“Në darkën e 10 Korrikut në prani të kinezëve, Jovani u zu me shokun Avni, se kush do qëndronte në karrigen e ambasadorit, por edhe gratë janë…”/ Ankesat e diplomatit nga Pekini, në ’72-in

Dashnor Kaloçi

Pjesa e tretë

Memoria.al publikon disa dokumente arkivore me siglën “sekret”, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1972 dhe janë pjesë e një dosje ku ndodhet një korrespodencë e gjatë, ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, ambasadës shqiptare në Pekin dhe sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, (me letra raporte, udhëzime, informacione, njoftime, relacione, etj.), lidhur me punën dhe problemet që kishin dalë pranë përfaqësisë diplomatike shqiptare në Pekin. Raport-informacionet e plota të shefit të Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë të Komitetit Qendror të PPSh-së, Piro Bita dhe ambasadorit shqiptar në Pekin, Xhorxhi Robo, lidhur me konfliktin ndërmjet dy punonjësve të asaj përfaqësie diplomatike, këshilltarit ekonomik Kleo Bezhani dhe sekretarit të organizatës bazë të partisë, Neço Konomi, ku midis të tjerash, thuhet: “Kleo i bëri vërejtje dhe Neços dhe i tha që t’i plotësonte. Në bisedën e bërë në zyrën e Kleos, Neçua kundërshtoi që t’i bëjë këto vërejtje dhe i thotë që këto janë burokratike dhe nuk t’i bëj. Këtu, filloj acarimi. Kleo i tha se duhet t’i bësh. Kleo pretendon se i tha, se kështu si i ke bërë këto materiale, janë rrëmujë, kurse Neço pretendon se i ka thënë: fodull dhe mendjemadh. 

 

Letra e sekretarit të organizatës bazë të partisë së ambasadës shqiptare në Pekin, Neço Konomi, dërguar sekretarit të Komitetit Qendror të PPSh-së, Hysni Kapo, lidhur me problemet që ekzistonin në atë përfaqësi diplomatike si dhe konfliktin e tij me këshilltarin ekonomik, Kleo Bezhani

SEKRETARIT të K.Q. të PPSH-së 

Shokut Hysni Kapo

T I R A N Ë

Na falni për shqetësimin dhe preokupimin që po ju shkaktoj në një kohë që ju jeni i zënë me probleme shumë më të mëdha dhe të rëndësishme. I transferuar me punë si specialist në Sektorin e Objekteve të Përfaqësisë Tregtare të Shqipërisë në Kinë, po bëj 2 vjet e 4 muaj. Në Qershor të vitit 1971, me rastin e zgjedhjeve të byrosë dhe sekretarin, organizata më caktoi si sekretar të saj.

Në 17 Maj në mbledhjen e organizatës që u bë për një grindje pune të shkaktuar nga shoku Kleo Bezhani dhe meje në muajin Prill, pasi ofendimi i Kleos ishte shumë i rëndë dhe unë duhet të ruaja gjakftohtësinë, u shkarkova. Gjatë kohës që kam shërbyer si Sekretar Byroje, jam munduar që të punoj sa më mire, duke ju përmbajtur direktivave të Partisë. Rasti i kësaj ngjarjeje ndodh për herë të parë në punën dhe në jetën time.

Të shkëputur nga çdo rrethanë, unë bëra autokritikën time për këtë çështje të cilën ramë dakord me Kleon që ta zgjidhnim më vonë. Mbledhja e organizatës u bë një ditë para mbledhjes së kolektivit së byrosë dhe për mendimin tim, presioni i disa shokëve me përgjegjësi si, shoku Spiro dhe shoku Jovan, ishin tendencioze.

Mendova t’ju drejtohem juve për sqarimin e këtyre problemeve të këtushme për të cilat është vënë në dijeni dhe shoku Xhoxhi. Problemet e drejtimit të organizatës, u ngritën dhe në raportin e diskutimit të zgjedhjeve ku, të deleguar ishin shoku Niko Mitrushi dhe shoqja Shpresa Fuga. Një nga problemet kryesore që ka krijuar vazhdimisht fërkime midis byrosë, sekretarit, si dhe përgjegjësve, si me shokët Jovan Andoni, Avni Hakani, etj., ka qenë roli i organizatave, byrosë, dhe procesi i llogaridhënies nga cilido.

Sipas mendimit të këtyre shokëve, organizata duhet të merret vetëm me edukimin, dhe se llogari ju jepet vetëm dikastereve nga ku ata varen, se këto të karaktereve janë punë që i mbulon vetëm ambasadori dhe këshilltari i ambasadës, ndërsa atashetë ushtarakë dhe tregtarë varen nga ministritë e tyre përkatëse, etj. Ndaj këtyre pikëpamjeve është luftuar me rezultate por ka pasur edhe fërkime. Nxjerrja e vendimeve, përcaktimi i detyrave, si dhe kontrolli i tyre, është konsideruar nga disa shokë si një rrugë burokratike.

Problemi i drejtimit të organizatës për të gjithë veprimtarinë e ambasadës, është ndeshur me qëndrimet e mësipërme, dhe ky ka qenë një problem për të cilën jemi marrë unë dhe byroja. Për vështirësitë e këtyre problemeve që na paraqiteshin, kur kam qenë në Shqipëri, jam takuar me shokët Pirro Bita dhe Niko Mitrushi.

I kam informuar mbi gjendjen dhe kam kërkuar prej tyre udhëzime të mëtejshme sesi duhet t’i kuptojë detyrat e saj organizata atje, pasi funksionet e saj nuk janë të njëjta me ato si në Shqipëri. Me këto pikëpamje unë nuk kam qenë dakord. Organizatat bazë duhet të funksionojnë kudo në mënyrë të njëjtë. Ky qëndrim i tyre që organizatat e Partisë jashtë shtetit, janë ndryshe është për të mos dhënë llogari, dhe për të vënë veten mbi organizatën bazë.

Këto porosi më dha dhe shoku Pirro, me të cilin u bënë dhe sqarimet e duhura për problemet që kisha. Shoku Pirro më porositi gjithashtu që herë pas here, t’ju referohesha materialeve të Partisë dhe shokut Enver dhe ato, t’ja bëja të qarta dhe pjesëtarëve të organizatës bazë. Në Mars të vitit 1972, kam njoftuar aparatin e Komitetit Qendror me anë të një relacioni të veçantë mbi sukseset dhe të metat, si dhe kam theksuar vështirësitë dhe fërkimet në gjirin e organizatës.

Jemi ndeshur për disa veprime organizative në pushtet për të cilat është kërkuar që punonjësit të njihen mirë me kompetencat e tyre. Është thënë se për këto gjëra, nuk ka një rregullore dhe se gjithsecili i di mirë detyrat e tij. Gjithashtu kritikat ndaj unit, të shpërdorimit të postit shtetëror, të marrëdhënieve jo të rregullta epror-vartës, kanë shkaktuar që në momente të caktuara të ketë sulme dhe ofendime.

Për këto probleme është thirrur në byro shoku Jovan dhe shoku Kleo për arrogancë. Disa nga shfaqjet më tipike kanë qenë: Tek shoku Jovan Andoni, janë shfaqur herë herë qëndrime karrieriste si p.sh., “Nuk jemi si këmbët e dhisë”, ndërsa Fatbardh Dedës, i ka thënë se unë të bëra Sekretar të Tretë.

Në darkën e 10 Korrikut (festës së Ushtrisë) në prani të kinezëve, Jovani u zu me shokun Avni Hakani se kush do të qëndrojë në karrigen kryesore, pasi shoku Xhoxhi mungonte. Një tjetër qëndrim i këtij lloji u vërejt dhe tek shoku Avni, i cili kur ambasadori organizoi një darkë me ansamblin kinez që erdhi në Shqipëri, deklaroi: “Unë nuk jap llogari në organizatë, pasi jam i atashuar në ambasadë dhe varem vetëm nga Ministria e Mbrojtjes. Po të dua mund ta informoj ambasadorin”.

Me këto qëndrime nuk jemi pajtuar. Kemi pasur çështje mbi aktivizimin e punonjësve për çështje të ndryshme. Kështu p.sh., kemi vënë re se disa shokë, kanë aftësi të ndryshme dhe mund të kontribuojnë në sektorë të veçantë. Puna diplomatike është përqendruar më shumë tek shokët Xhoxhi dhe Jovan, ndërsa më pak, tek shokët Spiro dhe Avni.

Për sjelljet e pahijshme që cënojnë dinjitetin e vendit tonë, kam biseduar hollësisht me shokun Xhoxhi Robo. Në punën tonë ka pasur suksese por edhe të meta si këto që po përmend në këtë relacion. Problemi i shkarkimit si sekretar, sipas mendimit tim, nuk erdhi për shkak të grindjes sime me shokun Kleo, ku përgjegjësia ime e vetme ishte që të ruaja gjakftohtësinë. Kjo ngjarje u përdor si shkak për t’u alarmuar e zmadhuar.

Organizata jonë ka në përbërje burrë e grua, dhe në këtë periudhë kanë ardhur të rinj në organizatë. Problemi që u diskutua nga ana ime në organizatë, konsistoi vetëm në përgjegjësinë time. Shkaku dhe qëndrimi i Kleos, nuk u diskutua. U insistua nga shokët Spiro e Jovan që mbledhja të bëhej por fare mire, ky problem mund të diskutohej në kuadrin e fjalimit të shokut Enver në Mat.

Por duhej hequr sekretari pasi sipas tyre, mund të dilnin telashe. Në çeljen e mbledhjes me kolektivin u tha që në fillim se mbledhjen do ta drejtonte zv/sekretari, pasi sekretari ishte shkarkuar për një grindje që ka bërë me Kleon.

Në mbledhje nuk dolën siç duhet problemet e punës, të dhënies llogari nga përgjegjësit, të metodës dhe stilit në punë, të shpërdorimit të pozitës shtetërore, fryma e komandimit dhe e arrogancës, indiferentizmi dhe dembelizmi tek persona të caktuar, etj.

U përqendrua në disa konstatime të përgjithshme pa kritikën e duhur, dhe me një autokritikë se jemi gjaknxehtë. U bënë lëvdata reciproke për përgjegjësit. Mendoj se shkarkimi si sekretar para punimit të fjalimit të shokut Enver, është një presion i cili nuk mungoi dhe në mbledhjen e byrosë nga shoku Spiro. Kjo çështje në mbledhjen e kolektivit, nuk u diskutua fare, ku mund të shërbente dhe si mësim.

Shumë çështje që shokët më kanë ngritur mua si sekretar në mbledhje, jo vetëm që nuk i ngritën por tek ndonjë pati dhe lavdërime dhe kjo pasi kanë ndrojtje që t’i ngrenë hapur çështjet. A ka pasur grindje ndaj të cilave është luftuar me durim dhe në mënyrë shoqërore, dhe se kjo grindje në interes të punës ishte e vetmja?! Grindje ka pasur dhe të përsëritura madje, dhe më të rënda se kjo, si p.sh., midis shokut Thoma Naqe dhe shokut Jovan Andoni.

Zënkat disa herë janë shkaktuar nga Jovani, dhe herë të tjera nga Avniu, Thomai, Kleo, e kështu me radhë. Në një rast Thomai i thotë një anëtari të byrosë se: përse nuk u zbatuan vendimet e organizatës për festën e 28 Nëntorit lidhur me dërgimin e shokëve për të folur në këtë eveniment? Shoku Kleo që ishte prezent, i përgjigjet shokut Thoma, duke i thënë: “Pse zotëronte do pjesën, apo mos do që të dërgojmë shoferin, shifrantin, apo radistin”.

Shoku Thoma, i revoltuar i thotë: “Ti je borgjez, pasi dukesh që ke qenë tregtar”. Qëndrime jo dinjitoze, ka pasur nga Kleo dhe në drejtim të shokëve e shoqeve me arrogancë dhe ofendime. Po kështu, si nga Kleo e Avniu ndaj ambasadorit, etj. Kleo ka bërë një grindje të pa provokuar me shokun Reiz Xhelili, jo një herë por disa herë. Ka pasur grindje dhe me shokun Dilaver Shkurti, në zyrën e shokut Spiro Rusha, ku dhe toni i debatit ishte shumë i lartë. Grindje, kemi pasur dhe me gratë.

Për të gjitha rastet në veçanti janë thirrur kohët e fundit para shkarkimit, si shoku Kleo ashtu dhe shoku Jovan. Duke u mbështetur në qëndrimet që mbajnë shokët përgjegjës dhe se po të kritikohen bëhet qameti, ndërsa ata mund të kritikojnë dhe të sillen si të duan, kanë krijuar influencën e tyre për të bërë një kritikë, jo të hapur dhe pa kurajo. Manifestohet mendimi se përgjegjësve, nuk ke ç’ju bën, dhe se me ata po nuk e pate mirë, mund të marrin çdo masë.

Kjo gjendje ka krijuar deri diku heshtje, servilizëm, lavdërime, etj. Mendoj se shokët që kanë qenë këtu edhe gjatë zhvillimit të këtyre mbledhjeve të fundit, si dhe që janë transferuar në Tiranë si, Reiz Xhelili, Dilaver Shkurti, duhet t’ja kenë treguar Komitetit Qendror të vërtetën. Me ardhjen e shokut Xhoxhi në Tiranë, në muajin Gusht të këtij viti, zhvillova një bisedë dhe ju luta që për të gjitha çështjet të kontaktojë aparatin e Komitetit Qendror. Këtë ja ngarkova si kandidat i Plenumit. Pasi u kthye nga Tirana, më tha se e informoi dhe e sqaroi qendrën.

Por mesa pashë informimi nuk ka qenë i plotë prandaj, mendova që t’ju shqetësoj me këtë informacion. Midis të tjerave shoku Xhoxhi, më tha se: “Shokët e qendrës mendojnë të të transferojnë por, se kur nuk e di, prandaj dhe kërkesa që më bëtë për gruan që të shkojë me leje në Shqipëri, bie poshtë pasi, mund të transferoheni”.

Mua më bëri përshtypje kjo çështje pasi, shoku Xhoxhi e di që unë këtu, kam ardhur për kurim, pasi vuaj nga një sëmundje e rëndë “Endoartrit Obliteral” dhe se kohët e fundit mjekët kinezë, po më praktikojnë një kurë me ilaçe popullore.

Që kur kam ardhur këtu, vazhdoj në të njëjtën kohë mjekimin dhe punën, pa ju shmangur asaj për asnjë sekondë. Unë, nuk kërkova që të vij këtu por, Komiteti Qendror duke parë gjendjen time, më dërgoi për kurim dhe në të njëjtën kohë të bëja dhe punën.

Kjo porosi m’u komunikua nga shoku Xhafer Spahiu. Për këtë kujdes të veçantë të Partisë unë, ju jam shumë mirënjohës dhe do jua shpërblej me punë. Shokut Xhoxhi, i thashë: “Transferimin tim e vendos qendra, por nëse ky transferim, ka të bëjë me grindjen që u zhvillua për arsye pune, mendoj se qendra nuk është informua sa duhet”. Unë tani po mbush 2 vjet e pak dhe do krijohet mendimi se po të kritikosh përgjegjëset merren masa pasi këta të fundit, servirin materialin dhe informojnë.

Kështu që transferimi im lidhet dhe me grindjen, dhe se shokëve të këtushëm qëndrimi konsekuent ju krijon pengesa. Unë asnjëherë nuk e kam shqetësuar udhëheqjen e Komitetit Qendror, por kam zbatuar vijën e Partisë. Për më shumë se 20 vjet kam qenë Drejtor i Ndërmarrjes “21 Dhjetori” dhe Anëtar i Plenumit të Tiranës. Pas transferimit në Ministrinë e Ndërtimit në vitin 1965, u zgjodha zv/sekretar deri kur u caktova në Pekin.

Kudo dhe kurdoherë kam pasur dashuri dhe respekt për të gjithë kolegët, në asnjë rast dhe asnjë herë nuk kam ofenduar kolegët, pasi kjo është karakteristika ime. Këtë radhë unë, u ndodha përpara një veprimi dhe bëra autokritikën time. Qëndrimi im këtu në Kinë nuk është i lehtë, unë duhet ta kryej punën mirë por, unë kam fëmijët në Shqipëri dhe është e natyrshme që të shqetësohem për ta.

Në qoftë se Komiteti Qendror mendon për transferimin tim, do t’i lutem që të qëndroj deri në përfundimin e kësaj kure e cila, vijon deri në 6 muaj. Për problemet e sektorit të objekteve të cilën e analizuam dhe kohët e fundit në organizatën bazë, unë nuk jam pajtuar me këtë vlerësim, pasi ky sektor ka një punë të rëndësishme dhe për një kohë të gjatë aty punojnë 2 persona kur më parë punonin 4 vetë.

Volumi i punës për veprat shtohet dhe ndjekja e tyre, duhet bërë e vazhdueshme pasi ato duhen studiuar mirë. Në çështjet e ngritura nuk kam gjetur mbështetje. Në organizatë u tha që ky problem të studiohet, dhe duhet të shikohet pavarësia e tij, puna që ka, dhe përparësia e punëve në të ardhmen. Për defektit e punës sonë, unë kam përgjegjësinë time, dhe mundet që në taktin tim si sekretar, të thellohesha akoma dhe më shumë.

Në këtë informacion, unë po ngre disa çështje kryesore dhe se për shumë çështje të tjera byroja dhe organizata, e në veçanti shoku Xhoxhi, janë vënë në dijeni. Gjatë gjithë kohës së punës sime prej rreth 30 vjetësh, në ndërtimin e Socializmit jam përpjekur që të jem korrekt dhe të zbatoj detyrat e Partisë, të kuptoj drejt direktivat dhe rolin e përgjegjësit, dhe të zbatoj çdo detyrë në çdo rrethanë.

Asnjëherë Partia, nuk na ka mësuar që të mos keni debate dhe shfaqje mendimesh edhe atëherë kur ato janë në kundërshtim me mendimet e superiorëve. Unë nuk jam i vogël që të mos kuptoj rëndësinë e zbatimit të urdhrit, por kur për atë urdhër jepen mendime që të shikohet me përgjegjësin kryesor që është shoku Spiro, atëherë nuk mund të flitet me tone të tilla dhe epitete si: fodull apo maskara, siç veproi shoku Kleo.

Kleo e di se për kohën që unë kam punuar këtu, ai pothuajse nuk ka punuar fare, duke u justifikuar se është pa familje dhe se është për të ikur. Këtë si shoku Xhoxhi ashtu dhe shoku Spiro, e dinë mjaft mirë. Mua, nuk më lejohej që t’i ktheja përgjigje ofenduese por ta sqaronim më vonë këtë çështje.

Këto ndodhin, dhe të tjera, pse nuk kritikohen në kohë dhe të adresuara, por konstatimet jepen në përgjithësi, veprim që duhet të përmirësohet si nga udhëheqja shtetërore ashtu dhe nga organizata.

Me ndërgjegje e ndjej veten jo të qetë, sepse në një kohë që ju keni shumë probleme si dhe jeni të zënë me punë të shumta dhe serioze unë, po ju shqetësoj për çështje të cilat duhet t’i zgjidhnim vetë.

Këto probleme unë i shtrova për sqarim, si dhe për tju ndihmuar në punën tonë. Si në të kaluarën ashtu dhe në të ardhmen unë, unë do të luftoj për të nxjerrë gjithnjë mësime, duke zbërthyer porositë e vazhdueshme të Partisë dhe të shokut Enver dhe ti vë ato në zbatim. Memorie.al

  Me shumë respekt

Pekin më 10.10.1972                      

     Neço Konomi

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/letra-per-hysni-kapon-ne-darken-e-10-korrikut-ne-prani-te-kinezeve-jovani-u-zu-me-shokun-avni-se-kush-do-qendronte-ne-karriken-e-ambasadorit-por-edhe-grate-jane-ankesa/