“Për 25 vjet, kam qenë në Çekosllovaki, Austri, Francë, Belgjikë e Itali, i dërguar nga Sigurimi, për vrasje të emigrantëve shqiptarë dhe…”/ Dëshmia e bujshme e ish-të burgosurit politik

Nga Fatmira Nikolli

Shtypi Italian: “Luan Stërmasi, që u gjet i vrarë me tre plumba pistolete në autostradën, Livorno-Sestri Levante, një ‘007 shqiptar’, dhe detyra e tij, ishte spastrimi i të arratisurve politikë”!

Memorie.al / Muaj më parë, kur Autoriteti i Dosjeve, mbajti një konferencë studimore mbi “Emigracionin politik shqiptar” gjatë viteve 1944-1990, tema e rekrutimit të tyre, veçse u cek, më shumë si përgjigje ndaj pyetjeve të mediave, se sa si temë mirëfilli e konferencës. Në atë konferencë, gjithsesi as nuk përfshihej dhe as nuk u soll prej ndonjë studiuesi, tema tjetër e vrasjeve të të arratisurve, ani pse në çka u tha, doli qartë që qenë të përndjekur hap pas hapi. Vetë jeta e tyre dokumentohej në foto e shënime, si për të krijuar një biografi të paautorizuar, nga miqtë që takonin për temat që i shqetësonin. Shteti amë i përndiqte pasi i kishte përzënë, por shpesh, kuadri i përndjekjes, e ka tejkaluar veten, duke kryer edhe vrasje, çka nuk gjenden në kuadrot zyrtare të historisë së përcjellë.

Në librin e vet “Rrno për me tregue”, At Zef Pllumi, tregon për një takim me një personazh të veçantë, që vlen të përmendet, në këtë parantezë. Pater Zefi, është shpënë në Shën Vasi përmbi Sarandë, si i dënuar, kur njihet me Zyhdi Çitakun. Ai është nipi i Ramadan Çitakut dhe me të, ndan të njëjtin shtrat dykatësh në fjetore. I braktisur prej familjes që, e njeh për ‘armik të popullit’ dhe i sëmurë, Çitaku do t’i rrëfente në dëshpërim Pater Zefit, se në rini, e kishin çuar në Beograd në një shkollë spiunazhi.

Do t’i tregonte se, përdorte emra të tjerë, e se për 25 vjet, kishte qenë në Çekosllovaki, Austri, Francë, Belgjikë e Itali, me një detyrë të qartë: “me shtie në grindje, ngatërresa, përçamje, me organizue vrasje e atentate, mes të emigrumve. Kisha 60 oficerë të shquem në komandë. Sikur ta dijshe sa shpenzime i ka ba qeveria shqiptare, për këto veprime t’ulta, ti do mbeteshe pa mend, sepse po t’ishin shpenzue këtu, ky vend do të ish nji vend i lulzuem”, shkruan At Zef Pllumi, sipas dëshmisë së Çitakut, në kohën kur e kishin kthyer në Shqipëri dhe po e tretnin në burgje, duke e akuzuar për 14 vrasje.

Ai flet i penduar para një meshtari, në vitet e mbrame të jetës, mbasi kish besuar se me vrasjet e kryera, jo vetëm që do e prisnin me nderime, pse besonte që po i bënte për të mirën e atdheut, por edhe se në vetëdijen e tij, të ndrydhur e shformuar prej dogmave, me të cilat e mëkuan, priste që me ato ekzekutime, po e zhbinte përgjithnjë të keqen e vendit amë. E zezë e, për çudi e ndritshme! E mira e pasosun, në të cilën besoi, qe krejt e papërsosun dhe ai e zbuloi, mbasi u kthye në atdhe dhe mbërriti të shihte se, kishte ngatërruar atdheun me partinë, që si dy drejtëza, ecnin paralel, pa u takuar kurrë.

I heshtur, i veçuar dhe i braktisur prej të vetmit njeri që deshi me gjithë fuqinë e shpirtit, e bija, ai i ‘rrëfehet´ At Zef Pllumit. Dëshmitë e tij, përkojnë kryekëput me ngjarjet në Perëndim. Në vitet ’60 – ’70-të, Sigurimi Shqiptar, ka dërguar herë pas here jashtë vendit, një numër agjentësh, për të kryer vrasje ose ka futur emigrantë në shërbimin e vet, për t’i kryer ato. Mes tyre, kishte si kosovarë, shqiptarë të Malit të Zi, por edhe shqiptarë të ikur ndër vite.

Një vrasje e bujshme, ishte ajo e Gjon Gjinajt, një ish- desant parashutist në malet e Mirditës, në vitet ’50-të, i cili u vra nga Sigurimi i Shtetit në SHBA-ës, në dhjetor të vitit 1977. Asokohe FBI-ja, mbërriti të zbulonte se vrasësi i tij, po atë natë që kreu krimin, mori një fluturim që kishte si destinacion Beogradin dhe pastaj me shumë mundësi, vijoi drejt Titogradit (Podgoricës), nga rrethet e të cilit besohej se banonte. Një atentat tjetër i bujshëm, ishte edhe ai kundër Sadik Premtes, në vitin 1951 në Paris, ndaj të cilit, një agjent i Sigurimit të Shtetit, iu vërsul në terr me sëpatë në dorë. Disa vrasje të kryera në Belgjikë, mes të arratisurve shqiptarë, sipas policisë belge, besohej se ishin kryer nga emisarë të Sigurimit ose, njerëz që punonin për të në radhët e emigracionit politik.

Në fundin e viteve ’70-të, Sigurimi, kishte marrë vendimin për të ekzekutuar përfaqësuesin e katolikëve shqiptarë në Vatikan, françeskanin, Danjel Gjeçaj, i cili ishte arratisur me të njëjtin grup, me Martin Camajn. Për këtë arsye, njerëzit e Sigurimit, pranë Ambasadës shqiptare në Romë, kishin instruktuar një agjent të tyrin, të futur ilegalisht në Itali, nëpërmjet kufirit italo-jugosllav. Personi në fjalë, quhej Luan Stërmasi, dhe besohej të kishte kryer ndërkaq edhe disa vrasje të mistershme të pazbuluara, në radhët e emigracionin politik shqiptar. Interpoli dhe SISMI (Shërbimi Sekret Ushtarak Italian) ishin në gjurmët e tija dhe kishin informacion të saktë, për kontaktet e Stërmasit me Ambasadën shqiptare.

Plani i vrasjes së Dom Danjel Gjeçajt, ishte kurdisur që të realizohej ndërsa prifti i arratisur shqiptar, ndodhej në një vizitë pranë komunitetit shqiptar në Bruksel. Pas ceremonisë kishtare, dy persona që punonin për Sigurimin, do të bënin sikur po ziheshin përpara kishës dhe aty në mes të zënkës, do të shkrepej gjoja gabimisht një armë, që do të godiste për vdekje emisarin e Vatikanit. Në çastin e fundit, një nga personat në dijeni, bashkëpunëtor i fshehtë i policisë belge, lajmëroi Danjel Gjeçajn, për rrezikun që i kanosej dhe ky i fundit i përcjellë nga policia e Brukselit, u kthye urgjentisht në Vatikan, duke u vënë njëherësh në mbrojtje të SISMI-t.

Pas pak ditësh, gjendet (siç e përshkruajnë gazetat e kohës) trupi i killerit shqiptar, për të cilin SISMI, kishte dyshime që ishte eliminuar nga agjentet e Sigurimit të Ambasadës shqiptare, duke e ndjerë se tashmë kapja e tij ishte vetëm çështje kohe. SISMI, madje dyshonte se arma e krimit, gjendej e fshehur në Ambasadën Shqiptare. Për momentin, gazetat nuk ishin në gjendje të jepnin lajme të sakta, madje dikush, hidhte hipotezën se në mes, është edhe emigracioni i djathtë kroat. Gjithçka, mbyllet në heshtje, kjo do të ishte tentativa e fundit për vrasje në radhët e emigracionit politik. Besohet se, me ndryshimin në kupolën e Sigurimit, me pushkatimin e Kadri Hazbiut dhe krerëve të tjerë, organizata famëkeqe, e ndërpreu terrorin që ushtronte prej dekadash jashtë vendit. Vrasja e personazhit që jetonte me emrin Luan Stërmasi, është dokumentuar në dy gazeta italiane, që po i sjellim më poshtë.

GAZETA “LA STAMPA”

“Gjendet i vdekur: është spiun, terrorist ose i infiltruar mes refugjatëve shqiptarë”? Ky është titulli i një artikulli të së martës së 9 tetorit 1979, në gazetën italiane “La Stampa”. Mbi titulli i saj, hedh dritë mbi një vrasje të kryer në Itali. “Kundërspiunazhi Italian, heton mbi një episod misterioz”, ndërsa nëntitulli, jep më shumë detaje. “Quhet Ljuan Stërmasi, arratisur nga ZAGREBI- SISMI di, që është një 007, për të cilin janë ‘krijuar’ precedentë si grabitës. E vështirë të zbulohet detyra që kishte”. Ngjarja e ndodhur në Romë, sqarohet më poshtë në artikullin e plotë të gazetës italiane.

Personazhi për të cilin flitet, është një shqiptar që besohet të ketë qenë agjent, për çka italianët pohojnë përfshirjen në hetim edhe të shërbimeve sekrete në shtetin fqinj. Nuk dihet nëse Ljuan Stërmasi, për të cilin flitet, të ketë këtë si emër të tijin, apo emër të përdorur në dokumentet që e shoqëronin, megjithëkëtë, informacionet e gazetarëve të redaksisë romane, të “La Stampa-s” flasin për një agjent, me një detyrë të caktuar, siç do të kuptohet nga artikulli i mëposhtëm, përkthyer në besnikëri me origjinalin italisht.

*Artikulli*

Është SISMI (Shërbimi i Sigurisë Ushtarake) që po merret me vrasjen e Luan Stërmasit, ish-të dënuarit shqiptar, gjetur i vrarë të premten e shkuar, në një skarpatë të autostradës Pisa-Viareggio, afër zonës së Migliarino-s. Kush ishte Stërmasi? Shërbimet sekrete, e justifikojnë përfshirjen e tyre, duke pohuar se: “Ishte një personazh interesant; çfarë ka arritur të bëjë në Itali, nuk dihet; mbase ende nuk kishte nisur të vepronte, mbase nuk kishte arritur”?! Duket pra mjaftueshëm e sigurt se, shqiptari 37-vjeçar, gjendej në Itali, me një detyrë të caktuar. Sipas disa përshkrimeve, ai, ishte ngarkuar nga policia jugosllave, për t’u infiltruar në grupet e mërgimtarëve shqiptarë e jugosllavë, me detyrën për të marrë informacione rreth ustashëve, terroristëve të ekstremit të djathtë, që rekrutojnë pikërisht mes refugjatëve, një pjesë të forcave të tyre.

Nëse ka qenë ky roli i shqiptarit, është e mundur që atë e kanë vrarë pikërisht ustashët dhe në këtë drejtim ,po ndiqen hetimet nga policia e shërbimeve sekrete. Që nga momenti i zbulimit të trupit të pajetë, hetuesit, kishin vënë re, që bëhej fjalë për diçka të veçantë. Vrasësit, kanë marrë të gjitha masat, që të bëhej i vështirë identifikimi i viktimës. Mes të tjerash, është bërë përpjekje, që të duket sikur shqiptari është vrarë në vendin ku u gjet, por sipas policisë, është e mundur që Stërmasi, është transportuar me makinë, nga një vend larg, dhjetëra e dhjetëra kilometra larg prej aty, megjithëse nuk përjashtohet mundësia, që vrasja të jetë kryer edhe në Romë.

Ai është vrarë me tri të shtëna pistolete, dy prej të cilave, në supe. Historia bëhet më e koklavitur, nëse marrim parasysh që, facoleta e bardhë e palosur në dysh, që Stërmasi kishte në kraharor, mund te jetë një ‘mesazh’ ose një ‘sinjal’ siç pretendojnë disa. Prania në Itali e Stërmasit, del diku nga fillimi i ‘78-ës: është kjo koha që policia italiane, ka mësuar se ai gjendej në Romë, e që ka detyrë të infiltrohet mes mërgimtarëve. Dihet po ashtu që, është një i arratisur nga që është ndihmuar të ikë nga burgu i Zagrebit, dhe që precedentët e tij penalë (grabitje, etj), janë të atij lloji, që lë të kuptohet se pas tyre, fshihen agjentët sekretë. Për policinë tone, është e qartë që Stërmasi, është një agjent i Lindjes.

Mbetet më pak e qartë, nëse detyra e tij, ka qenë ajo e marrjes së informacioneve mbi ustashët. Por, këtu hyhet në botën misterioze të spiunazhit dhe siç duket nga interesi i Sismit, në këtë çështje, atë të kundërspiunazhit. Hipotezat janë të shumta. Në Romë megjithëkëtë, këmbëngulet që Stërmasi, nuk ishte një personazh dosido: çka e dëshmon kujdesi me të cilin ‘roli’ i tij, ishte përgatitur, duke nisur që prej arratisjes nga Zagrebi.

GAZETA “LA NAZIONE” (8 tetor 1979)

Përveç “La Stampa”, ngjarja ku përfshihet një shqiptar, është dokumentuar edhe nga një gazetë tjetër italiane. Bëhet fjalë për “La Nazione”, ku të dhënat e tejkalojnë artikullin e parë.

*Artikulli*

“Ishte kreu i një rrjeti terrorist, i huaji i gjetur i vrarë në Pisa”. Organizata të cilës i përkiste shqiptari, kishte detyrë të ‘spastronte’, kundërshtarët e regjimit komunist, të arratisur në Perëndim. Në Itali, viktima do të hynte në kontakt me refugjatët në kampe. Tani është gjithçka shumë më e qartë. Ljuan Stërmasi, klandestini shqiptar, që u gjet i vrarë të premten në mëngjes, në skarpatën e autostradës, Livorno-Sestri Levante, nuk ishte ai hajduti i makinave, që donin të na bënin të besojmë, por përkundrazi, është një nga drejtuesit e një organizate terroriste paraushtarake, misterioze dhe e ashpër, që vepron në Itali dhe në shumë vende të tjera të Europës oksidentale.

Sipas informacioneve të marra, nga shërbimet sekrete italiane, do të kishte për detyrë: të “spastronte” të arratisurit nga Shqipëria, domethënë, me fjalë më të thjeshta, të eliminonte fizikisht, ata që ishin kundër regjimit komunist të Republikës Socialiste të Shqipërisë, ata që gjetën strehim jashtë vendit, të ikurit, që në të shumtën e rasteve, gjendeshin në kampe refugjatësh.

Ljuani Stërmasi, me maskën e tij guerile, siç kamuflohej ose u përpoq të kamuflohej, duke bërë vjedhje makinash të parkuara, ishte i njohur, thuhet, për shërbimet e sigurisë. Kështu që, të shtunën në mëngjes, kur truri elektronik i Criminalpol, u pyet për të zbuluar se kujt i korrespondonin shenjat e gishtërinjve, të njeriut të gjetur të vrarë në autostradën midis Pisa dhe Viareggio-s, u përgjigj se ato i përkisnin shqiptarit, atëherë shërbimet tona sekrete filluan të punojnë.

Është e qartë se; Ljuan Stërmasi, është vrarë i tradhtuar: ekzaminimi i jashtëm i kufomës, e ka konstatuar në të vërtetë – sot megjithatë, do të ketë konfirmime të sakta nga autopsia e urdhëruar nga gjyqësori i Pisës – që ai ishte qëlluar nga tre plumba të shtënë në një distancë të shkurtër, ndërsa ishte me shpinë nga ai që e qëlloi. Njëri plumb, e ka kapur në lartësinë e rruazës së parë afër qafës; një tjetër, në qendër të shpinës, ndërsa i treti, ka prekur mushkërinë e majta.

Kush mund të ketë pasur interes për të vrarë shqiptarin? Ljuan Stërmasi, mund të jetë vrarë – në këtë pikë – nga dikush që është kundër regjimit komunist, në vendin e tyre dhe që mësoi për identitetin e vërtetë të emigrantit të paligjshëm; nga frika se mos eliminohej, ai veproi së pari. Stërmasi, sipas një hipoteze tjetër, mund të kishte rënë në grackën e një grupi refugjatësh shqiptarë, të njëjtët që nga jashtë, përpiqen të luftojnë Partinë e Punës, atë Parti që qeveris Shqipërinë dhe që mori emrin e saj, në vitin 1949, nga Partia Komuniste. Dhe në fund, emigranti i paligjshëm, mund të jetë vrarë nga e njëjta organizatë, së cilës i përkiste, sepse papritmas, u bë një person i pakëndshëm, një dëshmitar i rrezikshëm.

Hipoteza e fundit është më e pakta e mundshme, edhe sepse, gjithnjë sipas informacionit që kanë në duar Shërbimet Sekrete Italiane, Stërmasi, mbante një post të spikatur brenda hierarkisë terroriste; ka edhe nga ata që e tregojnë si kryetarin e grupit përgjegjës, për të vepruar në Itali. E sigurt është në çdo rast, se që nga viti 1978, kur Stërmasi mbërriti në mënyrë klandestine në vendin tonë, ai ka qenë shumë aktiv: dihet që për njëfarë kohe, gjeti strehim në disa kampe refugjatësh në veri të Italisë, ku thuhet se ai, kishte ardhur duke pretenduar gjithashtu, se ai ishte gjithashtu kundërshtar i Partisë së Punës së Shqipërisë.

Para se të mbërrinte në Itali, Stërmasi, ishte arrestuar në Jugosllavi dhe ishte burgosur në Zagreb. Ai ishte akuzuar atëherë, siç ka ndodhur edhe në vendin tone, për vjedhje të vogla dhe grabitje, krime për të cilat, agjentët e shërbimeve sekrete të gjysmës së Evropës, besojnë se janë kryer nga i njëjti, Stërmasi, për të mbuluar, përsërisim, misionin e tij të vërtetë, atë të “pastrimit” të të persekutuarve politikë.

Nga Zagrebi, apo më saktë nga burgu i Zagrebit, klandestini, arriti të ikte, duke organizuar një arratisje të bujshme. Policia perëndimore, humbi kontaktin me të, për sa kohë që dihej se ai kishte ardhur në Itali, kishte qëndruar te një çift refugjatësh dhe më pas, gjeti strehim në kryeqytet. Lajmet në këtë pike, bëhen fragmentare; është e qartë se vdekja e shqiptarit, sot rihap një diskutim mbi dhunën politike që ka rrënjë në vendin tonë, dhe ri propozon pyetje të vjetra, në lidhje me mundësinë e lidhjeve midis terroristëve italianë, që ka qenë veçanërisht aktive vitet e fundit, dhe grupeve terroriste, të vendeve të Lindjes.

Kjo është arsyeja pse burimet e informacionit, janë të heshtura; ato pak gjëra që janë bërë të njohura, janë mundësuar nga mungesa e diskrecionit, fjalë të thëna dhe ato të pathëna. Sidoqoftë, që Ljuan Stërmasi ishte një personazh i rëndësishëm, e dëshmon jo vetëm heshtja e çuditshme të hetuesve, por edhe rituali, që ndoqën vrasësit e tij për ta vrarë dhe për të zhdukur trupin e tij. Sipas hetimeve të fundit (hetimi i bazuar për momentin vetëm në ekzaminimin e jashtëm të kufomës), duket se Ljuan Stërmasi, u vra të paktën tre ose katër orë para se kufoma e tij, të hidhej në anë të autostradës Livorno-Sestri Levante, etj., ndërmjet Pisa dhe Viareggio-s. Kjo, i bën hetuesit të besojnë se, shqiptari u vra në Romë, qyteti ku ai punoi, dhe për këtë arsye, për të devijuar hetimin, është sjellë qindra kilometra larg.

Mungesa e dokumenteve, vonoi identifikimin e tij. E gjithë kjo, me sa duket, i lejoi ata që kishin kryer krimin të shpëtonin, ose gjithsesi, të blinin kohë. Por, a është braktisja e kufomës vetëm një fakt ‘teknik’?! Hetuesit besojnë se po, megjithëse nuk e lënë pas dore, natyrisht, një hetim për zonën. Hetimet kryhen jozyrtarisht – gjithashtu në Alto Adige dhe Veneto, ku thuhet se, ka grupe të trajnuara mire, të organizatës terroriste. Memorie.al

Marrë nga Gazeta Shqiptare

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/per-25-vjet-kam-qene-ne-cekosllovaki-austri-france-belgjike-e-itali-i-derguar-nga-sigurimi-per-vrasje-te-emigranteve-shqiptare-dhe-deshmia-e-bujshme-e-ish-te-burgosurit-pol/