“Në ‘Dajti’, na afrohet N.N., i cili pasi na thotë se ka qenë pilot i avionit personal të Enver Hoxhës dhe i besuar i tij, na kërkon…”/ Kujtimet e italianit, nipi i ish-portierit të kombëtares së Shqipërisë

Nga Aldo Renato Terrusi

Pjesa e njëmbëdhjetë

                                                        RIKTHIMI

Memorie.al / Aeroporti i Fiumiçinos. Avioni ‘MD 80’ i Alitalias është gati për fluturim. Është e shtunë, 6 nëntor 1993. Ora 11.25. Komandanti mori miratimin. Stjuardesat na kujtojnë dhe një here të lidhim rripin e sigurimit. Dy motorët çohen në fuqinë maksimale, ndërsa zhurma bëhet e mbytur dhe shurdhuese. Butonat dhe komandat provohen për të fundit herë sipas procedurave të fluturimit, lëshohen frenat, fillon lëvizja gjithë e më e shpejtë, përshpejtimi i përplas pasagjerët pas shpinores, avioni ngrihet në fluturim. Ndjej të më ngrejë një forcë e padukshme që më lë si të pezull në zbrazëti. Hedh sytë përreth për të parë nëse dhe pasagjerët e tjerë kanë të njëjtën ndjesi si unë. Ca lexojnë, ca shohin jashtë nga dritarja, ca janë shpërfillës, ca mezi rrinë të qetë dhe ca, të ngrirë në ndenjëse, lënë të ndër duken frikërat e veta. Me një ndërrim drejtimi të gjerë, avioni ngrihet në lartësi dhe drejtohet drejt radio farit të Barit, për të mësyrë pastaj drejt e në Tiranë, në vendmbërritjen tonë.

Vijon nga numri i kaluar

Petriti thotë emrin e një futbollisti që Xhakomoja e njeh mirë, njëfarë Mezan Sharra, i cili për fat të keq ishte gati duke vdekur. Vendosëm të shkonim ta takonim. Shtëpia e tij ndodhej lart në lagjen e vjetër dhe duhej ngjitur nëpër një rruginë dredha-dredha. Të afërmit e futbollistit na mirëpresin me temena e mirënjohje dhe na shoqërojnë te shtrati i të sëmurit. Mezani e mban mend Xhakominon dhe shkëmbejnë mes tyre disa fjalë shqip, ndërkohë që Xhakomos i janë njomur sytë nga lotët. Përshëndesim tërë përulësi mallëngjyese dhe kthehemi në shtëpinë e Petrit Velajt. Me të mbërritur, na sjellin raki dhe bëjmë një dolli.

Pas pak e pyes Petritin:

“Velaj, çfarë kujton nga babai im”?

“Drejtori ishte një zotëri i rrallë… e shoqja Aurelia ishte zonja më e bukur dhe elegante e Vlorës. Me të vërtetë një grua e bukur. Shëtiste gjithmonë me dy mikesha të tjera”.

Ndërkohë më kujtohet që kam parë foto të nënës sime në shëtitje e sipër nëpër rrugët e Vlorës bashkë me dy shoqe italiane, të martuara më bashkëkombës të tyre, funksionarë të bankës së tim eti.

Petriti vazhdon:

“Ai ishte falltar. Një ditë, kur ishim në burg në Vlorë, më mori dorën dhe ma lexoi. Më tha – atëherë isha 19 vjeç – që do të dilja nga burgu dhe do të hyja sërish. Më parashikoi një pleqëri të qetë, që do ta kaloja në shtëpinë time bashkë me familjen, përfshirë dhe nipër e mbesa. Ndërsa ai nuk do t’ia dilte dot, më thoshte. Kishte parashikuar edhe që një ditë do t’i rrëfeja për të të birit”.

Kjo fjali e fundit, kaq e goditur dhe e saktë, më shtang duke më shkaktuar edhe të ngjethura, por njëherësh edhe një pështjellim të fortë. Velaj, sipas Tolit, ishte burgosur një herë në vitin 1945 dhe pastaj për herë të dytë në 1983-in.

“Ju keni qenë me tim atë edhe në burgun e Vlorës, edhe në atë të Burrelit?”

“Po, fillimisht në Vlorë, në burgun që sapo pamë dhe më pas në Burrel”.

“Ju kujtohet gjë tjetër”?

“Po. Për mua ai ishte si baba, të dy i kishim shtretërit afër, në një qeli plot e përplot”.

“Si i shtynit ditët”?

“Flisnim shumë, tregonim historitë e njëri-tjetrit. Ai na lexonte edhe gazetat dhe na shpjegonte ngjarjet politike. Më mësoi italishten… edhe ta shkruaja”.

“Si vdiq im atë”?

“Në Burrel, dha frymë në krahët e mi. Më kujtohet që dy ditë më parë e kishin çuar në qelinë numër 9 – kjo ishte për ata që se kishin të gjatë – sepse vuante shumë dhe nuk arrinte dot të merrte frymë. Shkova ta takoja dhe gjatë kohës që isha aty, pati një shtrëngim të fortë në kraharor dhe nga goja i doli një çurg gjak. Ditën tjetër vdiq”.

Unë dhe imë më, ishte viti 1952, ndodheshim në Arma të Taxhisë, mysafirë të tezes sime Karmen. I shoqi Mario, kishte ndërtuar një vilë shumë të bukur në kodër, me detin përballë dhe me një kopsht të madh me disa bimë tropikale. Kishim shkuar aty nga Kastelaneta dhe kishim me vete vetëm rrobat e veshura dhe disa gjëra shumë modeste që na e kishte dhuruar Kiarina, motra e babait. Kohët e fillimit ishin të vështira, por unë isha përshtatur lehtësisht me sistemimin e ri, isha fëmijë dhe për mua qe më e lehtë. Më dhuronin shumë lodra, të cilat i çmontoja rregullisht dhe, me gjithë praninë e tim kushëriri Aleks, djali i Karmenit dhe bashkëmoshatar i imi, shpesh më pëlqente të luaja vetëm në dhomën time ose në oborr, po të ishte kohë e mirë.

Kisha filluar shkollën dhe isha në klasën e dytë, por më kujtohet se kam qenë përherë pak i shpërqendruar dhe i ndrojtur, thuajse sikur ato vite në Shqipëri të kishin lënë shenja në karakterin tim. Më kujtohet një mëngjes i bukur prilli, kur isha në dhomën e nënës sime dhe po vizatoja anije të mëdha e pa pikë lidhjeje, kur teze Karmeni, hyri papritur duke tundur një telegram. Kishte një buzëqeshje të madhe në fytyrë dhe ia dha nënës zarfin që vinte nga Ministria e Jashtme. Një dritë gëzimi iu shfaq në sy: mund të ishte fjala për lirimin e babait, flitej se mund të kishte lirim të menjëhershëm ose një amnisti të mundshme. Gjithë familja, gjyshi, gjyshja dhe Mario, të lajmëruar nga Karmeni, po mbante frymën. Unë isha ulur në dysheme dhe po ndiqja skenën, nuk e kisha fort mirë idenë e asaj që po ndodhte. Nëna hapi telegramin dhe as nuk pati kohë ta lexonte të gjithë përmbajtjen, kur ia dha ulërimës dhe dënesës, duke i dhënë lajmin tragjik gjithë familjes. Se kush e ngriti fletën e letrës që kishte rënë afër meje dhe lexoi fjalët e ftohta rrethanore: Ju bëjmë me dije se…!

Im atë kishte vdekur në burgun e Burrelit në 2 mars 1952, në moshën 52 vjeçare. Tre vjet pas këtij lajmi tragjik, Xhorxho Ponte, i cili ndërkohë na kishte gjetur pas kthimit tonë nga Shqipëria, i dorëzoi nënës sime një zarf të rrudhosur. Pale si i kishte rënë në dorë. Mbi të shkruhej:

“Se më 29/2/1952 ora 16 – Vdes Xhuzepe Zanuto”. Ishin pikërisht fjalët për orët e fundit të Xhuzepes, shkruar me dorë, me gjasë nga ndonjë shok i tij i dhimbjes dhe dëshmitar i drejtpërdrejtë”.

“Ku e varrosën”?

“Detyra e varrosjes më takoi mua dhe tre të dënuarve të tjerë, ndoshta sepse ishim më të rinjtë ose sepse kishim qenë më të këqijtë. E mbështollëm të ndjerin me një batanije dhe hapëm një gropë afër një peme qershie, mes dy rrethimeve të burgut. Ishin ditët e para të marsit. Ishte acar, bënte shumë ftohtë dhe toka ishte e fortë si gur, prandaj dhe u munduam shumë për të gërmuar. Na kishin ngrirë duart. Ndërkohë që përmbushnim këtë detyrë të trishtueshme, rojet talleshin me ne dhe na fyenin, duke na kujtuar se së shpejti kjo gjë do të ndodhte dhe me ne. Ato roje nuk janë më, ama unë jam akoma gjallë! Do t’ju them edhe diçka tjetër, e di me siguri që dy nga rojet e atëhershme, u vranë gjatë regjimit të Enver Hoxhës, por vrasësit nuk u gjendën kurrë”.

Mendojmë se tashmë ka ardhur koha të ikim, vajti vonë, ora ka shkuar 14.00 dhe kemi gjithë atë rrugë në kthim. E përshëndesim Petritin, duke e falenderuar ngrohtësisht dhe e ftojmë në Tiranë të kalojë një ditë me ne, por shprehia e fytyrës së tij është mjaft dyshuese. Vetëm më pas i bie në të se pse: ndoshta ka pritur ndonjë shpërblim për bashkëpunimin e tij. Shoferi na pret dhe nuk duket aspak i mërzitur. Nisemi për rrugë. Edhe rruga është e kreshpëruar dhe ngurruese, por i’a dalim të mbërrijmë në Tiranë shëndoshë e mirë, rreth orës 17.00. Ndalojmë para Dajtit, paguajmë shoferin dhe përshëndesim Tolin. Jemi shumë të lodhur dhe shumë të emocionuar: brenda • pak orësh në sytë tanë kaluan shumë vite të jetës sonë. Është vonë për të ngrënë ndonjë gjë në hotel, ndaj shkojmë në një kioskë aty afër dhe ulemi. Ngjarjet e ditës na e kanë bjerrë oreksin dhe porositim vetëm ëmbëlsira me çaj dhe qumësht. Mendojmë se duhet të shkojmë në hotel për një ndalesë të vogël. Xhakomo mendon të pushojë pak, ndërsa unë shkoj në sallon të shoh kanalet italiane. Aty nga ora 18.00 daja shfaqet sërish.

“Më duket se në vend të dremitjes, ishte gjumë me plot gojën”!

“Po, më zuri gjumi, isha vërtet i lodhur”.

Ndërsa porositim nga një ekspres të bari, vjen përballë nesh Spartaku:

“Ia kaluat mirë në Vlorë”?

“Po”, i them unë. “Mund të them se ishte një ditë vërtet e ngarkuar dhe në disa anë, edhe tronditëse. Vetëm se mbeta pak i pështjelluar, nga qëndrimi i Velajt”.

“I dashur Aldo, nuk mendoj se hipoteza jote qëndron. Këtu njerëzit të shohin ende me dyshim, regjimi i vjetër i Enverit ka lënë plagë të thella që zor se do të shërohen brenda pak kohësh. Edhe sot e kësaj dite grindjet mes familjeve nuk kanë marrë akoma fund. Mëritë e vjetra mes klaneve nuk janë fashitur ende. Pastaj Petriti ka pasur probleme edhe me drejtësinë…!  Në rastin tuaj, familja ka qenë shumë e njohur, dhe sidomos në Vlorë, dhe ata që ju takojnë i shpërfillin arsyet tuaja të njëmendta, pa llogaritur këtu që ka edhe nga ata që kontrollojnë lëvizjet tuaja dhe mbajnë shënim njerëzit me të cilët takoheni. Disa sjellje dhe qëndrime mund të jenë të përligjura, mos ua vëm shumë veshin”. E falenderojmë Spartakun dhe vendosim të bëjmë një shëtitje të qetë drejt Sheshit “Skënderbej”.

Engjëll Kokoshi, në Hotel “DAJTI”

Qëlluam me fat: edhe sot është një ditë shumë e bukur. Presim vizitën e Kokoshit dhe me këtë rast, do të vijnë në “Dajti” edhe Pierxhorxhoja dhe Toli. Hamë një mëngjes të bollshëm. Është ende herët, ora është 09.00. Shkojmë të çmpijmë pak këmbët në një shëtitje të shkurtër para hotelit. Në kthim, takojmë Spartakun që na përshëndet miqësisht dhe vihet në dijeni për programin tonë. I themi për takimin me Kokoshin. Ai e njeh dhe e përshkruan si një njeri shumë serioz, që ka vuajtur shumë në regjimin e Enverit. Gjatë kësaj bisede të këndshme miqësore, na afrohet një zotëri që me mirësjellje kërkon të flasë mënjanë me Xhakominon. Është trupgjatë, me flokë të bardhë, pamje të bukur, të kujdesur në detaje, me sjellje zotërie. Ka veshur një kostum blu të thellë, këmishë të bardhë dhe kravatë të kuqe e blu. I themi të ulemi në sallonin aty pranë. Kryqëzoj vështrimin tim pyetës, me atë të Spartakut. Ai më bën një ngërdheshje duke tundur lehtas kokën, për të më bërë me dije që nuk i pëlqen kjo gjë. Ulem krah dajës. Në kolltukun afër ulet N.N. dhe fillon monologun e vet:

“Unë kam qenë pilot i avionit personal të Enver Hoxhës, ai kishte besim te unë, unë e çova edhe në Rusi. Atëherë fitoja shumë dhe i shërbeja madje edhe si truproje. Ta dini, unë isha me shërbimet sekrete dhe varesha direkt nga Enveri. Qeveria e tij ishte shumë e fortë dhe ne ishim shumë mirë… ndërsa tani nuk kuptohet më asgjë… sipas kokës edhe festja. Tani jetoj me atë pak pension dhe mezi ia dal…”! Shihemi në sy dhe nuk arrijmë të kuptojmë ku ka ndërmend te dalë N.N.?!

Vazhdon:

“Hoteli kushton shumë dhe vetëm pak njerëzi si puna juaj mund t’ia lejojnë vetes… vendi nuk është shume i sigurt… unë kam një makinë… po t’ju duhem…”! Më në fund e kuptuam! E falenderojmë për mirësjelljen e treguar dhe i themi se nëse do të na duhet ndihma e tij, do ta kërkojmë. Na lë një numër telefoni dhe me shumë përulje largohet. Spartaku na kthehet ne:

“A e kuptuat kush ishte? Mos i zini besë!”

Edhe Kokoshi, që ndeshet me N.N. kur po futej në sallon, pasi erdhi të përshëndetej, na tha në mirëbesim: “A e patë atë tipin, këta kanë akoma cipë e dalin në shesh”! Në mos për gjë tjetër, kuptuam se urrejtja mes atyre që ishin në pushtet në të kaluarën e afërt dhe ata që i mbajnë anën qeverisë aktuale është shumë e fortë.

“Më falni, të prezantohem, jam Engjëll Kokoshi, Sekretar i Shoqatës Kombëtare të ish-të Burgosurve Politikë në Shqipëri”.

“Gëzohem, Aldo Terruzi”.

“Gëzohem, Xhakomo Pozeli”.

Engjëlli është një burrë shtatlartë, shumë thatanik, me fytyrën të gërmuar nga mosha dhe vuajtjet, flokë të gjatë të drejtë e të bardhë, sy të thellë të rrethuar nga syze të trasha. Një buzëqeshje të trishtuar, por të sinqertë. Një sjellje fisnike dhe e sigurt. I veshur modestish si evropiania, me xhaketë, kravatë dhe një pardesy të gjatë blu. Nuk e pyeta, po besoj se duhet të jetë te të shtatëdhjetat. Vijnë edhe Pierxhorxho dhe Toli,të cilët tregojnë interes ndaj deklaratave të Kokoshit, që mbahet si figurë e rëndësishme e ngjarjeve që përfshinë Shqipërinë në konfliktin e fundit. Më merr menjëherë me sy të mirë, ndërsa mua më pëlqen shumë sjellja dhe qëndrimi i tij, më thotë që më ka si djalë të tijin dhe, duke më vënë dorën në shpatull, më pyet: “A mund të të drejtohem me ti”?

Para se unë t’i drejtoj ndonjë pyetje, fillon, me një italishte të përsosur, të tregojë për të kaluarën. Kështu, pa dashur, fillon një intervistë monolog:

“Vij nga një familje që ka luftuar për atdheun, por regjimi barbar komunist e masakroi pa mëshirë. E kam respektuar gjithmonë tët atë, drejtorin, e them nga zemra. Miqësia jonë lindi në burgun e Vlorës, më pare ne nuk njiheshim. Në burg nuk bëhet ndarje kombësish, as feje dhe as ngjyre: vuajtjet i shuajnë gjithë këto gjëra dhe e forcojnë më shumë solidaritetin, aq sa secili prej nesh mendonte si ta ndihmonte tjetrin moralisht dhe, nëse kishte mundësi, edhe materialisht. Duhet ta dish që prej marsit në tetor niseshim nga burgu thuajse të gjithë për të bërë punë të detyruar në pyje e në miniera, më të dobëtit vdisnin dhe ata që mbeteshin, kur ktheheshin, ishin të rraskapitur, kockë e lëkurë dhe të uritur si bisha të egra.

Yt atë nuk shkonte për të bërë punë të detyruar, po kur ktheheshim, kur na shihte në atë gjendje, na ndihmonte me sa mundte dhe ndante me ne gjithë ushqimet e tij.

Me siguri e ke njohur babain nëpërmjet tregimeve të nënës tënde dhe të dajës, por natyra e tij e vërtetë ishte ajo që jetoi mes nesh, në vitet e tmerrshme të burgimit, kur na trajtonin si armiq të popullit dhe kriminelë lufte. Nuk na konsideronin si qenie njerëzore, por vetëm si kafshë që duheshin zhdukur, si bartës të mikrobeve ngjitëse. Më vjen keq të të them gjëra që për ty mund të jenë të dhimbshme por, o mik i shtrenjtë, duhet të jesh krenar për tët atë, që nuk u përkul kurrë pavarësisht dhimbjeve çnjerëzore që ata të mallkuar, të shndërruar në kafshë të ideologjisë marksiste, na shkaktonin. Vuajtja shndërrohet në krenari, pasion dhe forcë mbijetese. Brenda teje fshihen urrejtja dhe mllefi, që rriten me pësimin sërish të fyerjeve të atyre xhelatëve, por shtohet edhe solidariteti me atë, që ka të njëjtin fat me ty”.

Engjëlli vazhdon me guxim shfryrjen e tij, pa guxuar ta ndërpresë kush. Ato kujtime janë shumë të rëndësishme për të, më në fund ka përballë bashkëbisedues të interesuar ta dëgjojnë deri në fund.

“I dashur Aldo, për tët atë unë qeshë mik e shkuar mikut, e them sinqerisht dhe ndershmërisht para Zotit dhe shpirtit të tij. Në ato vite burgu, si në Vlorë, si në Burrel, kemi ndarë jo vetëm kafshatën dhe vuajtjet, por edhe atë copë lumturie, nëse mund ta quajmë kështu, pak çaste magjikë që ndodhnin rastësisht dhe që shuheshin shumë shpejt. Isha 21 vjeç kur më dënuan me vdekje. Ndenja për 76 ditë me duart dhe këmbët e lidhura, si qen…! Që të më detyronin të firmosja denoncimin kundër shokëve të tjerë, më lanë të hapja tre herë gropën time, por nuk u dorëzova kurrë. Në burg ishin edhe babai dhe xhaxhai im. Për vëllanë në Tiranë nuk dija asgjë. Kur ma falën jetën dhe e kthyen dënimin në burgim të përjetshëm, mora vesh për vdekjen e tim eti: dy ditë më pas më pushkatuan vëllanë. Tre ditë pasi dola nga izolimi, xhaxhai më vdiq ndër duar. Dhe nga dhimbja, nëna ime vdiq disa ditë më pas”. Rrëfimi i Engjëllit të fut dridhmat: ishte një tragjedi e njëmendët kjo e tija. Shihemi me njëri-tjetrin dhe para atyre ngjarjeve ndjehemi të gjithë shumë të vegjël dhe thellohemi në kolltukët tanë, thuajse duam të fshihemi. Memorie.al

                                                   Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ne-dajti-na-afrohet-n-n-i-cili-pasi-na-thote-se-ka-qene-pilot-i-avionit-personal-te-enver-hoxhes-dhe-i-besuar-i-tij-na-kerkon-kujtimet-e-italianit-nipi-i-i/