“Nënkryetari i Seksionit të Sigurimit, merrte vajza të reja në zyrë, ku i’u bënte presion dhe më pas i përdhunonte…”/ Dëshmitë e studiuesit të njohur, për ata që masakruan Shkodrën

Nga Marçel Hila

Pjesa e parë

                 “SHKODRA NË VITET E VENDOSJES SË DIKTATURËS KOMUNISTE,

                                                        1945-1953″

Memorie.al / Që në fillim të këtij shkrimi, desha të theksoj se na duhet ta marrim si të mirëqenë faktin, se: ata që erdhën me datën 29 nëntor të vitit 1944 në Shkodër, ishin trupa ushtarake, që u ishin vënë pas ushtrive pushtuese, për t’i dëbuar nga ky vend. Meqë çlirimi kryhet, forca ushtarake, sapo e mbaron misionin e saj, siç ndodh zakonisht kudo, duhet të çmobilizohet dhe njerëzit e saj të dërgohen në shtëpitë e tyre. Por tek ne kjo nuk ndodhi.

Pikërisht kjo masë, e ashtuquajtur çlirimtare, sapo armiku pushtues e kaloi kufirin e territorit të vendit, si një vërshim ujërash të pista e plot baltë, sulmoi dhunshëm jetën dhe njerëzit e kësaj zone. Si në kronikat televizive, kur shohim rrebeshe ujërash që sulmojnë qytetet, depërtojnë në shtëpitë, mbulojnë dyqanet, prishin vendet e punës, bllokojnë trafikun, rrënojnë orenditë, ndërsa në fshatrat mbysin kafshët e bagëtitë, përmbytin shtëpitë, marrin me vete bereqetin e ushqimet…!

Ja, kështu ndodhi që në fillim: një përmbytje që erdhi me baltë e llum, nga ata që deklaroheshin çlirimtarë, por që rezultoi se ishin hordhi të dala nga zgafellat më të errëta të Jugut, ardhë njerëzore të mbushura plot me urrejtje e helm ideologjik. Këto masakra dhe këtë terror nuk i bënë as pushtuesit në pesë vitet e Luftës së Dytë Botërore, edhe pse ishin okupatorë. E bënë bijtë e popullit shqiptar. Këta të ashtuquajtur “çlirimtarë”, që u digjej ‘xhani’ për lirinë, këta pushojnë të jenë të tillë brenda dite, e në çast, shndërrohen në xhelatë e kriminelë.

Ja disa nga kriminelët që masakruan Shkodrën…!

Atëherë, kush janë këto hordhi që janë derdhur rrugëve e shesheve? Kuptohet, janë vegla që po përdorte udhëheqja komuniste, ndërsa po vendoste diktaturën në Shkodër e në zonën përreth. Një pjesë të tyre e nis për në Jugosllavi, në ndihmë, për instalimin e diktaturës komuniste në Kosovë, si dhe për t’ua dorëzuar forcave të Titos kundërshtarët nacionalistë. Por të kthejmë në vendin tonë, e më saktësisht, në Shkodrën tonë.

Jam shumë dakord se është i domosdoshëm një studim rreth argumenteve të përmendura këtu, por jo që të mjaftohemi me vetëm këta. Rekomandoj që fokusimi të shtrihet edhe në aspekte të tjera që tregojnë se kur “Bota e re” po instalohej, u kryen masakra njerëzore, padrejtësi, grabitje, dhunë, e mizori unike e që u manifestuan hap pas hapi. Këtë na e sugjerojnë ngjarjet. Të shohim kronologjinë e tyre.

Që ditën e parë, dhunshëm, morën institucionet e shtetit, prefekturën, bashkinë, bankën, repartet ushtarake, por po ashtu gllabëruan shumë shtëpi, sepse në to do të hynin drejtuesit më të rëndësishëm komunisto-ushtarakë, të ardhur nga malet. Shtëpia e Kokës merret e bëhet komanda ushtarake e veriut, në zyrën më të rëndësishme të së cilës ka zënë vend Tuk Jakova. Më vonë, kjo ndërtesë do të bëhet Komiteti i Partisë i qarkut dhe i rrethit.

Mos të harrojmë shtëpitë e familjeve shkodrane që mbusheshin me oficerë e policë të sjellë nga jugu, në fillim për Seksionin e Mbrojtjes së Popullit, e pastaj për Degën e Punëve të Brendshme! Një mjerim më vete! Sa padrejtësi, sa perversitete janë kryer. Sa shumë ishin ato familje që detyroheshin ose të largoheshin ose të tkurreshin, për t’u bërë vend xhelatëve të vet. Kur isha fëmijë, te pragu i shtëpisë së Dabërdakëve, shihja plaka me shami të zeza në kokë, që rrinin te dera e soditnin dynjanë.

Kishin ardhur bashkë me bijtë e tyre, që tani punonin policë birucash, nga Jugu i thellë. Në Kuvendin i Fretërve, që u mor e u bë shtëpi, ishte mbledhur një llum i frikshëm njerëzish. Mbaj mend, kur isha fëmijë, meqë e kisha shtëpinë afër, policin Visho, nga fshatrat e Vlorës, një pervers imoral. Kush e di sesa shumë dini ju për ta! Pushtimi i shtëpive qytetare nga llumi jugor-komunist! Me shifra pamja del e frikshme, me cilësi njerëzore të përbindshme!

Vetëm pse Imzot Gaspër Thaçi, nuk doli me pritë Mehmet Shehun, ai urdhëroi…!

Po sa argumente do të dalin kështu, po të shikojmë me kujdes dhimbjen e padrejtësinë në të gjithë manifestimin e saj!! Po marrja e shtëpive që në ditët e para? Ia morën shtëpinë e sapondërtuar tregtarit Lec Shkreli, që është në Piacë, aty ku deri në fund banoi Muho Asllani! Po si e morën Arqipeshkvinë? Mehmet Shehu shkoi për vizitë për Pashkë, me datën 1 prill 1945 tek imzot Gasper Thaçi, një javë pasi kishin pushkatuar Don Ndre Zadejën. Imzoti, pas kësaj vrasjeje, kishte rënë në krevat, i sëmurë me zemër. Nuk e priti.

Atëherë, për hakmarrje se Arqipeshkvi nuk i doli me e pritë, gjeneral-major Mehmet Shehu dha urdhër që godina katërkatëshe të merrej. Ajo u muer e u mbush plot me oficerë Sigurimi, të ardhur nga jugu. Po ku morën shtëpi Shefqet Peçi, komandanti i trupave ushtarake të qarkut, prokurori Josif Pashko, prokurori Aranit Çela, e prokurorët e tjerë kriminelë si dhe dhe ushtarakët e tjerë të lartë? Po të pyesim, edhe na tregojnë. Patjetër që duhet të ketë pasur dhimbje e padrejtësi të mëdha, sepse bëhet fjalë për shpronësim e nxjerrje jashtë.

Zoi Themeli, kryetari i parë i Seksionit të Mbrojtjes së Popullit për Shkodrën, merr banesë tek Alimëhillët, përballë Ambulancës së sotme. Nesti Kopali, nënkryetari i Seksionit të Mbrojtjes së Popullit, tek familja e Karlo Çobës, në Gjuhadol, te shtëpia e bukur e madhështore, në katin e dytë. A e kemi një hartë të këtyre gllabërimeve, në kuptimin më të mirë të fjalës? Jo, e them me siguri, por duhet ta bëjmë! Po kryetarët e Degës së Punëve të Brendshme, kush ishin? Përbindësha të vërtetë! Zoi Themeli, një kriminel i pashoq, injorant i thekur, që kishte punuar në një furrë buke në Korçë: kishte vetëm katër klasë shkollë. Gjovalin Zezaj, anëtar i grupit “Bashkimi Shqiptar”, i arrestuar në këtë rrethanë, thotë se: Zoi e nxori Mark Çunin në ballafaqim me mua.

Meqë Marku nuk pranoi asgjë, në praninë time, e rrahu me kamzhik gjerman. Kamzhiku i sillej për fyt, duke i nxjerrë gjak, sa herë që i binte në mishin e butë të qafës, ndërsa, pasi e rrahu kështu, e hodhi për tokë, i hyri në shqelma e i’a theu krahun. Martiri Mark bërtiste nga dhimbjet e tmerrshme, por Zoi vazhdonte ta qëllonte. Kur u lodh, i bëri zë policit që ta merrte e ta çonte në qeli, poshtë. I tha ta tërhiqte zvarrë. Ai e mori duke e tërhequr nga këmbët. E ulte shkallëve të ndërtesës së Seksionit, nga kati i dytë në të parin, e koka i binte në shkallët, të gjitha betoni, duke i shkaktuar dhimbje të hatashme”.

Apo krye-krimineli e përdhunuesi Nesti Kopali?!

Mjafton të lexohen faqet e librit të At Zef Pllumit, për të kujtuar sesa shumë i masakronte viktimat e veta me majën e çizmes së tij të lustruar, oficeri sadist nga fshati Qorraj i komunës Fterrë të zonë së Sarandës. Ishte nënkryetari i Seksionit. Merrte vajza të reja në zyrë e i bënte presion se gjoja ishin pjesë e organizatave kundërshtare, e do t’i arrestonte, por i përdhunonte aty. E nuk i linte as edhe të ngrinin zërin e të kundërshtonin. Po i tmerrshmi Lilo Zeneli, që Ahmet Bushati tregon sesi e ka masakruar me një pamëshirësi të pabesueshme?! E kishte futur nën tavolinë dhe e godiste me shqelma.

Edhe Kolec Pikolini flet për një rrahje të frikshme që i kishte bërë atij në vitin 1948, kur e kishin arrestuar. Ishte kasap me profesion. Nuk i kishte as dy klasë shkollë, por ishte i besueshmi i partisë. I pasuar nga krimineli Rasim Dedja, i pashkollë edhe ai e në fund i përbindshmi Hilmi Seiti, një pijanec, kumarxhi e imoral, historitë e tij të dashurive tregohen edhe sot në Shkodër. Ishte ai që çoi në vdekje martiren Marie Tuci, thjesht se vajza që i kishte hyrë rrugës për t’u bërë murgeshë, nuk pranoi të bëhej e dashura e tij. Për hakmarrje, i shkaktoi vdekjen. Ia doli të mobilizonte të gjithë makinerinë e diktaturës.

Frederik Nosi, kryetari i Gjykatës së Lartë, dy ditë para se të vdesë martirja në spital, i lexon dënimin me burgim, me akuzën se ajo ka strehuar diversantë. Ky, bashkë me hetuesin maskara Ali Xhunga, kanë fabrikuar akuza të përbindshme edhe për priftin e pushkatuar Dom Ejëll Kovaçi. Po ku rrinë këta tipa kriminalë e plot me vese? Kuptohet: zaptojnë shtëpitë më të mira! Po kujt ia marrin? Këto duhen zbuluar! A dimë gjë për këta “Robeispierë të revolucionit shqiptar”? Jo! Shumë pak. Thuhet se ishin demonë.

Në arkivin e ish-Sigurimit të Shtetit, gjenden dosjet e çdo ish-oficeri dhe ish-prokurori të Qarkut Ushtarak të periudhës së fillimeve, sepse ishte kërkesë dhënia e llogarisë përmes autobiografive.

Aranit Çela, ka shkruar me dorën e tij se, ishte i biri një pijaneci që…!

Në ato dosje, në autobiografinë e shkruar me dorën e vet, Aranit Çela tregon se e kishte pasur babanë pijanec (sarahosh, siç e shkruan ai), që kishte keqtrajtuar gruan e fëmijët e që kishte vdekur në rrugë të madhe i pirë. (Autobiografia përpilohej me saktësi, sepse në rastet kur nuk thuhej e vërteta, personi e pësonte). E ëma, pas vdekjes së të shoqit, shkon e kërkon ndihmë tek Dom Mark Papaj, prifti katolik i Vlorës, e i thotë se ka mbetur e ve me shumë fëmijë e ka nevojë për ndihmë. Ai, i ndjeshëm, gjoja i merr një jerevi me qera, sa për të justifikuar shpenzimet, por në fshatin e Aranitit, nuk shkeli kurrë.

Ishte një pretekst për të ndihmuar të gjorën ta shtynte jetën. Edhe kjo e shkruar në autobiografinë e tij. Sapo Araniti njëzet e dy vjeçar, pasi braktisi fashizmin e u bë komunist, u soll në Shkodër, kërkoi dënimet pa fund me vdekje për gati të gjithë klerikët katolikë, njëri prej të cilëve ai që e kishte ndihmuar të rriste shtatin me bukë. Po Dul Rrjolli, që kishte qenë dikur i mirë, sepse kishte mësuar në Medrese, por pastaj, nga shokët e këqij, ishte bërë hajdut, pijanec e ishte marrë me putanat e Kotorrit. Këtë e shkruan ai vetë në autobiografinë e tij.

Tregon se kishte pasur gabime të rënda në rini, si kumarxhi e vagabond, por nuk harron të shënojë se Partia e kishte rehabilituar e i kishte dhënë një detyrë me shumë rëndësi: atë të eliminimet të kundërshtarëve të pushtetit të ri. Po Ali Xhunga, po Siri Çarçani, e sa e sa prokurorë e hetues të tmerrshëm? Sa janë të tillë? Gati të gjithë. Vijnë nga gjirizet e errëta dhe marrin pozita me rëndësi që as që e kanë imagjinuar ndonjëherë. Ia vlen për të gjithë këta ‘Maratë’ dhe ‘Dantonë’ të komunizmit shqiptar që të bëhen studime, edhe përgjithësuese. Dalin se ata që kishin jetët e njerëzve më me vlerë në dorë, ishin llumi më i ndyrë i kësaj toke.

Ngjarjet e dhunshme na thonë se çlirimtarët, që të nesërmen e hyrjes, ia nisin në mënyrë intensive kontrolleve shtëpi më shtëpi, në kërkim të personave që ata kanë projektuar për burg dhe plumb. Janë bërë listat! Nga kush? Nga ata krejt lart, por kuptohet, me ndihmën e komunistëve vendas! Kontrollet bëhen në tavane, në jerevitë, në puset, në oborret, në ahure, për njerëz të arratisur, për ish-anëtarë të ‘Ballit’ e ‘Legalitetit’, për bashkëpunëtorët, për kuislingët, për armë, kontrolle me pasojë terrorizimin e banorëve. Kontrollohet tek të afërmit e të kërkuarve, te motrat e vëllezërit, te kushërinjtë. Të gjitha këto gjenden në librat me kujtime.

Ka faqe me një vërtetësi drithëruese, sesi kryheshin këta kontrolle dhe terrori që ushtrohej mbi njerëz e mbi familje mbarë. Po sekuestrimet në masë, që e rrënuan ekonomikisht krejt shtresën e pasur? Për t’u hyrë në qejf komunistëve jugosllavë, me iniciativën e hierarkëve vendas, u vendos që të sekuestroheshin mallrat e pasanikëve shkodranë. Magazina të tëra u boshatisën e kamionë të ardhur nga Jugosllavia motër, mbushen plot e marrin rrugën për andej, ndërsa varfërojnë deri në ekstrem tregun vendas e rrënojnë pronarët. Ulqinaku i madh është një shembull model! Po të tjerët? Këta, sa janë? Kush janë? Sa gjë e mall i’u është marrë me dhunë? A ka një shifër të dëmit? Familjet e dëmtuara mund të tregojnë shumë!

Kryhen vjedhje dhe grabitje. Për këtë ka një literaturë të mjaftueshme që, nëse studiohet, dalin qartë episode të vjedhjeve sy më sy. At Zef Pllumi tregon në librin e tij sesi, nga kontrollet e ushtruara, që në ditët e para nga skuadrat e partizanëve, u vodhën sende me shumë vlerë historike të Muzeut Arkeologjik, gjë që e detyroi At Mati Prendushin, të ankohej tek Shefqet Peçi. At Francesco della Rosa, në ditarin e tij, të botuar në librin “Një seminar papnor në vorbullën e persekutimit komunist”, flet për kontrollet e shumta, deri në shtatëmbëdhjetë, të kryera nga datat 30 nëntor 1944, deri me 16 janar 1945, në Shtëpinë e Jezuitëve, me pasojë grabitjen e sendeve personale, deri edhe me sekuestrimin e benzinës, që shërbente si lëndë djegëse për gatim e ndriçim.

Kur eprori jezuit At Daniel Dajani, shkoi t’i kërkonte ndihmë Arqipeshkvit Gaspër Thaçit, që ai të ndërhynte duke përdorur autoritetin e tij, që kontrolle të tilla shkatërruese të merrnin fund, Arqipeshkvi, i pafuqishëm, i tha se para dy ditësh kemi pasur kontrollin e radhës, që na kanë lënë tri orë jashtë në të ftohtë e në natë, duke u dridhur nga murrlani, e kur kemi hyrë brenda, kemi gjetur të gjithë shtëpinë lëmsh e li, e shumë sende të vjedhura. Këtë gjë ia konfirmoi edhe At Danieli, i cili i tha se pas kontrolleve, gjithmonë, mungojnë sende personale.

Ahmet Bushati, në librin e tij “Në gjurmët e një ditari”, flet për kontrollet e shumta që bëheshin në ditët e para të fillimit dhe grabitjen e sendeve personale. Tregon, madje, për një palë dylbi, që një partizan i hoqi nga muri e pa asnjë leje, i mori me vete. Po sa janë raste të tilla? Pa fund. Po sekuestrimi i shtëpive e i pasurive të personave armiq të pushtetit? Sa ishin banesat që u sekuestruan? Nuk e kemi një shifër.

Zoti Ahmet Bushati thotë se: tek Truma e Dugajëve të Reja, kishte parë lista të afishuara në një stendë me emrat e personave të cilëve u ishin marrë shtëpitë e që pas kësaj ata po degdiseshin me gjithë familje në Jug të vendit, në internim. Kjo, që në ditët e para të hyrjes së hordhive në qytet, që në dhjetor të vitit 1944. Të gjithë ata që kanë hedhur kujtimet e tyre të fillimit, flasin për këto episode të tmerrshme. Kulla e Gjonit të Marka Gjonit, sekuestrohet dhe të gjithë familjarët nisen për Berat, në internim. Data 1 dhjetor 1944.

Por mendoj se duhen përmendur edhe postblloqet e shumta që viheshin rrugëve, shtetrrethimet me orë të gjata, të një kohe disa mujore, duke penguar kalimet normale e duke e bërë të pamundur ecjen netëve. Edhe kur kishin nevojë të dilnin për të njoftuar për vdekjet, nuk mund ta kryenin një gjë të tillë, sepse ishte rreptësisht e ndaluar. Gjëra që nuk kishin ndodhur asnjëherë, por po bëhej nga një ushtri që e mbante veten si e popullit dhe çlirimtare. Po lista e njerëzve të kërkuar e që duheshin arrestuar me çdo kusht, që fillon me vëllezërit Kazazi, me Sulçe Begun, me Maliq Bushatin, me klerikë të shumtë, të konsideruar të gjithë si “armiq të popullit”.

Po të përpilohet kjo listë, nuk të habit aq sasia e madhe e tyre në numër, sesa cilësia njerëzore që ata përfaqësojnë. Për të shpëtuar, shumë ishin ata që dolën në male e jetonin shpellave e majave, për të mbrojtur kokën. Janë me mijëra këta. Do të vijnë me mijëra Forca të Ndjekjes t’i kërkojnë e shumë prej tyre do të vriten e do të vdesin të shpuar nga plumbat e çlirimtarëve, për fajin e vetëm se nuk mendojnë si mendojnë këta vrasës dhe ëndërrojnë një Shqipëri tjetër nga kjo që kanë projektuar djajtë e për këtë kërkohen dhe janë kandidatë për t’u pushkatuar.

Një sa për të gjithë: Ndoc Jakova, vëllai i kompozitorit të famshëm Prenk Jakova, vdes në mal nga plumbat e Forcave të Ndjekjes, në hyrjen e një shpelle ku gjendej, në duart e klerikut gjerman, misionarit, Don Alfons Tracki, që edhe ky do të pushkatohet pas një hetuesie të tmerrshme, në vitin 1947.

Nuk duhen harruar urdhrat për mbajtjen e shtëpive hapura, për mësymjet në mesditë e në mesnatë, pa pritur e pa kujtuar, të forcave të armatosura, që ia behnin në kërkim të njerëzve dhe terrorizonin popullatën.

Ata që i kanë shkruar në librat, tregojnë mjerime të vërteta. Po të pushkatuarit e parë pa gjyq, siç ishin tetë vetat e vrarë para Bashkisë Shkodër, me datën 26 janar 1945, thjesht për të terrorizuar popullsinë, sepse ushtria e çlirimtarëve, ka shkuar të bëjë masakra në Veri e, duke mos mundur të depërtojë në zona që nuk i njeh e nuk mund t’i kalojë lehtë, lë të vrarë në fushë. Atëherë, për t’i treguar kundërshtarëve të saj imagjinarë se nuk ia lejon gjatë gëzimin e marrjes së lajmit se kanë pësuar humbje, organizojnë arrestimin dhe pushkatimin pa gjyq të të pafajshmëve të mjerë.

Një skenë të tmerrshme na e jep Kolec Pikolini, në librin e tij “Regjimi i Hienave”, por edhe Ahmet Bushati, në librin në “Gjurmët e një ditari”. Ka edhe shkrime të tjera për këtë ngjarje të kësaj dite. Një gjenocid paralajmërues, që do të vazhdojë me masakrat e Kelmendit e Vuklit, me vrasjet për Kryengritjen e Shkrelit, me gjenocidin e dënimet e ashpra me vdekje të Kryengritjes së Postribës, e do të kulmojë me masakrën e njëzet e dy të pafajshmëve të bombës së ambasadës sovjetike, në shkurt të vitit 1951, një prej viktimave do të jetë edhe zoti Pjerin Guraziu, babai i të nderuarit zotit Filip Guraziu. Sa ishin ata që u pushkatuan pas Varrezave të Rrmajit?

Nuk ka një shifër! Sa malësorët e shumtë u dënuan me vdekje, thjesht se dikush që gjendej maleve, për të siguruar një strehë, i troket derës së tyre, duke kërkuar mikpritje. Qëllonte që Forcat e Ndjekjes rrethojnë banesat, arrestojnë të sapoardhurit dhe marrin me vete edhe të zotët e shtëpive. Këta i dënojnë me pushkatim për krimin e strehimit të të kërkuarve. Por ata nuk e dinë se kë kanë strehuar. Ata kanë pranuar trokitësin, kushdo të ishte ai! Ky lloj strehimi është pjesë e kodit të ligjit të maleve, mijëravjeçar, i bërë normë jete për këta zona: mikpritja i ofrohet kujtdo që të troket në derë, edhe pa ditur se kush është, madje pikërisht se ti nuk e di se kush është, i jep strehë.

Ahmet Bushati, flet për një numër të madh viktimash të tilla, që shkonin të lidhur, rrugëve të Shkodrës, me pranga e zinxhirë, drejt e pas murit të varrezave për t’u pushkatuar. At Francesco della Rosa, në ditarin e tij, të datave të fillim vitit 1946, thotë se: sipas asaj që flitet, numri i të pushkatuarve për pesëmbëdhjetë muaj, është rreth një mijë vetë. Po sekuestrimi i arit, burgosja e tregtarëve, shpronësimi i tyre, torturat e tmerrshme në hetuesitë për dorëzimin e pasurisë së tyre shtetit. Një grabitje e tillë nuk ishte parë. Faj, për çdo legjislacion të globit, është vjedhja e pasurisë pronarit të ligjshëm nga dikush. Ndërsa bota ishte përmbysur: ishte krim po nuk e dorëzove pasurinë tënde. Po sa janë të tillë tregtarë e të pasur që masakrohen e vdesin në tortura?

A ka një shifër të saktë sesa mijëra e mijëra napolona ar u sekuestruan? Sa ar nxori Shkodra nga bankat e saj familjare? Nga një burim i sigurt, kam mësuar se familja Kakarriqi nuk kishte kasafortë, por një bodrum shumë të madh, mbushur me ar, i cili u muer e nuk dihet sesi e se ku përfundoi. A nuk ia vlen një hetim i hollësishëm vetëm për këtë? Po sa janë të tjerët që u grabitën në këtë mënyrë? Dikur, vite më parë, kam punuar me një djalë me origjinë nga fshatrat e Gjirokastrës, që më tha se babain e tij e kishin sjellë në Shkodër, për t’u marrë vetëm me sekuestrimin e arit tregtarëve e mbeti pastaj këtu. Tek këta tipa kanë pasur besim për zbatimin e kësaj lloj detyre.

Po arrestimet e atyre që ishin kambistët, që kishin shkëmbyer arin me monedhën e huaj, kur tregtarët niseshin për tregti jashtë shteti? Meqë këta tregtarët e arrestuar qëllonte që nuk e tregonin pasurinë e tyre, atëherë, me një dinakëri demoniake, ishte gjetur kjo zgjidhje: arrestimi e torturimi deri në vdekje i kambistëve, në mënyrë që ata të tregonin se kujt ua kishin thyer paratë. Nëse këta flisnin, tregtarët e pësonin. Këto fakte do të ballafaqoheshin e për deklarim të rremë, pronarëve të arit u shkonte edhe koka. Sa prej këtyre kambistëve u arrestuan? Sa qenë ata që rezistuan deri në pikën e fundit për të mos marrë në qafë pasuritë e tregtarëve, miq të besuar të tyret? Shumë. Heroizmin e këtyre trimave s’ka pendë që e përshkruan./Memorie.al

                                                       Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/nenkryetari-i-seksionit-te-sigurimit-merrte-vajza-te-reja-ne-zyre-ku-iu-bente-presion-dhe-me-pas-i-perdhunonte-deshmite-e-shkrimtarit-dhe-studjuesit-te-njohur-p/