“Në qershor 1942, nga dritaret e hapuna të klasës, dëgjohej krisma e pushkës, pasi në nji lagje të qytetit, policia kishte rrethue tre të rij “komuniste”…”/ Kujtimet e ish-të dënuarit politik, nga SHBA-ës

Nga SAMI REPISHTI

Pjesa e pestë

Sami Repishti: – Në Shqipni, nuk ashtë dokumentue e ndëshkue krimi komunist i së kaluemues, nuk ashtë ba “spastrimi shpirtnor”, rrëfimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë komunistë! –

                                                    ‘Nën hijen e Rozafës’                 

Memorie.al / Gjatë viteve ’30 dhe ’40-të të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rijt, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makropolitikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.

                                                        Vijon nga numri i kaluar

“Ti i ke lanë ata sot, në nji kohë kur kanë nevojë për të rij entuziastë e idealistë, me ngrejtë zanin e tyne pa frikë, kundër shtypjes, shfrytëzimit, skllavërisë…! Ti je largue nga frika, sepse sot, kjo përpjekje e jona, asht nji luftë e ashpër, e përgjakshme, që kërkon sakrifica të reja, e ti, nuk je i aftë e koshient, me i pranue. Sot je nda nga shoqnia, je largue nga lufta e drejtë, që na përballojmë me guxim. Unë nuk mund të vazhdoj shoqninë me ty. Do të ishte e padrejtë. Do të isha jo i sinqertë, kundrejt shokëve të luftës, me vazhdue si përpara…”! – Jo! – i thashë me vendosmëni. – Lili, nuk të kuptoj…! Mendoj se nuk asht e nevojshme me folë, për shenjtninë e luftës sonë, për drejtësinë e kauzës sonë…! Lili.

Ti e din mirë se këto janë mësimet që more nga unë, ndigjove nga unë…! Këto ishin bindjet e mia, Lili, që shpreha kur rrijshim së bashku, kur ti, u frikësojshe për fatin tim, sepse e dijshe mire, se ç’lojë të rrezikshme luhej ato ditë, e unë isha ai që të dhashë guxim. Nuk kam humbë besimin në vetvete, Lili, as nuk frikësohem nga sakrificat që kërkon përpjekja jonë…as kam humbë besimin në drejtësinë e kauzës për liri…! – “Mos fol për liri! – më ndërpreu ajo përsëri. – Ti nuk ke ma të drejtë! Ti nuk ban pjesë në radhët tona…:! – Unë do të flas, Lili, – i thashë me zemërim.

– Duhet me sqarue gjithçka. Dëshiroj që ti, të paktën, të më kuptojsh…! Ajo që ngjet tek unë tashti, nuk asht frika as dobësimi i bindjes sime, në kauzën e përbashkët. Por unë po mendoj, Lili. Dëshiroj me gjithë shpirt, ndoshta edhe ma shumë se përpara, me luftue për nji botë, pa të mjerë e pa të shtypun, ashtu si të kam folë sa herë, e kuptoj se entuziazmi jonë ka qenë efekt i hovit rinor e, pastërtisë së zemrave tona…! Diçka tjetër, Lili, diçka që më tmerron, mshehet mbas të gjithë kësaj frazeologjie që na magjepsi…!

Asht kjo frika që kam e, që më ka detyrue, me u tërheqë…! – “Ti je friksue, – ma ktheu ajo tue theksue çdo rrokje të fjalëve të saj. – Ti je friksue, thueje haptas. E vetëm ata që frikësohen, ose mendojnë me tradhtue, vetëm ata largohen nga rruga jonë…! Për mue, ti je sot nji element pa vlerë… ndoshta diçka tjetër…diçka ma shumë…”! – Thueje, Lili, thueje haptas. Në qoftë se nuk ta thotë goja, ta them unë…! Jam nji dezertor! –

“E vërteta asht se ke dezertue! Këtë e thojnë të gjithë shokët e aktivit..! Kështu mendoj edhe unë”! – Në qoftë se dezertim quen, largimin tim nga nji grup shokësh që, me fjalë e me vepra, nuk më frymëzojnë ma, atëherë Lili, ke të drejtë…! Unë jam kryenaltë për atë që jam sot, e jam i lumtun që kam fillue të mendoj për vete, me kokën time, me logjikën time, mbi atë që na rrethon e që ngjet, në botën ku jetojmë…!

Kjo gjendje e re më shkakton vuejtje e, më ka marrë gëzimin e pakujdesisë djaloshare, tue më hedhë në krahët e vetmisë. Por kjo përpjekje që kam përqafue, me kënaqë pa kufi e, më jep fuqi të mjaftueshme me vue veten pa frikë, para gjyqit të ndërgjegjes, me shqyrtue çdo hap, e me thanë “Ndal!”, çdo herë që më rrëmben entuziazmi…! Ti nuk më sheh tue qeshë, Lili, as tue ecë plot jetë e gjallni si përpara, e ti mendon ndoshta që kam kuptue gabimin…”!

Jo Lili! Sikur të ishte e mundun, do të tërhiqsha shumë fjalë që të kam thanë atëherë. Por e shoh se sot, asht e kotë me folë me ty. Ti je e dalldisun! Ti po kalon nëpër nji fazë indoktrinimi, që unë e tejkalova. Asgja tashti, nuk ashtë ma logjike, ma e drejtë, ma idealiste për ty, se ajo që ndigjon në mbledhjet e aktivit. Edhe kur je vetëm, ajo të ndihmon me u ndie pjesëtar i nji shoqërie të madhe njerëzish, me mision fisnik.

Ti nuk je vetëm, Lili, e ky asht nji ngushëllim i madh për ty. Sot, ti je entuziaste, unë të kuptoj, ashtu si kam qenë edhe unë, por kam frikë se, e gjithë kjo që sheh e ndigjon, në rrethin ku jeton sot, ka me të ngulitë në zemrën tande ndjesi, që nuk janë aspak njerëzore, Lili…! Nuk janë aspak njerëzore. – “Shumë shpejt ke mësue me folë gjuhën e armikut”, – ma ktheu ajo.

– Duket se po përvetëson propagandën e tij. Por unë nuk e kam në mend me u lodhë tue kundërshtue, atë që ti ke arrijtë me forcën e logjikës tande…! Ti mund të mendosh sa të duesh, por mbaje për vete…! – “Unë jam e bindun, se nuk ka logjikë ma të drejtë, se logjika e rrugës sonë. Kushdo që nuk e pranon ose kundërshton, ashtë armik që duhet urrejtë e luftue pa mëshirë…”! – Me urrejtë, me urrejtë! Ke të drejtë Lili. Në qoftë se kjo, asht e vetmja rrugëdalje që të çon në plotësimin e idealeve tueja, Lili, me lejo të them haptas, se ke humbë shumë, ndoshta gjithçka…!

Ti ke humbë çka ashtë ma fisnike tek ti, Lili, ke humbë çka asht e jotja, vetëm e jotja, – thashë me zemër të vrame. Lili nuk u përgjegj e, u largue pa përshëndetë. E kujtojsha me dhimbje fytyrën e kësaj vashe të re entuziaste. Ajo po kalonte nëpër procesin e formimit ideologjik, që i bante thirrje emocioneve, po kalonte nëpër fazën që i zhvishte të rinjtë, nga sentimentet e tyne natyrale e fisnike, që u ngjallte mosha, nëpër fazën e çnjerëzimit, që më revoltoi në kohën e përgatitjes sime. E shikojsha me dhimbje këtë viktimë të re, e kisha të qartë rrugën që do ta çonte atë në shkatërrim…e u ndiejsha i pafuqishëm, me ndihmue. “E mjera Lili”!, thashë me vete.

Koha e provimeve të pjekunisë po afrohej. Landa e mësimit për përgatitje, ishte e madhe. Përpjekjet me e zotnue, vazhduen për disa javë e, konsumuen të gjitha energjitë tona. Kishim formue grupe të vogla studimi e, veprojshim si kolektive pune. Tekste, dispensa, fletë shënimesh, grumbulloheshin e kalojshin dorë më dorë. Kësaj radhe, ndamja e klasës u duk qartë. Edhe në këtë periudhë të fundit kur po përgatiteshim, jo vetëm me lanë bankat e shkollës, por edhe shoqëninë që na mbajti të lidhun për kaq vjet me rradhë, grupi i “shokëve komunistë”, nuk pranoi bashkëpunimin me “të tjerët”.

I shihsha “ata”, të gjithë së bashku, të nënshtruem nji studimi sistematik e këmbëngulës. Në përgjithësi, “ata”, ishin studentë seriozë. Por kur rasti e sjelltë që, nji student, jo i rrethit të tyne, të kërkonte ndihmë, ose material studimi, “ata” e anashkalojshin kërkesën, me mjeshtri. Për mue, ky qëndrim ishte i qartë. Në çdo hap të jetës, ata mbeteshin konsekuentë. “Ata” nuk kishin shok çdonjërin, që nuk ishte “shok i rrugës”!

VI

Qershor 1942. Ishte dita e provimeve të maturës. E gjithë klasa ishte e elektrifikueme. Nga dritoret e hapuna, vinte e qartë krisma e pushkës. Në nji lagje të jashtme të qytetit, policia kishte rrethue tre të rij “komuniste”, që luftojshin me guxim të rrallë. Askush nuk mendonte, për trajtimin e temës. Nuk dijsha çka të shkruej. Në mendjen time, sillej skena e rrethimit që më rrëmbeu, ndërsa në zemër, ndiejsha afërsinë vllaznore me të panjohunit që luftojshin, e vdisshin burrnish, për nji ideal. Po ndërtoheshin piedestale të rij heroizmi, krahas me ata të traditës, që na mësonte historia e vendit tonë. Legjenda e Oso Kukës, po përtërihej në qytetin tim, e për nji popull, që kishte këndue kangët e lavdisë, për ma shumë se nji shekull.

Vdekja për atdhe, nuk ishte ma fantazia e ndezun e mësuesit tonë. Ajo u ba përvoja e ditëve tona, e pranishme, e plotfuqishme në thirrjen e saj, për therori! Ashtu si për të gjithë të rinjtë e vendit tim, në ato ditë, kjo ngjarje shkaktoi nxitjen e ndjenjave tona dhe në trajtimin e landës për provim. I revoltuem shpirtnisht, ajo brumosi materialin që përpunova për hartim. Ajo më krodhi në mendime që më bajshin kryenaltë, qysh ne bankat e shkollës fillore e, që në çdo çast, më naltësojshin shpirtënisht, tue përjetue lavditë e fitoreve të koruna, gjatë historisë sonë të vështirë kombëtare. Krisma e armëve, ishte sinjali i forcës së madhe morale, të nji populli liridashës.

                                                                      ***

Mora dëftesën e maturës me përfundime të mira. Vrapova prej gëzimit, e ndava me prindët, atë që ndiejsha përbrenda. Në dhomën e tij, baba që plakej, u kënaq shumë kur unë, i papërmbajtur, i tregova përfundimet. Më përqafoi me krahët e tij të gjanë e, i mbështetun në parzmin e tij, e ndjeva veten të lumtun, tue mendue për këto çaste gëzimi, që po i dhurojsha. “Të lumtë”! më tha, e përsëri, “Të lumtë”!

Nana u duk në pragun e derës, e pa qenë nevoja me i tregue, ajo kuptoi. U shkëputa nga krahët e babës, e shtrëngova nanën me të dy duart në qafë, ndërsa buzët e saj, më njomën ballin e të dy sytë. Nuk foli. Në sytë e saj, lot gëzimi tregojshin gjithçka. Isha me të vërtetë i lumtun! Gjithë atë ditë e kalova me vllaznit e motrat ma të vegjël. Isha ende i ri, por rrethanat më detyrojshin me u burrnue sa ma shpejt…!

                                                                     ***

Me mbarimin e provimeve, si mbas nji tradite shkollore, duhej të mblidheshim me festue fillimin e nji jete të re. Hapi i parë ishte nji fotografi e përbashkët me grupin arsimor. Shikoj fytyrat e njizetë e tetë shokëve maturantë, e më bjen në sy heterogjeniteti i këtij grupi të rinjsh. Rrymat ideologjike të botës së jashtme, kishin depërtue, me të gjithë helmin e tyne në vendin tonë të vogël e, pa përvojë politike.

Ata kishin përpi mendjet e të rinjve sidomos, e krijue nji atmosferë aq armiqësore, sa edhe nji vjet ma parë, do të kishte qenë e vështirë me parapa: idealistë, nacionalistë, elementë që kundërshtojshin okupacionin, partizanë të komunizmit ndërkombëtar, e “menefregistë”: ishte nji laramani e çuditshme tipash e karakteresh, në nji klasë të vetme, në nji qytet të vogël shqiptar. Ato ditë, vlera e profesorëve, nuk gjykohej nga profesionalizmi i tyne, por, nga rryma politike që përqafojshin; nga ajo që na quejshim; respekt për mësuesin, nuk kishte mbetë veçse kujtimi. Mësuesi, idhulli jonë i mëparshëm, ishte rrëzue nga piedestali. Shoqnia shqiptare, kalonte nëpër nji krizë të thellë morale.

Të shpërndame nga jeta e gjendja e krijueme në vend, filluem me kërkue shtigje të reja për të ardhmen tonë. Nji shteg i këtillë u hap, me provimet konkurruese për nji bursë studimesh universitare. Në nji sallë të madhe të kryeqytetit, 112 kandidate të kualifikuem, konkurojshin për 28 bursa studimi. Të gjithë hyjshim me shpresë se ky provim, do të ishte porta që hapej për mjekë, inxhinierë, agronomë, profesorë, avokatë, arkitektë të diplomuem, etj.

Të gjithë punojshim me këmbëngulje. Fantazia jonë fluturonte në aulat universitare të nji shteti europian. Mbas dy ditësh, mora njoftimin se kisha fitue nji bursë studimi, pranë universitetit të Firenzes, Itali. Por shumica e pjesëmarrësve, ishin të dëshpruem. Të jesh i vorfën, pa mjete, pa ndihmë, e të humbësh mundësinë e vetme që jepet, me ecë përpara, ishte nji grusht i rëndë, efektin e të cilit e pashë qartë, të shprehun në fytyrat e zymta.

Me provimin konkurrues, bajshim hapin e parë në jetë. Tashti çdo gja varej prej nesh. Për të parën herë hyjshim në garë me njeni-tjetrin, për nji bursë studimi, që shoku ma i ngushtë rrezikonte me e marrë. Ishte nji ndjenjë e çuditshme. Ishim krah për krah, e megjithatë, shikoheshim si rivalë…! Ishte grushti i parë i nji realiteti të hidhun, të jetës. Me afrimin e shtatorit, fillova përgatitjet për udhëtim në Firenze. Rruga ishte e gjatë dhe e rrezikshme, për arsye të luftës, që ndërprente kalimin e lirë të Adriatikut.

Në familje, të gjithë ishin të shqetësuem për largimin tim e, për nji kohë relativisht të gjatë. Çdonjeni kërkonte me ba diçka për mue, me më inkurajue me nji fjalë, ndërsa unë, me gjithë zemrën e randë, që më shkaktonte largimi nga familja, kisha fillue me andrrue jetën time, si universitar i ri, pa detyrime familjare. I zhytun në nji ambient kulturor e artistik, shumë ma të naltë se ai i qytetit tim, isha i vendosun me studiue sa ma shumë, në degën që kisha zgjedhë me pasion, historinë moderne.

Ditën e nisjes u përcolla nga shumë të afërm e shokë, e në mbramje, hypa në anijen e madhe të mallnave, bashkë me nji grup të vogël studentësh, nga qytete të ndryshme. Ishte udhëtimi im i parë, nga porti i Durrësit, me nji anije. Nji botë e re hapej para meje, e unë e përpijsha me etjen e madhe të udhëtarit, që kërkon viset e panjohuna. Para nisjes së vaporit, që do të udhëtonte gjatë natës, kapiteni na tregoi “salvaxhentet”, që duhej të përdorshim në rast rreziku. Na i morëm menjëherë, i veshëm mbi rroba e të mobilizuem nga frika e nji tragjedie në det, i mbajtëm në trup, deri në zbarkim. Gjatë natës sodita detin e qetë e të pafund dhe bukurinë e qiellit plot yje, në atë muej shtatori.

Ishte nji heshtje e plotë që trazohej vetëm nga të rrahurat ritmike të motorit të anijes, që më kujtonte tik-taket e nji sahati të madh…! Megjithëse i përgjumun, nuk kisha guxim me fjetë. Ideja e tragjedisë, më mbante të zgjuem e të kujdesshëm. Pritsha me padurim me pa bregun tjetër, sado larg të ishte ai. Qenia në mes të detit, i ulun mbi kuvertë e mbështetë mbas nji arke ku mbaheshin litarët, me sytë drejt Perëndimit e në terrin e natës që dukej e pafund, më krodhi në mendime, sidomos mbi qëllimin e udhëtimit, për studime në nji vend që ishte pushtuesi i atdheut tim.

Dilema morale zente padyshim vendin qendror në kuadrin e meditimeve të mia, e hidhte nji hije të rëndë, mbi gëzimin që ushqente mundësia për studime universitare, në nji qendër kulture të njohun, si qyteti i Firenzes. Ideja, e pranueme vullnetarisht dhe me entuziazëm e luftës kundër pushtuesit, mbetej e paprekun ne thelbin e saj e, nji fortese e pathyeshme në mendjen e zemrën time. Atëherë, pse largohem nga atdheu, kur ai më thërret e, kërkon sakrificën time?! Çdo shpjegim që gjejsha, ishte nji justifikim i dobët! Disa herë më vinte në mend edhe fjala “dezertor”, që më kishte mbetë në tru, qysh nga dita kur Lili, më akuzoi për frikë e dobësi në luftë.

Kjo më mundonte shumë, e megjithëse isha i bindun se shoqnia që kisha përbuzë, ishte angazhue në nji rrugë metodat e së cilës, ishin të papranueshme për mue, e që mendojsha unë, do të shpinte në nji qorrsokak të rrezikshëm. Unë nuk isha në gjendje me mohue admirimin tim, për të gjithë “ata”, që ishin angazhue me bindje, në luftën kundër pushtuesit italian. Më dukej sikur “ata”, e kishin zgjidhë problemin e shtruem, kishin pranue logjikën e paraqitun, kishin adaptue terminologjinë që e shoqnonte këtë logjikë, tue evitue kështu dilemën e brendshme, në mes të “së keqes”, e “së mirës”, që shkaktonte aksioni. “Ata”, ish shokët e mij të liceut, nuk “humbshin” kohë, me mendue! Dilema e tyne, zgjidhej me aksion, e aksioni pakësonte e disa herë eliminonte, nevojën me mendue…!

A ishin “ata” të lumtun? Nuk e dijsha! Kënaqësia e tyne dukej e natyrshme, të paktën në sipërfaqe e, në raportet me të tjerët. Aksioni për ata ishte zakonisht manisheist, bardhë e zi, pa zona të murrme në mes. Ai vleftësohej nga suksesi ose, mossuksesi i arritun. Çdo aksion i entuziazmonte, ndërsa mos-suksesi individualizohej, e i mveshej në kurriz “deviacionistëve” e, “fraksionistëve”. Aksioni në vetvete, ishte gjithherë i mirë e konfirmonte “drejtësinë e kauzës”. Por unë isha në nji tjetër situatë.

I larguem nga “aksioni”, si shprehje konkrete e lëvizjes masive të rezistencës kundër pushtuesit, unë kisha marrë rrugën e dyshimit, që më hidhte në krahët e mendimit e gjykimit vetjak. Mendimi më rezervonte të drejtën me shqyrtue e me dënue, pikësynimin e formën e zbatimit të aksionit. Mendimi nuk lejonte pranimin e “aksionit” a priori, e si rrjedhim përkrahjen e tij, pa hezitim.

E vërteta ishte se unë, e ndiejsha veten jashtë botës së shokëve të mi, se isha në nji gjendje politike fluide dhe, nga mos dëshira e pjesëmarrje, në nji aksion kolektiv, që nuk e aprovojsha, me qëllim që të merrsha veten, po u largojsha drejt nji shoqnie tjetër, jo të polarizueme, në shoqninë e librave e aulave universitare. Ndjekja e studimeve universitare, shpresojsha, do të zgjanonte horizontin tim, do të hapte për mue dyer të reja, të panjohuna deri atëherë, e do të bante të mundun marrjen e nji qëndrimi ma të pjekun, ma të studiuem, e shpresojsha përsëri, edhe ma drejtë…! Megjithatë, nuk isha i qetë!/ Memorie.al

                                     Vijon numrin e ardhshëm


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ne-qershor-1942-nga-dritaret-e-hapuna-te-klases-degjohej-krisma-e-pushkes-pasi-ne-nji-lagje-te-qytetit-policia-kishte-rrethue-tre-te-rij-komuniste-kujtimet/