“Nga Këneta e Maliqit, kanali ujitës Peqin-Kavajë, aeroporti i Rinasit, te hekurudha Peqin-Elbasan, Sanatoriumi dhe…”/ Historia e panjohur e veprave që ndërtuan të burgosurit nga ’45-a, deri në ‘90-ën

Nga Kastriot Dervishi

Memorie.al / Të dënuarit, të internuar apo të burgosur, janë shfrytëzuar në punë të rënda që në vitet e para të pushtetit komunist, por në fillim të viteve ’50-të, shfrytëzimi i tyre u bë objektiv kryesor, ndaj dhe të gjitha burgjet, me përjashtim të një burgu në Tiranë dhe burgut të Burrelit ishin kampe pune. Ato lëviznin nga një vend në tjetrin, në një zinxhir që ndërtonte Shqipërinë socialiste duke shkatërruar elitën e saj intelektuale. Ishin 4-6 mijë të burgosur që nën emërtimin zyrtar “punëtorë të detyruar”, shfrytëzoheshin për ndërtimin e veprave brenda afatit të caktuar për përurim dhe kur pritej shiriti, ata ishin dërguar tashmë në një tjetër kamp, ishin rrethuar me një tel tjetër me gjemba dhe iu ishte dhënë një tjetër detyrë gati e pamundur.

Vepra të ndërtuara me punën e të burgosurve gjatë regjimit komunist

  • Kanalet kulluese në Jubë –

Prill 1946. U ngrit kampi i parë i punës në Jubë, fshat në lindje të Durrësit. Në të u grumbulluan 700-800 të burgosur nga Tirana dhe Durrësi. Të burgosurit politikë hapnin kanale kulluese afër detit. Mes punëtorëve të kanalit 5 km. të gjatë dhe 6 m. të gjerë, ishin edhe ish-qeveritarët: Kostaq Kotta, Ibrahim Biçakçiu, Et’hem Cara.

  • Tharja e kënetës së Maliqit

Qeveritë e Ahmet Zogut kishin dështuar në këtë nismë. Komunistët vunë objektiva të paarritshme për, t’a tharë liqenin e Maliqit brenda pak muajsh dhe meqë nuk e arritën dot, pushkatuan si sabotatorë, disa nga teknikët më të mirë në vend dhe larguan misionin amerikan në Shqipëri. Në këtë çast, detyra u kalon të burgosurve politikë. Në pranverë të 1947-ës, hapet kampi i Orman-Pojanit me qendër në Vloçisht, ku qeveria grumbullon mbi 2.500 veta nga “armiqtë e popullit dhe kriminelët e luftës”, të cilët me nga 800 gram bukë të zezë dhe nga një lugë supë, punuan për një nga projektet më madhore të Shqipërisë. Disa nga dënuarit politik që punuan për tharjen e Kënetës së Maliqit, ishin: Atë Zef Pllumi, përkthyesi i Dante-s, Pashko Gjeçi, nëpunësi i lartë, Nedin Kokona etj. Punimet mbaruan në vitin 1951.

  • Kanali ujitës Peqin-Kavajë

Në vitin 1951, Kampit nr. 1 ku ishin të burgosurit politikë dhe ordinerë të që punonin për tharjen e Kënetës së Maliqit, mori emrin Reparti 301. Pas Maliqit, ata u zhvendosën në Gosë të Kavajës, ku hapën kanalin ujitës pranë këtij qyteti.

  • Kanali i Bedenit

Në kampin që do të hapte kanalin nga zona kënetore e Bedenit, që quhej dhe këneta e Zhabjakut, deri në lumin Shkumbin për të liruar fushën nga uji, kanë punuar mes të dënuarve politikë, plot 29 priftërinj katolikë.

  • Kanali ujitës Devoll-Thanë

Në vitin 1948, 1.500 të burgosur politik u sollën në Vlashuk të Beratit, për të hapur një kanal që fillonte nga lumi Devoll, i cili u përurua më 21 korrik 1949. Ish-shokët e shkollës së Enver Hoxhës në Francë, profesorët Foto Bala dhe Isuf Hysenbegasi, ishin ndër të dënuarit që punuan për këtë kanal 8 km. të gjatë.

  • Kanali i Tërbufit

Në vitin 1956, në Tërbuf u krijua një repart me qëllim tharjen e kënetës së Tërbufit në Lushnjë. Punimet vazhduan deri në vitin 1958.

  • Kanali ujitës Vjosë-Levan-Fier

Kampi i të burgosurve për ndërtimin e këtij kanali ka qëndruar në Shtyllas, nga 3 nëntori i vitit 1953, deri më 18 mars 1955, kur mes të burgosurve, 715 ishin politikë dhe 172 ordinerë.

  • Bonifikimi i fushës së Kamzës dhe Valiasit

Në këtë punë u angazhuan kryesisht të burgosurit e Tiranës dhe Durrësit.

  • Kanali ujitës “Naum Panxhi”

Në vitin 1947, të burgosurit e Elbasanit nisën ndërtimin e kanalit që merrte ujë nga lumi Shkumbin dhe e dërgonte në fushën e Cërrikut, por më pas vepra u përfundua nga aksionistët dhe punëtorët me pagesë. Gjatë kohës që punuan në këtë projekt, të burgosurit, marshonin çdo mëngjes përmes qyteti për 5 kilometra në një kolonë poshtërimi, nga burgu në vendin e punës dhe sërish në mbrëmje, nga vendi i punës, në qeli.

  • Punime në lumin e Gjadrit

Gjatë vitit 1954, të burgosurit punuan në kushte që të kujtonin punën e skllevërve për hapjen e një kanali 1.500 m. në Hajmel, që synonte shmangien e mbytjes së fushës së Zadrimës.

  • Bonifikimi i Thumanës

Kanale ujitëse dhe kulluese në Sarandë

Sipërfaqet e përftuara nga hapja e kanaleve:

Jubë 1.700 ha

Beden 6.500 ha

Maliq 10.400 ha

Rrushkull e Hamallaj 5.000 ha

Zadrimë 6.200 ha

Hoxharë 2.200 ha

Tërbuf 18.000 ha

Rruga Gramsh-Lozhan

Rruga nga Gramshi në Lozhan të Korçës, u hap me krahë, nga të internuarit e kampit të Kamzës, në vitin 1949.

  • Hekurudha Peqin-Elbasan

Për këtë hekurudhë, që nisi të ndërtohej në janar të vitit 1950, u ngritën dy kampe pune me të burgosur: kampi i Urës së Bonës dhe kampi i Bishqemit. Hekurudha kishte 4 tunele dhe 100 ura. Në kampin e Urës së Bonës, punuan rreth 500 të burgosur, të cilët realizuan 70.350 ditë pune, duke u ushqyer me një supë bollguri në mëngjes, fasule dhe ndonjëherë pak mish në drekë dhe çaj e marmelatë në darkë. Ndërsa racioni i bukës, vijonte të ishte 700-800 gramë për person. Në kampin e Bishqemit, punuan rreth 800 të burgosur të cilët, përballuan punën më të rëndë dhe realizuan mbi 100 mijë ditë pune. Hekurudha u përurua nga ministri i Punëve të Brendshme të asaj kohe, Mehmet Shehu, më 21 dhjetor 1950, në nder të Stalinit, të cilit qeveria shqiptare i detyrohej për metodat e shfrytëzimit të të burgosurve, edhe pse puna e tyre nuk u përmend në fjalimet inauguruese.

  • Hekurudha Vorë-Laç

U përurua më 1 maj 1963. 30 km. e gjatë. Në kampin që punoi për ndërtimin e saj, në vitin 1961, kishte 600 të dënuar.

  • Kriporja e Vlorës

Në vitin 1970, në këtë zonë punonin 340 të burgosur, të cilët hapnin kanale të thella. Ndërtuan një argjinaturë 8 km që ndante kriporen nga këneta. Kanë punuar edhe për një projekt të shkripëzimit të tokave, por ai dështoi.

  • Në fushën e ndërtimeve: Uzina e Naftës në Cërrik dhe Fusha e Aviacionit, Kuçovë

Në vitin 1952, të burgosurit u përqendruan në Urën Vajgurore për të nisur ndërtimin e fushës së aviacionit të Kuçovës. Fillimisht punonin 2.000 të burgosur, ndërsa në vitin 1953, punonin 1.150 të burgosur, të cilët kishin realizuar 204.605 ditë pune. Sipas një raporti zyrtar të vitit 1952, jeta e të dënuarve nuk paraqitet e mirë për faktin “se kur kemi ardhur këtu e deri sot, nuk kanë ngrënë as edhe një herë gjellë me mish, pse kjo mungon”.

  • Aeroporti i Rinasit

Muajin e dytë pas fillimit të punimeve, më 30 tetor 1953, natyra e veprës që po ndërtohej u duk se frymëzoi katër të burgosur, të arratiseshin, edhe pse jo përmes ajrit, por përmes një tuneli të nëndheshëm 11 metra të gjatë. Punimet për aeroportin e Tiranës nisën në shtator 1953 dhe të burgosurit që vinin nga kampi i Urës Vajgurore, kanë qëndruar deri vitin pasardhës, ndërsa një grup tjetër të burgosurish, që do të formonin Repartin nr.303, punuan për aeroportin e Rinasit, nga 14-15 korriku 1955, deri më 8 shkurt 1959, kur përfunduan punimet e aeroportit, që të ishte gati për pritjen e sekretarit të përgjithshëm të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov, në Tiranë.

Dinamika e të burgosurve ndryshonte nga viti në vit, por kryesisht dominohej nga të burgosurit politikë, të cilët në vitin 1957, përbënin 100 për qind të kampit. Raportet zyrtare vinin në dukje që: inxhinier Pandeli Zografi, i dënuar në procesin e Maliqit, u shënonte më tepër normë të burgosurve, duke e akuzuar kështu, edhe një herë të dytë, për të njëjtin “krim”.

  • Stadiumi “Qemal Stafa”

U përfundua nga puna e robërve italianë dhe gjermanë.

  • Kombinati i tekstileve në Yzberisht

Të burgosurit kanë ndërtuar kanalin e kullimit të bojërave me të cila do të ngjyroseshin pëlhurat në këtë kombinat, gjatë vitit 1950. Sigurisht, edhe puna për kanalin e bojërave u bë në terr. Ditën e përurimit, 8 nëntor 1951, askush nuk i përmendi të burgosurit, të cilët tashmë ishin larguar drejt një kampi tjetër pune.

  • Pallatet “Agimi”

Ndër godinat e para që u ndërtuan nga kampi nr. 4, i krijuar me qëllim që të dënuarit të ndëshkoheshin me anë të punës. Ky kamp u krijua në vitin 1953 dhe në muajt e parë më shumë se gjysma e të burgosurve, ishin të dënuar politikë, raport që u përmbys në vitet në vijim, megjithatë të dënuarit politikë, nuk munguan asnjëherë në këtë kamp pune, që u vendos pranë Lanës.

  • Stadiumi Dinamo, sot “Selman Stërmasi”

Stadiumi i projektuar nga arkitekti Koço Miho, u përurua më 8 korrik 1959. Në atë vit, kampi i të dënuarëve të angazhuar në ndërtimin e tij, kishte 491 të burgosur.

  • Sanatoriumi

130 të burgosur, u vunë në dispozicion të Ndërmarrjes së Ndërtimit nga viti 1959, në vitin 1960, për të ndihmuar në ndërtimin e Sanatoriumit.

  • Kombinati ushqimor “Ali Kelmendi”

Sipas marrëveshjes së Ndërmarrjes së Ndërtimit dhe përfaqësuesit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për ndërtimin e këtij kombinati, i cili do të niste dhe do të përfundonte brenda vitit 1960, do të angazhoheshin 330 të dënuar.

Pallatet “Puna”

Pallatet e rrugës “Myslym Shyri”

Hyrja kryesore në rrugën e Durrësit

Zona e Zogut të Zi

Fabrika e Bukës

Blloku “50 vjetori i Pavarësisë”

Kombinati i Mishit

Peliçeria e Tiranës

Ndërtesa të Fermës “Gjergj Dimitrov”

Uzina e Autotraktorëve-një pjesë të punimeve

Kompleksi “Dinamo”

100 të dënuar politikë dhe 50 ordinerë, u angazhuan nga viti 1987, për ndërtimin dhe përfundimin në kohë të kompleksit sportiv “Dinamo”.

Uzina e Sodës Kaustike në Vlorë

Fabrika e Çimentos në Elbasan

Fabrika e Çimentos e Fushë-Krujës

200 banesa në qytetin e Bulqizës

Në vitin 1985, hapet një repart të burgosurish në Bulqizë, enkas për ndërtimin e pallateve të banimit. Në vitin 1987, në të kishte 105 të dënuar politikë.

Uzina e Përpunimit të Bakrit në Rubik

Uzina e Superfosfatit në Laç, u ndërtua në vitet 1963-1967

Banesa në Laç

Uzina e Përpunimit të Naftës në Ballsh

Nga viti 1972 deri në vitin 1979, të burgosurit kanë punuar për ndërtimin e Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës. Pas vënies në punë të saj, janë detyruar të punojnë për ndërtimin e pallateve dhe riparimin e shtratit të lumit Gjanica. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/nga-keneta-e-maliqit-kanali-ujites-peqin-kavaje-aeroporti-i-rinasit-te-hekurudha-peqin-elbasan-sanatoriumi-dhe-historia-e-panjohur-e-veprave-qe-ndertuan-te-burgosurit-nga/