“Nga diplomatët e konsullatës greke e serbe në Korçë e katër shokët e klasës, te misteri i dy djemve të Linit dhe kokat e prera në rrjetat e peshkatarëve …”/ Ngjarjet ‘horror’ të atyre që “hëngri” liqeni Ohrit

Nga Bardhyl Berberi

Memorie.al / Pogradeci është qyteti që e ka liqenin në gjirin e tij. Shëtit nëpër rrugë dhe ndjen llokoçitjen e valëve, kërcitjen e peshkut dhe klithjen e pulëbardhave. Fle natën dhe të duket sikur liqenin e ke aty nën jastëk, si një ninullë të bukur hipnotizuese. Por s’ke si ndan nga ky liqen peshkatarët, varkat e tyre dhe mjetet e peshkimit, me të cilat ata kanë jetuar në shekuj, duke siguruar të ardhura për familjet e tyre. Por, ky liqen me bukuritë e tij të pafund, prej shumë vitesh numëron shumë tragjedi, që nga kohët më të lashta kur një princeshë e Ilirisë, është mbytur në këtë masë ujore në afërsi të Shën Naumit (vendi quhet Zaum, që do të thotë për mend).

Por, tragjeditë më të mëdha, ndonëse kanë kaluar shumë vite, janë të veshur me një mister dhe shumë prej tyre kanë ngelur ende me shumë enigma.

Por gjatë bisedës në familjen Polena, me djalin e tij Ahon Polena, mbi jetën e babait të tij Kristal Polena, Ahoni u ndal edhe tek një histori shumë e rëndë, madje makabre e xhaxhait të tij Niko Polenës, i cili pasi mbaroi fakultetin e Mjekësisë, në vitin 1924 në Athinë, vjen në Korçë dhe në vitin 1926, sjell një aparat “Rontgen”, i pari në vendin tonë dhe punon në Korçë, së bashku me një laborante gjermane.

Niko Polena, fejohet me një vajzë korçare nga familja me emër Fundo, me Julinë dhe në kohë që pritej dita e dasmës, duke shëtitur më një motobarkë në liqenin e Pogradecit, në afërsi të rrjedhës së Drinit në Shën Naum, mbyten tragjikisht me disa çifte të tjera. Këtë moment të rëndë, gruaja e doktor Kristal Polenës, Pepsiori (Kori siç njihej në Korçë), thotë se kur u martova unë, në atë shtëpi pas tragjedisë, gjithçka nxinte edhe perdet e shtëpisë ishin të zeza, por jeta vazhdon. Ja si e tregon Ahon Polena tragjedinë

Si u mbytën në mënyrë misterioze 9 persona në liqenin e Pogradecit? 

Ahon Polena është djali i mjeshtrit të madh të kirurgjisë shqiptare, doktor Kristal Polenës. Ai, ngjarjen tragjike të xhaxhait të tij, Niko Polenës, e ka ruajtur të gjallë dhe të freskët me të gjitha detajet, sipas tregimit të prindërve të tij, e cila i ka lënë gjurmë të thella. Ka qenë ditë e diel, më 30 mars 1930.

Me katër makina të vogla, janë nisur herët në mëngjes në drejtim të Pogradecit, konsulli grek në Korçë, Joan Lazarou, së bashku me bashkëshorten e tij, konsulli serb, doktor Aristidhi, Doktor Nikollaq Polena së bashku me të fejuarën e tij Julia Fundo, sekretari i Konsullatës serbe, së bashku me të shoqen, Dr. Nikollaq Zografi, së bashku me të shoqen si dhe disa nëpunës të vegjël, të Konsullatës greke dhe serbe në Korçë.

Rreth orës 9 e 30 minuta, mbërritën në Pogradec dhe prej andej u nisën për në Manastirin e Shën Naumit. U futën në kishë dhe pasi shëtitën manastirin, ujin e bekuar dhe varrin e Shën Naumit, duke kryer ritualet fetare dhe afër drekës, u ulën për të drekuar, por në çast marrin një njoftim nga qyteti i Ohrit, se është nisur me një skaf prefekti i Ohrit, si dhe një kolonel i ushtrisë.

Nuk vazhdoi as një orë dhe tek manastiri mbërritën nga Ohri, Prefekti dhe koloneli i ushtrisë Jugosllave. Në një nga ambientet e manastirit, u shtrua dreka rreth orës 13 dhe nuk zgjati shumë, e cila kaloj në mënyrë shumë të gëzueshme dhe me shumë humor. Vizitorët sapo mbaroi dreka, dolën jashtë dhe dalluan të ankoruar, buzë liqenit atë tip skafi, që kishte ardhur prefekti i Ohrit dhe koloneli. Disa nga gratë propozuan që të bënin një shëtitje në liqen. Rreth orës 14 e 30 minuta, të gjithë u vendosën tek kabina e skafit, gjithsej 9 persona.

U nisën drejt burimeve të Drinit dhe kur ishin larguar rreth 100 m. nga bregu, papritur, drejtuesi i skafit merr një kthesë të paparashikuar, duke hedhur në ujin e liqenit pasagjerët, rreth 6 m. larg skafit…! Skafi ishte anuar dhe të parët që ranë në ujë, ishin doktor Aristidhi dhe doktor Zografi, të cilët po ngjiteshin në skaf, kur vijnë klithma nga të tjerët që mundoheshin me not, t’i afroheshin skafit, por për fat të keq, asnjëri prej tyre nuk dinte not mirë.

Paniku ishte i madh, klithma dhe tmerr. Njerëzit e Manastirit me telefon kërkuan ndihmë nga Pogradeci dhe nga Ohri. Nga të gjithë personat që ishin në skaf, me not doli vetëm prefekti i Ohrit, i cili sapo doli në breg, hoqi rrobat dhe u fut për t’i shpëtuar dhe konsulli serb i Korçës, i cili doli me anën e një kamerdare emergjence, që kishte skafi. Ndërkohë që kambanat e manastirit binin pa pushim. Konsulli serb, rifutet në liqen për të shpëtuar gruan e sekretarit të konsullatës serbe, por sapo i afrohet asaj, ishte në rrezik edhe sekretari i konsullatës serbe, kështu që ata ngelën të tre në fund të liqenit.

Tashmë në sipërfaqen e liqenit mungonin edhe Niko Polena e fejuara e tij, Julia Fundo dhe koloneli serb me konsullin grek. Pas 20 minutash, iu vjen një barkë nga Shën Naumi, por ishte tepër vonë. Ndërkohë që nga Pogradeci vjen një skaf në ndihmë, por gjithçka kishte mbaruar…! Bilanci ishte krejt tragjik, 9 persona të mbytur; Konsulli grek Jean dhe zonja e tij Llazarou, Niko Polena dhe e fejuara e tij, Julia Fundo, Zonja Margarita e Gaqo Turtulli, zonja e sekretarit të konsullatës serbe të Korçës, prefekti i Ohrit si dhe koloneli i ushtrisë serbe dhe një marinar i skafit.

Rreth ngjarjes tragjike, Jugosllavët nuk zhvilluan asnjë ekspertizë. Por shumë indinjuese ishte se të mbyturit shqiptarë, u lanë jashtë në anën e bregut të liqenit në rërë, ndërsa ata serbë dhe grekë, u futën në një nga dhomat e Manastirit. Nga ana tjetër, autoritete jugosllave e fshehën përgjegjësinë, e hoqën gjatë natës skafin e prishur nga vendngjarja.

Krejt faji ka qenë i drejtuesit të skafit, i cili i hodhi në ujë pasagjerët, me veprimet e tij, duke e ngarë me kolpo skafin dhe duke marrë kthesa të menjëhershme. Ngjarja, me të gjitha këto hollësi, ka ngjallur indinjatë të madhe tek banorët e Korçës, që me dhimbje të madhe, përcollën për në banesën e fundit, Niko Polenën dhe Julia Fundon.

Tragjedia e shokëve të klasës…!

Ata ishin katër shokë klase, që kishin qenë bashkë që në gjimnaz dhe ishin me profesione të ndryshme. Mjeku Gjergji Topalli, që në fëmijëri kishte hobi gjuetinë e peshkut dhe enkas para pak ditësh, kishte ndërtuar një varkë, për të gjuajtur peshk. Ai takon paraditen e 27 prillit të vitit 1993, tre shokët e klasës së gjimnazit, inxhinierin e ndërtimit Koço Ruvina, doganierin Qazim Zgjani dhe inxhinier Nuçi Icka.

Pasi pinë një kafe, Gjergji i’u bën një ftesë për të parë varkën e tij, të sapo ndërtuar, që e kishte ankoruar fare pranë hotel ‘Turizmit’. Vendosën që të futen pasdreke në liqen për gjueti korani, më tepër për t’u argëtuar. Por në orët e pasdites, kur kanë qenë në drejtim të fshatit Hudënisht, varka ka filluar të fusë ujë dhe me gjithë thirrjet e tyre në drejtim të bregut, të gjithë janë mbytur në liqen…! Mjeku Gjergji Topalli, (babai i dy vajzave të vogla), atëherë ishte 30 vjeç, Koço Ruvina ing. i urbanistikës së qytetit (edhe Koçua kishte dy fëmijë të vegjël) dhe Qazim Zgjani i pamartuar, vetëm të nesërmen është gjetur mbi bazamentin e varkës, të kthyer përmbys, ing. Nuçi Icka në mes të liqenit, i cili ka qenë i traumatizuar dhe i ngrirë por pa asnjë pasojë.

Ai nuk tregon asnjë fjalë rreth asaj tragjedie, përveç shpjegimeve që ka dhënë në prokurori, të cilat nuk janë bërë publike. Me gjithë interesimin e familjarëve të personave të mbytur, ai nuk ka treguar asgjë. Por tragjedia mori përpjesëtime më të mëdha, pasi trupat e tyre nuk u gjendën në liqen dhe vetëm pas një muaj, Bashkia e qytetit organizoi një in memorie duke hedhur tufa lulesh në liqen. Ata ngelën pa një varr…!

Vetëm pas disa muajsh, në breg të liqenit u gjend një xhaketë e njërit prej të mbyturve…! Dhe tragjedia vazhdon pas dy vitesh, kur një mësues historie, Kozma Burnazi që kishte dalë për gjueti edhe ai u mbyt në liqen aksidentalisht edhe trupi i tij nuk u gjend.

 Mister i dy djemve të Linit…! 

Erio Bice, student në Fakultetin Ekonomik në Elbasan dhe gjimnazisti Klarent Qyshko, historinë e mbytjes së tyre e kanë të veshur vërtet me një mister, që i kalon përmasat e një tragjedie. Erion Bice, kishte epitetin si ‘Ujku i liqenit’, varka e tij, me jastëkë ajri anash dhe motorë të fuqishëm, si dhe me konstruksion metalik, kishte dhënë prova se nuk mund të mbytej.

Vetëm disa muaj para aksidentit, në vjeshtën e vitit 2000, kur ata u deklaruan nga policia se janë mbytur, Erion Bicja, në ujërat territoriale, ndiqet nga një skaf i policisë maqedonase, që patrullonte në liqen, madje edhe i hapin zjarr, ndaj tij (në muajin prill të vitit 2000), por Erioni, ia lidh timonin varkës në drejtim të bregut të fshatit Lin dhe e lëshon me motor të ndezur, ndërsa vetë hidhet në liqen dhe del me not, duke notuar në një distancë të gjatë, ndonëse uji i liqenit në muajin prill, ishte shumë i ftohtë. Ky person, Erion Bice, vetëm pas pak muajsh, në vjeshtën e po atij viti, së bashku me gjimnazistin Klarent Qyshko, zhduket në mesnatë në liqen, duke gjuajtur peshk…!

Atë natë, thonë banorët e fshatit Lin, kishte të shtëna në liqen dhe është mbytur në drejtim të fshatit Lin, një maqedonas, Mile quhej, ai iu merrte në liqen vendasve, peshk koran dhe takimi bëhej natën, në ujërat territorial, tek shenja e kufirit midis dy shteteve. Mile, sapo mori peshkun në varkën e tij, (ka marrë një sasi shumë të madhe rreth 3 kv, thonë peshkatarët e Linit), e zë një dallgë e madhe dhe ai njofton për ndihmë në Strugë, miqtë e tij, se: ‘po mbytem’.

Pas pak vjen skafi i policisë maqedonase, por ai ishte mbytur, ndërkohë që atë natë pranë maqedonasit, Mile, ka qenë duke gjuajtur peshk, Erion Bice dhe Klarent Qyshko. Banorët kanë dëgjuar të shtëna. Babai i Klarent Qyshkos, Gaqua, thotë se e ka kërkuar djalin e tij përgjatë gjithë bregut, por nuk ka parë asnjë shenjë të dyshimtë, apo ndonjë send, madje edhe nga policia maqedonase, nuk ka pasur një përgjigje zyrtare. Ndonëse po kalojnë disa vjet, prindërit e tyre nuk binden se fëmijët e tyre janë mbytur në liqen.

Një kafkë njeriu në rrjetat e peshkatarëve…! 

Në 24 shtator të vitit 2003, nga disa peshkatarë pogradecarë, gjatë mbledhjes së rrjetave të peshkimit në liqen, midis peshqve të kapur, u gjet edhe një kafkë njeriu, e cila kishte vetëm pak flokë, në pjesën e prapme dhe i mungonte nofulla e sipërme e krahut të djathtë.

Tek të gjitha familjet që kishin humbur të afërmit në liqen, u krijua një ankth i paparë, madje një pjesë prej tyre, kërkuan me ngulm identifikimin e saj dhe të paktën atij që i përkiste, familja dhe të afërmit të kishin një shenjë, një varr ku të qanin e të vendosin një qiri, apo një tufë lule.

Policia kriminale nuk mundi të identifikojë kafkën, me anën e fotove në kompjuter, pasi mungonin nofullat dhe ADN-ja, nëpërmjet flokëve nuk iu bë, pasi kushtonte shumë dhe kështu kafka mbeti në frigoriferët e Laboratorit Qendror të Kriminalistikës, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë.

Por përveç personave të mbytur aksidentalisht në liqen, ka pasur ngjarje të tjera në vitet 1980, si ajo kur liqeni ka nxjerrë në breg, pjesë trupi të dy personave, njëri nga fshati Potgorie, i cili punonte në Pogradec dhe një i ri nga qyteti i Pogradecit, që ende nuk janë zbuluar…!

Megjithatë, kafka solli shumë pështjellime në familjet që kanë pasur tragjedi me njerëzit e të afërmit e tyre në liqenin e Pogradecit. Vetëm në vitin 2006, nuk ka pasur asnjë të mbytur në liqen. Është një fakt i hidhur që, në liqen, përveç të mbyturve aksidentalisht, aty janë mbytur edhe shumë persona me depresion dhe janë hedhur edhe shumë foshnja të padëshiruara, nga nëna të reja, apo ato që nuk kishin mundësi ekonomike për t’i mbajtur…

Nuk mbahet mend asnjë verë pa aksidente në liqen, që kanë përfunduar me humbje të jetës. Vetëm vera e vitit 2016, nuk ka pasur asnjë mbytje në liqen…! Në vitin 2009, në afërsi të fshatit Piskupat është gjetur nga një peshkatar, një kokë njeriu, i cili sapo e ka parë në rrjetën e peshkimit, e ka hedhur përsëri në liqen i tmerruar…! Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/nga-diplomatet-e-konsullates-greke-e-serbe-ne-korce-e-kater-shoket-e-klases-te-misteri-i-dy-djemve-te-linit-dhe-kokat-e-prera-ne-rrjetat-e-peshkatareve-ngjarjet-horror/