“Pasi sekretari partisë, i quajti ‘imoralë të degjeneruar, që Partia i dënon si armiqtë e popullit’, ai nxorri revolen dhe qëlloi në kokë mësuesen e…”/ Ngjarja tragjike në Tepelenë, që alarmoi Enver Hoxhën

Nga Zyba Hysen Hysa  

Pjesa e dytë

Memorie.al / Ishin ditët e fundit për maturantët shkollës “Jani Minga” të Vlorës, të cilët, pasi të përfundonin provimet, do të merrnin diplomën e mësuesisë. Si çdo maturant, edhe Xhevairja, ndjente shqetësimin dhe gëzimin e mbarimit të shkollës dhe shpesh tërhiqej nga shoqëria dhe ëndërronte. “Si do të jetoj pa shoqet e mia? Kemi ndarë gëzimet dhe shqetësimet… kemi ndarë dhe emocionet tona të para duke treguar njëra – tjetrës me një sinqeritet dhe çiltërsi fëmije. Si vallë do jetoj larg tyre?” – mendonte dhe shfletonte fletoren e kujtimeve e cila ende s’kishte përfunduar, por Klodi, Shpresa, Vitoria, Merushja, Penelopi, Nadineja, Hamideja, Pashako, Vangjelia, Elpiniqi…i kishin hedhur ato me shkrim të bukur, ku shprehnin dashurinë e pastër shoqërore dhe shqetësimin se ndonjë herë mund t’i harronte ato. Qëndroi tek faqja e Klodi Kadut, ku ndër të tjera shkruante: “Xhevo, s’besoj se do të më harroni dhe po t’më harroni, po deshët kujtoni shakatë që bënim bashkë…” I lexoi dhe filloi të qeshë nën vete. “E, ku mund të harroj unë jetën katërvjeçare, ku kemi ndarë kohën dhe kafshatën bashkë? O shoqja ime, sa humor më sillje, kurrë s’më lije të mërzitur…”

                                                        Vijon nga numri i kaluar

Xhevahirja u skuq edhe më shumë…! Në ato çaste donte të dilte nga shtëpia dhe të mos kthehej më. Kjo familje i ishte gjendur si të ishte familja e saj, ndaj çdo fjalë që të dilte për të, do ishte një arsye për tu larguar prej tyre. Ata nuk meritonin t’i turpëroje. Një ditë komshia i kishte thënë:

– Xhevo, na je bërë si pjesë e familjes dhe ne nuk të largojmë më nga familja jonë…!

– Edhe unë ashtu ndjehem… u falënderoj për këtë.

– Edhe Besimi ka vëlla edhe unë, ti shikoji, cili të pëlqen, ne të duam shumë dhe na ke hyrë në zemër.

Ajo ishte skuqur kështu si sot, por me një ndjesi gudulisëse dhe ngazëlluese që të sjell vlerësimi i njerëzve që do e beson. Sa donte të ishte edhe sot kështu! Por sot atë e skuqte turpi dhe ankthi se si do të shmangte inspektorin. Biseda kaloi në të përditshmet, por Xhevua herë – herë s’ishte e përqendruar, bile jepte edhe përgjigje pa lidhje.

– Xhevo, nëse ke diçka që të shqetëson, mund të më thuash mua, se Besimi, ka shumë shoqëri dhe të ndihmon…!

– Ja, kam merak se mos më heqin nga puna, se nuk e kam diplomën për në gjimnaz…!

– Do t’i them Besimit, mbase nuk është zënë vendi i punës në Komitetin e Rinisë…?! Atje nuk do të kesh shqetësime, se do jesh vartësja e Besimit…!

– Mirë do ishte…!

– Ne e kemi diskutuar edhe para dy ditësh me tim shoq, por ai më tha që; Xhevua nuk më ktheu përgjigje, kur i thashë, ndaj kjo ka mbetur pezull.

– Që nesër jam gati të largohem nga shkolla…!

Në bisedë e sipër bie dera. Meqë komshia ishte shtatzënë, u ngrit Xhevua dhe hapi derën. Ishte Besimi.

– Erdhe o burrë?

– Po, do vija, se mbaroi orari zyrtar…!

– Eja, se sa të patëm në gojë me Xhevon…!

– Sigurisht për të mirë…?!

Të dyja qeshën. Qeshi edhe ai.

Besimi ishte njeri drejtpërdrejtë dhe s’e kishte zakon të thoshte dy herë një gjë, për të kishte dy gjëra: ose po, ose jo dhe mbaronte. Heshtjen e Xhevos për propozimin e tij për në Komitet të Rinisë, e kishte marrë për: “Jo” dhe kështu nuk i kishte thënë më. Flitej që do të vinte një mësuese tjetër nga Berati, por ende vendi ishte i lirë.

– Besim, Xhevua pranon të vijë në Komitet…?!

– Ashtu Xhevo? Unë po prisja të më thoshe një përgjigje…! Nesër do të flas me shokët e Partisë dhe kur të kthehem, do të bisedojmë…!

– Unë po dal, se erdhi shoqja, – tha ajo, ngaqë dëgjoi hapjen e derës së dhomës.

Biseda mes çiftit vazhdoi me entuziazëm.

– Dëgjo burrë, Xhevon do ta marrim për vëllanë tim…!

– E kemi thënë një herë, vëllai im është më i përshtatshëm për Xhevon. Vëllai yt ende është në Universitet…!

– E mirë de, ashtu u bëftë!

Nganjëherë duhet një jetë të ndodhë diçka, nganjëherë diçka misterioze i lëviz gurët e shahut dhe fiton me dy lëvizje. Edhe për Xhevon, vërtet ishte e pa imagjinueshme ngjitja e saj në detyrë, nga mësuese e fillores, direkt në gjimnaz e tashmë në Komitet të Rinisë. Kjo është pak e habitshme për kohën, por e vërtetë. Në çdo kohë e në çdo njeri ndodhin mrekulli dhe kjo vërtet ishte një mrekulli për Xhevon. Ajo e priti emërimin e ri me shumë gëzim, se më në fund do të shpëtonte edhe nga “kontrollet” e Kryeinspektorit.

Puna në komitet ishte sa e bukur, por dhe e vështirë. Pozicioni i saj ishte për organizimin dhe drejtimin e organizatës së rinisë së rrethit në luftë të papajtueshme kundër zakoneve prapanike e besëtytnive fetare dhe kjo kërkonte vërtet guxim dhe vendosmëri, kërkonte oratori dhe aftësi, gjë që asaj nuk i mungonte. Se ç’kishte ajo një gjë që i magjepste njerëzit që në bisedat e para. Kjo gjë ndodh kur shpirti dhe bukuria e njeriut janë në unison dhe Xhevua ishte e bukur në pamje dhe në shpirt.

Si çdo punë, edhe puna në komitet kishte vështirësi. I duhej të kalonte nëpër të gjithë fshatrat e Tepelenës dhe kudo që shkonte (më shumë në këmbë), shoqërohej nga Besimi dhe të dy organizonin takime dhe mbledhje, merrnin edhe pjesë në prishjen e kulteve fetare, gjë që ajo kurrë s’donte ta bënte, por ishte detyra dhe porosia e Partisë, që s’kishte guxim të kthente fjalën njeri, se do të shpallej “Armik i popullit”.

Puna po i jepte mundësinë për t’u takuar me shoqet e saj. Kishte mall. Përherë mendonte që ato e kishin punën të vështirë, se mungonte komunikimi, furnizimi me ushqime dhe mundësia për të ardhur në qytet, por kur shkoi dhe i takoi ato, vërtet u ndje me shumë fat. Me një kohë kaq të shkurtër, ato ishin transformuar dhe përshtatur me ambientin dhe njerëzit, thua se fshatarët kishin ndikuar tek ato e jo ato tek fshatarët! Kjo e çuditi, por nuk u shprehu asgjë. Kur takoi Myzejenin, u derdh në qafë dhe nga malli derdhën lot.

– Do bisedoj me drejtorin e shkollës të japë leje dhe eja në Tepelenë me ne e rri tek dhoma ime këto ditë dhe ktheu të hënën.

– O Zot sa më ka marrë malli…- tha Myzua dhe u hodh përsëri në qafë.

Për fat infermierja kishte ikur në shtëpinë e saj në Berat dhe në dhomë ishin vetëm. Biseduan gjerë e gjatë dhe Xhevua u trishtua shumë kur shoqja e saj tregonte peripecitë në fshat. Dëgjonte dhe më në fund biseda u pre si me thikë. Asnjëra s’po fliste.

– Më thuaj Xhevo si po e kalon këtu. Më vjen mirë që ke arritur deri në Komitet, unë ndjehem krenare për ty.

– Vërtet Myzo, edhe unë nganjëherë nuk e besoj se si ndodhi, por do ta them, se fati po më përkëdhel. Më kanë ndihmuar shumë komshinjtë e mi.

– Vërtet shoku Besim, ishte njeri i mirë.

– Jo vetëm kaq, ata duan të më fejojnë me vëllanë e tij, i cili ka mbaruar mjekësi dhe punon në spital.

– Do me thënë e ke siguruar qytetin, ne kushedi se nga do na bien rrathët, – tha ajo me humor dhe qeshën me të madhe.

Xhevua u përpoq të tregonte për inspektorin, por s’po merrte guxim.

Përsëri biseda ngeci.

– Pa hë, na thuaj ndonjë barsoletë, siç bënim në shkollë…?!

– Shkolla nuk përsëritet më, Myzo, ato biseda, ato të qeshura unë vërtet i paskam harruar…! Po edhe unë kam ato të mijat. Të kujtohet çfarë të kam thënë për profesor… që më ftoi tek dhoma e mandolinës dhe më tha të mbyll derën me çelës?

– Po, më kujtohet…!

– Më ndjekin këto mua, mos vallë unë pa vetëdije u lë të kuptoj njerëzve se jam e pa moralshme?

– Kush e ka thënë këtë? Po të ishe e tillë, Besimi s’do të dëshironte të merrte për vëllanë!?

– Uuu, Myzo, ashtu më ndodhi me inspektorin…- tha ajo dhe i tregoi fije për pe…! – Bëj kujdes me të, se edhe gruaja e Besimit më ka thënë që është shumë i poshtër.

– Unë s’kam lidhje, s’ka pse vjen deri atje, kur mësueset më të bukura i kanë mbajtur në qytet…!

– Edhe ti e bukur je…!

– Por jam me biografi, nuk më afrohen lehtë mua…!

Takimi mes shoqeve është magjik. Shoqja e mirë është më shumë se motër, se ka disa biseda që s’mund t’i bësh me motrën, ashtu krejtësisht hapur. Xhevua me Myzon kishin qenë jo vetëm shoqe klase, por edhe shoqe lagjeje, ishin rritur bashkë. Nëna e Myzos, punonte shumë në bahçen e saj dhe përherë e dërgonte Myzon me çantat plot me perime e fruta, ngaqë ata ishin shumë të varfër, ndaj lidhja mes tyre ishte edhe shoqe, edhe motër dhe asnjëra s’i kishte mbajtur sekrete njëra – tjetrës.

Dy ditët kaluan dhe Myzua u njoh mirë edhe me komshinjtë e Xhevos. Vërtet ishin njerëz të mirë dhe Besimi i tha që do mundohej se mos e afronin me punë, të paktën në një fshat afër qytetit, që të kishte mundësi për çdo javë të vinte tek Xhevua.

Ditët po kalonin si të ishin vite, kaq të ngjeshura me punë dhe aktivitete, saqë s’kishte kohë të qëndronte dhe të sistemonte mendimet. Para disa ditësh, ishte takuar në shtëpinë e Besimit me vëllanë e tij. Nuk folën për fejesën, por mënyra se si rridhte biseda të gjitha fjalët flisnin pa zë për këtë. Nga mënyra se si e shikonte Xhevon, se si bisedonte, kuptohej qartë që të dy ishin dakord për të kaluar jetën bashkë, por largimi për çdo ditë nga qyteti, në të gjitha fshatrat për mbledhje dhe takime me rininë e kishte spostuar këtë gjë për ta bërë fakt të kryer, se do u duhej të shkonin në Vlorë, tek prindërit e saj për të kërkuar dorën. Puna ishte intensive, ku në një fshat, ku në tjetrin dhe ajo ishte me fat që kudo e shoqëronte Besimi.

Një ditë, tek po bisedonte me shoqet e punës, Myzua, dëgjoi njërën nga ato të përkëdhelurat e Partisë që tha:

– Ja edhe vlonjatja e qelbi qytetin…!

– Për kë e ke fjalën? – Pyeti ajo.

– Ja, ajo Xhevua jote…!

– Pse flet ashtu për shoqen time?

– Hë moj se ju vlonjatet ashtu jeni, hiqeni të ndershme, po nga ana tjerët bëni pisllëqe…!

– Moj, e di ti për kë po flet? Ajo është jo shoqja ime, por motra ime!

– Aq më keq atëherë, ajo të ka turpëruar.

– Çfarë ka bërë ajo?

– Bën dashuri me inspektorin?

“O Zot, mos vallë i është dorëzuar atij maskarait? Ç’ke bërë moj çupë!” – mendoi Myzua dhe uli kokën e shqetësuar.

– Hë, pse nuk flet? Apo s’më kundërshton dot. Gjithë rrethi zien për ta! Turp t’i vijë atij se ka dhe dy fëmijë dhe gruan me barrë me binjakë…!

– Për kë inspektor po më thua, për Besimin?

– Atyre u ka plasur cipa fare, bashkë në zyrë, bashkë nëpër fshatra, më duket se dhe në shtëpi bashkë janë, se jetojnë përballë njëri – tjetrit në të njëjtin pallat.

– Mbylle moj gojën, ata janë familje e ndershme dhe Xhevua do fejohet me vëllanë e Besimit…!

– Hahaaaaaa, kështu i mbulojnë pisllëqet njerëzit, po, si mund të bindësh gjithë rrethin tashmë që nuk ka mbetur njeri që s’e di këtë gjë. Sapo shikojnë Besimin, aty do jetë edhe Xhevua jote…!

– Moj do ta qepësh atë gojë ti, apo… – dhe u ngrit e ia përplasi fytyrës me shuplakë.

Shoqet tjera u ngritën dhe i ndanë se ishin mbërthyer për flokësh. Secila u ul me nga një tufë flokësh të njëra – tjetrës në dorë.

Njëra nga shoqet u ngrit dhe lajmëroi drejtorin. Ishte ngjarje e rëndë për kolektivin të rriheshin dy mësues e aq më tepër dy mësuese që duhet të ishin shembull për këdo në fshat.

Erdhi drejtori dhe urdhëroi të nxirreshin nxënësit jashtë dhe të bëhej mbledhja urgjente e Këshillit Pedagogjik. Pas diskutimeve të shumta, “pro” dhe “abstenim”, më në fund drejtori vendosi t’i propozohej Seksionit të Arsimit t’i dërgohej një komunikatë për ngjarjen dhe vendimi të vinte prej andej.

Myzua e dinte fort mirë se në duar të kujt do të binte komunikata dhe priste me ankth përgjigjen dhe s’kaluan as dy ditë, që erdhi vetë kryeinspektori që deklaroi që Besimi dhe Xhevahirja ishin imoralë dhe jo vetëm kaq, ata po përgatiten të arratisen…! Ndaj mësuese Myzejeni si masë paraprake, të transferohet që këtu dhe të shkojë në fshatin më të thellë të rrethit. Kjo do të bëhet qysh sot. Në rast se kjo takohet me Xhevahiren, do të pushohet nga puna.

I gjithë rrethi ziente, vetëm Besimi me Xhevon s’dinin gjë, por ajo që i habiti, qe se nuk i caktonin më bashkë nëpër fshatra dhe shikonin që shoqëria u distancua sikur të shikonin kolerën.

Një ditë sekretari i komitetit të rinisë i thërret në zyrë të dy.

Sapo u rehatuan në karrige, u foli ashpër:

– Çohuni në këmbë? Dashkeni dhe të rrini ulur në zyrën time! Turp t’ju vijë, kemi mbushur gjithë rrethin me fjalë, saqë s’guxoj të dal prej dere. Na vutë vulën e turpit!

– Shoku sekretar, nuk po u kuptojmë, çfarë paskemi bërë ne?

– Si nuk e dini çfarë keni bërë? Sa hipokritë që jeni, por Partia është vigjilente, ju jeni imoralë dhe imoralët Partia i dënon si tradhtar.

– Prapë s’po u kuptoj shoku sekretar, ç’lidhje kemi ne me imoralët?

– Ju vërtet po më çmendni, edhe fëmijët rrugëve qeshin me ju e ju sigurisht as s’i dëgjoni, as s’i shikoni, se u ka verbuar sytë dashuria.

– Çfarë po thoni shoku sekretar, unë Xhevon e kam si motër dhe jo vetëm kaq, por unë do e marr nuse për vëllanë…!

– Aq më keq, dashnoren tënde t’ia ngecësh vëllait…!

– Çfarë po thoni kështu shoku sekretar?! Kjo është akuzë e rëndë dhe krejtësisht pa bazë… ju lutem mos e thoni më, se është keq edhe për mua që kam familje, edhe për Xhevahiren se është vajzë…!

– Unë nuk akuzoj, por po u them atë ç’ka jam i detyruar ta them, jeni të pushuar nga puna dhe nuk do të shpëtoni me kaq, do të përgjigjeni para gjykatës si shpërdorim të detyrës për imoralitet. Ju jeni shpallur armiq të popullit, se armiku të godet me ideologjinë dekadente borgjeze…!

Xhevahirja mbeti pa gojë. Filloi të qante me dënesë.

– Të kishe qarë më parë, shoqja Xhevahire, tani jo loti s’të lan turpin, por edhe deti…!

Ajo shtoi ngashërimin. Atëherë sekretari urdhëroi.

– Shkoni në zyrë dhe bëni gati dokumentet për dorëzim. Nesër do të vijnë zëvendësuesit dhe me ju të merret hetuesia, – mbylli ai bisedën prerazi dhe u ngrit, se kishte kaluar edhe orari zyrtar.

Ata dolën kokë ulur dhe shumë të tronditur dhe duke mos ditur ku të shkonin, hapën derën e zyrës dhe hynë brenda.

Secili ulur në karrigen e tij e ndjenë veten si në karrige elektrike dhe u dukej sikur nga çasti në çast do të shtypej çelësi dhe ata do të vdisnin. Ai e dinte mirë se çfarë i priste, mjaftonte të futeshin në rreth për tu bërë shembull dhe kjo mjaftonte, se rrjeti punonte zinxhir për t’i denigruar dhe krijoheshin aq inskenime, saqë s’kishte avokat në botë t’i mbronte. Drejtësia ishte fjala e Partisë dhe fjala e Partisë ishte ligj. Më mirë të ulej ai çelës, se sa të dilnin para gjyqit të diskreditoheshin në sy të shoqërisë, fare e fisit, familjes…!

Asnjëri nuk fliste. Ajo qante me zë, ai kishte zënë kokën me dy duart dhe përpiqej të lidhte mendimet, por ato bëheshin avull. “O zot!” – psherëtiu ai thellë dhe me zë. Nuk po lidhte dot asnjë mendim, po për çfarë t’i duheshin mendimet? Të fundit e morën vesh ata se çfarë thuhej dhe çfarë luhej në kurrizin e tyre, ose më mirë të thuash, ata morën vesh fundin e tyre me turp, pa bërë asnjë turp.

Kur njeriu dashje pa dashje e kryen një krim, një turp, apo një diçka që ka dëmtuar dikë, e bën dhe pse pendohet që e ka bërë, e pranon dhe kjo është njerëzore, po këta çfarë të pranonin? Që ishin të ndershëm dhe kishin punuar me devotshmëri? Kush do t’i besonte? Kjo do t’i rëndonte dyfish në dënimin e gjyqit. Po, sikur të pranonin, çfarë do të ndodhte? Do mbeteshin të gjallë e të poshtëruar nga cilido. Çfarë të bënin? Kur kryhet një vepër penale, bashkëpunëtorët përpiqen të gjejnë një shteg për të dalë, po ku t’i gjenin shtigjet kur ata s’kishin bërë asgjë?

Besimi nuk guxonte të ngrinte kokën të shikonte Xhevahiren. Por ngashërimi i saj e tmerronte dhe shpirti i dridhej si qengj i therur. Çfarë t’i thoshte? Ai tashmë e kishte vrarë pa dashje, por edhe ai ndjehej i vrarë prej saj e pse ishte gjëja e fundit që mund të ndodhte mes tyre. U gjendën në një rreth të mbyllur ku s’mund të dilnin më.

Koha në raste fatkeqësish bëhet e rëndë, por kur njeriu përjeton raste përtej fatkeqësinë së një krimi të pakryer, koha s’ka kohë më dhe njeriu del jashtë kohe dhe hapësire. Ata ishin dhe s’ishin më në jetë.

Papritur Besmiri u ngrit me vërtik, kur dalloi që nga dritarja kishte rënë nata. “Boboooo… Po tani? Çfarë do të mendojnë tjerët? Po gruaja ime? Si vallë nuk e ndjemë kohën?” – mendoi ai dhe u ngrit. Në vend të shkonte drejt derës, hapi kasafortën, mori pistoletën dhe pa nxjerrë zë, qëlloi mbi Xhevahiren. Pas krismës, pushoi ngashërimi i saj.

Koka i ra mbi tavolinë dhe dokumentet që ishin mbi të u shndërruar lulëkuqe gjaku. Ai nuk shikoi, as gjakun që rridhte nga koka e saj, as trutë që fluturuan në tavan, ai, as pistoletën se shikonte, as mendonte se çfarë kishte bërë, ai vetëm kryente veprime dhe ktheu pistoletën e futi në gojën e tij dhe trutë e tij u bashkuan me të Xhevahires në tavanin e zyrës dhe ra në dysheme mbi pellgun e gjakut të tij.

Zyra s’kishte më njeri, aty ishin vetëm dy viktima të thashethemeve dhe ligësisë së njerëzve pa moral. Njerëzit e pa moralshëm, për të larë fytyrën e tyre të lumosur, hedhin baltë mbi njerëzit e ndershëm dhe duke qenë ligësia instaluar kudo, i ligu bën ligjin dhe dënon të mirin.

Tri ditë e tri net asnjë lajm nga Besmiri dhe Xhevahirja. Qarkullonin fjalë nga më të ndryshmet, nga më të çuditshmet, por ajo që mbizotëronte ishte arratisja e tyre jashtë shtetit. Përveç imoralitetit zhdukja e tyre forcoi opinionet e fjalamanëve dhe me një egërsi të pa imagjinueshme flitej për ta sikur të ishin kriminelë. Gjithë policia u vu në kërkim, gjithë zona u ngrit në alarm, por askund nuk u panë e nuk u gjetën. Atëherë u pezulluan kërkimet dhe në Komitetin e Rinisë shpërtheu një erë shumë e keqe dhe askush s’e kuptonte se nga vinte.

Dy zëvendësuesit kishin ardhur në zyrën e shefit të seksionit dhe u vendos të shqyhej dera që të fillonin punën. Lajmëruan një marangoz dhe me një daltë, zbërtheu bravën dhe dera u hap duke përhapur erën e kufomave. Marangozi u kthye me vërtik dhe shkoi në zyrën e shefit i lemerisur.

– Shoku shef, në zyrë ka ndodhur diçka…!

– Çfarë ka ndodhur?

– Janë vrarë…!

Shefi bashkë me dy zëvendësuesit rendën. Po çfarë të shihnin: dy trupa të karbonizuar dhe zyra ishte kthyer në vend kolere.

Shefi përplasi derën dhe u kthye nxitimthi në zyrën e tij dhe mori në telefon policinë. S’kaluan as tre minuta dhe ia behën në derë një skuadër me policë. Shkuan në zyrë dhe i futën nëpër thasë dhe i nxorën duke i tërhequr zvarrë e duke shëtitur nëpër rrugët e qytetit, duke thirrur: “I gjetëm tradhtarët”, “I gjetëm tradhtarët…”!

I gjithë populli i Tepelenës shikonin dhe dikush pështynte, dikush këpuste fjalë të ndyra e shumëkush kthehej i tmerruar dhe hynin brenda mureve të shtëpisë.

Të nesërmen, disa policë marrin thesin e lerosur dhe të poshtëruar të Xhevaires në “Zuk” dhe e nisin drejt qytetit bregdetar. As thirrën njeri, as i pa njeri, vetëm e nxorën nga makina dhe e hodhën si deng në një baltishtë pranë shtëpisë së saj dhe ikën duke lënë pas kujën dhe gjëmën e familjes së varfër vlonjate.

Lufta kundër zakoneve prapanike e besëtytnive fetare vazhdonte për t’i zëvendësuar ato me hipokrizinë e Njeriut të Ri Komunist…! Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/pasi-sekretari-partise-i-quajti-imorale-te-degjeneruar-qe-partia-i-denon-si-armiqte-e-popullit-ai-nxorri-revolen-dhe-qelloi-ne-koke-mesuesen-e-ngjarja-tragji/