“Nga takimi që patëm me Dom Ndoc Sahatçinë, kur e pyetëm nëse dinte gjë për arrestimin e Dom Shtjefën Kurtit, ai demonstroi…”/ Raporti i Punëtorit Operativ, Petro Angjeli, në ’70-ën

NIKOLLË LOKA

Av. ALFDRED DUKA

NIKOLIN KURTI

Pjesa e njëzetë

                     -Vazhdues i traditës së klerikëve katolikë atdhetarë –

                                              Vijon nga numri i kaluar

                       Bashkëpunim për shtetin dhe vetëm në interes të tij

Gjatë vuajtjes së dënimit

Sekret

Ekzemplar i vetëm

Tiranë, më 15.2.1971

                                                  Ekstrakt

Nxjerrë nga biseda ndërmjet Ndoc Sahatçis dhe Lezina Ashtës

E dëgjuar me T.O. me datën 12.2.71

Legjenda:

P – Ndoc Sahatçia

M – Lezina Ashta

P – Më duket se e kishin zanë edhe Dom Anton Doçin.

M – Eh.

P – Anton Doçin

M – E kanë zënë?

P – Më duket se edhe atë.

M – Tutkun.

P – Shyqyr që s’kam patur punë me ta!

M – Shyqyr. Do të kenë bërë ndonjë gjë, apo për çështjen e vllaut?

P– Kush e di. Çështja e Dom Shtjefnit.

M – U çështja e Dom Shtjefnit?

P– Ç’ka tha ndonjë fjalë Dom Shtjefni. Mirë, po ç’po na duhet ne xhanëm!

M – Jo, jo, por…

P – Me Dom Shtjefnin kam pas një çik merak, mos thotë që kam ndi kështu e kam folë kështu. Ajo punë është e vërtetë xhanëm…

Shënim: Kjo bisedë bëhet ndërmjet dy personave të sipërpërmendur, mbas takimit formal që patëm ne me Ndoc Sahatçinë, i cili u pyet nga ana jonë nëse dinte gjë mbi arrestimin e Dom Shtjefit dhe Anton Doçit. Ai u tregua sikur nuk dinte gjë. Por nga ana e jashtme, demonstroi një farë tronditje, sidomos kur i thamë se ishte arrestuar Dom Shtjefni.

Jemi të mendimit që ky material të shfrytëzohet nga ana e juaj gjatë hetuesisë me Dom Shtjefnin për ta nxjerrë karakterin e lidhjes midis tyre.

                               Punëtori Operativ                                                                

                                    Petro Angjeli   

 “Sekret”

 Ekzemplar Nr.1

Krujë, më 13.4.1973

                                                Rrelacion

              “Mbi realizimin e përpunimit të 2/A, të Shqefën Kurtit”

Shqefën Kurti i biri i Jakut dhe i Katrinës, i dat-lindjes 1898, lindur në Prizren të Jugosllavisë dhe banues në katudin Gurëz të rrethit Krujë, me arsim të lartë, i pa martuar, i pa organizuar, i dënuar një herë në vitin 1947 me 20 vjet për veprimtari armiqësore, shtresa e pasur tregtare, ish famullitar, me shtetësi e kombësi shqiptar.

I naltë përmenduri mbasi ka kryer gjimnazin bashkë me Filozofinë në shkollën e Jezuitëve në Shkodër, ka shkuar e ka mbaruar shkollën e lartë “Teologjinë”, të cilën e ka filluar në Austri dhe e ka mbaruar në Romë të Italisë dhe mbasi mbaron shkollën, është emëruar prift në Jugosllavi, me detyrë Sekretarë i Kryepeshkopatit në Shkup. Në vitin 1930 ka ardhur në Shqipëri dhe ka shërbyer si famullitar në rrethin e Krujës dhe në Tiranë deri në vitin 1946, kohë në të cilën është arrestuar dhe dënuar me 20 vjet burg, për veprimtari armiqësore.

Në kohën e regjimit antipopullor të Zogut, si famullitar ka mbajtur lidhje me krerët e Katolicizmit në Shqipëri ose direkt me Vatikanin, si dhe me autoritetet e regjimit në fuqi. Gjatë okupacionit italo-gjerman në vendin tonë, si dhe gjatë Luftës N.Ç, ka mbajtur qëndrim thellësisht armiqësor. Ai, duke ushtruar veprimtarinë armiqësore kundër lëvizjes N.Çl, ka mbajtur lidhje të ngushta me misionet e zbulimeve të huaja në Shqipëri si dhe me gjeneralin anglez Hudson, kolonelin Palmmer dhe majorin Zmith. Me kuadrot e zbulimit amerikan si : me z. Jakob, Andon Stivens, Ndok Gjevaliku, Fulcin etj. dhe me misionarët francez mbas çlirimit. Po kështu mbas çlirimit së bashku me Anton Dukagjinin, kanë përpiluar një raport në 3 kopje dhe ja ka dërguar misioneve amerikane e angleze që ishin në Shqipëri.

Ka mbajtur korrespondencë direkt me Vatikanin dhe prej andej ka marrë të holla për t’ua shpërnda priftërinjve katolikë në Shqipëri. Ka ndërlidhur kriminelët me zbulimet e huaja dhe ka bërë pjesë në Partin e krijuar nga Sami Qeribashi.

Në vitin 1946 është arrestuar për veprimtari armiqësore dhe në vitin 1947, është dënuar me 20 vjet burg, të cilin e ka vuajtur në burgun e armiqve të popullit në rrethin e Matit.

Në vitin 1963, është liruar nga burgu dhe ka ardhur në katundin Gurëz, ku deri në kohën e mbylljes së kishave, është marrë me punë fetare privatisht dhe mas mbylljes së tyre, ka punuar punëtor në koop. bujq. Gurëz. Edhe mas lirimit nga burgu duke qenë armik i betuar i Partisë e Pushtetit Popullor, ka filluar përsëri veprimtarinë armiqësore, fillimisht merr kontakt e komenton bashkë me ish-priftërinjtë, Zef Bicin e Mark Dushin lajmet e Vatikanit, masat e marra ndaj fesë të cilat i quanin të pa drejta e komente të tjera dhe mas arrestimit të Zefit e Markut, grumbullon mas vetes disa vjedhës të pasurisë kooperativistë si Pjetër Bibën, Mark Bardhokun, Zef Nishin, Agostin Preçin, Fran Nocin e Ndue Letin etj., të cilët në fillim i nxit për të vjedhur më shumë në pasurinë kooperativiste, duke u thënë se: “Vidhni, se vidhni pasurinë, djersën e mundin tuaj” dhe ma vonë gradualisht këta vjedhës i organizon në grup e bashkë me ta, zhvillon veprimtarinë armiqësore në formën e përvetimit të pasurisë kooperativiste, në atë të agjitacionit e propagandës, në nxitjen e arratisjes jashtë shtetit dhe në formën e sabotimit, duke i këshilluar se po të vjedhim, dëmtojmë e sabotojmë, dobësohet gjendja ekonomike e kooperativës, pakësohen të ardhurat e anëtarëve të kooperativës, bëhen këta të pa kënaqur dhe nuk kemi nevojë tu flasim se, ngrihen vetë kundër pushtetit.

Për këtë veprimtari armiqësore, nga ana e organeve tona me datën 16.4.1970, është marrë më përpunim 2/A, në grup bashkë me personat e thamë ma nalt dhe me 11.6.1970, është arrestuar bashkë me anëtarët e tjerë të grupit, hetuesia dhe përpunimi në birucë i të cilëve u bë nga hetuesia e Ministrisë P. Brendshmesh, ku në përfundim doli se grupi i përbërë nga personat që thamë më sipër, me në krye Shqefën Kurtin, kishin zhvilluar veprimtarin e tyre armiqësore në format që thamë ma nalt dhe për atë veprimtari armiqësore, drejtësia e popullit i dënoi, Shqefnin me pushkatim, kurse anëtarët e tjerë të grupit me masa të tjera burgimi.

Vlen të theksohet se ky grup kishte futur në rrugën e përvetimit të pasurisë kooperativiste edhe shumë persona të tjerë, një pjesë nga të cilët u dënuan si grup, për përvetim të pasurisë kooperativiste, siç ishin Luigj e Ndue Vata, Zef Gjon Neli dhe Palok Dedë Hasani, kurse pjesa tjetër u demaskuan, këshilluan dhe u lanë të lirë.

                              Punëtori Operativ

                                           (Q.K.)

Aprovohet

Kryetari Degës P. Brendshme

Dhosi Pecani

Ekzemplar Nr.1

Krujë me 13/4/1973

                                                     V E N D I M

            “Mbi arshivimin e dosjes formale në 2/A, të Shqefën Kurtit”

Unë Shqefën Kurti, i biri i Jakut dhe i Katrinës, i datëlindjes 1898, lindur në Prizren të Jugosllavisë dhe banues në Gurëz të rrethit Krujës, në arsim të lartë, i pa martuar, ish prift katolik, i dënuar një herë në vitin 1947 me 20 vjet burg, me 16.4.1970 është marrë në përpunim 2/A, nga organet tona për veprimtari armiqësore në grup, të dënuar me vdekje dhe ekzekutuar për veprimtari armiqësore në grup, të zhvilluar në formën e përvetimit të pasurisë kooperativiste, të nxitjes për arratisjes jashtë shtetit dhe të sabotimit e cila formë thithi dhe veprimtarinë e zhvilluar në format e tjera që thamë ma nalt.

I udhëhequr nga evidenca agjenturiale operative pika III e kësaj rregullorja që bën fjalë për studimin dhe vlerësimin e materialeve për ruajtje, si mbas gërmës “c” të kësaj pike.

Vendosa :

Që dosjen formale në 2/A, të Shqefën Kurtit, të dërgoj për ruajtje në arkivat e Ministrisë P. Brendshmen për vlerë historike, sepse veprimtaria e tij, bën fjalë për lidhje me misionet e huaja, për veprimtari në formën e organizimit, tradhtia ndaj atdheut dhe sabotimit në pasurinë kooperativiste e socialiste.

                      Punëtori Operativ

                                  (Q.K.)

Prova të tjera kundër Dom Shtjefën Kurtit

E dashtuna motër, vëlla, nipër e nuse, etj!

Tash një javë kam marrë letrën tënde motër. Falenderoj gjithë nuset e tyre, më të madhe dashuri, më shkruanin në atë letër. Gëzova, edhe fort kur mësova për shëndetin, të gjithë juve, të mirë, në punë të gjithë se Maria, shpejt ishalla me një djalë e gocë të lumtur. Unë, u bë viti që nuk më kanë pa kësi sojit, me përjashtim të kartolinës gjatë pushimeve verore Kristës e Verës.

Mue mos më këqyrni, jam plak, po eci nëpër 70 vjetët, e ju mundeni me shkrue pak ma shpesh, me më kënaq mue.

Me shëndet jam mirë, punoj sa mundem, e jam kondent, i kënaqun. Shkoj e rri nga një copë herë, nga një herë, te Keli e kurrkund tjetër. Vet laj teshat, pastroj e bëj me hëngër. Sikur të kishte asi kokrra mishi për supë. Keli vjen shpesh, se vjen me marrë bukën te furra, afër saj e kam ndërtesën, punën e gjithçka, jam shumë mirë, më thoni për pako. Unë qa e kam pas e kam shit, deri te sahati i dorës. Po patët mundësi me çoni një fanellë të trashë, për punë, pallto, në kajde të çyrkut, xhaketë të përdorshme se unë, sa rrënoj sa rrënojnë ato.

Jam si ju thash 70 vjeç e po patët mundësi, ndonjë gjë tjetër që ju e dini e keni mundësi të gjithë së bashku. Por, më vetin a janë të lejume pakot, a janë të lejume petkat, te Pashka si janë, të gjithë mirë? Ami a u shërue krejt. Filen si e kam? Fëmijët e motrave të dekuna, si i kam? Lina më harroji fare. Ajo vetëm një telegram në vit e hiç gjë tjetër. Luigji aspak, Ninja edhe ajo në harresë. Unë ju kujtoj e ju du të gjithëve me mall e me dashni. Fotot tuaja i kam në mur, e i kam stolis fotot tuaja anë e manë, tënden motër te kryet me fëmijë së bashku.

Ju falem me shent marë, ty motër, Kristës e Verës me fëmijë, Palushit e nuses, e letra jeme e gjen edhe me një bebe, Tonit, Pashkes familjes së tij, nji për nji e të gjithëve marrë.

Ju përqafoj e ju puth me dashni.

Shumë shnet e të fala prej Kelit.

Vëllau e daja i juaj Shtjefni

Gurëz, 13 shkurt 1968 

                           E dashtuna motër, nipër, nuse e stërmbesë!

Letrën tuaj të dashtun e kam marrë para do kohe. Gëzova që u mora vesh, me ju, me anë të letrës që ishit mirë me shëndet. Unë, mbas nji nevojë që lëngova në të shtrume, tash jam mirë. Njerëzit e shpis ku unë banoj, më kanë shërbye gjatë sëmundjes me dashni si më me pas vëlla a babë. U jam mirënjohës së tepërmi. Prej letrës mësova se si ishit ata tre vëllaznit: ti Palë me nënën, ndërsa Krista e Toni, në dy fole të veçanta. Mua më erdhi mirë, se kështu keni me e çmue ma tepër jetën, rrëndësin e shtëpisë. Dashninë në familje keni me e mbajtë, një ekonomi ma të përsosun. Nana, përkundra, tue ju pas afër, shkon sa të njani sa te tjetri, tue i përkëdhelë vocërrakët të njërit djalë e të tjetrit. Po deshtët, me çoni aso kokrra mishi për supë, e një xhaketë si herën tjetër.

Përgëzohem me ty motra, se si më shkruan Pali, që s’ke qenë mirë me shëndet, e paske fillue me u mbajt. Unë, përkundra kam humb 22 kile të peshës, por jam mirë e nuk lëngoj gjë. Ti Palë e justifikon Nanën e vendin e vëllaznimit, si dhe nuset se mund të më shkruani. Me ju nuk kam ndonjë ankim, arsyen i’u tregova në letrën e parë, por nana si qenka kaq e humbun, mos me i ndigjue ndonjëri prej djelmve, nuseve a mi rreshtue ça ajo ka, sa më i rreshtue dy fjalë, e me e ngushllue vëllanë qyqe vetëm. Prej mërzisë, motër ti shkrova këto fjalë, se po atë dashni qi kam pasë me ty, e ushqej edhe sot.

Për pako që them, unë kam nevojë, por nuk dua që të ju mërzis. Ju përqafoj të gjithëve, familjen tuej deri te Zefi, Miri, Ornela, Violeta. Të gjithëve nga një të puthun. I juaji

                        (Shtjefni)

Gurëz, 10.I.1970  

9.10.1965, letra në faqen B.23

Shtejfën Kurti-Gurëz-Milot – Krujë

Katerina Mjeda – USA

Shënim:

Nga studimi i letrës del, se në faqen 1. B.23 thuhet:

Unë po bëj një jetë parazite, jam pa punë. Një fshatar më ka dhanë një dhomë dhe aty e çoj jetën.

E ka mbesë-dërguesi është prift

9/10/1965

Shtjefën Kurti, Gurëz-Milot Krujë

09.9/65, një letër e pako

Viktor Kurti…USA

Shënim:

Nga studimi i letrës del, se në faqen 1 R.1l thuhet:

Bëj jetë private e, jam tue ndenjë në Gurëz pranë një fshatari, i cili më ka lëshue një odë. Aty i kryej të tana punët e mija, studio, flej, mëshoj, por jam i qetë shpirtërisht, me gjithë fukarallikun tim. Nëse duhet, ndonjë herë jap ndonjë meshë. Dërguesi është prift.

1/10/65 

                                  Fort e dashtun mesë Katerinë!

Që kur ishte vajzë në shtëpinë tonë, e ma nuk të kam pa. Përsa kohë që qëndrova në Zagreb të shkruaja e më shkruajshit, ti e yt shoq i ndieri. Kur vajte në Amerik unë, s’kisha mundësi e vetëm tash dy ditë që më çoj adresën tënde yt atë, vëllai jem, mbasi unë ju pata lutë me ma çue.

Katerinë, unë nuk të kam harrue kurrë, sa herë të kam kujtue e sa herë mundohem me e thirrë në mendjen time figurën tënde, dikur shumë të bukur, sigurisht që po ashtu edhe tash. A po ma çon një foto tënden, ta kem para sysh axha? Ma bën qefin dhe më gëzo me letrat e tua. Filja e jot motër, më kanë çue kostum, pardesy, xhemper e tesha të tjera, ajo më ka vesh e madh. Po ti a do të keshë mundësi me më çue ndonjë pare, sa të blej nji sahat, se jam pa të. Me ma çue nuk leverdis se më kushton dogana sa me e ble, por pare, po pate mundësi. Por edhe mos me më çue, unë nuk mërzitem. Unë Katerinë, bëj jetë private, jam pa punë. Një fshatar më ka dhanë një odë, e aty e çoj jetën teme vetëm.

Më shëndet jam mirë, por natyrisht jam i mërzitun. Kalamajtë e Gjonit, nuk më qerasin as edhe për një kafe. A ka dëshpërim më të madh se me kenë i përbuzin, mbas çka kam bë për ta, Zotit mos dyfishin me i dhanë xhevap.

Katerinë, dëshirojë me e ditë si je me shëndet, e si po e çon jetën. A ke ndonjë fëmijë apo e vetme. A mërzitesh shumë e çka punon? Më shkruajë të pastë axha, e më hjek mërzinë herë pas here, me ndonjë letër.

Po të çoj foton time, me shpresë se edhe ti, do të më gëzojshë me tënden.

Të falem me shëndet, të gjithë e të shtregojë me zemër.

                       Axha i jot i dashtun

                                  Shtjefni

Gurëz Milot

29.IX.1965

                                                    Arrestimi

Materialet kryesore të përfituara nga aktiviteti i Sigurimit të Shtetit, ishin raportet agjenturore të shkruara dhe teknika operative me përgjim. Përgjimet vendoseshin në dosjet e personit që ndiqej në një ekzemplar të vetëm. Karakteristikë është se, asnjë material i këtij lloji, nuk është përdorur në proceset hetimore-gjyqësore, të cilat mbështeteshin vetëm në dëshmitarë në formulimin e provës. Kjo do të thotë se Sigurimi i Shtetit, asnjëherë nuk sillte prova në gjykata.

Kur vendosej që objekti në ndjekje duhet të dënohej me burgim, kemi fillimin e procesit hetimor-gjyqësor. Kjo është fija e padukshme, si “fija e kashtës”, nëpër dokumente zyrtare dhe vetëm specialistë të fushës mund ta dallojnë. Fillon kështu procesi legal. Pas marrjes së vendimit, Punëtori Operativ takohet me hetuesin që mbulon territorin, ku banon i planifikuari për t’u arrestuar e dënuar. Punëtori Operativ i jep hetuesit elementët kryesorë të veprës penale, mbi të cilat duhet të bazojë akuzën e tij, duke pasur parasysh se asnjë bashkëpunëtor i Sigurimit, si dhe asnjë material operativ (përgjime) nuk do të dalë në gjykatë (në raste shumë të rralla bashkëpunëtori digjej, duke dalë dëshmitar).

Mbi bazën e këtyre të dhënave, hetuesi cakton dëshmitarët që duhet të gjejë për të mbështetur akuzat. Këta dalin njerëz të zakonshëm, p.sh., që kanë qenë në stadium me kandidatin për të pandehur apo, të pranishëm kur ai ka folur kundër pushtetit. Pasi hetuesi siguron dëshmitarët, fillon zbatimi i Kodit të Procedurave Penale, bazuar mbi nenet e Kodit Penal.

Hetuesi bënte gati arrestimin, i cili miratohej nga prokurori. Hetuesi zhvillonte hetuesinë e në përfundim, dilte me një aktakuzë, e cila miratohej sërish nga prokurori. Në gjykatë, hetuesi nuk paraqitej më. Prokurori i çështjes, në bazë të aktakuzës, përpilonte pretencën. Memorie.al

                                         Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016  


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/nga-takimi-qe-patem-me-dom-ndoc-sahatcine-kur-e-pyetem-nese-dinte-gje-per-arrestimin-e-dom-shtjefen-kurtit-ai-demonstroi-raporti-i-punetorit-operativ-petro-angjeli-ne/