“Më arrestuan me babanë në mbledhje demaskuese, pasi na ishin arratisur dy vëllezërit dhe në qeli, më godisinin në stomak, dy hetuesit nga Skrapari…”/ Rrëfimi tronditës i ish-të dënuarit

Dëshmia e rrallë e Muhamet Zhulit nga fshatrat e Korçës: “Në kampin e Spaçit, kur s’bënim dot normën, na rrihnin me kamzhik Preng Rrapi, Pjetër Koka dhe Zef Gjini, ishte dhe një Lazër, por më ndryshe ai…”!

Memorie.al / Pesë vite burg sepse kishte mbrojtur të atin në mbledhjen e fshatit. Pesë vite punë të rëndë në Spaç, ndërsa babai i tij, edhe pse në moshë të thyer, u dënua me 7 vjet, që i kreu të gjitha ditë më dit në burgun e Ballshit. Muhamet Zhuli me origjinë nga rrethi i Korçës, rrëfen dramat e familjes, ku arratisja e vëllezërve u bë shkas për internime, varfëri, burgosje dhe përndjekje të shumta.

Z. Muhamet, si nisi përndjekja e familjes suaj?

Unë kam lindur në maj të ’45-ës edhe në vitin ’65, nga nevojat familjare që kishim, sepse ishim shumë hollë, dërguam një djalë, vëllanë tim, në Stravaj të Elbasanit, në ndërmarrje shfrytëzimi për të punuar. Atje, ai, bashkë me gjeometrin e tij, një Marko Bicaj nga Vlora, (ishte inxhinier rruge), pasi kishin biseduar për kufirin, sa larg ishte, a e dinte ai, u arratisën. Ky ishte nja 19 vjeç. Për inat të tij, neve na vijnë, na internojnë. Kur hynë brenda ata për të na internuar, na thanë: “Do merrni vetëm enët e kuzhinës dhe të fjetjes, plaçkat e tjera kyçini në një dhomë se tuajat i keni, këtu do vini prapë”. Edhe na ndiqnin dhomë më dhomë me automatik në dorë, se mos kush e di ne çfarë do bënim.

Sa veta ishit në shtëpi?

Ne ishim gjashtë fëmijët dhe dy pleqtë, tetë.

Ju sa vjeç ishit?

Unë isha 23 vjeç dhe isha ushtar që në ’65-ën. Në ’67-ën, iku vëllai, që na internuan. Unë s’isha në shtëpi.

Ku e internuan familjen?

Familjen time e internuan në Rosover të Moglicës. Marr haber, pas nja tre muajsh ushtar, që më dërguan letër. Reparti e dinte, nuk më tregonte mua. Kur mora letër, ata të repartit po më vëzhgonin se, dy shokë të mi, ishin komunistë. Ishin më të mëdhenj dhe kur bënin mbledhjet e Partisë, i shtronin çështjet. Mua më bie pas kur po lexoja letrën, një nga ata ushtarët. Më thotë: Ç’ke që u prishe në fytyrë? “Jo, asgjë”, i thashë. “O po ti u prishe në fytyrë. Ç’ke ndonjë hall? T’i them komisarit të të japë lejë”?!

“Nuk kam gjë”, i thashë. Pastaj, i tregova: Kështu-kështu kam një letër. Po më është arratisur një vëlla dhe e kanë internuar familjen. Më thërret komisari në repart. Më thotë mua: “Muhamet, ne e dinim këtë punë, kishte tre muaj, prandaj të thosha; ke marrë letër, s’ke marrë letër nga familja? Po ne kemi respekt të madh për ty, je sjellë mirë. Plaku, mirë të thotë, që siç je sjellë, sillu, se çdo njeri varet për këmbët e tij. Ai tradhtoi familjen, tradhtoi atdheun, të gjitha. Ne do shikojmë punën tonë”.

Pastaj, pas nja dy muajsh, ishte viti i fundit, mua më hoqën nga reparti i ndërlidhjes së telefonisë ku isha centralist, në Fushë-Krujë, më shpunë në Kamzë të Tiranës, vetëm për të më prishur biografinë, që është mobilizuar këtu, është mobilizuar aty. U lirova nga ushtria, vete në Nikolicë unë, s’desha të shkoja në internim. Vijnë më arrestojnë.

Ju nuk shkuat në Nikolicë, kur mbaruat ushtrinë?

Unë shkova në Degë të Brendshme të ankohesha. U thashë: Mua më lini, se nuk kam ndonjë faj, unë isha ushtar. Jam sjellë mirë. “Jo, – thanë, – një ha hudhër, por të gjithëve u bie erë. Ti do vesh në familje”. Pas ca kohësh, më arrestuan dhe më çuan në familje, në internim edhe mua. Lirohemi prej andej, shtëpinë e kishin bërë magazinë. Shkatërruar komplet.

Sa vjet qëndroi familja në internim?

Pesë vjet në internim. Nga 30-40 lekë për ditë pune merrnim. Isha unë 23 vjeç, vëllai tjetër ishte 18 vjeç, njëri 14. Nuk kishim të merrnim dy kile sheqer e dy kile vaj kikiriku dhe bukë. Arritëm deri atje sa nuk kishte ku të na zinte qeni, me andra, me ashtu…! Lirohemi, mbushëm 5 vjet atje, vijmë në shtëpi. Shtëpinë e gjetëm të shkatërruar komplet. Sa e rregulluam, për nja 3-4 vetë…!

Kishim vëllanë tjetër, që ishte internuar me internimin e parë në Bofje të Dushajit. Në ’75-ën, doli një ligj që; ç’janë nga fshati, të shkojnë në kooperativë. Atje, të futeshin prej qyteti. Ne ishim në një gjendje shumë të keqe ekonomike. Ai e dinte ku do të vinte. Nga andej, bashkë me një shokun e tij, (kishte bërë burg biles në Spaç…), u arratis dhe ai. Vijnë na thonë ne që: “Na kanë lajmëruar në ndërmarrje, që djali juaj nuk gjendet. Interesohuni kërkoni, ka shtënë dashuri me ndonjë, ka marrë ndonjë grua, ka ikur gjëkundi me ndonjë punë tjetër”.

Ata e bënin për të na provokuar ne, sepse ata e dinin. Kur iku ai, atë ditë ata ishin bërë gardh me ushtarë, nga Bilishti e nga Korça, të armatosurit e fshatit…se kushedi sa kishin ikur. “Do të vini ta kërkoni”, na thonë. Unë këtej nga Kolonja. Babai nga Tirana, në Librazhd kishim njerëz e, në Elbasan e…vemi andej. Ku do ta gjenim?

Erdhëm në shtëpi. Kur na erdhën ata të Degës Brendshme, e na thanë: “Djali juaj është arratisur. Për faj të tij, ju internojmë prapë. Shpejt”! Morëm vetëm enët e kuzhinës dhe plaçkat e fjetjes, ç’kishte shtëpia pastaj, i lamë, bagëti, e të gjitha…! Edhe hipëm në makinë për të na çuar në Dushar të Moglicës. Aty, pas nja dy javësh, organizojnë një mbledhje këta të organizatës Partisë në bashkëpunim me Degën e Brendshme, që ta thërrisnin Sabri Zhulin, babanë tim, që: “Të na japë një autobiografi, që ta dijë brigada, populli i Dusharit që me ç’njerëz ka të bëjë”.

Vajta unë dhe motra. Isha 27 vjeç, motra nja 16 vjeç. Vajtëm në mbledhje. “Jo, thanë, të vijë babai”. Babai, thashë unë, ka hequr dorë nga të gjitha tani, nga mbledhjet, nga puna. Ai është plak tani. Ishte nja 68 vjeç. E kemi lënë kështu, që ç’keni për të thënë, m’i thoni mua. “Jo, do vijë ai”, thane ata. Mirëpo babai im nxehej, mërzitej dhe nevrikosej shpejt. Me të mirë ia haje kokën, por kur nxehej…! E thirrën babanë, erdhi atje. “A e di pse të kemi thirrur, o Sabri”?, i thanë. “Jo, s’di gjë”, tha. “Ne të kemi thirrur që ti, të bësh autobiografi për familjen tënde, për djemtë, si është puna që kanë ikur…”?!

“Që kur ta filloj, që nga çlirimi, apo ta filloj tani vonë”, u tha babai “Po që kur të duash”, i thane ata. “Që nga çlirimi, unë, e deri para 9 viteve, që më iku një djalë, që në kooperativën tuaj isha i internuar, në fshatin më poshtë, në Rosover, nuk mora pjesë gjatë Luftës, as me partizanët, as me ‘Ballin’. Para 9 vjetëve, kisha një djalë në Stravaj të Elbasanit, me një gjeometër grek, Marko Bicaj. Ma gënjeu ai, se ishte më i pjekur; djali im 18 vjeç ishte. Ma gënjeu, iku. Për atë punë, u internova për 5 vjet. Tani kisha djalin tjetër në punë, këtu në malin tuaj, në Bofje të Dusharit. E nxorët nga puna, ai nuk erdhi në shtëpi, se ku të vinte…?! Me bukë thatë nuk mbushemi. Edhe ai, më iku”.

“E dëgjoni o populli i Dusharit, – tha sekretari i Partisë, – ky i ka dhënë dy ushtarë grekut. Ky është Sabri Zhuli që ashtu i ka edukuar fëmijët, ia ka dërguar grekut”. “Dëgjo, – tha babai, – nuk ia dërgova unë grekut. Ai ishte fëmijë, u gënjye. Ky, e nxorët nga puna, iku, por nuk është faji i edukimit tim, fëmijën prindi mund ta mbajë deri 18-19 vjeç, që është në shtëpi, pastaj shkon ushtar, shkon në ndërmarrje punon. Do ta ruaj unë andej nga vete? Nuk dëgjojnë. Ç’faj kam unë sot, 68 vjeç? Apo gruaja, 60. Apo këta fëmijët nga 12-13 vjeç, këto çupat”?!

“Ore faji yt është, se rrezik, mos u ke treguar rrugën ti, atyre”. “Dëgjo – tha babai – këtu të shumtit janë familjarë. Nuk ka prind, se ju e dini klonin e Nikolicës, kufirit, që është plot me ushtarë, po sikur të vritej, çfarë i mbetej prindit po t’i thotë: shko, ik kalo”?! “Ore, ashtu di të flasësh ti, por tërë edukata jote është”, i thanë ata. “Po mirë ata, i paskam edukuar unë keq, po Liri Belishovën, Beqir Ballukun, Petrit Dumen, Hito Çakon, Mehmet Shehun e këta të tjerët, unë i edukova”?-tha babai. – Që deri dje, po t’i zija në gojë ata, ju më varnit prej gjuhe mua”?

Po atje shkau babai, u tha…ashtu e ndjente: “Ju jeni qelbur nga koka, s’e kanë fajin këmbët”! Mua, s’më erdhi mirë. “E dëgjoni o popull, si tha? Që është qelbur qeveria nga koka”. Nuk tha ashtu, – i thashë unë, por tha që ishin njerëz me kokë dhe qeveria u gjeti vend, le t’ua gjejë dhe këtyre të mive. “Ja i biri, i mban ison. Thotë: O baba, e ke mirë”, vazhdoi ai. Nuk i thashë “e ke mirë”, por nuk tha ashtu si thoni ju, u përgjigja unë. Doja, ta mbroja. Edhe u nis të ikte babai e tha: “Kjo është biografia ime, e tërë”.

U kthye prapë e u foli: “Dëgjo, unë plak jam, shkollë nuk kam, por di vetëm nga përvoja: vetëm Enver Hoxha e ka mbajtur 40 vjet me grykën e pushkës, me të futur brenda, me të vrarë, me të prerë. Asnjë tjetër s’e mban më shumë se 5-6 vjet, por megjithatë mbaj mend, e kam dëgjuar dhe nga pleqtë e tjerë që çdo qeverie, kur i vjen ngordhja, i ka ardhur nga koka. Edhe ju kur t’ju vijë, nga koka do t’ju vijë. Mos kini frikë kurrë, nga klasa punëtore…! Çdo t’ju gjente nga unë dhe nga djemtë e mi? Asgjë. As kanë vrarë, as kanë prerë”.

“E shikoni si na tha, që do t’ju vijë ngordhja nga koka”, tha i  sekretari Partisë. Edhe iku babai. Pastaj, në darkë, bënë mbledhje tjetër. U mblodhën: i plotfuqishmi ishte që në mëngjes, po nja dy policë të tjerë, kryetari i kooperativës, ishte një Ilmi Zhuli, një kushëriri ynë, rrinte në Vloçisht të Maliqit ai….! U ngrit sekretari i Partisë, diskutoi. “Ç’mendim keni për Sabri Zhulin dhe Muhamet Zhulin”?- u thotë. – Ne jemi të mendimit, tha, që këta të dy, atë e bir, të arrestohen”. Ngrihen e flasin dhe kryetari i kooperativës e shefi i policisë. Kur mbaron shefi i policisë, një të na hedhur hekurat ne të dyve.

Ç’ndodhi më pas?

Ishte një “Xhip”-s atje, kishte ardhur. Babanë e shtynë, se ishte plak, ishte i lartë, tërë ai. Mamanë dhe motrën time, i merrnin në pyetje, i arrestuan dhe ato. I sollën në Degë: “Po ti pse fole? Pse the”? i munduan ato…! Një vëlla i vogël, Bujari, ishte ushtar. U lirua gjatë kohës që ishim në internim atje. Edhe nga andej, e mori vesh që babai në burg, vëllai ashtu. Ai ishte vetëm atje, mamaja plakë, ajo motra 16 vjeç. Ata e rrahën vëllain nja 2-3 herë. Edhe nga torturat që i bënin në internim, nga punët më të zorshme, luajti nga mendja në internim, edhe  jetoi edhe 16 vjet e vdiq në moshën 36 vjeç.

Pasi ju arrestuan, ku ju çuan?

Në Degë, na shpunë atje, babanë më vete, mua më vete në birucë. Nuk ishin as 80 pont ato. Na bënin ne nga dy se ishin shtrënguar shumë birucat, nga ’75-a e këtej, u bë qamet i zi. Edhe në një birucë babanë, një mua. Ndenjëm nja katër muaj atje. Pa ndihma, absolutisht asgjë. Vetëm ujin e kroit. Nuk e gjeje dot makarona ta kërkoje në pjatë. Edhe lugën kush e di sa ditë ndenjëm, e pinim me pjatë, edhe 600 gramë bukë, një rriskë një herë në vakt.

Kush ka qenë hetuesi juaj?

Hetuesi ynë, Luftar Malile.

Ushtruan dhunë gjatë hetuesisë?

Ne të dy një vëzhgues kishim, L.M. Nuk e di se nga ishte. Atë s’e mora vesh. Ishin dhe dy hetues të tjerë: një Asllan Duro, një Seit Duro nga Miçani i Skraparit. Ai hetuesi im, më ka goditur vetëm një herë këtu, në këmbë, m’u bë një kokërr kaq, dhjetë vite deri këtu lart, më lëvizte…! Kurse ata të dy, se mblidheshin shumë hetues pastaj, kur më merrte hetuesi im në hetuesi, ata hynin brenda, nja nga një, të dy dhe siç ishin afër derës, siç hynin, ma jepnin me grusht në stomak.

Sa zgjati hetuesia?

Babai, katër muaj, katër muaj unë. Pastaj, na grumbulluan në “Burgun 313”, te Burgu i Madh në Tiranë, që i ndanin nëpër kampe.

Ku u zhvillua gjyqi?

Prapë në Dushar na shpunë. Atje na e bënë gjyqin, në Dushar prapë.

Cila ishte akuza?

Babait për këto që u thanë më përpara. Agjitacion dhe propagandë.

Po juaja?

Agjitacion dhe propagandë…!

Sa vjet ju dënuan?

Mua 5 vjet, babanë 7. Mua më shpunë në Spaç, babanë në Ballsh të Fierit.

Ju ndanë të dyve?

Po, na ndanë

Sa vjet burg bëtë në Spaç?

Unë të pesta i bëra, se u bë një amnisti atëherë, u bë nga ’82-shi. Fitova me punë 4 muaj. Pesë vjet, pa katër muaj.

Çfarë pune bënit?

Unë punoja në minierë, në galeri, vetëm avancime dhe në fronte prodhimi, mbush materiale, dil përjashta. Ishin hapësira të mëdha, të futej avioni brenda. Edhe i fusnin një pjatë llamarine, mbushnim shumë vagona: 30-35-40 tonë, bënim për tre veta. Kurse avancimi është hapja e galerisë. Edhe në ato kam punuar, në zonë të tretë.

Si ishin kushtet e punës?

Shumë të vështira, sidomos në avancim, që hapeshin galeritë. Kishte acid miniera, që shina që është kaq e trashë, atëherë për dy javë, e hante e bënte dhëmbë-dhëmbë. Tundej vagoni, dilte nga shinat dhe e ngrinim me ton, me hunj, e hidhnim në kurriz.

Ushtronin dhunë policët?

Plus punës që ishte e vështirë kur dilnim nga andej, dy vitet e para, nuk kishte banja për t’u larë, apo dushe, te gryka e minierës…më vonë i bënë, tre vjet para se të lirohesha unë. Pas revoltës së ’73-shit, unë vajta në fillim të ’76-ës, ishte dënuar kampi që nuk kishte të drejtë ta ngrinte kokën lart i dënuari. Po ta ngrije kokën lart, të shikoje nga polici lart, kur rreshtoheshim për të ngrënë, ose për leximin e gazetës, ai thoshte: Dil lart! Kamxhik! Bam, bam me kamxhik!

Dënoheshit po ta ngrinit kokën lart?

Po ta ngrije kokën lart, ta shikoje policin në sy, kamxhiku prapa qafës. Vetëm kamxhik kishte.

Sa veta flinit në kapanon?

Po nga 50 në 60 veta. Mbi 60 nuk merrte më, por deri në 60 veta bëheshim një herë.

Krevate ishin me kate?

Një dhomë 5 m. me 5 m. Me tre kate. Koka ime, e të parit poshtë, zinte te susta e atij tjetrit, te susta e tjetër, zinte koka e atij, gjer në tavan. Kati i tretë, zinte koka në tavan.

Sa ishte dhoma ku flinit ju?

5 me 5 m. Sa të shkonte njeriu kështu, një rresht krevat këtej, një rresht këtej.

Si ishin kushtet higjienike?

Pastërti mbanim, se nuk të linin. Vinte polici me gjithë brigadierin e dënuar. Vinin natën, në 11.00 të natës, prisnin të zinte gjumi, edhe vinin, thoshin: “Nxirri këmbët përjashta!”. Të zgjonte. Po t’i kishe pak të lyera, te çezma, por çezma ishte këtu e te lumi.

Ju kujtohen emrat e atyre që ushtronin dhunë ndaj jush?

Po s’i s’më kujtohen, ku harrohen ata! Preng Rrapi, Pjetër Koka, Zef Gjini, ishte dhe një Lazri, po më ndryshe ishte…! Kurse këta të tjerët, kur e merrnin kamxhikun, kur ishte drejtori i burgut, u vinte rëndë dhe e fusnin si nëntë palltos. Kurse ata e kishin herë pas here. Ndonjë që s’bënte normën edhe dilte atje, e thërriste polici në barangën e tij, atje përpara.

Brigada ishte këtej, ata i thërriste lart, i vinte hekurat. Edhe gomar nuk ka të pëllasë aq. Aq pëlliste se i shtrëngonte sa i shtrëngonte hekurat me dorë, pastaj i qëllonte me qoshe të kapotës. Po të fillonin të binin djersët, të bije në mbërdhe, nuk i ndieje. Po sa të binin djersët e ftohta nga e keqja, ai t’i shtrëngonte. Pastaj të qëllonte me qoshen e kapotës, pastaj kishte të drejtë të vinte këmbën në hekura, pastaj pëlliste njeriu.

Gjatë kohës që ishit në Spaç, ju kanë vizituar të afërmit?

Jo, jo s’kishte kush të më vinte mua absolutisht. Unë i kisha të internuar, babanë në burg, mamanë dhe motrën në internim, s’kisha njeri unë.

Si ju njoftuan për lirimin?

Më thirrën. E kishin ata, që kur mbushej afati, të thërrisnin: Filan ditë, ti del. E dija që një muaj e gjysmë përpara që do lirohesha. E dija sa ditë kisha fituar, pyeta te shefi i organizmit atje, sa kisha fituar, sa isha dënuar, i zbrisja ato dhe e dija afërsisht.

Ju priti njeri kur dolët?

Jo, asnjë njeri.

Ku shkuat pasi u liruat?

Pastaj, të nesërmen, lajmëruan: “Shko në fshat”, më thanë. Pastaj më mori ai, më shpunë në shtëpi, në Moglicë.

Kë gjetët në shtëpi?

Vetëm motrën dhe nënën. Në dënimin e parë, se në të dytin unë u largova nga burgu dhe shkova direkt atje, në Dushar.

Babai vazhdonte ishte në burg?

Babai ishte në burg, se kishte dhe dy vjet akoma.

Çfarë bëtë pasi u liruat në burgu?

Fillova punë, në kooperativë direkt. Edhe katër muaj, pastaj u liruam nga internimi.

Babai kur u lirua?

Babai në ’82-shin.

Pas internimit, ku shkuat?

Prapë, në Nikolicë. Nuk donim të vinim ne, por nuk na lanë. Prapë në Nikolicë, na thanë.

Çfarë bëtë në fshat?

Aty, pastaj fillova punë unë. Nja dy vjet sa rregulluam një çikë shtëpinë, se ishte shkatërruar prapë për së dyti, fillova punë atje. Doja të shkoja në minierë, se nuk na dilte me punën në kooperativë, me lulet, donim të hanim. Pastaj, u futa për të marrë shpërngulje për në minierë. Më dhanë tre muaj një herë. Ishte hapur minierë e Bezhanit, ishte hapur sefte atëherë. Më thanë: “Shko, merre shpërnguljen për një vit e të vish këtu, me ndonjë kurs me ndonjë gjë, në minierën e Bezhanit”.

Ata s’ma dhanë. Ma dhanë për minierë të Drenovës. Në Drenovë. Pastaj, me lutje, vajta nja 7-8 herë te kryetari i Këshillit të Bashkuar në Bozhigrad, mezi e mora, shkova në minierën e Rehovës, të Vithkuqit, dy vjet atje. Pastaj gjeta grua këtu. Kësaj i ishte arratisur i ati. I kishte ngrënë ujku ca dhen. Tre muaj kishte bërë burg në Gjirokastër.

Në çfarë viti u martuat?

Në ’86-ën.

U martuat në një familje të deklasuar?

Po, të deklasuar. Kishte të atin të arratisur, në Suedi.

Gjatë kësaj kohe, ju survejonin?

Po! Ajo ishte e sigurt! Biles ndonjë që të afrohej më shumë, atë lojë kishte. Me ndonjë që shoqëroheshe më tepër, nga ai do ruheshe më shumë se mos më shoqërohet kastile, për të më hapur që llafosem unë, apo më do vërtet? Po unë me 3-4 shokë që punoja në Nikolicë, u thosha: Dëgjo, unë me ju po llafosem, po në qafë ju do më merrni. Do t’ju thërresin, t’ju thonë: “ore çfarë llafosni me Muhametin, çfarë thotë”? Unë kastile u thosha. “Je në vete Muhamet”? më thoshin ata.

Babai e jetoi ardhjen e demokracisë?

Ne atë e ëndërronim me kohë. E prisnim me kohë. Sidomos babai, vajti i zhuritur. Se babai më vdiq në ’86-ën. Në ’82-in u lirua, në ’86-ën vdiq, jetoi katër vjet. Po jam i lumtur vetëm për atë, që e mbulova atë, nuk vdiq në burg. U lirua 74 vjeç, 78 vjeç vdiq. Vetëm për atë jam i lumtur, që e mbulova vetë. Vetë, kur them vetë, vetë fare. Nuk na shkelte asnjë në shtëpi. Kur kisha martuar një motër edhe vëllai i gruas që kisha këtu, e morëm vetë niciativën.

Mora kazmën e lopatën, për të hapur gropën. Kur më takojnë ca kushërinj të mi, njëri ishte veshur shef i kufirit që nga Pogradeci dei në Leskovik, kushërinj nga mamaja ata tre djemtë. Më ngrihet njëri nga ata: Ku vete Muhamet? Kur të vdesim ne të tërë, do vesh ti të hapësh varr vetë. U ngritën ata tre vëllezërit, nja dy djem të xhaxhait të atij dhe nja dy-tre veta të tjerë, u bëmë dhjetë veta që e mbuluam babanë, që janë bërë gjithsej nga Nikolica, të shumtit nuk erdhën.

Ju si i përjetuat ndryshimet e regjimeve?

Atëherë ne, dhe kur vdiq Enveri, dëgjonim radion, u gëzuam shumë se thamë vdiq ai, mos merr të tatëpjetën në ’85-ën. Kishim frikë të thoshim që “vdiq” se thoshim mos nuk ka vdekur vërtet, do na thoshin: ku e morët vesh ju? Në ’90-ën, vuaja vetëm për babanë që s’e arriti. Memorie.al

(Intervista është pjesë e arkivës së familjes Doko).

Copyright©“Memorie.al”

 Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016


This is a companion discussion topic for the original entry at https://memorie.al/me-arrestuan-me-babane-ne-mbledhje-demaskuese-pasi-na-ishin-arratisur-dy-vellezerit-dhe-ne-qeli-me-godisinin-ne-stomak-dy-hetuesit-nga-skrapari-rrefimi-trondites-i-ish-te-denu/