“Në tetor ‘89, në mbledhjen e fshehtë të Byrosë, Ramiz Alia tha; sistemi ynë ka kapitulluar përballë atij kapitalist, ndaj jemi të detyruar…”/ Refleksionet e ish-të burgosurit politik, Eugjen Merlika

Nga Eugjen Merlika

                                                – MASHTRIMI I MADH –

                                     (Demokracia e trukuar dhe komunizmi rozë)

                                    “Shqipërinë do t’a gëzojmë ne dhe fëmijët tanë”

                 Ramiz Alia

Memorie.al/ Sistemi ynë ka kapitulluar përballë atij kapitalist, ndaj jemi të detyruar të ndryshojmë strategji”! Me këtë pohim të sinqertë që binte ndesh me dogmën gjysëm shekullore të “epërsisë së socializmit”, si rend shoqëror, politik dhe ekonomik, Kryetari i Shtetit dhe i Partisë së Komunistëve shqiptarë, Ramiz Alia, në tetor 1989, fillonte fjalën e tij para Byrosë Politike. Ai ishte i vetëdijshëm se ajo fjalë, do të ishte një gursinori mes dy kohëve historike, asaj të socializmit dhe, një tjetre që do t’a pasonte, me gjithë të panjohurat e saj e që do të ishte, në synimin e tij dhe të kastës së kuqe që ai kryesonte, një kapitalizëm rozë.

Viti 1989, i mrekullive të paimagjinueshme të një shekulli luftërash mizore e diktaturash të pashembullta, po ecte me revan drejt fundit të tij. Kishte sjellë flladin e lirisë në vendet e Evropës Lindore që, njëri pas tjetrit, rrëzuan regjimet komuniste që, i kishin sunduar për gati një gjysëm qindvjeti. Muri i Berlinit ishte shembur dhe “perdja e hekurt” mes dy pjesëve të kontinentit mbetej, vetëm një relike e një periudhe historike që, çuditërisht, kishte arritur në stacionin e saj të fundit.

Në Shqipëri ndryshimet epokale të kampit socialist, përcilleshin me një heshtje të përgjithshme, nën të cilën ndizeshin shpresat e vakëta e mbi të cilën vigjilonte si skifteri, arma e mprehtë e diktaturës së kuqe, Sigurimi i Shtetit. Dyshja Ramiz-Nexhmije, që deri atëherë ishte nanurisur në përrallën e përjetësisë së enverizmit pa Enverin, në fshehtësi projektonte një t’ardhme që do t’ju siguronte atyre dhe vartësve të tyre, një pleqëri të rehatshme e pa telashe e, fëmijëve të tyre një sundim të qetë, jo më në një sistem terrori siç, kishte qenë diktatura e kuqe, por në një “demokraci kapitaliste”, në ngjyrën e formën që do t’ju këshillonin “miqtë e Perëndimit”.

Ky ishte thelbi i fjalës së Ramiz Alisë në Byronë Politike në tetor 1989. I arkivuar si “shumë i fshehtë”, për vite të tëra ky dokument, një nga më të rëndësishmit e historisë së Shtetit bashkëkohor shqiptar, ka disa vite që është në duart e shqiptarëve të cilët, nëpërmjet tij, kanë mundësi të kuptojnë e të shpjegojnë të gjitha “enigmat” e periudhës së kalimit nga një sistem në një tjetër. Si i tillë ai vlen të studiohet e të komentohet në hollësi. Fjala është një parashtrim i qartë dhe i detajuar i një projekti të madh, që do të fillonte sendërtimin e tij së shpejti e, do të shtrihej në gjatësi kohe.

Si mbas ish-Kryetarit Alia, ndryshimi i pashmangshëm do të kufizohej në dy pika: “Në respektimin e të drejtave të njeriut e, në pluralizmin politik”. Ishin çështjet në të cilat këmbëngulte Evropa Perëndimore në dokumentet e saj e të cilat, dështimi ekonomik i sistemit socialist, i kishte bërë të detyrueshme për, t’u gëlltitur nga hierarkët e tij. Se sa do të ishin të mjaftueshme këto dy parime bazë, për të ndërtuar një demokraci të vërtetë, e treguan përvojat e këtyre viteve, por e paralajmëroi dhe dinaku Alia, kur parashtroi:

“Të drejtat e njeriut janë diçka brenda nesh dhe mund të abuzohet me to deri diku, por pluralizmi do të bëhet se s’bën. Kundërshtarët tanë do t’i nxisim që të krijojnë parti sa të duan; të majta, të djathta e të qendrës, por gjithsesi këto parti duhet të kontrollohen e drejtohen nga Ne. Programet e themelimit të këtyre partive, do t’i formulojmë dhe do t’i miratojmë Ne. Në krye të këtyre partive, duhet të nxirren njerëz që të përkrahin strategjinë tonë”!

A u zbatuan porositë e Ramiz Alisë në krijimin e partive, apo ato lindën spontanisht nga dëshira e ndrydhur dhjetëvjeçarë me radhë? A ishte një rastësi që në krye të partive u vunë ish- kuadro të regjimit, madje të ardhura edhe nga shërbimet e fshehta, apo ata patën guximin që u mungoi të përndjekurve të diktaturës? A ishte thjesht pasioni i politikës, një mënyrë për të nxjerrë jetesën apo pjesë e strategjisë për të copëzuar opozitën ndaj partisë komuniste “të reformuar”, krijimi i dhjetëra partive në jetën shqiptare? Këto e të tjera pyetje si këto ende, e mundojnë shqiptarin e thjeshtë që nuk arrin dot të kuptojë se, kujt i shërbejnë dhjetëra grupime njerëzish, që quhen parti, kur ritmet e zhvillimit të vendit, nuk kanë krahasim as me fqinjët tanë e, standardi i jetesës njeh ngjitje marramendëse vetëm për kastat në pushtet e, për trafikantët e shkelësit e ligjit.

Të gjithëve u kujtohen kohët e entuziazmit të krijimit të partive, duke filluar nga ajo Demokratike. Drejtuesit e tyre, që hodhën shpejt triskën e kuqe në kosh dhe u vetë shpallën kampionë të demokracisë e të anti komunizmit, flisnin me zjarr e pasion kundër Enver Hoxhës, për krimet e regjimit, mungesën e lirisë etj. Binte në sy fakti se në këto parti, kishte pak ose aspak ish-të burgosur të ndërgjegjes apo, përfaqësues të diasporës antikomuniste. Kjo i detyrohej deri diku dhe ndrojtjes së tyre  e mendimit se populli i indoktrinuar, nuk do t’a kuptonte pjesëmarrjen e tyre në jetën politike, por diku haptas e diku në mënyrë të maskuar dhe mospranimit të drejtuesve të rinj. Këta të fundit që mendonin, sikurse ustai i tyre, se i nevojitej “karta morale”, e të dënuarve të diktaturës, bënin garë në  demagogji për të fituar përkrahjen e tyre.

Partia Demokratike qe ajo që mori në gjirin e saj më shumë ish- të përndjekur. Në vitet e para disave prej tyre u dha poste me rëndësi partiake dhe shtetërore, në nivele të ndryshme. Por aktivizimi i ish-të përndjekurve politikë ishte, vetëm një anë e treguesit të prirjeve demokratike të këtyre partive. Ana tjetër dhe më e rëndësishmja ishte, strategjia ekonomike dhe e reformave që duhet të ndryshonin sistemin.

Thelbi i këtyre reformave ishte njohja dhe kthimi i pronave, pra një rindarje e pasurisë shtetërore ndërmjet qytetarëve, të cilëve gati gjysëm shekulli më parë, Shteti komunist u’a kishte grabitur me dhunë. Qëndrimi i partive qe një ngritje shqytesh e përgjithshme, e përmbledhur në shprehjen shqeto komuniste: “Nuk do të lejojmë të na kthehen bejlerët dhe agallarët”. Ligji 7501, që u miratua thuajse njëzëri nga Kuvendi, si pasojë e një marrëveshjeje ndërmjet demokratëve e socialistëve, ishte themeli i të gjithë prapësirës pas komuniste. Ai ligj jepte tokën në përdorim pa shumë ndryshim nga Reforma Agrare e vitit 1946,  pa synimin që t’i bashkonte sërish forcërisht fshatarët, por edhe pa mbajtur parasysh se e kujt kishte qenë ajo tokë.

Me një ndërhyrje zbukuruese vetëm për dukje, krijohej ideja se Shteti po zhvishej nga pushteti ekonomik, e se popullit i kthehej mundësia e rivendosjes së pronësisë vetjake. Fshatarët ktheheshin në argatë të tokës, që nuk ishte e tyre, por që për një farë kohe nuk do të paguanin detyrimet që rridhnin nga shfrytëzimi i saj. Nuk ishte gjë e rastit që populli në disa zona të vendit, sidomos në pjesën Veri-Lindore, nuk e pranoi këtë ligj dhe vendosi njëzëri kthimin e pronësisë së secilit në kufijtë e para Reformës Agrare. Kasta komuniste, që ishte e vetëdijshme se duhej lëshuar përkohësisht pushteti politik, për të zotëruar në mënyrë “demokratike” atë ekonomik, e kishte hartuar atë me synimin, më pas të sendërtuar, të ruante mundësinë e pasurimit të saj, në rrugë të ligjshme e, më shumë të paligjshme.

Mungesa e përcaktimit të pronësisë, i humbi vendit shortet e investimeve të huaja që, në fillimet e viteve ’90-të, ishin pothuaj të barabarta për të gjitha Vendet e Lindjes, duke çuar në kalendat greke, kohët e vënies së tij në rrugën e zhvillimit ekonomik. Ky dëm i stërmadh që iu shkaktua Vendit, pasojat e rënda të të cilit vazhdojmë t’i paguajmë çdo ditë, ishte rrjedhojë e paaftësisë, e diletantizmit të klasës drejtuese pas komuniste që, nuk arrinte të kuptonte përparësitë e çastit, apo zbatim i një strategjie të paracaktuar? Përgjigjen shkoqur e pa dredha, e gjejmë tek fjalët e Ramiz Alisë: “Ne, “Komunistët Reformatorë”, do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist, të jemi ne dhe njerëzit tanë. Me këtë strategji, brenda dy tre legjislaturave, do të arrijmë që nga klasat komuniste, të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në pushtetin politik të së ardhmes që e kemi planifikuar dhe po e përgatisim vetë….”!

Në zbatim të kësaj strategjie, qemë të pranishëm në fillimin e viteve ’90-të, në sulmin asgjësues të vandalizmit mbi objektet ekonomike, social-kulturale, të tregtisë, mbi mjetet e transportit, madje deri dhe mbi drurët frutorë e jo frutorë, në grabitjet e depove e të dyqaneve. Ky lloj banditizmi, i mbuluar me vellon e “urrejtjes për komunizmin”, i orkestruar nga një rrjetë e padukshme, ish-sigurimsash e anëtarësh të Partisë së Punës, synonte të zotëronte nëpërmjet grabitjes, atë pasuri që kishte mbetur në depot e Shtetit, por dhe të kthente, në dukje, në gjëra pa vlerë, objektet shtetërore. Askush, duke filluar nga Qeveria e papërgjegjshme e “destabilitetit”, të Ylli Bufit, nuk shqetësohej për dëmin e madh që i shkaktohej imazhit të Vendit nga kjo strategji shkatërrimi, në një nga çastet më vendimtare, për të ardhmen e tij.

Mallrat e grabitura do të shërbenin si bazë për të filluar rrugën e pasurimit, ndërsa zhvleftësimi i objekteve, do të kishte si pasojë blerjen e tyre, gati falas, në procesin e privatizimit që do të fillonte së shpejti. Ky i fundit do të bëhej me kritere haptas favorizuese për komunistët që, si mbas parimit të vjetër: “politika në plan të parë”, kishin në dorë të gjitha postet kyç në sektorët e ndryshëm të ekonomisë e, në tregti. Përparësinë në blerjen e objekteve, Shteti i Partisë Demokratike, do t’ja u jepte atyre që punonin në to. Në pamje të parë, ishte diçka e drejtë, në fakt ishte vënie në jetë e strategjisë së krijimit të “klasës kapitaliste”, nga komunistët. Në këtë drejtim do të jepnin ndihmesën e tyre komisionet e privatizimit që, jo vetëm për përzgjedhje klasore por edhe për përfitim vetjak, do të zbatonin çmime krejtësisht në dobi të blerësve. Lidhjet me mjediset e fitimit të paligjshëm në Vendet fqinjë e në ata Perëndimore, sidomos në Itali, do t’i jepnin shkas lindjes së trafiqeve të ndryshme që sollën pasurime marramendëse, në kohë relativisht shumë të shkurtëra.

Kjo ishte strategjia afatmesme e komunistëve por, për çastin, duhej mbajtur vetëm si një synim i fshehtë e i padeklaruar. Për çastin duhej lëmuar fasada, duhej fituar besueshmëria e Perëndimit që, duhej të miratonte rrugën e nisur, për të çelur epokën e paqtimit e të lënies së konflikteve mbrapa krahëve. Për këtë nevoitej një qëndrim i ri karshi të gjithë atyre që, deri dje, kishin qenë “armiqtë e betuar” të socializmit, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ujqit do të vishnin lëkurët e qengjave e, duke sharë sa të mundnin krye-ujkun, do t’ju krijonin viktimave iluzionin se tashmë kishte ardhur koha e tyre. Strategjia ramiziane parashihte, një përmirësim të ndjeshëm të kushteve të jetesës të asaj pjese të popullsisë, që kishte qenë kavje e sprovës enveriste në larminë djallëzore të burgjeve, kampeve të punës e, atyre të internimit për dhjetëvjeçarë me radhë.

Strategjia ishte sa dinake aq dhe e poshtër. Për t’u bërë bindëse në “qëllimin” e saj, i duhej besuar jo ish ministrave të Adil Çarçanit, gazetarëve të “Zërit të Popullit” apo studiuesve të Institutit që kryesohej nga Nexhmije Hoxha, por klasës së re politike, të përbërë nga profesionistë të të gjitha fushave e, ndonjë ish-të burgosuri politik. Kryetari Alia, projekton si në një ekran, ngjarjet e pritshme dhe mundësitë e kanalizimit të tyre, si mbas interesave të caktuara e planit të studiuar deri në imtësitë e tij.

Partia që do të marrë pushtetin, do të shajë komunizmin në themel e në çati. Në këtë mënyrë do të fitojmë simpatinë e Perëndimit dhe të Disidencës Antikomuniste. Ata që janë nëpër burgje, të dënuarit dhe të persekutuarit politikë antikomunistë, do të flasin për ne dhe do të na shajnë. Dhe këta dihet që e urrejnë komunizmin por, do të na afrohen e do të na përkrahin. Neve na intereson karta morale e tyre. Këta do t’i afrojmë dhe do t’u japim punë të parëndësishme; por kurrë nuk do t’i lemë të na marrin pushtetin, sepse Ata, sa të marrin fuqinë, do të fillojnë të hakmerren dhe ne kështu do të bëheshim hyzmeqarët e tyre.

Në zbatim të të drejtave të njeriut, duhet t’u japim edhe kompensimin në para, të burgosurit politikë t’i kompletojmë me komoditete banimi…”!

Përcaktohen kështu qartë kufijtë, brenda të cilëve do të vërtitet demagogjia e stilit të ri, për të arritur në synimin thelbësor që mbetet ruajtja e pushtetit nga rreziku i rënies së tij tek ata që duhej të kishin qenë trashëgimtarët e ligjshëm të tij në kushtet e shembjes së sistemit. Skenari u vu në jetë me një besnikëri të admirueshme, madje lëshimet e detyrueshme qenë më të pakta se sa ata që parashikoheshin.

Sot, në largësi 15 vitesh, ish-të përndjekurit, duhet t’i ngrenë një “përmendore” Kryetarit Alia, sepse po të ishte sendërtuar programi i tij, ndoshta do të kishin patur të gjithë nga një shtëpi e, do të kishin përfituar edhe paratë e dëmshpërblimit për djersën e papaguar, nëpër kampet e punës së detyruar të Shqipërisë Socialiste. Pasardhësit e tij në pushtet bënë garë me njëri tjetrin se, kush mund t’i mashtronte më shumë ata. Problemi i banesave të tyre, që normalisht duhej të ishte zgjidhur në kuadrin e rindarjes së pasurisë së paluajtshme shtetërore, ende sot mbetet një rebus. Me paratë që Shteti u ep si shpërblim, nuk mund të blejnë as banesë për një person, kurse ata, të cilëve u është njohur pronësia e shtëpive të sekuestruara, ende vazhdojnë të shohin qiraxhinjtë “zotër shtëpie”, që paguajnë qira qesharake, më pak se simbolike. Shumë të tjerë, vazhdojnë të sorollaten vite me radhë gjyqeve, siç kishte profetizuar “magjistari Alia”, në tetor 1989:

Të sekuestruarave dhe të shpronësuarve do t’u japim nga një letër në dorë që t’u njihet prona, por asnjëherë nuk do t’u japim pronën e tyre dhe në forma të ndryshme do t’i ngatërrojmë me njëri tjetrin. Ata do të kalojnë nëpër gjykata, ku do të zbatohet rotacion nga Gjykata e Shkallës së parë në të dytën etj. dhe për “defekte teknike” do të kthehen përsëri në të parën…”!

Tuneli i errët i Drejtësisë, një nga problemet e pazgjidhura të gjithë këtyre viteve. Sa drama e tragjedi i janë shtuar shqiptarëve nga vendimet e sallave të gjykatave, sa padrejtësi janë ligjësuar në to. Nga fjalët e regjisorit të pas komunizmit, kuptohet qartë se, Drejtësia ka qenë e telekomanduar, se nuk i ka shërbyer krijimit e fuqizimit të Institucionit të pavarur. Ajo ka shërbyer si mashë, si dora e gjatë e Partisë Komuniste, për të sendërtuar synimet e saj, që mbeteshin përjetësimi i grabitjes së qytetarëve shqiptarë, i nisur më 1945-ën, e përvetësimi me mjete “demokratike”, i pasurisë së tyre. Sorollatjet shumëvjeçare në dyert e gjykatave, që kanë helmuar jetën e shumë njerëzve në këto vite, nuk janë vetëm pasojë e zbrazësirës morale të një pjese të shërbyesve të tempullit të Drejtësisë, por edhe pjesë e strategjisë ekonomike e pushtetore të projektit ramizian.

Pjesëmarrja në jetën politike e atyre që nuk ishin pajtuar kurrë me komunizmin qe, një tjetër aspekt i farsës së mashtrimeve që pësoi ajo shtresë shoqërore, për të cilën, u fol aq shumë në vitet e para të së ashtuquajturës demokraci. Ndoshta nuk do të ishte folur aq, sikur drejtuesit komunistë, të kishin patur mprehtësinë të kuptonin se, fati i keq i shqiptarëve të dënuar nga diktatura, i interesonte pak ose aspak “botës së lirë”. Sigurisht nuk mund t’a dinin as ata, as të përndjekurit e të gjymtuarit e ‘Diktaturës së Kuqe’ se jetët e tyre, të kaluara kampeve e burgjeve, nuk përbënin asnjë shqetësim për atë botë. Ata viheshin në të njëjtin rrafsh me të tjerët, e si të tillë, nuk do të kishin asnjë përparësi në opinionet publike e zyrtare të Perëndimit, për kalvarin e vuajtjeve që komunizmi i kishte detyruar të përshkonin…!

Shumë kush mund të thotë se ajo shtresë, nuk pati njerëz të pregatitur për të marrë pjesë në drejtimin e Shtetit dhe se periudhën e qeverisjes së PD së disa prej tyre arritën deri në postet më të larta të administratës shtetërore. Kjo është pjesërisht e vërtetë, por duhet vënë në dukje fakti se e gjithë klasa politike pas komuniste, me përjashtim të një pjese të socialistëve, ishte e improvizuar dhe diletante, mbasi përvojën politike nuk mund t’a kishin marrë nga spitalet, fabrikat apo institucionet arsimore ku kishin shërbyer. Në këtë kontekst prirja, për të ngushtuar mundësinë e pjesëmarrjes së ish të dënuarve të ndërgjegjes në jetën politike, ishte e maskuar por reale.

Vetë ligji për kontrollin e figurave, i hartuar dhe i shpallur me të madhe si një masë që do të kufizonte pjesëmarrjen e ish- zyrtarëve komunistë në Kuvend, në të vërtetë drejtohej në përzgjedhjen e elementëve që vinin nga ish – “klasat e përmbysura”. Këta duhej të ishin besnikë të Partisë Demokratike, ose drejtuesit të saj, përndryshe, skartoheshin si të papërshtatshëm, gjoja si mbas dokumenteve që kishte në dorë Shërbimi i Fshehtë e të cilat ishin trashëguar nga Sigurimi i Shtetit komunist. Se sa mund të përpunoheshin këto dokumenta, merret me mënd kur nuk ekzistonte asnjë mundësi apelimi ndaj vendimeve të Komisionit.         

Dëmshpërblimi i ish-të dënuarve me punë të detyruar gjatë regjimit komunist, mbetet ende mbas 13 vitesh të rrëzimit të tij një problem pa zgjidhje. Partia Demokratike në pushtet, e njohu si detyrim nga ana e Shtetit por, bëri pak për t’a vënë në rrugën e zgjidhjes. Kompensoi një pjesë fare të vogël në të holla e pjesën më të madhe, e kaloi në “letra me vlerë”, të cilat, në pjesën dërmuese, u kthyen pa asnjë farë vlere për mbartësit e tyre. Një pjesë e vogël e tyre u shit në treg me një të gjashtën e vlerës e shkoi për të pasuruar ata që blinin objektet e privatizuar, pjesa tjetër u gllabërua nga fantazma a’Anglo-Adriatika’ e askush nuk është në gjendje të thotë se ç’fund pati. Partia Socialiste që zëvendësoi Partinë Demokratike, qe më e “sinqertë”, në aktin e mashtrimit, mbasi për ish-funksionarët e saj me z. Fatos Nano në krye, njohu shpërblimet në masën dhjetëfish, nga vlera që kishte caktuar Qeveria e Meksit, për disa vite burg, të dhëna nga Gjykata e Tiranës në vitet 1993-‘94.

Ishin paraparë e paralajmëruar edhe këto dënime në fjalën e Ramiz Alisë, si: “ndëshkime të vogla, sa për sy e faqe ndaj nomenklaturës së lartë komuniste”. Por kur vjen puna për morinë e viteve të të tjerëve, në kompensimin e të cilëve të gjymtuarit e burgjeve varin shpresën e ditëve të fundit të jetës, Nano dhe kolegët e tij përdorin, të gjithë arsenalin e tyre të gënjeshtrave e justifikimeve për, të zvarrisur në pafundësi zgjidhjen e problemit. Ju vijnë në ndihmë në këtë demagogji të ulët, për të mos thënë kriminale, “specialistët” si Shkëlqim Cani apo ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar, në heshtjen bashkëpunëtore të përfaqësuesve të organizmave evropiane apo, diplomacisë së aleatëve të mëdhenj Perëndimorë…!

Çfarë zhgënjimi i llahtarshëm, mbas një gjysëm qindvjeti kalvari të kaluar edhe sepse, shpirtërisht e moralisht e kishin ndjerë veten pjesëtarë të botës Perëndimore! Sa larg ishin iluzionet e tyre për atë botë, nga mospërfillja e përgjithshme me të cilën u shërbyen prej saj. Vite më parë, në një komision me përfaqësues amerikanë që, shqyrtonin kërkesat e kandidatëve për studime në shkollat e larta ushtarake të SHBA-ës, përzgjedhja binte më shumë mbi fëmijët e komunistëve. Një pyetjeje të një anëtari shqiptar se: përse pranoheshin pak fëmijë të ish-të përndjekurve, kryetari amerikan, ju përgjigj se: “Ata janë të mbushur me mllef dhe ky fakt paraqet rrezikshmëri”. Sigurisht nuk mund të përgjithësohet ky episod, por mbetet tregues i një mendësie jo të dobishme, në lidhje me ata që gjithnjë kishin ëndërruar një jetë tjetër. Në përfytyrimin e tyre këtë jetë, e kishin binjakëzuar me botën Perëndimore, parimet, vlerat dhe institucionet e saj. Memorie.al

Mars, 2004

                                                              Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ne-tetor-89-ne-mbledhjen-e-fshehte-te-byrose-ramiz-alia-tha-sistemi-yne-ka-kapitulluar-perballe-atij-kapitalist-ndaj-jemi-te-detyruar-refleksionet-dhe-analiza-e-ish/