“Ndërsa, nëndrejtori i Sigurimit, Kadri Ismailati, më bënte presion, hyri brenda hetuesi, Nasho Gjinopulli, i cili dëgjonte ato që i thoshte ‘miu birucës’, Gjergji…”/ Kujtimet e ish-të dënuarit nga Gjermania

Nga Gëzim Peshkëpia       

Pjesa e dytë

Memorie.al / Herë pas here kisha botuar ndonjë shkrim për ngjarje të shkëputura me hezitimin e përhershëm ndaj penave të njohura që e sillnin këtë kohë tragjike nëpërmjet librave të tyre. Edhe përshkrimi pasiv nuk shkon, prandaj m’u desh të bëhem komentator i kësaj periudhe me qëllim paraqitjen jo vetëm të tragjikes, por në përgjithësi të asaj jetësores. Me këto shkimëza rrëfenjash nuk pretendoj të sjell imazhe të gjalla, por një kontribut fare të vogël në memorialin për nder të kujtimit të tyre.

                                                        Vijon nga numri i kaluar

DITAR BURGU
                                                             Seanca hetuesie

– “Më njeh”?

-Jo, gënjeva.

– “Jam Kadri Rasim Ismailati, komunist i 42-shit. (Më gënjeu për një vit. Në komunikatën e vdekjes, mësova se kish qenë i 43-shit.) Jam nëndrejtor i Drejtorisë së Punëve të Brendshme për Sigurimin. Kam një karakter unë … top”, – shtoi duke mbledhur dorën e djathtë grusht.

– “Dëgjo mirë se ç’do të them: Sa vjeç je ti”?

– Tridhjetë e pesë.

– “Nuk të premtoj se do të të liroj, por në do të festosh dyzetvjetorin pranë nënës tënde, më trego se çfarë ke biseduar…”?

Në këtë kohë hyri Nasho Gjinopulli, i cili me siguri, ndërkohë dëgjonte në një dhomë pranë se çfarë i thonte “miu i birucës” Gjergj Luka, i cili qëndronte me mua prej afro një muaji e gjysmë. Ndërsa kërkonte diçka në sirtar, Kadriu vazhdoi:

– “Me Ingri Begon…”?

– “Me Stefo …. Si e ka ky more mbiemrin”?

Nashoja: – “Çami. E more, është i vëllai i Foto Çamit”.

Kadriu: – “I kujt ore, i atij Çamit të Krujës”?!

– “Me këtë Dorin me…”!

– “Ç’ke ore, që dridhesh? Ore Nasho, si e ke lenë këtë kështu ore, me përparësen e punës”?

– “Lajmëroje ore, nënën t’i sjellë ose dërgo ndonjë t’i marrin një pallto”.

– “Nuk i sjellin ore, s’kam ç’ti bëj”, – vazhdoi Nashoja, duke dalë me një shkresë si proces-verbal në dorë.

Nga dritarja e hetuesisë shoh se si dëbora kishte zbardhur tërë horizontin e kufizuar që mund të shikoja. Mbi peronin e trenit ishte një shtresë dëbore afro tridhjetë centimetra.

– “A i grisim tërë këto proces-verbale dhe bëjmë një marrëveshje bashkë”?

– “Eja, të marr me makinë dhe shkojmë andej nga stadiumi ‘Dinamo’. Atje, në ndonjë klub marrim nga një fërnet e një kafe e, flasim si burrat ndërmjet nesh. Duhet ta dish se kemi shumë në dorë. Avoketërit që na bezdisnin, i hoqëm qafe.

Po u tregove i sinqertë, i themi ndonjë fjalë gjykatës… se ne e kemi në dorë…, na ecën fjala për një dënim minimal 3-4 vjet dhe…hë, si thua?

Se duhet ta dish… Ja,…e sheh këtë? Vendim internimi. Është i vulosur me emër bosh. Mjafton emri dhe një firmë nga unë dhe në Esfelt…! Ishe jashtë ti, kur internuam dyqind familje nga Tirana? Po hartojmë planin për vitin 1976 tani”.

Kishte hequr njërën këpucë dhe po ngrohte këmbën pranë sobës. E shikoja dhe më kujtohej Ganiu, me të cilin punonim në një brigadë dikur si saldatorë. Sapo e shihte rrugës, thoshte: – “Bubu, sa e ka pallën e këmbës! Po të të gjuajë ky, nuk del huq kurrë se s’ke nga i shmangesh në birucë….”!

– “Hë, se dhe Ingri me Stefon në fillim kështu hezitonin, por tani që u rrëfyen janë të qetë. U lejojmë ushqime, cigare…”!

– Ata nuk i arreston dot kollaj, jo, se njeri është kushëriri i Muço Saliut e, tjetri vëllai i Foto Çamit, kurse me mua e patët kollaj fare, se nuk kam çadër…”!

– “Ore, qenke tip interesant ti! Sa shumë dyshime ke tek fjalët tona. Mblidhe mendjen, ne nuk po pyesim për anëtarë të Komitetit Qendror e, jo më për kësi çapaçulash. Desha të të ndihmoj, por t’i po tregon se je konseguent në vijën tënde dhe nuk je nga ata që kanë rrëshqitur rastësisht.

Ne i dimë të gjitha, por unë desha të di nëse ke reflektuar ndonjë çikë…! Ja për shembull: kush ka thënë prej jush: ‘Këtyre sigurimsave, po t’i kem në dorë, të betohem do ua ha turirin me dhëmbë’.

I kemi të regjistruara, duhet ta dish, këtu flitet vetëm për sinqeritetin, qëndrueshmërinë dhe vihet në lojë masa e dënimit tënd. Sikur të të shpie tani te birucat e t’i shohësh shokët e t’u brenda, a do flasësh…”!

– Nuk kam se ç’flas. Më keni arrestuar kot. – Unë nuk flisja kundër pushtetit.

– “Po ja, për çfarë ke folur me Ingrin”? – Për letërsi, muzikë, sport, për vajza….”! Kadriu shënonte përgjigjen përkrah emrit. Kishte mbi tavolinë një listë me 7-8 emra.

– “Po me X-in”?
– Ku di gjo un?
Ndërkohë brofi nga tavolina, ku u afrua dhe më mbërtheu nga veshët, duke më ngritur nga karrigia.

– “Ku di gjo un”?

– Përqeshi dialektin tim tiranas. – “Të dhjefsha dialektin e atij qelbësirës, Beqir Ballukut”. – Filloi të më qëllonte me grushta e shqelma dhe për çudi, gjithë ai trup nuk kishte forcë në goditjet e tij. Kur më godiste me shqelma, m’u kujtua Ganiu që fliste për pallën e tij të këmbës dhe në moment, nga e qeshura, më doli një poç qurresh nga hunda.

Bëra sikur ngashëreja për të mos e nxehur me qeshjen time, sepse kushedi ç’më priste pastaj. E vetmja gjë që më shkaktonte dhembje, ishte e shkundura e tij. Isha dobësuar mjaft. Kisha humbur mbi njëzet kilogramë.

Ai më tërhiqte nga një anë e murit dhe me dorën tjetër më shtynte drejt murit përballë e, në kohën që përpiqesha të amortizoja goditjen, duke çuar duart përpara, ai më tërhiqte me gjithë forcën mbrapsht nga përparësja që kisha veshur.

Më dukej sikur do nxirrja mushkëritë nga goja. Isha gati të duroja më shumë goditjet e tij për çerek ore, sesa këtë shpikje djallëzore të këtij përbindëshi. Kjo punë për fat nuk zgjaste shumë se atij i fillonte dihatja e nuk kish fuqi të vazhdonte.

Dy djemtë

– “Djemtë kanë patur shumë punë këto kohë, – më tha Kadriu, – ndaj dhe s’të kanë marrë në pyetje…”!

Dy hetuesit e mi kryesorë, ishin Nasho Gjinopulli dhe Kosta Gazeli. I pari ishte i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, ndërsa i dyti krye-hetues i Ministrisë së Brendshme. Nashoja ishte i ithët e cinik. Nganjëherë flisnin greqisht ndërmjet tyre.

Prototipi i njeriut që kish vuajtur nga kompleksi i inferioritetit në rrethin e tij shoqëror, kishte gjetur vendin e duhur në atë pozicion, për ta ndierë veten të barabartë, në mos superior mes shokëve të hershëm, të cilët nuk e kishin çmuar më parë duke e parashikuar si dështak. Karrierist, finok, ishte mjaft i ithët.

Për këtë, pak kohë më parë se të arrestohesha, më kishte folur një miku im i cili e kishte komshi. Më tregonte veç këtyre, se kishte një baba shumë të urtë, në mos të humbur. Kalamajtë e lagjes i kishin vënë dhe nofkën “Kopili”.

I zbehtë në fytyrë tregonte se ishte i sigurt në vetvete dhe hiqej si i prerë në biseda. Qëllonte me pjesën e prapme të dorës dhe me shqelma në kërcinjtë e këmbëve. Kosta ishte më i bëshëm.

Këtij i pëlqente të fliste gjatë e gjerë dhe për të treguar erudicionin e tij, kalonte nga ca emra piktorësh “dekadentë” tek Modugno, Çelentano e Beatles, “shtjellonte” Freudin, të cilët më vonë do të kishin autorësinë time në akt-akuzë.

Gjatë hetuesisë, më shkulte qimet e gjoksit. Këtë e kish “hobi”. Me të tjerët që nuk ishin leshatorë, nuk e di se çfarë metodash përdorte. Një ditë më këputi një grusht dhe më theu dhëmbin e qenit, gjysmën e mbetur të të cilit, ma hoqi Hasani, një dentist të cilin e njihja që jashtë burgut. Ai u prish në fytyrë kur më pa buzën e ënjtur, sepse e kuptoi se çfarë kishte ndodhur.

Një herë tjetër më qëlloi në stomak dhe më hodhi përtokë.

– A mor qen, – i thashë,- po të isha jashtë, a do guxoje të më qëlloje?

– “Të qëllon që ç’ke me të ,- ndërhyri Nasho,- se ka atë të shkretën prapa”,- duke aluduar për revolen.

Që nga ajo ditë i vura nofkën “Kasus Klei”.

-“Po, – më tha Nashoja,- ai ‘Kasus Klei’ e ti ‘Xho Frezer’. Ti ke të drejtën e revanshit. Bëj njëherë këtë dhjetëshen, se pastaj të dytën e kemi kollaj. Kishim keq sa të futëm brenda, se për të dalë, kjo porta dykanatëshe ku hyre, me gjithë makinë, bëhet sa një vrimë gjilpëre. Memorie.al

                                                         Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/ndersa-nendrejtori-i-sigurimit-kadri-ismailati-me-bente-presion-hyri-brenda-hetuesi-nasho-gjinopulli-i-cili-degjonte-ato-qe-i-thoshte-miu-biruces-gjergji/