“Nëntogeri i kampit të Vloçishtit që, ishte tmerri i të burgosurve, pas ngjarjeve të gushtit ’49, u arratis në Greqi, ku Sigurimi i Shtetit…“/ Misteri i oficerit korçar që u përfol gjatë nga të dënuarit

Nga Lek Pervizi

Pjesa e dytë

Memorie.al / Poterja metalike e çangës së madhe të kampit u vërsul e papërmbajtur në të gjitha skutat e barakave. Vrapoi mes korridoreve të skelave të krevateve dy katëshe, ku të burgosunin flinin të stivosun bri njeni tjetrit si sardele, mbi do shtresa të pista e të pa lame, prej ditës që edhe ato ishin ba pjesëtare të burgjeve. Ajo krismë shurdhuese hyni nën batanijet duke ngacmue egërsisht veshët e të dënuemve deri në thellësi të trunit. Shpërthyen shamje e mallkime nga ma të ndryshmet. As për të fjetun nuk kishin të drejtë! Gjumi ishte i vetmi shpëtim nga mundimet e përditshme. Ç’kishte ndodhun? Mos i hiqnin që andej? Kontroll? Mos ishte arratisun kush?

                                               Vijon nga numri i kaluar

Ishin katandisun si mos ma keq, në një grumbull njerëzish të epokës se gurit. Kockë e lëkurë. Lecka-pecka. Të pa lamë e të pa rruem. Gjithë baltë e zdralë. Të uritur si kafshët e shkretinave. Me i‘u dhimb gurit e drunit!

Kur u gjet te rrethimi me tela me gjemba dhe e pa matanë, dhjet metra ma tutje, një familje prej tre vetash, burrë, grue e një vajzë, të panjohun, e kuptoj se ishte ba gabim. Ah tellall, tellall! Si me i‘a ba tani? Nënoficeri i rojës, një kapter fodull nga Kurveleshi, po e shikonte me inat dhe zuni të gërthasë:

-Ore ju…ç’prisni? He dè, thoni ç’keni me thanë. Pesë minuta keni afat!

Gruaja matanë foli:

Po ky nuk asht djali ynë…!

-Ç’thua moj shoqe…?! Genc Pervazën kërkuat, Genc Përvazën ju solla!

-Ne kërkuam Genc Prezën e jo Pervazën…! Vazhdoi gruaja.

-Genc Prevaza, Genc Preza, po e njëjta gjë moj shoqe!  ia ktheu kapteri, një lab fytyrë vrazhdë, me dy gishta ballë. Por, kur e pa Gencin që kishte mbet si hu gardhi, nga që s’dinte si t’ja mbante, iu hakërrua:

-Po ti ç’kërkon këtu, kur s’qenke i tyri? A po do të hash dru!

Genci desh të largohej dhe hapi krahë si me thanë, e po gjana që ngjasin. Pastaj iu drejtue kapterit:

-Po shkoj ta thërras Genc Prezen në barakën numër gjashtë. E ndërkaq u foli vizitorëve:

-Më falni. Siç e shikoni më kanë thirr gabimisht. Po shkoj dhe e lajmëroj djalin tuej, që e kam dhe shok, dhe bani të nisej.

-Kush të tha të dërdëllisësh? Ku nisesh? Kujt do t’ja hedhësh ti, mua? Ec përpara! dhe e shtyni Gencin me grykën e automatikut.

-Ç’faj kam unë në këtë mes…?! Më thirren pa erdha! desh të mbrohej Genci.

Balli i kapterit, ishte rrudhosun e ngushtue ma tepër, nga inati. E vuni Gencin përpara dhe e çoi fill e në komandë.

Ndër veti turfullonte, ia rregulloj unë samarin atij tellallit!

E ndiente veten tepër të ofenduem dhe kjo e mori në qafë Gencin.  Ai u gjet para turnit të vrejtun të drejtorit të kampit, që mbante uniformën e nënkolonelit të Policisë. Ai rrinte i ulun pas një tavoline, mbi të cilën ishte vendosë një xham makinash. Pas tij, varun në dërrasat e barakës, një fotografi e Stalinit, me ato mustaqet e krehuna e të përdredhuna, që vështronte nga fotografia me një buzëqeshje satanike, e dukej sikur kënaqej dhe i përgëzonte për veprat kriminale që, kryenin ato shqiptarё militante komuniste.

-Si qëndron puna? foli komandanti hijerëndë.

Kapteri i tregoi se si, ky i burgosun batakçi ,ishte paraqitun tjetër për tjetër në takim me njerëz që nuk e njihnin.

-Ashtu? tha, tue ngritun vetullat e trasha drejtori.

-Më lajmëruan se më kërkonin në takim e, shkova. Ç’faj kam unë në këtë mes, në qoftë se më thirrën gabimisht?! Unë e mora përsipër ta njoftoj atë që kërkonin, sepse e njoh, u mbrojt Genci.

-Po, po, gjëra që ndodhin….si dukët të kanë thirr tjetër për tjetër. Po vallë ty si të quajnë? pyeti drejtori me kureshtje. Gencit iu dridh zemra.

-Genc.

-Genc kush?

-Genc Pervizi.

-Si? Genc Pervizi…?! I biri i gjeneral Prenk Pervizit?

-Si urdhno, foli Genci me një gjysmë zani.

-Po ne po të kërkojmë në qiell e ti na qenke në tokë…! Hajde, hajde…! Ta rregulloi unë samarin, mor armik e delenxhi! Merreni e zhdepeni në dru, këtë maskara! Gërthiti të madhe komandanti, krejt i skuqun në fytyrë nga zemërimi.

Genci, i kishte provue të gjitha llojet e rrahjeve, nëpër birucat. Por kësaj radhe e katandisen për shkalc. E përplasën në barakën e izolimit dhe e lanë aty deri në mëngjes, të shtrimë për dhè, pa buk, pa ujë e pa shtresa. I kishte humbun ndjenjat. Kur erdhi në vete, u gjet i lidhun pas asaj shtylle, midis sheshit të barakave. Përjetoi ceremoninë neveritëse të pështyemjes.

Por torturat që po i shkaktonin mizat, që ia kishin mbulue krejt trupin e, që lëvrinin pa pushim mbi të, i tejkalonte të gjitha përmasat. Nuk arriti kurrë me kuptue se si mundi me përballue atë gjendje. Ashtu pa kurrfarë shprese shpëtimi, Genci arriti në përfundimin se, cikli i jetës tij po mbyllej, aty pas atij huni e në mëshirë të mizave. Ndoshta do të kishte fat në jetën e përtejme.

Si besimtar katolik, nuk e jepte veten, por  kalonte nëpër mend ndonjë lutje që kishte mësue, që në fëmini. Zoti ta mëshironte e të ia falte gabimet që, mund të kishte ba në jetë e, ta shpëtonte prej atyne mundimeve. Ta merrte në mbretninë e tij.

Ç’lojë e fatit! Tue pasë kalue gjithë fëmininë e rininë, që nga fillorja e, deri në përfundimin e shkollës së Aviacionit në Itali, plot 13 vjet, u përfshi papritun në rrjetin e merimangës komuniste, pa rrugëdalje e shpëtim. Djalë i përgatitun dhe me karakter të fortë e trim, i kishte çuditë ato bisha të hetuesisë për, vendosmëninë e tij të pathyeshme. E kishin denue dhjet vjet, bashkë me tre shokë të tjerë.

Tani, i mberthyem pas asaj shtylle, donin ta mposhtnin e ta poshtëronin e, nuk dinin se po poshtëronin vetveten, si kriminelë e xhelatë antishqiptar dhe antinjerëzor. Me gjithë dhimbjet e mëdha, që i dërmonin trupin dhe torturën neveritëse që i jepnin ushtritë e mizave, që suleshin mbi të nga të gjitha anët, ai nuk jepej dhe me shpirt ndër dhambë e, një stoicizëm të theksuem, priste përfundimin e mundimeve, që mund t’i vinte vetëm nga vdekja.

Atë ditë, kishte ardhun si oficer roje një nëntoger tjetër, jevgjit, tmerr i kampit. Një skërfyll i gjatë e kockë madh, me mollëzat e daluna, mongolike. Flokë zi, sy zi, vetull zi, mustak zi, fytyrë zi e shpirt zi. Një bishë e vërtete xhungle, që nuk e dallonte njeriun nga një bezhdile kashte. Për të flitej llahtar. Mbante në dorë një shkop të trashë druni.

-Tani m’erdhi fundi!  tha me veti Genci.

Nëntogeri, pasi kishte asistue në ceremoninë e pështymjes dhe i kishte përcjellë të burgosunit në punë, ishte ndalun para shtyllës duke e soditun fatziun e lidhun pas saj. Ishte sjellë poshtë e lart kampit për disa punë të tjera, duke kontrollue barakat dhe rojet.

Shante ndonjë të burgosun të sëmurë, e jepte urdhna policëve të kampit. Kur ma vonë u kthye te sheshi ku ishte lidhë Genci pas shtyllës, i dha urdhën rojës për, me krye një punë tjetër dhe e largoi prej aty. Mes fushës mbeten, shtylla, Genci, mizat dhe oficeri hardall. Ky filloi të bërtasë e të çirret me za të naltë, me epitete poshtnuese.

Reaksionar e bir i reaksionarit. Kriminel e bir i kriminelit. Tradhtar e bir i tradhtarit. E mban veten bir i gjeneralit, i atij armiku numër një të popullit, të partisë e të qeverisë sonë. Pse, nuk e dimë ne, se si ti me shokë, e ndihmuet me u arratisë? Qen bir qeni!

Këtu do t’i lësh kockat! Aty në atë shtyllë do të ngordhish! Dhe ndërsa i sillej për rreth, fap ja ngjeshi me shkop…shtyllës afër këmbeve të Gencit. Mizat që e kishin mbulue, u çuen për hava, tue lëshue një zhurmë gumëzhitëse, dhe menjëherë u rikthyen tuj e veshë përsëri me çarçafin e tyne të zi.

-Bërtit! sa herë që të godas shtyllën. More vesh? Genci kishte mbetun i befasuem e i shastisun. Ç’ishte ajo sjellje. Mos vallë një provokim? Nëntogeri atëhere i foli përsëri:

-Dëgjo, mos kij frikë. E di se më ka dalë nami i zi. Por unë dua të të shpëtoj ty. Të mirat e babait tënd, nuk i harroi kurrë, kur ishte komandant në Korçë. Ashtu ishte puna. Lene se ç’bertas, çirrem e shaj. Ai ka qenë burrë i burrave! Bej ashtu si të them unë. More vesh? Kam një borxh ndaj prindit tënd e, do ta shlyej!

Mbasi tha këto fjalë, rifilloi të shajë e të çirret, e tue gërthitë kërcënueshëm, fap, i dha një goditje tjetër trungut. Genci ndjeu përsëri se shkopi nuk e kishte prekun aspak. Përsëri mizat u përzien e u sollën pak kohë rreth tij dhe u ulën prapë aty ku ishin.

– U baftë si t’jetë shkrue, i mbaruem se i mbaruem!, tha me veti, dhe lëshoj një britmë sikur po e thernin. Po t’ishte provokim, punë e madhe, le ta vrisnin! Ma mirë i vdekun, se i gjallë për seri! Disa të burgosun të sëmunë, që rrinin të mbështetun rrëzë barakave, u tmerruan dhe u futën brenda me vrap.

I ziu Genci ç’po hiqte prej atij pis jevgjiti!? Në derë të komandës, ishte dukë vetë drejtori e pas tij, disa oficerë e policë. Ja, tani po! Tani e kemi gjetë njeriu që do t’i vije hakut atij bastardi. Ndërkaq një goditje tjetër mbi shtyllë, e bani Gencin që të ulurinte ma tepër. E bukura ishte, që sa herë që goditej shtylla, mizat ngriheshin për hava si re e zezë e, mbasi vinin vërdallë pakëz, riktheheshin në trupin e përlyem të të dënuemit.

Të dalë ku të dalë, dot’i përshtatem kësaj loje, tha me vetvete. Si duket ai hardall e kishte përnjëmend. Po Pse? A thue i vinte shpëtimi nga nuk mund ta priste? Ndërkaq sharjet e oficerit dhe ulërimat e të burgosunit, kumbonin përkëdhelëse në veshët e kolektivit të komandës dhe të policëve e rojeve, deri në majat e karakolleve.

Ja të tillë njerëz duheshin për këta armiq e  reaksionarë të mallkuar, që t’u vinin hakut e t’ua merrnin shpirtin, me gazep! Drejtori u kthye në zyrën e tij i pasuem nga të tjerët. Kishte kush me u marrë me të burgosunit.

Nëntogeri u largue e roja erdhi prapë aty. Kur të burgosunit u kthyen nga puna, morën vesh se ç’po ngjante me shokun e tyne. Ata u llahtarisën, kur skena u përsërit disa herë para syve e veshëve të tyne. Tashma Genci s’kishte shpëtim. Kishte ra në dorë të një krimineli. Bindja e të gjithëve ishte e plotë. Ai ishte caktue për t’u flijue. I shkreti djalë!

Të nesërmen kur u grumbulluan në sheshin për apel, e panë shtyllën bosh. U ngriu zemra. Çdo të kishte ndodhë me Gencin? Mos vallë…! Dikush arriti të marrë vesh se e kishin mbyllë në barakën e izolimit, në gradën e fundit. S’ja vlente ma të mbahej pas hunit. Këto ishin veprime barbare të atij oficeri xhelat. I mallkuemi!

Gencin e kishin hequn nga shtylla, natën, mbasi të burgosurit kishin ra me fjet, dhe e kishin hedhë si të vdekun për dhé në barakën e dënimit. Në ato kushte ai mendonte se do ta lidhnin përsëri të nesërmen në shtyllë, për ta pështye përsëri. Por ai jevgjiti, se ç’kishte folë e ba në komandë, ku i ecte fjala, e ajo punë nuk ndodhi. Genci nuk u lidh ma pas shtyllës. Si duket oficeri i rojës, kishte theksue se tashma ai kishte mbarue, dhe s’kishte kuptim të lidhej pas shtyllës, ashtu i vdekun.

Po në të vërtetë ç’kishte ndodhë kur Gencin e hoqën nga shtylla? Natën vonë, togeri ishte kthye në barake marrë një pagure me qumësht e dy racione buke. Genci e kishte pi njëherësh gjithë pagurin dhe kishte përla dy racionet e bukës në vend, aq shumë e kishte kapë uria. Kishte marrë pak forcë e kishte fjetë gjithë natën pa e trazue kush. Loja doli punë e vërtetë, ose ma mirë me thanë, ndodhi një mrekulli. Aq ma e mistershme u ba ajo ngjarje, kur ky oficer i kishte pas thanë:

-Sa të jem unë, mos çaj kokën. Po ama kyçe gojën. Kjo mbetet midis nesh. Unë e ti dhe askush tjetër! Ndryshe merr në qafë veten dhe mue! Genci rrinte tue thartue trutë vazhdimisht, se si ndodhi ajo mrekulli, që t’i vinte shpëtimi nga dora e një xhelati!

Para se të bënte dorëzimet, si oficer roje që ishte, jevgjiti e nxori Gencin nga biruca. Atij i shkonte fjala për mirë e për keq. Sigurisht gjithmonë për keq. Kjo që ndodhi ishte një përjashtim i pabesueshëm. Por si thonë, përjashtimi bën rregullin.

Njeri i të nëntëdhjetenëntave, rrodhi puna që të kryente një të mirë të vetme, siç thuhet në tregimet popullore. Kjo çështje mbeti mister i pashpjegueshëm. Me atë njeri, Genci nuk u pa ma kurrë, bilé as një i burgosun tjetër nuk arriti që ta shohë diku, në burgje apo kampe.

Ma vonë u hap fjala se, pas provokacioneve greke të gushtit ‘49, ai paskej qenë arratisë në Greqi. Medet! kishte thanë Genci, tash po i bie në qafë babës sim, se të kam shpëtue djalin! Ndoshta një gja e tillë, mund edhe të ngjante. Ç’e kishte shtye atë njeri aq mizor për të burgosunit e tjerë, për t’u ba shpëtimtar i tij?

Mirënjohje ndaj gjeneralit që i paska ba një ose disa të mira?! Ç’mirënjohje?! Vallë ndonjë arsye tjetër…?! Cila…?! Mos vallë kishte qenë një kurdisje, për ta dërgue si agjent e spiun mes të arratisunve të Greqisë?! Veç Zoti mund t’i dinte gjithë këto punë dhe Sigurimi i Shtetit komunist!

Ndërkohë plasën provokacionet greke të gushtit 1949. Kampi u trasferue urgjentisht. Të burgosunit u kthyen në burgjet e tyne respektive, ku do ta merrnin veten. Ku do t’i degdisnin vitin e ardhshëm? Në ç’farë kënete apo miniere? Në kushtet e burgut të dënuemin, që qëndronin së bashku në dhoma të mëdha të veçanta, mund të bisedonin me njeni tjetrin. Shokët donin të dёgjonin atë histori të çuditshme, pothuaj të pabesueshme. Ishte edhe për të kalue kohën. Të burgosunin kishin fitue një veti të çuditshme.

Tregonin torturat e mundimet e tyne, me një humor tragjikomik. Qeshnim për skenat e rrëqethshme që kishin përjetue. Genci nga ana e tij, bluante ndër veti gjithë atë ngjarje. Shyqyr që Zoti ia kishte ndritë mendjen atij katili. Përndryshe jeta e tij do të kishte marrë fund, i lidhun pas atij huni, i përlyme me jarg dhe i mbuluem nga hordhitë e mizave.

Atij i kujtohej, kur i pushtuem nga një dëshpërim i madh, kishte thirr, O Zot mos më braktis! Në atë çast, sikur kishte ndie në shpirtin e tij se diçka i jashtëzakonshme do të ndodhte, një mrekulli që do ta shpëtonte. Dhe ashtu ndodhi. Kjo e gjitha! Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/nentogeri-i-kampit-te-vlocishtit-qe-ishte-tmerri-i-te-burgosurve-pas-ngjarjeve-te-gushtit-49-u-arratis-ne-greqi-ku-sigurimi-i-shtetit-misteri-i-oficerit-korcar-qe-u/