“Në Tetovë ka gruan dhe babanë, është anëtar i ‘Ballit Kombëtar’, dyshohet se punon për policinë, jeton në Damask …”/ Dosja sekrete e UDB-së, për kryetarin e ‘Lidhjes Kosovare’ të SHBA-së, që vdiq 103 vjeç

Nga Elez Osmani 

Pjesa e parë

Jusuf Azemi: “Po ta kem edhe një jetë, unë përsëri do të bëja luftën time për kombin dhe popullin shqiptar, për një Shqipëri Etnike”

Memorie.al / Në fillim të  vitit që lam pas, me 12 shkurt 2023, në moshën 103 vjeçare, ka ndërruar jetë veprimtari më i vjetër i diasporës shqiptare në Amerikë, Hafëz Jusuf Azemi, i cili ka lindur në vitin 1920, në fshatin Dobrosht të komunës së Tetovës. Aty e kreu shkollën fillore, në gjuhën serbo-kroate, ndërsa në Tetovë e ka vijuar edhe shkollën e mesme, medresenë, të cilën për shkak të fillimit të Luftës së Dytë Botërore edhe nuk mundi ta përfundonte. Aty e filloi hifzin (memorizimin e Kuranit), dhe e përfundoi në Damask. Hafëz Jusuf Azemi, si i ri ishte frymëzuar me ndjenja kombëtare, dhe e ka dhënë betimin publikisht për organizatën Balli Kombëtar, në lokalet e shkollës fillore në fshatin Dobrosht.

Jusuf Azemi, që në moshën e rinisë, thuhet në kronikat e kohës, i kishte vërejtur padrejtësitë historike ndaj popullit shqiptar, që në kohën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (1918), e pastaj në Jugosllavinë e Titos, dhe, në fund, deri në shpërbërjen e këtij shteti, në vitin 1999, në shtetin e Serbisë, të cilin shqiptarët asnjëherë nuk e kishin njohur për shtetin e tyre.

Për shkak të rrethanave të rënda shoqërore-politike, pas ardhjes së pushtetit komunist në hapësirën etnike të shqiptarëve, në ish-Jugosllavi, Hafëz Jusuf Azemi, me një grup të rinjsh shqiptarë, ishin detyruar të largohen nga vendlindja e tyre, për ta marrë udhën për në Greqi. Në dokumentet e Sigurimit Shtetëror Jugosllav, (UDB) thuhet se Hafëz Jusufi, dezertoi nga Armata Popullore e Jugosllavisë.

Sidoqoftë, Hafëz, Jusufi u detyrua të mërgojë. Megjithatë, në rrëfimin e tij ai e shpjegon tmerrin që kishin vuajtur shqiptarë në Tetovë, me rastin e hyrjes së komunistëve, gjatë operacionit dinak të organizuar prej sllavëve, me të cilin rast edhe u vranë një numër i konsiderueshëm i simpatizantëve të “Ballit Kombëtar”, kurse një numër prej 650 vetash, u burgosën në Monopolin e Duhanit, në mesin e të cilëve sigurisht se kishte qenë edhe Hafëz Jusuf Azemi, bashkë me 54 fshatarë nga Dobroshti.

Nga ai burgim ai arriti të arratiset, dhe pas një kalvari të tmerrshëm, dikur kishte arritur në Greqi. Nga aty kishte shkuar në Bari të Italisë, për t’u bashkuar pastaj me nacionalistët shqiptarë.

Hafëz Jusuf Azemi në Itali

Pas qëndrimit njëjavor në Bari, i kanë dërguar në qytetin turistik të Santa Maria Di Laukas. Në këtë qytetet i kanë gjetur nacionalistët shqiptarë, mbi një mijë veta, të udhëhequr prej prijësve të “Ballit Kombëtar”, në krye me Mit’hat Frashërin, Vasil Andonin, Zef Palin, Hasan Dostin, e të tjerë, të cilët e kishin preokupim fatin e popullit shqiptar. Në Itali, në Kamp-strehimoren Reggio Emilia, Hafëz Jusuf Azemi e kishte takuar për herë të parë kryetarin e “Ballit Kombëtar”, Mit’hat Frashërin, idetë e të cilit me kohë i kishte për zemër.

Jusuf Azemi, si i ri, në kuadër të “Ballit Kombëtar” kishte zhvilluar aktivitet me shpirt kombëtar. Duke e parë angazhimin dhe vendosmërinë e tij, Kongresi i “Ballit Kombëtar”, i mbajtur në Reggio Emilia të Italisë, Jusuf Azemin e kishte angazhuar për t’i njoftuar anëtarët e “Ballit Kombëtar” nga Kosova, për anëtarësim të sërishëm në “Ballin Kombëtar”.

Këtë detyrë Jusuf Azemi, djalë i ri nga Tetova, e kishte kryer me kënaqësi dhe angazhim të madh. Në kujtimet e Jusuf Azemit, tashti në dritën e historisë kombëtare, thuhet se takimet me burrin e madh të kombit shqiptar, Mit’hat Frashëri, kanë mbetur të paharruara deri në fund të jetës së tij.

Gjatë qëndrimit të Jusuf Azemit në Reggio Emilia, ai kishte pasur fatin që një kohë të shkurtë të banonte në një dhomë të ndarë me batanije me Mit’hat Frashërin. Pastaj në një moment e kishte takuar edhe Shasivar Aliun, kryetar i Rinisë së ‘Ballit Kombëtar’ të Prishtinës, i cili kishte jetuar jashtë strehimores Reggio Emilija, dhe i cili e kishte ftuar në darkë Hafëz Jusuf Azenin, bashkë me Syrja Mexhitin nga Tetova dhe Mit’hat Frashërin.

Ky takim i Jusufit me të lartpërmendurit për të kishte mbetur i paharruar. Takimin me Mithat Frashërin Hafëz Jusuf Azemi e përkujtonte gjithnjë, kurse porositë i thoshte me zemër, ngase ishin mendime që i kishte thënë burri i madh i atdheut Mit’hat Frashëri: “Fjalët e fundit të shqiptarizmit, i kanë Prishtina dhe Tetova”. Këto fjalë i rikujtojnë edhe sot e kësaj dite bashkëkombësit e tij në Çikago.

Në këto vite, po ashtu, Jusuf Azemi ishte dalluar në veprimtarinë e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, sidomos pas shpalljes së tij si përfaqësues, në Paris, më 26 gusht 1949. Angazhimi i tij ishte shtrirë edhe në bashkëpunimin me organizatat e tjera politike, veprimtaria e të cilave kishte frymë kombëtare.

Kur në gusht të vitit 1949, në Paris ishte shpallur formimi i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, në krye me Mit’hat Frashërin, dhe kur ky e mbajti një konferencë për shtyp në Londër, u qortua nga disa autoritete britanike pro-jugosllave, të cilët kundërshtuan fjalët e Frashërit, ku përfshihej edhe “Kosova”, duke thënë se ai duhet të fliste vetëm për ato territore, që ishin pjesë e shtetit aktual shqiptar.

Frashëri e kishte ndërprerë konferencën. Kjo i indinjoi atdhetarët e shumtë, të cilët nuk e pëlqenin një politikë të tillë, e cila e anashkalonte Kosovën. Ata me aktivitetin tyre, synuan formimin e organizata të tjera shqiptare, e të cilat kishin për qëllim të propagandonin dhe ta inter-nacionalizonin çështjen shqiptare të pazgjidhur.

Kështu, në kontekstin e aktivitetit të mërgatës shqiptare, formohet edhe organizata politike “Lidhja Kosovare”, më 1949, për ta përfaqësuar Kosovën në “Botën e lirë”, që e kishte iniciuar Mit’hat Frashëri, në prill të vitit 1949. Mirëpo, pas vdekjes se tij të papritur, këtë ide e vazhdon, e strukturon dhe e realizon patrioti Rexhep Mitrovica.

Fillimisht u quajt “Bashkimi i Kosovarëve”. Themelimi i kësaj organizate, pati rëndësi të madhe, sepse më vonë u anëtarësua në Bashkimin Federal të Grupeve Etnike të Evropës, ku paraqiste problemet e shqiptarëve të Jugosllavisë. Ndërsa, më vonë do ta ndryshonte emrin, dhe do të pranohej si “Lidhja Kosovare”, në dhjetor të vitit 1956, në Bolzano të Italisë.

Hafëz Jusuf Azemi në Siri

Pas qëndrimit në kamp-strehimoret italiane, në mars të vitit 1948, autoritet italiane i dërgojnë rreth 200 refugjatë për në Damask-Siri, në mesin e të cilëve edhe Hafëz Jusuf Azemin. Në Damask, Hafëz Jusufi u regjistrua në Medresenë e Lartë të Shamit. Mirëpo edhe atje nuk e ndalon aktivitetin e tij kombëtar, duke i kontaktuar pa reshtur krerët e nacionalizmit shqiptar në mërgim. Kështu, ai bie në kontakt me Vasil Gërmenjin, i cili në Francë, në vitet 1950-1954, botonte të përkohshmen “I mërguemi”, e pastaj gazetën “Liri e Kombit”, në të cilat shkruante artikuj dhe analiza kundër sistemit komunist.

Ata i akuzonte, përveç të tjerash, edhe për rrugën e gabuar që ndiqte brenda vendit, edhe për tradhti kombëtare, lidhur me fatin e Kosovës etj. Me këtë personalitet jopartiak, Hafëz Jusuf Azemi do të mbante korrespodencë të rregullt nga Siria. Në një letër që ia shkruan redaktorit të gazetës i “Merguemi”, Vasil Germenjit, e cila është gjetur në arkivin e Vasilit, (autori i këtyre rreshtave e ruan origjinalin e saj), ai e përgëzon për punën dhe synimet e tij të drejta, si dhe i jep edhe sugjerimet e tij politike. Letrën po e botojmë për herë të parë këtu.

                 Sh. Sh.

                  V. T

       Redaksisë së gazetës “I mërguemi”

              I ndershmi redaktor!

Dega e “Ballit Kombëtar” këtu në Siri e mori gazetën e dërguar në këtë nëntor. Ju falënderojmë shumë. Shqiptarë të ndershëm me mendime, zemra e shpirtra të lirë e demokratik, çmojnë punën tuaj të ndershme e patriotike dhe mendojnë se do ta bëjmë detyrën patriotike, që mos të shikojmë, përpara karrigen e pastaj atdheun.

Duhet t’i përvishemi punës me gjithë zemër, dhe t’i dallojmë patriotët nga duagjinjtë e të huajve, ta ndajmë thartinën nga ambëlsira, njëherë e përgjithmonë, kështu që, në të ardhmen, Populli shqiptar mos t’u laj këmbët e tyre.

Gazeta na ka pëlqyer shumë, si në parim, e ashtu edhe me stilin e shkrimit. Asht shumë e vërtet se Greqia, deri më tash, një shtet armik, por duhet të punojmë e ti bindim dhe shpresojmë se një ditë do të bëhen miq. Në radhët e popujve, miq në Ballkan i kemi Kroatët, Sllovenët, që nesër do të jenë shtete demokratike. Pastaj nuk duhet harruar Hungarezët.

Por, kemi sot edhe shumë shtete mike si: Siria, Turqia, Transjordania, Iraku, Irani, Libani, Libia, Misiri, Pakistani, Kuvajti, Indonezia, Tunizia e Maroku. Këto që përmenda më sipër, 99% janë me kararin tonë. Ne nuk duhet t’i nënçmojmë, por të lidhim një miqësi më këto shtete.

Duhet ta çmojmë (dimë) armiqësinë e serbëve dhe malazezeve, që dje dhe sot kanë vra e pre fëmijë, pleq e burra shqiptar të Kosovës kreshnike, që ka qëndruar e po qëndron me pushkë në dorë për Shqipërinë Etnike të lirë. Sot serbijanët, nën maskën e demokracisë gënjeshtare të socializmit, mbajnë një milion e dyqind mijë banorë, që përbëjnë 34 qytete.

Thërrasim gazetën tuaj dhe bashkëpunëtorët tuaj, të punojnë për shlirimin e Shqipnisë Etnike, dhe të venë në dukje masakrat e serbëve dhe të malazezve në Kosovë, të bëjnë luftë të rreptë me këta gjakpirësa serb, si ata që janë jashtë, dhe ata brenda, njëjtë kanë një egërsi, kanë të njëjtin shovenizëm.

Duhet ta dimë se në Jugosllavi kena popuj miq që vuajnë si na. Kush janë këta? Këta janë Kroatet, Sllovenët dhe një pjesë e Maxharëve.

Organi juaj i bukur (“I mërguemi”), u nda me rregull por ishte i pakët. Nëse keni mundësi, radhët tjera të dërgoni më shumë.

Tanë shqiptarët e lirë ju falënderojnë me gjithë zemër për punën tuaj. Ne emën të kësaj dege, të Ballit Kombëtar, ju dërgova këtë letër të shkurtër e më pak fjalë.

                              Nderime,

                         Hafëz Jusuf Azemi

Duke e vlerësuar angazhimin, përpjekjen si dhe idetë e shfaqura të Hafëz Jusuf Azemit për çështjen kombëtare, dhe përcaktimin e tij të dinjitetshëm, duke iu bashkuar figurave të njohura politike nacionaliste, të cilat ishin larguar nga vendet e tyre, duke i lënë familjet, të afërmit e tyre dhe popullin në përgjithësi në një gjendje të tmerrshme persekutimi, torturash, ekzekutimesh, internimesh dhe burgosjesh. Në anën tjetër, Vasil Gërmenji, i përgjigjet nga Marseji i Francës:

            Marsielle, më 15 prill 1952 

                Zotit; Hafëz Jusuf Azemi

             Poste Restante, DAMASK SYRIE 

I nderçmi. Zotni Azemi me knaqësinë më të madhe muarrmë letrën tuaj për të cilën ju falënderojmë shumë, veçanërisht ju falenderojmë për urimet të sinqerta që na bëni. Është detyra e gjithë Shqiptarëve të nerçëm dhe të lirë të bëjnë ç’është e mundur për të mirën dhe çlirimin e Atdheut t’onë fatkeq.

Kjo është arsyeja që na bëri që edhe ne të nxjerrim këtë fletë për t’i bërë të ditur Botës Perendimore se ç’ngjet në Vëndin t’onë dhe ai, populli, Shqiptar vuan për pak bukë dhe për shumë Liri.

Po marrim shënim që t’ju dërgojmë më shumë copë të gazetës t’onë në mënyrë që të kenë mundësi t’a lëçitin sa të jetë më shumë bashkatdhetarë. Po të kini mundësi, na jepni drejtimet e miqve t’uaj që i intereson fletorja e jonë dhe ne do të mundohemi t’ia u dërgojmë Darovisht.

Kjo fletore botohet me sakrificat e një grupi patriotësh Shqiptarë pa parti dhe lëfton për lirimin e Atdheut dhe për Bashkimin e gjithë Shqiptarëve kudo qofshin për t’ia arritur këti qëllimi. Ata që mundin të na ndihmojnë me ç’do mënyrë (shkrime, informata, ndihma, materiale) na lehtësojnë punën.

Shumë të fala dhe mos na harroni, duke na shkruar sa herë që keni mundësi.

                             Vasil Gërmenji

Hafëz Jusuf Azemi, tashmë kishte rënë në kontakt edhe me Abaz Ermenjin, e idetë e tij konstruktive dhe patriotike kishin ndikuar dhe e kishin brumosur djaloshin e ri. Ky e kishte përjetuar tmerrin e Luftës së Dytë Botërore në trojet shqiptare, të cilat nga një sundim, ranë në tjetrin. Kjo nuk e linte të qetë. Ai kërkonte rrugë dhe shtigje, nga mund ta vazhdonte rrugën e tij.

Hafëzin e karakterizonte lufta dhe përpjekjet e pareshtura për çështjen kombëtare, kudo që ishte. Me dëshirën më të madhe ai ishte bashkuar me idetë e Mit’hat Frashërit, për Shqipërinë Etnike, duke bashkëpunuar ngushtë më aktivistët e “Ballit Kombëtar” dhe ata të “Lidhjes Kosovare”, siç ishin: Abaz Ermenji, Vasil Andoni, Luan Gashi, Qazim Prodani, Sylejman Meko, Hysni Aliko, Ekrem Bardha, Nexhat Mitrovica, Ajet Rushiti, Osman Shabani, Ismail Kashtanjeva, Ismail Shabani e, të tjerë.

Këta ishin të vetëdijshëm se aktivitetin e tyre politik e kombëtar, e përcillte edhe UDB-ja jugosllave, sikurse edhe Sigurimi Shtetit Shqiptar. Pikërisht për këtë ata nuk mund të shkonin në vendlindje, ku kishin shumë familjarë. Kurse Hafëzi nuk kishte mundur të shkonte në Tetovën e tij të dashur, më shumë se 50 vjet, aty ku i kishte mbetur shoqja dhe një vajzë.

Në “Dosja sekrete e UDB-së”, (f. 571), shkruhet: “Jusuf Azemi, i lindur në rrethin e Tetovës-Jugosllavi, rreth 30 vjeçar. Në vitin 1947 u arratis…, dhe ka dalë në Greqi, ndërsa në vitin 1948 ka emigruar në Itali, dhe po atë vit emigron në Siri. Në Tetovë ka gruan dhe babanë. Është anëtar i ‘Ballit Kombëtar’. Dyshohet se punon për policinë, dhe shkon në konsulta vendesh të ndryshme. Jeton në Teki, Damask”.

Hafëz Jusuf Azemi, për zgjidhjen e çështjes kombëtare kishte synimet dhe idealet e tij, pavarësisht trajtimit që ia bënin kancelaritë e Evropës. Kështu, më në fund nga Siria ai kishte gjetur strehimin e duhur në Amerikë, duke e vazhduar edhe më ngjeshur aktivitetin e tij atdhetar.

Organizata “Lidhja Kosovare”, selia e së cilës gjendej në Çikago, e cila nëpërmjet degëve të veta shtrihej edhe në Nju Jork, Detroit, Boston, Toronto, si dhe në shumë qendra të tjera të rëndësishme evropiane, sikurse në Paris, Bruksel, Kopenhagë, Munih, Romë etj., në ballë të saj, i kishte atdhetarët dhe veprimtarët e shquar së kauzës shqiptare, sikurse ishin: Hafëz Jusuf Azemi, Prof. Luan Gashi, Ajet Rushiti, Bardhyl Shatku, Vasil Andoni, Ekrem Bardha, etj.

Ata në një mënyrë apo në një tjetër dëshironin që edhe çështja e shqiptarëve në Jugosllavi të aktualizohej në botën demokratike. Dhe janë të shumta shkresat, telegramet, letrat etj., që ata ua dërgojnë personaliteteve, organizatave dhe qendrave të ndryshme ndërkombëtare. Ja disa nga ato, të botuara në gazetën ”Besa”, e cila botohej në Stamboll.

BRAVO “LIDHJES KOSOVARE”

Nuk është vetëm “Besa Shqiptare” q’i drejton një bravo “Lidhjes Kosovare”, por mbarë Kombi i katër vilajeteve, ashtu siç thirrej në të shkuarën e afërt. Dihet se pas Luftës së Dytë Botërore, kudo kombet e veçantë kishin bindje se do t’u arrinte në vatrën e tyre Zonja Liria, kreaturë hyjnore për gjithë njerëzinë e 5 kontinenteve.

Mjerisht jo. Jo vetëm Liria e pritur nuk u vajti shumëve në vatrën e tyre, por ajo u ndesh me forcën e egër, dhe një herë, i u grabit edhe një numri kombesh të lirë, sidomos në kontinentin e ndritur që thirret Evropë.

Për para një deziluzioni të tillë, ishte punë e pritur që do të revoltonte popullsia Shqiptare e Kosovës. Ajo s’mund të mohojë trashëgimin a madh të racës vet, duke u bërë shërbëtore e Serbomëdhenjve. “Lidhja Kosovare” kërkon liri jetë, nuk pranon të jetë shërbëtore në vatrën e saj. Ajo është Zonjë atje dhe Zoti në qiell.

Për çdo vjet “Lidhja Kosovare” merr pjesë në kongrese pakicash evropiane për liri dhe bashkim me vëllezërit e saj. Një bravo të veçantë të na lejohet t’i a drejtojmë të Nderuarit Hafëz Jusuf Azemi, për gjithë ç’bën n’Amerikë për Kosovën Shqiptare, ashtu edhe në çdo kongres të përvitshëm pakicash evropiane, me djersën e punës së pastër të ballit tij. (Gazeta “Besa”, organ i Grupit Demokrat Shqiptar në Turqi, mars 1973, nr.220

Një titull tjetër që të bie në sy në këtë gazetë është:

Hafëz Jusuf Azemi në Uashington

“Komiteti i posaçëm për inaugurimin e periudhës së dytë presidenciale, të presidentit Nixon, nga rrethet shqiptare e pat ftuar edhe të ndershim Hafëz Jusuf Azemin, përgjegjësin e ‘Lidhjes Kosovare’ në Amerikë, për te marrë pjesë ne ceremoninë e zakonshme. Hafëz Jusuf Azemi shkoi në Uashington, dhe si gjithnjë, nuk mungoi në këtë rast të veçantë, të bisedonte me Senatorë e Kongresmenë, për gjendjen e Shqipërisë dhe gjithashtu edhe të Kosovës”. Memorie.al

                                                                      Vijon numrin e ardhshëm


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ne-tetove-ka-gruan-dhe-babane-eshte-anetar-i-ballit-kombetar-dyshohet-se-punon-per-policine-jeton-ne-damask-dosja-sekrete-e-udb-se-per-kryetarin-e/