Muzeu Ateist, i vetmi në llojin e tij në botë, shembull i utopisë së regjimit komunist…

Nga Pjerin Mirdita | Shkodra Web, 13 dhjetor 21

Më 10 korrik 1968 u inaugurua në Shkodër ekspozita ateiste me titull “Mbi rolin reaksionar të fesë” e cila qëndroi e hapur për 5 vjet. Ajo ishte konceptuar edhe si ekspozitë shëtitëse në fshatra, malësi dhe zona industriale. Në prag të punimeve të Kongresit VII të gruas që do të zhvillohej në Shkodër (në ndërtesën e Katedrales së kthyer në Pallat Sporti) më 9 qershor 1973, ekspozita u shndërrua në “Muze Ateist” me propagandë antifetare.

Pushteti i kohës u mburr me këtë Muze, sepse ishte i vetmi i këtij lloji në Botë. Në hyrje të muzeut u vendos citati i Marksit: “Feja është opium për popullin”. Hapësira ekspozuese ishte e ndarë në të dy katet e godinës dhe trajtonte tema të ndryshme. Dy pavijone ekspozuese ishin të vendosura në katin e parë dhe kishin të bënin me “traditën e popullit shqiptar në luftën kundër fesë dhe klerit” dhe me “lëvizjen e revolucionare popullore të vitit 1967, kundër fesë dhe bazës materiale të saj”.

Në katin e dytë ishin të vendosur tre pavijone të tjera ekspozuese, që kishin të bënim me “karakterin anti-shkencor dhe reaksionar të ideologjisë fetare”, “me fenë si vegël politike të klasave sunduese dhe pushtuese” dhe me “dështimin e veprimtarisë kundërrevolucionare të klerit pas pushtimit”. Në stendat e secilit pavijon ishin ekspozuar, dokumente, foto, materiale të ndryshme që synonin të evidentonin rolin armiqësor dhe reaksionar të klerit, sidomos atij katolik, si shërbëtor i Vatikanit dhe i imperializmit. Po ashtu ky muze kishte edhe një ekspozitë lëvizëse të përbërë nga 23 stenda, e cila ekspozohej në zona të ndryshme jo vetëm të Shkodrës, por edhe Shqipërisë.

Vizitorët e këtij muzeu ishin nxënës shkollash, kolektive pune, anëtarë të partive komuniste të vendeve të tjera që vizitonin Shqipërinë, si dhe turistë të huaj. Muzeu Ateist qëndroi i hapur deri më 13 dhjetor të vitit 1990. Godina ku ishte i vendosur ky muze u sulmua dhe u tentua të shkatërrohej, në të njëjtën ditë kur në Shkodër ndodhi protesta për rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës.

The post Muzeu Ateist, i vetmi në llojin e tij në botë, shembull i utopisë së regjimit komunist… appeared first on Observatori i Kujtesës.


This is a companion discussion topic for the original entry at https://www.observatorikujteses.al/muzeu-ateist-i-vetmi-ne-llojin-e-tij-ne-bote-shembull-i-utopise-se-regjimit-komunist/