“Në Librin e Zi të Komunizmit’, duhet të shkruhet një faqe e bardhë për familjen shkodrane, pasi ajo ka meritën e madhe se…”/ Dëshmia e studjuesit të krimeve të komunizmit

Nga Marçel Hila

Pjesa e katërt

     “SHKODRA NË VITET E VENDOSJES SË DIKTATURËS KOMUNISTE, 1945-1953″

Memorie.al/ Që në fillim të këtij shkrimi, desha të theksoj se na duhet ta marrim si të mirëqenë faktin, se: ata që erdhën me datën 29 nëntor të vitit 1944 në Shkodër, ishin trupa ushtarake që u ishin vënë pas ushtrive pushtuese, për t’i dëbuar nga ky vend. Meqë çlirimi kryhet, forca ushtarake, sapo e mbaron misionin e saj, siç ndodh zakonisht kudo, duhet të çmobilizohet dhe njerëzit e saj të dërgohen në shtëpitë e tyre. Por tek ne kjo nuk ndodhi!

                                                         Vijon nga numri i kaluar

Zbatuesit e ideologjisë as që përpiqen ta fshehin të keqen, ta justifikojnë atë, por krenarisht e kryejnë dhe mburren për këtë, duke e quajtur krimin fitore. Ata kujtojnë se po realizojnë një shërbim të madh. Prandaj mburrja është pjesë e psikologjisë së tyre, pafytyrësia është virtyti me të cilin krenohen. Ky është komunizmi, një tentativë e vrazhdë për ta shpjeguar shoqërinë. Dhe si kirurgu që, në vend që të përdorë një bisturi delikate për një ndërhyrje, komunizmi përdor një sopat kasapi. E gjithë ajo që është më delikate në psikologjinë e një njeriu dhe në strukturën e një organizmi kompleks, e redukton në vetëm procesin ekonomik. Qenia njerëzore është vetëm materie. Është karakteristike sesi komunizmi ka aq pak argumente. Atëherë për të janë nuk ia vlejnë teoritë e sofistikuara, por të vlefshëm janë vetëm shkopi, burgu, kampi i internimit.

Komunizmi e ka pranuar vetë se refuzon çdo konceptim moral absolut. Gajaset me idenë e të mirës e të keqes si kategori të padiskutueshme. Për komunizmin, morali është relativ, është morali i klasës ai që vlen e duhet ndjekur vetëm ai. Edhe vrasja, po, po, edhe vrasja, vrasja e qindra e mijëra njerëzve, mund të konsiderohet një gjë e mirë, sipas situatës politike. Varet nga ideologjia e klasës. Po kush është ai që e përcakton këtë ideologji të klasës? Përgjigja është e thjeshtë. Klasa mbarë, klasa punëtore dhe fshatarësia. Po klasa mbarë, klasa punëtorë fshatarësia nuk mund të bëhen bashkë e të vijnë në takim që të gjykojnë se çfarë është e mirë apo e keqe. E atëherë, si ta zgjidhim? Kuptohet, do të jetë një grup i vogël ai që do ta vendosë, pikërisht si deputetët që janë të deleguarit e një populli mbarë. Janë këta përfaqësues që vendosin kë të mbajnë në jetë e këtë të dërgojnë në varr. Një pakicë merr atributet të vendosë për shumicën. Është partia, aristokracia e vendimmarrjes. Krimet e një pakice marrin justifikimin demoniak se janë bërë për të mirën e një shumice të madhe, shumë të madhe.

Ja pra ku vijmë. Ai vendimi i grupit të vogël – që pretendon se është mendja dhe zemra e Klasës Punëtore, që vendos kë të mbajë në jetë e kë të çojë në varr, – ai vendim merret në emër të disa ideve. Këta ide grupimi i shndërron në ideologji. Ideologjia justifikon të keqen, i jep statusin e një gjëje të drejtë. Ishte ideologjia ajo që e sulmoi Shkodrën. Ajo vlerësoi se trupit të saj shoqëror i duheshin hedhur në varr 4.000 veta dhe në burgje 14.000 të tjerë. Po si ia bëri zemra?! E thamë sepse ideologjia krijon gjenocidin në emër të ideve të mëdha.

“Duhet ndërtuar bota e re”! – urdhëronte Enver Hoxha. “Duhet pastruar zona dhe qyteti”! – përgjigjej Shefqet Peçi! Qëllime shumë të mëdha! “Njeriu” – thotë Solxhenicin, – “për ta bërë të keqen, duhet ta ndjejë si një veprim të ligjshëm e të menduar mirë”. Natyra njerëzore kërkon një justifikim të veprimeve që do të kryejë. Ideologjia është justifikimi i së keqes. Frika e Makbethit se po humbet fronin është shumë egoiste, e vogël, qesharake.

Ideologjia të zgjidh punë. Ajo jo vetëm që nuk të bën të ndjehesh fajtor, por të garanton se je në shërbim të popullit. Por ajo kërkon zemërgurët, keqbërësit. Ideologjia madje na siguron edhe lëvdata. Sepse i shërbehet një mase shumë të madhe: klasës. Nazistët me racën, jakobinët me idetë e revolucionit dhe komunistët me drejtësinë e diktaturës së proletariatit kujtojnë se po i shërbejnë kombit atëherë, dhe brezave pasardhës në të ardhmen. Prandaj, në shekullin e njëzetë, ishte ideologjia ajo që veproi mbi masa të mëdha e krijoi një miliona viktima në njerëz.

Keq bërja është e padiskutueshme. A mund të themi se keqbërësit nuk ekzistojnë? Kush i asgjësoi njerëzit e pafajshëm? Maskarenjtë, kriminelët, keqbërësit. Pa ta regjimi nuk do të kishte ekzistuar. Nuk mund të kuptohet komunizmi pa mizorinë e Enver Hoxhës, pa hipokritët kriminelë anëtarë të Byrosë Politike, pa drejtorët e burgjeve, pa hetuesit sadistë, pa policët e pamëshirshëm të birucave, pa gjykatësit e pazemër  e sa e sa të tjerë. Po në Shkodër, sa shumë emra mund të gjejmë? Të gjithë maskarenj të regjur e njëzetekatër karat. Pse u gjenden në këto pozita? Sepse të poshtrit i thirri koha. Jo më kot Enver Hoxha kërkonte për Seksionin e Mbrojtjes se Popullit, që në dhjetor të vitit 1944, që të mobilizoheshin njerëz pa shkolla, mundësisht pa asnjë formim, pra kuptohet, të poshtër, çerdhe të padijes që lehtësisht vihen në shërbim të krimit.

Po kush i bën ballë komunizmit? Kush e mund atë, sepse ne e pamë të rrëzuar, të mundur e të marrë zvarrë! Komunizmi, me gjithë agresivitetin e tij të paimagjinueshëm, ka një pikë të dobët, ka thembrën e tij të Akilit: ai tërhiqet vetëm po gjeti edhe një vullnet të pamposhtur, të edhe vetëm një individi. Kur një njeri vendos të qëndrojë deri në fund, pa pasur frikë për jetën tij, komunizmi këtu tregon dobësinë  tij. Pse? Sepse nuk mund ta mposhtë atë, edhe nëse e vret. Përpara këtij njeriu, komunizmi është i thyer. E kur kujton se këta vullnete, ndërsa shkonin të vriteshin, këndonin e kur gjendeshin para skuadrave të pushkatimit, i falnin armiqtë e tyre, ata që i kishin arrestuar, masakruar, dënuar e tani që po i vrisnin.

Përpara tipave të tillë, komunizmi është i mbaruar. Prandaj, duhej marrë një qëndrim, një vendim, jo një pozë: viktima duhet të bëhej gati për sakrificën. Këta e sfiduan komunizmin, këta i vunë kazmën, këta ia rrëzuan muret kështjellës së tij. Jam shumë i sigurt se edhe nga Shkodra e jonë këta tipa e kanë sfiduar komunizmin, e kanë çarmatosura, ia kanë hequr fuqinë goditëse, e kanë poshtëruar. Komunizmi ka rënë prej këtyre. Këta janë heronjtë që e rrëzuan, jo në vitin 1990, por shumë vite më parë, pikërisht në ditën që vendosën ta refuzonin atë. Dhe e refuzonin jo vetëm për fuqinë e ideve që kishin, por edhe për arsye të virtytit të besimit në Zotit. Prandaj, komunizmi e ka frikë të madhe besimin në Zot, sepse vetëm ky besim i jep forcë viktimave të qëndrojnë.  

Një personazh i Solzhenicin në librin e tij ‘Arqipelagu Gulak’ i vë në gojë këto fjalë: “Ju jeni të fortë deri sa i hiqni njeriut gjithçka. Por këtij njeriu që i keni hequr çdo gjë, ai nuk është më në duart tuaja, ai është i lirë, sepse e ka kuptuar se nuk është vetëm, nuk është zot i jetës së tij, nuk është krijues i saj: ai e ka një Krijues!”. Duhet ta themi se njerëz, falë kësaj bindjeje, e kanë kuptuar se nuk mund të jenë skllevër të asgjëje në këtë botë, as të dëshirave të tyre, as të pushtetit, e prandaj rezistojnë.

Ky përcëllim u jep këtyre tipave një “un” të fortë e të qëndrueshëm në të gjitha rrethanat. Në komunizmin nuk ka vend për rastin. Ai nuk ekziston, përkundrazi, ka shenja që duhet t’i kuptosh e t’i ndjekësh. Ne jemi thirrur për gjëra të mëdha, sepse jemi të thirrur ta endim jetën tonë në liri. Njerëzve të tillë mund t’ua marrësh jetën, por ata mund t’a çarmatosin xhelatin duke ua bërë dhuratë qenien e tyre. Kjo sakrificë e jetës ka një domethënie shumë më të madhe se mirëqenia e prestigji shoqëror. Këta njerëz kanë njohur e pranuar në thellësitë e tyre një Zot, prej të cilit e presin shpëtimin dhe ndihmën.

Kur krijesa mbërrin këtu, ajo ka kaluar shumë shtigje e labirinthe të dhimbshme e pas kësaj rrugë të mundimshme, e pret vetëm kapërcimi solemn i dhimbjes dhe poshtërimit. Këtu ai merr statusin e martirit, që është shprehja më e lartë e dinjitetit të qenies njerëzore. Jam shumë i sigurt se qyteti i Shkodrës dhe zona kanë nxjerrë shumë prej këtyre kolosëve dinjitarë martirë.  

Po kush ishin këta kundërshtarët e komunizmit? Ata janë intelektualët, të ndershmit, të diturit, klerikët, këtyre njerëzve, arti u detyrohet shumë, letërsia shqipe u ka borxhe. Ajo do të kryente një shërbim tepër të madh, nëse do t’i kthente në figura artistike. Ai art që ka në qendër martirin, është misionar. Dhimbja që të çon në sakrificën sublime e pasqyruar në art, është forca më e madhe shprehëse e bukurisë.

Ky art mungoi dhe fatkeqësisht, mungon edhe sot. Edhe pse në liri, shkrimtarët tanë të papenguar mund të ulen e t’i hedhin në letër ngjarjet e heronjve. Ata na kërkojnë, ata na thërrasin, atyre u kemi borxh shumë. U kemi borxh shembullin që na dhanë, forcën e qëndresës që na transmetuan, idetë që na i përçuan, moralin e tyre të lartë, që e ngritën në standard.

Ata janë edhe familjarët që kur e panë se iu mbyll rruga e përcjelljes së vlerave në liri, i transmetuan me anë të familjes. Sepse, këtu vjen e natyrshme pyetja: kush e shpëtoi shpirtin e këtij qyteti e të kësaj zone? Kush u doli në mbrojtje, kur çdo burim drite iu pre e kur errësira e sulmoi? Vetëm familja. Ajo iu kundërvu një regjimi të tërë, një sistemi. Familja! E shumtë në numër, ajo u bë Universiteti pa rektorat, pa seli, pa salla leksionesh, pa biblioteka, pa profesorë të njohur, pa asgjë! Familja e shpërndarë dhe e përhapur rrugë më rrugë e lagje për lagje.

Ajo mori detyrën unike e të papërsëritshme më parë në histori: vaksinoi individin, mbrojti krijesën e saj. Ajo mori detyrën e të folurit, jo nga katedra e shkollës, por nga dhoma e mbyllur shtëpiake, larg çdo veshi kureshtar e të rrezikshëm. Ajo thoshte: “Mos, kujdes, mos bashkëpuno, mos fol, mos u dorëzo, mos trego, mos i beso, mos i duaj, mos të kesh hezitim, mos ushqe iluzione”! Këto fjalë të thëna në formë ftese dhe urdhri, mësimi dhe kërkesës, çdo ditë, shumë herë në ditë, në shumë shtëpi, në shumë lagje, përsëritje pa fund, ky ishte ushqimi mbrojtës.

Prandaj, më shumë me mirënjohje sesa me mburrje, duhet të themi se takime të tilla zhvillohen në këtë qytet dhe mungojnë tërësisht në zona të tjera të vendit. Familja atje nuk foli. Edhe nëse foli, ishin shumë të pakta mendjet që e njihnin të vërtetën, gojët me kurajë, veshët e vëmendshëm. Prandaj, ky vend vuan, sepse familja nuk ka folur, nuk ka mbrojtur, nuk ka vaksinuar. Dhe kemi edhe sot, masa që enden sa andej këndej, njerëz që shiten për një vend pune, njerëz që shesin votën.

Prandaj liria edhe sot vonon të ndjehet si nevojë, prandaj bëhet kompromis me uzurpatoret e djeshëm që kanë ndërruar emrat, ka çoroditje të idealeve, tradhti nga më të ulëtat politike me pasojë poshtërimin personal, sa qesharak aq edhe dramatike. Sepse masa të tëra janë pa tharmin, pa vitaminat, pa forcën. Janë individët pa ato “mos” -et e pëshpërituri miliona herë në Shkodër. Por a mos dua të them me këtë se jemi vetëm? Jo, sepse kjo e jona është një lloj vetmie që nuk na dëshpëron, por na nderon, më mirë të thuash. Lartësia për t’u arritur është gjë e madhe, me pasojë se, kur mbërrin lart, gjendesh vetëm. Një vetmi fisnike.

Çfarë fati që Shqipëria ka një qytet me këtë Universitet të veçantë, mësimet e të cilës nuk plaken dhe tharmi i saj nuk vjetërsohet. Ka ruajtur një rini të magjishme. Familja nuk pati libra konservatorizmi të filozofisë që të ofronte, leksione të shkencave politike të demokracisë e të kartave themelore të lirive të njeriut, por vetëm këto pilula të vogla, të përditshme dhe shumë potente.

Mendimet e Shkodrës, për virtyt të këtyre leksioneve, të dhëna kohë më parë e të shumta në numër, të ngulitura thellë deri në nënvetëdijen e brezave liridashës e të përcjellë tashmë edhe brezave të tjerë që vijnë, janë mendimet e Shqipërisë, asaj që duhet të jetë, asaj të së ardhmes. Prandaj, kësaj familjeje, këtyre familjeve në shumës, u detyrohet i gjithë vendi. Varet se kur do të zgjohen nga gjumi e ta kuptojnë.

Prandaj, jam i mendimit se në “Librin e Zi të Komunizmit Shkodran” të shkruhet një faqe e bardhë për familjen. Ajo ka kryer një shërbim tepër të madh e këtë nuk duhet ta harrojmë. Ajo e ka kryer me sukses të plotë këtë mision: lindjen, rritjen, formimin dhe shpëtimin e individit të qytetit tonë. Merita e saj është e padiskutueshme. Mirënjohja e jonë është e domosdoshme. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ne-librin-e-zi-te-komunizmit-duhet-te-shkruhet-nje-faqe-e-bardhe-per-familjen-shkodrane-pasi-ajo-ka-meriten-e-madhe-se-deshmia-e-studjuesit-te-krimeve-te-komuniz/