“Nga kalvari i vuajtjeve, vëllai i vogël, Mit’hati, punëtor ndërtimi, i dha fund jetës tragjikisht te ‘Rozafa’, duke u hedhur nën rrotat e…”/ Dëshmia rrëqethëse e mësueses nga Shkodra

Nga Namik Mehmeti 

Firence

– Një rrëfim i pazakont i znj. Safete Myftija Muka, e bija e Hirësisë së Tij, Salih Myftija, ish-eksponent i Lëvizjes së Legalitetit dhe ish-Kryemyfti i Shkodrës e Kosovës –

 

Memorie.al / Ne Firence, me Safete Myftija Muka, na u dha mundësia me bisedue rreth jo vetëm të jetës së saj, plot trazira që i solli diktatura komuniste dhe ditëve të paqta e plot dashuri për pasardhësit e saj, djali, vajza e nipa e mbesa, pas viteve “90 që i afroi shembja e diktaturës enveriane. Po kush është 82 vjeçarja Safete Myftija Muka? Ajo është një nga tetë fëmijët e Hirësisë së Tij, Salih Efendi Myftija, ish Kryemyfti i Shkodrës dhe i Kosovës, motër e katër vëllezërve e tri motrave. Hirësia e Tij Salih Myftija i njohur për kontributin e tij të çmuar si atdhetar, për çështjen kombëtare, për pavarësinë dhe ardhmërinë e kombit te tij, për Atdhe e Fe, ishte një nga iniciatorët e mbështetësit e Kongresit Mysliman i thirrur ne Tiranë, me 24 shkurt 1923. Mbështeti hapjen e shkollave shqipe, shkëputjen e xhamisë shqiptare nga ajo turke, duke bere dhe përkthimin e Kuranit në gjuhën shqipe.

U përfshi dhe në jetën politike shqiptare si idealist i Monarkisë, duke qenë dhe Kryetar i Lëvizjes së Legalitetit në Shkodër. Me kapitullimin e Italisë Fashiste 1943, ai nuk bëri kompromis as me fashistët e nazistët por i qëndroi besnik idealit të tij besim në Zot dhe flamur. Hirësia e Tij, Salih Myftija, u internue për qëndrimin e tij nacionalist dhe si besnik i Mbretit Zog I-rë, nga fashizmi italian së bashku me djalin e tij më të madh, Fuadin, në burgun e Kalasë së Gjirokastrës.

Në bisedën me zonjën Safete Myftija Muka, po sjellim disa nga episodet që familja Myftija, e njohur tradicionalisht në Shkodër, si familje zogiste dhe antikomuniste ka kaluar në regjimin diktatorial të Enver Hoxhës .

Zonja Safete, përse preferuat të kaloni disa ditë pranë kushërinjve të tuaj, këtu në Firence, kur mund të shkoje edhe të afërmit tuaj në Milano, Rimini etj. A mos ka të bëjë kjo se vëllai juaj, Dr. Fuad Muftija, kishte studiuar si shume të rinj shkodranë, në ketë qytetet sa historik aq dhe i njohur për kulturën, artin dhe arkitekturën?

E kam ëndërruar një gjë të tillë pasi kur u takuam me vëllanë tonë pas gjysmë shekulli, kur ai ishte larguar nga Shqipëria së bashku me babën tonë, në mes atyre bisedave mallëngjyese, na fliste edhe për Firencen, ku kishte studiuar për shkenca juridike. Këtu ku po shijojmë aromën e kafesë italiane me thanë se në njërin nga katet e kësaj godine madhështore ishte dhe adresa e tij: “Cafe Donnini”, (sot Cafe Gilli) Piazza Repubblica – Firenze.

Kujtoni se nga kjo adresë ju ka ardhur ndonjë letër apo kartolinë, në adresë të shtëpisë tuaj në lagjen Ndocej?

As që bëhet fjalë, ne ishim në shënjestër të sigurimit komunist ku çdo letër e dërguar nga baba apo vëllai ynë censuroheshin dhe nuk na binin në dorë.

Largimi apo emigrimi i një grupi nacionalistesh shqiptarë, përfaqësues të Legalitetit e të Ballit Kombëtar me 24 nëntor 1944 është orgonizue në shtëpinë tuaj, pikërisht nga babai i juaj, i nderuar Hirësia e Tij, Salih Myftija. Mbani mend se si ka ndodhur një ndarje e tillë në familjen tuaj?

Jo, unë kam qenë më e vogla në tetë femijët e familjes, jo më shumë se katër vjeç, por shpejte duke përjetuar trajtimin mizor që po i bëhej familjes tonë, unë po mësoja shumë enigma nga ajo ndarje që la gjurmë në kujtesën time. Baba muarr me vete djalin më të madh, Fuadin 14 vjeç dhe me shumë nacionalistë te Legalitetit e Ballit, si Mit’hat Frashëri, Xhemal Laçi, Baba Rexhepi, Zef Pali, Teki Xhindi, Hysen Prishtina, etj., dolën nga shtëpia e jonë, katër ditë para hyrjes së komunistëve në Shkodër…!

Si vazhdojë rrjedha në familjen Myftija pas emigrimit të babait tuaj me vëllanë më të madh Fuadin?

Ne në ato vite të brishta, jetonim me djemtë e axhave që ishin në moshë të pjekur, Xhevdetin e Muhametin, të cilët i kishin dhënë fjalën babës se, do të ishin nën kujdestarinë tyre.

Përballohej jetesa në ato kushte varfërie kur dhe për të gjetur një punë ju kishit njollën e armikut të klasës?

Përveç Xhevdetit e Muhametit që punonin në punë të rëndomta, tre vëllezërit e mi: Xhevati, Feridi dhe Mit’hati pa përfunduar shkollën e mesme, u detyruan të punonin në punë të vështira fizike, si në ferma apo në ndërtim, kurse ne vajzat deri sa gjetëm fatin tone, nuk na lënë të provonim këtë vuajtje fizike, por vuanim shpirtërisht kur ballafaqoheshim me trajtimin mizor që i bëheshin burrave të shtëpisë.

Me kalimin e viteve ju arritët të ndjeni më konkretisht ç’ka do të thotë në gjuhën e persekutorëve: “familje e deklasuar”, “antikomuniste e borgjeze”?!

E vuanim shpirtërisht, pasi këto etiketime për familjen Myftija, bëheshin me qëllim që njerëzit e afërt, miq e komshinj të distancoheshin, duke patur frikë se mund të kishin pasoja. Dhe jo vetëm familja Myftija e vuante një gjë të tillë, por të gjithë familjet qytetare shkodrane që kishin njerëzit e tyre të arratisur, të burgosur apo të internuar.

Sigurisht me kalimin e viteve dhe ju shkonit në shkollë, filluat që pasojat e këtij persekutimi t’i ngulitni në kujtesën tuaj?

Pa dyshim ishin disa presione që na bënin të ndiheshim si në tortura. Kontrollet e befasishme, më shumti herës natën, që bënte Sigurimi i Shtetit, pasi mendonin se baba i ynë edhe mund të jetë fshehur diku në hajatet e bodrumet që ishin në katin përdhes. Më kujtohet si sot, kur ato hapen një nga arkat që mbanim tesha e rroba, njëri nga oficerët lëshoi një zë të forte e ngadhënjyes, ja ku është futur hoxha dhe u lëshuan tre-kater veta për ta prangosur. Por dualën të zhgënjyer pasi nana i kishte sistemuar rrobat fetare të babës, e sipër tyre kishte vënë çallmën që vinte baba në kokë.

I nxorën të gjitha plaçkat, duke e ndarë në vete kostumin fetar, sigurisht për ta djegur, por duke vazhduar kontrollin në çdo cep të shtëpisë, dy nga motrat arritën ta fshehin, ta ruajnë. Por pushteti vendor na trajtonte nga ana tjetër me reprezalje të dhimbshme, ku na bllokoi gjysmën e shtëpisë, duke strehuar qiraxhinj, duke jetuar mbi 12 frymë në dy dhoma e kuzhinë e, duke sajuar në çardak një dhomë shtesë. Ajo familje qëndroi për kater-dhjetë vjet, por pavarësisht nga bindjet e tyre, nuk na kanë shqetësuar, madje kur im vëlla, Fuadi, erdhi në Shqipëri, ato kane ardhur dhe janë takuar, kuptohet se komunizmi ishte përmbysur.

Po nga familja Myftija, një djalosh i ri që jetonte me ju, Zija Myftija, djali i Halit Efendise, pra edhe ky një Myfti i njohur në Shkodër, u arratisë për në Perëndim?

Ashtu siç më kanë treguar motrat e vëllezërit për babën e vëllaun Fuadin, kisha dëgjuar edhe për kushëririn që e kishim si vëlla Zijan. Me çlirimin e Shqipërisë, brigadat komuniste me në krye Ramiz Alin i ndoqën forcat gjermane deri në Jugosllavi dhe në mes partizanëve rreshtuan edhe dhjetëra e qindra të rinj shkodranë, prej familjeve të deklasuara politikisht apo tregtarëve, që mbaheshin të kontrolluar nga Sigurimi i Shtetit, të zhveshur në kulmin e dimrit te egër të 1944, të pa armatosur, sigurisht më qëllimin për t’i asgjësuar. Ne atë marshim, për Zijanë u hap lajmi se ne Koloshin të Malit Zi, nga orteku i bores, ka vdekur.

Por çudia ma e madhe ndodhi kur Zijaja pas katër-pesë vjetëve, u bë i gjalle në Ulqin. Nga Kolashini kishte hyrë në Shkodër dhe i fshehur në besnikëri të një familje shkodrane, kishte kaluar Liqenin e Shkodrës dhe pas sinjalizimit të organeve kufitare të Jugosllavisë, organet e Sigurimit të Shtetit, duke pësuar një zhgënjim, u vunë edhe njëherë në trajtim reprezalje ndaj familjes Myftija. U muarrën në pyetje të gjithë meshkujt e shtëpisë, ju bën presione, duke dyshuar në fjalën e tyre. Sidoqoftë kjo aventurë e Zijajt, është një histori-dossier më vete, që ngjallë shumë emocione, vuajtje e sakrifica.

Për jetën dhe veprën e Hirësisë se Tij, Salih Myftija si themelues i Qendrës Islamike Shqiptare – Amerikane dhe për Dr Fuadin si Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës Kombëtare të Lëvizjes së Legalitetit (O.K.L.L.) për katër dekada për gjithë diasporën politike në mërgim me qendër në Nju York me ardhjen e Demokracisë është folur e shkruar shume si në Shqipëri, Kosovë dhe në botën perëndimore. A keni patur guximin që nëpërmjet ‘Zërit Amerikës’, të dëgjoni edhe intervistat apo komentet që bënin baba i juaj i nderuar apo vëllai Dr. Fuadi?

Kishim një radio të vogël në shtëpi, ku Xhevdeti, kryefamiljari, ndryhej diku në një qoshe të dhomës dhe dëgjonte ‘Zanin e Amerikës’ çdo mbrëmje. Kishte raste që intervistohej edhe vëllau i ynë Fuadi. Menjëherë vihej në lëvizje Dega e Punëve të Mbrendeshme, ku spiunet ndiqnin lëvizjet e tre vëllezërve Xhevatit, Feridit e Mit’hatit, madje dhe i provokonin duke iu treguar se akuzat e Dr. Fuadit kundër diktaturës komuniste, ishin me vend, pasi Shqipëria ishte kthyer në një burg e kamp internimi.

Me gjithë atë, Feridi u prangos si organizator dhe pjesëmarrës në organizatën antikomuniste “Përpjeka Shqiptare (1948-53) te Gjimnazit “28 Nëntori”?

Këtë moment të arrestimit të Feridit e kujtoj si sot. Ai u prangos në shtëpi në prezencën e nanës dhe gjithë ne të tjerëve. U dënue pesë vjet, me shumë të rinj gjimnazist si Esat Bakalli, Injac Kujxhia, Ahmet Bushati, Gjon Mark Ndoj, Njazi Uruçi, Xhavit Gjyrezi, P. Vata, M. Dani, Rr. Jubani etj. Më kujtohet se si nana njëherë në muaj shkonte ne Burrel ku vuante dënimin Feridi, për ti dërguar ushqime e ndërresa. Vuajtjet dhe sakrificat për të përballuar jetën për familjen Myftija, kanë qenë dhe jo pa dhimbje shpirtërore e fizike.

Në vitin 1970, ne u goditëm nga një fatkeqësi e rëndë. Vëllai i vogël, Mit’hati, që punonte hekur-kthyes në Ndërmarrjen Shtetërore të Ndërtimit dhe vazhdonte gjimnazin natën, duke u ndeshur me gjithë këtë kalvar vuajtjesh, kaloi në depresion, ç’ka i dha fund jetës duke u hedhur nën rrotat e një automjeti “Skoda”, që po kalonte përpara Hotel Turizmit “Rozafa”. Ngjarja tragjike që muarr jetën vëllait, bllokoi për disa orë Piacën dhe siç tregonin shprehnin urrejtjen për sistemin diktatorial të Enver Hoxhës.

Unë me një shoqe atë nate kishim dale për të ba një xhiro në Piacë, kjo xhiro e vetmja kënaqësi për rininë shkodrane. Mit’hati me ndaloi dhe më tha të kthehesha në shtëpi, pasi nana nuk ndihej mirë. Pa hyrë në shtëpi, shoh që po arrinin pa frymë disa kushërinj dhe shokë të vëllezërve. Aty u mpina kur morra vesh se çfarë ka ndodhur një gjysmë ore më vonë. Kjo ngjarje bani shumë bujë në Shkodër dhe edhe pse ne ishim në shënjestrën e Sigurimit, Shkodra i bani një respekt të veçantë, në ceremoni e funeralit të vëllait tonë.

Studiueset dhe shkrimtaret shkodrane, Fatbardha Mulleti Saraçi dhe Leonora Laçi, kanë shkruar për familjen Myftija, ku kanë portretizua nanën tuaj, Qamile Myftija (1903-1974), si një grua stoike e pa thyer nga mosha dhe kalvari i gjatë i vuajtjeve.

Është e vërtetë dhe ne i kemi falënderuar këto dy bija të persekura te familjeve nacionaliste. Nëna i provoi të gjitha hallet që i diktoi jeta, nga internimet ne Lushnjë me tre djemtë dhe dy vajzat, punën e rëndë te krahut për të siguruar kafshatën e bukës për fëmijët, përndjekjet e Sigurimit te Shtetit deri në ndarjen tragjike të djalit Mit’hatit. Ajo nuk vdiq, por plasi nga një mortaje e keqe, siç ishte diktatura komuniste.

Si rrodhi jeta e juaj rinore, kur ishit ballafaquar me një skamje dhe vuajtje shpirtërore të tejskajshme?

Duke qenë në një moshë me të vogël nga motrat dhe vëllezërit, nuk provova në kurriz punën e krahut. Vazhdova shkollën Pedagogjike, duke patur gjithnjë nga pas hijen e persekutimit e te përndjekjes, deri sa mu dha e drejta te punoja si mësuese në Pukë. Me qe ky rreth malor kishte shumë nevojë për mësues, nuk shikoheshin me lupë njollat në biografi, pasi pothuajse kuadri arsimor i ardhun nga Shkodra, kishin kleçkë në biografi. Në Pukë punova dhjetë vite si mësuese në ciklin e ulët në fillim në fshatin Kryezi e, më vonë ne fshatin Kaftall, ku e kisha më të lehtë për të shkuar në Shkodër pasi, dilja tek Ura e Gomsiqes ku kishte lëvizje të makinave të transportit për në Shkodër.

Në fshatin Kaftall, krijova marrëdhënie të ngrohta jo vetëm me nxënësit, por edhe me prindërit e tyre që kalonin ditë të vështira në punën e krahut ne kooperativën bujqësore. Shpesh më ftonin edhe për darkë me gjithë fukarallëkun që vuanin tregonin bujari dhe mikpritje tradicionale.

Por, siç kam dëgjuar në vitin 1967, kur diktatura komuniste ashpërsoi luftën e klasave edhe në arsim u bë një masakër e vërtetë, duke larguar nga puna shumë mësues nga Shkodra, që vinin nga familje me tradita qytetare e me kulturë perëndimore, ku edhe emri i juaj ishte në listën e të përjashtuarve. Si e përballuat atë moment te ndarjes me nxënësit tuaj?

Me thënë te vërtetën krahas atyre vuajtjeve në familjen tonë, kjo ishte një tjetër goditje jo vetëm ekonomike por edhe psikologjike e shpirtërore. Kishim dëgjuar se do të bëhej një goditje e tillë, por duke shpresuar se opinioni pozitiv që ishte dhënë për mua nga kryesia e fshatit do të bënte një përjashtim, por vendimi i ish strukturave të pushtetit dhe partisë në qendër as që lejuan të bënin përjashtim.

Kujtoj që shefi i arsimit, duke patur një njohje si familje, i ndjeri Mehmet Hoti, që i ndihmojë jashtë mase mësuesit shkodran, shkresën që kishte firmosur për pushimin tim nga puna, nuk ma dorëzoj mua personalisht, pasi ndjente një pa drejtësi që i bëhej shtresës sonë, pra familjeve të persekutuara, por ma adresojë me një një inspektor të zyrës arsimore. Edhe sot më kujtohen ato momente të ndarjes me nxënësit dhe fshatarët në përgjithësi, të cilët dualën të më përcjellin deri tek Ura e Gomsiqes, më mjaftë dashuri dhe në sytë e tyre dhe të syve të mi, nuk mungonin as lotët.

Pra, për vajzën e një familje të nderuar shkodrane në moshën 31 vjeçare, hapej një kapitull i ri për të përballuar me sakrifica mbijetesën, si nga skamja ekonomike dhe ajo e vuajtjeve familjare?!

Kur u ktheva në Shkodër në familjen tonë kishin rrjedhur disa momente edhe gëzimi, pasi motrat më të mëdhaja, Memja, Sadija e Nezi ishin martuar secila në familje nacionaliste, me të burgosur, të internuar apo dhe të arratisur jashtë në Europe apo ne Amerikë, si familja Dacaj, Behri dhe Mani. Duhet falenderue shumë ndihma e dhëndrit tonë, të ndjerit Sabri Dacaj, që në ato vite të vështira të viteve ‘50-60-të, na u gjind shumë pranë në çdo drejtim. Ajo që më preokuponte mua me ardhjen pranë nanës e vëllezërve Xhevatit e Feridit, ishte gjetja e një pune kuptohet jo dhe aq të rëndë fizike.

Më kishin afruar një vend pune në ndërmarrjen e zunkth-kashtave ku punonin qindra gra vajza shkodrane në thurjen e shportave dhe karrikave, por këshilli popullor i atëhershëm i lagjes nuk më pajiste me një fletë vendosje pune pasi edhe të punosh aty ku përqindje e madhe ishin me “kleçka” në biografi, në plan të parë ishte biografia. Por duhet thënë se kishte edhe nga ato që ishin te organizuar në parti, që bënin edhe diferencën kur bëhet fjalë për familje të njohura qytetare. Kështu drejtoresha e kësaj ndërmarrje Esma Ulqinaku më pranoi në punë pa letrën e kryetarit të lagjes. Ishte dhe ndihma pastaj e një tjetre nëpunëse e kuadrit Vera Tufi që më sistemojë në një repart ku u ambientova shpejtë me procesin e thurjeve me kashte, duke arritur të realizoja edhe normën.

Vitet sigurisht që sollën transformime në jetën tuaj. Krijuat edhe ju familjen tuaj me bashkëshortin të ndjerin Uran Muka, një trashëgimtar i një familje po me aq vlera qytetare e nacionaliste, siç ishte ajo e Shefqet Mukes, ‘Mësues i Popullit’, i burgosur si zogist dhe antikomunist, familje që njohu persekutimin deri në shembjen e diktaturës?!

Kishim dhe një amanet i lënë nga baba dhe vëllau të arratisur në SH.B.A.-ës që, në krijimin e familjes të gjenim “brumin” tonë. Dhe duke ndarë të njëjtat dhimbje e halle që kaluam në regjimin mizor të Enver Hoxhës, arritëm që të gëzonim edhe vitet e Demokracisë, duke marrë frymë lirisht dhe të sfidonim dhe atë regjim të mallkuar. Ndërmarrja e “Xunkth-Kashtës” u mbyllë si shumë ndërmarrje difiçente, dhe unë për te plotësuar moshën e pensionit, ju drejtova Drejtorisë Arsimore ku drejtonin demokrate të familjeve më të njohura shkodrane, duke kërkuar si e persekutuar një vend pune si mësuese.

Pa asnjë hezitim, pas me shumë se tridhjete vjetësh, m’u dha mundësia t’i rikthehesha profesionit tim si mësuese, në shkollën “Dëshmoret e Prishtinës” në lagjen Perash. Falë dhe mbështetjes së kolegëve dhe veçanërisht të ish drejtorit të kësaj shkolle, të ndjerit Viktor Leka, u ingranova shpejtë me programet e mësimdhënies për klasën e parë dhe ajo që arrita të realizoja jo me shumë se tre vjet pune me këtë klasë ishte sadisfaksioni im më i madh në këtë profesion, pasi kjo klasë u shpall me rezultantja në të gjithë treguesit, në mes pese klasave paralele këtë shkollë, duke gjetur edhe një herë mirënjohjen e kolegëve dhe të prindërve kur u largova për arsye te moshës, daljes në pension.

I rikthehemi edhe njëherë familjes Myftija. Me vendosjen e pluralizmit politik, u be e mundur dhe rikthimi në atdhe i krerëve të diasporës politike shqiptare, pra edhe i vëllaut të tuaj Fuadit, që për katër dekada udhëhoqi si Sekretar i Përgjithshëm i O.K.L.L. (Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit)  dhe të kushërini tuaj Zijas një tjetër monarkist i njohur në diasporën shqiptare. Si i përjetuat këto ngjarje në familjen Myftija?

Më se pari u krijua mundësia me dëgju zërin e njeri-tjetrit pas pesëdhjetë viteve (ne telefon( dhe pastaj lajmi që u dha edhe nga “Zëri Amerikës” se një grup i Partisë se LEGALITETIT, do të rikthehet ne Atdhe. Atë dite kujtoj në Rinas ku shkonim për herë të parë, kishte një grumbullim jo vetëm të familjarëve që pritnin të takonin e çmalleshin me bijtë e tyre por edhe dhjetëra simpatizant të Monarkisë e Legalitetit. Ne kishim dalë pothuajse i gjithë fisi, bile edhe nipa e mbesa.

Emocionet ishin të forta dhe duhej përballuar edhe ndonjë e papritur tek më të moshuarit. Fuadi nuk kishte nevojë për prezantime pasi ai dy vëllezërit dhe kater motrat edhe pse ishim në mes shumë të afërmeve dhe miqve na thirri të gjithëve me emër. Ishte një autokolonë e gjatë makinash që muarrën drejtimin për në Shkodër. Atë natë shtëpia e jonë u kthye në identitet. Në darken që kishim përgatiture, ishin dhe disa figura të njohura të Legalitetit, të cilët zbardhen natën me ne. Kujtoj disa prej tyre, si: Hysen Mulosmani, Rasim Sina, Nezir Rexhepi, etj.

Në bisedat që u bënë ishin ato për mallin dhe vuajtjet shpirtërore për njerëzit e tyre që i kishin lënë me shpresën se do të ktheheshin shpejtë për të shembur komunizmin. Vlerësimet që ato bënë për babën tonë Salih Myftija, kontributin e tij për Fe e Atdhe, duke treguar një kulturë dhe një urtësi për bashkimin e gjithë legalistëve dhe monarkisteve për rreth Mbretit Zog I-rë dhe Mbretit Leka I-rë, na emocionuan shumë, duke na lehtësuar ato kujtime plotë dhimbje qe i kishim la edhe me lot. Radio Shkodra transmetoi që në ditën e nesërme intervista me Fuadin, z. Mulosmani e z. Sina.

Në Kosovë me 30 qershor të këtij viti nga Instituti për Hulumtime e Studime Islamike pranë Qendrës Islamike të Kosovës është mbajtur tryeza shkencore “Salih Efendi Myftija personalitet i shquar fetar e kombëtar”. Shumë Akademik dhe Profesor si Fehmi Mediu, Sadik Mehmeti, Muhamet Mufaku, Kryemyftija i Shkodrës, Imam Muhamed Syhtari etj., kanë vlerësuar  personalitetin e babës tuaj. Ju ishit e pranishme në këtë event?

Kuptohet se dëshira ishte e madhe për të kenë e pranishme në një përkujtimore të tillë, por për arsye shëndetësore nuk arrita të i përgjigjem ftesës së Bashkisë Islame të Kosovës, të cilën i falënderoj personalisht. Por nuk munguan të jenë prezent djali im, Galdim Muka e vajza, Dr. Irida Hoti, pra nipi e mbesa e të ndjerit Hirësisë së Tij Salih Myftija, ku Irada ka emocionuar me kujtimet e heshtura e familjare, të pranishmit si dhe vajza e nacionalistit Xhemal Laçi, Leonara Laçi. Është po aq emocionues edhe përshëndetja. nga Tirana që i bëri kësaj Tryeze Shkencore, Princi Leka.

Zonja Safete, faleminderit për intervistën.

Faleminderit edhe juve për mikpritjen që më bate këtu në Firenze, ku si motra ime Vildane, e fëmijët e juaj Besniku, Zerina, Ehadi e kushërira Aida, më dhanë mundësinë për herë të parë të kaloja portat e Rinasit. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/nga-kalvari-i-vuajtjeve-vellai-i-vogel-mithati-punetor-ndertimi-i-dha-fund-jetes-tragjikisht-te-rozafa-duke-u-hedhur-nen-rrotat-e-deshmia-rreqethe/