Nipi i të pushkatuarit i shtrin dorën djalit të Mehmet Shehut: S’ke faj për krimet e babait

Gazeta Shqiptare | 24 Shkurt 23

Në kuadër të “Ditëve të Kujtesës” që synojnë reflektimin mbi të shkuarën, regjisori austriak Nils Olger e shkrimtari Bashkim Shehu u ndalën te ndikimi i biografisë në art dhe vështirësia e përballjes me të shkuarën e familjarëve.

Më 1949, 14 veta u vranë nga regjimi komunist në masakrën e Qafë-Valmirit në Mirditë me një vendim të Gjykatës së Lartë mbledhur në Rrëshen pas një rekomandimi të Mehmet Shehut. 74 vite më vonë, nipi i një prej të pushkatuarve, Gjergj Marku i shtrin dorën e pajtimit, të birit të ish kryeministrit Mehmet Shehu, Bashkim Shehu.

Gjergj Marku u shpreh se Bashkim Shehu nuk ka faj për krimet e kryera gjatë regjimit komunist dhe përfshirjen e të atit në to. Përballja e pinjollit të ish kryeministrit me pasardhësin e një viktime të atij regjimi, u bë gjatë “Ditëve të kujtesës” organizuar nga IDMC.

“Është hera e parë që ne ballafaqohemi bashkë. E për rrjedhojë mbetet për t’u vlerësuar raporti yt me të kaluarën, pse jo 50 vjet por 83 vjet që mëkohemi me gënjeshtra”, tha Gjergj Marku, pasardhës i një prej të pushkatuarve. Bashkim Shehu mori pjesë në një bisedë mbi ndikimin e biografisë personale në veprat artistike, bashkë me nipin regjisor të një nazisti austriak që shfaqi filmin “Kutia e hekurt”.

Regjisori Nils Olger pasi zbuloi veprimtarinë e gjyshit të tij përkrah nazistëve, në një ekran të bardhë me shkronja të zeza, shkroi: Ai nuk është më gjyshi që kisha njohur, ai ka ndihmuar kriminelët dhe ka heshtur.

I pyetur nga drejtuesja e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, Jonila Godole për përballjen e tij personale me regjimin para dhe pas vitit 1981 kur Bashkim Shehu u dënua bashkë me familjen e tij pas vdekjes së të atit, shkrimtari e përkthyesi Shehu, foli për një dramë.

“Kjo është një dramë për mua. Por të kthehemi si e kam parë unë para 1981. Sigurisht që kam parë që nuk ishte siç e paraqiste regjimi, që ishte një regjim i bazuar mbi gënjeshtrën. Përvoja, ajo që ndodhi, domethënë burgu, kontakti me të burgosurit, natyrisht më ka kthjelluar. Pastaj normale, mbase jo normale, por i privilegjuar, nga pikëpamja materiale, por njeriu nuk jeton për gjerat materiale, ka gjëra që janë më të rëndësishme”, tha Bashkim Shehu, shkrimtar e përkthyes.

Ndërsa Gjermania njihet si shembulli më i mirë sa i takon përballjes dhe dënimit të së shkuarës së vet naziste dhe ngritjes së siteve të kujtesës, sikundër vëmendjen ndaj çdo elementi që e glorifikon atë, Shqipëria në anën tjetër, bën krejt të kundërtën. A ka të bëjë kjo me vazhdimësinë e elitave, apo me trashëgiminë politike në vend?

“Si e kam përjetuar, e kam përjetuar edhe para 1990-ës, edhe përpara burgut do të thosha. Për mua është një dramë që një njeri kaq i afërt si babai, një njeri që më ka dhënë jetën, ka kontribuar në marrjen e jetës së të tjerëve, ose në shkatërrimin e jetës së të tjerëve, kjo është një dramë për mua. Letërsinë natyrisht nuk e kam përdorur për këtë gjë, pavarësisht se kam edhe gjëra biografike”, tha Bashkim Shehu. Si është e mundur që nëse kërkojmë të dimë se kush u distancua nga komunizmi, në mendje na vijnë Liri Belishova e Bashkim Shehu, por jo pinjollë të tjetër a familje të tjera të ish nomenklaturës?

“Tani nuk e di, mund të them këtë nisur nga përvoja personale që është e vështirë, nuk është kollaj, nuk është një fjalë goje, të përballësh me të kaluarën e prindit tënd, për atë që kanë bërë. Them se është e vështirë. Sa ka ndikuar kjo e sa ndikon në shoqëri, nuk di pse, dhe njerëzit nuk kanë pse shohin e marrin shembull fëmijët e ish pushtetarëve dikur”, u shpreh Bashkim Shehu. Ai sqaroi se nga ana tjetër: “Se si perceptohet nga një brez në tjetrin, ata që nuk e janë përballur me të kaluarën e tyre vetë, krijojnë një imazh tjetër dhe nuk marrin përgjegjësi për aq sa kanë në masa të ndryshme. Nuk po marr vetëm majat e pushtetit. Po flas për të gjithë. Dikush ka qenë bashkëpunëtor pasiv e dikush aktiv, dikush viktimë pasive. Por në një mënyrë ose në një tjetër totalitarizmi këtë bën, që i ingranon të gjithë. Kjo është e vështirë, për t’u çliruar nga totalitarizmi dhe ngaqë nuk kanë arritur ta bëjnë mendoj unë, njerëzit shpikin një të kaluar tjetër, kjo ju përcillet brezit tjetër, domethënë fëmijë të tyre, nipërve”.


* Titulli origjinal: Masakra me 14 të vrarë në Rrëshen, nipi i të pushkatuarit i shtrin dorën e pajtimit djalit të Mehmetit: S’ke faj për krimet e babait tënd kryeministër

The post Nipi i të pushkatuarit i shtrin dorën djalit të Mehmet Shehut: S’ke faj për krimet e babait appeared first on Observatori i Kujtesës.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://www.observatorikujteses.al/masakra-me-14-te-vrare-ne-rreshen-nipi-i-te-pushkatuarit-i-shtrin-doren-e-pajtimit-djalit-te-mehmetit-ske-faj-per-krimet-e-babait-tend-kryeminister/