Nga Ola Mitre: Mungesë transparence, e drejta për informim publik merr “semafor të kuq”

E drejta për informim, si një nga të drejtat themelore të njeriut është parakusht për një qeverisje të hapur, që garanton transparencë dhe llogaridhënie. Ekspertët vlerësojnë se transparenca është element kyç në një shoqëri demokratike dhe shërben për t’i dhënë qytetarëve, shoqërisë civile apo medias mjetet për të vlerësuar se si menaxhohet pushteti dhe burimet e shtetit.

8 vjet nga miratimi i ligjit “Për të drejtën e informimit” institucionet marrin “semafor të kuq” në drejtim të transparencës, ndonëse kanë një sërë detyrimesh mbi informacionet që duhet të ofrojnë për publikun.

Sipas ligjit ”Për të drejtën e informimit”, të miratuar në vitin 2014 janë disa kategori informacioni që duhet të bëhen publike pa kërkesë. Kjo nënkupton se ato duhet të jenë të publikuara në faqet online të institucioneve, për t’u aksesuar lehtësisht nga qytetarët. Ndërkohë që, në përputhje me programin e transparencës së miratuar, çdo autoritet publik duhet të përgatitë këto informacione, në formate lehtësisht të kuptueshme dhe të aksesueshme. Këtu përfshihen jo vetëm të dhëna mbi strukturën organizative, ligjet apo kompetencat e tyre, por edhe të dhëna për buxhetin, planin e shpenzimeve dhe sesi ky plan është realizuar prej tyre. Po ashtu, duhet të jepet informacion për procedurat e prokurimit apo procedurat konkurruese të koncesionit /partneritetit publik privat, kontratave të lidhura, shumën e kontraktuar, palët kontraktuese apo informacionin për zbatimin dhe monitorimin e kontratave.

Në kundërshtim me këto detyrime ligjore, shumë faqe interneti të autoriteteve publike ofrojnë pak ose aspak informacion në këtë drejtim. Në kontrast me përditësimet thuajse në kohë reale mbi aktivitetin e titullarëve të tyre, informacionet që lidhen me buxhetin dhe shpenzimin e parave publike janë thuaje inekzistente. Regjistri i fundit i realizimit të prokurimeve publike, në faqen e internetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është i vitit 2011, ndonëse specifikohet se ai do të përditësohet çdo 4 muaj. Shembuj të tillë, nga faqet e autoriteteve publike, janë pafund.

Sipas Indeksit të Transparencës Prokative të Institucioneve Qendrore dhe të Varësisë, të publikuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit në dhjetor 2022, pjesa dërrmuese e autoriteteve publike paraqesin nivel të ulët ose mesatar, në drejtim të transparencës, ndërkohë që vetëm një numër shumë i vogël institucionesh rezultojnë se kanë një transparencë proaktive të lartë.

Në këtë raport është vlerësuar niveli i transparencës së 150 autoriteteve publike qendrore dhe të varësisë, e ku ndër të tjera bëjnë pjesë: Institucioni i Presidentit, Kuvendi, Kryeministria, Ministritë, institucionet e varësisë, institucionet të pavarura, institucionet e reja të sistemit të drejtësisë, gjykatat, prokuroritë, institucionet e arsimit të lartë si dhe shoqëritë aksionere ku shteti zotëron shumicën e aksioneve. Pas përpunimit të të dhënave rezultoi se 133 institucione paraqesin nivel të ulët ose mesatar, ndërsa vetëm 17 u vlerësuan me nivel të lartë transparence, në drejtim të informacionit që duhet të bëjnë publik pa kërkesë.

Sa i takon pushtetit qendror, Ministria e Financave dhe Ekonomisë renditet në fund të listës, ndërsa në vend të parafundit është Kuvendi i Shqipërisë. Por, në klasifikimin e gjithë autoriteteve publike të monitoruara, pikët më të ulta janë marrë nga disa prej institucioneve të drejtësisë, sikurse janë prokuroritë e rretheve apo gjykatat. Pjesë e listës është edhe Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), që ka grumbulluar vetëm 2.5 pikë nga 8 që është totali i mundshëm.

Gjithsesi, ajo që vlen të theksohet për indeksin e publikuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit është “kleçka” me llogaritjen e treguesve. Kjo pasi, 150 autoritetet e monitoruar kanë mundur të mbledhin pikë, kryesisht në tregues të tillë, si: Të dhënat për Koordinatorin për të Drejtën e Informimit, publikimi i legjislacionit, struktura organizative, publikimi i regjistrimit të pyetjeve dhe përgjigjeve apo publikimi i programit të transparencës. Në tregues të tjerë, si buxheti e mbi të gjitha publikimi i raporteve të auditimit dhe monitorimit, sikurse mund të jenë raporte të Kontrollit të Lartë të Shtetit ose raporte auditi të brendshme, pikët e marra janë “zero” nga pjesa dërrmuese e institucioneve.

Në bazë të ligjit “Për të drejtën e informimit” mekanizmat monitorues dhe të kontrollit që veprojnë mbi autoritetin publik, përfshirë raportet e auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ose subjekte të tjera, janë informacione që duhet të bëhen të disponueshme për personat e interesuar sapo të aksesojnë faqen e internetit të çdo autoriteti publik. Ndërkohë që, janë pikërisht këto raporte që nxjerrin në pah një sërë abuzimesh që kryhen me paratë publike. E në fakt, sipas raportit të fundit të KLSH rezulton se dëmi ekonomik dhe efektet negative për shkak të parregullsive, të shkaktuara nga institucionet publike, gjatë vitit 2022 arriti në mbi 90 mld lekë. Kjo shifër bazohet në auditime të kryer nga KLSH në 205 subjekte. Rreth 88.5 mld lekë klasifikohen si efekte negative për shkak të parregullsive në fushën e të ardhurave dhe shpenzimeve, ku shifrën më të madhe e zënë shkeljet në disiplinën buxhetore me gati 42 mld lekë. Ndërkaq, dëmi ekonomik shkon në 1.5 mld lekë, ndërsa ndahet thuajse në sasi të barabartë midis atij të krijuar në fushën e të ardhurave dhe në fushën e shpenzimeve. Sipas raporti të KLSH shkeljet e institucioneve janë në disa drejtime. Përdorimi i fondeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet në fushën e prokurimit publik, shkelje e disiplinës buxhetore në programimin dhe realizimin e shpenzimeve publike, parregullsi në administrimin e të ardhuave tatimore e jotatimore si dhe keqpërdorim të pronës shtetërore, janë disa nga shkeljet e konstatuara nga KLSH.

Gjithsesi, ky raport nuk është i publikuar në asnjë prej faqeve të internetit të autoriteteve shtetërore të audituara, ndonëse është detyrim ligjor.

Mungesa e informacioneve, që duhet të jenë publike pa kërkesë iu kushton kohë qytetarëve të interesuar, të cilët detyrohen të paraqesin kërkesa për informacion, teksa problematika që ekziston në këtë drejtim është edhe më e thellë.

Në fakt, Komisioneri për të Drejtën e Informimit pranon se sfidë mbetet për autoritetet publike qendrore dhe të varësisë jo vetëm miratimi dhe publikimi i Programit të Transparencës së Rishikuar, por mbi të gjitha plotësimi me informacion i çdo dokumenti të parashikuar në të. Teksa me tone “autokritike” vlerëson se sfidë për Zyrën e Komisionerit mbetet monitorimi i sa më shumë kategorive të informacionit të përfshira në indeksin e transparencës, si dhe përdorimi i të gjitha mekanizmave ligjore për të bërë të mundur jo vetëm ndërgjegjësimin, por dhe sanksionimin e personave përgjegjës për moszbatimin e transparencës proaktive. Gjithsesi, masat administrative të ndërmarra nga ky dikaster janë thuajse të papërfillshme. Sipas raportit vjetor, për shkelje të dispozitave të legjislacionit për të drejtën e informimit vlera e gjobave të vendosura arrin ën vetëm 450 mijë lekë, ndonëse numri i ankesave të depozituara arriti në 1032.

Artikulli bëhet në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike”, loti “Forcimi i rolit monitorues dhe kërkesës së llogarisë nga qytetarët nëpërmjet shoqërisë civile, medias dhe mbështetjes akademike”, zbatuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) në partneritet me Institutin e Studimeve Politike (ISP), BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare(QQ), mbështetur financiarisht nga Ambasada Britanike.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://isp.com.al/nga-ola-mitre-mungese-transparence-e-drejta-per-informim-publik-merr-semafor-te-kuq/