“Pas fjalës së Enverit më 6 shkurt ’67, gjatë një nate, në varrezat publike të Vlorës, persona të panjohur…”/ Dëshmitë e publicistit të njohur nga Franca

Nga Vasil Qesari

Memorie.al/ Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e zhgënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit?  Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?!  Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi.  Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!

                                                        FEJA – OPIUM PËR POPULLIN

                                                            1967 Pranverë

Tirana ziente nga fletë-rrufetë, një pjesë e mirë e të cilave godisnin besimet fetare e klerin në përgjithësi. Fushata kundër tyre pat nisur në 21 janar, atëherë kur nxënësit e gjimnazit të Durrësit, kishin marrë nismën revolucionare për “thellimin e luftës kundër zakoneve prapanike e besimeve fetare”.

Mbas kësaj, më 6 shkurt, vetë Enver Hoxha, kish mbajtur një fjalim, në të cilin mbështeste fuqishëm nismën e rinisë e i bënte thirrje popullit të ngrihej në luftë kundër fesë. Ai fjalim, shënoi edhe fillimin e Revolucionit Kulturor ala-kinez në Shqipëri. Dukej se, për zhdukjen totale të fesë edhe ai, ashtu si Stalini e Mao Ce Duni, po përdorte djallëzisht rininë.

Gjithë shtypi e, në mënyrë të veçantë gazetat “Zëri i Popullit”, “Zëri i Rinisë” e “Bashkimi”, botonin për ditë faqe të tëra me letra, nisma, zotime e aksione nga fronti i luftës kundër zakoneve prapanike e besimeve fetare. Në to, njoftohej plot entuziazëm për mbylljen e prishjen e objekteve të kultit si dhe për diskreditimin publik të priftërinjve e hoxhallarëve.

Kështu, në Delvinë, një grup priftërinjsh ortodoksë, qenë detyruar të dilnin në mes të qytetit e aty, në prani të mijëra njerëzve u kishin ruajtur mjekrat. Një prej tyre i cili kish guxuar të rezistonte qe arrestuar në vend. Ndërkohë, Myftiu i Vlorës qe ekzekutuar si “armik i popullit” e, pak nga pak, qindra hoxhallarë e priftërinj po dërgoheshin për t’u edukuar në prodhim.

 Në Qeparo – tregon Zaho K.- ashtu si në gjithë zonën e Bregdetit të Himarës, autoritetet e Partisë e shtrënguan priftin e fshatit, at Panin, të presë mjekrën e të mos praktikonte më ritet fetare. I gjori prift! Nga që nuk mundi ta duronte dot poshtërimin, u mbyll në shtëpi e nuk doli jashtë saj për shumë kohë.

Fyerje e poshtërime të tilla i benë dhe psaltit të kishës, Petro Xhuvelit, njeri fisnik e mësues i respektuar, i cili e mbajti vazhdimisht të gjallë e të pashuar pasionin dhe përkushtimin e tij ndaj fesë.

Egërsia e zelli revolucionar për të zhdukur çdo shenjë të riteve e simboleve fetare, ra edhe mbi varrezat, vende të shenjta e të respektuara për çdo popull në botë. Gjatë një nate, në varrezat publike të Vlorës, persona të panjohur, thyen thuajse gjithë kryqet e varrezave ortodokse.

E njëjta gjë kish ndodhur edhe me gurët e varreve myslimane si edhe tyrbet. Enver Hoxha i kish shpallur luftë Zotit, për ta bërë Shqipërinë mbretërinë e shenjtë të kultit të tij. Çdo gjë e cila kish të bënte me fenë, duhej fshirë nga faqja e dheut. Brenda 8 muajve, në Shqipëri u mbyllën 2169 objekte kulti. Njerëzit përjetonin një prej fushatave më të egra e rrëqethëse që kish kaluar vendi.

… Një mëngjes, duke zbritur Rrugën e Elbasanit në Tiranë, përballë Liceut Artistik “Jordan Misja”, vura re një grup njerëzish mbledhur para shtëpisë së profesorit të Fakultetit të Shkencave, Minella K. Në mur, përbri portës prej hekuri, qe vendosur një fletë-rrufe. “Profesor! – shkruhej në të – Partia i’u ka besuar edukimin e brezit të ri, duke dhenë leksione mbi shkencat.

E ju, ndërkohë, keni bindje fetare të cilat i praktikoni fshehtësish. Nga burime të sigurta, dimë se ju bëni pjesë në një grup besimtarësh evangjelistë. Si e shpjegoni këtë qëndrim reaksionar e të maskuar, profesor? A meritoni ju, të vazhdoni të edukoni e të mësoni, brezin tonë të ri? Presim përgjigje…! Nga një grup studentësh të fakultetit Gjeologji – Miniera.

E fortë, kjo fletë-rrufe! – thashë me vete – Ka për ta pësuar keq, i gjori profesor!. Sepse e dija që, edhe nëpër fakultete, nenë shembullin e Gardistëve të Kuq kinezë, kishin nisur nga puna Grupet revolucionare të Rinisë të cilët, nenë drejtimin e Partisë, hartonin plane e aksione për luftimin e shfaqjeve të huaja, si në radhët e studentëve ashtu edhe të profesorëve.

Pas kësaj, vinim ré gjithmonë e më tepër një fenomen të ri. Gjatë leksioneve, disa pedagogë shkëputeshin nga thelbi i komenteve letrare e, u përkushtoheshin analizave rreth “ndikimit e rolit reaksionar të fesë në historinë dhe jetën e shoqërisë”, duke theksuar se, “ajo qe pjellë e injorancës e se populli shqiptar prej saj s’kish parë gjë tjetër veç të këqijave, përçarjeve e prapambetjes”.

Ndërkohë, qe pikërisht ato ditë që sa isha kthyer nga fshati Dajç, ku kisha shkuar për të takuar mikun tim F. Gazulli. Edhe aty fshesa e luftës ndaj fesë, kish përmbysur gjithçka. Kisha e fshatit qe boshatisur nga objektet e kultit e qe shndërruar në Vatër Kulture ndërsa, prifti i saj qe dërguar për të punuar në kooperativë.

 Aty, në Dajç, ti s’ke parë gjë! – tha shoku im i kursit, Sami Y.- Por, në Shkodër, është bërë nami. Ndërsa këtu, në Tiranë, endé nuk po shohim gjë. Xhamia e Et’hem Beut e Kisha Katolike, për shembull, janë endé hapur…! Është e pamundur! Xhamia, po, se e kam parë vetë, po për Kishën, nuk e besoj…! – iu përgjigja. Shkojmë ta shohim…? – pyeti ai. Shkojmë! – i thashë.

Dhe u drejtuam nga “Rruga e Kavajës”, aty ku ndodhej Kisha Katolike e Tiranës. Ishte ditë e diel, ditë e kremte. Fillimisht, mendova se do ta gjenim kishën gërmadhë. Por u gabova. Jo! Ajo ndodhej aty, e pa ngacmuar, me kanatat e dyerve të hapura e kryqin e stërmadh në krye të fasadës. Në pamje të parë dukej se s’kish ndodhur asgjë e jashtëzakonshme, por kjo qe vetëm një përshtypje e çastit…!

Ngjitëm shkallët e, mbi portë pamë një afishe ku dikush kish shkruar me germa të mëdha e të kuqe një citat të Emil Zola-së: Njerëzimi do të gjejë gëzim e lumturi, vetëm atëherë kur guri i fundit i së fundmes kishë, do të bjerë mbi kokën e të fundmit prift. Përbri saj, qe vendosur një fletë-rrufe, me tekstin: “… Zotërinj klerikë të Kishës Katolike…!

Ju vazhdoni të mashtroni disa njerëz që endé s’kanë arritur të kuptojnë se feja është gënjeshtër, se kisha është shprehje e obskurantizmit mesjetar, se Kleri është vegël e verbër e klasave ish-shfrytëzuese. Gjer kur do ta vazhdoni veprimtarinë tuaj reaksionare? Presim përgjigje…! Nga një grup studentësh të Institutit Bujqësor të Kamzës.

Kapërcyem pragun e hymë brenda. S’kish shumë njerëz. Qenë a s’qenë 30 vetë. Pleq e plaka si dhe disa të huaj, anëtarë të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë. Aty nga radhët e fundit kishin zënë vend, të shpërndarë në mënyrë të çrregullte, disa burra me kostume të njëllojtë e me syze të errëta. Ndenjëm pak minuta e u kthyem nga kishim ardhur.

– Bëmë mirë që ikëm…! Pse t’i hapim kot telashe vetes? – më tha Sami Y. e shtoi – I vure ré ata me syze…? Të siguroj se qenë të Sigurimit. Nga ata që ndjekin diplomatët e ambasadave. Unë them se kishën nuk e kanë mbyllur, për të vetmen arsye se aty shkojnë familjet e diplomateve. Por kjo, dëgjo mua, s’do të zgjasë shumë…!

Parashikimi i Sami Y., doli shpejt. Pas një jave, Xhuli B. një shoqe e degës së anglishtes, (që banonte në pallatin ballë kishës), më tregoi se kish parë me sytë e saj, ngjarjen e cila kish ndodhur gjatë meshës të së dielës më pas. Pikërisht, në çastin kur po zhvillohej ceremonia e ofrandës, mbi xhamat e saj kish vërshuar një batare gurësh, tullash, bulonash e copash hekuri.

Prifti, At Kurti, qe tërhequr i tronditur në sakresti, ndërsa besimtaret e pakët që ndodheshin brenda, kishin dalë të tmerruar. Disa qytetarë që po kalonin aty rastësisht, treguan më pas se, beteja qe organizuar nga një grup të rinjsh të revoltuar të Uzinës “Traktori”.

Kështu, kish marrë fund edhe mesha e fundit, e Kishës Katolike në kryeqytet…! Një ditë tjetër, kaluam përsëri pranë saj. Dyert e kishës qenë mbyllur, jo me një po me dy palë çelsa. Sa për priftin e saj, nëpërmjet një fletë-rrufeje, të vendosur përballë Bankës, mësuam se kish hequr dorë nga profesioni i predikuesit e, kish nisur punë magazinier në një ofiçinë mekanike të Tiranës.

Më pas, fati i jetës së tij, kish vazhduar tragjikisht. (Shumë vite më parë, At Kurti kish qenë dënuar me 20 vjet burg, i akuzuar si spiun i Vatikanit. Me një fjalë, siç thuhej atëherë, e kish emrin në listë). E vërtet, s’vonoi e një vit më pas, më 1968, ai u arrestua përsëri dhe u dënua me 16 vjet internim…! Memorie.al

                                                     Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/pas-fjales-se-enverit-mbajtur-me-6-shkurt-67-gjate-nje-nate-ne-varrezat-publike-te-vlores-persona-te-panjohur-deshmite-e-publicistit-te-njohur-nga-franca/