“Piktorit që u dënua me 18 vjet, i akuzuar se 13 dhitë që kishte vizatuar, ishin anëtarët e Byrosë Politike, i’a sharruan trupin në telat e burgut të Spaçit…”/ Historia e panjohur e Agim H

Nga Marçel Hila

Memorie.al/ – Hë mo, e ke caktuar atë që do të arrestonet?

– Po, po.

– Kush është?

– Një piktor – i’u përgjigj oficeri i Sigurimit Zigur M., kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të qytetit N. Fiçorr Brataj.

– Pse vendose për të?

– Është i duhuri?

– Piktor?

– Së pari, më thanë se flet kundër, pastaj, se pëlqen modat e huaja në art … Ishte në përpunim 2/B.

– Ahha, mirë, mirë, po pse nuk zgjodhe një muzikant a shkrimtar?

– Se këtij ia kam gjetur akuzën lehtë.

– Çfarë…?! – pyeti me kureshtje eprori i frikshëm.

– Pyeta se kush mund të ishte më i përshtatshmi…?

– Po, – tregoi interesim përsëri kryetari.

– Më thanë se është e lehtë fare akuza për të, është e dallueshme, sa për ta arrestuar, se pastaj shtojmë ç’të duam

– Ashtu?

– Ç’akuzë?

– Ky ka bërë një pikturë në sallën e turizmit, me male e fusha …

– Edhe?

– Ka tek ajo piktura disa dhi.

– Dhi?

– Po dhi, janë trembëdhjetë.

– E çfarë do të thotë kjo?

– Kjo na e bën të lehtë ta zëmë në lak, sepse do t’i themi se ke dashur të bësh gjoja Byronë Politike si të ishte një kope me dhi …!

– A thua? Shkon kjo? Besohet?

– Do të ngul këmbë te fakti se ka bërë 13 dhi, do të ndaloj tek numri dhe pastaj del vetë se…!

– Se çfarë?

– Se ka dashur të bëjë anëtarët e Byrosë Politike, t’poshtërojë.

– Ashtu? – mori të qeshte ithët kryetari – Vlen kjo? Mendon ti?

– Ku ka këtu! Ma tha informatori imi, ma ka shtënë në mendje. Punon në turizmin e qytetit. Ka mundësi se ka thënë ndonjë ironi ky kur pikturonte dhe e ka dëgjuar ai. Ka folur diçka e ja tani. Me këto lojëra fjalësh do ta arrestojmë. E shtrëngoj unë ta pranojë se ka dashur të bëjë gjoja anëtarët e Byrosë si dhi. Është e mbaruar kjo punë!

– Jemi vonë. Është kërkuar kohë më parë të arrestohej një artist!

– Epo, më thanë për një muzikant, është fakir fare. Nuk ka shfaqje të huaja borgjeze, ndërsa shkrimtari që rri te lagja B, ai merret me bejte. Ia kam lexuar ca shkrime; nuk ka gjë që e akuzon. Nuk kisha kë të gjeja. Kurse ky … është e lehtë, shihet në mur … trembëdhjetë dhi, verifikonte lehtë!

– Vepro pra, se nuk kemi kohë! – e mbylli bisedën kryetari.

– Pse zgjodhe dhi për të paraqitur anëtarët e byrosë politike si të ishin kope? – pyeti hetuesi piktorin.

– Nuk është e vërtetë fare. Kush tha se e kam bërë me këtë qëllim?

– Lërë atë se e di unë, ajo bën muuu, dallohet lehtë, mua kujton se do të ma hedhësh?

– Ju betohem se jo, – u përgjigj i terrorizuar viktima e gjorë, që kishte ditë që merrej në pyetje e i kërkohej me dhunë e me tortura të shumta që të pranonte akuzën që ia kishte vënë para xhelati i tij.

– Pse trembëdhjetë? Pse?

– Po nëse është ashtu, ju lutem më krijoni mundësinë dhe unë shkoj dhe e heq një dhi!

– Jo more, dashke ti të heqësh një anëtar Byroje? Do të nxjerrësh një tjetër armik nga gjiri i partisë? Kush je ti që arsyeton kështu?

– Jo, jo, ju betohem nuk është e vërtetë, atëherë, po shtoj një-, tha artisti me zë lutës, në një pozë që kërkonte mirëkuptim – dhe dalin katërmbëdhjetë…!

– Po kush je ti që shton numrin e anëtarëve të Byrosë? Deri këtu të ka vajtur çmenduria?!

– Jo, ju betohem, mos më keqkuptoni… Unë…,nuk ka këtu…!

Gjykata e rrethit gjyqësor N, sot, me datën 25 maj 1973, pasi mori në shqyrtim materialet… dënon me shtatë vite burg të pandehurin Agim A. me akuzën e agjitacionit dhe propagandës, të kryer në arte, në pikturë, ku shihet qartë prania e shfaqjeve të huaja, kamufluar me elementë të urrejtjes ndaj pushtetit dhe partisë sonë…!

E sollën në Spaç. Shtatë vitet i kreu deri në fund. Por pak para se t’i vinte afati i lirimit, Gjykata e rrethit Gjyqësor Mirditë, i dha një dënim të dytë, për agjitacion e propagandë dhe e dënoi me dhjetë vite të tjera. Ky dënimi tjetër qe më i rëndë se i pari, sepse i jepej si përsëritës.

I burgosuri Pajtim Sulaj, e pa se shoku i tij i kapanonit po shpejtonte drejt telave me gjemba të rrethimit të burgut të Spaçit. Ishte Agim A. I shkreti, ka kohë që humbur çdo qetësi. Nëna i vdiq, ndërsa babai dergjet i vetmuar në shtëpi, në mjerim dhe braktisje të plotë. Këtij i duhet të bëjë edhe tetë vite të tjera. Shoku e kuptoi se ai donte të bënte një çmenduri. I vrapoi pas që ta ndalonte nga kjo tentativë vetëvrasëse.
Agimi e pa se Pajtimi po e ndiqte që ta ndalonte, kështu që e shpejtoi vrapin.

U dëgjua një thirrje e fortë: “Ndal”! Piktori nuk ndaloi. I’u afrua telave. U hodh mbi ta. U dëgjua një breshëri e zgjatur automatiku….!

Artisti i pafat u bë shoshë nga plumbat. Ra për tokë, i grirë, me gjakun që po i’a mbulonte trupin.

Një skuadër policësh burgu, bashkë me katër të burgosur ordinerë, i’a ngarkuan trupin e copëtuar në një karrocë dore.
Diku, në një vend të paditur, hapën një gropë dhe pa asnjë shenjë dalluese e kallën brenda. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/piktorit-qe-u-denua-me-18-vjet-i-akuzuar-se-13-dhite-qe-kishte-vizatuar-ishin-anetaret-e-byrose-politike-ia-sharruan-trupin-ne-telat-e-burgut-te-spacit/