Petrit Velaj, zbardhen kujtimet e të dënuarit politik që bëri 38 vite burg në diktaturë

Nga Afrim Imaj | Panorama, 13 dhe 17 tetor 22

Një paradite shtatori me diell u gjendëm në shtëpinë e tij në Vlorë. Petrit Velaj na priti në një kafe në Skelë. Ylli, nipi i tij, që na kishte sjellë deri këtu, na kishte treguar gjatë për historinë e tij.

Ai është nga të rrallët që tërë periudhën e komunizmit e ka kaluar në burg, “ditë më ditë”. Është arrestuar fill pas mbarimit të luftës, në mesin e viteve ‘40 dhe e ka lënë qelinë kur u përmbys regjimi famëkeq. Pjesa tjetër e jetës së 94-vjeçarit nga Vlora, ajo pa pranga e jashtë birucave të errëta, përmban sërish një histori të trishtë, me përpjekje të jashtëzakonshme për të shëruar plagët e jetës-burg dhe sfilitje titanike për të fituar kohën e humbur.

Sidoqoftë, kujtimet e burgut, në retrospektivën e jetës së Petrit Velajt, djaloshit që e nisi betejën për lirinë me çetat nacionaliste qysh ditën e parë të pushtimit të vendit nga hordhitë fashiste dhe vazhdoi me partizanët e nacionalçlirimtares ku shkëlqeu në betejën për çlirimin e Tiranës, zënë “pjesën e luanit”. Kjo jo vetëm për kohëqëndrimin e gjatë, si njëri nga Mandelat e Shqipërisë, por veçanërisht për dramat tronditëse që përjetoi në përballjen e përditshme jetë-vdekje. I kryqëzuar për bindje antikomuniste kultivuar herët, si pinjoll i një familjeje nacionaliste të njohur, faktin që mundi të dalë me frymë nga ferri i burgjeve të përbindshëm, e quan fat, por njëherazi edhe përgjegjësi për të dëshmuar të vërtetat e getove të komunizmit, i bindur se kështu çon në vend amanetet e qindra bashkëvuajtësve që u martirizuan në to.

Është kjo arsyeja që Petrit Velaj, pas katër dekadave burg politik në Burrel, Spaç, Ballsh, Tiranë, Vlorë, Fier, mundohet të ruajë drejtpeshimin, duke shpërfillur bashkë me pleqërinë e thellë edhe revanshin e urrejtjen. Ai ndihet me fat që arriti të mbijetojë e sakaq i privilegjuar që mundi të shkelë në Shtëpinë e Bardhë ku ka qëndruar sy më sy me Presidentin Bush për 10 minuta. Po cila është historia e njeriut që e kaloi komunizmin në birucat e errëta të burgjeve, si i përjetoi ngjarjet historike të vendit përtej telave me gjemba, kush ishin bashkëvuajtësit që mbetën model i karakterit dhe vizionit progresiv, në ç’rrethana kryhej predikimi i riteve fetare në kamp, si integroheshin shtetarët e ministrat e dënuar në shoqërinë e ish-viktimave të tyre, cilat ishin ndryshimet nga njëri burg te tjetri, si u organizuan ditët e zisë për vdekjen e Stalinit dhe Enverit në kampet e të dënuarve politik, etj. Përveç këtyre, një bllok me kujtime që Velaj ka ruajtur në formë ditari dhe rrëfimi i tij për “Panoramën”, ndriçojnë edhe një mori ngjarjesh të tjera që i ka parë e përjetuar nga afër në skëterrën e burgjeve të komunizmit…

“Liri Gega më preu fletën e parë të burgut”

Isha duke luftuar në radhët e partizanëve të Korpusit të Parë, kur jam kërcënuar për herë të parë me pranga. Sa ishim kthyer nga betejat për çlirimin e Tiranës dhe pushonim në një kodrinë në zonën e Tufinës. Në krahë të çadrave ku qëndronim, kishin vendosur një stendë me emrat e partizanëve të dalluar. Aty ishte edhe emri im. I pari që më përgëzoi për këtë ishte Hysni Kapua, me të cilin njihesha më herët. Akoma pa u venitur emocionet e falënderimeve të tij, u përballa me Liri Gegën, që sa më pa u vrenjt në fytyrë. “Akoma ti këtu?”, më tha me hakërrim. “Ky është vendi im, ideali im”, i thashë aty për aty. “Vendi yt është në burg”, shtoi sakaq ajo duke u kthyer nga shoqëruesi. “Vendin Petriti e ka zgjedhur vetë, në ball të frontit”, iu kthye Hysniu duke e sqaruar për rrugëtimin tim në radhët e luftëtarëve të lirisë.

Me Lirinë isha përplasur në Vlorë në ditët e para të qëndresës antifashiste. Unë asokohe i besoja idealit nacionalist, ajo atij bolshevik. Qysh atëherë ishim ndarë, pa ditur gjë për fatin e njëri-tjetrit. Ritakimi në luftimet e Tiranës, kishte qenë i papritur për të dy. Me sa dukej, prania ime në krah të partizanëve të tjerë, ca më tepër shpallja luftëtar i dalluar, i vrau sytë. Ajo jo vetëm nuk e kishte harruar përballjen e qëmotshme, por kërkonte dhe shpagim. Falë ndërhyrjes së Hysniut, munda të shpëtoj, por vetëm përkohësisht. Se Liria me shpurën e vet nuk mund të tërhiqej nga synimi i saj. Vërtet që i isha bashkuar luftës për çlirimin e vendit, por jo idealeve komuniste. E kjo, jo shumë larg që këtej, do më kushtonte shtrenjtë…

Arrestimi në Komandën e Përgjithshme

Ishte vitit 1945 kur më prangosën për herë të parë. I porsakthyer nga një mision në Jugosllavi, më thirrën në Komandën e Përgjithshme në Tiranë dhe aty më arrestuan. Më mbyllën disa orë në shtëpinë e Shefit Shatkut te Selvia dhe prej andej më nisën me një makinë në Vlorë. Në degën e Brendshme më priti me arrogancë të paparë Hito Çakua, asokohe kryetar i degës dhe vartësi i tij, Qatip Dervishi. Më izoluan te dhoma në hyrje të burgut të vjetër, përballë bashkisë. Të nesërmen më thirrën në hetuesi. Qysh në seancën e parë kuptova se bëhej fjalë për një akuzë të rëndë. Hetimi mbaroi shpejt. Zaten, për të tilla akuza, proceset bëheshin flakë për flakë. Në ditët e para në qeli kisha profesor Stiliano Gaxhon, botanistin më të mirë të vendit dhe 6-7 të tjerë nga fshatrat e Vlorës. Qelitë na i ndërroni shpesh e kjo na jepte mundësinë të njiheshim me dhjetëra të dënuar. Në burg, pas dy javësh, erdhi për vizitë Kadri Hazbiu e Rrapo Dervishi. I shoqëronte Hito Çako e Rrahman Perllaku. Ky i fundit vinte shpesh. Në Vlorë e njihnin me nofkën Rrahman Hakllvaxhiu. Vlonjatët e kishin pritur dikur me përzemërsi e ai ua kishte shpërbleu me atentate të shumta ndaj nacionalistëve dhe atdhetarëve të qytetit dhe rrethinave. Para gjykatës më nxorën në 2 shkurt 1946. Më çuan aty lidhur për dore me Arturo Orlandon, pronar i fermës së Llakatundit, Terucin, ish-drejtorin e bankës së Vlorës dhe Luto e Rushit Grabovën. Që nga burgu e deri te kinemaja e qytetit ku ishte salla e gjyqit, njerëzit na godisnin me gurë e na shanin me lloj-lloj fjalësh fyese. Me sa dukej, propaganda e komunistëve e kishte bërë të vetën. Prej ditësh në qytet flitej se drejtësia do t’u japë dënimin e merituar armiqve të betuar të partisë e pushtetit popullor. Procesi filloi me pretencën e prokurorit.

Prokurori, Lufter Hoxha, një shoku im i shkollës, pa iu dridhur qerpiku, kërkoi dënim me vdekje. Të njëjtin vendim lexoi edhe Ornaldo, Terruci e Verdi Nino. Ishte diçka e papritur dhe tronditëse njëherësh. “Mama mia”, ja bëri Orlandua në çastin që dëgjoi fjalët e fundit të prokurorit dhe ra përtokë pa ndjenja. Trupi i tij mbi 120 kilogramë më tërhoqi zvarrë pasi na kishin lidhur dorë më dorë. Si i hodhën një kovë me ujë, u përmend. Me kaq u mbyll seanca e parë. Në ditët që prisnim vendimin e gjyqit, qëndroja me Arturo Orlandin, i cili nuk po e merrte veten.

I shpërfytyruar i tëri, kishte rënë në depresion sa që nuk orientohej ku ndodhej. Një vizitë e papritur e Hysni Kapos në Vlorë, i dha një tjetër rrjedhë procesit. Me ndërhyrjen e tij, trupi gjykues hoqi dorë nga pushkatimi dhe më dënoi me burgim të përjetshëm, ndërsa Oralndon me katër vjet heqje lirie. Në përfundim të procesit u kthyem disi të lehtësuar në qelinë tonë, në burgun e Vlorës. Burgu i Vlorës ishte një skëterrë e vërtetë. Aty qëndruam edhe disa ditë. Më 14 shtator 1946, njëri nga xhelatët e degës lexoi një listë me 81 të burgosur ku ishte edhe emri im. Mbasi na lidhën duart na thanë: “Do t’ju çojmë diku ku nuk do të shikoni diell me sy”. Aty afër mesnatës, na hipën nëpër makina. Dyzetë vetë të lidhur me një zinxhir”. Për orë të tëra udhëtuam pa ditur ku shkonim…

“Këtu i thonë Burrel, futesh e nuk del”

Në burgun e Burrelit mbërritëm në mbrëmjen e vonë të 15 shtatorit 1946. Te porta na uroi “mirëseardhjen” një oficer thatanik. “Unë jam drejtori, quhem Vangjel Rrëmbeci”, na tha në kontaktin e parë duke shtuar “Këtu ku kallët këmbët, këtu do t’ju bien dhëmbët”. Hyrja kishte dy kanata të hekurta. Në mes të oborrit ishte një pus i zbuluar, pa grykë. Si kishim mbaruar punë me drejtorin e porsaprezantuar, aty mbërritën të burgosurit e tjerë që vinin nga qytete të tjera. Të parët ishin ata që vinin nga Korça, pastaj ata të Beratit e të Shkodrës. Na futën nëpër dhoma. Hekura në hyrje. Hekura te shkallët. Hekura në korridor. Hekura te dera e dhomës. Diçka e paimagjinueshme, e tmerrshme. Atë natë na u duk se kaloi një muaj. Të nesërmen në mëngjes na thanë se nuk do na jepnin bukë, se ishte prishur mulliri dhe ishte shkatërruar furra. Sa për ujë, na treguan pusin në mes të oborrit që mblidhte ujërat që rridhnin nga të gjitha anët. Dy ditë e dy net na lanë në këtë gjendje, pastaj filloi një lloj regjimi me pak bukë e gjellë sa për të mbajtur frymën gjallë…

Në një qeli me të dënuarit me vdekje

Viti 1947. Banush Goxho, kryetari i degës së Burrelit, erdhi me një listë në dorë dhe lexoi emrat e atyre që do të veçoheshin nga të dënuarit e tjerë. Lista fillonte me emrat e Qemal Vrionit, Mihal Ballkamenit, Xhevat Korcës, Tahir Hoxhës, Koço Tasit, Mihall Zallarit dhe përfundonte me emrin tim. Fill pas këtij komunikimi, na izoluan në biruca nga gjashtë vetë së bashku. Me sa morëm vesh më vonë, ky ishte grupi i të dënuarve me vdekje. Pikërisht për këtë arsye filluan edhe torturat më të egra.

Morën të parin Qemal Vrionin. E torturuan në mënyrë barbare. Po kështu bënë me Aqif Golen e Mihal Ballkamenin, deri sa vdiqën nga torturat. Në qeli ku rrinim vinte shpesh Banush Goxhua. Në çdo vizitë nuk harronte tu kujtonte gardianëve që e shoqëronin se kishin të bënin jo me të dënuar të zakonshëm, por “pecogrosa” që ishin provuar si tradhtarë politikë. Për ta, kaq ishte e bollshme për të shpërthyer në dhunë e terror mbi secilin prej nesh. Aty kam provuar tortura nga më çnjerëzoret. Mendja e tyre diabolike arriti deri aty sa në 10 maj 1947 na hodhën në gjellë një lloj medikamenti për të na zënë diarreja. Gjithë burgu atë natë nuk pati qetësi. Megjithë të bërtiturat tona, rojet nuk na i hapën për asnjë çast dyert e dhomave. Deri këtu kishte mbritur mëndja djallëzore e Banush Goxhos dhe Vangjel Rrëmbecit. Burreli paskej qenë me të vërtetë skëterrë. Ashtu si na patën thënë në degën e Vlorës.

Në rrjedhën e ditëve, ky Banush Goxhua, që ishte një kasap i pashpirt, çuditërisht mori një profil babaxhani. Ishte koha kur ishte arrestuar Koxi Xoxja, deri në atë kohë ministër i Brendshëm. Erdhi bashkë me drejtorin e burgut dhe në një komunikim me të burgosurit u shpreh se shkaktar të fatkeqësisë së tyre kishte qenë Xoxe, njeriu që kishte drejtuar dikasterin e sigurimit. Na erdhi për të qeshur.

Menjëherë pas këtij momenti na izoluan në qelinë 14. Ajo ishte një dhomë e madhe me një prag të lartë, së cilës i hidhnin ujë që të mbante lagështi. Pra, pavarësisht atyre që kumtonte kryetari i degës, situata vazhdoi e njëjtë, madje hera herës edhe më represive. Vetëm gjatë vitit ’47-’48 në burgun e Burrelit vdiqën 720 të burgosur politikë. Të gjithë i groposnin te Qershia e famshme, e cila mbeti si një lapidar i varrezave të terrorit komunist.

Biseda për vdekjen me ministrat e dënuar

Kam qenë fatkeq, por edhe me fat. Fatkeq për kalvarin e vuajtjeve në ferrin e burgjeve të komunizmit. Por me fat se aty jam njohur miqësuar e bërë shokë me disa nga korifenjtë e letrave e të shtetit shqiptar, të cilët në kushte të tjera nuk do t’i kisha njohur kurrë. Gati të gjithë ishin të dënuar me vdekje e vdekja mbetej kryefjala e bisedave të përditshme me ta.

Një herë Gjergj Kokoshi, ish-ministër i Arsimit i periudhës ‘45-‘46, më tha: “Mos u mërzit miku im! Të armatosur apo udhëtarë të thjeshtë, le të na rrëmbejë vdekja, por le të qëndrojmë deri në fund me kurajë e shpresë”. Dhe aty për aty më citoi vargjet e Alfred d’Vinzit nga kryevepra e tij “Vdekja e ujkut” ku thotë “Të rënkosh, të qahesh, të lutesh është një lloj poshtërsie. Bëje energjikisht detyrën tënde të rëndë e të gjatë. Në atë rrugë deshi fati e të thirri, pastaj më së fundi vuaj dhe vdis pa zë, në heshtje”. Ishte një karakter i veçantë e shumë interesant, Gjergj Kokoshi. Kam qëndruar me të 18 muaj i izoluar në qelinë numër tre.

Tre muaj me radhë kam qenë aty edhe me Andon Kozmaçium, ish-ministrin e Drejtësisë dhe imzot Visarion Xhuvani, kryetar i kishës autoqefale shqiptare. Fjalët e tij ishin si një shkreptimë që vinin nga qiejt e perëndive. “Biri im, dëgjo këto fjalë se je më i riu ndër ne dhe mund tua përcjellësh të tjerëve që vijnë…”. Më goditën grekët në Manastirin e Zvërnecit, afër Nartës kur po lahesha me ujë në mëngjes. Plumbat u përplasën në pasqyrë dhe drurin e pusit. Kalova në jetë edhe shumë shtigje të liga. Më ofenduan në Konferencën e të Njëmbëdhjetëve në Londër në vitin 1931. Bile shkruan edhe në shtyp se ky shqiptar nuk di të hajë peshkun e Arkangelsit. Por kudo qëndrova i fortë, pse mbroja shqiptarizmin”.

Si më i riu në grupin e tyre, më këshillonte shesh Koço Tasi, ish-ministri i Drejtësisë i qeverisë së Nolit. “Amanet, more djalë, më thoshte, komunistëve mos u beso kurrë. Po mëshirove të ligun, ke tradhtuar veten. Fjala komunist do të thotë i pabesë”. Kam ndarë me Koço Tasin çaste nga më të bukurat e më dramatiket. Ishte ndër ata njerëz që e shpërfillte vdekjen në mënyrë të çuditshme. Në fund të fundit, thoshte, një herë kemi lindur, e një herë do të vdesim.

Në Burrel pata rastin të njihesha edhe me Arqile Tasen, një tjetër burrë të mençur e atdhetar të flaktë, një nga dishepujt e kulturës shqiptare. Ai kishte 30 e ca vite drejtor i bibliotekës së Nju Yorkut dhe kishte ardhur në Shqipëri në vitin 1939 për t’i shërbyer kulturës shqiptare. Regjimi komunist e shpërbleu: vdekje në burgun e Burrelit. Ai na këshillonte ta përjetonim ankthin e pushkatimit me qetësi. Xhevat Korça, ministër i Arsimit dhe i Punëve Botore, ishte nga ata burra të rrallë që mendohej gjatë kur fliste. Filozofia e tij kishte në qendër mëshirën edhe për ata që merrnin në qafë të tjerët.

Një qeli në burgun e Burrelit

Një qeli në burgun e Burrelit

Pjesa II

Përtej këtij fakti pak të njohur, Petrit Velajt, njeriu që ka kaluar komunizmin në burg, kujton se praktika e rekrutimit të të dënuarve për përkthimin e literaturës së huaj, ka nisur qysh në vitin 1945, kryesisht me të burgosurit e parë antikomunistë.

Në rrëfimin për “Panorama”, 92-vjeçari që ka kaluar gjysmën e jetës në burg, duke iu rikthyer përjetimeve nga ditët e vështira të vitit 1951, ku bashkë me të dënuar të tjerë, sjellë përdhunshëm nga burgu i Burrelit, përkthyen në qelitë e izolimit në Tiranë dhjetëra kryevepra të kohës, përmend një listë të gjatë me emrat e shqipëruesve anonimë. Pavarësisht rrethanave skllavëruese të punës, Velaj ndihet i privilegjuar që asokohe bashkëpunoi me emrat ndër më të shquarit e letrave shqip, Koço Tase, Kudret Kokoshi, Andon Kozmaçiu, Arqile Tase, Et’hem Cara, Arshi Pipa, Tasim Spahiu, Sabaudin Resuli, Foto Bala, Ylber Starova, Mihall Zallari e dhjetëra të tjerë, veprat e të cilëve kanë mbetur në fondin e bibliotekës kombëtare, me shqipërues anonimë.

Gjithsesi, historia e përkthyesve të burgosur, është vetëm një pjesë e kujtimeve të ish të dënuarit politik nga ferri komunist i fillimviteve ‘50. Ndër detajet interesante që Velaj veçon nga ajo periudhë janë marrëdhëniet me klerikët e dënuar, ritet fetare në kushtet e izolimit dhe sidomos raportet specifike të bashkëvuajtësve me mjekun e njohur Qazim Bakalli, humanizmi dhe shpirtmirësia, e të cilit shpëtoi nga thonjtë e vdekjes dhjetëra të dënuar në burgun e Burrelit…

Qelia që u bë redaksia e përkthyesve

Ishte viti 1951. Në oborrin e burgut na mblodhi inspektori i Ministrisë së Brendshme që mbulonte kampet e dënimit, Faslli Jaho. Lexoi një listë që mbante përpara dhe me atë zënë e ngjirur shpjegoi: Shteti ka nevojë edhe për kontributin tuaj. Do punoni për përkthimin e literaturës botërore. Në listën e gjatë ku bënin pjesë Koço Tase, Kudret Kokoshi, Andon Kozmaçiu, Arqile Tase, Et’hem Cara, Arshi Pipa, Tasim Spahiu, Sabaudin Resuli, Foto Bala, Ylber Starova dhe Mihall Zallari bëja pjesë edhe unë. Qysh atë ditë na transferuan në burgun e ri të Tiranës. Aty gjetëm edhe intelektualë të tjerë të njohur: Xhemal Frashërin, Myfit Bushatin, Hamit Keçin, Reshat Karapicin, Nustret Sazanin, Bujar Dokon, Beqir Ndoun etj.

Aty mësuam se kjo praktikë me të dënuarit kishte filluar më herët. Të nesërmen na sqaruan për veprat e huaja që do të përkthenim dhe rregullat e punës. U ndamë tre e nga tre në grupe të përbashkëta. Mua më qëlloi të isha në grup me Arshi Pipën dhe Tasim Spahinë. Ishin dy intelektualë të pjekur e të shtruar. Sipas procedurës së vendosur njëri përkthente, tjetri shkruante e redaktonte, i treti korrigjonte. Këto role i ndërronin çdo javë. Puna zgjati gati dy vjet. Grupi ynë përktheu “Konspiracion i madh kundër Rusisë” “Iluzionet e humbura” “Fausti” i Gëtes etj.

Me sa më kujtohet, këto i kërkonte shtëpia botuese dhe Radio Tirana. Në tërësinë e tij, procesi i përkthimit drejtohej nga Beqir Ndou dhe Fiqëri Llagami, të cilët spikasnin për korrektësi e mirëkuptim me të gjithë. Fiqiriu ishte një gazetar i talentuar që ishte laureuar në Paris. Kur mbaruam veprat e planifikuara, një natë pa hënë të dimrit të vitit ‘52 na kthyen sërish në Burrel. Kam parë më vonë librat e shqipëruar nga ne, po askund nuk përmendej autori i përkthimit(!). Pak vite më vonë do na thërrisnin përsëri për të bërë shqipërimin e kryeveprave të letërsisë. Në distancën midis këtyre dy periudhave na degdisën në kampe pune. Në vitin 1957, nuk e di për çfarë rrethanash më transferuan në burgun e Vlorës, por aty nuk kalova as tre muaj. Përplasja me spiunët që kishin futur në radhët tona kalecat e Sigurimit, u bë shkak të rikthehesha sërish në ferrin e Burrelit. Nuk kaluan as tre muaj dhe aty rrahëm dy spiunë që kishin futur në qeli..

Amaneti i Sali Vuçiterrnës

Sali Vuçiterrni ishte i dënuari më i moshuar i burgut të Burrelit. Ai vinte aty si ish-ministër i Punëve Botore. Kur e pyesnim për moshën, thoshte se për tre vite bëhej 100 vjeç. “Kam ëndërruar të kap shekullin, shprehej Sali Efendiu, po kjo flama komuniste që më ka kapur për gryke do më çojë në botën tjetër pa i bërë ditët e perëndisë”. Kur e ndjeu që po i vinte vdekja, pati një takim me familjarët. Mbas takimit me ta, ndau ushqimet që i kishin sjellë me të burgosurit e tjerë. Një moment më thirri pranë shtratit ku rrinte dhe më tha: Të lutem Petro, do ma kesh amanet tim bir, Nazmiun. E kam të vetëm. Ndodhet në Argjentinë. Është doktor. Po e poqe ndonjë ditë tregoi vuajtjet e mija. I thuaj se hoqa shumë, por asnjëherë nuk shkela mbi karakterin e fisit Vuçiterrna.

Si ndenji një copë herë me sytë mbërthyer nga dera e dhomës së burgut, më shtrëngoi dorën fort dhe m’u drejtua përsëri: Ti e sheh që po shuhem për ditë. Kur të vdes, more bir, mos harro atë lutjen fetare që të kam mësuar. Përsërit ato fjalë tri herë. Atëherë shpirti im do të pushojë i qetë. Një pasdite vjeshte të vitit 1949, Sali Vuçiterni dha shpirt në shtratin ku lëngonte. E mora në krahë dhe me kokën drejt qiellit u luta si më kishte mësuar: Allahun me Salih Allah Seid…! Kur dola në orarin e banjës në korridor, m’u afrua Kudret Kokoshi e Abdurrahim Kreshpa.

Si u bë Sali Efendiu, më pyetën. Heshta një çast dhe duke i parë në sy u thashë se na la uratën. U dëshpëruan shumë. Aty për aty u përlotën dhe përmendën atë shprehjen që përdoret rëndom në të tilla raste. Na pastë lënë uratën! Sakaq e morën vesh edhe të burgosurit e tjerë. E gdhiva gjithë natën pranë trupit të tij. Të nesërmen, Sali Efendiun e varrosëm te qershia…

Qazim Bakalli, mjeku që na ngrohte shpirtin në atë skëterrë

Me të u njoha fare rastësisht. Pas shumë kërkesave te komanda e burgut për t’u vizituar te mjeku, më në fund më çuan te doktori i qytetit që përgjigjej edhe për të burgosurit. Ai ishte Qazim Bakalli. Sa herë linte nevoja për vizita të tilla atë e thërriste komanda e burgut. Për të kisha dëgjuar fjalët më të mira nga të dënuarit që gjeta në Burrel. U gëzova kur e pashë, pasi vëllain e tij Emin Bakalli e kisha pasur nxënës në shkollën teknike të ‘Hari Fullcit’. Doktori fisnik e bujar, sa u përballëm shprehu një gjest keqardhje me atë mënyrën e tij. I thashë nga se ankohesha.

Më vizitoi me kujdes, duke qëndruar për çaste të tëra me stetoskop mbi kraharor. Aty për aty mori një recetë dhe i nervozuar siç ishte shënoi mbi të: “Të përjashtohet nga kampet e punës!”. Pastaj më hodhi dorën në supe me një lloj ngrohtësie si për të më kujtuar se edhe më tej do të kisha mbështetjen e tij. Ishte kjo një lloj sjellje që të linte të kuptoje se njerëz të mirë ka në çdo kohë e rrethanë sado specifike qoftë ajo. Doktor Qazimi kishte kohë që shërbente në Burrel dhe shpesh merrte nga spitali i qytetit ilaçe të ndryshme për të dënuarit e sëmurë. Këtë jo rrallë e bënte ilegalisht. Kishte sakaq raste që medikamentet që na duheshin i blinte vet në farmacinë e qytetit. Me atë natyrën e tij të heshtur e paqësore, pas së cilës fshihej ndjeshmëria njerëzore, mjeku zemërmirë ishte futur në jetën e të burgosurve si një mik i shtrenjtë që më shumë se me ilaçet të shoëronte me fjalën e ngrohtë dhe sjelljet fisnike. Nga koha që kam qënë në Burrel mbaj mënd përplasjet e shpeshta të tij me komandën e burgut në rastin e rekomandimeve për transferimin e të dënuarve të sëmurë për në spitalin e Tiranës.

Këtë njeri na e ka pru i madhi Zot, me ndihmu të burgosurit në hallet e tyne”, thoshte shpesh Pjetër Marshkalla. Është fakt i pamohueshëm që shumë prej të dënuarve në gjendje të rëndë shëndetësore i ka mbajtur në jetë vetëm doktor Qazimi. Më kujtohet një rast kur i shkova në infermieri dhe i kërkova të më vizitonte. “Megjithë vuajtjet e mëdha që po heq, më tha me zë të ulët, nuk ke ndonjë sëmundje serioze. Veçse po të shënoj këtu një diagnozë për t’i paraprirë punëve të rënda në kamp. Këtë e bënte pothuajse me pjesën më të madhe të të dënuarve që i kërkonin ndihmë. Ishte kjo arsyeja që doktor Qazimi mbeti miku më i afërt i fatkeqve të Burrelit…

Unë, miku i korifenjve të klerit katolik në ferrin e Burrelit

Kam njohur në burgun e Burrelit dhe jam miqësuar me Patër Pjetër Marshkallën, një nga korifenjtë e klerit katolik. Burrë i imët, me nofulla të dala, ballë të vegjël, sy zhbirues. Kishte një të folur të shtuar e të ngadaltë, sikur vite nga thellësia e viteve. Përveç teologjisë e filozofisë, zotëronte edhe një kulturë tradicionale evropiane. Ai na qëndronte gjithnjë pranë, si një shenjtor që kishte zbritur nga qielli në burgun e Burrelit për t’i dhënë pak dritë shpirtit tonë të copëtuar.

Patër Pjetër Marshkalla ishte ndër ata që dinte pse vuante, por sakaq dinte edhe të vdiste për përkushtimin e tij fetar. Aty nga viti ‘48 në burgun e Burrelit erdhi Bedri Spahiu. Ishte në kulmin e shkëlqimit të tij. Na mblodhën në oborrin e burgut. Ai hipi mbi një tarracë aty pranë dhe filloi një fjalim plotë mallkime. Midis të tjerave u shpreh se edhe mishin do tua bluajmë ju armiqve të partisë. Kjo ngjalli një revoltë të madhe në radhët e të burgosurve. Pjetër Marshkalla me kurajën që e karakterizonte, doli nga grupi i të burgosurve dhe iu drejtua gjithë urrejtje: “Marrë për ty, o këlysh sllavi që fletë kështu për vëllezërit e tu, po kjo që thua për ne të mbiftë në derë për vuajtje e jo për turp”.

Dhe me të vërtetë, pas ca kohe, Bedri Spahiu, erdhi sërish në Burrel mes nesh, tashmë jo si zyrtar i lartë, por si i dënuar për tradhti. Patër Pjetër Marshkalla që e shigjetoi keqas në vizitën e parë, këtë radhë na bënte apel që ta mëshironim si bashkëvuajtës. Se nuk është më kaposh, na thoshte, e si i tillë s’ia vlen të merremi me të. Qëlloi ato vite të na vinin aty disa tipa shtetarësh si puna e Bedriut që binin rishtaz nga fiku. Patër Mëshkalla mundohej të hiqte nga fjalori prapësitë e tyre të dikurshme dhe gjente forcë të ulej me ta.

Ai ishte shumë i afërt e njerëzor me të gjithë. Ruaj kujtime nga më të mirat për të. Në një rast, kur po më sillte fshehtas në dhomën e izolimit një copë bukë nga racioni i tij, e kapi roja i burgut dhe e dënoi një muaj në qeli. Patër Pjetër Marshkalla ishte shumë bujar. Shesh besimtarët e shumë i sillnin rroba e ushqime, të cilat i shpërndante vëllazërisht me të burgosurit e tjerë.

Në burgun e Burrelit njoha shumë bashkëpunëtorë të tij që më ofruan shoqëri të sinqertë. Dom Shtjefën Kurti, Dom Gjergj Bici e Pater Aleks Vacli, ishin tre ndër ta. Dom Shtjefni ishte një burrë i bëshëm e fisnik. E kam përjetuar shumë keq lajmin për pushkatimin e tij në vitin 1969 me grupin e Ngurzës, në Bregun e Matës. Edhe Dom Gjergji e Pater Aleks Vacli ishin njerëz me kulturë të gjerë kleriko-laike. Shpesh Pater Aleksi më thoshte: Ju që jeni më të rinj do t’ua tregoni të tjerëve këto krimet e djajve të kuq. Çastet me ta për mua ishin momente relaksi e qetësie shpirtërore. Fjala e tyre të shëronte, të mbante në jetë, të jepte optimizëm edhe në rrethanat më të vështira.

Më mori në qafë fotografia e Enverit

Kisha pak muaj që isha liruar, kur më thirren sërish për te shtatë penxheret, siç i thoshim atëherë. Në nëntorin e vitit 1972 më morën përsëri të pandehur me hekura në duar. Pasi më prangosën pa pritur te kasollja në Kaninë, më çuan në degën e Vlorës. Sa kapërceva portat e hekurta, te dera u përballa me kryehetuesin që urdhëroi të më çonin në zyrën e tij. Aty isha vetëm për vetëm me të.

U zhvesha sipas urdhrit të tij. Më kontrolluan në të gjithë trupin. Ishte ky një ritual i hershëm për të arrestuarit. Në xhepin e pantallonave gjetën disa copa gazetash. Hetuesi i hapi me një lloj kërshërie. Në njërën prej tyre dallohej portreti i Enverit që nga mënyra si ishte zhubrosur, i tërhoqi vëmendjen. Hetuesi sa e pa, u skuq në fytyrë dhe si i xhindosur u kthye nga unë: “Pse i mban këto copa gazete?”. “Për punë”, i thashë aty për aty. “Për çfarë pune o idiot”, m’u kthye me kërcëllimë. “Jetojmë në fshat, i thashë, e më duhen për fletë higjienike”.

Pa mbaruar mirë fjalën unë, hetuesi u hodh përpjetë si ta kishte kafshuar gjarpri: “E di, more maskara, se vetëm për këtë dënohesh me 10 vite burg!”. Sakaq, thirri rojën dhe e urdhëroi të më sistemonin në qelinë me numër 6. Ishte kjo një dhomëz e vogël pa dritare pranë derës së banjës. Pas tre muaj hetime, më nxorën në gjyq. Me një shpurë dëshmitarësh të rremë më akuzuan për agjitacion e propagandë. Më dënuan 10 vjet heqje lirie. Të nesërmen më transferuan në burgun e Tiranës. Aty ndenja vetëm tri-katër ditë.


  • Titulli në variantin online të gazetës “Panorama” më 13 tetor 2022: “Nga Spaçi në Shtëpinë e Bardhë” – Zbardhen kujtimet e të dënuari politik që bëri 38 vite burg në diktaturë: Ju rrëfej ministrat që vdiqën në ferrin e Burrelit
  • Titulli në variantin online të gazetës “Panorama” më 17 tetor 2022: “Amaneti i Sali Vuçiterrnës!” – Zbardhen kujtimet e të dënuarit: Si më mori në qafë fotografia e Enverit! Bedri Spahiu në Burrel, herën e parë erdhi si xhelat, të dytën si viktimë!

The post Petrit Velaj, zbardhen kujtimet e të dënuarit politik që bëri 38 vite burg në diktaturë appeared first on Observatori i Kujtesës.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://www.observatorikujteses.al/petrit-velaj-zbardhen-kujtimet-e-te-denuarit-politik-qe-beri-38-vite-burg-ne-diktature/