“Ne u mashtruam nga britanikët dhe amerikanët që na premtuan se do na ndihmonin për të rrëzuar Enver Hoxhën, por…”/ Dëshmia e rrallë e ish-kreut të Ballit Kombëtar

Pjesa e parë

Memorie.al / Abas Ermenji (1913-2003) ishte një figurë politike dhe luftëtar i rezistencës antifashiste së periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Ai lindi në Skrapar dhe pasi u shkollua në Berat e Shkodër, fitoi një të drejtë studimi për në Francë,  ku ndoqi studimet e larta në universitetin e Sorbonës vitet 1934-1938, ku u diplomua për Histori. Pasi u kthehet në Shqipëri në vitin 1938, ai emërohet si pedagog në Liceun e Korçës dhe në nëntor 1939, për aktivitetin e tij antifashist, (gjë të cilën ai e kishte demonstruar hapur që në prillin e ’39-ës), kur doli në ballë të demonstratave kundër pushtimit fashist, ai u arrestua nga italianët në Greqi, kur po përpiqej të mblidhte një forcë luftarake, të të internuarve shqiptarë dhe u mbajt në internim në ishullin Ventotene në Itali, deri në vitin 1941. Me kthimin e tij të dytë në Shqipëri, ai u bë një figurë udhëheqëse e Lëvizjes së Rezistencës së Antifashiste, si një nga krerët kryesorë të organizatës nacionaliste të “Ballit Kombëtar” dhe me forcat e tij të armatosura, ai mori pjesë aktive në luftimet për çlirimin qytetit të Beratit, nga pushtimi italian. Ermenji gjithashtu ishte ishte një antikomunist i flaktë dhe kur partizanët e Enver Hoxhës zbritën nga malet dhe morën pushtetin në Shqipëri, ai u arratis në Greqi (1946-1947) dhe më pas në Paris, ku në gusht të vitit 1954, së bashku me Vasil Andonin, themeluan Komitetin Nacional Demokratik Antikomunist për Shqipërinë e Lirë (“Shqypnija e lire”), ku përfshiheshin shumë elementë me prirje nacionaliste që ishin në mërgim. Ermenji u kthye në Shqipëri në vitin 1991 kur u shemb regjimi komunist dhe kur “Balli Kombëtar”, u ri themelua dhe ai e drejtoi partinë në vitet ’90-të. Në periudhën 1949-1951, në kulmin e Luftës së Ftohtë, Abas Ermenji u përfshi në përpjekjet e anglo-amerikanëve, për të përmbysur regjimin komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri. Ai e përshkruan përfshirjen e tij në operacionin e dështuar, në dy intervistat e mëposhtme, dhënë Lordit Nicholas Bethell (1938-2007), autor i librit “Tradhtia e Madhe: Historia e pa treguar e grushtit më të madh të Kim Philby” (Londër 1984).

Rrëfimi i Abaz Ermenjit për Lordin anglez, Nicholas Bethell, në Paris më 15 prill 1983 dhe 23 korrik 1983 

Gjatë Luftës kam luftuar me ‘Ballin Kombëtar’, në Shqipërinë jugore dhe qendrore. Kur komunistët morën pushtetin, unë dola në ilegalitet me një grup të vogël truprojash dhe kalova në Greqi në fund të vitit 1945. Fillimisht më burgosën grekët në Selanik dhe besoj se mund të më kishin eliminuar, sepse ata dinin për firmën time, e cila kishte të bënte me qëndrimin që kisha mbajtur për çështjen e kufijve jugorë të Shqipërisë. Në prill të vitit 1946, më transferuan në Pire dhe më mbajtën aty si rob lufte.

Më vonë më lejuan të jetoja në një banesë të vogël në Pire dhe shqiptarë të tjerë më ndihmuan të jetoja. Aty u afrova nga Julian Amery dhe të tjerë në fillim të vitit 1949 dhe ata më kërkuan të ndihmoja në formimin e Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”.

Amery dhe Mc Lean, thanë se ekzistonte rreziku që Jugosllavia dhe Greqia të bënin një marrëveshje dhe të marshonin në Shqipëri, pasi Tito nuk ishte më aleat i Stalinit dhe Shqipëria ishte e izoluar gjeografikisht, nga blloku sovjetik. Grekët nuk donin të më lejonin të largohesha nga vendi dhe britanikët duhej të ndërmjetësonin te kryeministri, për të marrë leje që të largohesha.

Kryeministri pranoi, por fshehurazi, për të mos humbur kredinë me mbështetësit e “vorio-epirit”. I thashë Amery dhe Mclean, se e pranova propozimin e tyre, por doja të konsultohesha me Mid’hat Frashërin, që ishte në Stamboll në atë kohë. Frashëri ishte kryetar i ‘Ballit Kombëtar’ dhe do të duhej të merrte vendimin përfundimtar. Më lëshuan një pasaportë me emër të rremë dhe më lanë kontrollin në aeroportin e Athinës.

Problemi im në Romë, ishte se jetoja me dokumente false dhe anëtarët e “Bllokut Kombëtar Indipendent” mund të më kishin kapur. Kishte shumë të tillë në Romë dhe kishin ndikim të madh te italianët. Ata i kishin ndihmuar fashistët italianë gjatë Luftës. Drejtuesit e tyre ishin, Ernest Koliqi dhe Ismail Vërlaci.

Amerikanët folën me Mid’hat Frashërin në Stamboll dhe e bindën që të lejonte zogistët në Komitetin “Shqipëria e Lirë”.

Plani amerikan ishte që: Frashëri, të ishte kryetar i Komitetit dhe Abas Kupi, si komandant i forcave të armatosura. Ne menduam se ishte e çuditshme të kishim një president, që nuk ishte edhe komandant i përgjithshëm. Personalisht e mendoja Abas Kupin një komandant të aftë, por shumë të kufizuar nga bindjet e tij mbretërore.

Gjatë Luftës ai, ishte gjithmonë shumë i kujdesshëm dhe nuk u ekspozua. Më pëlqeu, po ju them sinqerisht. Ai ishte shumë i dashur dhe donte të ishin miq të mirë. Ai iu bind urdhrave të Isahn Toptanit.

Unë dhe Frashëri, patëm bisedime të tensionuara me amerikanët se kush do të ishte komandant i përgjithshëm. Disa herë na u desh të ngriheshim dhe të dilnim nga dhoma. Në fund na erdhi ideja e një kryesie, të përbërë nga: Abas Kupi, Said Kryeziu dhe unë. Vetëm pas kësaj marrëveshjeje, italianët ranë dakord të rregullonin pozicionin tim dhe të më jepnin një pasaportë refugjati.

Mendoj se gjysma e luftëtarëve të stërvitur nga britanikët dhe të infiltruar në Shqipëri, u kthyen shëndoshë e mirë, ndërsa pothuajse të gjithë luftëtarët e stërvitur nga Amerika, u vranë ose u kapën! Nuk kishte rrjedhje informacioni nga pala shqiptare, por operacioni u dha e u dekonspirua nga Kim Philby.

Ankesa ime kryesore është se ne u mashtruam nga britanikët dhe amerikanët. Ata premtuan se do të na sigurojnë mjetet për të çliruar vendin tonë. Në fakt, ata trajnuan vetëm një pjesë të vogël të njerëzve. Dhe ata premtuan se, do të fitonin bashkëpunimin e Greqisë dhe Jugosllavisë.

Shumica e njerëzve tanë i gjeta në kampe afër Napolit, të tjerë nga Greqia. Ata e dinin që unë e kuptoja situatën në vend dhe më besuan mua e dolën vullnetarë për të luftuar, sepse unë i binda. Pothuajse të gjithë pranuan. Ata donin të çlironin vendin dhe familjet e tyre.

Ideja ime ishte të mblidhja forca të konsiderueshme dhe t’i hidhja me parashutë në Shqipëri. Ky ishte i vetmi plan, që mund të kishte sukses. Grupet që u dërguan ishin shumë të vogla. Po të kishin ndjekur planin tim, i gjithë populli do të ngrihej kundër komunistëve. Ky ishte mesazhi që sollën grupet tona: “Dërgoni forca të konsiderueshme, pesë ose dhjetë mijë, atëherë i gjithë populli do të ngrihet në revoltë”.

Unë shkova në Maltë për një muaj në korrik – gusht, së pari për t’u dhënë udhëzime, se çfarë të bënin dhe me kë të kontaktonin, së dyti sepse, nuk do të kishin shkuar kurrë, nëse nuk do t’u kisha kërkuar. Megjithatë, kam besuar atëherë dhe besoj tani, se asnjë vend komunist, nuk mund të përmbysej kurrë, me metoda të përmbysjes në shkallë të vogël.

Në fakt, britanikët dhe amerikanët, po e trajtonin Shqipërinë si një “derr maç”. Nëse do të kishte pasur sukses, ata do të kishin provuar një vend tjetër dhe një popull tjetër. Për sa i përket sugjerimit se operacioni ndihmoi në shtypjen e rebelimit komunist në Greqi, ajo që mund të them është se qëllimi ynë, ishte të çlironim Shqipërinë, jo Greqinë.

Operacioni vazhdoi me forca të ‘Ballit Kombëtar’, gjatë gjithë vitit 1950, por në vitin 1951, nuk pranova të ndihmoja më. Që atëherë e tutje, ajo vazhdoi kryesisht me zogistët. Më pas në dhjetor 1953, u përpoqën të rindërtonin Komitetin dhe të përfshinin ish-fashistë, që kishin punuar me italianët. Ne refuzuam të shkonim me këta. Por deri atëherë ne kishim qenë në marrëdhënie të këqija me britanikët dhe amerikanët, për afro dy vjet.

Në vitin 1954, Zogu pranoi që dhjetë ose dymbëdhjetë persona, nga Garda e tij Mbretërore, të hidheshin me parashutë në zonën e Matit. Zogu nuk kishte skrupuj për sakrifikimin e jetës së mbështetësve të tij të ngushtë. Këta burra, u kapën të gjithë nga komunistët, sepse Filbi i kishte informuar. Në emër të tyre u dërguan mesazhe, ku thuhej se “ishin pritur mirë nga popullata”. Kjo i inkurajoi amerikanët të dërgonin edhe më shumë.

Më pas komunistët ekzekutuan jo vetëm shqiptarët, që ishin hedhur me parashutë në vend, por edhe të gjithë ata, me të cilët kishin kontaktuar, rreth 400 persona në zonën e Matit. Ata e bënë këtë vetëm në fund të aferës, pasi amerikanët më në fund e kuptuan se njerëzit e tyre ishin kapur nga forcat e regjimit komunist.

                                                                      * * *

Kolonel Muharrem Bajraktari ishte anëtar i Komisionit Konsultativ, jo i kryesisë. Ai nuk luajti asnjë rol serioz. Gjatë Luftës, ai kërkoi 40 milionë funte, për të formuar një ushtri të madhe pro-aleate në Ballkan. Ai donte ta çlironte Shqipërinë me ar.

Njerëzit që ne zgjodhëm në 1949-ën, kishin marrë pjesë tashmë në luftën kundër fashistëve dhe komunistëve. Ata tashmë dinin të luftonin dhe ishin trima, si shumica e shqiptarëve, si dhe me përvojë në beteja. I zgjodha edhe ata për inteligjencën e tyre, aftësinë e tyre, për të kontaktuar me njerëzit, për të përgatitur rrugën e çlirimit.

Doja njerëz që të ishin të aftë dhe të njohur në vendin ku do të vepronin, të aftë në falsifikimin e lidhjeve dhe mbledhjen e informacionit. Këta ishin 30 vetë që shkuan në Maltë.

Ata e dinin se do të ishte shumë e rrezikshme, por ishin të gatshëm të bënin çdo sakrificë. Njerëzit tanë kishin kontaktuar me oficerë të lartë të ushtrisë shqiptare dhe ishin gati të braktisnin regjimin. Në atë kohë, askush në Shqipëri nuk mendonte se regjimi do të vazhdonte. Vetëm dobësia e pakuptueshme e britanikëve dhe amerikanëve, e pengoi atë të shembet.

Mbështetësit tanë na mashtruan. Ata nuk kishin ndërmend të ndërhynin seriozisht. Dështimi i tyre më serioz ishte që nuk e bindën Titon, të pranonte planin tonë, duke e lejuar atë të krijonte Komitetin e tij nën Tanef, një sllav dhe prokomunist. Komiteti i Tanefit ishte përgjigja jugosllave për Komitetin tonë. Jugosllavët do ta pranonin rrëzimin e Enver Hoxhës, vetëm nëse do të zëvendësohej nga një regjim pro-Titos. Ata nuk do të lejonin që Shqipëria të bëhej demokratike.

Pra, kur britanikët dhe amerikanët filluan të dërgonin desantët e tyre ilegalisht në Shqipëri, jugosllavët bënë të njëjtën gjë dhe po ashtu edhe grekët. Nuk kishte asnjë koordinim. Edhe italianët dërguan një grup të drejtuar nga Alush Lleshanaku, i cili ishte mbështetës i Ismail Vërlacit, djalit të njeriut, që kishte qenë kryeministër i Shqipërisë nën pushtimin italian. Ata ishin familja më e pasur në Shqipëri. Vërlaci u pasua si kryeministër nga Mustafa Kruja, i cili ishte më inteligjent. Grupi Lleshanakut u likuidua.

Kishim qindra shqiptarë emigrantë politikë, që ishin gati të shkonin në Shqipëri dhe të luftonin, ndoshta edhe mijëra. Kur shkova në kampet afër Napolit, për të zgjedhur këta persona, kishte pakënaqësi, sepse kisha zgjedhur vetëm ata 30 dhe jo të tjerët. Të gjithë donin të shkonin. Ne mund të kishim mijëra shqiptarë – dhe të tjerë gjithashtu, bullgarë, kroatë, një forcë mjaft të madhe për të çliruar vendin tonë nga zgjedha komuniste.

Metoda e zgjedhur nga britanikët dhe amerikanët, nuk mund të kishte funksionuar kurrë. Nuk ishte mirë të dërgoheshin grupe desantësh me katër ose pesë persona, për të kërkuar udhëheqës lokalë për të filluar një revolucion. Të gjithë këta njerëz, tashmë ishin shkatërruar nga komunistët. Ne duhet të kishim dërguar mijëra dhe të krijonim zona të opozitës antikomuniste ndaj regjimit.

Ne mund të rekrutonim vetëm aq persona, që kërkuan mbështetësit tanë. Britanikët na thanë se donin 30 veta për Maltën. Amerikanët na thanë se donin një kompani, prej 200 vetash në Gjermani. Kështu që ne nuk kishim mundësi të fusnim më shumë burra në luftë.

Unë vetë nuk shkova në Napoli. I dërgova dikë dhe i dhashë emrat. Dhe ata ishin nën urdhër, që të mos i flisnin asnjë fjalë për këtë, askujt tjetër, madje as vëllezërve të tyre.

Të gjithë shqiptarët emigrantë ishin entuziastë në ato ditë. Britanikët dhe amerikanët, duhet ta kishin marrë seriozisht atë që u thashë.

Njerëzit që përzgjodhëm shkuan në kampin e stërvitjes në Maltë në korrik dhe gusht të atij viti. Unë vetë nuk shkova atje deri në shtator. Kam pasur probleme me italianët për vizën. Përshtypja ime në Maltë, ishte se instruktorët britanikë, ishin të mirë dhe se njerëzit e mi, ishin plot entuziazëm. Isha atje një muaj dhe u largova pasi u dërgua grupi i parë desantues në Shqipëri, pas vdekjes së Frashërit.

David Smiley, ishte shumë i këndshëm. Megjithatë, britanikët nuk pranuan disa nga kushtet e mia. Doja që krerët e grupeve desantuese të më raportonin mua në radhë të parë, pastaj te britanikët. Unë thashë që shqiptarët besnikërinë e parë t’ua japin shqiptarëve të tjerë.

Dhe ata do të ishin më të sinqertë me ne. Interesat tona mund të mos jenë gjithmonë të njëjta, me interesat britanike, e lëre më interesat greke apo jugosllave. Çështja u zgjidh vetëm kur një oficer i lartë britanik, ndërhyri dhe më pas i lejova grupet desantuese të shkonin.

U gëzova sepse disa muaj më vonë, ky oficer më ftoi për darkë në Romë, rrugës për në Lindjen e Mesme. Ai më tha se u kishte thënë kolegëve të tij në Londër: “Kur punoni me përfaqësuesit e popujve të tjerë, mos supozoni se interesat e tyre janë gjithmonë të njëjta me interesat britanike”.

Stërvitja britanike ishte shumë e mirë, më serioze se ajo amerikane. Dhe siguria britanike ishte më e mirë. Kjo për faktin se Malta ishte një ishull dhe sepse amerikanët, kishin besim te zogistët, të cilët ishin një grup pa rregull, disiplinë apo sofistikim.

Gjithashtu britanikët bënë marrëveshje më të mira për dërgimin e grupeve desantuese në Shqipëri. E pashë imbarkimin e parë në tetor 1949 dhe më bëri përshtypje. Nuk ka pasur kurrë ndonjë aksident me dërgimin e desantëve tanë nga britanikët në Shqipëri.

Shtatori i vitit 1949, ishte koha e shpresës së madhe. Fillova duke qëndruar me kolonel Smiley dhe familjen e tij, në shtëpinë e tyre në Maltë. Pastaj pas disa ditësh, u zhvendosa në fortesë. Kapiten Jani Dilo, ishte njeriu që merrej kryesisht me kursantët. Unë informova secilin drejtues grupi.

Më pas u ktheva në Romë, ku banoja në Corso Trieste. U ktheva në Maltë një vit më vonë dhe tashmë kisha dyshimet e mia. Unë u përpoqa të mos krijoja shpresa të rreme me krerët e grupeve desantuese. Nga mesi i vitit 1951, isha i sigurt se nuk do të funksiononte ajo gjë. Memorie.al

                                                        Vijon numrin e ardhshëm

 Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ne-u-mashtruam-nga-britaniket-dhe-amerikanet-qe-na-premtuan-se-do-na-ndihmonin-per-te-rrezuar-enver-hoxhen-por-deshmia-e-rralle-e-ish-kreut-te-ballit-kombetar/