“Pasi dy hetuesit, i humbën shpresat se Agroni do firmoste proces-verbalin, aty në qeli, në prezencë të tij, njeri kapi gruan e tjetri vajzën dhe….”/ Dëshmia tronditëse e ish-të burgosurit politik

Nga Reshat Kripa

Pjesa e dhjetë

“Njerëzit që kurrë nuk e kanë njohur diktaturën dhe tiraninë, e kanë të lehtë të jepen pas retorikës për lirinë, duke harruar fare realitetin e thjeshtë e të tmerrshëm, të shtypjes së njimendtë atje ku ekziston përnjimend”.-

              Giovani Sartori: “Edhe njëherë për teorinë e demokracisë”.  

Memorie.al/ Robert Krasta, e kishte bërë zakon që në çdo përvjetor të prindërve, të shkonte në varreza dhe të vendoste një tufë me lule, mbi varrin e tyre. Vështronte fotografinë e stamposur në porcelan dhe fillonte bisedën me ta. Këtë zakon, kishte kohë që e kishte bërë. Biseda sikur i qetësonte shpirtin. U tregonte për gjithçka kishte ndodhur në familje. Ndonjëherë, kur gjente vështirësi në ndonjë gjë, u kërkonte ndihmë atyre dhe i dukej sikur ata i përgjigjeshin. Ndoshta kjo, mund të ishte ndonjë hamendje e tij, megjithatë ai e besonte.

                                               Vijon nga numri kaluar

Si kaluan një korridor të shkurtër, zbritën disa shkallë dhe u gjendën në radhën e gjatë të qelive. Prej andej, nëpërmjet disa shkallëve të tjera, zbritën në ndarjen ku ndodheshin dhomat e torturave. Hetuesi, Demiri, hapi një portë dhe ato panë Agronin të lidhur për këmbësh dhe duarsh në ganxhat e murit. Të dyja lëshuan nga një britmë dhe filluan të qajnë me ngashërim. Irida u vërsul dhe duke kapur këmbët e të atit filloi të flasë nëpërmjet lotëve që i rridhnin nëpër faqe:

– Babi, ç’të kanë bërë kështu? Përse?

Demiri ndërhyri dhe e tërhoqi. Ilia mbante Lumton.

– Kjo varet vetëm nga ai. Atij duhet t’i vijë keq për lotët tuaja. Mjafton të pranojë ato që ka bërë.

– Ju jeni kriminelë shpirtzinj! Unë nuk kam bërë asgjë.

– E moj, e dëgjon? – iu drejtua Demiri Lumtos. – Ende nuk do të tregojë. Foli ti se ndoshta bindet.

Lumtua mendoi se, duke i folur ajo, ai mund të pranonte të fliste. Për hir të saj dhe Iridës ai, do ishte i gatshëm të bënte gjithçka. Por në çast, mendoi karakterin e tij. E njihte shumë mirë atë karakter. E dinte se ai, nuk do i’a falte kurrë, nëse do t’i bënte një propozim të tillë. Vendosi të qëndronte si ai, e paepur.

– Ai ka karakterin e tij. E di vetë nëse, ka kryer gjë apo jo. Unë nuk mund ta detyroj të pranojë një gjë, që ai thotë se nuk e ka kryer.

– Ashtu? Atëherë po na detyroni të përdorim metodën tjetër. – Dora e tij u fut ndërmjet kofshëve të Iridës, – Paske kofshë të mira!

– Lëshomë! – thërriti Irida, duke ulëritur

– Lëreni vajzën! – thirri Lumturia dhe u nis në drejtim të saj, por u ndalua nga Ilia, që fillojë t’i zbërthejë gjokset dhe t’ia shtrëngojë.

– Lëshojini të poshtër! – u dëgjua zëri i mekur i  Agronit.

Lumtua, e ndjeu veten në një pozitë mjaft të vështirë. Nuk i kishte shkuar kurrë ndër mend se, mund të arrinin deri këtu. Irida vështronte me sy të zgurdulluar, duke mos kuptuar se çfarë po ndodhte.

– Agron! – thirri Lumtua, e mbytur nga lotët.

– Babi, babi, babi, ndihmona! – përsëriste Irida.

– Hë, si thua, të vazhdojmë më?

Agroni përpëlitej në ganxhat ku e kishin lidhur. Mundohej të zgjidhej dhe t’u hidhej sipër atyre dy çakejve, por ishte e kotë. Si e pa që nuk kishte tjetër rrugëdalje, pasi ata mund të bënin çdo gjë, tha:

– Ndaloni! Bjere të nënshkruaj atë që doni.

Krenaria e njeriut fisnik, më në fund ishte thyer. U tmerrua nga ajo që do të shihte ai që, deri në ato çaste ishte dikush, pa pritur dhe pa kujtuar, ishte shndërruar në askush. Ai po fillonte të binte në humnerë. Nuk mund të quhej më njeri. Ishte shndërruar në një person pa parime, pa moral. Ishte depersonalizuar i tëri.

Demiri hoqi duart nga vajza. Po ashtu edhe Ilia.

– Merri dhe prismi aty, – tha Demiri, duke i shkelur syrin Ilias.

Ato dolën. Demiri, thirri Myfitin dhe e urdhëroi të merrte Agronin dhe ta shpinte në zyrën e tij.

– Qëndro edhe ti atje, sa të kthehem unë.

Myfiti mori Agronin dhe u nis për lart.

Demiri u drejtua te dhoma e parë përbri asaj të torturës. Hapi portën dhe pa Ilian që mundohej të shtrinte në një tavolinë që ndodhej aty Lumton, duke e kërcënuar me kobure.

– Kafshë, kafshë, kafshë! – bërtiste ajo.

– U vaftë mbarë! – tha Demiri dhe u drejtua nga dhoma tjetër.

Hapi derën dhe pa Iridën fare të hutuar, si të përgjumur që fliste me vete.

– Babi, babi, babi, – pastaj shkrehej në vaj.

– Nesër babi do vijë në shtëpi, po hajde ta festojmë sot bashkë.

I zbërtheu bluzën dhe i nxori jashtë gjokset e vegjël. Filloi t’ia shtrëngojë fort dhe t’ia kafshojë. Ajo vazhdonte të qante dhe të thërriste të atin. Klithmat e saj mbyteshin brenda mureve të betonta. Ata ishin të plotfuqishëm mbi ato dy viktima të gjora. Egërsirat e kishin kapur gjahun dhe po e copëtonin pa mëshirë.

Isufi po rrinte te porta, ku e kishte caktuar Demiri për t’i dhënë përgjigje ndonjërit që mund të pyeste për diçka. Kishte parë Ilian që hyri brenda me dy femra dhe kishte pyetur shoferin e “Gaz”-it që i solli:

– O Selim, kush ishin ato dyja?

– Janë familjaret e një të burgosuri. Kanë ardhur për një ballafaqim.

Atij iu duk i çuditshëm ky ballafaqim në mesnatë, por nuk u thellua më shumë. Në fund të fundit, atje ishte e zakonshme që pyetjet të bëheshin pas mesit të natës. Ajo ishte një praktikë e njohur. Kishte kaluar më shumë se një gjysmë ore nga ardhja e tyre, kur në dyert e Degës së Brendshme, u shfaq një grua plakë. Isufi njohu atë plakën që kishte ardhur të kërkonte kryetarin, një muaj më parë.

– Më fal mor bir, por dua të takoj kryetarin e Degës. Thuaji se ka ardhur nënë Gjyla, gruaja e dëshmorit të Luftës Nacionalçlirimtare, Bexhet Canaj.

– Po tani është natë, moj nëne! Pastaj kryetari nuk është fare këtu.

– Si nuk është këtu? Mua më tha oficeri juaj, që këtu është.

– Cili oficer jua tha?

– Ai që mori nusen dhe mbesën. Tha se me urdhër të kryetarit, do bënin takim me djalin tim, që ndodhet i mbyllur këtu.

– Si quhet djali juaj?

– Agron Canaj.

Një hije dyshimi kaloi në mendjen e Isufit. Dy femrat që hynë para një gjysmë ore, tani plaka dhe fjala që i paskësh thënë operativ Ilia për kryetarin, që nuk ishte fare në qytet, e bënë të mendohej. Diçka e dyshimtë po përgatitej. Agronin e njihte. E kishte shoqëruar në qelinë numër shtatë. I kishte ardhur shumë keq për të dhe ishte munduar ta ndihmonte. Thirri një polic dhe i tha të qëndronte pak kohë në vendin e tij, se do të shkonte të kërkonte hetues Demirin.

– Nënë, do të shkoj unë ta kërkoj, – i tha plakës.

– Faleminderit, more bir! Zoti ta shpërbleftë për mirë!

– E ku ka zot? – tha polici që sapo mori shërbimin.

– Ka mor bir, ka. Ai ndodhet kudo. Edhe në ndërgjegjen tënde që thua se nuk ka Zot, ai ekziston. Ishallah nuk e provon të keqen, por po të ndodhesh në vështirësi, do ta kuptosh se ku ndodhet Zoti.

Isufi shkoi në zyrën e Demirit. Atje pa Agronin të ulur në një karrige dhe pranë tij Myfitin.

– Ku është shoku Demir?

– Poshtë në birucat, tani vjen.

Shkoi në qelitë e të burgosurve. Përveç dyerve të mbyllura me lloz, nuk pa njeri tjetër.

– Duhet të jetë në dhomën e speciale, – mendoi.

Zbriti poshtë dhe u drejtua andej. Në dhomën e speciale nuk kishte njeri. Iu  duk sikur dëgjoi një rënkim dhe pas tij një zë që qante. Zëri vinte nga dhoma përbri. Nga dhoma tjetër, dëgjohej një e qeshur histerike. Dera e dhomës së pare, ishte pak e hapur. E shtyu dhe pa hetues Ilian të zhveshur mbi një grua. Ajo qante me ngashërim. Mbylli portën dhe u drejtua nga dhoma tjetër. Nga brenda dëgjohej një zë që qante dhe qeshte. Dëgjoi edhe zërin e një burri që thoshte:

– Ja edhe pak, kënaqu moj kumbull!

Këto fjalë shoqëroheshin me një rënkim. Njohu zërin e Demirit dhe kuptoi gjithçka. U trondit. Poshtërsia e atyre dyve, e la pa mend. Ç’të bënte? Të largohej dhe të hiqej sikur nuk kishte parë gjë? Kjo ishte e pamundur. Do të qëndronte. Ta shikonin dhe ata që ai u bë dëshmitar i aktit të tyre të turpshëm. Dera e dhomës së parë u hap dhe doli Ilia me Lumton e përlotur. Kur pa rreshterin, ai u trondit.

– Po ti ç’kërkon këtu?

– Dua të takoj shokun Demir. Ka ardhur nëna e Agronit dhe kërkon nusen dhe mbesën.

Ilia ndërroi tonin. Mendoi ta bënte për vete me dredhi.

– Do ta provosh? – i tha duke i shkelur syrin.

– Është shumë e mirë. Provoje! Mos humb rastin.

– Faleminderit, nuk kam nevojë, – u përgjigj prerazi Isufi.

Ndërkohë u hap dhe porta tjetër dhe doli Demiri pas tij Irida. Sytë vajza i kishte të çakërdisura. Fytyra i ishte shtrembëruar. Kishte marrë pamjen e një të çmendure. Vazhdonte të qante e të qeshte njëkohësisht dhe belbëzonte:

– Babi, babi, babi…!

– Çfarë i keni bërë vajzës? – klithi Lumtua dhe e futi në gjirin e saj.

– Mbylle gojën! Po fole një fjalë dije se, ju të dyja dhe ai kokë mushka tuaj, do të zhdukeni brenda njëzetekatër orëve. Këtë mbaje në mendje.

Pastaj duke u drejtuar nga Isufi i tha me një ton të ashpër:

– Po ti?

– Erdha se përjashta, të kërkon nëna e Agronit.

– Përse?

– Atë e dini ju.

– Mirë, mirë. Merri dhe shpjeri përjashta. Lajmëro Selimin t’i çojë në shtëpi. Të marrë edhe plakën.

Ai i mori dhe u nis. Kur i pa në atë gjendje nënë Gjyla u trondit tepër.

– Çfarë ka ndodhur me vajzën?

– Asgjë! U trondit kur takoi të atin, – tha Lumtua duke e mbledhur veten. Nuk donte t’i jepte të kuptonte së vjehrrës.

Hipën në makinë dhe u nisën. Isufi largoi policin që e zëvendësoi dhe po rrinte te porta, duke përfytyruar skenat që kishte parë.

Demiri, ndërkohë, ishte kthyer në zyrën e tij dhe kishte nxjerrë jashtë Myfitin. Hapi sirtarin e tryezës dhe nxori prej andej një shkresë të shtypur në shumë faqe dhe, duke iu drejtuar Agronit, i tha:

– Do të ta lexoj?

Agroni nuk foli. Filloi të ndiejë të ftohtë. Po dridhej i tëri.

– Atëhere nënshkruaje! Shkruaj emrin, mbiemrin dhe vure nënshkrimin në çdo faqe të proces-verbalit.

Agroni vazhdonte të mos fliste.

– Mos harro, ato janë poshtë. Do të lirohen vetëm kur ti të nënshkruash.

Një ngashërim i thellë filloi të dalë nga zemra e tij. Lotët filluan t’i rrjedhin nëpër faqet. Filloi të qajë si një fëmijë. Demiri e la deri sa u qetësua dhe i tha:

– Nënshkruaje!

Mori penën dhe me dorën që i dridhej nënshkroi të gjitha fletët. Si mbaroi, mundi të thoshte me një ton therës:

– Tashti çdo gjë është e kotë. Agron Canaj ka vdekur.

Demiri thirri Isufin, i cili e mori dhe e mbylli në qelinë numër shtatë. Hetuesi i ndoqi nga prapa.

– Përse erdhe poshtë, qëparë? – pyeti Isufin.

– Të thashë, kishte ardhur nëna e Agronit dhe donte të bisedonte me ty.

– Ashtu? E çfarë donte?

– Donte shpjegime përse, i kishit marrë nusen dhe mbesën.

– Mua mos më shit mend me të tilla filozofira. Dëgjo, po hape gojën për ato që pe, dije se të piu e zeza. Mos mendo se mund të më bësh gjë mua. I kam aq njerëz sa për të më mbrojtur në çdo rrethanë. Ti nuk ke parë asgjë. Kuptove?

Isufi heshti dhe u largua. Rrugës u shkëmbye me Ilian.

– Po këtë kush na e poftisi sonte? – tha ai. – A nuk të thashë se është një veprim i rrezikshëm?!

Të dy u larguan duke u zgërdhirë me të madhe.

– Nuse, çfarë i kanë bërë vajzës? – pyeti përsëri nënë Gjyla duke parë gjendjen e Iridës.

– Të thashë moj nënë, u trondit tepër kur pa të atin në atë gjendje.

– Pse, si ishte ai?

Nënën mezi e mbante vendi. Lumtua e kuptonte dhimbjen e saj, por tragjedia që kishte pësuar, nuk e lejonte të mendonte shumë për dhimbjet e të tjerëve. Duhej ta mbante veten. Duhej të bëhej e fortë.

– Po natyrisht moj nëne, – i tha vjehrrës duke mposhtur dhimbjen, – pas më shumë se një muaji në birucë, pa parë dritën e diellit me sy, ishte shumë i zbehtë. Për syrin e vajzës kjo ishte një goditje e rëndë. Por ti mos u mërzit, se së shpejti do t’i kalojë dhe ajo do të shërohet. Irida vazhdonte të qëndronte si e ngrirë dhe me sytë e çakërdisur. Nga buzët e saj dilnin vetëm fjalët:

– Babi, babi, babi. Ti po fluturon. Gjyshe, shiko. Mos babi, mos fluturo. A e shikon, e kanë rrëmbyer harpiet…!

– Jo bijë, babi nuk po fluturon. Ai do të kthehet së shpejti. Mallkuar qofshin shkaktarët! – tha Lumturia duke përqafuar të bijën me lot ndër sy.

– Për hir të jetës, më thoni diçka. Çfarë më fshihni?  – ndërhyri nënë Gjylua.

– Ah, sikur të mundja! – tha Lumturia me veten e saj  pastaj, duke iu drejtuar së vjehrrës: –  E gjetëm të gozhduar në mur, o nënë. Ishte gati pa ndjenja nga torturat.

– Mallkim! – doli nga fundi i zemrës së plakës.

Irida filloi të ulërinte nga dhimbja.

– Mallkim!

– Kërkuan prej nesh ta detyronim të pranonte ato që nuk kishte bërë.

– Mallkim!

– Ai na bëri thirrje që të mos biem në grackën e tyre.

– Mallkim!

– Pastaj ndodhi ajo.

– Çfarë ndodhi, bijë.

– Mos më pyet më, o nënë.

– Fol bijë, çfarë ndodhi?

Në këtë kohë u ndie përsëri zëri i Iridës:

– Babi, babi, babi!

– Eja bija e mamit, eja me mamin tënd! Eja shkojmë në shtrat, – i tha e ëma.

Mori të bijën në krah dhe në mes të lotëve që i rridhnin pa pushim vrapoi në dhomën e saj. E shtriu vajzën në shtrat dhe po e zhvishte. Në mbathjet e saj dalloi disa gjurma gjaku të freskët. U tërhoq mbrapsht e tmerruar, ngriti duart lart dhe thirri:

– Zot, o Zot ku je? Përse nuk më more, por më le të shohë një tmerr të tillë? Ku është ndëshkimi yt? Ku je o Zot?

Papritmas u shkreh në një vaj të thellë. Përqafoi të bijën që nuk kuptonte asgjë. Qante e qante me ngashërim. Qante pa zë se kishte frikë mos e dëgjonte e vjehrra. I qante zemra. i qante shpirti. Ktheu sytë nga komoja mbi të cilën ishte një fotografi, ku kishin dalë të tre para disa muajve. Gëzimi shprehej në sytë e tyre. Po tani? Ai gëzim ishte shndërruar në dhimbje të pafund.

– Goni! – iu drejtua të shoqit në fotografi. – Ta vranë vajzën, o Goni! Ta vranë kriminelët. Na iku vajza nga duart, o burrë!  Na e rrëmbyen dhe na e hodhën në humnerë.

– Babi, babi, babi, – u dëgjua përsëri zëri i mbytur i Iridës.

Ky zë bëri që Lumtua të mblidhte veten. U shtri në shtrat me të bijën dhe duke e rrokur në mes të lotëve që i rridhnin nëpër faqe, tha:

– Fli zemra e mamit! Ke mamin këtu. Jemi bashkë të dyja.

Papritmas, nga sytë e së bijës filluan të rrjedhin lot.

– Ku është babi, moj mami? Mos e kanë rrëmbyer harpiet? Ja, ja shiko si po fluturojnë së bashku me babin.

– Jo zemra ime, babi nesër do të vijë në shtëpi. Fli tani!

Pas pak vajzën e zuri gjumi. Një gjumë i trazuar plot me ëndrra të tmerrshme. Herë pas here ngrihej e trembur. Lumtua e pushtonte dhe i fliste me zë të butë:

– Fli bija e mamit, fli!

Iridën e zuri përsëri gjumi. Një gjë e tillë vazhdoi deri sa zbardhi dita. Lumtua u ngrit dhe doli përjashta. Në korridor pa nënë Gjylën. Edhe ajo nuk kishte vënë gjumë në sy. Gjithë natën kish menduar se ç’do të bënte të nesërmen.

– Si është vajza?

– Tani po fle.

– Çdo të bëjmë?

– Do të shkoj të marrë mjekun.

Lumturia u largua me nxitim. Nënë Gjyla u drejtua nga fotografia e të shoqit që ishte në mur dhe i foli:

– Përse luftove dhe re, or burrë? Mos vallë për djalin e burgosur apo për mbesën e çakërdisur? Të gjithë na kanë kthyer krahët. Edhe ata që dikur i kishim miq. Kjo është liria për të cilën re dëshmor?

Irida hyri në dhomë si një somnambul e veshur me këmishën e natës.

– U ngrite, bija e nënës? – i tha nënë Gjyla duke e përqafuar

– Ku është babi nënë? A do të kthehet?

– Po bijë, ai do të vijë së shpejti. Po ti do të ftohesh në fill të këmishës.

Iku me vrap në dhomën e gjumit dhe sa hap e mbyll sytë u kthye me fustanin e saj. Ia veshi dhe u ulën të dyja në divan.

– E pe babin bijë? – e ngacmoi nënë Gjyla.

– E pashë nënë. Ai po fluturonte. Fluturonte lart në qiell. Ngado ishte i rrethuar nga harpiet. –Ngrihet në këmbë dhe duke hapur krahët – Babi, merrmë dhe mua me vete. Dua të fluturoj bashkë me ty.

– O zot! Pse na dënove në këtë mënyrë? – foli nënë Gjyla me veten e saj. Pastaj duke përqafuar vajzën – Eja bijë, eja te gjyshja jote.

– E morën nënë, e morën. Nuk e shoh më. Po e shpien në botën tjetër.

– Jo bijë, ai do të vijë dhe ti do ta përqafosh në krahët e tu.

Në këtë kohë, mbërriti Lumturia me doktorin. Sotiri, mjeku psikiatër, ishte një moshatari i Agronit. Kishin mbaruar studimet të dy në të njëjtin vit në Sofje, ai për Mjekësi dhe Agroni për Inxhinieri. E vizitoi me kujdes të veçantë. Së fundi u kthye nga Lumtua dhe i tha:

– Vajza ka pësuar një goditje të rëndë. Çfarë ka ndodhur? Dua ta di, në mënyrë që të marrë masat e duhura. Mos më fshihni asgjë.

Lumtua u mendua. E çfarë mund t’i thoshte? A mund t’i tregonte të vërtetën?

– Mbrëmë ishim në takim me Gonin. Kur e pa në atë gjendje, vajza u tmerrua. Nuk mundi të duronte më.

– Si e morët në takim një fëmijë kaq të ndjeshëm si kjo?

– Nuk e morën ne. Ata e morën vetë.

– Dua të jem i sinqertë me ju. Gjendja është serioze. Ka pësuar një tronditje të madhe. Duhet shtruar urgjent në spital. Atje do t’i bëjmë analizat e duhura dhe sipas tyre, do t’i japim edhe kurën e nevojshme. Do të dërgojë ambulancën për ta marrë. Fati qoftë me juve!

Ambulanca erdhi pas një ore. Vajzën e shtruan në katin e tretë të Spitalit Neuro-Psikiatrik, në një dhomë më vete. Me ndërhyrjen e Sotirit, u organizua menjëherë një konsultë me mjekë specialistë. Në fund u arrit në përfundimin se, vajza duhej të qëndronte patjetër në spital, për të bërë kurat e nevojshme. Me të qëndroi edhe Lumtua. Memorie.al

                                                              Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/pasi-dy-hetuesit-i-humben-shpresat-se-agroni-do-firmoste-process-verbalin-aty-ne-qeli-ne-prezence-te-tij-njeri-kapi-gruan-e-tij-tjetri-vajzen-dhe-deshmia-tronditese-e-ish-t/