“Oficeri N. K. i repartit 9181 në Tiranë, është shumë i rrezikshëm, sepse tha kur të bëhet luftë, të parin do vras …”/ Zbulohen dokumentet e Sigurimit për ushtarakët

Nga Prof. Dr. Elmas Leci

-Dokumente arkivore për survejime, dënimet dhe përndjekjet ndaj ushtarakëve nga ish-Sigurimi i Shtetit, sepse shanin fasulet, dashuronin vajza me biografi të keqe, luanin bixhoz apo mbanin foto pornografike, etj.-

Memorie.al / Sa shumë oficerë e pësuan nga dashuritë me “biografi të keqe”! Sa vajza të mira ndrydhën dashurinë e tyre se i ndalonte urdhri i dishepujve të diktaturës?! Sa gra u ndanë nga bashkëshortët e tyre?! Mbi 2500 të tilla. Kuvendi Popullor në 1950-ën pati nxjerrë një vendim, që e lejonte martesën me gra sovjetike. Dhe pati një numër të madh kuadrosh, edhe nga ushtria, që krijuan familje me gra ruse. Po me prishjen e udhëheqjes shqiptare me Moskën, me 1961 – ‘62, në të gjitha organizatat e masave (edhe në ato të partisë patjetër) u shtrua që, femrat ruse janë informatore të KGB-së. Duheshin divorcuar menjëherë. Me qindra gra sovjetike morën rrugën e kthimit.Ato që guxuan të qëndronin, ose i futën në burgje si spiune, ose i internuan familjarisht. Burrat e tyre u çmobilizuan nga ushtria dhe mbi ta, ra urrejtja, përçmimi dhe dyshimi. Pjesa dërrmuese e tyre u dërguan në vende të izoluara, larg kufijve dhe në punëra të rënda. Vuajtjet dhe streset kanë qenë të tmerrshme. Fëmijët e ikur në mituri, kur u rritën, kërkonin baballarët. U dërgonin letra por kurrë nuk morën përgjigje.

Burg se shau armatimin kinez

Gjyqet ndaj ushtarakëve për agjitacion e propagandë, janë zhvilluar pa baza, e me trillime. Po përmendim një të tillë të organizuar në vitin 1975, në ish Korpusin e Korçës. Ishte një gjyq, nga ato të quajtur shembullor. Në akuzë ishte vënë oficer, Bajram Dervishi nga Vlora, kishte më se dy dhjetëvjeçarë me radhë, që endej maleve, repart më repart, me bindje se i shërbente atdheut. Po ja, një ditë, në vitin 1975, nga bindja e tij, nga pakujdesia apo intriga, i vunë prangat me motivacionin se: “ka sharë armatimin kinez”. Në gjyqin “shembullor” sollën tërë oficerët e ish-Korpusit Korçës. Në fytyrat e secilit shprehej habia për akuzën. E dënuan me burg, Bajram Dervishin, se shau armatimin kinez.

Gjyqet “shembullore”!

Që t’u mbyllej goja oficerëve, diktatura, organizonte “gjyqe shembullore”. Në periudhën 1960-1985, janë zhvilluar më se 2500 gjyqe të tillë ndaj oficerëve. Me “gjyqe shembullore”, me masa drakoniane, diktatura ushtronte presion e jepte “mësim” mbi oficerët. Denigrimi apo dënimi deri në prag të burgimit, i atentatorit e guximtarit, luftëtarit antifashist i përmasave të mëdha, Adnand Qatipi, shok armësh e ideali i “Heroit të Popullit” Myslym Keta, u bë në procesin e të ashtuquajturit puç ushtarak. Gjyqe që devizën e kishin nga zyrat famëkeqe të Sigurimit të Shtetit, nga ato zyra që edhe dënimin e oficerëve, e bënin me plan, madje me program mujor e objektiva. Kur u dënua ish-ministri i Punëve të Brendshme i diktaturës, Feçor Shehu, doli se, për dënimet punohej me program.

Në ato programe saktësoheshin përqindjet se si duheshin realizuar arrestimet dhe dënimet e njerëzve në përgjithësi, e të oficerëve në veçanti. Njerëzit e ndershëm i njohin mirë veprat ogurzeza të regjimit komunist, prej të cilave, familjeve të tëra ende nuk u janë tharë lotët. Dënimet jepeshin me plan, me plan pune. Studioheshin personat me “kleçka e cene” dhe ndiqeshin këmba – këmbës, ose vihej në plan x – oficer, i cili për arsye të krijuara artificialisht, akuzohej pa baza dhe dënohej pa gjë të keq.

Një ish-shef-Sigurimi në ish-Korpusin e Shkodrës, herë pas here në mbledhjet e organizatës së Partisë, ngrihej e diskutonte se nuk po zbulonte asnjë armik në radhët e oficerëve. Të tillë ai thoshte se ka, po se ku janë, nuk po i zbulojmë! “Kjo është dobësi e punës së Sigurimit” – shprehej ai. Ai Sigurim, kërkonte medoemos “armiq” që të realizonte detyrën-plan të vënë nga partia.

Dy vjet ushtri më shumë për biografinë e keqe

Ka edhe të tjera aspekte që bëjnë pjesë në depersonalizimin e ushtarakëve, si ai i vitit 1967, ku 25 studentë që mbaruan studimet në degë të ndryshme të universitetit, i dërguan masivisht dy vjet ushtarë, sepse udhëheqja e Partisë, me informacionin e Sigurimit të Shtetit, zbuloi që studentët “padrejtësisht” (sipas njerëzve të Sigurimit) kishin penetruar në auditorët e universitetit. Ishin me “biografi të keqe” ndaj u mor vendimi të çoheshin edhe dy vjet ushtarë.

I çuan ushtarë, pa armë, studentët: Agim Hoxha, Seit Hasani, Fitim Meta, Muharrem Dizdari, Edmond Pisha etj. Po sa oficerë u ndoqën e u dënuan edhe për mësimin e gjuhëve të huaja me akuzat “agjentë”? Statistikat e mbledhura në arkiva e degët e personelit, tregojnë për 1.200 raste. Argumentimi (gjithnjë sipas statistikave të diktaturës), leximi i literaturës së huaj, gjuha e huaj që mësonin, “i bënte agjentë”. Lidhur me këto e të tjera, na njohin dokumentet arkivore që po citojmë më poshtë:

Në ndjekje ushtarët që shanin fasule

Në Gjirokastër, në Komandën e Korpusit, një komunist, nënoficer, ka mburrur Festivalin e 11 të Këngës në Radio-Televizion, dhe ka shprehur pakënaqësi për furnizimin ekonomik. E thirrëm nënoficerin, por ai tha se këto i shpif operativi i Sigurimit, sepse unë atij nuk i kam dhënë fasule. Ne e liruam atë për shpifje, por punën ndaj tij do ta ndjekin ata të Sigurimit të terrenit. Po në këtë korpus, një oficer është shprehur kundër stërvitjeve, duke thënë se na e morën shpirtin me këtë ngarkesë dhe se nuk bëhet stërvitje me një tas fasule. Oficeri është në ndjekje dhe survejim.

Laborantja A. V., në repartin 3720, ka shprehur simpati për mënyrën e jetesës në Kosovë, sepse ka njerëz atje. Ne e pushuam nga puna, ndërsa organet e Sigurimit në terren do ta ndjekin aktivitetin e saj në atë ndërmarrje ku e caktuam të punojë.

Lirohet nënoficeri se pret turistë në shtëpi

Nënoficeri Y. Ç., efektiv i repartit 9001 Shkodër, është takuar me njerëzit e fisit të tij, që kanë ardhur si turistë nga Mali i Zi. Ai i ka pranuar në shtëpi dhe ka pranuar plaçka nga ata. E liruam menjëherë dhe është në ndjekje nga operativët e terrenit. Në armën e Aviacionit dhe të Marinës, punët i kemi diçka më mirë, pasi në këto armë, ka kontingjente shumë të dobishëm dhe të cilësishëm për survejim. Në këto armë, ushtarin që i kryen këto funksione, si agjenturë e kualifikuar, e vënë vetë Degët e Punëve të Brendshme të çdo rrethi.

Mban foto pornografike, i hiqet e drejta e fluturimit

Për pilotin P. N. efektiv i repartit 3780 Tiranë, thuhet se ai mban fotografi pornografike. Ka thënë që bota ka helikopterë modernë. Këtë e raporton operativi i Sigurimit. Puna vazhdon për të verifikuar agjitacionin dhe propagandën që ai kryen kundër Partisë. Tani i kemi hequr vetëm të drejtën e fluturimit.

Ndiqet si antiparti, sepse mban kostum me dy të çara

Për oficer S. K., efektiv i repartit 1930 Lezhë, operativi raporton në Buletin se ai duket antiparti, pasi vishet me kostum me dy të çara. Në fakt, ka tendenca mikroborgjeze, por duhet faktuar gjithçka. Puna po ndiqet.

Ulet nga detyra për parulla “armiqësore”

Për oficer Zh. O., efektiv i repartit 9004 Skrapar, kemi këto të dhëna. Ky thotë se “karkalecat në bujqësi dhe kapterët në ushtri e rropën këtë popull”, ndërsa parullën e dytë armiqësore, e ka në lidhje me qendrat e zjarrit. E ulëm nga detyra dhe patjetër operativi i Sigurimit, do ta zërë mat, sepse është llafazan.

Oficerin S. B., efektiv i repartit 5370 Lushnjë, operativi i Sigurimit, e ka futur në kontingjentin e atyre që bëjnë agjitacion e propagandë, por duhen fakte më tepër për ta kaluar në gjyq. Vazhdon puna për grumbullimin e materialit konkret.

Nuk raportoi për ushtarin e pirë, përjashtohet nga partia

Për oficerët D. P. e D. T., efektivë të repartit 9718 Kavajë, vazhdon puna për t’i përgjegjësuar në kategorinë e njerëzve armiq. Ushtari Dh. S., nga Përmeti, piu në një klub dhe u shpreh: “Poshtë marksizëm-leninizmi, poshtë ata që e ndjekin këtë rrugë”. Për këtë, prezent ka qenë shefi i shtabit të repartit, kandidati për anëtar partie, K. V., i cili nuk i raportoi as komandës, as shefit të Sigurimit, as edhe partisë në repart.

E përjashtuam nga partia dhe po ndiqet nga organet e specializuara të Sigurimit, se mos edhe ai ka konceptet e ushtarit. Për oficer Sh. Z., efektiv i repartit 1580 Vlorë, operativi i Sigurimit, raporton se ai bën agjitacion e propagandë kundër partisë, por ne mendojmë se shefi i Sigurimit, ka tendencë ndaj familjes së tij. Puna ndiqet nga një rrjet informativ i terrenit.

Në kërkim të oficerëve armiq!

Oficeri N. L., komandant batalioni në Brigadën e Pestë të Vlorës, shprehet se; oficerët tanë jetojnë si qentë. Vazhdon puna për të mbledhur sa më shumë informacion. Oficeri M. K., komandant kompanie në repartin 4681 Fier, është shprehur se oficeri shqiptar, merr lekë sa një roje i një ndërmarrjeje. Informacionin e jep operativi i Sigurimit, nëpërmjet faktit që i ka dhënë agjenti i tij, ushtari i MK-së. Vazhdon puna për grumbullimin e fakteve të tjera.

Oficer Ç. Z., komandant kompanie në repartin 6577 Fier, shprehet shpesh se: “Ne flemë njësoj si të burgosurit e botës, madje ata jetojnë më mirë sesa ne”. Nuk kemi marrë ende masa për arsye se informimi, është bërë nga një ushtar, kontingjent i organeve të Sigurimit dhe se shefi i Sigurimit të njësisë, dyshon në agjenturën e tij. Oficerët K. K. dhe B. M., efektivë në repartin 1371 Përmet, janë takuar me një të riatdhesuar, kanë filluar të flasin mirë për botën revizioniste dhe janë në ndjekje.

Në ndjekje oficeri që mbante favorite

Për oficer M. M., efektiv i repartit 3456 Tepelenë, është raportuar nga shefi i Sigurimit, se duke mbajtur flokë të gjata dhe favorite, ka rregulluar një femër me biografi të keqe. Më duket, – thotë shefi i Sigurimit, – se femrës me biografi të keqe, i ka dhënë informata për topat dhe efektivin që drejton. Ne i thamë shefit te Sigurimit që t’i verifikojë faktet, ndërsa ai na thotë se fjalët e tij, janë vepra.

Më vonë shefi i Sigurimit, na thotë se ka futur si agjenturë kushëririn e vajzës, i cili ka biografi të keqe. Për oficer A. Sh. aviator në Rinas, raporton shefi i Sigurimit të Aviacionit, se ky oficer, duhet të jetë armik, sepse mban flokë të gjata dhe ka njerëz të fisit jashtë shtetit, por u dha udhëzim nga drejtoria e Sigurimit në Ushtri që, të mblidhen fakte dhe argumente. Puna po vazhdon.

Luanin bixhoz, lirohen nga ushtria

Për aviatorët e Kuçovës dhe të Rinasit, raportohet nga Sigurimi i Shtetit të reparteve se, kanë lozur bixhoz me letra. Mendojmë që të lirohen nga ushtria. Ata, një pjesë, janë profesionistë të mirë, por ka rrezik që të degjenerojnë. Ndaj të gjithëve, po ndiqet puna për të provuar edhe konceptet e tyre.

Futi një civil në tunel, ulet nga detyra

Për oficer M. B., efektivi i Brigadës Sulmuese në Fushë-Krujë, kemi informacion nga Sigurimi i Shtetit se, ka futur në një tunel të repartit një civil. Tuneli vërtet s’ka materiale, por ka rrezik që civili të nxjerrë sekretin e tunelit. Për këtë gjë, ne e ulëm nga detyra.

Për oficerët P. N. dhe L. Z., efektivë të repartit 4229 Fier, kemi informacion nga shefi i Sigurimit se, ata të dy bëjnë agjitacion e propagandë, kanë qejf femrat dhe pinë çdo ditë birrë. Ku i gjejnë lekët, e pyetëm ne shefin e Sigurimit…?! Ai na u përgjigj se, ata i marrin te vajzat me biografi të keqe. Puna e tyre do ndiqet nga organet e Sigurimit të Shtetit.

Për oficerin L. L., efektivi i repartit 4681 Fier, kemi informuar se është fejuar me një vajzë me biografi të keqe. U thirr dhe na premtoi se do ta ndajë. Për oficerët P. S. dhe K. Ç., efektivë të repartit 5 010 Sazan, informohemi se kanë shprehur pakënaqësi për konservimin e armëve. Bëmë mbledhje dhe i sqaruam. Shefi i Sigurimit po vazhdon punën që t’i verifikojë se mos janë armiq. Për oficerin Dh. Ll., efektiv i repartit 1991 Himarë, informohemi nga shefi i Sigurimit se, ai shoqërohet me një njeri që ndjek modën dhe është feminist.

E thirrëm Dh-në dhe, përzemërsisht, na kërkoi të falur, por ai përsëri bashkohet me personin. Shefi i Sigurimit, e shtoi kontigjentin në drejtim të tij për të verifikuar se mos kanë zënë rrugë armiqësore dhe represive ndaj Partisë dhe udhëheqjes së saj.

Oficer L. V., efektivi i repartit 5246 Rrëshen, me udhëzim të Sigurimit, e transferuam urgjentisht. Të njëjtën gjë do ta bëjmë edhe me oficerët G. S., K. K. e A. K. Oficer M. D. nga Gjirokastra, flet mirë për botën borgjezo – revizioniste dhe flet keq për kushtet e këqija ekonomike të vendit tonë. E arrestuam dhe ia dhamë gjyqit.

Urdhri që u ndalonte ushtarakëve martesat me biografi të keqe

Ekziston në arkiva një urdhër, i firmosur nga një ish-ministër Mbrojtje i periudhës së diktaturës, për fejesat dhe martesat e ushtarakëve, një urdhër me disa nene, që u ndalonte ushtarakëve të lidheshin me vajza me “biografi të keqe”. Jo vetëm kaq, por urdhri përcakton edhe ndarjet – divorcet për arsye biografie. Kush oficer nuk e zbatonte, ai përjashtohej nga partia e ushtria e më pas e prisnin dënimet me radhë.

Dokumente arkivore të spiunimeve në ushtri

Le t’i referohemi konkretisht materialeve të dosjes nr. 135, lista 29, fondi i Arkivit i ish-Komitetit Qendror të PPSH. Materialet që ndodhen në këtë dosje, përmbajnë informacione të periudhës nëntor 1973 – gusht 1974. Në fillim të dosjes, është shënuar: “Me porosi të shokut Hysni Kapo”. Fleta ka një informacion me numër 335, që i drejtohet Hysni Kapos. Informacioni përmban çështje të ndryshme se si sillen oficerët, çfarë bëjnë, çfarë lexojnë, me kë takohen etj., etj.

P.sh. për oficerin E. A. jepej një informacion nga operativi i Kuçovës R. R., se ai merret me leximin e librave të ndaluar. Operativi, thuhet në informacion, shprehet se në survejim të oficerit E. A., kemi vënë si agjenturë shokët e ngushtë të tij, oficerët D. I dhe H. M. Në rastin më të parë të marrjes së informacionit, do të veprojmë. Oficeri E. A. së bashku me oficerin N. D. merren me një person qe ka biografi të keqe, ish shefin e Shëndetësisë të Urës Vajgurore.

Oficer S. M., shef operativ i një njësie në Burrel, është takuar me turistë të huaj. Këtë e vërteton operativi i Sigurimit të njësisë si dhe një nga agjentët e tij, njëra me profesion mami. Oficeri S. M. ka shprehur kënaqësi edhe për Festivalin e 11 në RTV, ndërsa për Festivalin e 13, ka shprehur pakënaqësi. Vazhdon puna e operativit të Sigurimit, për t’i regjistruar shprehjet e thëna, me qëllim që ta zërë ligji për agjitacion e propagandë.

Për gjashtë oficerët e rinj që informohemi, sapo i kemi marrë të dhënat nga operativi i Sigurimit dhe jemi në pritje të materialit konkret. Deri më tash për këta gjashtë oficerë, na është thënë nga operativi se, ata kanë thënë se u pëlqen muzika e huaj. Do t’i shohim biografitë e tyre dhe do të veprojmë.

Për D. R., oficer në Brigadën e Këmbësorisë në Librazhd, kemi nga operativi i Sigurimit në dispozicion materiale të plota. D. R., në prezencë edhe të disa ushtarëve, ka hapur televizorin në një stacion të huaj. Njëri prej ushtarëve, të cilit shefi i Sigurimit po i heton biografinë dhe bindjet e tij politike, D. I., është shprehur se i pëlqejnë këngët e muzikës jugosllave e italiane.

Për këtë gjë ne e thirrëm D-në dhe u sollëm mirë me të, me qëllim që ta vëmë në gjumë dhe, me t’i gjetur rastin, t’ia japim organeve kompetente. Për të mos ndodhur raste të tilla, dhamë urdhër që në ushtri, televizorët të mbyllen në kuti me çelësa, ku të kenë të drejtë t’i hapin vetëm oficerët e shtabit, me qëllim, që të ndiqet vetëm Tirana. Ne vendosëm që televizorët, të hapen vetëm nga punëtorët politikë ose, sekretarët e rinisë të nënreparteve.

Në vijim, informacionet theksojnë: Oficeri N. K., efektiv i repartit 9181 Tiranë, është një person shumë i rrezikshëm, sepse ai ka thënë: “Po të bëhet luftë, të parin do të vras komisarin e Brigadës”. Për këtë, na raportoi operativi i Sigurimit dhe agjentura e tij në repartin përkatës.

U thirr N. K., nga zëvendëssekretari i Komitetit të Partisë të Grupimit, por ai nuk e pranoi ta ketë thënë kështu. Ne kërkuam ballafaqimin me dëshmitarët, por operativi na shpjegoi se nuk ia lejon platforma që, duke qenë oficerë të lirë, të ballafaqohen me agjenturën, që shërben si dëshmi, vetëm nëpër burgje. Ne po e vazhdojmë ndjekjen e aktivitetit të oficerit.

Për oficer N. H., zëvendës-shef i Degës Ushtarake të Pukës, agjentët tanë informojnë se ai, ha e pi në një familje me qëndrim të keq politik. Operativi i Sigurimit, garanton se N-ja, ka pikëpamje revizioniste dhe për këtë e ulëm në detyrë. Ai do të flasë patjetër me pakënaqësi dhe, nëse vepron kështu, së bashku me operativin, ia kemi ngritur grackën.

Oficerin I. Ç., efektivi i repartit 6600 Kukës, themi ta lirojmë dhe më pas të ndiqet penalisht, sepse ka patur takime me të riatdhesuarin E. N. Operativi i njësisë ,po e survejon atë me anë të rrjetit agjenturor.

Informacion me nr. prot. 330 i dt. 2.12.1974.

                   Shokut Mehmet Shehu

“Si rezultat i veprimtarisë së hapur dhe të rrezikshme armiqësore në ushtri, duhet të forcojmë anën organizative të ushtrisë dhe kemi marrë këto masa: Shtyhet çmobilizimi për ushtarët që presin radhën e lirimit dhe për këtë, ushtarët janë shprehur se do të qëndrojnë ne ushtri, sa të ketë nevojë partia. Ka shkelje në drejtim të emërimit dhe heqjes së kuadrit rezervist, me të cilët merren komandat e Degët Ushtarake dhe nuk marrin mendimin e organizatave të partisë. Kjo është bërë në Pogradec, Ersekë, Divjakë, Pukë.

A nuk e dinë ata se çdo gjë duhet ta bëjë Partia, të drejtojë Partia, të udhëheqë Partia, të komandojë Partia? Ka mjaft thashetheme për veprimtari armiqësore. Oficeri Ridvan Topulli, nga Farka, bisedon me një mësues muzike të shkollës “Xhezmi Delli”, se ka dëgjuar tek italiani, për grushtin e shtetit të Beqir Ballukut. Është thirrur. Po bëhen hetime.

Pronari i kantierit të anijes ç’manjetizuese, solli dy televizorë, një për ekuipazhin e anijes dhe një për kapitenin e saj. Këta i dhuruan atij një radio “Durrësi” dhe një album “25 – Vjetori”. Oficerët e Marinës nuk treguan për këtë gjest. Për këtë, në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, Nr. 115, dt 2.7.73, ky lloj veprimi ishte i ndaluar, d.m.th. është shkelur vendimi. U morën masa dhe do të mbahet qëndrim”.
Ishte një amplifikim i tërë që iu bë akuzave pa baza ndaj të ashtuquajturve armiq. Ata e dënuan grupin puçist vetëm në sajë të akuzave slogane partiake, pa asnjë fakt juridik, pa asnjë argument. Shembujt tregojnë qartë se si sajoheshin akuzat, se si zmadhoheshin ato dhe se si i godiste grushti i hekurt i diktaturës komuniste./Memorie.al

                                                       Vijon numrin e ardhshëm  

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/oficeri-m-m-efektiv-i-repartit-3456-tepelene-mban-floke-te-gjata-dhe-favorite-e-ka-rregulluar-nje-femer-me-biografi-te-keqe-te-cilen-e-zbulohen-dokumentet-e-sigurimit-per-u/