“Nëna, një grua e butë dhe e ëmbël, tentoi vetëvrasjen e më pas e shtruan te Psikiatriku, pasi shefi i Sigurimit i Vlorës, e kishte…”/ Dëshmia rrëqethëse e ish-të persekutuarit politik

Nga Vasil Qesari

Pjesa e njëzetë e një

Memorie.al/ Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e zhgënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit?  Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?!  Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi.  Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!

Dihet se, Sigurimi i Shtetit Shqiptar, në fillimet e veprimtarisë së tij (1945-1948) u instruktua nga policia sekrete jugosllave duke trashëguar prej saj, ndër të tjera, egërsinë shtazarake të larjes së hesapeve e hakmarrjen tipike ballkanike. Gjatë asaj periudhe, ai qe plotësisht i varur e i kontrolluar nga OZNA (Sigurimi i Shtetit Jugosllav ose ndryshe Zyra e Mbrojtjes së Popullit), për të cilën observatori britanik F. Waddams, më 1946, shkruante:

 “OZNA ushtron kontroll absolut në jetën, lirinë e pronën e çdo shtetasi. Kur ajo vendos të arrestojë, të burgosë pa gjyq apo të internojë, askush nuk guxon të rezistojë apo të kërkojë shpjegime. Ja pse, populli këtu, është i terrorizuar….!”

Më pas, Sigurimi, ndërroi padron. Mbas konfliktit të Stalinit me Titon e pushkatimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Koçi Xoxe, aty nga mesi i vitit 1948, në Tiranë mbërritën këshilltarët e parë rusë. Ata, krahas spastrimit të Sigurimit nga projugosllavët, futën në të metodat e reja të punës e eksperiencës së gjatë të shkollës staliniste të dhunës, një nga më të egrat e më mizorët në botë.

Principi bazë i veprimtarisë së asaj makine përbindësh, e cila në atë periudhë drejtohej nga M. Shehu (i cilësuar fanatik pro-sovjetik), konsistonte në zbatimin më verbëri, dhunë e gjak të çdo urdhri të Partisë e personalisht të komandantit, Enver Hoxha. Kështu, shumë shpejt, në saj të ndihmës sovjetike, Sigurimi shqiptar u shndërrua jo vetëm në grusht çeliku kundër kundërshtarëve, por dhe në instrument frike për instalimin pa rezistencë të sistemit totalitar.

…Në botën e jashtme, dhjetori i vitit 1955, shënon edhe datën e parë të një dokumenti zyrtar, i cili i referohet dhunës së Sigurimit të Shtetit Shqiptar. Atë vit, sekretariati i përgjithshëm i OKB-së, publikoi raportin “Prova mbi punën e detyruar në Shqipëri”, të shoqëruar me dëshmitë e 13 ish-të dënuarve e internuarve politikë që kishin mundur të arratiseshin nga vendi. Raporti pohonte ekzistencën e rreth 40 burgjeve, kampeve të punës e internimit që kishin funksionuar gjatë viteve 1944-1954, e ku kishin vuajtur dënimin mbi 80.000 të burgosur nga të cilët, rreth 10.000 kishin gjetur vdekjen.

Po në atë raport, figurojnë edhe dëshmitë e drejtorit të Shërbimit të Statistikave në Prokurorinë e Përgjithshme (i cili qe arratisur nga Shqipëria, aty nga viti 1948), sipas të cilave, në fund të vitit 1947 në vend kish mbi 18.000 të burgosur politikë, pa numëruar ata që vuanin dënimin në kampe pune.

Ndërsa, disa dekada më pas, një oficer i lartë i ish-Sigurimit në një intervistë dhenë një të përditshme shqiptare, ka dëshmuar se në fillim të viteve ’80 në Shqipëri kish patur rreth 40.000 të burgosur, shifër kjo e barabartë me 1.5 përqind të popullsisë, e se gjatë dhjetëvjeçarit 1975-1985, Sigurimi arrestonte për çdo vit mesatarisht, rreth 4.500 – 5.000 persona. Veprimtaria e punës së Sigurimit, gjatë periudhës 1944-1954, e cila konsiderohet si ndër më të egrat në historinë e regjimit totalitar shqiptar, u përqendrua kryesisht e mbi të gjitha, në zbulimin e likuidimin e pamëshirshëm të gjithë kundërshtarëve të regjimit.

Por, cilët ishin ata…?

Armiqtë e Partisë, sipas etapave të ndryshme historike, përgjithësisht, ndaheshin në këto kategori kryesore:

Kategoria e I-rë, përfshinte personalitetet që kishin bashkëpunuar me regjimin e vjetër zogistë apo me pushtuesit nazi-fashistë. Ajo u shfaros pa mëshirë qysh të nesërmen e marrjes së pushtetit nga komunistet.

kategorinë e II-të, bënin pjesë gjithë pjesëmarrësit, veprimtarët dhe drejtuesit e formacioneve nacionaliste antifashiste si, për shembull, të organizatave Balli Kombëtar, Legaliteti etj., pjesa me e madhe e të cilëve u asgjësuan, gjatë viteve të luftës e mbas saj.

kategorinë e III-të, futeshin intelektualët demokratë, të cilët e vazhduan rezistencën opozitare anti-komuniste në mënyrë të fshehtë edhe mbas nëntorit të vitit 1944 e disa vjet më vonë. Ajo, përfshinte në radhët e saj, intelektualë e klerikë të shquar, të cilët më pas mbushën burgjet dhe u shfarosën në kampet e punës, anë e mbanë Shqipërisë.

Kategoria e fundit, ka qenë opozita brenda vetë gjirit të Partisë.

(Herë-herë, për shkak të diversitetit të mendimeve rreth mënyrave të zbatimit të ideologjisë marksiste në Shqipëri e, herë të tjera, për qëndrime jo të njëjta ndaj marrëdhënieve me aleatët jugosllavë, sovjetikë e kinezë, pa folur pastaj, për shkaqe ambiciesh, rivaliteti e lufte për pushtet).

Të gjitha këto kategori armiqsh, në rrjedhën e viteve, Enver Hoxha i shfarosi me djallëzi e egërsi të pashembullt, pikërisht në saje të armës së tij besnike e shumë të dashur, Sigurimit të Shtetit…!

ARMIKU IMAGJINAR

Siç theksuam edhe më lart, ekzistenca e armikut si edhe ajo e kundërshtarëve të çdo lloji, është justifikimi i parë e kryesor i ushtrimit të dhunës politike. Regjimi totalitar nuk mund të jetojë dot pa ekzistencën e armiqve. Ata, janë për të, justifikimi më i mirë për ushtrimin e terrorit. Edhe po qe se nuk ekzistojnë, ata sajohen e pastaj, me t’u “identifikuar”, eliminohen pa mëshirë.

Logjika e mbrapshtë dhe mizore e këtij pragmatizmi revolucionar, padyshim, të sjell ndër mend shumë ngjarje të së kaluarës. Aty e kanë origjinën edhe zbulimet e pafund të komploteve, puçeve, grupeve e armiqve të pafund të Shqipërisë të shoqëruara me sloganet: “Armiku është një gjarpër, të cilit duhet t’i shtypet koka qysh në vezë”, ose, ajo e përdorur rëndom gjatë fushatave elektorale: “Votat për Frontin janë plumb për armikun”, etj.

Kështu, në një klimë të tillë paranoiake, prezenca e armikut kthehej në frikë të përhershme, ekzistenca e së cilës instalohej gradualisht e përgjithësisht jo vetëm në shoqëri, por në atë që ishte edhe më e rëndësishme për shtetin totalitar, tek çdo individ i thjeshtë.

Pastaj, me të përfunduar procesi i instalimi të frikës, fillonte terrorizimi i tij me metoda e mënyra nga me të ndryshmet. E, veçanërisht, me anë të survejimit. Për atë qëllim, krahas të tjerash, një rrjet i madh bashkëpunëtorësh të organeve të diktaturës, shtrihej në mbarë vendin duke e mbuluar atë si rrjetë merimange.

Qindra-mijëra sy dhe veshë, vëzhgonin e përgjonin gjithçka. Numri i njerëzve që bashkëpunonin me Sigurimin ishte i madh. Një pjesë e tyre punonin në mënyrë vullnetare, por kish edhe nga ata që bëheshin informatorë e agjentë duke u shpërblyer me të holla. Prezenca e veprimtaria e tyre, nxiste një garë të shfrenuar gjuetie shtrigash, e cila zhvillohej në çdo qelizë të shoqërisë. Ngado, shfaqej një disponibilitet i çuditshëm e histerik për të luftuar armiqtë e brendshëm, nga ishin e s’ishin. Në punë, lagje, familje, shkollë, fshat. Kudo…!

Denoncimet, në më të shumtën e rasteve, provokonin tek autorët e tyre, një ndjenjë të fshehtë e të ligë kënaqësie cinike. (Vetëm, në një shoqëri totalitare, ndodh që njerëzit të mos gëzohen me rehatinë e atyre që kanë pranë. Përkundrazi, rëndom, fatkeqësia e të tjerëve, për ta shndërrohet në burim kënaqësie prej çakalli). Në një shoqëri të tillë të mbrapshtë, ajo ndjenjë e keqe për t’i bërë të tjerët të vuajnë, siç shprehet Montaigne, vihej pra, djallëzisht, në dispozicion të çdo individi.

 (Mundësia e kujtdo për t’i bërë keq kujtdo – ja një nga shpikjet më makabre të sistemit totalitar…!)…Të çoje dikë në burg…?! Po, kjo ish aso kohe, gjëja më e lehtë…!

Çdo njeri, për një arsye a motiv të caktuar, po të donte mund ta merrte pa vështirësi e përgjithmonë tjetrin në qafë. Me një letër anonime apo denoncim gojor në organet e Sigurimit, mund të fusje brenda, kolegun, fqinjin, shokun, babain, vëllain a ndonjë një tjetër, të afërt apo të largët. Kësisoj, për regjimin, ndërhyrja apo shkatërrimi i jetës private të individit nuk përbente problem.(Në Gjermaninë hitleriane, nazistët deklaronin plot krenari: Tek ne, e vetmja mundësi për të mbajtur të fshehtë jetën private, është të flesh gjumë).

Ndërkohë, terrori i ushtruar ndaj shoqërisë e individit, justifikohej mbi bazën e një prej principeve themelorë të ideologjisë marksiste: atë të luftës së klasave.

Por, ç’përfaqësonte në vetvete, ajo? Cilat qenë qëllimet e saj?

Është interesant të nënvizojmë faktin se, në atë lloj lufte, si diktaturat ashtu edhe totalitarizmi, kishin po të njëjtat strategji, mjete e objektiva, të cilat përputheshin  pothuajse plotësisht. Kështu, për shembull, shteti totalitar komunist zbatonte ndaj “armiqve të klasës”, po të njëjtën strategji të cilën aplikonin edhe nazistët ndaj hebrenjve.

Diktaturë – regjim politik autoritar, i vendosur dhe i mbajtur me anë të dhunës e ku, një individ apo një grup njerëzish, mbajnë në duart e tyre pushtet absolut.

 Totalitarizëm – pretendim doktrinal, filozofik, politik a ideologjik, për të përvetësuar tërësinë e jetës kombëtare brenda një monizëm pushteti dhe vështrimi të botës. Me këtë term janë cilësuar regjime, të cilët, në pamje të parë mund të jenë shfaqur edhe të ndryshëm. Si, bie fjala, Bashkimi Sovjetik stalinist, Gjermania hitleriane, Kina e Mao Ce Dunit, apo regjimi iranian i Khomeinit. Disa nga karakteristikat kryesore të regjimeve totalitare janë, kulti i individit, monopoli i ideologjisë, jetës shpirtërore, artistike, sindikale, kontrolli i gjithë levave të pushtetit dhe vendosja e një regjimi shtypës policor. (Encyclopedie Microsoft 1999)

Dihet se, hebrejt, nuk përndiqeshin e shfaroseshin për shkak të veprave sabotuese apo akteve armiqësore, por thjesht për shkak të orgjinë së tyre. Pikërisht, të njëjtën filozofi zbatonte edhe shteti totalitar shqiptar në luftën e klasave. Objektivi i parë dhe kryesor i tij, fill mbas marrjes së pushtetit më 1944, qe pikërisht shfarosja e borgjezisë si klasë.

(Për të eliminuar një borgjez, nuk ish e nevojshme që ai të kryente me domosdo sabotim apo veprimtari armiqësore. Jo…! Mjaftonte që ai të ish me orgjinë ose pjesëtar i asaj klase e çdo gjë qe e justifikuar. Kësisoj, për analogji, edhe në Shqipëri, fëmijët e “ish- borgjezëve”, mbanin të vulosur në ballë damkën e armikut, ashtu si edhe hebrenjtë, yllin e imponuar nga Gestapoja).

Ndërsa:… nazistët, të cilët e ndanin shoqërinë në arianë dhe të tjerë, bazoheshin në principin fetish të racës. Ajo qe një ndarje kategorike e absolute. Ose duhej të ishe arian, ose asgjë…! Edhe bolshevikët, nga ana e tyre, zbatonin pak a shumë të njëjtin princip për përzgjedhjen e  “materialit” të tyre njerëzor. Kriteri bazë qe origjina familjare e shoqërore e individit. Konkretisht, origjina proletare, ishte ndër të tjera edhe garancia më e mirë për t’u ngritur lart në hierarkinë politike. Ashtu si nazistët që përndiqnin hebrenjtë e fëmijët e tyre duke i damkosur me yllin e Davidit, ashtu dhe komunistët persekutonin individët e cilësuar të deklasuar.

Ja dy shembuj:

 Rrëfimi i parë: Shoku im i fëmijërisë, A. Lepenica, jetonte vetëm me të ëmën, një arsimtare e moshuar në pension. (I ati, me orgjinë nga një familje “reaksionare”, kish vdekur vite më parë). Ai qe një djalë inteligjent dhe i pasionuar pas leximeve e gjuhëve të huaja. Por, në shkollë, për cilësitë e tij të veçanta, nuk e vlerësonin kurrë siç duhej. Përkundrazi, ai shihej me sy të shtrembër.

Dhe kjo, për të vetmen arsye, sepse kish mbiemrin Lepenica. Më pas, për origjinën e tij të “keqe”, ai do te paguante “haraçin” që lypsej. Pa asnjë shkak, por thjesht mbi bazën e një kurthi e disa dëshmive false, atë e arrestuan në moshën 18 vjeç dhe e dënuan me 10 vjet burg. Gjatë vuajtjes së dënimit, ai u ri dënua përsëri me 8 vjet të tjera, nenë akuzën e “agjitacionit e propagandës”.

Mbas kryerjes së dënimit, ai u kthye në qytetin e tij të lindjes, por në shtëpi nuk gjeti njeri. Nena kish vdekur. Nuk shkoi shumë e ai u rikthye përsëri në qeli. Kësaj here, nenë akuzën se gjoja kish refuzuar të kryente shërbimin e detyruar ushtarak. A. Lepenica, u lirua pas shumë vjetësh, jo nga burgu por nga… Spitali Psikiatrik. I shkatërruar plotësisht, fizikisht e mendërisht, ai mundi të mbijetojë vetëm në saj të ndihmave modeste që i jepnin herë pas here disa të afërm të familjes, si edhe miq e shokë të ndryshëm.

Rrëfimi i dytë: Babai kish mbaruar studimet e larta për drejtësi në Graz të Austrisë. Ai u dënua me 20 vjet burg në vitin 1959 sepse kish kulturë “borgjeze” e, rridhte nga një familje nacionaliste me emër. Atëherë, ne ishim të vegjël, unë 11 e motra 9 vjeç. Fill mbas arrestimit të tij, një mbas dite, në shtëpinë tonë erdhi një polic i cili i dorëzoi nënës një fletë-thirrje. Aty shkruhej se, në orën 6 mbas dite, ajo duhej të paraqitej në Degën e Punëve të Brendshme. Rreth orës 5, nëna filloi të vishej.

Unë e vështroja teksa krihte flokët e gjatë e të verdhe para pasqyrës. Ajo qe një grua e butë, e ëmbël dhe e pashme. Pastaj, ajo doli dhe na tha të mos shqetësoheshim, se do  të kthehej shpejt. Orët kalonin e ne prisnim e prisnim. Ndenjëm gjer natën vonë, të dy – vëlla e motër, duke vështruar në rrugë përtej xhamave të dritares…!

Nëna u kthye në shtëpi mbas mesnate. Ishte e tulatur dhe e çoroditur. Fytyrën e kish të bardhe si çarçaf e flokët të shprishura. Me të hyrë brenda, ajo u drejtua te soba në kuzhinë. U zhvesh e hodhi në zjarr gjithë rrobat e trupit. Pastaj, shkoi në banjë dhe bëri dush. Vetëm mbasi kreu ato veprime, na thirri dhe, e mbytur në lot, na përqafoi fort në gjoks. Të nesërmen, nena tentoi të helmojë veten, duke pirë një shishe me ilaç mizash. Për fat, fqinjët e çuan urgjent në spital, e shpëtoi nga vdekja.

Ajo tentoi të bëjë vetëvrasje edhe dy herë të tjera. Më pas, dajot e mi e morën dhe e shtruan në Spitalin Psikiatrik të rrethit, ku edhe vdiq më 1969. Ne nuk guxuam e as nuk kërkuam kurrë të mësonim shkakun e “sëmundjes” së saj. Vonë, shumë vite më vonë, arritëm të marrim vesh se ç’farë i kish ndodhur gjatë asaj nate të tmerrshme, kur e thirrën në polici. Atë e kish përdhunuar në zyrë një shef i lartë i Sigurimit e, pas asaj ngjarje, nena nuk e donte më jetën….! Memorie.al

                                                         Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/nena-nje-grua-e-bute-dhe-e-embel-tentoi-vetevrasjen-e-me-pas-e-shtruan-te-psikiatriku-pasi-shefi-i-sigurimit-i-vlores-e-kishte-deshmia-rreqethese-e-ish-te-persekutuarit-polit/