“Nën arbitrimin skandaloz të gjyqtarit zviceran, më 29 shtator 1964, Këlni na mundi 2 me 0 dhe stadiumi u ndez flakë, e dy tifozë vdiqën, pasi…”/ ! Dëshmia e ish-mbrojtësit korçar të Kombëtares

Nga Vepror Hasani

Pjesa e gjashtë

Memorie.al / E kishim lënë të takoheshim në një nga lokalet e Korçës. Pashë që ai po vinte me “Kadillakun” e tij, (kështu e quante ai biçikletën), më të cilën del çdo ditë…! Pasi porositëm, “Mjeshtri i Merituar i Sportit”, Teodor Vaso, i dekoruar me ‘Medaljen e Artë’ – për merita të shquara në sport-, futbollist nga vitet 1957-1973 dhe trajner nga viti 1973 e deri më sot, nisi të më rrëfente një nga historitë e tij të futbollit: “Gjithçka për qëndrimin tim në ekipin e ‘Partizani’-t ose jo, kishte mbetur në dorë të gjeneralëve…” nisi të më tregojë ai.

                                             Vijon nga numri i kaluar

  Rrëfimi i “Mjeshtrit të Merituar të Sportit”, legjendës së futbollit, Teodor Vaso

Formacioni i ekipit

“Formacioni i ndeshjes më Këlnin ishte përcaktuar, por askush prej lojtarëve nuk dinte gjë. Gjithçka po konsiderohej si sekret. Megjithatë ditë më pas gjithçka do të qartësohej. Në përbërje të ekipit do të ishin: Mikel Janku, Fatbardh Deliallisi, Teodor Vaso, Fatmir Frashëri, Osman Mema, Lin Shllaku, Robert Jashari, Panajot Pano, Miço Ndini, Niko Bespalla dhe Kolec Kraja. Pjesëmarrjen time në përbërje të ekipit do ta merrja vesh disi rastësisht.

Dikush më tha se më kërkonte gjeneral Vaskë Gjino. Ai kishte ardhur me makinën e tij. Gjino shërbente në Ministrinë e Mbrojtjes me grupin e gjeneralëve të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Pas pak u takova me të: “Vaso, – më tha ai, – do të luajmë me të mëdhenjtë e futbollit. Këlni ka në përbërje të tij lojtarë kampion bote. Për këtë arsye, shtabi i ekipit ka marrë një vendim: Kapitenin e ekipit që ka luajtur qendër-mbrojtës, Miço Papadhopulin, do ta zëvendësosh ti. Trajnerët e kanë menduar këtë vendosje si zgjidhjen më të sigurt. Desha të di, cili është mendimi juaj?”.

Lajmi që më dha më kishte lumturuar, do të isha qendër-mbrojtës i ekipit. ‘Kur isha me “Skënderbeun”, – iu përgjigja, – kam luajtur për tre vjet me radhë si qendër-mbrojtës përballë të gjithë sulmuesve shqiptarë, madje edhe përballë më të mirëve të Kombëtares tonë’. Këto fjalë më dolën me pasion, por më pas e ula tonin: ‘Kam shtysa të forta që në tharmin e qenies time jetojnë pritjen e çastit për t’u ballafaquar e për t’u matur me sulmuesit evropianë. Pa një ambicie të tillë nuk mund të ketë asnjë dyluftim konkurrues. Do ta shikoni në fushën e lojës shoku gjeneral’!

Vaskë Gjino buzëqeshi dhe duke zgjatur dorën për t’u përshëndetur më tha: “Do të shihemi Vaso”. ‘Faleminderit gjeneral’!- nxitova t’i përgjigjem unë. Tashmë gjithçka e kisha të qartë: në Vietnam nuk më kishin marrë për çështje bërrylash. Vendosja ime në qendër të mbrojtjes kushtëzohej nga disa faktorë: së bashku me qendër-sulmuesin reaktiv, Panajot Pano, ishim të dy futbollistët më të shpejtë në Shqipëri, të dalë nga testimet në ekipin Kombëtar. Kalimi im nga mesfushor në qendër të mbrojtjes, hapte vendin e një mesfushori ose sulmuesi.

Nga një lëvizje e tillë u fut në formacion lojtari i Durrësit, Niko Bespalla. Ai gjuante goditjet e dënimit duke marrë vrull nga një distancë të cilën e përcaktonte me 13 hapa. Megjithatë vendosja ime në qendër të mbrojtjes nuk kishte qenë një vendim i lehtë, sepse klubi mbetej gjithnjë i interesuar për lojtarët e vet dhe jo për sportistët-ushtarë që, përsëri do të ktheheshin në vend-lindjen e tyre. Për këtë arsye, pati nga ata që më uruan sinqerisht, ashtu siç pati edhe të tjerë që nuk folën as bardhë, as zi”.

Mbërritja e Këlnit

“Ekipi i Këlnit kishte mbërritur në Tiranë. Këlni kampion i Republikës Federale Gjermane, kishte në formacion lojtarët e ekipit kombëtar, Overat, Veber dhe kampionin e botës, qendër-sulmuesin Shafer. Ardhja e tyre krijoi një pështjellim të madh. Befas ishte përhapur lajmi se ata kishin sjellë me vete edhe kuzhinën gjermane. Ata kishin mbërritur me një bagazh ushqimor që do të plotësonte nevojat e ekipit, deri ditën e largimit. Lajmi krijoj konfuzion edhe në qeveri. I duhej dalë përpara kësaj situate që po krijonin gjermanët.

Ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku, një nga udhëheqësit kryesorë të kupolës së lartë të Shtetit Shqiptar, dha porosi urgjente: “Në hotel “Dajti”, të mos mungojë asgjë”. “Për çdo gjë që do të duhet, – kishte thënë Balluku, – të sigurohet nga Italia”. Avioni qeveritar ishte vënë në dispozicion të furnizimit me ushqim që do të vinte nga jashtë vendit. Ishin marrë të gjitha masat. Salla ku u bë banketi shkëlqente nga ndriçimi, veshjet e personelit të shërbimit, perdet, mbulesat e tavolinave, takëmet e shërbimit ishin kërk. Këndoi këngëtari i Operës, Gjoni Athanas. Me një grup të vogël valltaresh, kërcyem edhe ne. Mbrëmja në hotel “Dajti” ishte një festë e vërtetë. Përveç birrave, nuk kishte asnjë pije alkoolike.

Ne ndiheshim të kënaqur që gjermanët i kishin pritur mirë, madje na dukej sikur ata po na sodisnin disi të habitur, ndoshta nuk e kishin menduar që do të gjenin këtë mikpritje. Presidenti i ekipit gjerman, u shpreh në banket: “Jemi shumë të kënaqur nga pritja juaj. Pyes veten, a do të jemi ne në gjendje që në Gjermani t’i përgjigjemi kaq mirë mikpritjes tuaj”? Ndeshja nisi pasditen e 12 shtatorit të vitit 1964. Shkallët e stadiumit “Qemal Stafa” ishin mbushur nga 18 mijë sportdashës.

Dyluftimi përfundoi me rezultatin 0-0. Pati edhe nga ata që hamendësuan se gjermanët e kishin nënvleftësuar ekipin e “Partizanit”. Megjithatë, deri atë ditë ekipet e huaja kishin shënuar në portën shqiptare. Në vitin 1950 kishte shënuar ekipi “Spartakut” të Moskës, më 1951-in, “Dozha” e Budapestit, më 1955-ën, “Ruda Zvezda” e Bernës, më 1959-ën, “Forverst” i Berlinit, më 1959-ën, “Admiraltejec”, më 1960-ën, “Leningradi”, ndërsa “Norçepingu” i Suedisë, më 1962-in, e mbylli ndeshjen duke shënuar 1-1. Tashmë prisnim si do të dilnim në ndeshjen me Këlnin në Gjermani”!

Drejt Këlnit

“Ishim nisur drejt Këlnit. Ëndrra për të parë Botën Perëndimore gëlonte brenda shpirtit tim. Ne ishim fatlumë që do të hynim në palcën e qytetërimit evropian. Në listën përbërëse të ekipit që do të përballonte ndeshjen në transfertë, nuk u futën katër lojtarë: Niko Bespalla, Sul Maliqati. Kolec Kraja dhe Miço Papadhopulli. Në tokën gjermane po hynim nga lart. Avioni i afrohej Këlnit nga një afërsi e vogël. Në rrugën Bruksel–Këln, poshtë nesh, lëviznin dy fije të zjarrta kundrejt njëra-tjetrës. Nga lartësia, ato dy fije të stërzgjatura, të shndritshme, jepnin një bukuri të veçantë.

Dukuri të tilla i kishim parë vetëm nëpër filma. Avioni dukej sikur përtonte të shkonte në qytet. Fluturonte për nga aeroporti shtruar. Të vinte të mendoje se dikush e kishte porositur të ulej ngadalë që njerëzit, pasagjerët të soditnin qytetin në Perëndim të RFGJ-së, afër kufirit me Belgjikën. Tashmë para nesh ishte gjithë Bota e perëndimit. Mbrëmja ishte e bukur. Këlni nga lart, me një bukuri përrallore të mrekullonte, të hutonte Gjermania e famshme, u shpalos para syve tanë. Pas Norcepingut, një qytet Suedez, Partizani shkonte për herë të parë ne Evropën Perëndimore, 20 vjet pas Luftës së Dytë Botërore. Shikonim një qytetërim kapitalist. Gjermanët në një kohë shumë të shkurtër kishin ngritur mbi gërmadha një mrekulli.

Stafi i klubit të Këlnit na vendosi në një hotel luksoz në qendër të qytetit. Menyja e ushqimit vinte në tavolinat tona me porosi të trajnerit dhe mjekut. Brenda kanistrave, vendosur në çdo tavolinë, dallonin dy lloj frutash që ne vetëm u kishim dëgjuar emrin: banania dhe ananas. Aty ku vendosej pjata për secilin lojtar, çdo mëngjes gjendeshin dy çokollata me ara dhe lajthi. Kamerierët nuk harronin që kur uleshim për t’u ushqyer të na pyesnin: “Çfarë dëshironi, përveç asortimenteve të porositura?”

I mrekullueshëm m’u duk ambienti i autobuzit që do të na mbartte deri në çastin kur do të na linte në aeroport për t’u larguar nga Gjermania. Rrugën e parë e bëmë për të parë qytetin. Bulevardet e Këlnit pasyronin dritë. Përveç ndërtesave të reja dhe moderne më bënë shumë përshtypje rrugët, trotuaret, dyqanet, mallrat, ushqimet, paketimet, frutat, perimet…! “Lufta shkatërroi 85 % të qytetit, mbetën pa u prekur kishat dhe spitalet. Ato nuk i goditën avionët e aleatëve”, na tregonte ciceroni.

Ditën e parë në hollin e hotelit dhe në ambientet e tij ia behën lloj-lloj njerëzish: shqiptarë të arratisur, të larguar para Luftës së Dytë nga viset e Jugosllavisë etj. Të gjithë kërkonin të merrnin kontakt, veçanërisht me futbollistët që dalloheshin nga mosha e re. Porositë që na kishin dhënë orientonin që t’u shmangeshim bisedave me shqiptarët, veçanërisht kontingjenteve të ashtuquajtura “armike”.

Drejt stadiumit

“Më në fund kishte mbërritur dita e ndeshjes. Hotelin e lamë kur Këlni vezullonte nga shkëlqimi i dritave shumëngjyrëshe. Nga një vend ku ndriçimi natën ishte një ngjyrësh, pamja magjepse e qyteteve Perëndimore të hutonte: lumë me makina, mizëri me njerëz nëpër trotuare nxitonin drejt stadiumit të Këlnit, gra e vajza të bukura, fytyra me lëkurë të praruar, veshje , këpucë lustrafine. Duke parë nga xhami i autobuzit vështroja gjithçka: lidhëset e këpucëve, cigaret, rripat e mesit, kopsat e këmishëve, syzet, kapelet te femrat, vathët, çantat, byzylykët, krehjen, flokët, kapëset e flokëve, format, ngjyrat.

Stilet i jepnin tjetër botë. Gjithçka për vendasit ishte e zakonshme, neve na dukej çdo gjë e praruar. Përpara autobuzit që na çonte në stadium printe një polic trafiku me motorin e tij ngjyrë blu e parafango të bardhë. Ai kërkonte që të gjitha veturat të hapnin krahun për të dalë në krye të rrugës, aty ku ishin semaforët. Nga trotuari erdhi një përshëndetje me dorë. Personi tundte dorën lart mbi kokë, kurse disa shokë të tij përshëndesnin me kokë. Mendoja: “Është flamuri kuq e zi, aty te xhami” Patriotët tanë ngazëlleheshin.

Te ai flamur kishte mbetur shpirti i tyre. Nga krahu tjetër i rrugës erdhi fort thirrja: “Partizani…, Tirana…”. Megjithëse policia e motorizuar nxitonte, duke na nxjerrë në korsitë bosh të rrugëve, në stadium arritëm pas një ore udhëtimi nëpër rrugët e qytetit. Mbasi u gatitëm si zakonisht, dolëm për nxemje, veshur me fanela të kuqe dhe mbathje të bardha. Sapo lamë prapa dhomat e zhveshjes, u hap pamja verbues e stadiumit të Këlnit. 50 mijë spektatorë! Stadiumi i ndriçuar nga shumë projektorë që lëshonin dritë nga katër kulla metalike të larta e, të habitshme për mua dhe për ata që luanin për herë të parë natën me drita”.

Ndeshja

“Filluam lojën të rrethuar nga një ambient krejt befasues. Ishte 29 shtator i vitit 1964. Në psikikën tonë, të paktën ashtu si e përjetoja unë, vepronin njëherësh ngacmime elektrizuese, emocione, habi e paksa disi frikë. Lin Shllaku e pas tij Fatmiri, (Frashëri) Bardhi (Deliallisi), Miçoja, (Ndini), gufonin: “Asnjë lëshim djema! I pamë në Tiranë, nuk kanë asgjë më shumë se ne!” Ishim në një botë magjike sportive, më se sportive. Atë çast një Teodor tjetër brenda gjoksit tim më foli: ‘O sot, o kurrë! Tregoju lojtarëve rivalë, spektatorëve, shokëve, çfarë je në gjendje të bësh’! Teksa bëja nxehjen, ndjeva se një zhurmë e çuditshme po vinte nga shkallët e stadiumit.

Gjithçka vinte si një rrebesh. Zërat e njerëzve, klithmat, daullet, pizgat, në një ndriçim të pazakonte për një lojtar shqiptar. Herë-herë zhurma bëhej shurdhuese dhe shtrëngimi psikik kërkonte të të çekuilibronte. “Todo më ke prapa, mos u tundo”,- foli Mikel Janku. ‘Unë jam para teje, do të të mbroj mirë, Mikel’, – i’u përgjigja, duke i shtrënguar dorën. “Sukses”, më tha ai. Gjaku po na shpejtonte nëpër vena, nëpër kraharor, zemra rrihte nxituar. 45 minutat e para të ndeshjes përfunduan me rrjeta të paprekura. Dalëngadalë, në pjesën e dytë, në shkallët e stadiumit, spektatorët filluan të shqetësoheshin. Rezultati 0-0 ngacmonte, stresonte ndjeshmërinë.

Nervozimi nga njerëzit te shkallët u përcoll brenda fushës së lojës, te lojtarët gjermanë. Futbollistët gjermanë e ndjenë se u kishte rrëshqitur loja. Situatat e lojës u bënë kërcënuese për portën e vendasve. Panajot Pano, në lojën më brilante të tij deri në atë ndeshje, e çoroditi gjithë mbrojtjen gjermane. Sulmi ynë gjuajti 13 herë, 8 prej tyre ishin në kuadratin e portës dhe 2 prej tyre, portieri i Këlnit, Shumaker, i grushtoi me vështirësi. Këtë bukuri i krijoi sulmi ynë bashkë me Panon. Në 70 minuta, me ndërhyrje shumë të rënda, lojtarët vendas nxorën jashtë lojës, duke e traumatizuar trurin e organizmit të lojës tone, Bert Jasharin, disa minuta më vonë goditën rëndë edhe Panon. Ai doli nga fusha e lojës për t’u mjekuar.

Vetëm pak çaste më pas goditën në gju mbrojtësin tonë të djathë Fatmir Frashërin. Ia arritën qëllimin. Me forca të pabarabarta, gjermanët filluan të kërcënonin rrezikshëm…! Kur për sulmuesit gjermanë u bë e qartë se me luftë të ndershme sportive ishte e pamundur të kaloje në avantazh, atëherë provokuan lojën e rëndë…! Tre dëmtime në pak çaste, me thirrjet e 50 mijë spektatorëve që kërkonin me çdo kusht gol, me qëndrimin indiferent dhe skandaloz të gjyqtarit zvicerian, u shënua në minutën e 78 goli i parë. (K. Grillo, gazeta “Sporti Popullor”: 29.09.1964). Nga vlerësimi i lojës, prej K. Grillos del në pah veçantia e lojës së repartit të mbrojtjes. “Secili lojtar dha maksimumin: Deliallisi, Vaso, Frashëri, luftuan të patrembur për topin e parë. Ndërhynë me guxim dhe evituan në maksimum krijimin e korridoreve nga ana e kundërshtarëve”.

Disa gazetarë sportivë të Këlnit, të ndikuar nga loja e papritur e ekipit të “Partizanit”, dërguan nëpër gazeta fjalë plotë pathos dhe respekt. Duke qenë në rolin e qendër-mbrojtësit, kërkoja të luhej me çdo kusht në rreshtimet mbrojtëse sipas një risie loje. Kur loja luhej në sulmin tonë, kërkoja që mbrojtja të shtyhej përpara, të krijohej mbrojtje me dy skalione; mesfusha dhe mbrojtja të gërshetuara afër. Kjo lëvizje në bllok, krijonte hapësira më të mëdha mbrapa repartit të mbrojtjes, dukuri që lejonte përdorimin e topave të gjatë nga lojtarët e Këlnit. Kjo grackë krijonte mundësinë të futej në veprim shpejtësia ime, në duel me sulmuesit gjermanë. Ai lloj dueli përfundoi me sukses të plotë për ne.

Dyluftimi

Nuk kam parë asnjëherë lojë si ajo, nuk kam ndjerë emocione drithëruese si në atë stadium që ziente me një kumbim shurdhues. Mbi 50 mijë sportdashës thërrisnin: “Duam gol…, duam gol…”! Në 10 minutat e parafundit, me dy lojtarë jashtë të dëmtuar, gjermanët hodhën në sulm 9 lojtarë. Kishte mbetur në sulmin tonë Foto Andoni. Kërkova të kthehej në mbrojtje T. Shehu, në vend të F. Frashërit., ndërsa P. Pano po mjekohej. Në këto çaste, të ngjeshur në mbrojtje, u përgatit goditja e portës sonë. Mbas shumë krosimesh të pasuksesshme, qendër-sulmuesi gjerman me nr 8, Shafer, që luante ballë për ballë me mua, vendosi dorën e djathtë mbi supin tim, nuk më lejoi të kërceja. Topin e goditi ai, duke e kaluar të një shoku i tij prapa nesh. Ai i gjendur i pambuluar, goditi dhe shënoi.

Një fotograf më dhuroi në banket fotografinë ku dallohej qartë Shafer. Kur u shënua goli i parë, atë çast kur me shtrëngim të jashtëzakonshëm Këlni e dërgoi topin në rrjetën tonë, shkallët e stadiumit morën flakë. Fletë gazete dhe letra flakëronin, thirrjet dhe oshtimat si një vullkan gjigant, rrëmbyen dy zemra. Nga shkallët u nxorën dy njerëz që ishin ndarë përfundimisht nga jeta, duke ëndërruar fitoren e ekipit të tyre, Këln. Të nesërmen, në një nga gazetat sportive të Këlnit, shkruante deklaratën e trajnerit të skuadrës gjermane, Georg Knoplle: “Loja e ‘Partizanit’, bëri që për 80 minuta, mbrojtja e tij të bëhej e pathyeshme. Befasuese qe loja e portierit Janku dhe qendërmbrojtësit Vaso. Dy pikat ku ne përqendruam pikësynimet tona për të shënuar gol. Sulmi me të papërmbajtshmin Pano, i jepte frymëmarrje dhe mbrojtjes së tij. Me lojën e tij ai mbartte një pjesë të peshës së lojës. Më pëlqyen portieri Janku, Vaso dhe fantastiku Pano”.

Pas përfundimit të ndeshjes, në mesnatë filloi banketi. Erdhi një çast kur presidenti i futbollit të Këlnit tha: “Luajtët bukur dhe fort, të dy ekipet. Ekipi juaj luajti shumë më mirë se në Tiranë. Më përcollët çaste shumë emocionale. Ashtu si u bë loja, nuk kuptohej kush do ta fitonte ndeshjen”.

Petraq Sinjari

Me avion fluturuam nga Gjermania në Tiranë. Po sillja ndërmend gjithçka kishte ndodhur me gjermanët, por nuk e di pse atë çast m’u shfaq para syve miku im Petraq Sinjari. Një mbas dite kur u radhitëm për të filluar stërvitjen, Petraqi nuk u duk më. Dikush tha se ai ishte shtruar në Spitalin Ushtarak. Po kalonin muaj dhe ai nuk po kthehej. Prindërit e tij na u lutën që t’i kërkonim ndihmë Petrit Dumes që, djali i tyre të kurohej jashtë shtetit. Sinjari vuante nga leucemia. Për këtë arsye se bashku me disa sportistë të tjerë shkuam te Petrit Dume. Gjeneral Dume na priti me buzë në gaz në oborrin e Ministrinë e Mbrojtjes, por me një keqardhje të dukshme na tha: “Leucemia është sëmundje që nuk shërohet, ju vazhdoni t’i qëndroni pranë familjes së atij djali…”! Pas atij takimi ne shkuam në shtëpinë e prindërve të Sinjarit. Babai i tij priste përgjigje: ‘Gjenerali na tha se për Petraqin do të bëhet e pamundura’, i thashë unë, sepse nuk dija çfarë përgjigje tjetër t’u jepja.

Kohë më pas, dolëm të dy me Petron nga dera e Spitalit Ushtarak. Në krahun tim ai ecte bashkë me vdekjen që e kishte zaptuar gjithë qenien e tij. Fytyra i ishte deformuar keq. “Pas pak ditësh do të dal në stërvitje, më tha. Edhe doktorët kështu më përcollën…! Vaso, për kampionatin e ri do të jem gati për lojën…”. ‘Stërvitjet do të të forcojnë…’, iu përgjigja unë. Ditët në vazhdim ia rritën largësinë e rrugës që Sinjari t’i afrohej fushës së futbollit. Veç fanellës së “Partizanit”, djaloshi ezmer me shpirt qelibar, mori me vete përtej jetës dhe medaljen e vitit 1963-‘64 ku shkruhej: “KAMPION”. Nuk e di pse kjo histori po më kujtohej atë çast kur po ktheheshim nga Gjermania…“! përfundoi kështu rrëfimin e tij ‘Mjeshtri i Merituar i Sportit’, Teodor Vaso. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/nen-arbitrimin-skandaloz-te-gjyqtarit-zviceran-me-29-shtator-1964-kelni-na-mundi-2-me-0-dhe-stadiumi-u-ndez-flake-e-dy-tifoze-vdiqen-pasi-deshmia-e-ish-mbrojtesit-korcar-te/