Nga Robert Cipo
Pjesa e parë
“Si dhe pse i eliminoi Sigurimi i Shtetit, dy bashkëpunëtorët e tij, që punonin prej vitesh në dy ambasadat më të rëndësishme në Tiranë?!
Memorie.al / Lidhjet mbi 20-vjeçare të oficerëve shqiptarë me mafien napolitane. Si u prodhuan e u trafikuan antitank dhe automatikë për luftë urbane? Ku shkuan dollarët e përfituar dhe si kryheshin transaksionet bankare? Për më shumë se dy dekada, krimi i organizuar italian dhe Sigurimi i Shtetit Shqiptar, kanë bashkëpunuar në mënyrë aktive. Dokumentet autentike, që po i paraqesim lexuesit, tregojnë se “Kamorra” napolitane dhe Sigurimi, bashkëpunuan për trafikun e armëve luftarake, automatikë të përshtatshëm për guerilje urbane (e ashtuquajtur lufta popullore partizane në qendra të banuara). U bashkëpunua edhe për trafikimin e armëve kundër mjeteve të blinduara të tipit “raketë antitank”.
Kishin kaluar pothuaj 4-5 vjet, që kur kisha përfunduar së shkruari Monografinë mbi jetën e tim eti, dhe akoma nuk po gjeja një botues. Fillova të merrem me gjetjen e ndonjë botuesi, për të shtypur librin. Ju drejtova një shokut tim, i cili ishte marrë me këtë punë dhe ishte ai që më rekomandoi një mikun e tij, botues i panjohur, të cilin një mëngjes ma solli në shtëpi për të biseduar.
Në bisedë e sipër, mora vesh se gjatë rrugës për në shtëpinë time, duke biseduar midis tyre, miku im dhe shoku i tij botues, ky i fundit kishte marrë vesh se unë kisha punuar si përkthyes në Ambasadën Italiane dhe kur erdhi tek unë, më tha: “Unë jam i biri i Idrizit, ish-kopshtarit të Ambasadës, i cili si të kujtohet, vdiq gjatë periudhës kur punonte në Ambasadë dhe unë me kursimet e babës, mbasi erdhi demokracia këtu tek ne, fillova të merrem me botime”.
Të gjitha këto, po m’i thoshte me një buzëqeshje të çuditshme, sikur po deshe të thoshte; “im atë një copë kopshtar dhe kish lënë trashëgim, mijëra dollarë, sigurisht që edhe ti, si përkthyes, nuk do të jesh pa gjë”! Ndërkohë me ndërhyrjen e një kushëriri, gjeta një botues tjetër dhe libri u botua, por herë pas herë më vinte ndërmend i biri i kopshtarit. M’u kujtua se, kur punoja si daktilografist në Spitalin Nr.1 të Tiranës, erdhi të punonte si kopshtar edhe Idriz Muço, me të cilin zura miqësi.
Mbaj mend se një mëngjes më takon Idrizi, në lulishtet e spitalit dhe më tha se ishte transferuar po si kopshtar në Ambasadën Italiane. Unë, pas disa viteve që kalova si laborant në Institutin e Higjienës (mbasi praktikisht nuk më lejohej të kryeja punë më me përgjegjësi, për arsye se isha përjashtuar përgjithmonë nga gjithë shkollat e Shqipërisë dhe në pamundësi për të vazhduar shkollën e lartë), më propozuan të kaloja në vitin 1974, në shërbim të Zyrës Shërbimit të Trupit Diplomatik, meqenëse isha njohës i mirë i gjuhëve të huaja.
Dikush që shkova dhe u konsultova me të, më tha se gjithë punonjësit shqiptarë të ambasadave, duhet të ishin të gjithë agjentë-informatorë, apo “Bashkëpunëtorë të Sigurimit”. Kjo më trembi pa masë dhe bëra çmos, për ta zgjatur sa më shumë përgjigjen e propozimit, që më ishte drejtuar për të punuar si përkthyes në Ambasadën e Kubës. Por erdhi një çast, që kjo gjendje nuk mund të zgjaste më. Kishin kaluar dy vjet.
Tashti ishim në vitin 1976 dhe më kërkohej një përgjigje e shpejtë dhe përfundimtare. Atëhere shkova në Ministrinë e Jashtme dhe kërkova takim me një shokun e vëllait tim, i cili kishte qenë edhe diplomat në Austri dhe Jugosllavi, dhe ja parashtrova çështjen, duke ja thënë cope; se nuk desha të bëhesha informator i Sigurimit.
Ai qeshi dhe më tha; “as mos të të shkojë mendja, se do të bëhesh informator apo bashkëpunëtor. Në çdo Ambasadë, kemi kohë që kemi gjetur nga një person, shqiptar apo i huaj, këtë nuk po t’a them, nga ata më të parëndësishmit dhe që është vazhdimisht në lëvizje, për të hapur sytë dhe për të na dhënë informata, në rast se do të kërkohen. Ti rri i qetë dhe puno me ndershmëri. Të tjerat, janë vetëm thashetheme dhe përhapen sa për të trembur njerëzit.
Kështu që punova për pesë vjet tek Kubanët me gjuhën Italiane, sipas vetë kërkesës së tyre dhe me vonë me atë Spanjolle, që e mësova po aty. Pas gjithë këtyre viteve, më thanë se duhet të kaloja në Ambasadën Italiane, pasi nuk po gjenin asnjë me atë gjuhë, që t’i përmbahej kushteve që kërkoheshin për të punuar nëpër Ambasada. Fillova të interesohesha, se cilat mund të ishin këto kushte. Në radhë të pare, më thanë se nuk duhet të ishe komunist. Në radhë të dytë, as edhe ndonjë pjesëtar tjetër i familjes, nuk duhet të ishte komunist.
U habita, mbasi mendoja se duhet të ishte krejt e kundërta. Më sqaruan se herë pas here, bëheshin mbledhje të Komitetin Qendror të PPSh-së dhe aty trajtoheshin probleme të rëndësishme për vendin tonë, por këto mbledhje apo Plenume (siç quheshin) fillonin të botoheshin në shtypin e kohës, vetëm mbasi kishin kaluar të paktën dy-tre vjet, kështu që e kishin humbur aktualitetin. Në këtë mënyrë, punonjësit shqiptarë të ambasadave edhe sikur të donin, nuk kishin mundësi, për t’i marrë vesh diskutimet dhe veçanërisht vendimet e Plenumeve.
Megjithatë, duke patur për bazë bisedën me shokun tim diplomat në Ministrinë e Jashtme, vazhdova rregullisht punën, pa u shqetësuar për asgjë tjetër. Me kalimin e ditëve, vura re diçka mjaft të çuditshme. Kopshtari i Ambasadës, I. M., megjithëse ishim njohur që kur punonim së bashku në Spital, kishte filluar të bëhej mjaft serioz.
Edhe kur bisedoja me të për probleme të zakonshme dhe familjare, i binte shkurt dhe gjente gjithmonë shkaqe për t’u larguar, se; “kam shumë punë”. Por nga ana tjetër, e shikoja se e kalonte ditën duke u sjellë vërdallë, tek pemët e frutave të bahçes së Ambasadës dhe vazhdimisht, hante prej tyre, meqenëse italianet vetë, nuk i preknin me dorë frutat e kopshtit, mbasi e konsideronin si turp, që një diplomat, të hajë nga pemët e bahçes, ndërsa kishte mundësi t’i blinte me çmim të lire, te dyqani i diplomatëve.
Idrizi, shpesh na tregonte se meqë territori i bahçes ishte mjaft i shtrirë dhe plot me bar, kur vinte periudha e nxehtë e verës, kishte gjithmonë frikë, se mos nga ndonjë shkëndijë apo nga nxehtësia e ambientit, bari mund të merrte flakë. Kështu që ai shpesh në periudhën e verës, nuk vente fare në shtëpi, po e kalonte edhe natën ne Ambasadë, duke ruajtur territorin nga ndonjë djegie. Na bëri gjithashtu përshtypje, kur ishim mbledhur një ditë në Drejtorinë e Zyrës Diplomatike, sepse na u prezantua një punonjëse e re, në ambientet e Ambasadës Italiane.
Meqë ajo nuk dinte asnjë fjalë italisht, kërkonte nga punonjësit e tjerë të ambasadës, ta ndihmonin për të kuptuar kërkesat e personelit Italian, si dhe çfarëdo që të kishte nevojë për aktivitetin e saj. Akoma pa mbaruar fjalën N/Drejtori, ishte I. M., ai që e mori fjalën, duke deklaruar se; do ta ndihmonte këtë punonjëse të re. Të gjithë ishin kthyer nga unë, për të dëgjuar çfarë do të thosha dhe u habitën nga fjalët e Idrizit, që ai “kopshtar”, merrte përsipër ta ndihmonte.
Të gjithë të pranishmit në mbledhje, filluan të qeshin dhe mendonin, se duhet të ishte përkthyesi, ai që duhej të angazhohej, për të ndihmuar këtë punonjëse të re. Kur të gjithë filluan të qeshin, vetëm atëhere Idrizi, duke e kuptuar që e kishte shkelur, e plotësoi duke thënë, jo vetëm unë (Idrizi) por dhe përkthyesi (Berti). Vetëm 30 vjet më vonë, e morëm vesh se ishte Idrizi, bashkëpunëtori i Sigurimit, që do ta kishte në vartësi punonjësen e re, dhe praktikisht nuk kishte gabuar që kishte ndërhyrë, për ta siguruar mbështetjen e tij.
Por asnjë nuk i dinte këto probleme dhe ndërhyrjen e tij, e morëm si shoqërore. Njëkohësisht nga ai morëm vesh, se porta e dytë e ambasadës, që ndodhej në krah të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, qëndronte ditë e natë e hapur, mbasi aty hynin e dilnin orë e pa orë, veturat e diplomatëve. Madje qëlloi një here, që një rom i cili kishte nja pesë a gjashtë kuaj, duke kaluar natën anës ambasadës dhe duke parë barin e bahçes të pakorrur, si dhe derën e bahçes të hapur, i kishte futur kuajt aty për të kullotur dhe vetë ishte shtrirë në një qoshe të bahçes dhe ja kishte këputur gjumit.
Idrizi, që zakonisht vinte në punë që në orën 6 të mëngjesit, i kishte parë kuajt, kishte zgjuar romin që po flinte dhe i kishte nxjerrë jashtë, po nga porta e prapsme, pa e marrë vesh njeri se çfarë kishte ndodhur. Që nga ai çast edhe tek ajo derë, u vu një roje, megjithëse porta vazhdonte të qëndronte gjithnjë e hapur.
Përballë Ambasadës Italiane, në Rrugën e “Elbasanit, në atë kohë ndodhej edhe Ambasada Franceze. Edhe aty punonte një kopshtar shqiptar, i cili kujdesej për një bahçe, shumë më të vogël se ajo e italianëve.
Por ai me sa e shihnim, ishte gjithnjë në grindje me një punonjës francez që ishte si punë administratori, grindje që nuk arrinim ta kuptonin, se përse shkaktoheshin, ndërkohë që punonjësi shqiptar, ishte gjithnjë i qetë dhe i qeshur. Ky kopshtari i francezëve, në moshë të re, sepse nuk duhet të ishte më shumë se 40-45 vjeç, pas një farë kohe, filloi të sëmuret dhe një ditë na lajmëruan, se kishte vdekur. Shkuam që të gjithë në varrimin e tij. Banonte në periferi të Tiranës.
Po mbas atij, filloi të sëmuret edhe Idrizi, kopshtari ynë. Atëhere i shkuam për një vizitë në shtëpi. Mua nuk m’u duk dhe aq rëndë, por në bisedën që bënë midis tyre, Idrizi me Ramadanin, kopshtarin e Ambasadës së Kubës, me të cilin kishim punuar bashkë për pesë vjet me radhë, Idrizi ju drejtua atij dhe i tha: “- Ramadan, unë po vdes….ti shpëtove…”. “- Jo Idriz, mos e thuaj atë fjalë, ti dukesh mirë dhe do shërohesh”. “- Jo, insistoi Idrizi – unë po vdes”. Kjo bisedë, bëhej midis atyre të dyve në një formë të tillë, sikur vetëm ata të dy, kuptonin se përse bëhej fjalë, ndërsa ne të tjerët, kishim qëlluar vetëm spektatorë.
Dhe kështu ndodhi, që në ditët e para të qershorit të vitit 1985 (ndërsa organizohej pritja e Ambasadës për nder të Festës së Republikës Italiane), ndodheshim në Hotel “Dajti” duke pritur të ftuarit për në sallën e madhe të Hotelit. Pashë të më afrohej Sekretari i Parë i Ambasadës Z. Shimoneli, me një pamje shumë të acaruar (ndoshta edhe ai ishte i bindur, siç i kishin thënë, se unë isha përgjegjësi i punonjësve të Ambasadës) dhe sikur të isha unë fajtor për gjithçka, m’u drejtua gjithë inat duke u shprehur: “- E more vesh? Idrizi vdiq”!
“- Kur i shkova për ta parë në shtëpi, nuk m’u duk aq rëndë, i thashë. Po juve kush jua dha këtë lajm”?! “- Ma dha sot pasdite, shërbyesja që punon tek unë”, më tha. Biseda nuk u zgjat më shumë, sepse filluan të vijnë të ftuarit dhe darka u zhvillua normalisht. Por më e çuditshmja, ndodhi dy ditë më vonë, kur në zyrat e Drejtorisë së Shërbimit të Trupit Diplomatik u organizua një mbledhje, ku çështja kryesore ishte; si dhe pse u ishte thënë të huajve, mbi vdekjen e Idrizit! Unë të paktën, nuk arrija ta kuptoja, ç’rëndësi kishte kjo mbledhje?!
Pse ishte kaq e rëndësishme vdekja e Idrizit, për të huajt? Pse ishte aq i acaruar Sekretari i Ambasadës?! Dhe pse ishte i acaruar N/Drejtori i Zyrës? Pasi u thanë shumë e shumë fjalë boshe dhe nuk doli asgjë në dritë, isha po unë, që nuk arrija të kuptoja se çfarë kërkohej! Ishte i çuditshëm fakti, se nga të gjithë të pranishmit, mungonte ajo më kryesorja, pikërisht ajo shërbyesja, që kishte hapur fjalë për vdekjen e Idrizit dhe sigurisht ajo nuk kishte ardhur, sepse asaj kështu duhet ti kishin thënë, që nuk duhet të vinte. Po pse?!
Një pjesë të kësaj përgjigje, e mora vesh shumë e shumë vite më vonë, pothuaj mbas 20 vjetëve. Rastësisht, para pak kohësh në një bisedë me njerëz të rastësishëm, mësova se vdekja e kopshtarëve, mendohej të ishte një vdekje e porositur. Kjo ndodhi atëhere, kur vetë Enver Hoxha, pasi kishin filluar të ftoheshin marrëdhëniet me BRSS-në dhe sidomos pas ngjarjeve të Hungarisë në 1956, u kishte mbajtur një diskutim anëtarëve të Byrosë, ku kishte theksuar se; situata politiko-ushtarake është mjaft e acaruar dhe kishte mundësi që të përfundonin përsëri duke luftuar nëpër male.
Duhej patur kujdes se po të ndodhte vërtet kështu, do të kishte nevojë për shumë të holla, kështu që duhet t’i gjeni një rrugëzgjidhje kësaj situate. Për të siguruar këtë sasi të hollash të nevojshme, për një luftë partizane të paparashikuar, pati një mendim, të cilin e vuri në zbatim ish-kryeministri Mehmet Shehu, duke organizuar prodhimin e jashtëligjshëm të armëve për Mafien italiane. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016
This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ne-mbledhjen-urgjente-te-drejtorise-se-sherbimit-diplomatik-ceshtja-kryesore-ishte-vdekja-e-papritur-e-dy-kopshtareve-te-ambasades-franceze-dhe-italiane-deshmia-e-rralle-e-ish-p/