“Pak para vdekjes, im shoq më tha; meqë kontribuam për të sjellë këtë kolerë, s’na mbetet gjë tjetër, veçse të marrim një bidon me vaj guri dhe…”/ Kujtimet e ish-komunistes, që vuajti internimeve

Nga Selfixhe Broja (Ciu)

Pjesa e dytë

Memorie.al / Selfixhe Ciu (Broja) u lind në 1918-ën në qytetin e Gjirokastrës, në një familje të pasur qytetare, pasi babai i saj, Ibrahim Ciu, ishte tregtar i madh. Pasi mbaroi shkollën unike ajo vazhdoi mësimet për dy vjet në Liceun e Gjirokastrës, por pas mbylljes së tij, ajo i përfundoi ato në gjimnazin e Tiranës. Ajo kishte pasion Letërsinë dhe në atë kohë botoi dhe poezitë e tregimet e para në shtypin e kohës, të cilat i firmoste me pseudonimin letrar “Kolombia”. Në 1935-ën, (kur ishte 17 vjeç), pasi botoi poezinë e parë në revistën “Populli”, “Bota e Re”, “Java”, “Diana”,”Drita”, “Shtypi” etj. Në gjimnazin e Tiranës, ajo përqafoi idetë komuniste, nëpërmjet mikut të saj të ngushtë Zef Mala, Kryetar i Grupit Komunist të Shkodrës dhe në fundin e viteve ‘30-të, Selfixheja, pati një miqësi edhe me Qemal Stafën e Vasil Shanton, (me të cilët e prezantoi Zef Mala) dhe u pranua si anëtare e Grupit Komunist të Shkodrës, ndonëse ishte studente në Tiranë. Në 1938-ën, Selfixheja shkoi në Itali, në Universitetin e Firences, në fakultetin e Letërsisë, ku asokohe ishin dhe Qemal Stafa, Nikolla Shurbani, Ramadan Sokoli, Andrea Varfi, Musine Kokalari dhe kushërira e saj, Qibrie Ciu. Pasi u kthye në Shqipëri, ajo u rilidh me grupet komuniste dhe pas formimit të PKSH-së, u dërgua në Shkodër për të punuar me Organizatën e Gruas Antifashiste,  u arrestua nga italianët dhe u mbajt 11 muaj në burgun e Tiranës. Pas mbarimit të Luftës, bashkëshorti saj, Xhemal Broja u emërua në Komitetin e Arteve në Tiranë, kurse Selfixheja si gazetare në Ministrinë e Bujqësisë, ku nxirrej gazeta “Bujku u Ri”. Më 23 mars 1946, Xhemalin e Selfixhenë i përjashtuan nga Partia, (si anti-jugosllavë) duke i cilësuar “armiq të popullit dhe agjent të misionit amerikan” dhe më 17 janar 1947, i internuan në Gusmar të Kurveleshit, me punë në bujqësi. Pas prishjes me Jugosllavët në ‘49-ën, ata i kthyen përsëri në Tiranë, ku Selfixheja pasi punoi pak kohë në Ministrinë e Arsimit, Selfixheja dha dorëheqjen. Në 1966-ën, Xhemalin dhe Selfixhenë i internuan përsëri për gjashtë vjet në Gradishtë të Lushnjes, duke i akuzuar “për frymë dekadente në Art dhe Letërsi”. Pas kësaj u ndalua dhe shfaqja e filmit “Detyrë e Posaçme”, ku Xhemali kishte një nga rolet kryesore. Ata u rikthyen në Tiranë në 1971-in, ku Selfixheja u mbyll në shtëpi, kurse Xhemali, pasi punoi disa kohë në Kinostudion “Shqipëria e Re” si administrator, u dërgua si punëtor në Fermën Bujqësore “Gjergj Dimitrov”. Atyre iu hoq edhe e drejta e botimit, pasi nga Lidhja e Shkrimtarëve ata të dy ishin përjashtuar që në ‘66-ën. Duke qenë të survejuar nga Sigurimi, ata u mbyllën në shtëpi, ku Xhemali u muar me studime, duke shkruar kujtimet dhe drama. Xhemali ndërroi jetë në vitin 1976, kurse Selfixheja në 2003-in, në moshën 85 vjeçare. Ata lanë dy vajza: Sashenkën  dhe Merin. Në vitin 1998, Selfixheja shkroi kujtimet e saj duke i botuar ato në librin ‘Tallazet e jetës’, nga të cilat Memorie.al, ka përgjedhur dhe publikon disa prej tyre, në këtë shkrim me dy pjesë.

                                    -Rrëfimi i një të internuare, për natën e arrestimit-

                                                          Vijon nga numri i kaluar

Prej operativit të zonës morëm udhëzimet përkatëse:

  1. Të paraqiteshim në apel tri herë në ditë.
  2. Përgjigjeshim penalisht, po të kalonim kufijtë e caktuar.
  3. Për të shkuar në Lushnje, për çfarëdo nevoje, duhej të pajiseshim me leje prej Degës së Brendshme të rrethit. Ndërsa për çdo arsye, qoftë për të shkuar jashtë rrethit, leja duhej të akordohej nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Nën kuriozitetin e përgjithshëm të banorëve, të internuar ose të lirë, të cilëve po i’u jepej rasti të thyenin monotoninë, me ndihmën e tyre u mbartëm në banesat përkatëse. Kur përfunduam ishte errur tërësisht, ndërsa dritat nuk funksiononin. S’kishim me vete as llambë, as qirinj e, madje as shkrepëse. S’dinim nga t’ia mbanim. Por pas një çasti dy të rinj ia befën në derë duke ofruar ndihmën e tyre, për rregullimin e linjës elektrike. Në rrethanat që ndodheshim, ajo ndihmë pati për ne vlerë të dyfishtë. Në shkëmbim të pyetjeve të para informative, mësuam se njëri kryente masën e dytë pesëvjeçare të internimit, tjetri atë të dëbimit. Ishte hera e parë që informoheshim për ekzistencën e këtyre masave të shkallëzuara.

  • Përse akuzoheni? – Pyetëm. Pasi shkëmbyen një nënqeshje të hidhur, njëri u përgjigj:
  • Unë, “për faje” të gjyshit, ky për “faje” të dajos.

Në fakt njëri paguante haraç si nipi i Mehdi Frashërit, ish-kryeministër, i arratisur, tjetri, si nipi i Teme Sejkos, ish-Kundëradmiral i Flotës Luftarake-Detare në periudhën pas çlirimit, i ekzekutuar së fundmi. Ndodheshin aty familjarisht duke pritur në ankth përmbushjen e afatit të masës, që në rastin më të mirë, do të shkallëzohej në masë më të lehtë. Përndryshe, ajo që ishte më e mundshme, përsëritjen e pesëvjeçarit, që ishte njëkohësisht edhe paralajmërimi i pesëvjeçarëve që do të vinin pas.

-Ekzistojnë raste të tilla? – pyetëm të impresionuar.

-“Vetëm këtu në sektor numërohen me dhjetëra familje ose individë, e po kështu ndodh në gjithë rrethin e Lushnjes e të Fierit”.

-Po për lirimin a nuk ushqehet shpresa?

-“Lirimi për ne ekziston thjesht si një nocion abstrakt dhe ndofta i tillë do të ngelet derisa të mbyllim sytë”, – shtoi ai me mllef të papërmbajtur.

Ky informacion, i injoruar tërësisht prej nesh, na ndolli tronditje të thellë. Si është e mundur që një masë administrative, bazuar në “luftën klasore”, siç ishin fajësitë e familjarëve, që në shumë raste as i njihnin të akuzuarit, apo në bazë shpifjesh, hamendjesh ose origjine klasore, të merrte karakter ndëshkimor të pakufishëm e jo rrallëherë të përjetshëm?! A përputhej ky veprim me ligjshmërinë e “kushtetutës”, të deklaruar nga më “Demokratiket”?

Ishte goditja e parë që pësuam, ende pa i hyrë praktikës që do të përshkonim. Të mbërthyer prej një heshtje të pavullnetshme, u ndamë me ata shokë të rinj vuajtjesh e zhgënjimesh, shokë nga më të mirët që mbetën në kujtesën tonë: A. Plaku dhe Tefik Çela.

Mbetëm vetëm. Vetëm me tronditjen dhe revoltën që s’njihte kufi. Ndjenim se në shpirt na ishte këputur diçka që s’do të mund të ngjitej më. Kjo ndjenjë na mpiu dhe të folmen. Komunikonim nëpërmjet heshtjes. Dhimbje për vete, por ata dy të rinj aq të dashur dhe të çiltër, për shokët e familjarët e tyre, për prindërit dhe fëmijët tanë, për popullin e Shqipërinë e shumëvuajtur!

Ndërkohë na duhej të sistemoheshim disi. Me duar të thyera e shpirt të ngrirë, u vumë në lëvizje. Si përfunduam afër mesnate, provuam të hanim diçka. Por ndonëse të pangrënë prej 24 orësh, kapërdimë dot asnjë kafshatë. Edhe për të fjetur, s’e patëm më të lehtë. Ngacmimi i sistemit nervor, na kishte krijuar një gjendje ankthi, një gjendje alarmi shpirtëror.

Mendimet e zymta, që buisnin si dallgë deri në furtunë, përplaseshin në rezistencën e vetëdijes, si në një ndeshje për jetë a vdekje. Dhe ne, domosdoshmërisht, duhet ta fitonim këtë ndeshje. Sado i errët që paraqitej realiteti, jeta duhej jetuar. Duhej jetuar për dinjitetin tonë, për hir të fëmijëve e të nënës halleshumë, por, ca më tepër, për të sfiduar shkaktarët.

Nuk do t’i lejonim vetes dorëzimin. Kështu, pas natës që na rrethonte, nën rrezet e para të agimit, ndjenim se në shpirtin tonë po ndizej shkëndija e jetës. U mbështetëm te dritarja dhe thellësisht të etur, thithëm me tërë mushkëritë, atë frymë jete që natyra po na dhuronte bujarisht. Ndjemë sikur, nëpërmjet asaj fryme, depërtonte aroma e vajzave, përdëllimi i nënës, afshi i ngrohtë i vatrës dhe ju përfalëm me gjithë qenien tonë.

Gdhiu një ditë si gjithë të tjerat, po asaj dite, ne do të hidhnim hapat e parë drejt së panjohurës. Dhe ja…përshëndetja e mëngjesit me “apelin”!

Të radhitur njëri pas tjetrit, ato hije njerëzore, që reflektonin muzgun qysh në rrezet e para të agimit, prisnin t’u bëhej apeli. Apeli, numërimi si bagëtitë në stallë, për të dëshmuar prezencën, me dy rrokje të thjeshta: “Këtu, këtu, këtu, këtu…”! U shpërnda jehona makabër si mohim i dinjitetit njerëzor. “Këtu…”, tingëlloi mekanikisht edhe zëri ynë dhe ajo frymë e përzieshme e vdekjes së gjalli u shkri në të përditshmen e mjerë.

Me vulën e plagëve shpirtërore në ballë, të mundit e të rraskapitjes, me paraqitjen e vajtueshme, ajo maskë amorfe burrash e grash, të rinjsh e të moshuarish, të gjymtuar fizikisht dhe moralisht, pa të sotme, e pa një shpresë për një të ardhme më të mirë, me veglat e punës, zhelet dhe ushqimin sa për të mbajtur frymën, po zvarritej drejt ndeshjes së përditshme me jetën. Në atë radhë fatzezë u përfshimë dhe ne.  Na caktuan të fillonim punën në procesin e zhveshjes së misrit, i cili në atë periudhë paraqiste më pak vështirësi.

Vështrimet e të gjithëve, shigjetonin në drejtimin tonë, si të ri ardhur. Prej disa vitesh, pati qarkulluar fjala, se: “të goditurit për faje të rënda”, do të silleshim prej Tirane, si të internuar, elementët që përfaqësonin funksione me peshë. Kjo ngjarje disi e veçantë në atë hulli rraskapitëse, u kishte nxitur fantazinë e mpirë banorëve. Supozimet rreth gabimeve ose fajeve, e po ashtu rreth funksioneve që përfaqësonin, zhvilloheshin në përmasa hiperbolike. Këndej, duke u përballur me një aspekt normal, disi të zhgënjyer, në kryqëzimin e vështrimeve të tyre spikaste, pyetja: “Këta qenë”?!

Megjithatë s’kish arsye që të tërhiqeshin prej rrjedhës së kureshtjes zbavitëse. Dhe pyetjes, nga një gojë tek tjetra, po zhvilloheshin dukshëm: “Kush janë”, “ç’lidhje ka midis tyre” “ç’gabime mund të kenë bërë”, “cili do të ketë qenë drejtor, inspektor, ndoshta dhe zëvendës ministër…”?! Shkallët hierarkike i përcaktonte secili sipas përshtypjeve të veta. Po kishte dhe disa që urrejtjen e grumbulluar kundër kastës pushtetare, shkaktare e vuajtjeve të tyre të pafund, e ndjenin se qe në të drejtën e tyre, ta shfrynin, mbi këta myteberë të porsaardhur, paçka se mund të ishim peshq më të vegjël.

Fundja, si nëpunës të lartë, padyshim që vegla të asaj kaste ishim. “Mirë t’u bëhej pra? Ta provojnë njëherë zotërinjtë si derdhet djersa për të siguruar kafshatën, se mjaft janë mykur nëpër kolltuqe dhe nëpër makina”. Një tjetër ja priste: “A thua do t’i shtrohen punës, apo do të punojnë sa për sy e faqe, se kanë rezerva ata, e kanë mjelë mirë popullin e shkretë. Do të punojnë që ç’ke me të, si çeço do të punojnë. Se mos i kanë sjellë për sjellë tebdil-hava këtu”? “Sa për rezerva – u hodh një tjetër,- deri sa i kanë sjellë të dënuar, të gjitha do t’ua ketë marrë shteti. Le që, mesa duket, janë të dënuar me punë të detyruar, le t’i bëjnë bisht po deshën. Ta shihni si rrinë, si pula të lagura. Edhe ai atje tej, që shtiret që sikur s’do t’ja dijë, dëngla i ka. Fudullëku s’pi ujë këtu. Shtruar do ta heqin vallen” – dhe ja dha të qeshurit me sarkazëm.

I papërgjegjshëm për ato që thoshte, ju kthye dikujt që i hiqte vërejtjen: “Aq më bën nëse më dëgjojnë. As janë edhe këta mbështetje e atyre që na katandisën të mallkojmë lindjen…?! Le ta paguajnë pra, atë pjesë të borxhit që u takon. Për të mëdhenjtë, këta s’janë tani veçse limonë të shtrydhur”! Dhe ky mllef i shfryrë, vlonte edhe në mendimin e shpirtin e sa të tjerëve, frymë që pasqyrohej në vështrimet e tyre që shponin si gjilpërë. Ndërsa te një palë tjetër, në të kundërtën, rrezatonte fryma e solidaritetit human, që në rrethana të veçanta, merr karakter më të thellë. Ajo shprehje përzemërsie e heshtur, që thoshte më tepër se fjala, na ndolli shpresat për mirëkuptim dhe mbështetje vëllazërore. Por krahas këtyre dy korenteve, frynë era e tërbuar e opinionit zyrtar që përfaqësohej prej përgjegjësit të sektorit, kryetarit të Këshillit, sekretarit të organizatës së Partisë, e përbërë prej katër-pesë vetash, si dhe prej disa banorëve të lirë, vegla në shërbim të tyre.

Po ç’përbërje mishëronte ky grupim që përfaqësonte autoritetin zyrtar? Në përgjithësi, elementë pa kurrfarë horizonti kulturor, a të profilit, mbartës të mentalitetit tipik të fshatarit të lidhur me pronën, pavarësisht se kjo tashmë i përkiste strukturës së sistemit socialist. Ishim të disponuar të shkelnin jo vetëm mbi ligje morale – qytetare, por edhe mbi ato shtetërore, nëse do të gjenin shteg, mjafton që t’ja arrinin qëllimit për përfitime vetjake të çdo natyre qofshin. Nisur nga këto karakteristika meskine, të zgjedhur kokë për kokë, nga instancat përkatëse në misionin e tyre të mbikëqyrjes së kontingjentit të të ndëshkuarve, për të fituar pikë, herë herë, kapërcenin edhe kompetencat e tyre të masave disiplinore. Mjerë kush vihej në shënjestër. Përveç këtyre, kishte dhe disa ish-të internuar, ose të dëbuar, që për ndonjë farë lehtësimi të masës së dënimit, qe kthyer në provokator a spiun të mirëfilltë. Për këtë si dhe për të gjithë mjedisin, na informuan menjëherë dashamirësit tanë, me të cilët patëm mirëkuptim qysh ditën e parë.

Të nesërmen me anë telegrami, i bëmë të ditur familjes ku ndodheshim. Pas dy ditësh, papritur, pamë të hynte në derë i fejuari i vajzës së madhe. Me prezencën e tij, ndjemë fillin e lidhjes me jetën normale, që na ngjante e varrosur përfundimisht. Prej tij, u informuam se Merin, motra ime e çoj te i vëllai, ku ishte edhe nëna. Njoftim i ngjarjes së rëndë, e të papritur, pati për ta, sidomos për nënën, peshën e një mandate. Krahas me të keqen tonë, paraqitej preokuponte gjendja e vajzave. Vajza e vogël, Meri, e tronditur skajshmërisht edhe të nesërmen s’qe në gjendje të shkonte në shkollë. Kokë më kokë me nënën, në gjirin e së cilës kërkonte të merrte forcë për të përballur mynxyrën, nëpërmjet lotësh, që s’kishin shterje, i drejtohej asaj: “O nënë, a ka të keqe më të madhe se kjo”?! “Kjo është barazi me vdekjen”! Dhe nëna, duke kapërcyer fuqinë që i premtonte mosha, me fjalën e mençur dhe të ngrohtë, i përgjigjej: “Ohh, sa të këqija ka jeta moj bijë. E keqja s’ka fund kurrë. Po të gjitha me kohë e me durim kalohen. Vetëm vdekja s’ka shërim, sepse me të merr fund gjithçka, kështu bijë”.

Dhe ajo, ja përpinte fjalën e mençur dhe të ngrohtë, që e ndjente si balsam për plagën e hapur. Dhe prap i kthehej: “Sa e lumtur qesh dhe sa e mirë jam, o nënë! Më thuaj, a të shpresoj nëse do të kthehen prapë midis nesh? A do t’i shikoj, a do të ua dëgjoj zërin, do t’u ndjej përkëdheljet, këshillën dhe qortimin nënës, por vetëm t’i kem pranë. Thuamë, se do të kthehen një ditë, gënjemë po munde dhe do të përpiqem të të besoj, se pa këtë shpresë dhe besim, e kam të pamundur durimin”. Nëna me butësinë që e karakterizonte, duke e lëmuar flokët si atëherë kur ishte miturishte, i pohonte: “Kush e di se ç’sjell e nesërmja. Dimë ç’kemi kaluar, po ç’do kalojmë, jo. Shpresat s’duhen humbur kurrë. Ti jetën e ke përpara. Vetëm durim. Nuk je vetëm. Do ta kalojmë së bashku”.

Pasi u konsultuam bashkërisht e pamë të arsyeshme, që Meri të kthehej në shtëpi, së bashku me nënën, qoftë për ta ndjerë veten më të pavarur, qoftë për t’i dalë përpara ndonjë ndërhyrjeje nga ana e strehimit, së cilës, nuk i shpëtuam dot. Po hap një parantezë: Pasi u nisëm ne, ekzekutuesit e urdhrit, i thanë motrës sime që shoqëronte Merin, se, çelësat e shtëpisë, do t’i merrnin ata, dhe Meri, të shkonte t’i merrte te Këshilli i Lagjes, pas dy – tri ditësh, nëse do të banonte aty. Vëllai im, kur u informua për këtë akt të paligjshëm, e çoi Merin qysh të nesërmen, për të marrë çelësat në dorëzim. Qëllimi i tyre, ishte që në pjesën e re dhe më komode të shtëpisë, të strehonin një familje. Po më e keqja ndodhi, se duke mbajtur çelësat, pa kurrfarë të drejte, njëri syresh, ose në shoqëri të ndonjërit, vunë dorë në bizhuteritë që ndodheshin në komo, që ne, të tronditur nga gjëma e papritur, nuk na ra ndërmend t’i merrnin me vete, ose t’ja dorëzonim motrës që ishte aty. Shkuan edhe ato, sikurse sa e sa të tjera, gjatë peripecive tona.

Kur u kthye Meri në shtëpi, ku secili posa vë këmbën në pragun e saj, ndjen frymën e internimit, ku buzëqeshja e nënës i çel në shpirt pranverën, ku prania e babait, ndjell sigurinë e mbështetjes, ku dashuria e motrës a vëllait, rrit besimin e ushqen optimizmin gjatë jetës, ku në çdo skaj të saj, gjen gjurmë kujtimesh të gëzuara, apo të hidhura qofshin, ku edhe orenditë më të thjeshta, ndjellin intimitet e frymë jete, ajo kur vuri këmbën në pragun e saj, ndjeu vetëm zbrazëtirë. Më kot u përpoq, të mbyste ngashërimin.

Çdo gjë përreth, gjithë atmosfera i fliste për humbjen. Ajo zbrazëtirë e hapur, po e shtypte, po i depërtonte, deri në thellësinë e shpirtit, e kthente në një somnambul dhe murmuriste: “Kush m’i rrëmbeu të gjitha? Kush më transformoi gjithçka në shkretëtirë, në mjegull, sikur të ketë kaluar vdekja? Vdekja? – po po, vdekja për së gjalli. Ajo vdekje, që përtej hidhërimit të humbjes, mbjell në shpirt urrejtjen, revoltën, të sfilit me pyetjen pa përgjigje: “Përse”? Pasi u liruam nga internimi dhe u kthyem në Tiranë, Xhemali ja nisi: Korrigjime, hulumtime, skicime, për dy drama, me temë shoqërore dhe përpunimi i një tjetre. Radhazi nuk ju ndaj studimit dhe leximit, sidomos lidhur me dramaturgjinë. Pas këmbënguljes time, u mor edhe me përmbledhje kujtimesh, (punë që mbeti e papërfunduar për arsye të goditjes së rëndë, kancer).

U përpoq të mos i shtrohej shtratit, por kur e kuptoi se deri aty ishte kufiri i jetës së tij, sytë-mbushur si rrallë herë, duke rrahur gjoksin, u shpreh: “Nuk më tremb vdekja. Veçse ndjej një kallo në shpirt, një brengë, që as varri nuk do të ma tretë. Dhe kjo jo vetëm për vuajtjet e zhgënjimin tim e tuajin, po për gjithë shokët e miqtë, të gjithë të persekutuarit, për vendin e popullin, para të cilëve ne ish-komunistët, që kemi vënë një gur në themelet e këtij sistemi të kobshëm, duhet të kërkojmë falje.

Meqë, kontribuuam për të sjellë këtë kolerë, s’na mbetet veçse, një bidon vajguri në dorë, të drejtohemi në qendër të qytetit, e duke i kërkuar falje popullit, t’i vëmë shkrepësen vetes. Një ndër amanetet e tij, qe: “Për një Shqipëri të lirë dhe të bashkuar, është i domosdoshëm ndëshkimi ndaj kastës gjenocidiste dhe falja ndaj të përndjekurve”. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/pak-para-vdekjes-im-shoq-me-tha-meqe-kontribuam-per-te-sjelle-kete-kolere-sna-mbetet-gje-tjeter-vecse-te-marrim-nje-bidon-me-vaj-guri-dhe-kujtimet-e-ish-komunistes/