‘Para dhe muskuj’: Ligji i dekriminalizimit nuk i shkurajoi partitë politike

Në prag të zgjedhjeve lokale të 14 majit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve parashikon pengesa në zbatimin e ligjit të dekriminalizimit për kandidatët për kryetarë bashkie dhe këshillat bashkiakë, ndërsa ekspertët vërejnë se partitë politike vazhdojnë të përdorin të njëjtat taktika për përdorimin e personave me rekorde kriminale në zgjedhje.

Klodiana Lala

Me zgjedhjet lokale të 14 majit në prag dhe afrimin e afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve për kryetarë bashkie dhe këshillat bashkiakë, zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë të shqetësuar nëse do të mund të verifikojnë në kohë integritetin e tyre.

Ligji për “Garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen apo ushtrojnë funksione publike”, i njohur gjerësisht si ligji i dekriminalizimit, e detyron Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të administrojë dhe të përpunojë vetëdeklarimet e kandidatëve për të identifikuar mes tyre personat me rekorde kriminale.

Por gati tetë vjet pas miratimit të ligjit, verifikimi i kushteve të ndalimit bëhet shumë kohë pasi zgjedhjet kanë përfunduar.

Sipas Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, vonesat vijnë si pasojë e numrit të madh të kandidatëve dhe kohës së shkurtër në dispozicion.

“Numri i lartë i administrimit/përpunimit të formularëve të vetëdeklarimit i kandidatëve për këshillat bashkiakë në raport me afatet kohore, mbetet një nga problematikat për të cilat ka nevojë për një adresim shterues nga ligjvënësi,” tha Celibashi për ISP-në.

“Në rastin e zgjedhjeve vendore, procedura e administrimit është më e komplikuar për shkak se KZAZ-të kanë kompetencë regjistrimin e listave shumëemërore të subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve të mbështetur nga zgjedhësit,” shtoi ai.

Sipas Kodit Zgjedhor, kandidatët për kryetarë të bashkive dhe listat e kandidatëve për këshillat vendorë regjistrohen në KZAZ-të përkatëse jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve – afat që përkon me fundin e marsit.

Për të garantuar integritetin e zgjedhjeve, ligji i dekriminalizimit parashikon që KQZ të veprojë që në momentin e pranimit të kandidaturave apo para shtypjes së fletëve të votimit për të përjashtuar nga gara kandidatët në shkelje të ligjit – afate të cilat konsiderohen të pamjaftueshme.

Celibashi i tha ISP-së se në këtë proces, ata përballen shpesh me vonesa nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile apo nga verifikimet e thelluara të Prokurorisë.

“Në të shumtën e rasteve, informacioni nga ky institucion [Gjendja Civile] është i vonuar dhe KQZ vendoset para situatës që duhet të përfundojë proceset vendimmarrëse vetëm me formularin e vetëdeklarimit dhe informacionin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve,” tha Celibashi.

Misioni i vështirë

Ligji i dekriminalizimit u miratua në vitin 2015 nga Parlamenti i Shqipërisë, si nevojë për pastrimin e politikës shqiptare nga personat me të shkuar kriminale. Më herët, kandidatë për kryetarë bashkie dhe deputetë të kuvendit – të lidhur kryesisht me Partinë Socialiste në pushtet u denoncuan nga opozita se ishin përballur me hetime, dënime apo dëbime për krim të organizuar nga vendet e Bashkimit Europian.

Sipas Institutit për Studime Politike, më shumë se 700 zyrtarë publikë, përfshirë deputetë, kryebashkiakë, gjyqtarë dhe prokurorë, kanë dhënë dorëheqjen ose janë shkarkuar për shkak të dënimeve të mëparshme penale që nga miratimi i ligjit.

Mes të larguarve janë edhe katër kryetarë bashkie si dhe dhjetra kandidatë për këshilltarë bashkiakë në qytete të ndryshme të vendit.

Elvis Roshi u zgjodh në krye të bashkisë së Kavajës në vitin 2015, por një vit më pas u procedua nga Prokuroria pasi u provua se kishte përdorur disa emra në të shkuarën dhe rezultonte i arrestuar, i ndaluar apo i dëbuar nga shtete si Italia, Zvicra dhe Gjermania.

Roshi u dënua në vitin 2018 me 60 orë punë të detyruar për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit, por kjo nuk e pengoi Partinë Socialiste që të kandidonte kryebashkiakë të tjerë me probleme të së shkuarës në zgjedhjet e bojkotuara nga opozita të vitit 2019.

Valdin Pjetri qëndroi vetëm një javë si kryetar i bashkisë së Shkodrës para se të jepte dorëheqjen në 2019, pasi Partia Demokratike publikoi dokumente gjyqësore që tregonin se ai ishte dënuar në Firence, Itali, në vitin 2003 për posedim droge.

Një kryebashkiak tjetër, Agim Kajmaku, në bashkinë e Vorës, nuk kishte deklaruar gjithashtu një dënim të mëparshëm në Greqi për falsifikim parash, ndërsa në shkurt të këtij viti, edhe kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj u shpall fajtor në shkallë të parë për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit, pasi nuk kishte deklaruar një dënim me tre vite burg në Greqi për një sherr të dhunshëm të ndodhur në vitin 2000.

Megjithatë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të mos i ndërpresë mandatin Ismailajt, duke pranuar arsyetimin e tij se nuk kishte qenë në dijeni të dënimit.

Për vitin 2022, KQZ thotë se ka dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme dy kërkesa për verifikim të thelluar për dy kandidatë për kryetarë bashkie në zgjedhjet e datës 6 mars 2022 si dhe ka ridërguar një kërkese tjetër për verifikim të thelluar për një kryetar bashkie.

“Kërkesat e sipërcituara janë akoma në proces verifikimi,” tha KQZ në përgjigje të një kërkese për të drejtë informimi.

Reagim pasi “dëmi ka ndodhur”

Pavarësisht rezultateve të deritanishme, ligji i dekriminalizimit shihen me dyshim nga vëzhguesit e politikës.

Lutfi Dervishi, gazetar dhe lektor në Universitetin e Tiranës thotë se ligji nuk ka shërbyer për të shkurajuar partitë politike që të kandidojnë persona me rekorde kriminale.

“Ligji po bën 8 vjet që është miratuar, por nga numri në rritje i kandidatëve me probleme nga një zgjedhje në tjetër, tregon që nuk ka një shkurajim. Partitë politike dhe veçanërisht partia në pushtet kane përgjegjësinë kryesore për kandidatët dhe nuk duhet të fshihen pas gjethes së fikut duke thënë: “çertifikata penale është e pastër,” thotë Dervishi.

Edhe analisti politik, Neritan Sejamini mendon se partitë politike nuk kanë asnjë interes që të heqin dorë nga bashkëpunimi me personat me të shkuar kriminale – që sipas tij është qasja me kosto më të ulët për të marrë dhe mbajtur pushtetin.

“Mjetet kryesore jashtë politike janë ndikimi i votimit përmes parasë dhe muskujve; duke i gënjyer votuesit përmes propagandës, duke blerë direkt votën e tyre apo duke i kërcënuar ata për të ofruar votën,” tha Sejamini.

“Te kriminelët, paratë dhe muskujt bëhen bashkë, prandaj ata janë të lakmuar nga partitë politike dhe gradualisht politika bëhet sipërmarrje e përbashkët mes kriminelëve dhe politikanëve,” shtoi ai.

Sejamini theksoi gjithashtu se ndonëse partitë politike janë të detyruara që të hartojnë në letër ligji të tilla si ai i dekriminalizimit, ato nuk kanë asnjë interes që t’i zbatojnë ato ose do të gjejnë mënyra të reja se si t’i anashkalojnë dhe shmangin këto ligje.

“Kur partië nuk ofrojnë mirëqenie sociale përmes qeverisjes, por vetëm favore për ata që i mundësojnë të mbajnë pushtetin, proceset politike, përfshi vetë zgjedhjet humbin kuptimin dhe vlerën për votuesit. Në këto kushte, mjetet jashtë politike bëhen më të rëndësishme për fitoren partiake,” theksoi ai.

Mungesa e vullnetit nga partitë politike nuk është problemi i vetëm, pasi procesi varet edhe nga aftësia e institucioneve kushtetuese. Për Dervishin, Prokuroria duket se nuk ka burimet e mjaftueshme njerëzore për t’u marrë me problemin e dekriminalizimit të politikës.

“Reagimi i saj kryesisht është pasi “dëmi” ka ndodhur,” përfundoi Dervishi.

 

Artikulli bëhet në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike”, loti “Forcimi i rolit monitorues dhe kërkesës së llogarisë nga qytetarët nëpërmjet shoqërisë civile, medias dhe mbështetjes akademike”, zbatuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) në partneritet me Institutin e Studimeve Politike (ISP), BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare(QQ), mbështetur financiarisht nga Ambasada Britanike.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://isp.com.al/klodiana-lala-para-dhe-muskuj-ligji-i-dekriminalizimit-nuk-i-shkurajoi-partite-politike/