“Në hetuesinë e Tepelenës, më sollën gruan e dajos, Lutfijen, e cila filloi të thoshte se; unë, i kërkoja Hamdiu që të arratiseshim sa më parë dhe…”/ Ditari i ish-të dënuarit politik

Nga Neim Pashaj

Pjesa e dytë

Memorie.al / “Më godiste, më shante dhe turfullonte. Pyeste duke më qëlluar. Unë vetëm përpëlitesha. Kur dëgjonte rënkimin tim, goditjet i bënte më të shpeshta. Nga ato pak lëvizje që bëja, më zuri një goditje e rripit sa gjatë-gjerë mbi bark. Kjo qe dhimbja më e madhe sa gati më hodhi përpjetë. Këmbët, që i kisha nën tavolinë, nga përpjekjet e shtynë atë tutje dhe mbas tronditjes, ranë në shesh çfarë ishin mbi të. Mbas këtij veprimi të pakontrolluar, “shoku Todi”, më la të shtrirë dhe u ul në karrige. Nxori shaminë, fshiu djersët, hodhi rripin në dritare dhe filloi të mblidhte ato që ranë nga tavolina. I shpërfytyruar siç ishte, fliste si i çmendur me vete. Më dukej sikur po të afrohej edhe një herë, do të më hante të gjallë. “Do të të bëj të tregosh jo vetëm bisedat me dajat, por edhe sa herë ke pirë qumësht në sisë të sat`ëme. Kurrë mos tregofsh, por dije se do t’i sjell këtu të gjithë, e do ta thonë planin, në surrat…”!

Autori i këtyre rreshtave në ballinën e një dosjeje me qindra faqe, quhet Neim Pashaj. Është rreth të 60-tave, po tregon më tepër. Jeta e vështirë e ka plakur para kohe. Ka kaluar 20 vjet në qelitë e Tepelenës, Tiranës, Laçit, Elbasanit, Repsit, Spaçit e Qafë-Barit, por ka mundur të mbijetojë. Fati, me sa duket, ka qenë me të. “Mbeta gjallë për të treguar çfarë pashë me sy”, – thotë i mbijetuari i burgjeve të komunizmit nga Lopësi i Tepelenës.

I bindur në misionin e preferuar, Neim Pashai ndjehet i privilegjuar që ka mundur të ruajë ditarin e viteve të skëterrës. Ka në të plot 7.200 faqe, që i përkasin 7.667 ditë-netëve të ferrit. Faqja e parë mban datën 4 qershor 1966, ditën kur e prangosën te hyrja e minierës së Memaliajt. Në vazhdim ditët e kalvarit 20 vjeçar. Shënime të mbajtura në qeli, në momente pushimi pas punës. Fletë të mbushura në fjetore, kur shokët flinin. Emra të dënuarish, të martirizuar në kampe, hetues e prokuror të pashpirt, tragjedi e drama të tmerrshme. Një dëshmi autentike e e rrallë e historisë së burgjeve të komunizmit…!

                                                  Vijon nga numri i kaluar

E HËNË, 20 QERSHOR 1966

Kam pesë ditë që më marrin në pyetje. Më pyesin se çfarë di për arratisjen e dajave. Sot hetuesinë Todi, e ka nisur më keq se herët e tjera, pasi sa herë më pyet dhe merr përgjigje, më godet me pëllëmbë në fytyrë.

-Çfarë të kanë thënë dajat?

-Nuk më kanë thënë gjë – iu përgjigja.

Një moment hapet dera e zyrës dhe pa trokitur hyri një burrë i shëndoshë. Todi më shtyu për nga qoshja e dhomës dhe u përqafua me të sapoardhurin.

-Hë – tha mysafiri, – ç’thotë ky bandilli?

-Nuk flet – iu përgjigj Todi.

-Po ti nuk di se si ta bindësh?

-Di po nuk dua – ia ktheu Todi.

-Mirë, lërma mua të merrem me të…!

Pas pak i porsaardhuri e ftoi për një kafe dhe dolën të dy bashkë.

Nuk vonoi dhe “shoku Todi” u kthye sërish. Polici e nderoi me grusht dhe doli jashtë.

-Pa na thuaj çfarë ke biseduar me dajat para se të arratiseshin, mu drejtua, duke më tërhequr për krahu. Të jap fjalën se do të ndihmoj, po të tregohesh i sinqertë. Mendohu, mendohu e hajde më thuaj. Sot do ta lëmë me kaq. Pas një jave do takohemi prapë, se janë votimet e kemi punë të tjera.

-Po unë do të votoj, se kam mbushur moshën?

-Ha, ha, qeshi me të madhe dhe filloi të llomotit me buzë në gaz. Akoma nuk e ke marrë vesh se je i arrestuar dhe akuzohesh për krime të rënda kundër shtetit. Dhe siç bënte nga hera, ia niste këngës “Qaj o breg, e qaj o lumë / Hëngre agallarë shumë /Neim Pashanë me vulë… “!

E MARTË, 28 QERSHOR 1966

Pas një jave, sot filluan prapë hetimet. Si gjithnjë në zyrën e “shokut Todi”. Mbi tavolinë ka vendosur një pako me rroba ushtarake dhe bën sikur kërkon diçka në xhepat e tyre. Pastaj nxjerr një rrip prej meshini dhe e lë mbi tavolinë.

-Besoj se ia ke kaluar mirë këto ditë, – m’u drejtua me kokën pak si mënjanë. Unë nuk iu përgjigja. E more vesh, – më tha – votimet i fituam 99.99 – për qind”. E pashë në sy.

-Hë, – mu drejtua, – sot do t’i japim fund muhabetit. Po nuk tregove të vërtetën do të ta shkul gurmazin dhe më hodhi duart në fyt.

-Kush tha i pari për t’u arratisur – dhe më ngriti kokën pak lartë duke më shtrënguar fort në grykë.

Me zor, munda t’i them se nuk di gjë. Ai u egërsua. Duke më shtrënguar akoma më tepër, më dha një të shtyrë sa u përplasa te soba që kisha prapa. Aty humba ekuilibrin dhe rashë në anë të tavolinës me kokë, duke u çarë mbi vetullën e djathtë. Plasi gjaku.

Instinktivisht vura dorën te plaga, por katili, që kish marr rripin në dorë, më qëlloi me të me sa fuqi kishte. Bëja të ngrihesha, por ulesha menjëherë nën goditjet fshikulluese.
Më godiste, më shante dhe turfullonte. Pyeste duke më qëlluar.

Unë vetëm përpëlitesha. Kur dëgjonte rënkimin tim, goditjet i bënte më të shpeshta. Nga ato pak lëvizje që bëja më zuri një goditje e rripit sa gjatë-gjerë mbi bark.

Kjo qe dhimbja më e madhe sa gati më hodhi përpjetë. Këmbët, që i kisha nën tavolinë, nga përpjekjet e shtynë atë tutje dhe mbas tronditjes, ranë në shesh çfarë ishte mbi të.

Mbas këtij veprimi të pakontrolluar, “shoku Todi”, më la të shtrirë dhe u ul në karrige. Nxori shaminë, fshiu djersët, hodhi rripin në dritare dhe filloi të mblidhte ato që ranë nga tavolina.

I shpërfytyruar siç ishte, fliste si i çmendur me vete. Më dukej sikur po të afrohej edhe një herë, do të më hante të gjallë. “Do të bëj të tregosh jo vetëm bisedat me dajat, por edhe sa herë ke pirë qumësht në sisë të sat`ëme. Kurrë mos tregofsh, por dije se do t’i sjell këtu të gjithë, e do ta thonë planin në surrat.

Kurrë mos e hapësh gojën, më qafë paç veten! – shfrynte me vete kryetari i degës. Pastaj, u ngrit nga karrigia, hapi derën dhe i dha urdhër policit të më çonte në birucë. Polici më mori gjysmë zvarrë dhe më çoi aty…!

E DIEL, 3 KORRIK 1966

Nesër mbush një muaj i arrestuar. Nga torturat e pesë ditëve më parë ende nuk e kam marrë veten. Kam akoma dhimbje. Padurimi, tortura dhe pafajësia më kanë bërë më të ndjeshëm. Sot kur dola për ajrim, u takova me një të dënuar tjetër.

Ishte më i vogël se unë. Nuk kishte mbushur akoma 16 vjeç. Njëri nga policët e shërbimit më tha se, dhe ai ndodhej aty për politikë. “E çmund t’i bëjë politikës ky fëmijë”, thashë me vete. E pashë nga afër. I kishte sytë të mbufatur.

Në krahun e majtë të fytyrës kishte dy gunga të mavijosura. “Me siguri nga druri i ‘shokut Todi’, mendova”. Këtu është ferri i vërtetë. Njerëzit e shtetit bëhen përbindësha. Thonë se me shtetin nuk matesh dot.

Sheti ka ligje. Po këta njerëz që janë dora dhe masha e shtetit pse nuk i zbatojnë ligjet? Sipas ligjit, në hetuesi njeriu nuk mund të rrihet. Po ku duan t’ia dinë këta katilë…!

E ENJTE, 7 KORRIK 1966

Më ka thirrur përsëri në zyrë “shoku Todi”. Ai sa më pa te dera, ia shkrepi këngës së tij të preferuar “Qaj e breg, e qaj o lumë…”!

-Hë more Neim Pashai, mirë je? – mu drejtua me ironi.

-Mirë – ia ktheva.

-Pa ta shikojmë sot atë burrërinë tënde. Si do t’i thuash njeriut që të ka dëgjuar se çfarë ke llafosur me Hamdiun për arratisjen.

Ta kam sjellë këtu. Pastaj urdhëroi policin të më çonte te zyra e prokurorit, që ishte përball zyrës së tij. Kur hyra brenda pashë Lutfijen, nusen e dajë Hamdiut, që rrinte në karrige përballë prokurorit të rrethit, Qemal Meçe.

Pa humbur kohë, ky i fundit u drejtua nga ajo, duke i kërkuar të deklaronte bisedat që kisha bërë me dajon në Delvinë, para se të kalonte kufirin.

Çfarë po dëgjoja, më dukej e pabesueshme. “Neimi, – dëshmonte Lutfija, – i lutej Hamdiut, për t’u arratisur një orë e më parë, pasi sipas tij, i ndiqte policia.

Tim shoq interesohej për më shumë, por ai këmbëngulte vetëm në një pikë: “Të ikim, ndryshe do na arrestojnë”. Prokurori që e dëgjonte sy e vesh, një moment e ndërpreu dhe u kthye nga unë:

-I dëgjon ti Neim, këto që thotë Lutfija?

Bëra që të kthehesha për së mbari e t’i jepja përgjigje, por ai më dha urdhër të mos e ktheja kokën ballas me ta. Fol ashtu siç je, – urdhëroi – se ne dëgjojmë me veshë e jo me sy. Fol pra, a janë të vërteta këto që thotë Lutfija?

-Jo – iu përgjigja. Me dajon, në shtëpinë e tij nuk kam bërë kurrë biseda të tilla. Janë gënjeshtra të stisura…!

-Po mirë atëherë, nëse nuk i ke bërë këto plane me dajën në shtëpi, ku i ke bërë, ku u llafose për punën e arratisjes?

-Askund nuk kam folur për këto gjëra me Hamdinë.

-Domethënë nuk e pranon atë që thotë Lutfija – mu hakërrye prokurori.

-Jo…!

-Mirë, hajde të firmosësh këtu që nuk i pranon! Sakaq, më vuri përpara një letër, ku firmosa poshtë dëshmisë së Lutfijes “…nuk janë të vërteta dhe nuk i pranoj”. Pas pak u çuam të tre…!

E SHTUNË, 30 KORRIK 1966

Në pasdite mbërritëm në Burgun 313, në Tiranë. Portë mbas porte, na futën në një korridor të gjatë. Në një faqe të murit ishin rreshtuar 16 të dënuar që sapo i kishin sjellë nga Fieri me auto-burg. Na rreshtuan dhe ne të tre që vinim nga Tepelena. Pas pak erdhi oficeri i rojës. Ai, pasi na vështroi me imtësi, mori qëndrim serioz dhe shqiptoi me një zë të çjerrë:

– Kush është armik, të dalë këtej! Një moment shtangëm dhe filluam të shikonim njëri-tjetrin. Askush nuk po dilte andej nga tha eprori. Ky i fundit kur e pa që nuk doli njeri, shkoi në zyrë dhe u kthye me disa letra në duar. Aty për aty filloi t’i lexonte.

– Kush është Neim Pashaj? ,- bërtiti dhe mbasi mori përgjigjen time, u hakërrye me zë të lartë: – Kur të thonë pse nuk del këtej?

– Unë nuk jam armik, s‘kam pse të dal.

Një polic në krah të tij qeshi me të madhe. Oficeri i rojës ktheu kokën nga unë. Fytyra e tij kishte marrë një pamje të zezë.

– Dil more Neim, dil këtej, – urdhëroi ai me një ton disi më të qetë dhe bëri me dorë në drejtim të korridorit, duke i dhënë urdhër policit të më shoqëronte për andej.

Ai më shpuri në një hyrje me dy palë dyer të hekurta, të rënda e të mëdha, të lyera me bojë të zezë. Aty na priste një polic dhe një civil i veshur me pantallona kaki dhe këmishë ushtarake, me mënga të shkurtra.

Civili gjysmë ushtarak më mori për krahu dhe më futi në një dhomë ku kish një tavolinë, një karrige dhe një stol. Ajo ishte depoja e plaçkave të të dënuarve, e pajisur me rafte të ndara horizontalisht dhe me kate.

Në rafte ishin vendosur çanta e sende të llojeve e modeleve të ndryshme. Pranë çdo rafti e çante, ishin etiketat me identitetin e “pronarit” dhe dhomën ku ish strehuar. Pasi më pyeti nga isha e pse isha dënuar, më ftoi të ulesha në stol.

Më erdhi shumë pranë e më ngushëlloi, “të shkuara dhe mos u mërzit se këtu ke plot të moshës tënde”. Pastaj u ulëm shtruar e më tregoi historinë e tij. E quanin Syrja Shehu. Te 313-ta kishte ardhur nga Marina, ku shërbente si oficer. Ishte dënuar katër vjet për agjitacion e propagandë. Kishte bërë pjesën më të madhe të dënimit dhe priste të lirohej. Një moment, bisedën na e ndërpreu trokitja e derës. Hyri një i dënuar tjetër. Aty për aty Syrjai bëri prezantimin.

E quanin Sitki dhe me sa mora vesh, e kishte dënimin e dytë. Ishte liruar para një viti dhe para 10 ditësh, e kishin sjellë përsëri për të kryer dënimin tjetër. Syrjai i dha batanijet dhe rrobat e tjera.

Bashkë me të shkuam te dhoma e fundit me nr. 8. Derën e hapi polici dhe Sitkiu para e unë pas, u futëm brenda. Pas pak polici i vuri drynat derës. Në dhomë ishin rreth 20 vetë. Sa u futëm ne, ata u çuan në këmbë. U përshëndetëm me ta e u ulëm.

Më i moshuari i tyre me bëri me dorë e shkova pranë tij. Sa fillova të flas me të, te dera u shfaq oficeri i rojës dhe urdhëroi për të dalë jashtë. Plaku më sqaroi se kishim dy orë ajrim. Dolëm të gjithë bashkë. Vendi i ajrimit ishte një shesh mes godinave rreth 500-600 m. katror, i rrethuar me mur të lartë.

Gati dy metra brenda murit rrethues, ishte një pjesë e vizuar dhe në çdo 10 metra kishte tabela me mbishkrimin “zonë e ndaluar”. Diku, në fund të sheshit, ishte një pus me ujë. Të dënuarit vinin vërdallë sa nga njëri cep në tjetrin.

Bëheshin rreth 150 vetë. Ato çaste pata rastin të njihesha me mjaft prej tyre, po edhe të mësoja shumë gjëra për jetën e burgut. Më i moshuari, më tërhoqi mënjanë e më tha të ngulisja mirë më mendje, disa rregulla fondamentale për jetën e burgut:

E para: çdo i porsaardhur, rrethohej nga të dënuarit dhe shkëmbente me ta gjeneralitetet personale. E dyta: i porsaardhuri ngushëllohej me fjalën “të shkuara”. E treta: të dënuarit të gjenin bashkëpatriotët, të prezantonin e të linin në bisedë të lirë me të…! Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ne-hetuesine-e-tepelenes-me-sollen-gruan-e-dajos-lutfijen-e-cila-filloi-te-thoshte-se-une-i-kerkoja-hamdiu-qe-te-arratiseshim-sa-me-pare-dhe-ditari-i-ish-te-denuarit-politik/