“Pas arrestimit të Gjergjit, në shtëpinë tij, shkuan dy arsimtarë, gjoja për t’i dhënë kurajo Lumtos, por ajo e kuptoi se, ata ishin provokatorë dhe…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik

Nga Reshat Kripa

Pjesa e shtatë

“Njerëzit që kurrë nuk e kanë njohur diktaturën dhe tiraninë, e kanë të lehtë të jepen pas retorikës për lirinë, duke harruar fare realitetin e thjeshtë e të tmerrshëm, të shtypjes së njëmendtë atje ku ekziston përnjëmend”.-

Giovani Sartori: “Edhe njëherë për teorinë e demokracisë”.  

Memorie.al/ Robert Krasta, e kishte bërë zakon që në çdo përvjetor të prindërve, të shkonte në varreza dhe të vendoste një tufë me lule, mbi varrin e tyre. Vështronte fotografinë e stamposur në porcelan dhe fillonte bisedën me ta. Këtë zakon, kishte kohë që e kishte bërë. Biseda sikur i qetësonte shpirtin. U tregonte për gjithçka kishte ndodhur në familje. Ndonjëherë, kur gjente vështirësi në ndonjë gjë, u kërkonte ndihmë atyre dhe i dukej sikur ata i përgjigjeshin. Ndoshta kjo, mund të ishte ndonjë hamendje e tij, megjithatë ai e besonte.

                                          Vijon nga numri kaluar

Ai nuk iu përgjigj, por i përplasi portën në turi. Priti sa i erdhën sytë dhe filloi të vinte rrotull qelisë duke u menduar. Mendimet janë e vetmja pasuri që ka njeriu në të tilla raste. Trurit, i burgosur dhe ai sikurse i zoti, nuk i mbetej gjë tjetër, veçse të mendonte. Mendimet këmbeheshin me njëri-tjetrin. Fillonin nga qelia, vazhdonin te familja dhe përfundonin te qendra e punës. Shkonin nga shkonin dhe takoheshin në një pikë, atje ku rrihte çekani. Kush do të ishte fundi? Arsyeja nuk pranonte dënimin, por a do të triumfonte drejtësia? Kësaj pyetje nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej. Cila drejtësi? Ai ende rrekej t’i mbushte mendjen vetes se, ka ende shpresë edhe pse, zhgënjimi po e bluante përbrenda.

Hodhi vështrimin në muret. Me vështirësi, dalloi shkrime të ndryshme. Lexoi disa emra njerëzish. Me siguri ishin të atyre që kishin qenë më parë aty. Kishte shumë psherëtima të dhimbshme, por edhe disa të shkruara nga njerëz që nuk i kishte mposhtur qelia. Në to, binte në sy besimi i tyre për të ardhmen.

Mos vallë ishte me të vërtetë fundi? U ul në njërin nga sofatet, futi kokën midis duarve dhe as ai nuk e dinte se ku i fluturonte mendja. Ajo kishte marrë arratinë. Por shpejt u përmend

– Mbahu burrë! – i tha vetes. – Kaq shpejt e lëshove veten dhe re kaq poshtë? Duhet guxim. Duhet gjakftohtësi. S’e kishte idenë sa kohë kishte kaluar, kur porta u hap përsëri. Roja solli një tas balte me një lëng, që s’e mori vesh ç’ishte, një lugë alumini dhe një copë të vogël buke të zezë.

– Kujdes, mos thyesh tasin! – i tha roja.

– Dua të takoj kryetarin!

Porta u mbyll përsëri pa përgjigje.

– Edhe unë kujt i drejtohem për një gjë të tillë! –  tha Agroni. – Ky është bishti i kavallit. Kur të më thërrasë hetuesi, do t’i kërkoj takimin.

Mori tasin dhe i mori erë. Ndjeu një erë qepe të zier. Mbushi lugën dhe e futi në gojë. Ndjeu neveri. Copëra qepe dhe disa kokrra orizi të përziera me ujë dhe shumë kripë. Kjo ishte ajo që përmbante tasi. Mendoi ta derdhte, por nuk dinte se ku. E la në një qoshe të qelisë. Filloi përsëri të lëvizë. Kur e ndjeu veten të lodhur, u ul në sofat dhe u mbështet pas murit.

– Përse nuk po më thërrasin?

Ky mendim i vinte vërdallë në kokë. Ca nga lodhja, ca nga dobësia e zuri gjumi. Porta u hap dhe përjashta pa Iridën që thërriste duke qarë:

– Babi, ndihmomë! Mos më lerë babi!

Një roje e tërhiqte zvarrë. Papritur roja u shndërrua në një përbindësh të tmerrshëm që, duke qeshur me një zë sarkastik, thoshte:

– Sot kemi një drekë të shkëlqyer!

– Mos kriminel! Lëshoje! – thërriste Agroni, por nuk mundte të lëvizte. Ishte lidhur me pranga të rënda. Hapi sytë mjaft i tronditur. Nuk pa asgjë veç errësirës së qelisë. Ç’u bë Irida? Mos e rrëmbeu përbindëshi? U kujtua se kishte parë ëndërr. Ndjeu frikë. Filloi të dridhej. Ndoshta nga ëndrra ose ndoshta nga ftohtësia e qelisë. Sapo ishte zgjuar ashtu i ulur në atë sofat betoni dhe mbështetur pas murit. Ndjeu se zorrët po hidhnin valle. E kishte marrë uria. Mori përsëri tasin dhe rrufisë një lugë tjetër. Ndjeu t’i përziej. I vinte për të vjellë. La tasin, mori copën e bukës dhe filloi ta kafshojë me ngadalë. Kur e mbaroi, ndjeu sikur u lehtësua.

Dikur i erdhi për të urinuar. Nuk e dinte se kur do ta lejonin për të shkuar në nevojtore. Madje, nuk dinte nëse ishte ditë apo natë. Atje ishte një errësirë e përhershme. Në errësirë, njeriu humbet nocionin e kohës. Nuk përcakton dot sa kohë ka kaluar. Agronit, i dukej sikur kishte kaluar një shekull. Urina po e shtrëngonte së tepërmi. Nuk e mbante dot më. Trokiti me forcë në portë. Asnjë përgjigje. Trokiti për së dyti. Porta u hap dhe u duk roja.

– Çfarë do ore? – tha me një zë të ashpër.

– Dua të urinojë. Shpjermëni në nevojtore!

– Bëje aty ku je. Ka orar për atë punë.

Porta u mbyll përsëri…!

Agroni trokiti më me forcë. Porta u hap dhe roja foli me një ton kërcënues:

– Mos do të lidh me hekura për muri?

Agroni pa muret me kujdes. Në atë përballë portës, pa katër ganxha të ngulura në të.

– Me siguri ato shërbejnë për të kryqëzuar njeriun, – tha me vete.

I vështroi më me kujdes. Dy ishin sipër dhe dy të tjerat poshtë. Me siguri, në të sipërmet lidheshin duart, ndërsa në të poshtmet, këmbët. Në disa filma me subjekt nga epoka e mesjetës, kishte parë dhoma të tilla torture. I lidhnin kundërshtarët dhe i qëllonin me kamxhik. Mos do t’ia bënin edhe atij ashtu?

Ndërkaq, urina e kishte shtrënguar së tepërmi. Disa pika i ranë në pantallona. U detyrua të shkonte në qoshen e qelisë dhe të pshurte. E ndjeu veten më të lehtësuar. Shkoi dhe u ul përsëri në sofatin e zakonshëm. Papritur një dritë verbuese vezulloi në qeli. Agroni zuri sytë me duar. Nuk mund të shikonte gjithë atë dritë.

Hapi ngadalë një gisht, por drita verbuese e detyroi ta mbyllte. Nuk guxonte më të hapte gishtërinjtë për të parë. Provoi përsëri, por përsëri gati u verbua. Qëndroi ashtu me duart para syve, pasi kaloi një kohë e gjatë, provoi përsëri. Drita sikur ishte ndezur, për të mos u shuar kurrë. Ndjeu një farë nxehtësie që vinte nga lart.

– Me siguri duhet të jetë ndonjë prozhektor i fuqishëm mbi kokën time, –  mendoi.

Sa ndenji në atë mënyrë, as ai nuk e kuptoi. Kur më në fund hapi gishtërinjtë, pa se drita ishte shuar. Ju duk se ndjeu një farë çlodhjeje.

– Më mirë në errësirë se në dritë. – tha me vete.

I çuditshëm ky gjykimi tij. Ai, njeriu që gjithë jetës kishte punuar për t’i dhënë dritë të tjerëve, tani kërkonte errësirën. Ajo ishte shpëtimi, ishte qetësia e tij. Nuk i kishte shkuar kurrë ndër mend që ai, njeriu i dritës, do të bëhej mik i errësirës. Ngriti sytë në tavan. Atje dalloi një prozhektor, që nuk e kishte vënë re më parë.

Porta u hap dhe roja solli tasin me gjellë dhe bukën. Si mori atë që kishte sjellë më parë, u largua. Agroni e mori tasin dhe filloi të vështroj se çfarë kishte brenda. Mbushi lugën dhe e provoi. Ju duk si shije fasulesh. Nuk ishte aq e pështirë sa e para, madje iu duk disi e shijshme. Filloi të hante me ngadalë, deri sa e mbaroi të gjithën. Pas një çasti filloi të qajë. Ngashërimi e mposhti.

Qysh ishte katandisur të hante atë gjellë që, as qentë nuk do ta pëlqenin? Kripa e saj i dha një etje të madhe. Trokiti në portë, por në atë çast u ndez përsëri prozhektori. Mbylli sytë me duar dhe u ul në sofat. Nuk dinte çfarë të bënte. Në njërën anë drita verbuese dhe në anën tjetër etja e tmerrshme. Dy torturat më mesjetare që po provonte ende pa filluar hetuesia. Kështu vazhdoi dhe as ai nuk e dinte se sa. Prozhektori ndizu dhe shuaju, gjella me shumë kripë dhe etja e padurueshme, nevoja për të urinuar dhe urinimi në qeli, fjetja pothuajse në këmbë dhe të ftohtit pas saj. Këto ishin torturat fillestare që provoi Agroni ato ditë.

Stefani u nis në punë si zakonisht. Po bëhej gati për t’u nisur me shërbim, në një sektor ku ngrihej një linjë e tensionit të lartë, kur mbërriti Ylli, një shoku i tij.

– Kanë arrestuar Agronin, – i tha me një zë të ulët dhe të dridhur.

– Çfarë?

– Ju thashë, kanë arrestuar Agronin. E arrestuan mbrëmë.

– Përse e akuzojnë?

– Armik i popullit

Lajmi e goditi Stefanin si rrufe në të kthjellët edhe pse e priste. Po realizohej skenari që kishte kohë që përgatitej. Në këtë skenar, ai kishte rolin e tij dhe shpejt apo vonë, do të dilte në skenë. Duhej biseduar sa më parë me Gjergjin. Edhe ai ishte pjesëtar i këtij skenari. U kthye në zyrë dhe mori në telefon kantierin ku punonte ai. I thanë se nuk ishte atje. Si të bënte? As vetë nuk e dinte. Si e peshoi mirë e mirë, vendosi të shkonte në punë. Nuk duhej të jepte shenja se ishte tronditur nga një lajm i tillë. Pastaj në orët e pasdites, do gjente mënyrën dhe do ta bisedonte me Gjergjin.

Dita iu duk shumë e gjatë. Nuk kishte të mbaruar. Mendime të ndryshme i silleshin rrotull. Si do të qëndronte Agroni në hetuesi? A do të rezistonte dot, apo do të zbërthehej? Në fund të fundit, çfarë mund të thoshte? Ata asnjëherë nuk kishin biseduar ndonjë gjë, që mund t’i komprometonte. Nuk kishte pse të kishte frikë. Kur nuk kishte bërë gjë, përse të trembej?

Mirëpo edhe Agroni nuk kishte bërë gjë, megjithatë ishte arrestuar. Mbi ç’bazë ishte bërë një gjë e tillë? A mund të arrestohej njeriu pa bërë gjë? Kjo ishte absurde. Megjithatë ishte e vërtetë. Tashmë ajo kishte ndodhur. Pse të mos i ndodhte edhe atij? Jetonin në kohën e absurdit. Këto mendime vinin vërdallë në mendjen e tij të çoroditur.

Me këto mendime në kokë, mbaroi dita e punës. U kthye në dhomë. Gjergji nuk kishte ardhur akoma. Nuk qëndronte dot në një vend. Doli përjashta dhe shkoi te një kafe ku zakonisht rrinin të dy së bashku. Gjergji nuk ishte as atje.

“Mos e kanë arrestuar edhe atë”? mendoi për një çast.

Vështronte rreth e rrotull dhe i dukej sikur të gjithë e shikonin. Në fytyrën e çdonjërit që kalonte, ai shikonte një punonjës të sigurimit të shtetit, të gatshëm për të ndërhyrë dhe për ta arrestuar. Së fundi pa Gjergjin me një grumbull shokësh.

– Gjergji, ku ishe? Kam kohë që po të kërkoj.

– Ç’është ajo pyetje? Ja ku jam i tëri dhe i bëri.

– Eja shkojmë në dhomë se, kam për të treguar diçka.

Gjergji u nda me shokët dhe të dy u nisën.

– Kanë arrestuar Agronin.

– Përse?

– E zakonshmja, armik i popullit

– E pse je kaq i alarmuar?

– Si të mos jem, a nuk ishte shoku ynë më i ngushtë?

– Po pastaj? Ne nuk kemi biseduar ndonjë gjë, që mund të na implikojë. Nuk e di se përse e kanë akuzuar, por me siguri nuk ka lidhje me ne.

Naiviteti i Gjergjit ishte fare i dukshëm. Stefani e kuptonte këtë, por nuk donte t’ia vinte në dukje se, nuk ishte çasti. Ndërkohë kishin mbërritur në dhomën e tyre.

– Dëgjo Gjergji! – i tha. – Puna nuk është kaq e thjeshtë. Sot ka shumë raste kur të pafajshëm e paguajnë për të tjerët. Edhe ne duhet të përgatitemi për këtë. Ti i di akuzat që na janë bërë. Për këto na ka folur vetë Agroni. Harrove sa herë e kanë thirrur para se ta arrestonin? Tani varet nga ai se si do të reagojë.

Këto fjalë e vunë në mendime Gjergjin. Naiviteti i tij kishte filluar të lëkundej. Krimbi i dyshimit kishte filluar të brente ndërgjegjen e tij. Filloi të ndjente frikën e arrestimit të shpejtë. Mos duhej të paguante për gjyshin e arratisur para tridhjetë vjetësh dhe që tani nuk jetonte më?

– Çfarë të bëjmë. Si mendon? A t’i shkruajmë Nardit?

Nardi ishte kushëriri i tyre që i kishte ndihmuar të vazhdonin arsimin e lartë.

– Jo, nuk mund ta rëndojmë më tepër. Pastaj ai nuk është më në atë pozitë që ishte dhe për këtë, shkaktarët jemi ne. Përkrahja për ne i kushtoi humbjen e vendit që kishte.

– Duhet të mendojmë ndonjë zgjidhje tjetër.

– Çfarë zgjidhje?

– Të tentojmë të arratisemi? Ne kemi një sektor të tensionit të lartë te Tri Urat. Shkojmë atje gjoja për të kontrolluar linjat dhe shikojmë mundësinë e arratisjes. Prej andej kufiri është fare afër.

– As mos e shko ndër mend. Kam dy prindër që po i afrohen moshës së pleqërisë dhe që presin, vetëm nga krahët e mi. Nëna nuk ka punuar kurrë, ndërsa babai, merr një pension minimal, që kurrsesi nuk i mjafton për të jetuar. Ti e di, unë jam fëmija i vetëm i tyre. A mund t’i braktis në atë gjendje që janë?

Stefani i dha të drejtë. Një gjë e tillë ishte e pamundur të realizohej. Duhej gjetur një zgjidhje tjetër.

– Duhet të shkojmë te Lumtua.

– Mos na rëndon më tepër një veprim i tillë?

– Është në nderin tonë ta bëjmë këtë veprim. Ne kemi qenë shokët e tij më të mirë. Harrove, ne ishim të ftuarit e vetëm në ditëlindjen e vajzës. Ajo ka nevojë për mbështetjen tonë. Duhet t’ia japim atë. Të dalë ku të dalë. Sido që të veprojmë tani, ne nuk e ndalojmë dot atë që do të ndodhë.

– Ke të drejtë, shkojmë.

Ishte errësuar. Ora po shkonte nëntë e mbrëmjes. U nisën dhe arritën në shtëpinë e Agronit, në kohën që prej andej po dilnin një çift i ri që nuk e njihnin. Lumtua sa i pa filloi të lotojë. Nënë Gjyla, qëndronte si një kërcure në një qoshe, ndërsa Irida, i derdhte lotët si rrjedha e një lumi.

– Çfarë bëni kështu? Në fund të fundit burgu për burrat është.

– Për burrat është, mor bir, – foli nënë Gjyla, – po përse fati të na dënojë vetëm ne? Nuk mjaftoi që na mori shtyllën e shtëpisë, por do vazhdojë të na marrë edhe të tjerë. Deri kur kështu?

– Jo, nëno! Kjo botë kështu është ndërtuar. I fortë është ai që di t’i bëjë ballë.

Fjalët e Stefanit, sikur i qetësuan zemrat e tyre. Lotët pushuan dhe ata filluan të diskutojnë.

– Kam bredhur shumë këto dy ditë, – tha nënë Gjyla – Kërkova të takoja disa që i quaja miq të familjes. Nuk doja të kërkoja mëshirë prej tyre. Doja vetëm të dija shkakun e arrestimit. Por ata nuk denjuan të më prisnin. Ma përplasën portën në fytyrë, sikur të isha një fundërrinë dhe jo gruaja e një njeriu të nderuar, që dha jetën për këtë vend. Po, po burri im dha jetën për këtë vend. Kjo nuk më pëlqeu, Irida rrinte dhe dëgjonte bisedën që zhvillohej. Gjurmët e lotëve, dalloheshin në fytyrën e saj të bukur. Nuk po qante më, por Stefani vuri re një dhimbje të thellë në shpirtin e saj.

– Irida, eja te xhaxhi!

Ajo u afrua, e përqafoj fort njësoj sikur do kishte përqafuar të atin dhe filloi të qajë përsëri.

– Mjaft qave se të prishet bukuria. Ty të ka xhaxhi të fortë. Tani je e rritur. Shiko sa mirë mbahen nëna dhe mami. Bëhu burrëreshë.

– Ke të drejtë xhaxhi, – tha vogëlushja duke fshirë lotët. – Unë do të jem shembull edhe për nënën dhe mamin.

Pastaj, duke u drejtuar nga ato, u tha:

– Nënë, mami mos qani! Të treja do të dimë t’i bëjmë ballë kësaj gjendje.

Puthi gjyshen dhe pastaj përqafoi të ëmën.

– Trimëresha e mamit – tha Lumtua

– Të lumtë bijë! Ke trashëguar karakterin e tyt eti – vazhdoi nënë Gjylua.

– A ke vajtur në shkollë? – e pyeti Gjergji.

– Sot jo, por nesër do të shkoj. Do të mësoj edhe më shumë për t’u thyer hundët atyre që u është rritur pak si tepër.

– Të lumtë, të lumtë! – e përkëdheli Stefani

Kështu vazhduan deri afër mesnatës. Kur u ngritën për të ikur, Lumtua i përcolli deri te porta.

– Kush ishte ai çifti që pamë të dilte kur erdhëm ne? – pyeti Stefani.

– Janë dy arsimtarë të shkollës tonë. Erdhën gjoja për të më dhënë kurajo, por unë nuk kam besim tek ata. U besoj aq sa gjarprit në gji.

– Lumto, ruaju nga provokatorët. Mos u çudit kur të dëgjosh se ai fat na pret edhe ne. Po e presim.

– Nuk e besoj.

– Ndonjë ditë të kremte, kemi prapa vetes.

U ndanë në heshtje. Secili mendonte për të ardhmen që e priste. Memorie.al

                                       Vijon numrin e ardhshëm  

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016                   


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/pas-arrestimit-te-gjergjit-ne-shtepine-tij-shkuan-dy-arsmitare-gjoja-per-ti-dhene-kurajo-lumtos-por-ajo-e-kuptoi-se-ata-ishin-provokatore-dhe-deshmia-e-ish-te-burgo/