shënon gol në një miqësore kundër Algjerisë, pas një asisti të Panos dhe ndonëse i vlerësuar nga trajneri Zyber Konçi, nuk e grumbullojnë për ndeshjen e radhës ndaj Holandës në Tiranë dhe asaj në Irlandë. I ardhur në Konvaleshencën e Ushtrisë për të njoftuar se kush do të udhëtonte drejt Irlandës së Veriut, kur e ka parë se nuk ishte në listë, Haxhiu i ka dalë para veturës së një udhëheqësi të lartë, duke i kërkuar motivin, por… “Të kesh besim te Partia”, ishte përgjigjja e tij.

Ndërkohë, në prag të sfidës ndërkombëtare për kualifikueset e Botërorit “Angli ’66”, gazeta “Sporti Popullor”, shpall një anketim lidhur me formacionin e ekipit kombëtar, për ndeshjen e 11 prillit ndaj Zvicrës në Tiranë: Mikel Janku, Fatbardh Deliallisi, Skënder Halili, Fatmir Frashëri, Ali Mema, Mexhit Haxhiu, Lin Shllaku, Vorfi, Mehdi Bushati, Panajot Pano e Niko Xhaçka, janë ata që luajnë në “Qemal Stafa”. Aktivizohet me ekipin ‘Shpresa’ në një miqësore në majin e ’65-ës kundër Kubës dhe sërish në formacionin e kombëtares, në takimin e paharruar Shqipëri-Irlanda e Veriut, në barazimin historik 1-1, ndaj Xhorxh Bestit të famshëm.

Në pranverën e vitit 1966, “Partizani” është caktuar të luajë në Kupën Ballkanike dhe tre takimet e para do t’i zhvillojë në Varna të Bullgarisë, me ‘Çerno-Moren’, ndaj ‘UTAH’ të Aradit në Rumani dhe me ‘Fenerbahçen’ në Stamboll. Para nisjes, një takim i Petrit Dumes me lojtarë e drejtues, duke i shtrënguar dorën edhe Haxhiut, për t’i treguar se edhe ai do të udhëtonte me skuadrën. Por, Sigurimi i Shtetit kishte ngarkuar një nga futbollistët, madje shokun e tij të ngushtë, që ta vëzhgonte, i cili, sapo mbërritën në Varna, i vrarë nga ndërgjegjja, iu shfaq duke e këshilluar: “Më kanë porositur të ruaj ty, mos flit për asgjë”!

Trajektorja banane, gola dhe emocione…!

Goditjen e tij e kanë quajtur “gjuajtje leopard”, “ultrapotente”, ndërsa atë mbi mur: “trajektorja banane”, pasi të tillë e ka pasur. Ka shumë gola të realizuar gjatë karrierës së tij, në betejën për golashënues me Panon, Pilikën, Zhegën, Jasharin, Bushatin, Çeçon, Hykën, Përnaskën, Bizin, Kallucin etj. Kujton se golin e fundit me “Partizani”-n, e ka shënuar në miqësore ndaj “Dinamos”, me kokë nga 16 metra në shtator të ’66-ës.

Pastaj pesë penalltitë realizuar në Spartakiadën Kombëtare ndaj “Vllaznisë”, por rekordin nga pika e bardhë, e ka kur nga 12 penalltitë e goditura ndaj “Besëlidhjes” së Lezhës për Kupën e Republikës, (luajtur në Vlorë më 1970), humbi 2 dhe u kualifikuan miqtë, që realizuan një më shumë. Pastaj takimi në Shkodër, më 15 tetor 1972: Ka barazuar në 1-1 pas avantazhit shkodran, të cilët e thellojnë rezultatin në 3-1, kur mbyllen 45 minutat e para. Pastaj 4-1 dhe 5-1, aq sa në stadium nuk kishin numra për tabelën e golave, nëse do të ishte një goleadë. Por një gol i Haxhiut dhe një tjetër i Spiro Çurit, me asist të Haxhiut, ngushtojnë në 5-3.

Janë minutat e fundit, kur Haxhiu ka goditur befasishëm nga një distancë e largët, gati 40 metra dhe gol në portën nga qyteti. Ka ankth në minutat e mbetura dhe përfundimisht 5-4 për “Vllazninë”, ku nuk mungojnë duartrokitjet e tifozëve shkodranë për mjeshtrin vlonjat. Por në Shkodër e ka edhe golin në majin e ’76-ës, nga të fundit në karrierë. Pastaj në kampionat, kujton atë kundër “17 Nëntorit” ku “Partizani” fiton 2-0, me gola të Haxhiut, që realizon fluturimthi dhe një tjetër të Panos.

Ditën kur u “shemb” stadiumi në Vlorë…!

Sezoni futbollistik 1965-‘66 do të startojë me trajner Xhep Spahiun, në vend të Loro Boriçit. Janë takime miqësore dhe pas një humbjeje në Kavajë 0-3 me “Besën”, të nervozuar nga disfata, drejtuesit e lartë të dikasterit të Mbrojtjes, urdhëruan dërgimin në repartin e punës në kodrat e Kasharit për të hapur tunele, disa futbollistë si dënim, ndër të cilët Haxhiun, Teodor Vason, Zan Rragamin, Rrem Karriqin e Qoljen. Vetëm një javë punë, për t’u rikthyer të lodhur në Klub dhe rifilluar stërvitjen.

E fillon sezonin me gol ndaj “Dinamo”-s në miqësore, që vijon me të njëjtin rezultat 1-0 ndaj “Lokomotivës” së Durrësit, sërish me Haxhiun shënues. Në “Qemal Stafa”, do të luhet “Partizani” – “17 Nëntori”, është takimi që njihet si “shembja” e stadiumit. “Partizani” kryeson me 12 pikë të plota në 6 ndeshje, ndërsa tiranasit kanë 10. Në një atmosferë të pa jetuar më parë, Qolja realizon në minutën e 7-të nga porta e qytetit, duke befasuar të gjithë.

Me fillimin e pjesës së dytë, është dëgjuar një ulërimë tronditëse e madhe: “Asgjë nuk kuptuam çfarë kishte ndodhur, – kujton Haxhiu, – kur tifozët shpërthyen rrethimin e brendshëm dhe u hodhën në fushën e lojës dhe ndeshja ndaloi. Pastaj u informuam se ishin shembur portativet e tribunës përballë, që për fat nuk shkaktuan viktima. Loja rifilloi pas 20 minutash dhe me Gim Jankun, heroin e takimit, “Partizani” fitoi 1-0”. Memorie.al

                                                 Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/prej-biografise-nuk-me-pranuan-te-partizani-edhe-pse-me-donte-ministri-beqir-balluku-por-me-cuan-ne-lushnje-duke-me-shkembyer-me-deshmite-e-rralla-te-legjend/