“Oficerët e Sigurimit e tërhoqën me forcë dhe nuk e lanë të përqafonte gruan e tij bukuroshe, jugosllaven, Anica, me fëmijën një muajshe që po i jepte gji, të cilës…”/ Historia tragjike e familjes nga Kuçova

Nga Osman Kaceli

Memorie.al /Osman Kaceli, i biri i një prej viktimave të shkurtit 1951, pas të ashtuquajturit “Incidentit me bombën në Legatën Sovjetike në Tiranë”, kujton ngjarjen makabre duke publikuar edhe biografitë e njerëzve të pafajshëm, që u pushkatuan natën e 26 shkurtit 1951, ‘80 vite më parë. Një prej tyre ishte tregtari i ri Hekuran Troka, që mbrëmjen e 20 shkurtit 1950, kur e arrestuan, duke e marrë forcërisht nga shtëpia, nuk arriti dot as t’i jepte përqafimin e fundit bashkëshortes, Anica, vajzës së madhe 3-vjeçare dhe më të voglës, vetëm 1-muajshe…?! Historia tragjike ku në 26 shkurt 1951, pak para mesnatës, diku në periferi të Tiranës, 22 intelektualë të njohur, të lidhur së bashku barbarisht me tela me gjemba, u pushkatuan dhe u hodhën në gropën e përbashkët, të hapur dy ditë më parë, ndërmjet të cilëve ishte dhe Hekuran Troka, që kryqin me laps jeshil, ia kishin vënë Pilo Shanto dhe Zoi Themeli, si dhe një vajzë e re, shkencëtarja e njohur Sabiha Kasimati, që e kishte shënuar me katror të kuq, krimineli Rasim Dedja! Në datën 27 shkurt 1951, Kryetari i Gjykatës Ushtarake, Shuaip Panariti dhe një nga anëtarët e asaj Gjykate, Vangjel Kocani, firmosën vendimin numër 64 të asaj gjykate, që dënonte me pushkatim, 22 persona, intelektualë të njohur e atdhetarë të flaktë, që kishin luftuar e punuar për çështjen shqiptare! Anëtari tjetër, Nonda Papuli, si dhe sekretari i asaj Gjykate Hydai Bejo, nuk e kanë firmosur vendimin, pasi nënshkrimet e tyre mungojnë në dokumentet arkivore, që u gjetën dhe u publikuan pas viteve ‘90-të, me rënien e regjimit komunist të Enver Hoxhës, dhe pasuesit të tij, Ramiz Alisë!

Hekuran Troka lindi në vitin 1919, në qytetin e vogël të Kuçovës në një familje të mesme qytetare. Që në moshë të vogël ai u dallù për natyrën e tij të thjeshtë e kureshtare, gjë të cilën e manifestoi me rezultatet e mira në shkollë. Në moshën e rinisë së hershme të Hekuranit, Kuçova u bë qendra e zhvillimit të industrisë së nxjerrjes dhe përpunimit të naftës. Në këtë kohë ai, përfitoi nga kontakti me specialistët italianë dhe perfeksionoi italishten e mësuar shumë mirë që në bankat e shkollës, në saj të aftësive të tij, këta të fundit i ofruan Hekuranit, kërkesën për të punuar në to.

Ai vazhdoi një kohë të gjatë në punë të ndryshme me të cilat pati përfitime jo vetëm materiale. Më vonë mbasi ai krijoi një bazë të mirë materiale dhe mbasi krijoi miqësi me tregtarë të Durrësit, si të familjes Dovana, Fani, Shijaku etj., ai u transferu në këtë qytet ku hapi një dyqan dhe zhvilloi aktivitet të frytshëm tregtar: mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, Hekurani që kishte kriju marrëdhënie biznesi edhe me babën e atij që po shkruan këto radhë, Jonuz Kacelin, e me tregtarë të tjerë si: Këllezi, Tugu, Shijaku etj., u vendos në Tiranë. Aktiviteti i tij ka qenë kryesisht manifaktura dhe kinkaleria. Ai u dallù gjithmonë nga korrektësia e ndershmëria. Hekurani e ka pas dyqanin në “Rrugën Mbretnore”, (sot Rruga e Barrikadave), deri në fillim të vitit 1951.

Gjatë gjithë kësaj periudhe aktiviteti tregtar, ai ka ndihmuar vullnetarisht e pa asnjë pagesë, organet shtetërore të tregtisë, si për shembull, së bashku me shokë të tjerë, në vlerësimin e përcaktimin e çmimeve të mallnave të manifakturës, duke ndihmuar në eliminimin sa më shumë të spekulimit nga spekulatoret e paskrupullt. Gjatë kësaj kohe në lagjen e tij në rrugën e Durrësit, mbrapa Shtëpisë së oficerëve, sot Ministria e Kulturës, ai ka qenë aktivist i kësaj lagjeje që sipas dëshmisë jo vetëm të  bashkëshortes së tij Anica Troka, por edhe dëshmive të banorëve të atij blloku, ai kishte zgjidhur shumë probleme që normalisht lindnin ndërmjet qytetarëve.

Ndërkohë Hekurani ishte martuar me Anicën që e përmenda më parë, e datëlindjes 20 korrik 1920, një zonjushë bukuroshe shumë e pashme dhe e mirë edukuar, jugosllave me origjinë. Ai adhuronte Anicën, e cila i dhuroi dy vajza të mrekullueshme që e gëzuan pa masë: Liljana e datëlindjes 20 tetor 1947 dhe Zhaneta e ditëlindjes 15 janar 1951. Edhe në familjen e thjeshtë të këtyre qytetarëve shembullorë, në natën e 20 shkurti 1951, ra një “rrufe në qiell të pastër”. Pak para mesit të natës, bishat e egra me fytyrë njeriu të Sigurimit të Shtetit, ndërsyen me një sulm të furishëm derën e shtëpisë.

Nuk pritën që i zoti i shtëpisë ta hapte atë, por e shtynë me forcë e duke ulëritur: “Ti Hekuran Troka, je armik i popullit e si i i tillë do të arrestohesh”. Nuk duhet të kesh një imagjinatë të veçantë për të përfytyruar gjendjen  e llahtarshme të Anicës 30- vjeçare, që Hekurani me shumë mundim u përpoq që ta qetësonte, por edhe të bindte përbindëshat se ai nuk kishte kryer asnjë krim, por pa ia arritur qëllimit. Ata ndërkohë i kishin mbërthyer prangat e hekurta në duart e buta të 30 vjeçarit Hekuran Troka, e nuk i kishin lënë asnjë mundësi jo vetëm që të përqafonte gruan e Lilianën 3-vjeçare, por as që t’i hidhte vështrimin e fundit vajzës se porsa lindur, Zhanetës vetëm 1 muajshe!

Kështu, një femër e re që ishte lehonë 35-ditëshe, u sulmua në folenë e saj bashkëshortore, nga forcat e Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, që pa zbatuar rregullat me elementare të ligjeve të sanksionuara me kushtetutë të konsoliduar e aq më tepër në një shtet të vetëquajtur Republikë Popullore, e masakrojnë atë barbarisht, vetëm se tentoi të përqafonte bashkëshortin e saj, me foshnjën e porsalindur në krahë, që qante pa ndërprerje…!

Por nuk kishte mbaruar me kaq. Nuk di nëse Anica e mjerë e kishte dëgju fjalën e urtë popullore shqiptare: “po të hyri e keqja, hapi udhën”? Për fatin e keq ajo edhe pa e ditur atë, ashtu e pësoi! Nuk ka dëshmi të saktë sesi ajo e mjerë me dy kërthinj të njomë, i kaloi ditët e netët, deri ditën e enjte 1 mars 1951, kur u rikthyen bishat e egra të Sigurimit të Shtetit dhe i komunikuan Anicës me qesëndi e urrejtje: “Burrin tënd, e kemi pushkatuar si armik të popullit, e ti me gjithë dy vajzat, të shtunën, më 3 mars 1951 do të internoheni në Berat”!

Këto ngjarje që tronditën në themel familjen e Hekuran Trokës, për të cilin po flasim në këtë shkrim, e kanë zanafillën në 19 shkurtin e vitit 1951, ku rreth orës 19 e 30 minuta, në oborrin mbrapa ambasadës sovjetike në Tiranë, u hodhën dy llokume dinamiti, nga njerëz të paidentifikuar, pa shkaktuar asnjë lloj demi të rëndësishëm. Kjo shkaktoi një “tërmet” të paparë në të gjithë strukturat e shtetit të diktaturës enveristo-komuniste e sidomos në të tre drejtoritë e Sigurimit të Shtetit, të drejtuara nga kriminelët vrasës: Pilo Shanto e Zoi Themeli të Sektorit të Parë, krimineli e gjakësori i pa mëshirshëm, Rasim Dedja, i Sektorit të Dytë dhe krimineli tjetër, Edip Cuçi i Sektorit të Tretë.

Në 20 shkurt, pra të nesërmen në mbledhjen urgjente të Byrosë Politike, Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, Enver Hoxha, apo i ashtuquajturi në atë kohë “Komandanti”, hapi mbledhjen, ku kishin mbetur vetëm anëtarët e Byrosë, me fjalët se Mehmeti, gjoja do të bënte një propozim, që në fakt ishte urdhër i prerë i vetë atij. Ministri i Brendshëm, gjeneral-leitnant, Mehmet Shehu, pasi përshkroi ngjarjen e një nate më pare, vazhdoi……. “aktit terrorist, ne do t’i  përgjigjemi me terror, pa marrë parasysh ligjet në fuqi. Të arrestojmë 100 apo 150 individë intelektualë e 10 apo 15 prej tyre, të tipit Qemal Kasoruho, t’i pushkatojmë. Pastaj brenda një muaji familjet e tyre t’i internojmë. Ne listat i kemi gati dhe nëse ju jeni dakord, ne fillojmë arrestimet që sonte…”, ku të gjithë të tjerët, e aprovuan unanimisht propozimin e tij.

Po në 20 shkurt, pak para mesnatës filluan arrestimet që vazhduan deri më 23 shkurt. U arrestuan rreth 220 persona, intelektualë të njohur, shumica e të cilëve të diplomuar në universitet e Perëndimit apo akademitë ushtarake të vendeve të ndryshme të Europës! Në datën 26 shkurt, Fadil Kapisyzi dhe Mehmet Shehu, firmosën propozimet për të arrestuarit që prokurori Siri Carçani, gjoja i lejoi po atë ditë.

Po në 26 shkurt pak para mesnatës, 22 intelektualë të njohur, të lidhur së bashku barbarisht me tela me gjemba, u pushkatuan dhe u hodhën në gropën e përbashkët, të hapur dy ditë më parë, ndërmjet të cilëve ishte dhe Hekuran Troka, që kryqin me laps jeshil, ia kishin vënë Pilo Shanto dhe Zoi Themeli, si dhe një vajzë e re, shkencëtarja e njohur Sabiha Kasimati, që e kishte shënuar me katror të kuq, krimineli Rasim Dedja!

Në datën 27 shkurt 1951, Kryetari i Gjykatës Ushtarake, Shuaip Panariti dhe një nga anëtarët e asaj Gjykate, Vangjel Kocani, firmosën vendimin numër 64 të asaj gjykate, që dënonte me pushkatim, 22 persona, intelektualë të njohur e atdhetarë të flaktë që kishin luftuar e punuar për çështjen shqiptare! Anëtari tjetër, Nonda Papuli, si dhe sekretari i asaj Gjykate Hydai Bejo, nuk e kanë firmosur vendimin, pasi nënshkrimet e tyre mungojnë në dokumentet arkivore që u gjetën dhe u publikuan pas viteve ‘90-të, me rënien e regjimit komunist të Enver Hoxhës, dhe pasuesit të tij, Ramiz Alisë!

Ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu, duke se “nuk e kishte mbajtur fjalën”: arrestoi rreth 220 persona, të gjithë intelektualë e atdhetarë të njohur, pushkatoi 22 prej tyre dhe i internoi familjet e tyre brenda tri ditëve! Raporti 1 me 10, ishte fatal apo i parashikuar?!

Më 3 mars 1951, Anica Troka dhe dy foshnjat e saj, i hipën me forcë në kamionin e familjeve që u caktuan për t’u internuar në Berat, ku mbërritën në mbrëmjen e asaj dite ku provizorisht kaluan natën në Han “SKRAPARI” dhe të nesërmen, policia i futi në një bodrum në kalanë e vjetër të Beratit…! Kush ka imagjinatë, le ta vazhdojë rrjedhën e ngjarjeve, seç ndodhi më tej me ta…! Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/oficeret-e-sigurimit-e-terhoqen-me-force-dhe-nuk-e-lane-te-perqafonte-gruan-e-tij-bukuroshe-jugosllaven-anica-me-femijen-nje-muajshe-qe-po-i-jepte-gji-te-ciles-historia-tragj/